16. Ultimatumi




      Në 4 prill, Mussolinit më në fund i kërcyen nervat. Shtatë ditë pas rënies së Madridit, ai gjendej ende në negociata poshtëruese me mbretin e vetëshpallur të një vendi të vogël e të varfër, të cilat negociata kishin filluar që tre ditë para rënies së Madridit. A thua se kishte njeri në botë që në këto rrethana do të besonte se ai, Mussolini, ishte triumfatori i vërtetë i Madridit, pasardhësi i imperorëve më të fuqishëm të Romës së Vjetër, siç donte ta paraqiste veten? Në 4 prill Ciano shkruan në ditar:
      Mussolini nuk përmbahet në shprehjen e pakënaqësisë së tij, pasiqë ka lexuar një telegram të Jacomon-it, i cili e gjen të mundshme një zgjidhje paqësore. Kur vjen koha për të vepruar, Duçe parapëlqen armët.[i]
      Tashmë Mussolini donte që, në një mënyrë apo në një tjetër, paqësisht ose me luftë, t’ i tregonte botës se edhe ai ishte në gjendje që të pushtonte kryeqytetin e një vendi brenda ditës, ashtu siç bëri Hitleri me Vienën dhe Pragën. Jacomoni nuk jep shpjegime në librin e tij për këtë episod që përmend Ciano. Gjithsesi, refuzimi i përpjekjes së Jacomonit në 4 prill, nuk ishte për t’ u vajtuar, se përpjekje të tilla do të kishte edhe në ditët në vazhdim, madje deri në pasditen e 7 prillit, ditës së invadimit. Gjithsesi, në 4 prill, Mussolini, ende nguronte për t’ i dhënë Zogut një ultimatum. Ciano shkruan mbi këtë në ditar, në 4 prill:
      Në një takim me Duçen në Pallatin Venezia, ku është i pranishëm edhe Seregji, marrim vendim që t’ i japim Mbretit një ultimatum të fundit, afati i të cilit është ora 12 e së enjtes.[ii]
      Por, nga pikëpamja formale diplomatike, ky nuk ishte një ultimatum, por një somacion, i cili është një lloj ultimatumi që, ndonëse përmban një afat të përcaktuar brenda të cilit duhej që të pranohej kërkesa e paraqitur, nuk . Afati i somacionit ishte kështu mesdita e 6 prillit. Zogu kishte 48 orë kohë për të pranuar kërkesat italiane, të cilat tashmë i ishin paraqitur atij. Në fakt ky nuk ishte ultimatumi i fundit, siç thotë Ciano, por ishte i pari ultimatum. Nga pikëpamja teknike diplomatike, Zogut deri më atëherë nuk i ishte dhënë një ultimatum, madje as një somacion. Zogut i ishin bërë kërkesa për të cilat nuk i ishte vënë ndonjë termin brenda të cilit duhej që t’ i pranonte, dhe as ishte paralajmëruar për pasoja konkrete nëse kundërshtonte. Ajo çka të bën përshtypje është se Mussolini përsëri i shmangu procedurat normale diplomatike, ashtu që në vend që t’ ia paraqiste Zogut atë që ai e quante ultimatum, me anë të ministrit italian në Tiranë, ia paraqiti nëpërmjet ministrit shqiptar në Romë. Jacomoni në librin e tij, nuk thotë që të ketë qenë ai njeriu që ia paraqiti Zogut ultimatumin. Jacomoni na thotë se në takimin që pati me Zogun në 5 prill, ky i fundit e vuri në dijeni për mënyrën se si u njoh me ultimatumin:
      Ndërkaq më vuri në dijeni se kishte marrë një letër nga gjeneral Seregji, në të cilën thuhej se Duçja kërkonte një përgjigje gjer të enjten në mesditë.[iii]
      Kjo mënyrë të vepruari e përsëritur e Mussolinit, tregonte se ai ende ishte duke lëvizur me shumë kujdes për të thyer murin e Meridianit 19º. Mussolini nuk donte që Zogu të kishte një dokument të paraqitur zyrtarisht nga ministri italian në Tiranë, me kërkesat ultimative. Sa për letrën e Seregjit, e cila më tepër ka gjasa të ketë qenë një telegram, Mussolini mund ta mohonte lehtë para britanikëve dhe francezëve, nëse ishte e nevojshme, duke e quajtur një keqkuptim të ministrit shqiptar në Romë. Nuk ka vend për dyshim se Zogu e  perceptonte krejtësisht këtë pasiguri të Mussolinit, çka e inkurajonte atë që të rezistonte. Gjithsesi, Zogu përsëri u befasua nga Mussolini. Në fillim, Zogu kishte pritur që të merrte një ultimatum italian në ditët pas 15 marsit. Kur kjo nuk ndodhi, Zogu mori kurajë dhe mendoi se loja kishte hyrë në rrjedhën e rëndomtë, të cilën ai e njihte mirë. Tash, i ballafaquar befasisht me një ultimatum, ndonëse të moderuar, Zogu, ndonëse shumë i shqetësuar, megjithatë ende nuk dukej të ishte i vetëdijshëm për përmasat e vërteta të rrezikut. Ajo çka kishte ndodhur në vitin 1934, kur 34 luftanije italiane erdhën në Durrës dhe më pas u tërhoqën, e bënte Zogun që të besonte se rreziku mund të kapërcehej në momentin e fundit.
