Blendi Kajsiu, analisti që flet me gjuhën e Sigurimit të Shtetit




Nga Kastriot Myftaraj

    Në 3 nëntor 2007, në gazetën «Panorama» është botuar shkrimi i Blendi Kajsiut «Sekreti i dosjeve të Sigurimit». Shkrimi është një provë e influencës së frymës të Sigurimit të Shtetit që vazhdon të mbetet në shoqërinë shqiptare edhe 16 vite pasi Sigurimi i Shtetit nuk ekziston më në letër. Shkrimi është një provë se edhe intelektualë të rinj në moshë, të shkolluar në Perëndim, kanë frymën e Sigurimit të Shtetit dhe flasin si ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit që shkruajnë kujtime si Bekim Budo, Hasan Luçi, Mark Dodani etj. Që në fillim të shkrimit të vet, Kajsiu, paraqet një tezë, për të cilën po të kishte luajalitet intelektual duhet të citonte poöitikanë të regjimit të kaluar dhe veteranë të ish-Sigurimit të Shtetit, që dalin përditë në faqet e gazetave. Kajsiu shkruan: «Ndërkohë shoqërisë duket se i rri varur në kokë ende dilema; të hapen a të mos hapen dosjet? Por qëllimi i këtij artikulli nuk është zgjidhja e kësaj dileme. Kjo nuk është çështja. Çështja është përse rikthehet ky debat? Dëshira për të mbyllur një herë e mirë çështjen e dosjeve, ka në thelb nevojën për t'u shkëputur një herë e mirë nga e kaluara. Por hapja e dosjeve jo vetëm që nuk e ndan shoqërinë tonë nga e kaluara, por hap një derë ku del dhimbshëm implikimi i saj në sistemin komunist». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Kështu, Kajsiu kërkon që të mbyllet një herë e mirë çështja e dosjeve, duke mos u hapur ato, se nëse do të hapen, do të rezultojë që ka qenë populli shqiptar ai që është përgjegjësi kryesor për të këqijat e diktaturës komuniste të kryera me anë të Sigurimit të Shtetit. Është një fakt shumë interesant se ata që i bëjnë apologjinë diktaturës komuniste, jo veç për aspektin e saj represiv, ku ka të bëjë Sigurimi i Shtetit, por për të gjitha dështimet që i solli shoqërisë shqiptare ky regjim, përdorin si argument atë të fajësimit të popullit shqiptar për të ulur përgjegjësinë e diktaturës. Kështu, Ramiz Alia, në vitin 1990, kur u pa qartë se ekonomia e planifikuar socialiste në Shqipëri falimetoi, në industri dhe në bujqësi, bëri përgjegjës për këtë popullin shqiptar, punëtorët dhe fshatarët, duke dalë me teorinë e «shkrehjes së punës». Kështu justifikohej Partia e ashtuquajtur e Punës, e cila e kishte kthyer punën në punë të detyruar(në burgje dhe internime) dhe praktikisht të papaguar(për njerëzit gjoja të lirë), dhe faji i kalonte popullit. Edhe për represionin e diktaturës komuniste, të kryera dhe me anë të Sigurimit të Shtetit, është bërë po e njëjta lojë, duke u lënë të kuptohet se ka qenë zelli i shqiptarëve për të spiunuar dhe denoncuar, që bëri që lufta e klasave të zhvillohej aq e ashpër dhe me aq viktima. Kajsiu shtjellon pikërisht këtë teori, në paragrafin e cituar më lart, dhe më tutje në artikullin e vet, kur shkruan: «E vërteta është se sistemi komunist më shumë sesa një sëmundje e importuar nga jashtë, ishte një produkt i vetë shoqërisë shqiptare. Më shumë sesa një ideologji politike, komunizmi ishte edhe ideologji kombëtare. Vetë identiteti ynë kombëtar përcaktohej nëpërmjet komunizmit». