Kur Mussolini mësoi se Britania e Madhe dhe Franca i dhanë një garanci ushtarake Polonisë, ai e kuptoi se pesha e Italisë në balancën e fuqisë në Mesdhe u rrit shumë. Në rast lufte Britania e Madhe dhe Franca mund ta furnizonin Poloninë me armatime dhe gjithçka tjetër të nevojshme për luftën, vetëm nga rruga e Mesdheut dhe Detit të Zi, nëpërmjet Rumanisë, e cila në atë kohë kishte një kufi të përbashkët me Poloninë. Por kjo ishte e mundur vetëm nëse Italia qëndronte neutrale dhe nuk pengonte kalimin në Mesdhe në zonën delikate mes Sardenjës, Siçilisë dhe bregedetit afrikanoverior. Kështu që, mendonte Mussolini, pas garancisë për Poloninë, Britania e Madhe dhe Franca, nuk mund t’ i lejonin vetes luksin që të mbanin një qëndrim të ashpër ndaj Italisë, kur kjo të pushtonte Shqipërinë. Të nesërmen e ditës që u dha garancia britanike dhe franceze për Poloninë, Duçe u kthye në Romë. Pavarësisht se kthimi i tij të shtunën ishte paralajmëruar qëkurse u nis, me shumë gjasë kjo ishte kordinuar me agjendën londoniane të kryeministrit britanik Chamberlain. Mussolini e dinte se, nëse në London do të merrej një vendim për Poloninë, ai do të merrej e shumta ditën e premte, para fillimit të ëikeend-it britanik. Nëse Chamberlain e kishte ndarë mendjen që t’ i jepte një garanci ushtarake Polonisë, ai nuk mund të shkonte në pushimin e fundjavës duke e lënë pezull çështjen polake, e cila mund të precipitonte në çdo moment pas ndërprerjes së bisedimeve gjermano-polake. Të nesërmen e ditës që Londoni dhe Parisi i dhanë garancinë ushtarake Polonisë, Mussolini u kthye në Romë, tashmë pa dilema për aksionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Ciano shkruan në ditarin e vet, në 1 prill:
Duçe kthehet dhe unë pata një mbledhje paraprake me të, ku Jacomoni ishte i pranishëm. Duçe e aprovoi skicën e traktatit, por me disa modifikime të vogla, të cilat janë më tepër çështje detajesh se thelbi, por të cilat do të kenë efekt për të shpëtuar fytyrën e Mbretit. Për një oriental kjo do të thotë shumë. Ne planifikuam këtë linjë veprimi: Nesër Jacomoni do të dalë para Mbretit me një projekt të ri të traktatit dhe do t’ ia bëjë të qartë se situata është tashmë serioze. Nëse ai do të pranojë, dhe në këtë rast unë do të shkoj në Tiranë për të ndjekur ceremoninë solemne të firmosjes së traktatit, natyrisht i shoqëruar nga një skuadër e fortë aeroplanësh, e cila do të jetë simbol i faktit që Shqipëria është tashmë italiane. Nëse ai refuzon, të enjte do të shpërthejnë trazirat në të gjithë Shqipërinë, duke e bërë ndërhyrjen ushtarake nga ana jonë një nevojë imediate. Në këtë rast ne do të zbarkojmë të premte në mëngjes.[i]
Kështu, të shtunën, në 1 prill, për herë të parë u përcaktua agjenda e pushtimit, sipas së cilës në 2 prill, Jacomoni do t’ i paraqiste Zogut projekt-traktatin e modifikuar, së bashku me një paralajmërim të rreptë për pasoja të rënda nëse ai refuzonte përsëri. Por ky nuk ishte një ultimatum, ku t’ i kërkohej Zogut pranimi brenda një afati të caktuar, ndryshe do të përballej me një aksion ushtarak. Ndonëse ishte përcaktuar dita e zbarkimit, e premte 7 prill, nuk u vendos që Zogut t’ i jepej një ultimatum, të cilit ai duhej që t’ i jepte një përgjigje brenda një afati të përcaktuar. Vërtet u përcaktua e premtja, si ditë e zbarkimit në Shqipëri, por Zogut nuk iu qartësua se deri kur kishte kohë për t’ u përgjigjur, pas së cilës, në çdo moment pritej zbarkimi. Pra, Zogut nuk po i paraqitej jo më një ultimatum, por asi ai që në gjuhën diplomatike quhet somacion, do të thotë një ultimatum që nuk ka pasojat e këtij të fundit. Jacomoni shkruan për takimin me Mussolinin në 1 prill:
Mussolini e miratoi skemën e traktatit, ashtu siç ishte katandisur ajo skemë- kopjen e së cilës nuk e kam për fat të keq- për t’ u përshtatur edhe me dëshirat e shqiptarëve. Ajo skemë, mund t’ i përgjigjej, sipas Mussolinit, nevojës së ngutshme për firmosjen dhe publikimin e një flete letre, me të cilën Zogu të autorizonte zbarkimin e trupave tanë dhe t’ i jepej fund kështu, gjendjes së rrezikshme të shqetësimeve që kishin pushtuar Shqipërinë në kohët e fundit. Musolini, duke miratuar këtë skemë më dha përshtypjen se dëshira e tij ishte ajo e një marrëveshjeje me Zogun.[ii]
Edhe Mussolini do të dëshironte që pushtimi i Shqipërisë të kryhej në një mënyrë legale, pa luftë nëse ishte e mundur, se kështu ai, nuk do të ndjehej shumë i detyruar ndaj Britanisë së Madhe, në radhë të parë, por edhe ndaj Francës dhe Jugosllavisë, për qëndrimin e tyre në thelb pajtues ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Prej këtej moderimi i termave të projekt-traktatit. Gjithsesi, projekt-traktati i modifikuar, nuk ishte reduktuar në atë gjendje që pretendon Jacomoni. Në thelb edhe projekti kinse i moderuar iu jepte italianëve në Shqipëri të njëjtat koncesione që kërkonin me projektin “Vitetti”:
Neni 1 i projekt-traktatit të ndryshuar ruante invadimin, ashtu që forcat ushtarake italiane do të zbarkonin në katër portet më të rëndësishme të Shqipërisë, në Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë. Sipas nenit 2, aeroportet, vendkalimet më të rëndësishme kufitare dhe rrugët kryesore të Shqipërisë, do të viheshin nën kontrollin italian.
