Derisa Këshilli i Lidhjes së Kombeve, ekuivalenti i Këshillit të Sigurimit të OKB, qe pajtuar me Deklaratën e Parisit të 9 nëntorit 1921, të nënshkruar nga ambasadorët e katër vendeve që ishin anëtarë të përhershëm të Këshillit të Lidhjes, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia (SHBA dhe Rusia sovjetike nuk ishin anëtarë të Lidhjes së Kombeve), që midis Italisë dhe Shqipërisë të kishte një marrëdhënie të vecantë, ashtu që Italia të kishte një lloj mandati mbi Shqipërinë, që e bënte këtë të fundit deri në një farë mase protektorat italian, megjithatë Britania e Madhe dhe Franca ishin kujdesur që Italia të kishte një kufizim të qartë. Italisë i ishte njohur e drejta që të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, për të parandaluar që territori shqiptar të bëhej një bazë mësymje kundër saj. Por Italisë i ishte ndaluar që ta shndërronte Shqipërinë një një bazë mësymjeje në Ballkan. Sipas Deklaratës së Parisit, të nënshkruar nga ambasadorët e katër vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, që është akti ndërkombëtar me të cilin Shqipëria kaloi nga statusi i autonomisë nën kujdestarinë kolektive të fuqive të mëdha, (që u vendos me Traktatin e Londonit të vitit 1913, i dalë nga Konferenca e Londonit), në statusin e vendit të pavarur, pavarësia e Shqipërisë do të ishte si të thuash pavarësi me kusht. Vendimi i Këshillit të Lidhjes i 9 nëntorit 1921 thoshte se katër fuqitë e mëdha anëtare të Këshillit të Lidhjes:
Duke njohur se cenimi i kufijve të lartpërmendur ose i pavarësisë së Shqipërisë mund të përbënte një kërcënim për sigurinë strategjike të Italisë, janë marrë vesh për sa vijon:
1. Në rast se Shqipëria do të gjendej në pamundësi për të ruajtur integritetin e saj territorial, ajo do të jetë e lirë t’ i drejtohet Këshillit të Lidhjes së Kombeve duke kërkuar ndihmë nga jashtë.
2. Qeveritë e Perandorisë Britanike, Francës, Italisë dhe Japonisë vendosin që në një rast të tillë t’ u japin udhëzime përfaqësuesve të tyre në Këshillin e Lidhjes së Kombeve të rekomandojnë që rimëkëmbja e kufijve të Shqipërisë t’ i besohet Italisë.
3. Në rast të një kërcënimi kundër integritetit ose pavarësisë qoftë territoriale apo ekonomike të Shqipërisë, për shkak të ndonjë agresioni të huaj ose të çfarëdo ngjarjeje tjetër, dhe në rast se Shqipëria nuk do t’ i drejtohet brenda një afati të arsyeshëm dispozitës së parashikuar në nenin 1, Qeveritë e lartpërmendura do t’ ia njoftojnë situatën e krijuar Këshillit të Lidhjes së Kombeve.
Në rast se Këshilli e gjykon të nevojshme një ndërhyrje, Qeveritë e lartpërmendura do t’ u japin përfaqësuesve të tyre, udhëzimet e parashikuara në nenin 2.