      Në mbrëmjen e ditës në të cilën në Romë u mor vendimi për ultimatumin, Zogu ngarkoi ish-kryeministrin Mehdi Frashëri, që në emër të tij t’ u bënte me dije diplomatëve britanikë, francezë dhe atyre të vendeve të Antantës Ballkanase në Tiranë, kërkesat italiane ndaj Shqipërisë dhe përgjigjen shqiptare. Me anë të Frashërit, Zogu u bëri me dije diplomatëve të përzgjedhur se ai i kundërshtonte kërkesat italiane që cënonin pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Gjithashtu ai i njoftoi se kishte urdhëruar mobilizimin e përgjithshëm. Kur një vend bën mobilizimin e përgjithshëm, kjo praktikisht është baras me deklarimin e gjendjes së luftës brenda territorit të vendit përkatës. Italianët e kuptonin mirë se Zogu nuk mund të sillej kështu pa mbështetjen e britanikëve. Rezistenca ndaj të huajve superiorë në fuqi, të cilët mund ta shkatërronin, pa pasur Zogu mbështetje nga një fuqi tjetër e huaj, nuk ishte në natyrën e tij si politikan dhe si njeri. Periudha dramatike pas paraqitjes së ultimatumit është e mbushur me ngjarje enigmatike. Në 5 prill Ciano shkruan në ditar:
      Shumë njoftime kontradiktore gjatë mëngjesit. Jacomoni telegrafon për një kundërpropozim shqiptar të paraqitur para ultimatumit të Duçes, por të cilin ne nuk e konsiderojmë.[iv]
      Kur Ciano thotë “ne”, nuk kuptohet qartë se cilët ka parasysh ai, veten dhe Mussolinin, apo klikën e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me Vitetti, Lanza D’ Ajeta etj. Ciano nuk bën me dije nëse ia paraqiti ose jo Mussolinit kundërpropozimin shqiptar. Kur është fjala për zhvillimet e asaj periudhe në marrëdhëniet italo-shqiptare, Ciano është i prirur për t’ i ekzagjeruar gjërat. Në të njëjtën ditë, në 5 prill, ai shkruan në ditar:
      Dy luftanije do të shkojnë në Durrës dhe Vlorë për të evakuar italianët, të cilët tashmë janë të kërcënuar seriozisht nga banditët, të cilët me urdhër të Zogut po terrorizojnë.[v]
      Këto i shkruan ai që kishte bërë plan për terror në Shqipëri! Në 5 prill Zogu mori nga Roma sinjalin për të cilin ishte marrë vesh me ministrin e tij atje, në rast se nuk do të kishte shpresë për t’ i ndryshuar gjërat. Ciano shkruan në ditar, pa bërë koment:
      Seregji telegrafoi për të njoftuar dorëheqjen e tij.[vi]
      Gjeneral Seregji, ministri shqiptar në Romë, ishte marrë vesh paraprakisht me Zogun që, nëse nuk do të kishte asnjë shpresë për t’ i ndryshuar gjërat në bisedimet që ai do të zhvillonte në Romë, atëherë ai duhej që të sinjalizonte Mbretin për këtë, duke dhënë dorëheqjen. Seregjit duket se i konvenoi kjo në lojën e dyfishtë që po bënte, se kështu u krijonte përshtypjen italianëve se ai po e braktiste Zogun. Por, duke qenë se Zogu ishte njeri dyshues, ai nuk mund të mos mendonte se Seregji ishte shitur tek italianët (gjë që në fakt ishte e vërtetë), dhe ata e kishin urdhëruar që të vepronte siç ishte marrë vesh me mbretin e tij, ashtu që ky i fundit të shkurajohej përfundimisht. Zogu ka dyshuar se Seregji, i blerë nga italianët, ekzagjeronte, se ai nuk kishte marrë ende një dokument