Duke konsideruar praktikën e rëndomtë të diplomacisë italiane, në kohën që Ciano ishte ministër i Punëve të Jashtme, për të cilën sekretet ishin “sekrete të Pulcinelës” (Pulcinela ishte një personazh i teatrit italian të kukullave, e cila kishte një sekret që ishte sekret vetëm për të, se e kishte mësuar krejt qyteti), pra sekrete që i mësonin të gjithë ata që interesoheshin për to, mund të thuhet me siguri se Projekti “Vitetti”, që në mbrëmjen e 23 marsit ishte bërë i njohur, për të gjithë ata që kishin kishin interes për të, dhe në radhë të parë për diplomatët dhe zbuluesit e huaj në Romë. Që atë mbrëmje, me siguri që termat e projekt-traktatit ishin diskutuar në vendet e preferuara të rrethit shoqëror të Cianos, në sallonin e Princeshës Colonna, në barin dhe restorantin e Clubit të golfit Acquasanto apo në barin “Excelsior”. Kështu që kur qeveria italiane, në vend që t’ ia dërgonte Legatës së saj në Tiranë projekt-traktatin me telegram të shifruar, siç bënte rëndom, e nisi me një korrier të posaçëm, sekretarin e Cianos, markezin De Ferraris, ky i fundit në fakt ishte një lloj korrieri i Pulcinelës. Tashmë, që prej dy ditësh, në kancelaritë evropiane po prisnin me kureshtje se si do të përfundonte kjo histori.
Pas 15 marsit, kur u mësua se Mussolini kishte ndërmend që të vepronte në Shqipëri, u mendua se Duçe do të marshonte atje me hap roman, por tash dilte se ai po shkonte të luante me Zogun Valsin e Tiranës. Valsi i Tiranës ishte quajtur në qarqet diplomatike rengu që Zogu u kishte luajtur italianëve duke parapëlqyer për martesë një konteshë hungareze, në vend të kandidateve italiane që i kishte sugjeruar Roma. Pasiqë Zogu kishte hapur një ballo duke kërcyer Valsin e Danubit me konteshën Appony e cila kishte vizituar Shqipërinë me ftesën e Zogut, ishte kuptuar se ajo do të ishte mbretëresha e ardhshme dhe vallëzimi diplomatik ishte quajtur Valsi i Tiranës. Gjithsesi, edhe kërkesat që Italia do t’ i paraqiste Shqipërisë me Projektin “Vitetti” qenë të papranueshme për Britaninë e Madhe se, nëse pranoheshin ato nga Zogu, kjo do të bënte që Shqipëria të shndërrohej në një kryeurë strategjike italiane për mësymje në Ballkan. Pranimi i kërkesave italiane nga ana e Shqipërisë e shkatërronte “Murin e Adriatikut” që kishte ngritur diplomacia britanike në meridianin 19º. Britanikët e dinin mirë se, nëse Zogu nuk do të gjente mbështetje përballë presionit italian, ai me siguri që në situatën ndërkombëtare ekzistuese, do të mbaronte krejt, dhe do t’ u nënshtrohej italianëve. Prandaj ata nuk mund të mos e kenë gjetur me vend se duhej që t’ i bënin një lloj inkurajimi Zogut.