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Në fakt regjimi komunist mund të quhet produkt i shoqërisë shqiptare, vetëm në sensin që një pakësi njerëzish-në 1941 kishte aty rreth 200 komunistë-brenda tre vitesh, arritën të krijojnë një forcë që gjithsesi ishte minorancë, dhe mundën të marrin pushtetin me dhunë. Pra në Shqipëri u zbatua teoria leniniste e elitës revolucionare pararojë që, në një shoqëri të papërgatitur për revolucionin komunist, sipas manualit të Marksit dhe Engelsit që shikonin si parakusht për këtë revolucion që një shoqëri të arrinte nivel të lartë urbanizimi dhe industrializimi, e përshpejton kursin e historisë, duke e bërë shoqërinë me dhunë të kapërcejë etapat e zhvillimit historik sipas markisizmit. Shqipëria dhe pjesa ortodokse e ish-Jugosllavisë ishin në fakt të vetmet vende në Europë ku komunizmi erdhi në pushtet pa ndihmën e ushtrisë sovjetike. Por në atë kohë kishte shumë herë më tepër komunistë për frymë të popullsisë në vendet perëndimore, Itali, Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe, madje edhe SHBA, se në Shqipëri? Atëherë pse komunizmi nuk erdhi në pushtet në këto vende, por erdhi në Shqipëri. Kjo ndodhi se shoqërisë shqiptare i mungonte boshti, pra një shtresë e lartë dhe e mesme me me ndjenjën e përgjegjësisë, energjinë dhe vetëdijen civile, për të ruajtur shoqërinë nga e keqja, dhe e aftë që t’ i kundërvihej minorancës komuniste. Shoqëria shqiptare kishte dalë nga Imperia Osmane vetëm tre dekada para fitores së komunizmit, çka do të thotë se Shqipëria e vitit 1941, kur filloi revolucioni komunist në Shqipëri, kishte vetëm tre dekada që kishte dalë në letër nga lloji më i keq i mesjetës, mesjeta osmane, që në fazën e fundit kishte degjeneruar në një shartesë të çuditshme të institucioneve dekorative në dukje me prirje europiane, me feudalizmin në version osman. Kjo kishte bërë që në Shqipëri të mungonte, deri edhe te shtresat e larta dhe të mesme një kod vlerash dhe një ethos kolektiv, që do të bënte që njerëzit të sakrifikonin seriozisht për të mbrojtur shoqërinë nga një rrezik siç ishte komunizmi. Madje shumë prej të pasurve dhe të pushtetshmëve, të nisur nga dinakëria orientale bashkëpunonin me komunistët në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Ky kolaboracionizëm nuk është studiuar sa duhet por ka qenë mjaft i rëndësishëm për fitoren e komunizmit.
    Duke pasur në dorë pjesën më të madhe të pasurive të vendit si dhe pushtetin, njerëzit e shtresës së lartë dhe të mesme të Shqipërisë së asaj kohe, kishin edhe detyrimin që të kishin bërë një luftë të pakompromis dhe të rreptë për të penguar fitoren e komunizmit në Shqipëri, që në periudhën para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj. Kjo shtresë duhet të ndiqte shembullin e homologëve të saj në Spanjë, që sakrifikuan gjakun dhe florinjtë e tyre në luftën për ta penguar komunizmin të fitonte në vendet e tyre dhe ia arritën