zyrtar me kërkesat ultimative, ku t’ i bëhej me dije se italianët do të zbarkonin në Shqipëri, nëse ai nuk i pranonte ato. Kështu që ai mendonte se ende kishte hapësirë për të vazhduar përpjekjet për negociata. Tek ultimatumi që i kishte dhënë Italia, Zogu nuk shikonte diçka të ngjashme me kërkesat që i ishin bërë kancelarit austriak Schuschnig, apo Presidentit çekosllovak Hacha, se atij, Zogut, nuk i ishte bërë me dije një termin se kur do të zbarkonin trupat italiane në Shqipëri, ashtu që ai të vihej para alternativës që ose të pranonte legalizimin e pushtimit, ose të rrëzohej nga fuqia, madje ta pësonte edhe më keq. Kështu që Zogu mendonte se kishte ende hapësirë për negociata derisa të vinte ky moment, ose madje mendonte se Mussolini nguronte që të arrinte deri këtu. Qeveria britanike, deri në fund mendonte se Mussolini do të arrinte një kompromis me Zogun, që do t’ i kënaqte të dy palët, dhe që tekefundit do të kishte si rezultat kufizimin e mundësisë së Italisë për ta përdorur ushtarakisht Shqipërinë. Në 5 prill gjatë mbledhjes së qeverisë britanike u fol paksa për krizën shqiptaro-italiane, me ç’ rast sekretari për Punët e Jashtme, Lordi Halifax, tha se një aksion i mundshëm i Mussolinit në Shqipëri:
      do të ndërmerrej në një mënyrë të tillë që, nga pikëpamja formale, nuk do të mund të kritikohej shumë.[vii]     
      Por shenjat ishin se nuk do të ndodhte kështu. Pikërisht në 5 prill, në ditën kur Lordi Halifax thoshte këto fjalë në London, Jacomoni i raportonte Romës nga Tirana:
Një përshtypje të thellë bëri nisja e të gjithë oficerëve italianë, që ishin, gjer në atë kohë, nën komandën shqiptare. Shefi i misionit tonë ushtarak dha urdhërin për të bërë të ditur se organizatorët tanë nuk mund të ishin sehirxhinj në mobilizimin që po bëhej kundër Italisë.[viii]
      Largimi i misionit ushtarak italian në Shqipëri, ishte një veprim i llogaritur për t’ i hequr Zogut iluzionit që i ishin krijuar për shkak të ngurimit të Mussolinit që t’ i paraqiste formalisht një ultimatum, si dhe për t’ i krijuar bindjen se invadimi ishte i afërt. Natyrisht se ushtarakët italianë mund të ishin strehuar edhe në Legatën italiane në Tiranë dhe atje të prisnin që të kryhej invazioni. Por Roma donte që me një gjest mbresëlënës t’ i bënte me dije Zogut se lufta ishte në prag. Zogu e interpretoi saktë largimin e ushtarakëve italianë, se fill pasiqë ndodhi kjo, ai bëri një lëvizje të jashtëzakonshme, për të cilën Jacomoni shkruan:
Me përhapjen e këtij lajmi në qytet, erdhi të më shihte Abdurrahman Mati, i cili më bëri ftesën për një bisedë të menjëhershme me mbretin.[ix]