4. Në rast se Këshilli i Lidhjes së Kombeve do të vendoste, me shumicë votash, se një ndërhyrje nga ana e tij nuk do të ishte e dobishme, qeveritë e lartpërmendura do të shqyrtojnë çështjen përsëri, duke u nisur nga parimi që përmban preambula e kësaj deklarate, sipas të cilit çdo ndryshim i kufijve të Shqipërisë përbën një rrezik për sigurinë strategjike të Italisë.[i]
Kështu, me vendimin e 9 nëntorit 1921 Italisë iu dha ai që mund të quhet si një mandat i komplikuar mbi Shqipërinë. Por termi “mandat”, i cili ishte një eufemizëm për termin “koloni”, gjetur pas Luftës së Parë Botërore, se Presidenti amerikan Ëilson nuk donte që të dëgjonte fjalën “koloni”, nuk u përdor në rastin e Shqipërisë, se ky vend gjendej në Europë. Sipas termave të vendimit të 9 nëtorit 1921, Britania e Madhe dhe Franca (Japonia nuk ndërhynte në problemet europiane) fitonin statusin e arbitrit në marrëdhëniet italo-shqiptare, dhe siguronin një veto të tyre ndaj ndërhyrjes ushtarake italiane në Shqipëri. Italia mund ta ushtronte mandatin mbi Shqipërinë me miratimin e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, i cili duhej që të votonte për çdo rast kur Italia do të ndërhynte në Shqipëri. Meqënëse Japonia u largua nga Lidhja e Kombeve në mars 1933, e me këtë humbi edhe statusin e anëtarit të përhershëm të Këshillit, tashmë ky mbeti vetëm me dy anëtarë, Britania e Madhe dhe Franca (edhe Gjermania, e cila u bë anëtare e Lidhjes dhe anëtare e përhershme e Këshillit në 1926 u largua në 1933). Pasiqë Mussolini nënshkroi Protokollet e Berlinit me Gjermaninë në 1936, çka e pagëzoi me fjalën pompoze “Bosht” dhe Paktin Anticomintern në 1937, me dy fuqi të cilat ishin larguar nga Lidhja, Gjermaninë dhe Japoninë, ai donte që t’ i kishte duart e lira për të luajtur në lojën ndërkombëtare të fuqisë, jashtë kufizimeve të sigurimit kolektiv, kështu që u largua nga Lidhja, në dhjetor 1937, duke përdorur si pretekst mosmarrëveshjet në konferencën e çarmatimit. Në kohën e largimit të Italisë Lidhja e Kombeve, Këshilli i saj kishte mbetur vetëm me tre anëtarë të përhershëm, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Të tre këto vende qenë anëtare të Antantës gjatë Luftës së Parë Botërore. Pra krijohej përshtypja e premisës së një aleance permanente, çka Mussolini donte që ta shmangte duke pretenduar që të bënte arbitrin e Europës, siç bëri në Munich, një vit më pas, dhe më tutje të kalonte në anën e atij nga i cili do të përfitonte më tepër. Ndonëse largimi i Italisë nga Lidhja e Kombeve u interpretua si një gjest, në kontekstin e Boshtit, të partneritetit që ajo kishte filluar të ndërtonte me Gjermaninë që një vit para se të largohej nga Lidhja.
Çështja kryesore e krijuar prej daljes së Italisë nga Lidhja e Kombeve, ishte se si do të vihej në funksionim mekanizmi juridik i vendimit të nëntorit 1921, tash që Italia ishte larguar nga Lidhja e Kombeve? Statusi i posaçëm i Italisë, si fuqi e madhe-protektore në Shqipëri, ishte përcaktuar në cilësinë e Italisë si anëtare e Këshillit të Lidhjes. Italia, duke u larguar nga Lidhja e Kombeve, e për pasojë edhe nga Këshilli drejtues, i saj, e kishte humbur statusin si fuqi e madhe-anëtare e Këshillit, në virtut të të cilit mund të mandatohej nga Këshilli për të vepruar në Shqipëri. Italisë iu dha ky status i posaçëm në Shqipëri si shpërblim që ajo të qëndronte në kombinimin e fuqive të mëdha të Këshillit të Lidhjes, në krah të Britanisë së Madhe dhe Francës.
Është domethënës fakti se, edhe kur Italia doli nga Lidhja e Kombeve në vitin 1937, Këshilli i Lidhjes nuk e abrogoi me këtë rast vendimin e 9 nëntorit 1921, që i jepte Italisë të drejta të posaçme ushtarake në Shqipëri. Teknikisht ky vendim mbeti në fuqi, jo vetëm për aq kohë sa ekzistoi Lidhja e Kombeve, pra deri në 18 prill 1946 kur u shpall zyrtarisht fundi i Lidhjes së Kombeve, për t’i lënë vendin Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe më tutje, se vendimet e Lidhjes së Kombeve u njohën edhe nga OKB, siç ishte rasti i vendimeve mbi mandatet koloniale. Vendimi i 9 nëntorit 1921 mbeti në fuqi deri në nënshkrimin e Traktatit të Paqes me Italinë, në 1947, një nen i të cilit e detyronte Italinë që të njihte pavarësinë e Shqipërisë. Mosabrogimi në 1937 i vendimit të vitit 1921 nuk kishte shpjegim tjetër veçse që Britania e Madhe dhe Franca, që dominonin Lidhjen e Kombeve, donin ta përdornin Shqipërinë si një nga “thelat” me të cilat joshnin Italinë për t’u larguar nga aleanca me Gjermaninë.
