Në mbrëmjen e 31 marsit 1939, dhe në ditët në vazhdim, nga Legata britanike në Shqipëri, e cila për arsye të pashpjegueshme vazhdonte të rrinte në Durrës, edhe pse Tirana tashmë ishte kryeqyteti i vendit prej rreth 20 vitesh, u dëgjuan tinguj nga mazurka-t e Chopin. Parapëlqimi për mazurkat polake të Chopin në ditën që Britania e Madhe i dha garancinë ushtarake Polonisë, ishte i kuptueshëm. Polonia do të ishte moda e pranverës dhe e verës së atij viti në Britaninë e Madhe dhe Francë. Derisa në Legatën britanike në Durrës dëgjohej mazurka, në Adriatik dëgjohej tjetër muzikë. Legata britanike gjendej vetëm pak milje në lindje të meridianit 19º, që kalonte saktësisht pranë bregdetit shqiptar. Ky meridian përmendej në Akordin Britaniko-Italian të vitit 1938, pikërisht në aneksin e dytë, ku përcaktohej se të dy qeveritë do të njoftonin njëra tjetrën paraprakisht për çdo lëvizje ushtarake dhe dislokim trupash në lindje të këtij meridiani. Kjo do të thoshte se Italia kishte pasur detyrimin që ta njoftonte Britaninë e Madhe paraprakisht për përqëndrimin masiv të trupave dhe luftanijeve në portet italiane të Adriatikut jugor në Bari dhe Brindisi , që kishte ndodhur që prej disa ditësh, me synimin e qartë, për të zbarkuar në Shqipëri. Italia nuk e pati përmbushur këtë detyrim. Meqënëse përqëndrimi i pazakonshëm i trupave dhe luftanijeve në dy portet e Italisë së Jugut, ishte bërë prej më tepër se një jave, britanikët nuk mund të mos ishin në dijeni, se ata qenë vëzhgues shumë të kujdesshëm të çdo lëvizjeje ushtarake pranë korridorit të rëndësishëm detar britanik në Mesdhe, që kalonte nga Suezi për në Persi dhe Indi.
Diplomacia britanike iu qas me hapa mazurke krizës së parë në meridianin 19º, që prej nënshkrimit të Akordit Britaniko-Italian. Derisa Britania e Madhe i dha fund politikës së paqësimit ndaj Gjermanisë, filloi politika e paqësimit ndaj Italisë, me synimin e qartë për të bërë një diversion brenda Boshtit. Sipas metodës tradicionale të diplomacisë britanike në raste të tilla, Italisë iu kërkuan shpjegime për aksionin ushtarak që po planizonte ndaj Shqipërisë, vetëm pasiqë Britania e Madhe ndërmori, me garancinë ushtarake për Poloninë, një veprim për të cilin ajo druhej se do të nxiste aleancën gjermano-italiane. Britania e Madhe, në 4 prill, befasisht, shfaqi shqetësim për përqëndrimin e forcës ushtarake italiane në Adriatikun jugor. Londoni e udhëzoi ambasadorin britanik në Romë, Lordin Perth, që të takonte ministrin e Punëve të Jashtme, të Italisë, Ciano dhe t’ i kërkonte shpjegime mbi qëllimet e Italisë. Lëvizja britanike në Romë erdhi të nesërmen e ditës kur në London arriti ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Jozef Beck, i cili shkoi në kryeqytetin britanik për të biseduar mbi zhvillimin e garancisë britanike, deri në një traktat aleance mes dy vendeve. Në London druheshin se kjo do të bënte që Gjermania t’ i kërkonte Italisë që të përshpejtohej arritja e aleancës së paralajmëruar mes tyre, çka Britania e Madhe donte shumë që ta pengonte. Prandaj, diplomacia britanike bëri, të nesërmen e arritjes së shtetarit polak në London , orvatjen e Romë, e cila synonte që t’ i bënte me dije Italisë se vendi ku Roma duhej të adresohej për të siguruar përmbushjen e aspiratave të saj ishte në London dhe jo në Berlin .