kësaj. Ndërsa ky grupim në Shqipëri nuk e mori kurrë seriozisht luftën kundër komunizmit, iu shmang ballafaqimit të ashpër me terrorizmin komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk pranoi as të jepte pare që të paguheshin shtresat e ulta për të luftuar, pasi Perandoria Osmane i kultivoi shqiptarit traditën e keqe të të luftuarit si mercenar. Shtresa e mesme dhe e lartë në Shqipëri, e cila duhej të qe në ballë të luftës kundër komunizmit, atëhere kur duhej ndaluar fitorja e tij, ndejti e tërhequr dhe e pavendosur, jo se donte të shmangte luftën vëllavrasëse, siç është shfajsuar me një eufemizëm të neveritshëm, por se i dhimbeshin pronat, florinjtë dhe nuk ishte mësuar të luftonte për kauzën e saj ideologjike si shtresë kapitaliste në qytet dhe fshat. Derisa të pasurit e Spanjës, gjatë Luftës Civile të 1936-1939  i dhanë flori Frankos që të sillte në Spanjë 85 mijë mercenarë marokenë që qenë luftëtarët më të tmerrshëm, të pasurit e Shqipërisë e fshehën floririn nën dhe që t’ ua merrte Enver Hoxha, së bashku me tokat, shtëpitë dhe dyqanet dhe lirinë e jetën. Meqë këta burra nuk donin të luftonin vetë seriozisht, sikur gjysma e atyre 390 ton flori që konfiskoi Enver Hoxha të qenë dhënë, mund të ishin huazuar marokenët që luftuan kundër komunizmit në Spanjë dhe Enver Hoxha me terroristët e tij të kuq do t’ ia kishin mbathur në Serbi për t’ u strehuar në shpellat ku rrinin partizanët e Titos.
Shtresa e mesme dhe e lartë në Shqipëri, nuk i bëri këto se ajo ishte mësuar që këtë ta bënin të tjerët për të, si në 1924, kur Zogu e rrëzoi nga pushteti regjimin Bolshevik të Nolit me mercenarë antikomunistë rusë bjellogardistë, të paguar me arin e Britanisë së Madhe. Edhe këtë herë kjo shtresë e mesme dhe e lartë e Shqipërisë priste që atë ta shpëtonte nga komunizmi “inglizi”, duke u shprehur në kafenetë e qyteteve se “Nuk i le inglizi këta të kuqtë e malit të vijnë në pushtet në Shqipëri”. Përndryshe shtresa e mesme dhe e lartë në Shqipëri, që ishte përgjegjëse për fatin e vendit, me mosveprimin e saj kriminal, praktikisht ia dorëzoi vendin dhe popullin një grushti terroristësh të kuq, të lidhur me armiqtë tradicionalë nacionalë, sllavët. Kjo rezultoi të qe me pasoja katastrofale, jo vetëm për Shqipërinë e 1913-s, por edhe për krejt nacionin (kombin), pra edhe për shqiptarët në anën tjetër të kufirit, që me besë shqiptari iu dorëzuan armët partizanëve të Enver Hoxhës, që kishin shkuar atje t’ i nënshtronin pabesisht për llogari të serbëve. Në rast se krimineli është përgjegjës për një krim, jo më pak përgjegjës është ai që e kishte për detyrim ta ndalonte dhe nuk bëri gjithçka që kishte mundësi për ta ndaluar. Në kohën e “Marrëveshjes së Munich-ut” në 1938, Winston Churchill, atëhere në opozitë, iu drejtua me këto fjalë qeverisë britanike: “Midis luftës dhe turpit, ju zgjodhët turpin, por do ta keni dhe luftën!”  Në të njëjtën mënyrë, shtresa e lartë dhe e mesme shqiptare e cila gjatë viteve 1941-1944 zgjodhi turpin në vend të luftës, e pati edhe luftën e klasave për gjysmë shekulli.
