Leonardi Vitetti ishte një ndër ata njerëz misteriozë, me një background familjar që i bën shumë intrigues, të cilët i ikin vëmendjes së historianëve, ose më saktë historianët e shpërfillin praninë e këtyre njerëzve në ngjarjet e rëndësishme historike, se nuk duan që ta perversojnë metodologjinë e tyre me teori të rëndomta konspiracioni. Por ja që njerëzit si Vitetti shfaqen, në mënyrë mëse enigmatike, me një rol vendimtar në ngjarjet e rëndësishme historike, kështu që do të ishte një perversim i historiografisë që të trivializosh peshën e tyre. Kur kam cituar më lart një fragment nga ditari i Kontit Ciano, në 23 mars 1939, ku përmendet emri i Vitetti, me siguri që lexuesit i ka rrëshqitur nga vëmendja ky emër dhe nuk e sjell ndërmend se çka kishte bërë Vitetti. E pra, në 23 mars 1939 Ciano shkruan në ditar, kur flet për hartimin e planeve për pushtimin e Shqipërisë, prej Mussolinit dhe prej tij.
Unë gjithashtu jam duke përgatitur një version me Vitetti-n. Është një akord i cili, ndonëse i shprehur në terma të sjellshme, do të na lejojë ne që të efektojmë aneksimin e Shqipërisë. Duçe e aprovoi atë. Ose Zogu pranon kushtet të cilat ne ia paraqesim atij, ose ne do të ndërmarrim pushtimin ushtarak të vendit.[i]
Mussolini kishte bërë një plan që nuk i pëlqente Cianos, se nuk parashikonte një ultimatum ndaj Zogut, kështu që Ciano ngarkoi Vitetti-n që të hartojë një plan tjetër, radikal. Leonardo Vitetti, drejtori i Drejtorisë së Çështjeve të Përgjithshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili ishte autor i planit të pushtimit të Shqipërisë, që Ciano ia paraqiti Mussolinit po në 23 mars, ishte një njeri sa interesant aq edhe misterioz. Vitetti, i cili ishte një diplomat karriere, në 1934, në moshën 39 vjeç u martua me një amerikane, Natalie May Coe. Nusja kishte një gjenealogji që shkonte në majat e botës së biznisit amerikan, të establishmentit amerikan. Natalie May Coe ishte vajza e vetme e Ëilliam Robertson Coe dhe Mai Huttleston Rogers . I ati i nuses, Ëilliam Robertson Coe (1869-1955) ishte një manjat amerikan i shoqërive të sigurimeve dhe hekurudhave. Nëna e nuses, Mai Huttleston Rogers ishte vajza e Henry Huttleston Rogers, një nga njerëzit më të rëndësishëm në kompaninë amerikane më të madhe të naftës, Standard Oil. Pikërisht tek kompania e sigurimeve, kompania amerikane e sigurimeve “Johnson and Higgins”, në të cilën ishte president vjehrri i Leonardo Vitetti, do të sigurohej anija që më pas u bë e famshme, RMS “Titanic”, e cila konsiderohej si një anije e pambytshme, por që megjithatë do të hynte në histori si më e famshmja e anijeve të mbytura. Leonardo Vitetti u njoh dhe u dashurua me Natalie May Coe, kur ishte ishte sekretar i parë i Ambasadës së Italisë në Washington . Edhe martesa e tyre u bë në SHBA, në country house të familjes Coe, në Oyster Bay , Neë York. Për martesën shkruajti edhe gazeta “Neë York Times” në kronikën mondane, me titull “Miss Natalie Coe Long Island Bride”.[ii]Gazeta “New York Times” nuk mungoi që të shkruante edhe për lindjen e djalit të tyre, në 1935: “A son to mrs Vitetti”.[iii]Qartësisht, Leonardo Vitetti e arriti këtë famë, me anë të gruas së tij. Karriera e Vitetti-t mori përpjetë kur Ciano u bë ministër i Punëve të Jashtme. Ciano e emëroi Vitetti-n drejtor të Drejtorisë së Çështjeve Europiane dhe më pas drejtor të Drejtorisë së Çështjeve të Përgjithshme, posti të cilin Vitetti e mbante në kohën që hartoi planin e pushtimit të Shqipërisë. Në vitin 1938, Vitetti, me ndërhyrjen e Cianos, mori nga Mbreti i Italisë një titull fisnikërie, atë të kontit.
