13. Rruga nga Roma për në Tiranë kalon nga Varshava




      Mussolini e ndjente se pas refuzimit të Zogut, ai po turpërohej para botës, dhe po humbte reputacionin e liderit energjik të një fuqie të madhe. Aq më tepër që sjellja e Mussolinit do të krahasohej me atë të Hitlerit në Austri dhe Çekosllovaki. E megjithatë Mussolini nguronte që të vepronte në Shqipëri rrufeshëm, në stilin e Hitlerit, se ende shikonte shumë rreziqe në këtë aksion. Ditën e mërkurë, në 29 mars, Ciano shkruan në ditar:
      Unë pata dy takime me Duçen për të marrë vendimet sa i përket Shqipërisë. Për derisa ai është duke u nisur në Kalabri dhe do të kthehet të shtunën, ai ngulmon që t’ i përcaktojë gjërat.[i]
      Mussolini kërkon që të krijojë përshtypjen se ai është duke vepruar, kur në fakt e vetmja gjë që ishte duke bërë ishte që të thoshte fjalë evazive për aksionin në Shqipëri. Mussolini u largua nga Roma për tre ditë, me sa duket që të shmangte marrjen e një vendimi të shpejtë mbi Shqipërinë. Në ndërkohë, ai, në stilin e vet, u shtir sikur e mori vendimin për t’ i vënë gjërat në lëvizje. Në 29 mars, para se të largohej nga Roma për në Kalabri, Mussolini i bëri me dije Cianos vendimin e tij, me pesë pika, sa i përket aksionit në Shqipëri:
      1)Forcat tokësore, Flota detare, forcat ajrore të vazhdojnë përgatitjet e tyre. Ato do të jenë gati të shtunën.
2)Jacomoni duhet që në ndërkohë të ushtrojë trysni diplomatike ndaj Mbretit dhe të raportojë efektin e saj.
3)Në një pikë të caktuar, nëse ai nuk dorëzohet, ne do të dërgojmë anijet luftarake në ujërat territoriale të Shqipërisë dhe do të paraqesim një ultimatum: ose të nënshkruhet pakti, ose të mbahet përgjegjësi për refuzimin.
4)Nëse Mbreti ngulmon në refuzimin e tij, ne do të ngremë fiset në revoltë, do të publikojmë deklaratat tona dhe do të zbarkojmë.
5)Pasiqë të jetë pushtuar Tirana, ne do të tubojmë prijësat shqiptarë në një asamble kushtetuese, të cilën do ta drejtoj unë, dhe që do t’ i ofrojë Mbretit të Italisë Kurorën e Shqipërisë.[ii]
      Përsëri nuk bëhet fjalë për një plan të përcaktuar aksioni, por vetëm për ide të përgjithshme. Mussolini flet për një ultimatum, por nuk saktëson ditën se kur do t’ i kumtohet ai Zogut, si dhe sa do të jetë afati i ultimatumit, as koha se kur do të fillojë operacioni ushtarak, nëse refuzohet ultimatumi. Mussolini, ndonëse cakton datën se kur duhet të jenë gati forcat tokësore, detare e ajrore italiane, ditën e shtunë, 1 prill, megjithatë, ende nuk i ka vënë në dijeni drejtuesit e ushtrisë për operacionin në Shqipëri. Ushtria italiane madje as që ka një plan të gatshëm për pushtimin e Shqipërisë, çka do të krijojë jo pak vështirësi gjatë operacionit të zbarkimit. Mussolini urdhëron që Jacomoni të vazhdojë presionin diplomatik ndaj Zogut, por ç’ kuptim kishte ky presion kur Zogut nuk i paraqitej një ultimatum, ndonëse kishte refuzuar prej disa ditësh kërkesat italiane. Mussolini, në mënyrë domethënëse, pasiqë mori vendimin e mësipërm të turbullt, dhe gjeti një mënyrë për t’ u larguar nga Roma, ia la Cianos përgjegjësinë për të bërë mbledhjet e para me ushtarakët mbi aksionin në Shqipëri. Kështu, nëse Mussolini do të anulonte përsëri vendimin e tij, nuk do të bënte figurë të keqe para gjeneralëve të tij.