      Kështu, në momentin vendimtar, doli në skenë Lalë Krosi. Abdurrahman Mati, siç e quante veten me mbiemrin e trevës së tij, ishte në fakt Abdurrahman Risvani, i quajtur Lalë Krosi. Ndonëse Zogut i ishte paraqitur një ultimatum, ai ende nuk kishte vënë në dijeni për të kërrkënd përveç kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe Mehdi Frashërit, të cilin e kishte këshilltar personal privat. Qeveria dhe parlamenti nuk u vunë kurrherë në dijeni për atë që po ndodhte. E megjithatë Lalë Krosi ishte në dijeni dhe bënte emisarin në këtë moment vendimtar për Shqipërinë. Kjo ishte simptomatike për sundimin e Zogut në Shqipëri. Zogu, me dërgimin e Lalë Krosit tek Jacomoni si emisar personal në 5 prill, kërkonte që t’ u krijonte përshtypjen italianëve, se ai kishte disponimin më të sinqertë dhe të plotë ndaj tyre, jo thjesht si shtetar, por edhe si njeri. Nëse synimi i Zogut ishte ky, ai kishte gabuar rëndë. Lalë Krosi përbënte një nga arsyet për të cilat Zogu ishte bërë tashmë i papëlqyeshëm për italianët, dhe shihej tashmë si faktor dëmtues i investimeve të tyre në Shqipëri. Në kohën kur Zogu sundonte vendin  (1922-1939), kishte pushtet të pakufizuar Lalë Krosi. Lalë Krosi qe faktotum i Zogut. Ai qe një njeri i plotfuqishëm, aq sa mund të quhet si nr. 2 i regjimit pas Ahmet Zogut dhe para kryeministrit. Diplomati italian që shërbeu në Shqipëri në atë kohë, Pietro Kuaroni thotë se atë intelektualët shqiptarë e quanin Lalë Krosin “Rasputini shqiptar”. Kuaroni e portretizon kështu Krosin:
      Personazhi më piktoresk i familjes ishte një personazh mjaft i çuditshëm, që përgjigjej me emrin e Abdurrahmanit, thënë zyrtarisht Mati për shkak të vendlindjes së tij, kurse përgjithësisht I Zgjebosuri. Titulli i tij zyrtar: kumbar i Mbretit. Përsa i përket asaj se ç’ do të thotë kjo, këtë akoma nuk e di. Ishte fjala, dukej, për një lloj intendenti të shtëpisë Zogolli, që gjatë periudhës së vështirë të vejnisë kishte ndihmuar besnikërisht Nënën Mbretëreshë në administrimin e pasurisë së fisit. Ai tregonte ndaj mbretit një besnikëri jashtë çdo prove: asnjë dyshim për këtë. Mjaftonte ta shihje si sillej përqark tij sikur do ta “pinte me sy”, të mbushur tej e tej njëherësh me dashuri dhe admirim: ai kishte gjestet prekëse të një qeni të vjetër të rënë në dashuri. Gjatë ceremonive zyrtare, duke treguar përbuzjen më të madhe ndaj rregullave të etiketës, ai manovronte përherë në mënyrë të atillë sat ë ndodhej përherë dy hapa nga mbreti i vet… Ai kufizohej të përmbushte vullnetin e mbretit: po kjo nuk e pengonte të merrej shumë fort mirë me punët e veta.
      Koncepti i tij për organizimin e shtetit shqiptar ishte shumë i thjeshtë. Administrata, nga kryetari i Këshillit (kryeministri-K.M.) te sekretari i fundit i prefekturës, duhej të përbëhej përjashtimisht nga njerëz të miqve të tij dhe çdo punë, e madhe apo e vogël, duhej të kalonte nëpër duart e tij, duke lëshuar në to, në kalim e sipër, disa pupla. Për të qenë më i saktë, besoj që suksesi im relativ ka pasur këtë arsye të vetme që, duke e njohur praninë dhe ndikimin e tij, unë kisha menduar që e vlente më shumë ta bënim këtë njeri të na shërbente ne, sesa të ishim të detyruar ta përballonim frontalisht… Ai kishte në qytet një zyrë të vogël, përherë plot e përplot me hallexhinj: ai bënte kujdes të mos nënvleftësonte edhe çështjet më të vogla. Kërkuesit dilnin prej aty të pajisur me një shuk shumë të vogël letre me disa fjalë të shkarravitura përsipër:
-Bëj çfarë kërkon filani, është miku im.