Sekreti i Pulcinelës i diplomacisë italiane duket se ishte arsyeja që, pikërisht në 25 mars, ditën kur në Shqipëri pritej të vinte i dërguari i posaçëm nga Roma, ministri britanik në Tiranë, Andreë Ryan, u takua me Zogun. Përzgjedhja e ditës së takimit, nuk është rastësi. Londoni tashmë, me siguri që ishte në dijeni për Projektin “Vitetti”, që do t’ i paraqitej Zogut nga ana e Jacomonit të nesërmen. Kështu që britanikët ishin të interesuar që të testonin paraprakisht Zogun mbi qëndrimin që do të mbante ndaj kërkesave italiane, të cilat ia bënë me dije përmbledhtas. Nuk përjashtohet që britanikët ta kenë inkurajuar në njëfarë mënyre Zogun që të mos toleronte përtej një pike të caktuar. Zogu, ndonëse nuk priste që Britania e Madhe dhe Franca të luftonin për Shqipërinë, kur ato nuk luftuan për Austrinë dhe Çekosllovakinë, megjithatë kishte bindjen se për Britaninë e Madhe dhe Francën ishte e papranueshme që Italia ta kontrollonte Shqipërinë deri në atë masë sa të mund ta përdorte si bazë për agresione ushtarake në Ballkan e më tutje. Gjatë takimit, Zogu me siguri e testoi ministrin britanik mbi qëndrimin që do të mbante Britania e Madhe në rast se ai kundërshtonte kërkesat që priste t’ i bënte Italia. Ryan i raportonte Londonit se gjatë bisedës, Zogu i tha atij, se nuk kishte ndërmend që të pranonte asnjë kërkesë italiane që cenonte pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Por, sipas Ryan, Mbreti nuk i bëri me dije se çka kërkonin italianët prej tij. Në të vërtetë, në këtë fazë Zogu supozohej që të mos e dinte se çka kërkonin italianët prej tij. Ai priste që të takonte të nesërmen Jacomonin i cili kishte kërkuar një takim për të nesërmen. Ryan raportoi se ai doli nga biseda me përshtypjen se problemet mes Mbretit dhe Musolinit qenë zgjidhur[i], dhe sipas opinionit të tij, Foreign Office në London arriti në përfundimin se:
Planet italiane për Shqipërinë qenë futur në frigorifer.[ii]
Ndoshta kjo përshtypje iu krijua diplomatit britanik nga fakti se Zogut nuk i ishte paraqitur një ultimatum ende sot, dhjetë ditë pas pushtimit të Bohemisë. Nga biseda me diplomatin britanik Zogu duket se krijoi bindjen që Britania e madhe, derisa, në njërën anë do të toleronte rritjen e kontrollit të Italisë mbi Shqipërinë, në anën tjetër do të kënaqej që Zogu të ruante sovranitetin dhe pavarësinë e vendit në atë masë, që të bëhej pengesë që Italia ta përdorte lehtësisht Shqipërinë si bazë ushtarake për sulme në Ballkan. Pikërisht tek kjo bindje e kishte origjinën qëndrimi i Zogut në ditët e ardhshme ndaj Italisë, do të thotë kundërshtimi i fortë që ai u bëri kërkesave italiane.
Zogu, ndonëse duket se u informua paraprakisht në njëfarë mase nga britanikët mbi kërkesat italiane, megjithatë nuk ishte i sigurt për përmbajtjen e tyre dhe deri në fund dyshonte për më të keqen. Mbreti Zog I i marsit 1939, kishte në bazë të formimit të personalitetit të vet Ahmet beun e ri, ngjarjet formative të jetës dhe personalitetit të të cilit i përkisnin kohës otomane. Në familjen e tij rrëfeheheshin histori për paraardhësit të cilëve u vinte katil-fermani nga Sulltani, urdhri për dënimin me vdekje, prerjen e kokës rrjepjen e saj dhe dërgimin e saj në kryeqytetin perandorak të mbushur me kashtë. Prandaj për të pritja e korrierit ishte një deja vu që trazonte shumë subkonshin e tij. Kështu që Zogu e priste me shumë shqetësim dhe tension takimin me Jacomonin, të nesërmen në 26 mars, kur ministri italian do t’ i paraqiste kërkesat e sjella nga Roma prej De Ferraris. Nata e 25-26 marsit 1939, duhet të ketë qenë një nga netët më të këqija në jetën e Zogut, një natë pa gjumë, ku ai ka tymosur cigare pa fund, siç bënte në kohë të vështira. Zogu priste më të keqen nga takimi i mëngjesit të 26 marsit me Jacomonin. Sikur Zogu t’ i njihte udhëzimet që kishte marrë Jacomoni, ai do të kishte qenë shumë i qetë. Jacomoni shkruan:
Më 25 mars mora këto udhëzime nga Ciano: Meqë në shumë thënie të tij mbreti Zog e njihte nevojën e ngutshme për t’ i vendosur marrëdhëniet italo-shqiptare mbi themele të reja, edhe në lidhje me çka po ndodhte në Europë e, meqë kjo është edhe bindja e prerë e Duçes, shkoni te Zogu dhe pyeteni, duke biseduar me të, se mbi ç’ baza ai donte t’ i vendoste marrëdhëniet e reja me Italinë. Mundohuni ta bëni të kuptojë se kjo është tashmë e ngutshme dhe nuk mund të shtyhet për më vonë, për të sqaruar një herë e përgjithmonë gjendjen e cila nuk duhet ndërlikuar më tej me anë të spekulimit të të tretëve dhe me ndërhyrjen e të huajve. Telegrafoni pas bisedës. Ndërkaq, po niset për në Tiranë De Ferraris, që do të sjellë skemën e Traktatit që përmban edhe pikëpamjet tona ndaj Shqipërisë.[iii]
Jacomoni u takua me Zogun në mëngjesin e 26 marsit, ditën kur, për një koincidencë kurioze u ndërprenë, pas refuzimit polak, bisedimet gjermano-polake për kërkesat territoriale që Gjermania i kishte paraqitur Polonisë pesë ditë më parë. Për Zogun, i cili kishte pritur që ta trajtonin si Schuschnig-un dhe Hacha-n, ishte një e papritur shumë e këndshme që italianët po e përkëdhelnin, duke i kërkuar mendimin e tij për formën dhe përmbajtjen e marrëveshjes së re mes dy vendeve. Ai as që e kishte ëndërruar një gjë të tillë. Mbreti Zog duke konsideruar se nga Roma nuk kishte ardhur përgjigje për ofertat e tij, priste që t’ i bëheshin kërkesa të llojit që Hitleri i bëri kancelarit austriak, Schuschnig-ut, në mars 1938, si dhe presidentëve çekosllovakë, Masarick-ut në shtator 1938, dhe Hacha-s në mars 1939, pra se do t’ i bënin me dije që trupat italiane do të zbarkonin në Shqipëri brenda disa orësh dhe se ai duhej që të pranonte pushtimin, ndryshe do ta pësonte. Zogu e kuptonte se Mussolini ishte i dëshiruar për të dhënë një goditje blitz të llojit të atyre të Hitlerit, të cilat e kishin bërë ziliqar. Prej këtej kërkesat italiane ndaj Shqipërisë. Nisur nga kjo Zogu duhej të priste që të nesërmen të ishte rob i italianëve dhe të përfundonte në ndonjë ishull ose kështjellë të Italisë. Mussolini dhe Ciano prisnin që Zogu t’ i pranonte kërkesat italiane se ato qenë më të lehta se ç’ priste Zogu që të ishin ato. Me këtë ata tregonin se nuk e kishin kuptuar se si funksiononte mendja e Zogut. Ciano shkruan në ditar në ditën dramatike të 25 marsit:
De Ferraris u nis për në Tiranë, duke marrë me vete projektin e marrëveshjes për protektoratin. Nuk është ende e mundur që të parashikohet se çfarë zhvillimesh do të ketë, por duket e mundshme që Mbreti Zog të dorëzohet. Mbi të gjitha unë llogaris një fakt: pritet që shpejt Zogut t’ i lindë një fëmijë. Zogu e do shumë gruan e tij dhe në të vërtetë, krejt familjen. Unë besoj se ai do të parapëlqejë që të sigurojë një ardhmëri të qetë për të dashurit e tij. Dhe, sinqerisht, unë nuk e imagjinoj dot Geraldinën duke u endur dhe luftuar në malet e Matit dhe Mirditës, në muajin e nëntë të shtatzanisë.[iv]