Natyrisht se Britania e Madhe dhe Franca nuk do të pengoheshin nga skrupujt legalë që t’ ia njihnin Italisë statusin e posaçëm ndaj Shqipërisë, edhe pas largimit të Romës nga Lidhja, të shoqëruar edhe me koncesione të tjera në Mesdhe dhe në Afrikë, me kusht që Italia të mos i zhvillonte marrëveshjet me Gjermaninë, deri në një aleancë ushtarake. Kështu që Britania e Madhe dhe Franca do ta mirëprisnin arritjen e një pakti italo-shqiptar, që bënte të mundur ushtrimin nga ana e Italisë, të mandatit faktik mbi Shqipërinë, që i ishte dhënë asaj në 1921. Por kjo nuk do të thoshte se Britania e Madhe dhe Franca pajtoheshin që tashmë Shqipëria duhej që t’ ia linte në dorë Italisë të drejtën e ndërhyrjes ushtarake dhe zgjedhjen e kohës se kur do ta bënte këtë gjë. Kjo do të thoshte që Shqipëria të shndërrohej në një bazë të projektimit të fuqisë ushtarake italiane në Ballkan, gjë të cilën Roma pastaj mund ta bënte kur të dëshironte. Mes Italisë dhe Shqipërisë, me Traktatin e Miqësisë dhe Aleancës, i njohur si pakti i dytë i Tiranës, në 1927, i cili ishte në fuqi për 20 vite, në përfundim të të cilëve, ishte parashikuar që aleanca të përtërihej edhe për një periudhë të tillë, nëse asnjë nga palët nuk shprehte kundërshtim. Ky pakt ishte nënshkruar vetëm njëmbëdhjetë ditë pas nënshkrimit të aleancës ushtarake mes Francës dhe Jugosllavisë në 1927, qartësisht si kundërpeshë ndaj saj. Derisa nenet e para të traktatit italo-shqiptar, të nëntorit 1927, përcaktojnë se të dy palët do t’ i japin ndihmë ushtarake njëra-tjetrës në rast rreziku, duke cuar trupa në territorin e palës tjetër, neni 4 saktësonte se kjo do të ndodhte:
me kusht që një ndihmë e tillë të kërkohej nga pala e kërcënuar.[ii]
Kjo do të thoshte se trupat italiane mund të vinin në Shqipëri vetëm me kërkesën e kësaj të fundit. Projekti “Vitetti” kërkonte nënshkrimin e një aleance ushtarake, me të cilën i njihej Italisë e drejta permanente e protektoratit ushtarak mbi Shqipërinë, duke dislokuar trupa ushtarake në Shqipëri, në masën në të cilën do ta gjykonte të nevojshme. Nenet 1 dhe 2 të Projektit “Vitetti” thoshin:
1) Do të lidhet ndërmjet Italisë, nga njëra anë dhe Shqipërisë, nga ana tjetër, një aleancë e ngushtë dhe të dyja Palët e larta kontraktuese marrin përsipër të garantojnë me të gjitha mjetet e tyre sigurinë e shteteve të tyre dhe mbrojtjen e ruajtjen e ndërsjelltë kundër çdo sulmi të jashtëm.
2) Italia siguron Shqipërinë se miqësia e saj nuk ka për t’i munguar asnjëherë, në rastin e një kërcënimi ndaj sovranitetit kombëtar, integritetit dhe pavarësisë që mund t’i vijë Shqipërisë. Në këtë rast Italia merr përsipër që të përpiqet me çdo mjet për të larguar këtë rrezik ose do të përshtasë, po qe nevoja masa për të arritur këtë qëllim.[iii]
Por, derisa, sipas nenit 2, Italia supozohej që të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në rast rreziku, nenet 3 dhe 4 kërkonin që Shqipëria të pranonte që t’ i njihte Italisë të drejtën e ndërhyrjes paraprake, me afat të pakufizuar, praktikisht të drejtën e pushtimit ushtarak:
3) Duke i qëndruar mendimit se ruajtja e rendit publik në Shqipëri dhe mbrojtja kundër një agresioni të jashtëm i besohen Qeverisë shqiptare, Qeveria italiane do të përdorë të gjitha mjetet e saj që i quan të nevojshme.
