28 marsi 1939 duhej të ishte për Mussolinin dita e një triumfi të shumëpritur. Ishte dita kur ra Madridi. Nacionalistët spanjollë, të cilët mbështeteshin nga Italia dhe Gjermania ua morën kryeqytetin e Spanjës komunistëve që mbështeteshin nga Bashkimi Sovjetik dhe Franca e Frontit Popullor. Mussolini e quante fitoren e Franco-s si fitoren e vet personale dhe e mbante veten si ngadhnjimtarin e vërtetë të Spanjës. Mussolini e kishte bërë Luftën Civile të Spanjës luftën e tij personale. Që në fillim të luftës, Mussolini ishte ai që u dha mbështetjen më të madhe nacionalistëve që luftonin kundër komunistëve. Italianët bënë pjesën më të madhe të transportit të trupave nacionaliste nga Maroku spanjoll për në Spanjë, në ditët vendimtare të verës 1936, dhe e furnizuan ushtrinë nacionaliste me armë, municione, automjete, veshje, ushqime. Mussolini madje, që në muajt e parë të luftës, dërgoi në Spanjë trupa të rregullta ushtarake italiane, të kamufluara nën emrin Corpo Truppe Volontarie. Në mars 1937 në Spanjë kishte 50 000 ushtarë italianë. Gjithsej në Spanjë luftuan 78 500 ushtarë italianë. Nëndetëset italiane i bënë bllokadë në Mesdhe Spanjës republikane duke mbytur të gjitha anijet që furnizonin Spanjën komuniste, sovjetike, franceze etj., çka e futi Italinë në konflikt me Britaninë e Madhe dhe Francën. Në 1937, Italia ishte në prag të hyrjes në luftë me Britaninë e Madhe dhe Francën, për shkak se luftanijet britanike dhe franceze filluan që të patrullojnë në Mesdhe, për të luftuar piraterinë siç u tha, çka nënkuptonte veprimet e anijeve italiane.
Mussolini e bëri Italinë që të paguajë një çmim të shtrenjtë në luftën e Spanjës. Në total, Italisë i kushtoi lufta në material ushtarak, duke i marrë së bashku humbjet dhe furnizime për nacionalistët, 1800 topa, 1400 mortaja, 6800 automjete, 160 tanke dhe 760 aeroplanë luftarakë. Këto armatime do t’ i mungonin shumë Italisë në 1940 kur hyri në luftë. Çmimi që kishte paguar Mussolini për fitoren e nacionalistëve në Spanjë, solli që në 28 mars 1939 ai të bënte gjithçka për të treguar se fitorja në Spanjë ishte fitorja e tij. Por gëzimin e Mussolinit e brenin zërat se italianët, nuk kishin arsye që të festonin për fitoren se ata në Spanjë kishin pësuar katastrofë përballë ushtrisë amatore republikane dhe vullnetarëve të huaj, duke u përmendur veçanërisht disfata e bujshme e Guadalajarës e vitit 1937, si shembulli i dështimit italian në Spanjë. Dështimi italian në Tiranë, në ditët e fundit të marsit, i dha pak shije të hidhur “Guadalajare” festës në Romë, për rënien e Madridit. Me siguri që memorandumi i Jacomonit, të cilin De Ferraris e solli në Romë në 28 mars, që atë ditë u bë sekret i Pulcinelës në Romë, dhe përmbajtja e tij u bë e njohur për diplomatët dhe zbuluesit e huaj në kryeqytetin italian. Kështu që, për botën diplomatike lajmi kryesor në 28 mars nuk ishte rënia e pritur e Madridit, por dështimi i Mussolinit në Shqipëri. Kancelaritë e rëndësishme të botës e kishin ndjekur me interes dramën që u zhvillua në Tiranë mes 25 dhe 28 marsit, mes Mussolinit dhe Zogut. Për tre ditë rresht, aq kohë sa i ishte dashur Hitlerit për të mbaruar punë në Austri dhe Çekosllovaki, Mussolini i kishte bërë presion mbretit të një vendi të vogël dhe të varfër dhe ky i kishte rezistuar me sukses. Kjo e bënte botën që të kujtonte edhe një herë