Neni 3 kërkonte që qytetarët italianë në Shqipëri dhe ata shqiptarë në Itali të kishin të njëjtat të drejta civile dhe politike.
Neni 4 kërkonte që të bëhej bashkimi doganor mes dy vendeve.
Neni 5 ishte më i përparuar se ai i projekt-traktatit të mëparshëm, se përcaktonte që përfaqësuesit diplomatikë italianë dhe shqiptarë, të cilët do të ngriheshin në rangun e ambasadorit, të kishin postin e ministrit në qeveritë përkatëse, çka ishte hapi i parë i bashkimit politik të dy vendeve. Gjithashtu kërkohej që në çdo ministri shqiptare të vendosej një këshilltar italian që do nga pikëpamja e hierarkisë do të ishte pas titullarit të ministrisë.[iii]
Mussolini e kuptonte se një nga gjërat nga të cilat kishte frikë më së shumti Zogu, ishte se ai dyshonte çmendurisht se, pasiqë ai të hidhte firmën në traktatin që kërkonin italianët këta, duke menduar se ai tashmë ishte konsumuar duke u bërë edhe shërbimin e fundit që mund t’ iu bënte, do ta eliminonin, për të qeverisur me një regjencë. Prandaj, në 1 prill, Mussolini i dha Jacomonit edhe një mesazh personal qetësues për Zogun. Jacomoni shkruan për këtë në 1 prill:
Më diktoi pra këtë mesazh vetiak për mbretin:
1.-Çështja e një modifikimi të marrëdhënieve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë nuk u ngrit nga unë. Por, që nga çasti që u ngrit një çështje e tillë, kjo duhet zgjidhur në drejtimin e forcimit të aleancës, gjer në bashkimin në të njëjtin fat të dy shteteve dhe të dy popujve, për të garantuar veçanërisht, një progress paqësor të popullit shqiptar.
2.-Jam i prirur të respektoj siç duhet, me të gjitha format, ruajtjen e dinjitetit dhe mbrojtjen e sovranit dhe të dinastisë së tij.
3.-E ftoj mbretin Zog që të ketë parasysh se i kam dhënë, gjatë të trembëdhjetë vjetëve, prova të sigurta të miqësisë sime. Jam i vendosur që të vazhdoj në po atë vijë sjelljeje; por, nëse kjo do të jetë e padobishme, pasojat do të binin mbi mbretin Zog dhe popullin shqiptar.[iv]
Mesazhi, qartësisht ishte i llogaritur që t’ i krijonte Mbretit Zog, sa ndjenjën e sigurisë, se edhe pas nënshkrimit të traktatit ai do të mbetej njeriu i parapëlqyer i italianëve në Shqipëri dhe se do të vazhdonte të mbetej në fron, aq edhe t’ i bënte me dije rrezikun të cilit do t’ i ekspozohej në rast se refuzonte kërkesat italiane. Jacomoni sikur e parandjente se Zogu do të refuzonte, kështu që bëri një orvatje për të shtuar edhe një alternativë tjetër rezervë. Jacomoni shkruan:
Konti Ciano, i cili në ditarin e tij, e pikturon gjithmonë vetveten si kundërshtar të Zogut, shprehu edhe ai dëshirën atë ditë, pas takimit me Musolinin, që mbreti ta pranonte projektin e marrëveshjes dhe më uroi që t’ ia dilja mbanë në këtë detyrë timen. Përfitova nga këto qëndrime të mira, për t’ i paraqitur Cianos një mundësi të mëtejshme, ndonëse të pamundshme: atë që mbreti Zog do të lëshonte më mirë fronin se sa të firmoste traktatin. E pyeta nëse, në këtë rast, kisha lejen që t’ i ofroja mbretit garanci dhe siguri për një jetë komode në Itali, për të dhe për familjen e tij. Ciano pranoi.[v]
Por, kjo alternativë nuk u bisedua me Mussolinin dhe mbeti vetëm mes Cianos dhe Jacomonit. Ajo çka të bën përshtypje është dëshira e madhe e Mussolinit për ta kryer aksionin në Shqipëri gjatë Javës së Shenjtë, siç quhet periudha e vitit nga E Diela e Palmave, dita kur Krishti hyri në Jerusalem, banorët e të cilit e përshëndesnin duke tundur degë palmash, deri tek E Shtuna e Shenjtë, që i paraprin ditës së Pashkës, pra të Dielës së Shenjtë, kur u ringjall Krishti. Java e Shenjtë në vitin 1939 ishte nga 2 në 9 prill. Mussolini kishte dashur që aksioni në Shqipëri të bëhej në Javën e shenjtë, që disa muaj më parë. Në 7 shkurt 1939, Ciano shkruan në ditar:
Nëse nuk krijohen rrethana të paparashikuara, Duçe u pajtua se data për sulmin duhet të jetë midis 1 dhe 9 prillit.[vi]