      Kjo sjellje e Mussolinit tregon se ai qartësisht ishte i shqetësuar për ndërlikimet ndërkombëtare që mund të sillte aksioni ushtarak italian në Shqipëri. Mussolini priste që të shikonte se si do të shkojë çështja e konfliktit britaniko-gjerman mbi Poloninë. Që prej disa ditësh ishte duke u folur për një garanci ushtarake britanike për Poloninë, e cila gjendej e rrezikuar përballë kërkesave territoriale gjermane. Mussolini e dinte se ndërprerja e bisedimeve gjermano-polake në 26 mars, e kishte vënë Britaninë e Madhe para nevojës për marrjen e një vendimi të shpejtë, nëse nuk donte që Polonia të kishte të njëjtin fat me Çekosllovakinë. Në London kishin frikë se, nëse Britania e Madhe dhe Francanuk i jepnin shpejt garanci ushtarake Polonisë, atëherë kjo do të inkurajonte Gjermaninë që t’ i jepte një ultimatum Polonisë. Kjo do të thoshte që situata të shkonte kah një deja vu e momenteve më të tensionuara të Konferencës së Munich-ut, të vitit të kaluar. Mussolini e kuptonte se, nëse Britania e Madhe, e me këtë rast edhe Franca, se këto dy vende vepronin bashkërisht, i jepnin një garanci ushtarake Polonisë, atëherë përjashtohej çdo veprim i tyre në Mesdhe ndaj Italisë. Britania e Madhe dhe Franca nuk mund të angazhoheshin në dy fronte. Nëse Britania e Madhe dhe Franca do t’ i jepnin një garanci ushtarake Polonisë, siç po flitej shumë ato ditë, atëherë Italia nuk kishte fare nevojë që të priste nënshkrimin e aleancës me Gjermaninë, për të pushtuar Shqipërinë, siç ishte shprehur Mussolini në janar dhe në shkurt. Edhe Jugosllavia e kuptonte se, nëse Franca, aleatja kryesore e saj, por edhe Britania e Madhe, do t’ i jepnin prioritet Polonisë, atëherë Jugosllavia nuk mund të priste ndihmë prej tyre, nëse do të kundërshtonte një aksion ushtarak italian në Shqipëri. 
      Në 29 mars, derisa Mussolini është ende në dilemë sa i përket pushtimit të Shqipërisë, Ciano, gjithëhëherë shumë i angazhuar për të zhdukur ngurimet e Duçes për pushtimin e Shqipërisë, vazhdonte përpjekjet për ta bindur Duçen se reagimi kundërshtues ndërkombëtar do të ishte zero. Ciano shkruan në ditar, në 29 mars:
      Kurrkush nuk do të protestojë. Madje as Jugosllavia, e cila është mjaft e preokupuar me ngjarjet e fundit në Kroaci. Këtë mbrëmje unë fola gjatë me Christicin: I dhashë atij gjerësisht sigurime për Kroacinë, por bëra rezervime sa i përket Shqipërisë. Ai nuk pati vërejtje. Vetëm se propozoi si një kusht që Shqipëria të mos përdoret për një sulm ndaj Jugosllavisë.[iii]
      Ishte e vërtetë se Jugosllavia tashmë nuk e ka më stabilitetin e brendshëm që do t’ i mundësonte t’ i kundërvihej Italisë në Shqipëri. Beogradi druhej se qëndrimi i fortë kundërshtues ndaj aksionit italian në Shqipëri, do të bënte që Italia, pas së cilës shikon Gjermaninë, të gjente shkas për të nxitur dhe madje sponsoruar irredentizmin kroat. Kërkesa që ministri jugosllav në Romë i bëri Cianos që Shqipëria pas pushtimit të mos përdorej si bazë për një sulm ndaj Jugosllavisë, ishte simptomë e panikut që po e rrëmbente Beogradin. Jugosllavia kërkonte sigurime verbale se nuk do ta mbysin pasiqë t’ ia kenë vënë lakun në fyt. Pas pushtimit të Shqipërisë, Italia do të kontrollonte të dy anët e Otrantos, çka do të thoshte se në rast lufte Jugosllavia nuk do të mund të merrte ndihmë nëpërmjet detit nga Francadhe Britania e Madhe. Pushtimi i Shqipërisë do ta bënte krejt të pasigurt edhe rrugën e Selanikut, se një mësymje e përbashkët italiano-bullgare në Maqedoni, do të priste dhe rrugën e fundit të furnizimeve për Jugosllavinë.       Në ndërkohë Jacomonin nuk e mbajnë nervat në Tiranë dhe niset befasisht në Romë, në një udhëtim me po aq të papritura sa vetë lajmi i udhëtimit të tij. Ciano shkruan për këtë në ditar, në 30 mars:
      Jacomoni papritur njoftoi se ai do të kishte arritur në Romë këtë pasdite. Por për shkak se motorri i aeroplanit pati probleme, atij iu desh që të ndalet në Brindisi dhe do të arrijë nesër.[iv]
      Jacomoni qartësisht kërkon që të marrë pjesë personalisht në përpunimin e planit të aksionit në Shqipëri se kërkon që të shmangë disa nga vështirësitë me të cilat parashikon se do të ballafaqohet nëse plani do të konceptohet në mënyrë të turbullt, ose së paku kërkon që t’ i bëjë paraprakisht vërejtjet e tij, që të çlirohet nga përgjegjësia nëse ndodh kështu. Udhëtimi i befasishëm i Jacomonit është tregues i konfuzionit që kishte sjellë ngurimi i Duçes. Ciano shkruan në 31 mars:
      Jacomoni nuk kishte arsye të veçantë për të ardhur në Romë, përveçse ndoshta se me mungesën e tij ai do të bënte që të krijohej pak qetësi në atmosferën e Tiranës, e cila në këtë kohë është shumë e trazuar.[v]
      Jacomoni natyrisht që nuk ia ka treguar shkakun e vërtetë të udhëtimit të tij. Shkaku që ai i jep Cianos nuk duket i besueshëm. Në ato rrethana, të tensionit që sa vinte dhe shkallëzohej, pikërisht largimi i Jacomonit për në Romë, do të krijonte shqetësim në Tiranë, se krijohej dyshimi që ishte fjala për një komunikim aq të rëndësishëm mes Romës dhe ministrit të saj në Tiranë, saqë ai nuk mund të bëhej me telegram të shifruar. Në Tiranë nuk mund të mos mendonin se fjala ishte për udhëzimet mbi modalitetet diplomatike të aksionit ushtarak. Në 31 mars, Ciano, në emër të Mussolinit bëri mbledhjen e parë me ushtarakët e lartë, për operacionin në Shqipëri, ku mori pjesë edhe Jacomoni. Ciano shkruan në ditar, në këtë ditë:
      Unë pata një takim me Pariani-n, Jacomoni-n dhe Guzzoni-n, i cili është caktuar komandant i forcës eksedicionare në Shqipëri.[vi]
      Ndonëse Mussolini ishte komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura italiane, mbledhjen e parë me krerët ushtarakë për operacionin e pushtimit të Shqipërisë, nuk e drejtonte ai por Ministri i Punëve të Jashtme. Është e qartë se Mussolini kishte shkuar në Kalabri vetëm për të shmangur pjesëmarrjen në këtë mbledhje, ashtu që, nëse gjërat do të shkonin keq, përgjegjësia të binte mbi Cianon, i cili e kishte kërkuar me të madhe pushtimin e Shqipërisë. Ushtarakët pjesëmarrës në mbledhje, Gjenerali Alberto Pariani, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë (forcave tokësore) dhe Gjenerali Alfredo Guzzoni komandanti i Korparmatës XI, e cila do të mbante peshën kryesore gjatë aksionit në Shqipëri, u vunë në dijeni vetëm këtë ditë për aksionin në Shqipëri. Para tyre vetëm Marshalli Badoglio, Shefi i Shtatmadhorisë së Përgjithshme (shtabet e bashkuara të forcave tokësore, detare dhe ajrore) ishte vënë në dijeni se mund të ndërmerrej pushtimi i Shqipërisë në një kohë të papërcaktuar të afërt. Badoglio, fitimtari i Etiopisë, shprehu shqetësim për aksionin ushtarak. Ciano shkruan në ditar në 29 mars:
      Badoglio shkoi tek Duçe për t’ i thënë se ai pajtohej me të për operacionin në Shqipëri. Sugjerimi i tij i vetëm ishte se duhej që të mobilizoheshin forca më të mëdha. Ne do të mobilizojmë një divizion shtesë dhe një batalion tankesh.[vii]