dështimet anekdotike të ushtrisë italiane në Spanjë, mbi të gjitha se si dështoi Mussolini në 1937 kur u orvat që ta merrte Madridin me trupat italiane, me ç’ rast ato pësuan disfatën e turpshme në Guadalajara . Tirana ishte bërë “Guadalajara ” e Mussolinit në ditën e triumfit në Madrid . Mussolini, qartësisht kishte shpresuar që 28 marsi të ishte dita e triumfit të dyfishtë, në Madrid dhe në Tiranë. Ai kishte menduar se në 28 mars do të shpallte në tubimin në Sheshin “Venezia”, vendi i mitingjeve të Mussolinit, triumfin e dyfishtë në Madrid dhe në Tiranë. Mussolini që sigurisht ishte në dijeni se fjalët për dështimin në Tiranë qenë përhapur, druhej se ky ishte një rast kur për italianët do të përsëritej thënia “Menos camiones y mas cojones”.[i] Ciano shkruan në ditar në 28 mars:
Manifestime në Piazza Venezia me rastin e rënies së Madridit. Duçe shkëlqen. Ai, duke treguar atlasin që është hapur në faqen e hartës së Spanjës, thotë: “Këtu ka mbetur i hapur për rreth tre vite, tash mjaft! Duhet hapur në një faqe tjetër”. Ai ka në zemër Shqipërinë.[ii]
Mussolini me këtë përpiqej që të largonte aromën guadalajarase që erdhi nga Tirana në festën në Romë për rënien e Madridit. A thua se dështimi italian në Tiranë kishte ardhur për shkak se Mussolini ishte i zënë me fushatën për Madridin dhe nuk mund të merrej me Zogun. Kur e vërteta ishte se, që pas betejës së Guadalajarës, në mars 1937, kur katër divizionet italiane që gjendeshin në Spanjë qenë shpartalluar, pjesëmarrja ushtarake italiane në Spanjë me formacione të mëdha luftarake kishte ardhur duke u reduktuar. Çfarëdo që të thoshte Mussolini, ata që ishin pranë tij e ndjenin se festa ishte prishur. Mbreti Zog ishte bërë një festprishës. Kështu që në 28 mars konflikti mes Mussolinit dhe Zogut u kthye në një çështje personale. Tashmë Mussolini mendonte se e gjithë kjo histori ishte bërë një çështje personale për të: ai diktatori fashist, i cili pretendonte se do të rindërtonte Imperinë Romane, dhe e quante veten pasardhës të Octavian Augustit, duke e shpërfillur si periudha e dekadencës kohën që kaloi Italia prej vdekjes së Augustit dhe deri në vitin 1922 kur fashizmi erdhi në pushtet, ishte poshtëruar nga një sundimtar oriental ballkanas. Europa nis e shikon me kureshtje ndeshjen e Zogut me Mussolinin. Në Europën ku çdokush të cilit i troket në derë Boshti, i nënshtrohet kërkesave të tij, Zogu është i vetmi që reziston, madje i vetëm. Është një spektakël interesant ky duel Mussolini-Zogu: Caesar-i fashist përballë këtij mbreti me mustaqe ala Ëilhelm II. Në ndërkohë, Ciano vazhdon që të jetë gjithëherë më i avancuar se Mussolini sa i përket qëndrimit ndaj Shqipërisë. Në 28 mars, kur Jacomoni bënte raportin përfundimtar për qëndrimin refuzues të Zogut, Ciano shkruante në ditar:
Megjithatë makina është vënë në lëvizje dhe nuk ka më mundësi që të ndalet. Ose do të funksionojë me Zogun, ose kundër tij. Për shumë arsye, së pari për shkak se italianët nuk kërkojnë që të jenë të parët që të nisin një luftë në Europë, unë do të parapëlqeja alternativën e parë, por nëse Zogu nuk nënshtrohet, do të jetë e nevojshme që të përdorim armët dhe do t’ i përdorim vendosmërisht.[iii]