Në shkurt Mussolini i kishte thënë Cianos se mendonte që ta pushtonte Shqipërinë, vetëm pasiqë të kishte bërë aleancën me Gjermaninë, të cilën duket se mendonte ta bënte para fillimit të prillit. Duket se Mussolini e vonoi arritjen e aleancës me Gjermaninë, për shkak se u ndje i prekur që Hitleri nuk e njoftoi paraprakisht për marshimin në Pragë. Tashmë që Mussolini nuk e gjente më të nevojshme aleancën me Gjermaninë për të ndërmarrë pushtimin e Shqipërisë, ai përsëri ruajti idenë e Javës së Shenjtë si koha e pushtimit. Mussolini mund ta kishte kryer aksionin në Shqipëri edhe pas Javës së Shenjtë, duke u kursyer kështu një fyerje Vatikanit dhe besimtarëve katolikë italianë. Por ai jo vetëm që nuk e vonoi disa ditë aksionin në Shqipëri, por caktoi si ditë të fillimit të invadimit, çka me shumë gjasë do të ishte dita e parë e luftës, pikërisht ditës e premte, 7 prill, që ishte E Premte e Shenjtë (e quajtur E Premte e Mirë), dita kur Krishti vdiq i kryqëzuar. Gjatë së Premtes së Shenjtë nuk bien këmbanat në shenjë zie. Ato bien për herë të fundit të enjtë në mbrëmje. Mussolini, qartësisht donte që ta përdorte aksionin ushtarak në Shqipëri për t’ i dhënë një goditje Vatikanit dhe këtë gjë e kishte menduar që muaj më parë. Ky nuk ishte thjesht një gjest i frymëzuar prej atij sensi antiklerikalizmi, i cili ka qenë një traditë italiane dhe që e kishte edhe Shtëpia Savoja. Mussolini donte që të tregonte se agjenda fashiste prevalonte mbi atë katolike, se Fashizmi ishte më i rëndësishëm se religjioni. Mussolini nuk ndjehej mirë me Kishën Katolike dhe Vatikanin. Në 23 dhjetor 1941, Ciano shkruan në ditar:
Mussolini sulmoi përsëri Krishtlindjet. Ai është i habitur që gjermanët nuk e kanë anuluar ende këtë festë religjioze, që na kujton vetëm lindjen e një hebreu i cili i dha botës teori debilizuese dhe devitalizuese dhe që veçanërisht e futi Italinë në kurthin e pushtetit çorientues të Papës.[vii]
Ndoshta Mussolini, për të gjetur termin “Luftë paralele”, të cilin do ta përdorte në periudhën nga shtatori i vitit 1939, kur filloi lufta botërore, deri në qershor 1940, kur Italia hyri në luftë, u frymëzua pikërisht në prill 1939, kur ai praktikisht, nëpërmjet aksionit në Shqipëri, zhvilloi një luftë paralele kundër Vatikanit. Në 7 prill 1939 Mussolini e poshtëroi Vatikanin dhe besimtarët katolikë italianë. Mussolini ishte i vetëdijshëm për këtë dhe gjente kënaqësi duke e bërë këtë. Peter Godman shkruan në librin e vet “Hitler and the Vatican: inside the secret arcives that reveal the neë story of the Nazis and the Church”:
Mussolini donte që Roma e tij e re të kapërcente atë cka mbetej nga qyteti antik dhe të eklipsonte gjithcka kishte qenë ndërtuar nga Kisha. Jo rastësisht, ai urdhëroi që shkalla dhe përmasat e forumit të tij duhet që të ishin më të mëdha se ato të Shën Pjetrit dhe të Colosseum-it. Derisa paratë u derdhën për këtë projekt, të tjerë projekte u kryen duke rrafshuar thesaret e të shkuarës antike dhe të krishtere, të cilët i shikonte si pengesa në rrugën e ambicjes së tij të pamëshirshme. Jo më pak se pesëmbëdhjetë kisha dhe disa pallate u shembën që të ndërtohej Bulevardi i Imperisë, midis Capitol-it dhe Colosseum-it. Atje, për kënaqësinë e Duces, do të bëheshin paradat ushtarake mbi mbetjet e shkatërruara të asaj cka kqyrej me përcmim si “shekujt e dekadencës”.[viii]
Në fund të marsit, Zogu duke menduar se një ministër katolik shqiptar në Romë do të kishte një vlerë simbolike të dobishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, meqënë Italia ishte vend katolik, emëroi si ministër të ri të Shqipërisë në Romë, gjeneral Zef Seregjin, kryadjutantin e tij. Me këtë Zogu tregoi se sa pak e kishte njohur Mussolinin. Duçe, vërtet që synonte t’ i përdorte shqiptarët katolikë duke eksploituar ndjenjat e tyre ndaj Italisë si fuqia e madhe katolike në të cilën gjendej qyteti i shenjtë, Roma, por Mussolini nuk kishte ndonjë afeksion të veçantë ndaj katolikëve të Shqipërisë. Seregji me të shkuar në Itali, e kuptoi se Italia do ta pushtonte Shqipërinë në rast se Zogu do të refuzonte ultimatumin. Ciano e përshkruan kështu ditarin e vet, në 1 prill, reagimin e Seregjit me të shkuar në Itali:
Gjatë pasdites, Seregji, ministri i ri shqiptar, erdhi që të takohej me mua. Ai e filloi misionin e tij në një kohë të stuhishme. Duke kaluar nga Bari ai pa përqëndrimin e trupave dhe e kuptoi se muzika pritej të niste. Unë i fola hapur atij, në ton miqësor, por vendosmërisht. Ai tha se pajtohej me ne. Ai më ftoi që ruajmë dukshmërinë e gjërave, në mënyrë të tillë që zgjidhja të bëhet e pranueshme për Mbretin dhe popullin. Unë e shoqërova atë në Palazzo Venezia ku Duçe përsëriti paralajmërimin në terma më të sakta. Ai shtoi se nëse Mbreti refuzon që të firmojë paktin, kriza do të jetë e pashmangshme. Seregji vendosi që të niset në Tiranë me Jacomoni-n, që të bindë Mbretin. Pastaj, me pretekstin se nuk kishte qenë në gjendje që të shkëmbente paratë e tij shqiptare, ai i kërkoi Jacomoni-t që t’ i huante atij 15 000 lira, çka është kësti i parë i një mite![ix]