    Duke qenë se regjimi komunist në Shqipëri nuk erdhi si rezultat i evolucionit të shoqërisë kan një nivel më i lartë urbanizimi dhe industrializimi, sic e kërkonte manuali marksisit,por erdhi me një truk të dyshimtë leninist, Enver Hoxha, ashtu si Mao Ce Duni në Kinë, i vuante shumë kritikat therrëse të të huajve për absurdin e ndërtimit të komunizmit në dy shoqëri të prapambetura fshatare siç ishte Shqipëria dhe Kina, prandaj të dy bënin ekzibicionizma, të llojit të «Hopit të madh para» dhe të «Revolucionit kulturor» të Maos, që i kopjonte dhe Enver Hoxha. Në këto rrethana komunizmi nuk mund të ishte ideologji kombëtare, por u imponua artificialisht si e tillë nga regjimi. Megjithatë regjimi dështoi që ta bënte këtë gjë, së pari se dështoi në sfidën e urbanizimit dhe të industrializimit të vendit, çka janë anë të së njëjtës medalje. Edhe pas një gjysmë shekulli të regjimit komunist në Shqipëri, sipas shifrave zyrtare dy të tretat e popullsisë jetonin në fshat, por kjo shifër duhet të ketë qenë edhe më e lartë, se në Shqipërinë e kohës së komunizmit kishte qytete fiktive, ku një pjesë e madhe e popullsisë punonte në bujqësi, madje edhe në qytet e mëdha kishte shumë banorë që punonin në ndërmarrjet bujqësore. Në fillim të viteve shtëtdhjetë, pas rreth tre dekadash të regjimit komunist, ky regjim shpalli dështimin e projektit për të ndërtuar komunizmin, kur Enver Hoxha doli me sloganin se të rinjtë nga qyteti duhet të shkojnë të jetojnë dhe punojnë në fshat dhe këtë do ta kishte bërë edhe ai po të kishte qenë njëzet vjeç. Marksit do t’ i ishin ngritur përpjetë prej tmerrit fijet e flokëve dhe të mjekrrës po të dëgjonte një udhëheqës komunist që predikonte fshatarizimine  shoqërisë në vend të urbanizimit.
    Ende nuk është studiuar lidhja mes predispozitës fshatare të regjimit komunist shqiptar, të drejtuar megjithatë nga një qytetar si Enver Hoxha, i cili kishte jetuar dhe në qytete e Francës, si dhe aspektit represiv të këtij regjimi. Është kurioze se pikërisht në kohën që Enver Hoxha doli me këtë slogan, një tjetër udhëheqës komunist, Pol Poti në Kamboxhia, doli me sloganin për zhdukjen e popullsisë qytetare, duke e fshatarizuar shoqërinë, dhe këtë gjë e bëri me dhunë, duke çuar në një genocid të panjohur më parë. Kajsiu shkruan për komunizmin shqiptar se «ishte një sistem që nuk bazohej thjesht te mjetet e represionit, por mbi të gjitha te bashkëpunimi i qytetarëve, intelektualëve, akademikëve dhe komunistëve. Bazohej te zelli i sekretarit të partisë, te puna shkencore e intelektualëve dhe akademikëve, te bindjet e komunistit të thjeshtë, tek oportunizmi për të mbijetuar». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Si mund të thuhet kjo gjë për një regjim ku kufta civile permanente ishte fiksuar si parim në Kushtetutë, me parimin e luftës së klasave. Neni 4 i Kushtetutës së vitit 1976 thotë: “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë zhvillon pandërprerë revolucionin duke iu përmbajtur luftës së klasave“. Pra, është fiksuar juridikisht në kushtetutë lufta civile dhe terrori. Për ç’ bashkëpunim të vullnetshëm mund të bëhej fjalë në një shtet që praktikisht u kishte shpallur luftë nënshtetasve të vet? Në një regjim të tillë për çdo qytetar ekzistonte versioni i “dhomës 101” të George Orëell tek “1984”. Kur policia sekrete e këtij lloj regjimi vendoste të rekrutonte një njeri, ajo e gjente gjithherë mënyrën me anë të shtrëngimit. Nëse shumica e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit do të rrëfeheshin, ata do të thoshin se nuk ishin aq të fortë sa t’ i rezistonin presionit të policisë sekrete komuniste për t’ i bërë bashkëpunëtorë. Ata nuk mund të quhen fajtorë se nuk bënë heroin. Ata ishin njerëz të zakonshëm, që u vunë para një sfide që kërkonte karakter prej heroi. Personazhi kryesor i «1984», që ishte një disident i bindur, por jo me karakter prej heroi, kur u fut në dhomën 101, tradhëtoi të dashurën e vet. Kjo është shumë domethënëse.