      Nga mënyra se si shkruan Ciano kuptohet se Mussolini mendonte paraprakisht që të zbarkonte në Shqipëri me pak forca dhe pa tanke. Badoglio trembej seriozisht se kur shqiptarët do të ballafaqoheshin me një ekspeditë të tillë, ata do të inkurajoheshin që të bënin qëndresë më të fortë e masive, madje edhe të kundërmësynin, duke i hedhur italianët në det, si në 1920. Badoglio, qartësisht kërkonte të rrinte jashtë kësaj historie. Përndryshe Guzzoni në fillim duket entuziast, një qëndrim ky që do të ndryshojë shumë më pas, pikërisht në mes të aksionit ushtarak, duke e zemëruar pa masë Mussolinin. Ciano sjell në ditar një episode nga mbledhja e 31 marsit, ku Guzzoni reagon ndaj një vërejteje të Jacomonit: 
      Duket se Mbreti ka vendosur që të mos e firmojë një traktat i cili formalisht dhe thelbësisht dhunon integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Pariani tha se ai parapëlqente një vendosmëri të tillë, e cila lejonte që të bëhej një zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptare.[viii]
      Jacomoni qartësisht e kishte hallin që eprorët e tij në Romë të bindeshin se kërkesat ndaj Zogut, ashtu siç ishin formuluar nuk kishte gjasa që të pranoheshin nga Zogu, as pas një ultimatumi ushtarak. Kështu që, aludonte Jacomoni, nëse aksioni ushtarak shihej si mjet presioni për ta bërë Zogun që të pranonte kërkesat, duhej që të moderoheshin kërkesat. Por Guzzoni, i cili shikonte tek aksioni ushtarak, të cilin ishte ngarkuar që ta komandonte, një mënyrë të papritur për të fituar një gradë më të lartë dhe një dekoratë, donte që kërkesat diplomatike të qenë thjesht alibia për kryerjen e pushtimit ushtarak. Por, krerët ushtarakë italianë, ndryshe nga Guzzoni, dhanë shenja të qarta se nuk e donin aksionin ushtarak. Ata ishin skeptikë për aftësitë e ushtrisë italiane për të kryer një zbarkim nga deti dhe për t’ u vendosur fort tokë, në anën tjetër të Adriatikut, se parashikojnë ndërlikime nga shtetet fqinje. Për më tepër, me sa duket, ata u trembeshin  ndërlikimeve që do të vinë nga aventurat e tjera ushtarake që mund të ndërmerrte Mussolini në Ballkan, për të cilat Shqipëria do të përdoret si kryeurë. Kështu që në 31 mars filloi një lloj greve e ushtrisë ndaj planit për pushtimin e Shqipërisë. Ciano shkruante në ditar, në 31 mars:
    Ne studiuam planin ushtarak të fushatës dhe kordinimin e tij të ngushtë lëvizjet diplomatike. Duket se ky kordinim është i mundur. Por Jacomoni u kthye në mesditë, pas takimit të tij me shefat ushtarakë, për të më dhënë mua përshtypjet e tij shqetësuese rreth organizimit të forcës ekspedicionare. Duket se ata, me gjithë përpjekjet, nuk munden të bëjnë bashkë një batalion me trupa motoçikliste të stërvitura, i cili do të bënte një hyrje surprizë në Tiranë. Vështirësi të paparashikuara dalin gjithashtu sa u përket operacioneve të zbarkimit.[ix]
      Një ushtri e një vendi i cili pretendonte se ishte fuqi e madhe, por që nuk kishte gati në çdo moment një batalion të stërvitur motoçiklistësh, nuk duhej që t’ i hynte një aventure ushtarake. Por, nuk duket e besueshme që ushtria italiane, e një vendi të industrializuar që ishte një prodhues jo i vogël automjetesh, të mos kishte një batalion me trupa motoçikliste, të afta për të përshkruar një rrugë të shkurtër fushore prej 40 km, sa ishte ajo Durrës-Tiranë. Duket qartë se krerët ushtarakë kërkonin që ta pengonin pushtimin e Shqipërisë, me aq sa kishin mundësi. Derisa shumë nga vështirësitë e zbarkimit që u