Konsideratat e Cianos vlenin nëse Zogut do t’ i paraqitej një ultimatum me afat 48 orë për të pranuar dislokimin e trupave italiane në Shqipëri, duke iu bërë të qartë se në përfundim të këtij afati trupat do të zbarkonin dhe ai do të ndiqej si kriminel që kishte konspiruar kundër jetës së italianëve që gjendeshin në Shqipëri. Në këtë rast Zogu do të kishte konsideruar shtatzaninë e gruas, jetën e fëmijës që pritej të lindte pas pak ditësh, dhe mbi të gjitha jetën e vet. Por derisa Zogut nuk i qe paraqitur një ultimatum, të gjitha gjasat ishin se ai do të reagonte sipas stereotipit të tij në marrëdhëniet me italianët, të cilin më së miri e përshkruan Quaroni, diplomati italian që e njihte më mirë Zogun dhe që kishte shkruar edhe një portret të karakterit dhe të personalitetit të tij. Derisa gjendej përballë kërkesave të paraqitura jo në trajtë ultimatumi, Zogu ishte në fushën e lojës së tij në të cilën ishte bërë mjeshtër, gjë që e pranonte dhe Pietro Quaroni, i cili kishte marrë pjesë në shumë negociata të vështira me Zogun. Quaroni shkruan:
Kështu, për shembull, një ditë, kur ne po e qortonim se po dredhonte për muaj me radhë mbi diçka që e pritnim nga ai, kur ai e dinte me siguri, përndryshe si ne, që në fund të fundit, do të na jepte satisfaksion, Zogu u përgjegj fare shtruar:
-Dëgjoni, kur unë do t’ ju jap atë që kërkoni, kjo nuk do të jetë e fundit, ju do të më kërkoni një gjë tjetër. Atëherë... pse dreqin të nxitojmë.[v]
Derisa pritej që Zogu të reagonte sipas stereotipit të tij, atëherë kishte më shumë gjasa që ai t’ i priste kërkesat italiane në mënyrë të turbullt, as duke i pranuar, as duke i refuzuar, dhe kjo pikërisht se ato nuk qenë aq të rënda sa ç’ priste ai. Përse duhej që Zogu të pranonte duke u shprehur qartë kërkesa që i ishin paraqitur jo në trajtë ultimatumi, e cila ishte e vetmja gjuhë që ai më së miri e kuptonte? Derisa Zogu priste që Mussolini ta dëbonte me një shkelm nga Shqipëria, Duçe po i bënte me dije se donte që Zogu të ishte interlokutor edhe në situatën e re ndërkombëtare. Kur Zogu pa se kërkesat italiane nuk qenë aq të rënda sa ç’ priste ai të ishin, ai mendoi se Mussolini nguronte që të pushtonte Shqipërinë, se u trembej ndërlikimeve ndërkombëtare që do të sillte aksioni ushtarak, si dhe reagimit britaniko-francez. Nga natyra e kërkesave italiane që iu paraqitën atij në 26 mars, Zogu e kuptoi se nuk do të kishte një aksion ushtarak të përbashkët gjermano-italian, në Ballkan, së pakut jo kundër Jugosllavisë, çka i interesonte atij më së shumti. Nëse do të kishte një plan të Boshtit për mësymje në Ballkan, atëherë Mussolini nuk do t’ i drejtonte atij, Zogut, të tilla kërkesa, por do t’ i jepte një ultimatum për të pranuar invadimin e Shqipërisë brenda një afati shumë të shkurtër, e shumta për 48 orë. Zogu mendoi se në rrethanat e tashme mund t’ i tërhiqte pa rrezik italianët në labirintin e negociatave, ku do të fitonte kohë dhe do të priste që të shikonte se si do të zhvillohej situata europiane. Ajo çka i ndërlikoi më tepër gjërat për italianët dhe rriti iluzionet e Zogut ishte mënyra në të cilën u udhëzua Jacomoni për ta zhvilluar bisedën me Zogun, në lidhje me projekt-traktatin. Jacomoni shkruan për bisedimet me Zogun në 26 mars:
Më 26 (mars- K.M.) i bëra të ditur Romës bisedimet që pata që në mëngjes me mbretin për atë projekt: Në këtë bisedë të parë nuk arrita të përballoja qartësisht nevojën e përpilimit të një traktati të ri, mbi kriteret e njohura. Por e pyeta se në ç’ mënyrë ai vetë e shihte këtë marrëveshje të re, sipas fjalëve të tij. Ai u shpreh menjëherë i një mendimi për një marrëveshje sa më të gjerë.