    Një nga arsyet kryesore për të cilat regjimi komunist bënte rekrutimin e bashkëpunëtorëve të policisë së tij sekrete, ishte që të zgjerohej grupi shoqëror i njerëzve që regjimi i shihte si kundërshtarë potencialë dhe që duke i bërë bashkëpunëtorë, i paralizonte duke i kompromentuar. Tashmë këta njerëz nuk mund të donin rënien e regjimit, se e dinim që ishin të lidhur me të. Pas ngjarjeve në Hungari 1956, KGB përgatiti dy filma që i shpërndau në gjithë vendet komuniste. Një iu shfaq oficerëve të Sigurimit të Shtetit, ku tregohej se si trajtoheshin kolegët e tyre hungarezë të kapur nga kryengritësit antikomunistë, ndërsa tjetri iu shfaq bashkëpunëtorëve të policive sekrete komuniste (edhe të Sigurimit të Shtetit) ku tregohej se si trajtoheshin kolegët e tyre hungarezë të kapur nga kryengritësit. Në film tregohej se si ata rriheshin, vareshin, pushkatoheshin, së bashku me familjarët e tyre. Mesazhi ishte i qartë: nëse regjimi përmbysej kështu do ta pësonin dhe ata. Me këtë që po them nuk dua të shfajësoj bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Gjithsesi ata nuk duhet të jenë sot në politikë, administratë, media etj., dhe sigurisht bashkë me ta nuk duhet të jenë as funksionarët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të niveleve të caktuara të regjimit të kaluar. Por e vërteta është se regjimi kishte ndërtuar dhe një sistem represioni për të siguruar bashkëpunimin.  Dhe në këtë rrethanë bashkëpunimi ishte një siguri jete për bashkëpunëtorin- në këtë sens Sigurimi i Shtetit funksiononte dhe si një shoqëri sigurimesh monstruoze. Sigurisht që brenda rrethit të bashkëpunëtorëve ka patur një kategori njerëzish monstruozë që ishin të zellshëm dhe madje iu ofruan vullnetarisht Sigurimit, por këta për hir të së vërtetës kanë qenë pakica. Ajo gjë për të cilën nuk bëhet fjalë janë dhe bashkëpunëtorët e përjashtuar nga Sigurimi i Shtetit. Nga viti 1950 deri në vitin 1988 nga Sigurimi i Shtetit janë përjashtuar 85 mijë bashkëpunëtorë të katër kategorive: informator, strehues, rezident, agjent. Shumica e tyre janë përjashtuar si të paaftë për ta bërë punën që u ngarkohej, por ne nuk mund ta dimë nëse për shumë prej tyre kjo ka qenë mënyra e zgjedhur në ato kushte për të refuzuar bashkëpunimin. Një gjë është e sigurt, mes tyre ka shumë «heronj të heshtur» në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Prandaj Kajsiu nuk ka të drejtë kur shkruan: «Me rënien e komunizmit dimensioni bashkëpunues pothuajse u eliminua për të theksuar atë represiv. Në këtë mënyrë shoqëria mund të merrte frymë si viktimë e një sistemi represiv, duke e redukltuar rolin e saj në ndërtimin e këtij sistemi. Natyrisht roli i viktimës nuk mund të theksohet pa nxjerrë në pah xhelatin: sigurimin. Kështu anashkalohet dimensioni bashkëpunues duke nxjerrë në pah atë represiv». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28) Por, teza që kritikon Kajsiu është në fakt e drejtë, siç kam treguar më lart. Nuk mund të ketë simetri mes aspektit represiv dhe bashkëpunues të regjimit komunist, sa i përket policisë së tij sekrete, dhe asimetria për hir të së vërtetës është në favor të bashkëpunëtorëve.