I njëjti Ciano, 13 ditë më parë, në 15 mars, pati shkruar se italianët ndjeheshin të poshtëruar nga pushtimi i Bohemisë dhe se kërkonin një kompensim, Shqipërinë. Tash thotë se italianët kanë një mendim tjetër. Kjo tregon se Ciano kishte një motiv tjetër kur kërkonte pushtimin e Shqipërisë. Ciano tashmë dëshironte pushtimin e Shqipërisë, por jo me luftë. Ciano, në mënyrë hermetike dhe të mistershme thotë më lart se për shumë arsye tashmë nuk e dëshiron luftën në Shqipëri. Kjo tregon se Ciano kishte filluar që t’ i kuptonte pasojat rrezikshme të lojës me zjarr që kishte iniciuar ai vetë, duke u përpjekur që ta bindte Mussolinin për pushtimin e Shqipërisë, në një kohë kur dukej qartë se Europa po shkonte kah një luftë e re botërore. Ciano, kur kishte kërkuar pushtimin e Shqipërisë, nuk kishte dashur që të kishte implikime serioze të rrezikshme për Italinë, se kjo do të ishte në dëm të mirëqenies së tij personale. Ciano thjesht e kishte parë si një gjë të parrezikshme për Italinë aksionin ushtarak Italian ndaj Shqipërisë, që ia kishte sugjeruar Partia Atlantike e Luftës. Tash që parandjente rrezik, me shkallëzimin e tensionit në situatën ndërkombëtare, ai filloi që të ishte në dilemë. Por duke qenë njeri apatik, në gjithçka që bënte, veç argëtimit, ai nuk reflektoi thellë, nuk ndryshoi qëndrim, por vazhdoi për inerci që të bënte kampionin e pushtimit të Shqipërisë, duke menduar edhe se kështu do të bëhej i pëlqyeshëm për qëndrat perëndimore që e joshnin atë. Ciano as që flet për zbutjen e termave të projekt-traktatit, pas kundërshtimit të Zogut. Është Jacomoni ai që shkruante në 28 mars, duke komentuar përgjigjen që i kishte dhënë Zogu atasheut ushtarak italian:
Ishte e qartë pra, se në qoftë se duhej të arrinim në përfundimin e një marrëveshjeje, që të mos ishte e prejardhur nga një paravendosje e pastër që do t’ i vihej mbretit për miratim, ishte domosdoshmërisht e nevojshme që të modifikoheshin disa nga pikat e skemës që kishte dërguar Roma.[iv]
Jacomoni gjithashtu ankohet në Romë se negociatat kanë hyrë në një kurs absurd përderisa ai i paraqit si idetë e tij personale ato që në fakt janë termat e projekt-traktatit të përgatitur në Romë. Jacomoni shkruan:
Më 28 vura në dijeni Romën për gjendjen dhe nevojën në të cilën ndodhesha, për t’ u mbështetur në një taktikë bisedimesh me eksponentët më të mëdhenj të Qeverisë, të cilët niseshin jo nga skema që kisha marrë nga Roma, por nga traktati i aleancës në fuqi.[v]
Pavarësisht se Zogu dhe ministrat e tij e kuptonin se, kur Jacomoni bëri propozimet e tij për projekt-traktatin, duke i paraqitur si personale, ai megjithatë kumtonte ide të përpunuara në Romë, për ta ishte komode që të shtireshin sikur besonin vërtet se kjo ishte vetëm ideja e Jacomonit. Kështu ata mund t’ i kundërshtonin kërkesat italiane, duke u shtirur se nuk po kundërshtonin kërkesat e Mussolinit. Jacomoni, duke ndjerë rrezikun e dështimit, për shkak të veprimeve nguruese të Romës, i shkruante Cianos në 28 mars:
Nëse mendimi i Qeverisë së Romës nuk mund të ndryshohej, ma komunikoni këtë përmes sekretarit të kabinetit De Ferraris, që t’ ia bëj të njohur Mbretit Zog se, në rastin e mungesës së një marrëveshjeje, një zbarkim i trupave italiane do të bëhej edhe pa këtë marrëveshje. Ju lutem që ky komunikim të mos bëhet i njohur publikisht para se t’ ia kem përçuar Romës skemën e marrëveshjes që mund të dalë nga bisedimet tona këtu.[vi]