Ministri shqiptar Seregji kaloi kështu krejt në anën e italianëve. Vërtet se ai e kuptoi që agresioni do të ndodhte dhe vendosi që t’ i bënte me dije personalisht Zogut se këtë herë Mussolini nuk do të tërhiqej si në të shkuarën, dhe se përgjigjia kundërshtuese e Zogut do të thoshte se do të vihej në lëvizje makineria italiane e luftës, por këtë tashmë e bënte në keqbesim. Gjeneral Seregji dhe të gjithë zyrtarët e lartë katolikë të shtetit shqiptar, të cilët patën të bëjnë me italianët në prag dhe ditën e invadimit të Shqipërisë, në vend që të kryenin detyrën e tyre, u ndihmuan italianëve. Këta katolikë shqiptarë, njerëz intelektualë dhe që i njihnin zhvillimet ndërkombëtare, nuk menduan se pushtimi italian do të sillte për Shqipërinë ndërlikime shumë të rrezikshme, të cilat qenë paralajmëruar që më herët. Në Shqipëri, në vitet njëzet dhe tridhjetë qenë bërë përpjekje serioze për të bërë një revolucion komunist. Në këtë pikë, një të dhënë shumë interesante na jep Skënder Luarasi, i cili në kujtimet e veta tregon një episod nga koha kur ishte pjesëtar i brigadave internacionale komuniste në Spanjë. Në vitin 1937, në kohën kur në Shqipëri filloi kryengritja e Et’hem Totos, në pjesën komuniste të Spanjës u përgatit një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri, të cilën Luarasi e tregon kështu:
Që ditën e nisjes sime për në Paris shtabi i brigadave në Albacete porositi brigadat që vullnetarët shqiptarë dhe ballkanas të ishin gati për një aksion të jashtëzakonshëm. Ata do të dërgoheshin në Shqipëri me avion. Kështu u mendua në Albacete. Por kur arriva unë në Paris grushti i Et’hem Totos kishte marrë fund dhe plani që mendonin shokët në Spanjë të zbatonin në Shqipëri, nuk u realizua.[x]
Aeroplanët e tillë në Spanjë i kishin sovjetikët, të cilët i furnizonin republikanët komunistë me aeroplanë dhe material tjetër luftarak. Bashkimi Sovjetik, i cili në atë kohë zhvillonte një proxy war me Italinë dhe Gjermaninë në Spanjë, ku këto të fundit mbështesnin krahun nacionalist, e shikonte Shqipërinë, për shkak të marrëdhënies speciale që ajo kishte me Italinë, si hallkën e dobët të frontit armik, dhe kërkonte të bënte subversion atje. Bashkimi Sovjetik kërkonte që t’ i përdorte vullnetarët komunistë shqiptarë të Spanjës për një aksion subversiv në Shqipëri. Aksioni subversiv për të cilin rrëfen Luarasi po bëhej me urdhër të Moskës, e cila kontrollonte regjimin komunist në Spanjë, me anë të Kominternit dhe të shërbimit sekret sovjetik, NKVD, i cili kishte krijuar qendrën e vet në Spanjë. Sikur kryengritja e Et’hem Totos të kishte zgjatur edhe pak, në Shqipëri do të kishin ardhur me avionë sovjetikë nga Spanja qindra e qindra pjesëtarë e brigadave internacionale me origjinë nga vendet ballkanase, të cilët qenë të gjithë komunistë fanatikë. Këta, së bashku me shqiptarët komunistë, do të qenë një forcë të cilën shteti shqiptar nuk mund ta përballonte dot. Pushtimi italian i Shqipërisë do të krijonte situatën e favorshme që të organizohej një revolucion komunist në Shqipëri, i sponsoruar nga jashtë, siç e tregoi koha. Kur revolucioni komunist të fitonte, pesë vite më pas, për katolikët shqiptarë do të vinin ditë apokaliptike, në krahasim me të cilat koha e mbretërimit të Zogut do të kujtohej si parajsë. Por në prill 1939 ata shikonin Zogun si njeriun e aftë për të gjitha të këqijat. Edhe diplomatët italianë në Tiranë e shikonin Zogun si një gjeni të së keqes, i cili mbante rezervë skenarë apokaliptikë. Jacomoni e përshkruan kështu situatën që gjeti në Shqipëri, kur arriti në Tiranë, në 2 prill, apo më saktë atë çka diplomatët italianë në Shqipëri imagjinon se ishte situata në vend:
Të nesërmen, kur u ktheva në Tiranë, gjendja m’ u paraqit edhe më e zymtë. Më priti në aeroport i ngarkuari me punë në Legatën tonë, këshilltari Babushio Rico. Ai më vuri në dijeni se, nga lajmet që vinin nga Ministria e Brendshme, ai kishte krijuar bindjen se mbreti Zog po përgatiste qëndresën vendosmërisht. Thuhej edhe se, po të ishte e pamundur kjo gjë në Tiranë, mbreti kishte ndërmend që, bashkë me trupat e tij më besnikë, të ngjiste malet e Matit duke marrë me vete edhe pengje italiane, madje flitej edhe për funksionarët e legatës. Kishim marrë vesh se prej disa ditësh ishin të shpeshta vizitat e ministrit anglez në Pallat dhe se shumë telegrame i ishin dorëzuar Londrës nga legata britanike. Lajmi se në afërsitë e Durrësit ishin vendosur aparate për dhënie sinjalesh ndriçuese, dukej se të çonin në mendimin se mbreti kishte besim në një ndërhyrje të anijeve angleze, në rastin e përçapjes sonë për të zbarkuar.[xi]
Ky skenar dukej i pabesueshëm edhe si një gjetje për propagandë të zezë. Zogu që tërhiqet në malet e Matit dhe i cili për t’ i ndaluar italianët që ta mësyjnë atje, merr pas si pengje qytetarët civilë italianë të cilët gjendeshin me punë në Shqipëri, burra, gra dhe fëmijë?! Madje, nga fjalët e Jacomonit duket sikur kjo strategji i ishte sugjeruar Zogut nga britanikët! Por Zogu nuk do të fitonte kurrgjë nga një qendresë e tillë. Ai do të siguronte reputacionin e një banditi, por jo atë të një kryetari shteti që i reziston pushtuesit, me një guerrilje patriotike. Diplomatët italianë në Tiranë mbivlerësojnë edhe angazhimin britanik në Shqipëri. Britanikët qenë të interesuar për të ndjekur zhvillimet, por nuk kishte shenja se ata do të ndërmerrnin veprime për të ndaluar aksionin ushtarak italian në Shqipëri. Gjithsesi, Zogu kërkon që t’ u japë përshtypjen italianëve se ai do t’ i bindet vullnetit të popullit që dëshiron që t’ i bëhet qëndresë invadimit italian. Jacomoni rrëfen për ditën e 2 prillit:
Në pasditen e prillit, ditën kur u ktheva në Shqipëri, u bë një demonstratë para pallatit mbretëror e cila, siç më thanë, kishte pamje dhe frymëzim kundëritalian. U arrestuan nja 20 veta, të cilët u liruan menjëherë. Përmes gjeneralit Seregji, i cili ishte kthyer në Shqipëri, siç më tha vetë, për urimet me rastin e lindjes së trashëgimtarit të fronit, i bëra të njohur Oborrit keqardhjen time të madhe për atë manifestim.[xii]
Kjo demonstratë që koincidonte me mbërritjen e Jacomonit në Tiranë, ishte sigurisht e organizuar nga regjimi. Shqiptarët nuk e mirëprisnin pushtimin italian, por nuk duket e besueshme që ata të kërkonin që të bëhej qëndresë, në kohën që Shqipëria nuk kishte aleatë që ta mbështesnin në luftën me një fuqi të madhe, siç ishte Italia. Edhe sikur shqiptarët të arrinin që me sakrifica të mëdha në jetë njerëzore të përballonin valën e parë të mësymjes italiane, ajo që do të ndodhte më pas do të ishte apokaliptike. Mussolini nuk do të tërhiqej; Italia e vitit 1939, nuk ishte ajo e vitit 1920, e cila gjendej në prag të një revolucioni komunist dhe ishte e paralizuar nga grevat e punëtorëve, madje bënin greva deri edhe ushtarët që i nisnin për në luftë, në Shqipëri. Mussolini ia kishte bërë të qartë Zogut në mesazhin personal për të, të cilin duhej që t’ ia dorëzonte Jacomoni, se në rast qëndrese pasojat do të binin mbi Zogun dhe popullin shqiptar. Vala e dytë e sulmit italian përgjatë bregdetit shqiptar do të ishte e tmerrshme. Mussolini i cili nuk kishte nguruar që të bombardonte Madridin dhe qytetet e tjera të Spanjës nuk do të nguronte që të bombardonte Tiranën dhe qytetet e tjera shqiptare. Shqipëria nuk kishte aviacion luftarak, as mbrojtje kundërajrore të rëndësishme, kështu që qytetet e saj do të bëheshin shënjestra komode për aeroplanët bombardues italianë. Popullsia e qyteteve shqiptare duhej të evakuohej në thellësi të vendit, për t’ u shpëtuar bombardimeve nga ajri dhe deti. Një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë jetonte në afërsi të bregdetit, në rrezen e artilerisë së anijeve luftarake italiane. Durrësi, Vlora, Shkodra, Lezha, Lushnja, Fieri, Kavaja, Saranda, Himara dhe një numër i madh fshatrash mund të goditeshin drejtpërdrejt nga topat e rëndë të flotës detare italiane. Sipas rregullave të operacioneve ushtarake duhej që popullsia , në një zonë prej së paku 20-30 km nga bregdeti të tërhiqej në thellësi të vendit. Ku do të vendoseshin këta njerëz dhe me çfarë do të jetonin? Dhe sa kohë mund të vazhdonte Shqipëria e vogël dhe pa aleatë, të rezistonte kështu?