    Kajsiu tregohet krejt irracional-ose më saktë ka një racionalitet të përbindshëm që është e anasjellta antikomuniste e polpotizmit-kur shkruan: «Të gjithë dalin viktima.  Sekretari i partisë, intelektuali, punëtori dhe komunisti i thjeshtë nuk bëhen veçse viktima të pafajshme të sigurimit të tmerrshëm që përfaqëson të gjithë dhunën e sistemit komunist. Dhe për ta vënë drejtësinë në vend, dhe për t'u ndarë me nder nga e kaluara, duhet dënuar dhuna e sistemit: sigurimi. Por natyrisht nuk mund të dënohen zyrtarët e sigurimit, pasi sikurse sekretari i partisë, mësuesi apo akademiku, ata thjesht po bënin detyrën.  Prandaj duhen dënuar spiunët, bashkëpunëtorët e sigurimit, ajo pjesë e errët që shihej me dyshim edhe gjatë vetë regjimit komunist. Dhe këtu fillon ironia dhe ngërçi i dosjeve. Nga njëra anë duhen dënuar bashkëpunëtorët e sigurimit, pasi ata mbanin në këmbë sistemin represiv komunist në mënyrë sekrete. Nga ana tjetër sekretari i partisë, ish-ministri apo intelektuali që e mbanin gjallë sistemin komunist në mënyrë publike, madje edhe duke përfituar privilegje jo vetëm nuk dënohen, por vazhdojnë të militojnë në politikë. Madje, edhe duke denoncuar ashpër komunizmin, duke kërkuar hapjen e dosjeve, dënimin e bashkëpunëtorëve të sigurimit që shpesh ishin viktimat e tij 'par excellence'. Ky është qerthulli ku ngec, humbet dhe rishfaqet çështja e dosjeve». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Atëherë ç’ kërkon Kajsiu? Që të penalizohet krejt inteligjenca shqiptare e kohës së komunizmit, një pjesë e madhe e së cilës është aktive dhe sot? Kjo është çmenduri! Kush do ta zëvendësojë atë? Njerëzit si Kajsiu, me këto që shkruan, nuk japin shpresë. Por pse është kaq ekstremist ky liberali Kajsiu? Këtë do ta zbulojë më poshtë, kur ai për të mbështetur tezën e vet bën një mashtrim në krahasim e shoqërisë komuniste shqiptare me homologet e Gjermanisë Lindore dhe Çekosllovakisë, kur shkruan: «Një çështje që nuk mund të zgjidhet kurrë për sa kohë ngrihet mbi harresën e përmasave në të cilat shoqëria shqiptare u përfshi në sistemin komunist. Pikërisht për këtë arsye shembujt e hapjes së dosjeve në Çeki apo Gjermani nuk mund të shërbejnë për të zgjidhur debatin shqiptar. Ndryshe nga Shqipëria, në këto vende komunizmi ishte jo vetëm më pak represiv, por edhe më i imponuar nga jashtë.  Ndryshe nga Shqipëria, shoqëria e këtyre vendeve ishte shumë më pak e përfshirë në sistemin komunist sesa ajo shqiptare. Ndryshe nga Shqipëria, në këto vende kishte një disidencë të organizuar që mund të legjitimonte dhe përcaktonte shoqërinë post-komuniste». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Ajo që nuk e kupton, ose bën sikur nuk e kupton Kajsiu, është se në Gjermaninë Lindore dhe në Çekosllovaki implikimi i shoqërisë me regjimin komunist, deri edhe me policinë e tij sekrete, nuk ka qenë më i vogël se në Shqipëri, por në disa aspekte edhe më i madh. Në Gjermaninë Lindore STASSI kishte 6 milion dosje operative për qytetarët, pra për një në çdo tre qytetarë të këtij vendi. Në partitë komunistë të këtyre vendeve ishte anëtarësuar 10-11% e popullsisë- një shifër kjo dukshëm më e lartë