Ajo çka kërkonte Jacomoni ishte që Roma t’ i formulonte kërkesat në trajtë ultimatumi, ashtu që Mbreti Zog ta kuptonte se gjërat ishin serioze. Jacomoni kishte të drejtë. Veprimet nguruese të Mussolinit ndaj Shqipërisë, jo vetëm që kishin inkurajuar Zogun, por u bënë shkak që në 29 mars 1939, Sir Omar Sargent, Asistent-nënsekretari i shtetit për çështjet e jashtme, vërente:
Unë nuk mendoj se Mussolini do të bëjë një goditje në Shqipëri në rrethanat e tashme, përveç nëse Jugosllavia pajtohet që të bashkëpunojë, çka ajo nuk do ta bëjë.[vii]
Britanikët, pas të gjitha gjasave mendonin se ngurimi i Mussolinit, të cilin ata nuk mund të mos e kishin perceptuar, dhe aftësitë negociuese makiavelike të Zogut, të cilat tashmë qenë të vërtetuara, do të bashkëvepronin për kapërcimin e kësaj krize. Ajo çka duket se nuk e kuptuan britanikët ishte se tashmë konflikti mes Mussolinit ishte bërë personal. Mussolini i 28 marsit nuk ishte më as ai i 15 marsit, as ai i 23 marsit, por një tjetër Mussolin. A e kuptoi Zogu në 28 mars se tash konflikti mes tij dhe Mussolinit ishte bërë personal? Nuk e besoj që ta ketë kuptuar, se Zogu nuk ishte i aftë për t’ i bërë një analizë të thellë personalitetit të Mussolinit. Zogu, gjatë krejt karrierës së tij politike, kishte pasur fatin që të kishte këshilltarët politikë më të mirë që mund të ëndërronin të kishin politikanët shqiptarë bashkëkohës së tij, diplomatët britanikë, të dërguarit e superfuqisë së kohës. Kjo për faktin se britanikët panë tek Zogu një njeri që mund të kryente agjendën e tyre për Shqipërinë. Por në mars 1939 Zogu kishte mbetur pa këshilltarë të huaj të fuqishëm, seriozisht të interesuar që ai të kishte sukses. I vetmi këshilltar që i kishte mbetur Zogut ato ditë ishte Machiavelli. Këtu e kam fjalën për atë që rrëfen në kujtimet e veta Zoi Xoxa, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Zogut dhe që e ka njohur nga afër atë. Ai thotë për Zogun dhe librin “Princi” të Machiavelli:
Këtë vepër ai e mbante nën jastëk dhe e kishte shkarravitur duke i vënë shënime në qinar. Hollësirat i mora nga Abdurrahman Mati (Lalë Krosi- K.M). Duke ndenjur një pasdite në “Kursal” (kafeteria më luksoze e Tiranës së kohës- K.M.), Abdurrahmani më pyeti mbi “Princin” e Makiavelit. U habita, se Abdurrahmani ishte analfabet; por menjëherë më vajti mendja se duhet ta kishte dëgjuar nga “i madhi”, siç e quanin njerëzia Zogun. I thashë se ishte një libër me shumë rëndësi i një italiani të madh, diplomat shumë i hollë. Në atë libër ai jep këshilla se si duhet të sillet një burrë shteti. Meqënëse më tha se “ustai” s’ e hiqte nga dora dhe e kishte shkarravitur duke e shënuar në qinare, më hipi meraku të dija se ç’ kishte shënuar dhe i ç’ mendimi ishte ai vetë. Nga ato shënime do të kisha kuptuar shumë gjëra: në ç’ mënyrë kërkonte të qeveriste, me të butë a me të egër, me ambicje apo altruizëm, me rryma përparimtare apo prapambetje. Ç’ synonte dhe ç’ kërkonte të arrinte etj., etj. Ishte një mjet i mirë për të studiuar gjendjen e tij shpirtërore. Dhe si pa të keq, duke u treguar i padjallëzuar, kujtova se mund t’ ia hidhja. I thashë A. Matit se këtë libër e kisha lexuar shumë vite më parë, që kur isha student, por do të më pëlqente edhe një herë. A mund ta merrte dhe të ma huante për nja dy ditë? Abdurrahmani që s’ kuptonte nga librat, e hëngri dhe m’ u përgjigj aty për aty:
-Posi more! Ia marr unë për nja dy a tri ditë.