Në vijim, i shpreha si nga vetvetja idetë e mia për këtë argument, duke cekur mundësinë e një aleance mbi bazën e kritereve të dokumentit që kishte prurë De Ferraris Salcano, por pa hyrë në hollësi. Edhe për këtë mbreti, u duk i një mendjeje. Por pata përshtypjen se mbreti megjithatë e fshihte mendimin e tij të vërtetë.[vi]
Këtu së pari bie në sy se përsëri tek Mussolini ka prevaluar ngurimi, ashtu që ai e ka udhëzuar Jacomonin që të mos ia paraqiste Zogut projekt-traktatin në emër të qeverisë italiane, por t’ ia paraqiste si një ide të atij vetë, Jacomonit. Kuptohet se përse Mussolini e bënte këtë. Nëse Britania e Madhe dhe Franca i kërkonin shpjegime Mussolinit pas ankesës së Zogut, ashtu siç kishte ndodhur gjatë krizave italo-shqiptare në 1934 dhe 1927, Mussolini mund të shfajësohej duke thënë se ai nuk kishte të bënte me këtë dhe se ky ishte një veprim që ministri italian në Shqipëri e kishte bërë në mendjen e tij. Zogut nuk ia dorëzua asnjë dokument me kërkesat italiane; italianët nuk donin që të linin gjurmë me shkrim. Natyrisht se Zogu e kuptonte që ideja nuk ishte e vetë Jacomonit, siç pretendonte ky i fundit, por gjithsesi, Zogu inkurajohej që të ishte evaziv kur shikonte se pala tjetër ishte në dilemë për mënyrën se si duhej që të vepronte. Nga mënyra se si ia shtronte çështjen Jacomoni, Zogu mendonte se negociatat ishin në fazën e testimit të tij nga ana e italianëve dhe se kishte ende shumë kohë para, për të kqyrur se si do të shkonin gjërat. Në rast se Zogu do ta kishte ditur se tashmë ekzistonte një projekt-traktat i përpunuar në Romë dhe që ishte dërguar në Tiranë me një korrier të posaçëm, atëherë ai ndoshta nuk do t’ i kishte marrë gjërat kaq lehtë.
Mjaftonte që Mussolini dhe Ciano të rilexonin, ose të lexonin nëse nuk i kishin lexuar, raportet e shkëlqyera të Quaroni-t, në të cilat ky analizonte personalitetin e Zogut dhe përcaktonte stereotipin e sjelljes së tij, dhe do ta kishin parashikuar me saktësi reagimin e Zogut. Në bisedimet me Jacomonin, në 26 mars, Zogu e pranoi në përgjithësi propozimin e Jacomonit për projekt-traktatin, por pranimi është kaq evaziv, saqë Jacomoni doli nga takimi me përshtypjen se Zogu e fsheh mendimin e tij të vërtetë. Zogu, me siguri që mendonte se një pranim në përgjithësi mund të bëhej nul gjatë negociatave për detajet e marrëveshjes. Zogu nuk mungoi që ta shfaqte mendimin e tij të vërtetë, në stilin e tij, të cilin e përshkruan Quaroni:
Çdo diktator ka një metodë të thjeshtë të vetën për ushtrimin e pushtetit, ajo e Zogut ishte e një komplikacioni të skajshëm. Ai nuk thoshte kurrë atë që mendonte: ai priste që ministrat e tij, bashkëpunëtorët, ta merrnin vetë me mend mendimin e tij dhe pastaj t’ ia impononin atij vetë; atëherë, përfundimisht ai nënshtrohej, meqë ju po ngulni këmbë! Dhe këta fatkeqë të shkretë shtrydhnin trurin për të zbuluar qëllimet e tij, duke e ditur, përndryshe, se, nëse nuk arrinin t’ ia merrnin me mend saktë idetë, atëherë prania e tyre në qeveri nuk kishte për të zgjatur shumë.[vii]
Kjo metodë e qeverisjes së Zogut e kishte origjinën tek urtësia orientale otomane. Zogu e kishte trashëguar atë nga breza pashësh e bejlerësh të familjes, të cilët silleshin kështu me vartësit e tyre, për t’ i shpëtuar zemërimit të Sulltanit dhe të qeveritarëve të të lartë në vilajetin në të cilin bënin pjesë. Vendimet me pasoja të rrezikshme merreshin në atë mënyrë që të dukej se prijësi iu nënshtrua vullnetit apo edhe presionit të vartësve të tij. Jacomoni u ballafaqua me një performancë të kësaj metode vendim-marrjeje, kur bisedoi me ministrin e Punëve të Jashtme, të Shqipërisë, Ekrem Libohova, në 26 mars, me ç’ rast shkruan:
Ky mendim i fundit imi u përftua nga vrazhdësia e një bisede me Libohovën, pasdite, i cili m’ u duk krejtësisht kundërshtues për çdo koncept që kishte të bënte me përforcimin e aleancës. Libohovës ia paraqita skemën e aleancës. Ai ishte një mik i sinqertë i Italisë, plotësisht i kuptueshëm për vështirësitë në të cilat ndodhej Shqipëria dhe në dijeni të plotë të gjendjes ndërkombëtare dhe të ndikimeve të saj në marrëdhëniet italo-shqiptare. I bëra të njohur ç’ kisha folur me Zogun në mëngjes, domethënë se formulat mund t’ i studionim së bashku. Ajo që kishte rëndësi ishte se duheshin forcuar marrëdhëniet mbi bazën e pavarësisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë, në themel të ruajtjes së dinjitetit dhe të drejtave mbretërore. Me të gjitha këto sigurime, Libohova, në kundërshtim me të gjitha sigurimet e sovranit, u shpreh prerazi kundër firmosje së një akti formal dhe të karakterit të përgjithshëm për forcimin e aleancës. Sipas mendimit të tij, çdo përkujdesje që do të kihet parasysh, për shkak të raportit të fuqisë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, kjo e fundit do të dukej përgjithmonë si një shtet nën tutelë. Ai ishte i prirur për vlerësimin e gjendjeve, në fakt të pavarura ndërmjet tyre, e të tilla që kërkonin një bashkëpunim praktik dhe të ngushtë.[viii]
Kështu, Jacomoni nuk priti shumë për të mësuar, sipas stilit të tërthortë të Zogut, atë mendim të fshehtë të këtij të fundit, për të cilin Jacomoni pati përshtypjen se Mbreti e pati krijuar në mendjen e tij, por që ia fshihte ende. Është e qartë se, në të njëjtën ditë që Jacomoni u takua me Zogun, ky i fundit po i kumtonte nëpërmjet Libohovës atë mendim të fshehtë. Jacomoni u gjend në një situatë absurde kur ai nuk mund t’ i thoshte Romës qartë se cila ishte përgjigjia e Zogut. Pas Jacomonit, por para 28 marsit, shkoi të takojë Zogun edhe atasheu ushtarak italian, Koloneli Gabrieli, i cili ndryshe nga Jacomoni i paraqiti kërkesat ushtarake në emër të qeverisë italiane. Jacomoni shkruan për këtë takim në 28 mars:
Atasheu ushtarak italian në Tiranë, koloneli Gabrielli, në ndërkohë kishte takuar Zogun, për t’ i bërë me dije arsyet përse Italia kërkonte vendosjen e trupave të saj në Shqipëri:
Naltmadhëria Juaj, - i kishte thënë ai,- me dëshirën që të merrte masa për një mbrojtje të menjëhershme të kufijve, kishte kërkuar në vitin 1927 nga Qeveria Italiane të organizonte në vend forcat e armatosura shqiptare dhe fortifikimet e domosdoshme mbrojtëse. Qeveria italiane e kishte pranuar këtë kërkesë. Ne i plotësuam ndershmërisht detyrimet tona, duke përballur një barrë të rëndë. Por, pas një përvoje të gjatë, u bindëm se forcat e armatosura shqiptare nuk mund të jenë të frytshme sa duhet, sepse puna jonë në vend u bë e vështirë nga paaftësia e plotë e gjeneral Aranitasit dhe nga shumë oficerë që ju po vazhdoni t’ i mbani në postet më të rëndësishme. Tani që Naltmadhëria Juaj ka shprehur druajtjen e mësymjes së kufijve, ne e ndiejmë si detyrë që t’ ju bëjmë të njohur se një forcë çfarëdo e huaj do të mundej që të depërtonte kufijtë tuaj e të mbërrinte brenda dy apo tri ditësh në portet e Durrësit dhe të Vlorës. Duke u pushtuar këto porte nga forca armiqësore, forcat italiane do të duhej të pësonin humbje të mëdha për të rifituar zonat e pushtuara në vendin tuaj.