se në Shqipëri ku në vitin 1990 në parti ishte anëtarësuar vetëm 5% e popullsisë, ndërsa për dekadat e kaluara kjo shifër lëkundej mes 2 dhe 3%. Në policinë sekrete gjermanolindore, STASSI, punonin 91 mijë funksionarë, çka do të thotë 4 në një mijë banorë, një shifër kjo më e madhe se në Shqipëri. Por, ndryshimi mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë ka qenë se policitë sekrete të tyre, ndërsa vepronin njëlloj si Sigurimi i Shtetit, sa i përket rekrutimit të bashkëpunëtorëve, survejimit të popullsisë etj., si dhe përdornin njëlloj strategjinë e kompromentimit të grupeve të gjera të popullsisë, erdhën duke e ulur aspektin represiv. Por kjo është meritë e regjimeve dhe jo e qytetarëve të implikuar të këtyre vendeve, që punën e tyre e kanë bërë njëlloj. Krahasimin me shoqëritë komuniste europianolindore Kajsiu e bën për të mbështetur tezën e tij se në Shqipëri më problematikë se bashkëpunëtorët sekretë të Sigurimit të Shtetit sot janë ata që ai i quan ish-bashkëpunëtorët publikë të Sigurimit të Shtetit. Kajsiu shkruan: «Prandaj në to ndarja me të kaluarën mund të bëhej me një hapje masive të dosjeve, e cila nuk komprometonte shoqërinë në përgjithësi. Ndërsa në Shqipëri hapja e dosjeve dhe dënimi i bashkëpunëtorëve 'sekret' të sigurimit nuk mund të bëhet pa dënuar më parë bashkëpunëtorët publikë të tij, që sot mbeten në postet më të larta politike». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Pra, Kajsiu shpik kategorinë e ish-bashkëpunëtorit publik i Sigurimit të Shtetit, ku përfshin ish-sekretarët e partisë dhe intelektualët që i shërbyen regjimit, dhe për të cilët thotë se disa janë sot dhe në poste të larta politike. Duket qartë se këtu fjalën e ka së pari për kryeministrin Berisha. Mirë, por a e quan të tillë Kajsiu piktorin Edi Rama, që me pikturat e tij, në kohën e regjimit, u përçonte frymën e regjimit komunist dhe të Sigurimit të Shtetit? Dhe duke ndjekur logjikën e Kajsiut ç’ mund të thuhet për një sportist, që gjatë regjimit komunist kur dilte jashtë vendit, bënte relacione për shokët e tij tek operativi i klubit. E vërteta është se ata që Kajsiu i quan bashkëpunëtorë publikë të Sigurimit të Shtetit ishin në fakt bashkëpunëtorë të regjimit komunist dhe jo gjithherë të policisë së tij sekrete. Termi bashkëpunëtor publik i Sigurimit të Shtetit nuk vlen për kohën e kaluar, por për kohën e sotme kur ka njerëz që publikisht Sigurimin e Shtetit bëjnë apologjinë e Sigurimit të Shtetit. I tillë është Kajsiu që mund të quhet bashkëpunëtor publik i Sigurimit të Shtetit. Kajsiu shkruan: «Shoqëria shqiptare jeton në iluzionin se ishte viktimë e komunizmit dje, siç ndihet viktimë e politikës sot. Është një iluzion që presupozon që të gjithë fajin e kish sigurimi, Enveri, Partia. Është një iluzion që ngrihet mbi bindjen se 'nuk kish si ndodhte ndryshe, të ndodhte ndryshe s'kish se si'. Prandaj edhe ato pak figura disidente si Ngjela apo Lubonja, që provojnë se rezistenca ishte e mundur, sot ose sillen si jetimë në skenën politike, ose janë reduktuar në analist politik. Ata mbeten ndërgjegjja e pisët e shoqërisë, kujtesa e kompromisit të saj, e bashkëpunimit, e mungesës së kurajës, prandaj duhen shtyrë gjithnjë e më tepër në periferi të skenës publike, pasi janë përdorur për aksionin politik të radhës».(gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28)