Por pas disa ditësh kur më takoi, më shkeli syrin me kuptim dhe më tha;
-Ke dashur të ma hedhësh! Porosite në Itali, po pate qejf ta këndosh, por jo atë.
E kuptova se “ustai” ia kishte shpjeguar se ai libër me shënime në qinar, nuk duhej të binte në dorën e askujt”.[viii]
Zogut në 28 mars 1939 dhe në ditët në vijim, nuk i mbetej tjetër veçse t’ i drejtohej Machiavellit për këshilla. Por këshilla e vetme që i vinte Zogut nga Machiavelli nuk ishte asfare inkurajuese: “Kundër rreziqeve të huaja një princ mund ta mbrojë vetveten duke qenë i armatosur mirë dhe duke pasur aleatë të fuqishëm. Nëse ai është i armatosur mirë nuk do t’ i mungojnë kurrë aleatët e mirë”.
Zogu, i gjendur përballë një armiku të fuqishëm, nuk ishte i mirëarmatosur, e për rrjedhim nuk kishte as me aleatë të fuqishëm. Zogu ishte Princi i një vendi të vogël dhe të varfër, i cili kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga pushtimi otoman, në një prapambetje të madhe të llojit oriental të kohës. Kjo u pasua dhe nga një luftë botërore që i shkaktoi shumë dëme vendit. Aftësitë e vendit për t’ u armatosur mirë, çka, sipas formulës së Machiavelli-t, do të kishte sjellë edhe aleatë të fuqishëm, ishin shumë të kufizuara. Machiavelli qartësisht nuk kishte shkruar për një monark si Zogu, kur ishte fjala për marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këto rrethana, Zogu i mbetur praktikisht pa këshilltarë, iu drejtua manualit fatalist oriental që shprehet mirë në rrëfenjën se gomari, kur po e shqyente ujku tha: “Bëje o Zot ëndërr”. Kështu, edhe Zogu e bindi veten se krejt çka po ndodhte në marrëdhëniet e tij me Italinë ishte një ëndërr, një bluff, dhe ai pati iluzionin se do të arrinte që të mbijetonte me metodat që kishte përdorur deri më atëherë. Zogu prej kohësh i kishte krijuar vetes iluzionin se ai ishte në gjendje që t’ i manipulonte shqiptarët dhe Mussolinin, sipas një metodologjie personale, të frymëzuar nga një kombinim i mjedisit otoman ku ishte formësuar dhe Machiavelli.
Nuk mund të kuptohet sjellja e Zogut gjatë karrierës së tij politike, nëse nuk konsiderohet ndjenja e tij e thellë e pasigurisë vetiake. Kjo nuk ishte thjesht ndjenja e vetëmbrojtjes, e mprehur për shkak të situatave të rrezikshme nëpër të cilat gjendej Zogu politikan dhe shtetar. Pasiguria e thellë ishte ndjenja mbizotëruese tek Zogu që në vitet e hershme formative të personalitetit të tij. Babai i tij, Xhemal Zogolli (titullin pashë nuk e kishte zyrtarisht, por e quanin kështu se ishte bir pashe), u vra nga nga kundërshtarët brenda në shtëpinë e tij në Burgajet, duke ndenjur tek vatra. Për vrasjen e Pashë Sakatit, siç e quanin Xhemalin, se ishte i paralizuar, ndoshta nga një sëmundje e trashëguar e familjes, këndohej në Mat një këngë e famshme. Kënga rrëfente se si ata që e vranë i erdhën në shtëpi, dhe pasha duke e parandjerë rrezikun, u bëri zë grave që të sillnin kafe dhe diçka për të ngrënë. Nëse ata do të shtinin diçka në gojë në shtëpinë ku hynë, atëherë nuk mund ta vrisnin të zotin e shtëpisë, se kjo quhej shkelje e dokeve, dhe ndëshkoheshin rëndë nga katundi e krahina. Prandaj ata iu përgjigjën:
S’ kena ardhë për fiq e kafe,
Kena ardhë me i ndru dy llafe.