Për të shmangur këto flijime të panevojshme jetësh njerëzore dhe dëmtime mjetesh, Qeveria e Romës, duke pasur parasysh çfarë ishte parashikuar nga traktati i aleancës në fuqi, ju propozon që të autorizoni vendosjen e forcave italiane në Shqipëri, të afta për të përballuar, bashkë me trupat tuaj (të rregullt apo të parregullt) agresione të mundshme, që në fillim të aksionit të tyre.[ix]
Koloneli italian thjesht kishte zgjedhur linjën e gabuar të arsyetimit për ta bindur Zogun. Ajo çka po bënte kolonel Gabrieli duke folur kështu, ishte se po i konfirmonte Zogut që nuk pritej të kishte një sulm të afërt të Boshtit në Ballkan, çka ishte ajo së cilës i ishte trembur Zogu pas 15 marsit. Kur Zogu u kishte shprehur periodikisht italianëve shqetësimin për një sulm jugosllav ose grek kundër Shqipërisë dhe u kishte kërkuar ndihmë ushtarake, këtë gjë e kishte bërë jo se donte që të vinin trupa italiane në Shqipëri, por se donte që italianët t’ i jepnin ndihma në armatime, para e materiale të tjera, për ushtrinë shqiptare. Edhe atasheu ushtarak italian mori një përgjigje të ngjashme me Jacomonin. Kolonel Gabrieli raportonte kështu për vazhdimin e bisedës me Zogun:
Meqë mbreti ishte i mendimit se ndërhyrja e trupave italiane në kohë paqeje mund të zgjonte protesta të huaja dhe mund të quhej si cenuese e sovranitetit të Shqipërisë, i bëra të njohur se, nëqoftëse ndërhyrja do të vendosej nga të dy aleatët, në marrëveshje të plotë dhe në sajë të ndërlikimeve ndërkombëtare, në këtë rast të mundshëm askush nuk do të kishte të drejtën të protestonte. Shtova se anglezët zunë lokalitete strategjike të vendeve të huaja, pa prekur me këtë veprim sovranitetin e këtyre vendeve. Përfundova duke siguruar se forcat italiane të caktuara për Shqipërinë, do të jenë nën urdhrat e tij.[x]
Zogu, qartësisht kishte prirjen që ta kundërshtonte kërkesën për vendosjen e trupave italiane në Shqipëri, ndonëse nuk shprehej qartë. Por kur koloneli italian e krahasoi dislokimin e ardhshëm të trupave italiane në Shqipëri, me atë të trupave britanike në vende të ndryshme, Zogu pa këtu një fushë pjellore për argumente që mund t’ i zgjasnin pafundësisht negociatat, kështu që dha një përgjigje pozitive, por joangazhuese. Sipas atyre që i raportoi Romës Kolonel Gabrielli për përfundimin e kësaj bisede me Zogun:
Përballë këtyre arsyetimeve sovrani mori përsipër të shqyrtonte me mirëkuptim kushtet ushtarake të propozuara nga Roma, duke përsëritur nga ana tjetër, se nuk mund të pranonte asnjërën nga kërkesat e tjera.[xi]
Kjo nuk ishte një “po”, por thjesht një premtim hermetik se ai Mbreti do t’ i shqyrtonte kërkesat që i ishin paraqitur. Ishte karakteristike për stilin e diplomacisë së Zogut, të shkollës së divaneve orientale, që në versionin e hair splitting oriental, e paraqiste si një koncesion edhe premtimin për shqyrtimin e kërkesave, kur midis aleatësh, çka ishin Shqipëria dhe Italia, kjo duhet të ishte thjesht pjesë e etiketës. Në një manovër të zgjuar, Zogu, e përdori pranimin për shqyrtimin e kërkesave ushtarake, që në thelb nuk do të thoshte asgjë, për të thënë një “jo” të prerë për kërkesat e tjera që i paraqiti Jacomoni. Pasiqë Zogu ishte sjellë sikur i kishte bërë një koncesion të madh kolonelit Gabrieli, dhe nëpërmjet tij qeverisë