Leonardo Vitetti dhe gruaja e tij amerikane qenë pjesë e rrethit të Kontit Ciano, që mblidhej në Klubin e golfit Acquasanto, në periferi të Romës, në Barin “Excelsior” dhe në sallonin e Princeshës Colonna. Vitetti i duhej Cianos si një nga njerëzit me të cilët ai mendonte të mbante kontakte të posaçme me qarqet anglosaksone të politikëbërjes ndërkombëtare. Kunati i Vitetti-t, vëllai i gruas së tij, Robert Douglas Coe, ishte një diplomat karriere, i cili në vitet 1937-1941, pra në kohën kur ndodhi pushtimi i Shqipërisë, mbante postin e desk officer për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, që mbulonte dhe Shqipërinë. A thua që kjo të ishte një koincidencë, apo një kombinim i vetëdijshëm i Partisë Atlantike të Luftës. Si shumë koincidenca të tilla bëhen në këtë historinë e pushtimit të Shqipërisë në 1939! Kështu që “teoria” e koincidencave, jo vetëm nuk vlen për të shpjeguar ngjarjet në këto raste, por bëhet një handicap intelektual, që të pengon të kuptosh atë çka ka ndodhur. Do të ishte pikërisht kunati i Vitetti-t, ai që përpunoi qëndrimin amerikan ndaj Shqipërisë, pas pushtimit, që aq shumë e habiti Faik Konicën, atëherë ministër i Shqipërisë në Washington . Faik Konica, i cili në kohën e pushtimit të Shqipërisë ishte ministër fuqiplotë në SHBA-të, e përshkruan kështu bisedën me sekretarin e Departamentit të Shtetit për Çështje të Jashtme, pas pushtimit të Shqipërisë:
Ndodhi që në atë kohë unë isha përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha vendosur që më 1926 si i dërguar i vendit tim, për rilindjen e të cilit kisha punuar që në rini. Qeveria amerikane, duke iu përmbajtur politikës së vet për të mos njohur ndryshimet tokësore të bëra me “metoda gangsterësh”, vijoi të më quante si përfaqësues ligjor të Shqipërisë. Për më tepër, ky vendim lidhur me gjendjen time u bë më i lehtë nga fakti se fashistët, në fillim duke e paraqitur veten në mënyrë mjaft të çuditshme si “çlirimtarë” u kujdesën që të ngrinin një qeveri shqiptare të rreme, që mbajti shërbim diplomatik. Por italianët, të cilët në kundërshtim me vendin e tyre madhërisht të shquar në historinë e kulturës, disa herë na shfaqen më të zgjuar se sa inteligjentë, dhe që gjithmonë kanë qenë të përmendur për padurimin e tyre, nuk mund të mbanin më në këmbë një mashtrim që ishte i leverdisshëm për prestigjin e tyre, duke i hedhur një vello sado të hollë dhunës së tyre, kështu që nga mesi i korrikut qeveria-kukull e Tiranës mori urdhër të mbyllte legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Njëkohësisht, të dërguarit e vendeve të ndryshme, duke përfshirë edhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të vendosur në Tiranë, u informuan në mënyrë mjaft të papritur se statusi i tyre diplomatik nuk do të njihej këtej e tutje. Shumë shpejt pas kësaj, që të jemi të përpiktë më 24 korrik 1939, Sekretari i Shtetit më thirri në Departamentin e Shtetit dhe më njoftoi se, mbi bazat e reciprocitetit, ai ishte i detyruar ta quante se misioni im kishte marrë fund. Zoti Kordel Hall, i cili u bë edhe më i mirësjellshëm se sa ishte zakonisht, me sa duket e kuptoi habinë time të pashprehur për diskriminimin e dukshëm kundër Shqipërisë në krahasim me trajtimin që i ishte bërë Çekosllovakisë, i dërguari i së cilës vazhdonte të njihej si përfaqësues ligjor i kombit të vet. Zoti Kordel Hall më njoftoi se ndryshimi në trajtim vinte për shkak se “ndryshimi i Çekosllovakisë ndodhi brenda një nate”, ndërsa në Shqipëri ndryshimi ishte bërë shkallë-shkallë. Unë nuk kam dyshim se ky shpjegim ka baza mjaft të shëndosha, por më duhet ta pranoj se unë nuk arrita ta kuptoja. Megjithatë nuk e ndieja se kisha të drejtë të kërkoja shpjegime. Pasi dëgjova që në fillim pa e hapur gojën, e falënderova Sekretarin e Shtetit për shumë qëndrime të mirësjellshme gjatë misionit tim dhe u largova. Është e tepërt ta them se isha i hidhëruar për gjithçka nënkuptonte ky epilog i trishtuar lidhur me të ardhmen e vendit tim; por njëkohësisht më duhet ta pranoj se pata njëfarë ndjenje të lehtësimit vetjak. Është e qartë se pozita e një njeriu që pranohet si i dërguar i ligjshëm i një kombi dhe megjithatë nuk përfaqëson dot një qeveri reale, është e hapur për shumë gjëra të pakëndshme. Kjo më kujton një aktor të Shopenhauerit, i cili vijon të luajë pasi ka mbaruar shfaqja dhe është ulur perdja.[iv]
Nëse Faik Konica do ta kishte gjetur me vend të thoshte diçka, ai do të duhej të kishte tërhequr vëmendjen e Sekretarit të Departamentit të Shtetit se Franca vazhdoi ta mbante legatën shqiptare në Paris, e cila u mbyll vetëm me pushtimin gjerman të Francës në 1940. SHBA-të dhe vende të tjera perëndimore kishin qartësisht një prirje për ta mbyllur sa më parë çështjen shqiptare, për komoditetin e Italisë. Një vit më pas, kur Gjermania pushtoi Danimarkën, ministri danez në Washington nuk pësoi të njëjtin fat me Konicën por vazhdoi të njihej nga qeveria amerikane si përfaqësuesi legjitim i vendit të vet. Gjithsesi ajo çka Konica nuk mund të kuptonte në atë kohë ishte se pushtimi i Shqipërisë nga Italia ishte vepër e Partisë Atlantike të Luftës. Në Departamentin e Shtetit kjo politikë induktohej me anë të njerëzve si Robert Douglas Coe dhe Sumner Welles.