Gjatë bisedës, Ciano i bëri me dije Lordit Perth se Italia kishte ardhur në dijeni se në Shqipëri situata ishte e trazuar dhe mund të shkonte deri në një rebelim kundër Mbretit Zog, i cili sipas Cianos ishte i sëmurë nga malarja. Kjo e kishte shqetësuar Romën dhe e kishte detyruar bërë që të mbante trupat në gatishmëri për të zbarkuar në Shqipëri- nënkuptohej mbi kërkesën e Mbretit Zog. Ciano gjithashtu e njoftoi ambasadorin britanik se Italia nuk kishte as synimin më minimal për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri, nëse nuk verifikohej situata e mësipërme.[i]
Shpjegimi i Cianos kishte më shumë rëndësi për faktin se italianët po e paraqisnin si diçka të natyrshme që të ushtronin të drejtën e tyre të ndërhyrjes ushtarake në Shqipëri, pa miratimin e Këshillit të Lidhjes së Kombeve. As ambasadori britanik dhe as qeveria britanike nuk reaguan ndaj këtij qëndrimi të ri italian dhe kuptohet përse. Përderisa Italia kishte dalë nga Lidhja e Kombeve, nëse Britania e Madhe do t’ i kërkonte Italisë që të respektonte vendimin e 9 nëntorit 1921, kjo do të thoshte që Britania e Madhe të kërkonte që Italia të humbte krejt pozitën e privilegjuar që i ishte dhënë në Shqipëri. Lordi Perth, emri i të cilit ishte James Eric Drummond (ai e kishte trashëguar titullin e Lordit të Perthit pas vdekjes së vëllait të tij, dy vite më parë, në 1937) e kuptonte mirë këtë, pasiqë ai ishte një njohës shumë i mirë i marrëdhënieve shqiptare italiane. Ai kishte qenë sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve që prej krijimit të saj në 1919 dhe deri në 1933, kur u bë ambasadori britanik në Itali. Ai pra, kishte marrë pjesë në vendim-marrjen e Lidhjes së Kombeve për Shqipërinë. Heshtja e Lordit Perth në zyrën e Cianos në 4 prill 1939, nuk ishte heshtja e një njeriu të painformuar për të shkuarën e marrëdhënieve italo-shqiptare, por heshtja e një prej britanikëve më të informuar për këtë çështje. Ciano shkruan në ditarin e vet, në 4 prill, për takimin me Lordin Perth :
Unë pres Perth-in. Ai është i shqetësuar për çështjen e Shqipërisë. Unë i jap sigurime por ngulmoj në faktin se ne nuk do të lejojmë që kurrkush të ndërhyjë në këtë çështje. Duke u ndarë, për t’ i dhënë një kënaqësi të vogël të fundit, i them se nuk do ta vonojmë pranimin e një nisme të mundshme franceze për rifillimin e bisedimeve. Ai u largua më i lehtësuar dhe pafundësisht më i vendosur për çështjen shqiptare. Këtë doja dhe unë.[ii]
Mendimi i Lordit Perth nuk qe pikërisht ky që pretendonte Ciano, i cili duke dhënë këto përshtypje nga takimi, duket se kërkonte që të qetësonte Duçen. Derisa Britania e Madhe dukej se pajtohej që Italia të përmirësonte pozitën e saj në Shqipëri, Londoni kishte një interes të madh që Italia të tregonte kujdesin e duhur për formën e gjërave, duke menduar se kështu do të pengohej Italia që ta tepronte me dislokimin e trupave të saj në Shqipëri. Gjithashtu, Britania e Madhe druhej edhe se një aksion ushtarak italian në Ballkan, do të ishte një nxitje shtesë për Gjermaninë që të ndërmerrte një agresion atje- tashmë ishte përmendur Rumania si objektivi i radhës i Hitlerit. Britania e Madhe ishte gati që, në thelb t’ i jepte satisfaksion Italisë në Shqipëri, por si kundërshpërblim kërkonte satisfaksion në formë. Kjo kuptohet nga ato që tha kryeministri britanik Chamberlain, në 6 prill, kur u pyet në parlament mbi reagimin e qeverisë britanike ndaj zërave gjithëherë e më të shpeshtë se Italia do të pushtonte Shqipërinë:
Në 4 prill Ambasadori britanik në Romë, tërhoqi vëmendjen e Ministrit italian të Punëve të Jashtme, mbi fjalët që kanë qarkulluar, të ngjashme me ato që tha anëtari i nderuar i parlamentit. Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë tha se në 8 mars Mbreti Zog sugjeroi vetë që traktati ekzistues i aleancës mes Italisë dhe Shqipërisë, duhej të fuqizohej. Mbi këtë çështje janë zhvilluar diskutime mes dy qeverive. Ndërkaq duket se në kursin e këtyre negociatave janë shfaqur disa vështirësi, natyra e të cilave nuk është krejt e qartë, dhe sipas Ministrit italian të Punëve të Jashtme, interesat e Italisë janë kërcënuar.[iii]