Dy llafet ishin dy plumba që i morën jetën Xhemal bej Zogollit. Ahmeti ishte jo më tepër se 10-12 vjeç kur ia vranë babanë. Ai praktikisht kishte mbetur mashkulli i vetëm në familje. Vëllai i tij i madh, por me nënë tjetër, Xhelali vuante nga një sëmundje mendore dhe në vend që të ishte mbështetje për të ishte rrezik. Xhelalin e nxisnin kundër Ahmetit armiqtë e familjes, duke i thënë se njerka e tij, nëna e Ahmetit, donte që ta zhdukte, ashtu që pasurinë e familjes ta trashëgonte djali i saj. Xhelali ishte thjesht armiku brenda familjes, në familjen me shumë armiq. Ahmeti duhet të ishte mbrojtësi i familjes, së përbërë nga shtatë femra, nëna e tij dhe gjashtë motrat, të cilat të gjitha e kishin Ahmetin vëlla me babë dhe nënë. Nëse nuk do të kishte qenë për nënën e tij, Zogun me siguri do ta kishin vrarë në Mat, vëllai, ose armiqtë e familjes. Si shumë bij bejlerësh Zogu shkoi në shkollë në Stamboll, por ai kishte me vete një eskortë të madhe, të përbërë nga pesë roje, ndër njerëzit më besnikë të familjes, me në krye Abdurrahman Risvani (Lalë Krosi i famshëm). Ky ishte njeriu që i kishte vënë Zogut emrin e dytë (Muhtar), sipas traditës të familjeve muslimane që kishin një lloj rëndësie, dhe me këtë u bë ekuivalenti i kumbarit në vendet e krishtere. Abdurrahman Risvani personalisht i shpëtoi jetën Ahmet Zogollit kur gjysmëvëllai, Xhelali u orvat ta vriste në Stamboll. Prej këtij momenti Abdurrahman Risvani u bë njeriu më i besuar i Zogut, “Rasputini” i tij siç e quanin.
Ndjenja e ngulitur thellë e pasigurisë bënte që Zogu në momente vendimtare të rrëmbehej nga kriza paniku, posaçërisht e ndjente se ishte i zbuluar, ashtu që nuk kishte mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. Asnjëherë nuk u shfaq tek Zogu politikan, në situatat e vështira, burri që reziston, thjesht në emër të dinjitetit të vet, kur nuk ka mbështetje të huaj. Në mars 1922 ai rezistoi brenda selisë së qeverisë në Tiranë, i rrethuar nga rebelët, vetëm se kishte mbështetjen e ministrit britanik në Shqipëri. Në qershor 1924, ai, në vend që të tërhiqej në malet e Matit, dhe atje të mbante gjallë rezistencën derisa t’ i vinte ndihma nga mbështetësit e tij, iku në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (siç quhej atëherë Jugosllavia). Gjatë kryengritjeve në veri në 1926 dhe në jug në 1935 dhe 1937, ai qëndroi vetëm se kishte mbështetjen e italianëve. Në 1934, kur në portin e Durrësit hynë luftanijet italiane, ai u bë gati që të largohej nga Shqipëria, në rast se italianët do të zbarkonin, por mbeti në vend vetëm se ndërhynë Britania e Madhe dhe Franca , në emër të Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Zogu gjithëherë i kishte mbivlerësuar rreziqet që kishte kaluar. Në 1939 ai e nënvlerësoi rrezikun. Zogu nuk ishte njeri religjioz, por ai ishte supersticioz dhe besonte tek fati i tij, ashtu siç ndodh me njerëzit që befasohen nga fati i mirë që kanë në jetë, që në moshë të re. Në rastin e Zogut fjala ishte për një lloj besimi të ndërlikuar oriental. Në disa momente të jetës së tij, Zogu e shikonte veten thjesht si një ndihmës të fatit të vet. Pra, ai, Zogu, thjesht duhet që të rrinte në pozicionin që kishte dhe fati do t’ i bënte të tjerat. Por kur shikonte se se gjërat nuk funksiononin, e rrëmbente paniku dhe largohej nga sytë këmbët.