italiane, duke pranuar që të shqyrtonte kërkesat ushtarake, ai gjeti rastin që të shprehej kundër kërkesave të Jacomonit të cilat qenë bërë në trajtën e propozimeve personale të këtij të fundit. Italianët, qartësisht kishin rënë në kurthin e metodës që kishin zgjedhur, për të zhvilluar bisedimet me Zogun. Më në fund, në 28 mars, dy ditë pas bisedës me Zogun, Jacomoni arriti në përfundimin se Zogu praktikisht i kishte refuzuar kërkesat italiane dhe hartoi një memorandum të cilin De Ferraris, i cili priste ende në Tiranë, duhej që ta dërgonte në Romë. Ciano shkruan në ditarin e vet në 28 mars:
De Ferraris u kthye nga Shqipëria me një memorandum prej Jacomoni-t. Duket se Mbreti është duke bërë disa lloj dredhish. Derisa përgjigjia e tij është “po”, ai bën që ministrat e tij të thonë “jo”.[xii]
Zogu nuk e besonte dot që kishte triumfuar. Gjithçka ishte si më parë. Ai e qortonte veten që ishte rrëmbyer nga paniku, duke ekzagjeruar rrezikun nga Italia. Kjo do të bënte që ai, në ditët e ardhshme, të nënvlerësonte rrezikun që u shkallëzua në kulm. Gjithsesi triumfi i Zogut ishte për t’ u shënuar, se ai luante në një hapësirë shumë të kufizuar, ku atij i duhej që të manovronte i ngushtuar nga njëra anë prej vendimit të Lidhjes së Kombeve të 9 nëntorit 1921, që gjithsesi mbetej në fuqi në parim për fuqitë e mëdha që e kishin bërë atë, dhe në anën tjetër prej shpërpjestimi kolosal i fuqisë mes Shqipërisë dhe Italisë. Enver Hoxha në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948 do ta qortonte Mbretin Zog se:
ay nuk punoi për çdukjen e vendimit të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve që i njihte Italisë një pozitë të privilegjuar në Shqipëri dhe që ishte një akt ndërkombëtar poshtëronjës për popullin tonë dhe në kundërshtim me statusin juridik të Shqipërisë si shtet Indipendent.[xiii]
Por mbreti Zog nuk mund të bënte kurrgjë ndaj një vendimi të fuqive të mëdha-anëtare të Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Ai, në marrëdhëniet shqiptaro-italiane, ishte i kushtëzuar nga një akt ndërkombëtar që kishte trajtën e mandatit italian mbi Shqipërinë. Kjo e detyroi Zogun të nënshkruante me Italinë marrëveshjet që nënshkroi. Por Hoxha nuk shpjegoi se përse ai, që nuk gjendej në pozitën e Zogut e lidhi Shqipërinë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik me traktate dhe marrëveshje shumë më të pafavorshme dhe të rënda se ato që lidhi Zogu me Italinë, edhe pse Enver Hoxha nuk tregonte dot asnjë akt ndërkombëtar që ta obligonte të sillej kështu.
[i]Andrew Ryan, “The Last of the Dragomans”, Geoffrey Bles, London 1951, p. 332
[ii]Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 428
[iii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 91-92
[iv]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 55
[v] Pietro Kuaroni: “Valixhja diplomatike”, “Albinform”, Tiranë 1993, f. 106-107
[vi] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 93-94
[vii] Pietro Kuaroni: “Valixhja diplomatike”, “Albinform”, Tiranë 1993, f. 103-104
[viii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 94
[ix]po atje: f. 96
[x] po atje: f. 96
[xi] po atje: f. 96
[xii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 57
[xiii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 20