Por Chamberlain ia fshehu parlamentit informacionet që kishte tashmë Londoni mbi përqëndrimin e forcave të shumta në portet e bregdetit italian, të afërta me Shqipërinë. Pikërisht mbi bazën e këtyre informacioneve, Lordi Perth i kërkoi shpjegime Cianos në 4 prill. Gjithashtu, duket më së paku e çuditshme që Chamberlain, ndonëse po fliste dy ditë pas takimit Perth-Ciano, nuk i solli parlamentit edhe version shqiptar të krizës. Chamberlain supozohet që ta kishte pyetur edhe palën tjetër me anë të ministrit britanik në Shqipëri, mbi pretendimet e Cianos. Chamberlain ankohet për paqartësi dhe mungesë njohurish mbi krizën italo-shqiptare, kur e vetmja gjë e paqartë ishte se përse Foreign Office nuk kishte vepruar sipas praktikës së saj të rëndomtë në këto raste, pra që të informohej në mënyrë të dyanshme, çka kishin të drejtë që ta mendonin parlamentarët britanikë, duke dëgjuar Chamberlain. Derisa Chamberlain i bëri me dije parlamentit pretendimin italian se kishte qenë vetë Mbreti Zog ai që kishte kërkuar fuqizimin e aleancës italo-shqiptare që në fillim të marsit, kryeministri britanik për arsye të pashpjegueshme nuk ishte në gjendje që t’ i kumtonte parlamentit versionin e Zogut mbi këtë çështje. Është e vërtetë se Zogu në 8 mars, pasiqë kishte mësuar për konspiracionin e organizuar nga italianët kundër tij, i propozoi Romës që të fuqizonin aleancën, duke menduar se kështu Mussolini do ta kursente Zogun. Por Zogu nuk kishte asfare ndërmend që të pranonte pushtimin, se e parandjente që pas kësaj italianët nuk do ta quanin më të vlefshëm dhe do ta eliminonin. Chamberlain, i cili në 6 prill e vuri në dijeni parlamentin për takimin e ambasadorit britanik në Romë, me ministrin italian të Punëve të Jashtme, heshti mbi faktin se një ditë para se Lordi Perth të takohej me Cianon në Romë, ministri britanik në Shqipëri ishte takuar në Tiranë me Mbretin Zog. Jacomoni i raportonte Romës në 4 prill mbi takimin Zog-Ryan, të një dite më parë:
Në kundërshtim me përshtypjen që më kishte lënë një ditë më parë, gjeneral Seregji më dukej tani më i shqetësuar për zhvillimin që kishin marrë ngjarjet dhe më la të kuptoja, në mirëbesim, se mbreti ishte ashpërsuar. Sipas të dhënave që kisha marrë, ashpërsia e mbretit kishte lidhje me një vizitë që kishte pasur një ditë më parë nga ministri i Anglisë. Ky e paskësh siguruar për një qëndrim të Anglisë në dobi të tij.[iv]
Kjo duket e besueshme se në këtë rast britanikët po silleshin sipas stereotipit të tyre në marrëdhëniet shqiptaro-italiane që prej vitit 1920, ashtu që në momentet e tensionuara mes dy vendeve ata e inkurajonin Shqipërinë që t’ i bënte qëndresë Italisë, që pastaj Londoni të bënte arbitrin mes Tiranës dhe Romës. Kështu, Roma ishte e detyruar që të shkonte në Tiranë duke kaluar nëpërmjet Londonit. Sjellja e përshkruar më lart e ministrit britanik në Tiranë, është dukshëm më e përparuar se ajo në takimin me Zogun në 25 mars. Duket se Ryan ishte udhëzuar që të ndryshonte sjellje, që Roma të mos mendonte se pas garancisë britanike për Poloninë, i kishte duart e lira në Shqipëri. Pikërisht tash, më tepër se kurrherë, Londoni donte që ta bënte Romën të kuptonte se Shqipëria mund të ishte italiane vetëm si një koncesion britanik. Takimi Ryan-Zogu, jo rastësisht u mbajt një ditë para takimit Perth-Ciano. Ashpërsimi i qëndrimit të Zogut, i cili ishte inkurajuar nga Ryan, nuk mund të mos reflektohej në takimin Perth-Ciano. Por ajo që po bënte diplomacia britanike ishte se po hidhte hapa mazurke në dy anët e meridianit 19º, duke bërë lëvizje në diplomacinë mesdhetare nën tingujt e “muzikës” polake. Nëse nuk ishte qëllimi i politikës britanike, që Shqipëria të shndërrohej në një flijim gjeopolitik i llogaritur për të përmirësuar pozitën gjeostrategjike të Britanisë së Madhe në Mesdhe pas detyrimit që kishte marrë ndaj Polonisë, dinamika e politikës britanike, tekefundit conte pikërisht këtu.
[i] Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 434
[ii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 61
[iii] Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 438
[iv]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 103