4) Me këtë qëllim Qeveria shqiptare, duke njohur nevojën që t’i japë Qeverisë italiane të gjitha lehtësitë e nevojshme për të përmbushur detyrimet e ndërsjellta, do t’i lërë Qeverisë italiane përdorimin e porteve, të aerodromeve dhe të rrugëve të komunikimit.[iv]
Me qëllim që të krijohej përshtypja e rreme se pavarësia dhe sovraniteti i Shqipërisë qenë ruajtur, madje qenë fuqizuar, neni 5 thoshte se:
5) Përfaqësitë diplomatike të Italisë në Shqipëri dhe të Shqipërisë në Itali do të ngrihen në nivel ambasadash.[v]
Ky në fakt ishte një koncesion i madh nga pikëpamja e formës, se që përfaqësia diplomatike të ngrihej në nivel ambasade, gjë që ishte krejt e pazakonshme në atë kohë, në marrëdhëniet mes një fuqie të madhe si Italia dhe një vendi të vogël si Shqipëria. Në atë kohë fuqitë e tjera të mëdha, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë i kishin në nivel legate, në krye të së cilës qëndronte një ministër fuqiplotë, çka ishte një rang më poshtë se ambasadori. Gjithsesi, kjo nuk ishte veçse një mënyrë për të ëmbëlsuar pilulën e hidhur. Nenet në vazhdim, kapitalizonin në fusha të tjera arritjen e pushtimit ushtarak:
6) Italia do të japë të gjithë ndihmën teknike dhe financiare për organizimin dhe funksionimin e Shtetit shqiptar. Në cilëndo ministri shqiptare do të jetë një funksionar italian, që do të ketë rangun e sekretarit të përgjithshëm dhe do të ushtrojë funksionet menjëherë nën ato të ministrit shqiptar, titullar të dikasterit.
7) Italia do t’i japë Shqipërisë, me marrëveshje të posaçme doganore dhe monetare, kushtet për të siguruar ndërmjet të dy vendeve shkëmbimet në përshtatje me tregun e brendshëm.
8) Qytetarët shqiptarë me banim në Itali dhe qytetarët italianë me banim në Shqipëri do të gëzojnë të njëjtat të drejta politike dhe civile si ato që gëzojnë qytetarët e të dy shteteve në tokat e tyre.[vi]
Në Romë nuk mund të prisnin që termat e projekt-traktatit të pranoheshin nga Mbreti Zog, parlamenti shqiptar dhe opinioni shqiptar. Ndonëse në projekt-traktat përmendej më tepër se një herë sovraniteti dhe pavarësia e Shqipërisë, termat e këtij projekti i eliminonin që të dyja në praktikë. Aq më tepër kur projekt-traktati kishte dhe një aneks që duhet të mbetej sekret, për të cilin Jacomoni shkruan:
Një dokument më vete përmbante disa propozime marrëveshjesh, që do të bisedoheshin vetëm me mbretin, e që kishin të bënin me krijimin e një organizate fashiste shqiptare dhe me dhënien Italisë të organizatave të gjindarmërisë dhe të policisë. Parashikohej emërimi i një oficeri të lartë italian, si shef i shtatmadhorisë të forcave të armatosura, komanda e të cilave do të drejtohej drejtpërdrejt nga mbreti. Për këtë skemë të fundit të marrëveshjeve vetiake nuk e quajta me vend të flisja, para se të merresha me projektin e traktatit, i cili vështirë se do të pranohej nga sovrani.[vii]
Aneksi sekret artikulonte qartë atë që përpiqej të fshihte dokumenti i llogaritur për t’ u bërë publik. Jacomoni e epigramizon saktë projekt-traktatin, në të dy pjesët e tij, kur e komenton kështu:
Projekti ishte përpiluar mbi bazën e traktateve anglo-egjiptiane dhe anglo-irakene. Frymëzohej nga një koncept krejtësisht i tejkaluar.[viii]
Pikërisht këtu qëndronte thelbi i problemit shumë serioz që krijonte projekti “Vitetti”, i cili statusin e posaçëm që Lidhja e Kombeve i kishte dhënë Italisë në Shqipëri, donte që ta zhvillonte praktikisht edhe përtej limiteve të një mandati, deri në limitet e një kolonie klasike. Kjo shkonte përtej asaj që Britania e Madhe dhe Franca, fuqitë e mëdha anëtare të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, qenë të përgatitura që t’ i bënin koncesion Italisë në Shqipëri. Derisa këto dy fuqi qenë të gatshme ta lejonin Italinë që të rriste kontrollin e saj mbi Shqipërinë, ato nuk donin që ky kontroll të shkonte deri në atë masë sa Italia të mund të shndërronte Shqipërinë në një kryeurë strategjike për të ndërmarrë mësymje në Ballkan kundër vendeve fqinje me Shqipërinë dhe më tutje në Lindje. Sipas termave të projektit të Vitetti-t, Italia siguronte të drejtën që ta përdorte Shqipërinë si një kryeurë për agresione në Ballkan, duke sjellë në vend një numër të pakufizuar trupash ushtarake, të cilat do të qëndronin atje për një kohë të pakufizuar. Ky praktikisht do të thoshte pushtim ushtarak.