Vërtet Greqia, i rezistoi me sukses agresionit italian pak kohë më vonë, por Greqia kishte një popullsi shtatë herë më të madhe se Shqipëria, ishte armatosur nga Britania e Madhe dhe tashmë kishte siguruar nga garanci ushtarake nga Britania e Madhe. Kur kryeministri grek Metaxa i tha “Oqi”, “Jo”-në e famshme ultimatumit të Mussolinit, pas Greqisë që rezistonte qëndronte aviacioni dhe flota ushtarake detare britanike. Aviacioni britanik kompensoi inferioritetin grek në ajër dhe, në aksione të kombinuara me flotën ushtarake britanike i ndërpreu ushtrisë italiane që mësynte Greqinë furnizimet që i vinin nga deti, madje mësyu dhe instalimet ushtarake italiane në Shqipëri. Për Shqipërinë e vogël dhe të armatosur keq, qëndresa në prill 1939 do të kishte sjellë një katastrofë humanitare dhe këtë e kuptonte çdo shqiptar i përgjegjshëm, i shkolluar apo analfabet. Natyrisht se shqiptarët e shprehnin zemërimin e tyre për pushtimin në demonstrata, por kjo nuk do të thoshte se ata kështu shprehnin dëshirën për të kryer vetëvrasje kolektive. Që demonstrata e 2 prillit kishte qenë e organizuar nga Zogu, kjo kuptohet nga fakti se Zogu e përdori atë si ekspedient në bisedimet me Jacomonin. Ky i fundit shkruan për datën 3 prill:
Të nesërmen në mëngjes vajta te sovrani. Bisedimi me të nuk solli ndonjë argument të ri. Demonstrata e së djeshmes nuk e kishte lejuar që ta shqyrtonte thellësisht projektin që i kishte prurë gjeneral Seregji.[xiii]
Nga këto fjalë kuptohet se këtë herë projekt-traktatin e ndryshuar italianët ia kanë dhënë ministrit shqiptar në Romë, që t’ ia paraqesë mbretit të tij. Duket se për këtë shërbim i ka marrë gjeneral Serregji 15 000 lirat (një shumë tepër e madhe për kohën). Italianët përsëri nuk donin që të linin gjurmë formale të presionit të tyre ndaj Shqipërisë. Mussolini nuk donte që t’ ia dorëzonte Zogut kërkesat italiane zyrtarisht, me anë të një dokumenti, që do t’ i jepej mbretit shqiptar nga ministri italian në Shqipëri. Ajo që ndodhi ishte se Seregji mori shënim kërkesat italiane, për t’ ia bërë të ditura mbretit të tij. Seregji ia kumtoi Zogut kërkesat italiane që në 1 prill. Italianët kështu evituan që t’ ia dorëzojnë zyrtarisht kërkesat Zogut, me një dokument, nëpërmjet Jacomonit. Ajo që kishte ndodhur ishte se ministri shqiptar në Romë, ishte njohur me kërkesat italiane dhe përmbajtjen e tyre po ia paraqiste Mbretit. Jacomoni do të paraqitej të nesërmen për të marrë përgjigjen e Zogut mbi kërkesat italiane. Kjo mënyrë e tërthortë, nguruese natyrisht që e inkurajonte Zogun që të kundërshtonte, se ai mendonte që Mussolini druhej nga reagimi i Britanisë së Madhe dhe Francës. Ngurimi i Mussolinit i krijonte Zogut iluzionin se kundërshtimi i tij do ta bënte Mussolinin që të tërhiqej edhe këtë herë.
1 prilli ishte data kur për herë të parë Zogut iu paraqitën kërkesat në emër të qeverisë italiane, ndonëse në mënyrë të tërthortë. Dita e zgjedhur (Dita ndërkombëtare e Rrenave) nuk ishte asfare inkurajuese për të besuar premtime, si ato që bëheshin në frazeologjinë që përmbanin kërkesat italiane, se do të respektoheshin pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë. Kur Zogu pa se Mussolini nguronte që t’ ia paraqiste kërkesat italiane, zyrtarisht me një dokument, që do t’ ia dorëzonte ministri italian në Tiranë, ai e nënvlerësoi rrezikun dhe mendoi se nëse rezistonte, në një mënyrë apo në një tjetër, atëherë Duçe do të tërhiqej. Gjithsesi, nuk ishte në natyrën e Zogut që t’ u thoshte një “jo” të prerë, në momentet e rrezikut të madh, të huajve që mund ta shkatërronin atë. Në 2 prill, Zogu praktikisht përdori të njëjtën metodë si në negociatat e 26-28 marsit. Ai e vonoi përgjigjen e tij, duke nxjerrë si shkak demonstratën, çka ishte një refuzim i tërthortë, se ai u bënte me dije italianëve se vullneti i popullit ishte për qëndresë ndaj italianëve. Por, në të njëjtën kohë, Zogu paralalajmëroi përgjigjen e tij kundërshtuese, kur u shpreh, siç kumton Jacomoni në vazhdim të raportit të tij për Romën, mbi bisedën me Zogun në 2 prill:
“Menjëherë pas bisedës sime me të,- m’ u tha nga mbreti,- ai do të merrej, bashkë me kryeministrin dhe me ministrin e Jashtëm, me shqyrtimin e kujdesshëm të propozimeve italiane. Ia kisha lexuar disa herë kumtin e Duçes dhe i kishte bërë përshtypje. Megjithatë nuk më dha asnjë garanci. Me shprehje të përsëritura të miqësisë për Duçen, u kufizua për me thënë se do ta studionte projektin me dëshirën më të madhe për me arritë në një marrëveshje. Më dha fjalën se do të më thërriste të nesërmen, për të më komunikuar vërejtjet dhe mendimet për shndërrime të mundshme në tekst, sipas disa këshillimeve nga kryeministri dhe nga ministri i Jashtëm, me të cilët ai ishte i një mendjeje”.[xiv]