parashikuan në mbledhjen ushtarake të 31 marsit u vërtetuan kur u krye aksioni ushtarak, të gjitha gjasat janë se ato u ekzagjeruan paraprakisht që të shkurajonin vendim-marrjen politike për pushtimin e Shqipërisë. Pikërisht në 31 mars, ditën kur në Romë bëheshin mbledhjet ushtarake për planin e operacionit të pushtimit të Shqipërisë, Britania e Madhe dhe pas saj edhe Franca i dhanë një garanci ushtarake Polonisë. Zogu e perceptoi këtë si një lajm të mirë për të, me sa duket se u bind përfundimisht se tashmë nuk do të kishte një aksion të përbashkët të Boshtit në Ballkan, pasiqë Gjermania nuk do të luftonte në dy fronte. Zogu kishte krijuar bindjen se pushtimi i Shqipërisë nga Italia do të kryhej vetëm në suazën e një mësymjeje të përbashkët gjermano-italiane në Ballkan. Pikërisht në këtë ditë, Ciano shkruan në ditar:
      Në ndërkohë, lajmet nga Tirana konfirmojnë faktet se Mbreti është përgatitur të bëjë qëndresë- një gjë që më mërzit tepër se e konsideroj tepër të rrezikshme që ne të shkrepim armën e parë në këtë Europë të trazuar e të përndezur.[x]
      Ndryshe nga ç’ ndodhi me Mussolinin, ditën që Britania e Madhe i dha garancinë ushtarake Polonisë, pasioni i Cianos për luftë ra shumë. Ciano tashmë filloi që të ndjehet si ai nxënësi i magjistarit, i cili pasiqë ka provuar formulat e mjeshtrit të tij, trembet nga pasojat e veprimeve të tij, se është duke shkaktuar një katastrofë, dhe kërkon të bëjë diçka për ta ndaluar atë. Ciano nuk do që Italia të përzihet në luftën botërore që duket e afërt. Ai mendon se nëse pushtimi i Shqipërisë kryhet me luftë, atëherë, kjo do ta çonte Italinë më afër Gjermanisë, gjë të cilën ai nuk e dëshiron aspak. Prandaj Ciano tërhiqet disi dhe kërkon që të bëjë të mundur që pushtimi të kryhet me anë të një marrëveshje me Zogun. Ciano shkruan në ditar, në të njëjtën ditë dramatike të 31 marsit:
      Derisa shkruaj, unë udhëzova Jacomoni-n që të përgatisë një projekt-traktat, i cili sipas mendimit të tij do të ishte i pranueshëm nga Zogu.[xi]
      Kjo nuk do të thotë se Ciano nuk ka ndryshuar mendje për pushtimin, ai thjesht mendon se Italia nuk mund t’ i lejojë vetes luksin e një pushtimi me luftë. Ciano shpreson se Zogu do ta pranojë një marrëveshje me terma më të moderuara, dhe mendon se mënyra më e mirë për të arritur konsensusin me Zogun është që t’ i lihet në dorë Jacomonit, i cili ka negociuar me Zogun që të modifikojë projekt-marrëveshjen. Por bëhej fjalë vetëm për një moderim të termave në formë, më tepër se në përmbajtje. Por, Ciano, në ndërkohë është i preokupuar se Mussolini mund të ndryshojë përsëri mendje për aksionin në Shqipëri, kështu që shkruan në ditar në të njëjtën ditë të gjatë të 31 marsit, jo pa ironi:
      Duçe do të kthehet nesër pasdite, dhe deri atëherë vendimet e tij nuk mund të ndryshohen.[xii]
      Aq shumë merkurial kishte qenë Mussolini në vendim-marrjen e tij për Shqipërinë, në dy javët e fundit, saqë Ciano ironizonte se ai nuk mund të ndryshonte dot vendimin për shkak të mungesës së tij në Romë. Ciano gjithsesi aludonte se gjëja më e pritshme nga Mussolini pas kthimit në Romë, ishte ndryshimi i vendimit të para disa ditëve.      


[i]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London1947, Heinemann, p. 57
[ii]po aty: p. f. 57
[iii]po aty: p. 57
[iv]po aty: p. 57
[v]po aty: p. 59
[vi]po aty: p. 59
[vii] po aty: p. 57
[viii]po aty: p. 59
[ix] po aty: p. 59-60
[x] po aty: p. 60
[xi] po aty: p. 60
[xii]  po aty: p. 60