Nënshkrimi i një traktati mes Italisë dhe Shqipërisë, në termat e projektit “Vitetti” përbënte një dhunim të një akti të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, do të thotë të vendimit të 9 nëntorit 1921, i cili atributet që i jepeshin Italisë me projektin “Vitetti” ia njihte shprehimisht Këshillit të Lidhjes së Kombeve, i cili pastaj mund t’ ia kalonte ato Italisë. Kjo përbënte një arsye që Lidhja e Kombeve dhe posaçërisht Këshilli i saj, me dy vendet anëtare të përhershme nënshkruese të vendimit të 9 nëntorit 1921, Britaninë e Madhe dhe Francën, të ndërhynte për të penguar Italinë që t’ i impononte Shqipërisë vullnetin e saj. Fakti që Këshilli i Lidhjes dhe Lidhja në përgjithësi, nuk ndërhynë në këtë rast, nuk do të thotë se pajtimi i heshtur me Italinë, që ajo të ndërhynte në Shqipëri, duke i imponuar Mbretit dhe qeverisë një traktat të ri, të shkonte deri tek pranimi i aneksimit faktik të Shqipërisë. Derisa Britania e Madhe dhe Franca, qenë të gatshme që t’ ia ofronin Italisë Shqipërinë si një prej shpërblimeve që do t’ i jepej, që ajo të qëndronte larg Gjermanisë, ato nuk donin kurrsesi që t’ i ofronin një kryeurë strategjike, të cilën Italia pritej që ta përdorte në kuadrin e Boshtit.
Këto sa thashë më sipër, mund të duken sikur bien në kundërshtim me ato çka kam thënë më lart se Ciano dhe stafi i tij e kërkonin pushtimin e Shqipërisë, për llogari të Partisë Atlantike të Luftës, ashtu që të tërhiqej Gjermania në luftë, në Ballkan, me anë të Italisë. Por këtu nuk ka asnjë kontradiktë. Marrëdhëniet italo-shqiptare bënin pjesë në dy agjenda në Perëndim. Njëra ishte agjenda e appeacement, agjenda zyrtare e qeverisë britanike dhe asaj franceze, e cila synonte që të ndalonte me çdo kusht një luftë të re botërore. Sipas kësaj agjende, Italia duhet që të joshej me disa shpërblime të këtij lloji, ashtu që të rrinte neutrale në një luftë të mundshme, ose në rastin më të mirë të bashkohej me Britaninë e Madhe dhe Francën. Për këtë agjendë punonin qeveritë në Londonit dhe Paris. Agjenda tjetër ishte ajo e asaj që unë e kam quajtur në këtë libër Partia Atlantike e Luftës, e cila përkundrazi e dëshironte luftën botërore, se e shikonte si të vetmen mënyrë për të shkatërruar fuqinë ushtarake të Gjermanisë dhe Japonisë, të cilat i shikonte si rrezik për interesat anglosaksone në botë. Kjo ishte një agjendë e fshehtë, e cila ishte përpunuar dhe zbatohej nga qendra të fuqishme influencuese mbi politikëbërjen në London dhe Washington. Sipas kësaj agjende, Italia duhej të shtyhej që të ndërmerrte aventura ushtarake në Ballkan, që ta tërhiqte Gjermaninë në luftë në Ballkan, për arsyet për të cilat i kam përmendur më lart, pra që të tërhiqej Bashkimi Sovjetik në luftë kundër Gjermanisë. Në këtë agjendë të dytë punonin bashkërisht, ndonëse shpesh nuk qenë të vetëdijshëm për këtë gjë, njerëz të rëndësishëm në kryeqytetet e ndryshme të vendeve të mëdha. Në London ishte Winston Churchill, si njeriu më i shquar i Partisë Atlantike të Luftës, në Washington D.C. ishin Sumner Welles, Allen Dulles etj., në Romë ishin Galeazzo Ciano, Leonardo Vitetti, Blasco Lanza D’ Ajeta, Princesha Isabella Colonna. Në Tiranë, ata që u shfaqën në momentet vendimtare ishin ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera dhe zëvendësshefi i Shtatmadhorisë, Sami Koka.
[i]Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës së Parë Botërore”, përmbledhje dokumentesh. Shtëpia botuese “Albin”, Tiranë 2001, Vol. III, dok. 39, f. 305-306
Gjithashtu edhe në: Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 251, Viti 1921, dosja 44, f. 358
[ii]League of Nations Treaty Series, Vol. LXIX, pp. 342-353
[iii]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 92
[iv]po aty: f. 92
[v]po aty: f. 92
[vi] po aty: f. 92-93
[vii] po aty: f. 93
[viii] po aty: f. 93