Zogu, me shumë mjeshtëri e përdori mesazhin e Mussolinit, për të përmirësuar pozitën e tij në negociata. Zogu u shtir sikur ishte shumë i prekur nga mesazhi personal i Mussolinit, aq sa mund të mendohej se pas kësaj ai do t’ i pranonte kërkesat italiane pa ngurim. Por ky është vetëm një reagim emocional i llogaritur i një mendjeje të ftohtë. Zogu priste që, pasi ai kishte reaguar në atë mënyrë ndaj mesazhit të Mussolinit, italianët nuk duhej që t’ ia merrnin për keq, që ai po e vononte përgjigjen, duke i shqyrtuar hollësisht kërkesat e Romës. Mënyra e të folurit e Zogut paralajmëronte për italianët kalvarin e skenave tashmë stereotip, ku ministrat e mbretit do të artikulonin kundërshtimin ndaj kërkesave italiane, të cilin Zogu e kishte paralajmëruar në stilin e tij. Zogu këtu e bën fakt të kryer që projekt-traktati i modifikuar italian duhej t’ u nënshtrohej ndryshimeve të mëtejshme. Natyrisht se këshillimi me ministrat e tij nuk ishte veçse një mënyrë e tërthortë për të shprehur kundërshtimin e tij. Praktikisht, Zogu po u thoshte italianëve se ai do ta shprehte kundërshtimin për projekt-traktatin, pas një monologu me vetveten. Zogu tashmë ka përpunuar një performancë të përkryer prej aktori në takime të tilla. Jacomoni, duke komentuar sjelljen e Zogut në bisedën e 2 prillit, shkruante:
Mbreti duket se kërkon të fitojë kohë. Duket e besueshme se para se të marrë një vendim, po pret plotësimin e mobilizimit të fshehtë, që po përshpejtohet dhe shpreson që të marrë premtime më të besueshme për ndihmat nga jashtë. Bisedimet, ndonëse formalisht të përzemërta po bëhen jashtëzakonisht të mundimshme.[xv]
Diplomatët italianë në Tiranë gabonin kur mendonin se Zogu kërkonte të fitonte kohë për t’ u përgatitur për qëndresë ndaj sulmit italian dhe për të siguruar ndihmën e huaj për këtë. Tashmë, ndihma e huaj e mundshme për Zogun, ose ekzistonte ose nuk ekzistonte fare. Zogu natyrisht se nuk priste që Britania e Madhe dhe Franca, të cilat nuk hynë në luftë për Çekosllovakinë, të hynin në luftë për Shqipërinë. Ajo që priste Zogu nga Londoni dhe Parisi ishte që ato të ushtronin presion ndaj Italisë që kjo të tërhiqej nga kërkesat që i bënte atij, ose së paku që t’ i moderonte sa më tepër. Zogu kishte dy skenarë për qëndresë. Sipas skenarit të parë, kur Zogu do të kishte ndihmën e huaj, ai ishte i përgatitur për të dhënë përshtypjen se do të bënte një qëndresë serioze, me të gjitha mundësitë. Zogu me këtë synonte që të mbështeste angazhimin e Britanisë së Madhe dhe Francës në ndihmë të tij, dhe ta bënte Italinë të tërhiqej. Në këtë rast natyrisht se nuk do të kishte nevojë fare për qëndresë. Sipas skenarit të dytë, kur do t’ i mungonte ndihma e huaj, do të thotë ajo britanike dhe franceze, Zogu do të bënte një qëndresë simbolike, sa për të treguar se ai e kundërshtoi me armë invadimin italian. Zogu i zvarriste dhe i ndërlikonte bisedimet me Jacomonin, se ai ishte mësuar që të përulej vetëm kur ballafaqohej me ushtrimin e forcës superiore, që rrezikonte ta shkatërronte. Kështu ishte sjellë Zogu me otomanët në 1911-12, me Serbinë në 1913, rebelët islamikë në 1914, Austro-Hungarinë në 1916, rebelët në 1922 dhe 1924, kur ai ishte ministër i Punëve të Brendshme, përkatësisht kryetar i shumicës qeverisëse, Italinë në 1934, dhe kështu po sillej edhe në 1939. Në 1939, Zogu nuk ishte ballafaquar ende me ushtrimin e forcës superiore italiane, kështu që mendonte se kishte ende hapësirë për negociata. Në ndërkohë, Zogu, i cili që në fëmijëri e kishte të fortë obsesionin e e të qenit gjithëherë i përgatitur për t’ u larguar, ashtu që të siguronte jetën e vet nga rreziqet, kishte marrë tashmë masat përkatëse, të cilat Jacomoni i përshkruan kështu në raportin që i bëri Romës në 3 prill, fill pas kthimit në Shqipëri:
Më bëri përshtypje lajmi i një rreshtimi të forcave të gjindarmërisë gjatë rrugës Tiranë-Elbasan, e gjer në Korçë e përtej, në kufirin grek. Këto masa policore gjer në këtë shkallë mund të na lejojnë me mendue se mbreti po i merr masat për largim.[xvi]
Pra, që në fillim të prillit Zogu kishte marrë masat e duhura për t’ u larguar në Greqi, nëse gjërat do të shkonin keq për të. Në fillim të prillit, në marrëdhëniet shqiptaro-italiane, ndodhi një episod që përbën një stereotip në marrëdhëniet e Shqipërisë me fuqitë e huaja të cilat në një moment të ekzistencës së shtetit shqiptar kanë dashur që ta destabilizojnë atë. Jacomoni shkruan se në datën 3 prill:
Ministri ynë i Jashtëm, duke na siguruar dërgimin sa më shpejt të anijes, kërkonte që të shkoja pranë mbretit dhe t’ i thosha se çdo gjest kundër bashkëkombasve tanë, qoftë edhe i bërë nga ana e bandave të parregullta, do ta vinte mbretin para përgjegjësisë.[xvii]
Këtu është fjala për anijen që duhet të vinte në Durrës për të tërhequr qytetarët italianë të cilët gjendeshin në Shqipëri. Por, i njëjti Ciano, i cili e udhëzon Jacomonin të veprojë kështu, kishte shkruar në ditar një ditë më parë, në 2 prill:
Muti arriti në Romë dhe unë jam gati që ta dërgoj atë në Tiranë, me një bandë të vogël njerëzish si ai, të cilët marrin përsipër me mburrje detyrën që të krijojnë incidente, që do të ndodhin të enjten e ardhshme në mbrëmje, nëse Mbreti, në ndërkohë, nuk do të ketë patur mirësjelljen që të kapitullojë. Unë i dhashë Mutit liri veprimi por ai ka urdhëra të prerë për të respektuar Mbretëreshën dhe fëmijën, nëse ai do të ketë lindur; të krijojë terror gjatë natës; në mëngjes të fshihet në pyje dhe të presë arritjen e trupave tona, duke penguar në ndërkohë që të pengojë tërheqjen e Zogut drejt Matit, ku ai mund të orvatet të bëjë qëndresë.[xviii]