Pavarësisht se kërkonte që të jepte përshtypjen e kundërt, nuk ishte njeri aktiv si ushtarak. Ajo që dinte të bënte ishte që të shfaqej si i pranishëm në momentet dhe situatat kur veprimet e kryera nga të tjerët jepnin rezultate të favorshme, pra të pozonte. E shumta që bënte ai ishte që t’ i iniconte këto veprime. Në vitet 1920-1924 ai krijoi një reputacion të madh për vetveten në situata të tilla. Por ai ishte i vetëdijshëm se ky ishte një mit i rremë. Zogu e humbi rrezikshëm lidhjen me realitetin kur, duke bërë atë që e mendonte si kujdesin e domosdoshëm për sigurinë e tij, nuk bënte gjë tjetër veçse e linte veten që ta sundonte deliri i pasigurisë. Fakti që u martua vetëm dhjetë vite pasiqë u bë mbret nuk është pa domethënie. Zogu trembej se, pasiqë të martohej dhe të lindte një trashëgimtar, italianët do të shkaktonin vdekjen e tij (Ahmet Zogut) dhe do të qeverisnin me një regjent të vendosur prej tyre në emër të mbretit të mitur. Zogu, dikund mes vetëdijes dhe pavetëdijes së tij, shikonte si rrezik edhe vetë fëmijën e tij të palindur.
Zogu ishte i vetëdijshëm për këtë psikozë të tij dhe ç’ është e vërteta përpiqej që ta dominonte. Problemi ishte se kur përpiqej që ta bënte këtë, kalonte nga njëri skaj në tjetrin, nga mbivlerësimi paranojak i rreziqeve për personin e tij, me të cilin e identifikonte shtetin, në nënvlerësimin paranojak të tyre. Kështu, në shkurt 1924, kur i bënë atentat në hyrje të ndërtesës së parlamentit, ai, ndonëse i lënduar me dy plagë, hyri në sallën e parlamentit. Pastaj, në vend që të vepronte energjikisht, siç linte të kuptohej ky gjest, ai dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe e la veten që ta rrëmbente rryma e ngjarjeve, që e bëri të arratisej në Jugosllavi në qershor. Në 1931, kur i bënë atentat në Vienë, atë e rrëmbeu paniku, hyri përsëri në veturën nga ku kishte dalë dhe u shtri në dyshemenë e saj, një veprim ky jo i zgjuar se atëherë atentatorët në Europë e kishin si praktikë që të përdornin edhe bomba veç revolverëve, dhe ishte fat për Zogun që atentatorët atë ditë nuk hodhën bomba brenda në automjet nga dritaret, të cilave u qenë thyer xhamat. Zogu, ndonëse pretendonte të ishte ushtarak, nuk mendoi për turpin e madh që do t’ i linte vetes, nëse do të vritej nga një bombë që do t’ i shpërthente mbi prapanicë në dyshemenë e makinës. Në 1939, Zogu, sipas stereotipit të tij, në fillim e mbivlerësoi rrezikun, në ditët nga 15 në 25 mars, pastaj e nënvlerësoi atë që prej 26 marsit.
[i] Pas Betejës së Guadalajarës në mars 1937, kur italianët ia vunë fajin për humbjen mungesës së automjeteve për transport nga ana e nacionalistëve spanjollë, Gjenerali spanjoll Jose Moscardo e Ituarte, i famshëm si mbrojtësi i Alcazar-it, iu përgjigj italianëve me fjalët që u bënë anekdotike:
“Guadalajara non es Abisinia
Los espanjoles anques rojos, son valientes,
Menos camiones y mas cojones”
(“Guadalajara nuk është Abisinia,
Spanjollët, edhe të kuqtë, janë trima,
Ju keni nevojë për më pak kamiona e më shumë koqe”.
Mussolini u fye shumë nga këto fjalë.
[ii]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 57
[iii] po aty: f. 57
[iv] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 96
[v] po aty: f. 94
[vi]po aty: f. 95
[vii]Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 429
[viii]Zoi Xoxa, “Kujtimet e një gazetari”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2007, f. 98-99