Leonardo Vitetti, me gjithë punët që kishte bërë gjatë regjimit fashist, ishte një nga ata persona, karriera diplomatike e të cilëve nuk u ndërpre me rënien e fashizmit dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, por vazhdoi që të përparojë edhe në Republikën e pasluftës, por vazhdoi të përparojë. Karriera diplomatike e Francesco Jacomonit, ministrit të Italisë në Shqipëri, në kohën e pushtimit, u ndërpre pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse ai nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte zbatuar planet e hartuara nga eprorët e tij, ndër ta edhe Vitetti. E megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore, Jacomoni, ndonëse ishte vetëm dy vjet më i madh se Vitetti, do të ishte një pensionist, ndërsa Vitetti do të vazhdonte karrierën. I vetmi shpjegim për këtë është se Vitetti kishte qenë njeriu i Partisë Atlantike të Luftës. Jacomoni shkruajti për ato që bëri në Shqipëri. Vitetti jo. Vitetti dhe Jacomoni vdiqën në të njëjtin vit, 1973. Kur vdiq Vitetti, gazeta “Neë York Times”shkruajti për të “Count Vitetti Dies; Delegate to U.N. 78”.[v]Natyrisht se “Neë York Times” nuk shkruante për të gjithë delegatët italianë në OKB që vdisnin në moshë të shtyrë, por Vitetti bënte përjashtim se ai ishte burri i Natalie May Coe dhe njeriu i Partisë Atlantike të Luftës.
Leonardo Vitetti, ishte së bashku me Princeshën Isabella Colonna, kujdestari i Cianos, caktuar nga Partia Atlantike e Luftës, me qendër në Washington dhe London. Derisa Princesha Colonna ishte kujdestare e Cianos në jetën e tij mondane, në sallone, Vitetti ishte kujdestari- burokrat i Cianos, kujdestari i tij në zyrë. Derisa Princesha Colonna ia shtiu në mendje Cianos idenë e pushtimit të Shqipërisë, Vitetti ishte njeriu që e nxiste vazhdimisht Ciano-n dembel, që të ngulmonte pranë Mussolinit për pushtimin e Shqipërisë. Vitetti është njeriu metodik që e nxit Ciano-n të bëjnë planet e nevojshme për aksionin në Shqipëri, sipas skenarëve të ndryshëm të ngjarjeve. Në mëngjesin e 7 prillit, kur filloi invadimi italian i Shqipërisë, Vitetti do të fluturonte së bashku me Cianon, në avionin luftarak të pilotuar prej këtij të fundit, që kaloi mbi luftanijet italiane të përqëndruara mbi Durrës, kaloi mbi qytet dhe shkoi deri në Tiranë. Ciano shkruan mbi këtë në ditar, në 7 prill:
Në orën 6 të mëngjesit unë u nisa me aeroplan. Moti është i qetë dhe i nxehtë. Buti, Vitetti dhe Pavolini erdhën me mua. Në orën 7. 45 ne ishim në Durrës. Ishte një spektakël i mrekullueshëm. Në gji, rrinin të palëvizura, solemnisht, anijet luftarake, ndërsa motobarkat dhe lundrat e tjera të vogla lëviznin në port duke transportuar forcat tokësore. Deti dukej si një pasqyrë.[vi]
Ciano dhe Vitetti nuk po shijonin thjesht triumfin e tyre. Duke qenë njerëz vanitozë, ata donin që të kishin diçka të veçantë për t’ iu mburrur miqve të tyre të Partisë Atlantike të Luftës, për të cilët pushtimi i Shqipërisë kishte një rëndësi të madhe.