Ettore Muti ishte një nga krerët e Partisë Fashiste dhe një skuadrist me famë për veprime të dhunshme, në kohën e ardhjes së fashizmit në pushtet. Në moshën 13 vjeç ishte përjashtuar nga të gjitha shkollat e Italisë, për shkak se kishte rrahur një mësues. Ironikisht, Roma i kërkonte Zogut garanci për sigurinë e qytetarëve italianëve të cilët gjendeshin në Shqipëri, kur ata rrezikoheshin më së shumti nga zbatimi i një plani italian për trazira në Shqipëri. Kur Zogu dëgjoi ministrin italian që t’ i kërkonte, në gjuhë kërcënuese, garanci për sigurinë e qytetarë italianë, ai mendoi, me të drejtë se italianët do të fillonin zbatimin e planit subversiv, për të cilin ai ishte në dijeni që në shkurt, siç e pohon edhe vetë Ciano, më herët në ditarin e tij. Zogu tashmë e dinte se sipas këtij plani do t’ i bëhej atentat atij, për ta asgjësuar fizikisht. Kjo kuptohet dhe nga udhëzimet që Ciano i jep Mutit, siç e kam cituar në paragrafin e mësipërm, që të ketë kujdes të kursejë gruan e Zogut dhe fëmijën e tij i cili pritej të lindte. Pra, nënkuptohej se Muti me njerëzit e vet dhe shqiptarët, kundërshtarë të Zogut të cilët do ta mbështesnin, do të ndërmerrte një sulm ndaj Pallatit Mbretëror për të vrarë Zogun. Zogu, i cili përgjithësisht ishte i aftë që të mësonte të gjitha planet e italianëve në Shqipëri, me anë të spiunëve të tij tek bashkëpunëtorët shqiptarë të italianëve, me siguri që e mësoi edhe këtë të fundit. Ardhja e Mutit e prishte planin rezervë të Zogut, për largimin nga Shqipëria, gjë për të cilën Zogu kishte marrë masat që raportoi Jacomoni. Edhe nëse dështonte një sulm i njerëzve të Mutit kundër Pallatit Mbretëror, ata përsëri do të përbënin rrezik të madh për largimin e Zogut nga Shqipëria nëpër rrugën Tiranë-Elbasan-Korçë. Në këto rrethana, Zogu, duke ndjerë rrezik ekstrem për jetën e tij, duket se për një moment vendosi që të bëjë pikërisht atë të cilën Roma e paralajmëroi që të mos e bënte, të kërcënonte që të merrte peng italianët të cilët gjendeshin në Shqipëri. Zogu, pas të gjitha gjasave, pengjet italiane i donte që t’ i merrte me vete në udhëtimin e tij nga Tirana në kufirin grek, që të sigurohej se italianët nuk do të ndërmerrnin ndonjë sulm kundër tij gjatë rrugës. Në 3 prill Ciano shkruante në ditar:
Bashkë me Pariani-n saktësojmë detajet e operacionit në Shqipëri. Nga njoftimet që arrijnë në mbrëmje del se situata është më e rëndë nga sa e mendonim. Nuk është e mundur që të dërgohet skuadra e Mutit se është rritur kontrolli në aeroportet dhe Tirana është mbushur me banda të armatosura që shprehin kërcënime ndaj italianëve.[xix]
Kështu, Ciano arriti efektin e kundërt, me paralajmërimin e tij ndaj Zogut. Pasiqë Zogu mori masa që të pengonte ardhjen në Shqipëri të komandos së Mutit, ai ndjeu siguri se, gjithsesi, do të kishte një rrugë shpëtimi për të personalisht. Prandaj, Zogu hoqi dorë nga ideja e pengjeve dhe pranoi që të lejonte ardhjen e një anijeje italiane në Durrës për të marrë civilët italianë që gjendeshin në Shqipëri. Në 3 prill Ciano shkruan në ditar:
Pas një bisede me Duçen, i telegrafoj Jacomoni-t urdhërin që nesër të përqëndrohen në Durrës gratë dhe fëmijët italianë të cilët gjenden në Shqipëri, ku të merren në mbrojtje nga një anije ushtarake. Gjithashtu e urdhëroj që të shkojë tek Mbreti Zog dhe t’ i bëjë me dije për çfarëdo lloj atentati që të ndodhë ndaj jetës dhe pasurisë së italianëve në Shqipëri, do të konsiderojmë përgjegjës atë personalisht.[xx]
Tashmë paralajmërimi italian për Zogun ishte i tepërt, se ai nuk kishte ndërmend që të bënte veprime që e dëmtonin atë, duke i krijuar vetes reputacionin e banditit të maleve, të cilin ai e kishte vuajtur shumë në fillimet e karrierës së tij, pas etiketimeve që i kishin bërë kundërshtarët e tij shqiptarë dhe të huaj.
[i]po aty: p. 60
[ii]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 98
[iii] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi Legata Italiane, 1939, Dosja 398, f. 11-15
[iv]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 98
[v] po aty: f. 99
[vi] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 24-25
[vii] Galeazzo Ciano: “Diary: 1937-1943”, “Enigma books”, New York 2002, p. 477
[viii] Peter Godman, “Hitler and the Vatican : inside the secret arcives that reveal the new story of the Nazis and the Church”, London -New York 2004, Free Press, p. 12
[ix] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 61
[x]Skënder Luarasi, “Në brigadat internacionale në Spanjë”, Botimet “Toena”, Tiranë 1996, f. 31
[xi] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 99
[xii] po aty: f. 100- 101
[xiii] po aty: f. 101
[xiv]po aty: f. 101
[xv] po aty: f. 101-102
[xvi] po aty: f. 102
[xvii] po aty: f. 102
[xviii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 61
[xix]po aty: p. 61
[xx] po aty: p. 61