    Por, Ngjela dhe Lubonja, duke respektuar vuajtjet e tyre, nuk kanë qenë disidentë por u burgosën nga regjimi komunist për shkak të praktikës së tij të shtrirjes së goditjes në rrethin familjar dhe fisnor të atij që goditej gjatë spastrimeve brenda llojit, siç ndodhi me prindërit e tyre. Pikërisht sjellja e Ngjelës dhe e Lubonjës si shembull të disidencës së vogël shqiptare në kohën e komunzimit është boomerang për Kajsiun. Ngjela dhe Lubonja nuk janë provë e rezistencës ndaj regjimit, por e mbijetesës, sipas logjikës që sjell Kajsiu «nuk kish si ndodhte ndryshe, të ndodhte ndryshe s'kish se si». Se Ngjela dhe Lubonja, nëse e marrim të mireqenë tezën e rezistencës, nuk e filluan këtë para se prindërve të tyre t’ u vinte rradha në skemën e spastrimeve të Enver Hoxhës por më pas, kur edhe ata u bënë pjesë e goditjes. Rasti i Lubonjës është provë e mbijetesës, në rrethanën kur vdekja shtetërore kalon pranë duke u marrë jetën dy disidentëve që u dënuan me vdekje në gjyqin e Lubonjës. Ngjela, djali i një funksionari shumë më të lartë se babai i Lubonjës, nuk kaloi një situatë të tillë, dhe pres kujtimet e tij, që ende nuk po i nxjerr, për të parë versionin e tij të shpjegimit për këtë gjë. Ngjela dhe Lubonja nuk mund të jenë gjykatësit moralë të shoqërisë shqiptare, por as mund të fajësohen se mbijetuan. Ata nuk ishin heronj. Heronjtë, pavarësisht nga drejtësia e kredos së tyre, u dënuan me vdekje në gjyqin e Lubonjës.
    Kajsiu në fund të artikullit zbulon atë që sipas tij është sekreti i vërtetë i dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit: «Sekreti i vërtetë i dosjeve të sigurimit është përfshirja e një shoqërie të tërë në dhunimin e vetvetes. Është mësimi që na është dashur të harrojmë për të ndërtuar shoqërinë tonë post-komuniste në 'kontrast' me të kaluarën». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28) Kështu do të ksihte folur edhe Enver Hoxha po të kishte qenë gjallë! Në fund Kajsiu bën një paralele absurde mes shoqërisë së sotme shqiptare dhe asaj komuniste, duke thënë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit: «ato na kujtojnë se sa shumë i ngjan shoqëria jonë sot asaj të djeshmes. Se si edhe sot partiaku, qeveritari, intelektuali, për oportunizëm, mbijetesë apo bindje, bashkëpunon me pushtetin që nesër do ta denoncojë, ashtu si dhe dje». (gazeta «Panorama», 3 nëntor 2007, f. 28) Analogjia nuk ka kuptim se sot Kajsiu mund ta kritikojë pushtetin dhe mos të përfundojë në burg, apo pushkatim, me familjen e internuar, si dikur. Por, nëse e marrim si të vërtetë analogjinë, mund të thuhet se Kajsiu është shembull i këtij bashkëpunimi pervers, pasi ai kur u shfaq në ekranet shqiptare para nja 3 vitesh, doli si njeriu i Berishës, dhe kur erdhi ky në pushtet i mori si shpërblim bashkë me miqtë e vet licencën për një universitet privat shumë fitimprurës dhe tashmë është bërë me Edi Ramën dhe shan Berishën se pret të fitojë më shumë nga Rama nesër.

2007