Ka mundësi që pasuria që ai kishte grumbulluar të ishte shumë më e paktë në krahasim më e paktë se çfarë i atribuonte thashethemnaja publike. Por është fakt që atë e urrenin, të rinjtë sidomos, në veçanti ata që ishin edukuar në Evropë dhe që ëndërronin si patriotë të mirë për një Shqipëri të organizuar pak më mirë, më të ndryshme. Të ndërgjegjshëm për këtë trafik influencash politike dhe ekonomike, ata e konsideronin Krosin, gjithë përmasat ruajtur, si një lloj Rasputini të Shqipërisë.[x]
    Sigurisht që Lalë Krosi qe dora e Zogut dhe zejen e korrupsionit e ushtronte për llogari të këtij të fundit. Ajo çka nuk arrinte që të kuptonte Zogu në prill 1939, pas 13 vitesh aleance me Italinë, ishte se kishin qenë pikërisht njerëzit si Lalë Krosi dhe fryma e tij një nga arsyet që e kishin bërë Mussolinin të bindej se nuk mund të vazhdohej më kështu. Paratë dhe ndihmat e gjithanshme italiane, nuk mund të derdheshin më në Shqipëri, si në një fuçi të shpuar, për të përfunduar në xhepat e Lalë Krosit dhe njerëzve të tjerë si ai. Për herë të parë qëkurse kishte filluar kriza e re italo-shqiptare, në 25 mars, Zogu e thirri ministrin italian në Tiranë, në një takim. Deri më atëherë Mbreti e kishte pritur Jacomonin vetëm me kërkesën e këtij të fundit. Takimin që Zogu i kërkoi me ngutje të madhe Jacomonit u mbajt po atë ditë, në 5 prill. Jacomoni raporton për këtë takim:     
Zogu m’ u lut që ai të kishte kohë gjer të premten në mesditë, që të kishte mundësinë të këshillohej me parlamentin dhe të merrte një vendim që të mos ishte vetëm i tij. Iu përgjigja se do të vija në dijeni menjëherë Shkëlqesinë e Tij për këtë kërkesë.[xi]
      Zogu kërkonte kohë deri në 7 prill, në orën 12ºº. Shkaku që nxirrte, këshillimi me parlamentin, nuk dukej i besueshëm. Së pari, italianët e dinin se Zogu nuk kishte thirrur kurrfarë mbledhjeje të parlamentit, as për në 5 prill, dhe as për të nesërmen. Ajo çka kishte bërë Zogu ishte se kishte thirrur një përfaqësi parlamentare, të përbërë nga dy deputetë për çdo prefekturë, të cilët së bashku me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, do të përbënin një forum që do të shqyrtonin kërkesat italiane dhe do të merrnin vendim për to. Kështu, nga pesëdhjetëenëntë anëtarët e parlamentit, vetëm njëzet do të merrnin pjesë në atë që ishte mbledhja më e rëndësishme e monarkisë shqiptare. Nga shtatë anëtarët e qeverisë, do të merrnin pjesë vetëm dy. Edhe në këtë moment, Zogu tregoi se nuk punonte dot as me institucionet të cilat i kishte ndërtuar vetë, por mund të punonte vetëm me një klikë të ngushtë në parlament dhe në qeveri. Por edhe klikën Zogu nuk e thirri për t’ u këshilluar, por thjesht për të fituar kohë. Jacomoni i raportonte Romës në 5 prill, pas bisedës së tij me Zogun, ku ky i fundit i kërkoi që afati i ultimatumit të shtyhej për 24 orë:
      Ju lutem nxehtësisht që të kem një përgjigje sa më të shpejtë, mundësisht që këtë mbrëmje. Kam përshtypjen se mbreti po thyhet, tanimë, në çështjen ushtarake, dhe kundërshtimi që ai ndesh, i shtyrë edhe nga mjedise me përgjegjësi, ka të bëjë sidomos me artikullin 8.[xii]
      Jacomoni po i kërkonte Romës që të pranohej kërkesa e Zogut për shtyrjen e afatit të ultimatumit. Sipas Jacomonit, Zogu kishte nevojë për kohë, për të bindur ata që e kundërshtonin për nenin 8 të projekt-traktatit. Në fakt, Zogu nuk kishte artikuluar kurrfarë pranimi për pjesën ushtarake të projekt-traktatit, përveç premtimit se do ta shqyrtonte, të cilin ia kishte bërë atasheut ushtarak italian. Gjithashtu, Zogu nuk kishte kurrfarë presioni nga qarqet e larta shqiptare, për dispozitat e projekt-marrëveshjes dhe kjo thjesht për faktin se për to nuk kishte njohuri kurrkush përveç kryeministrit Koço Kotta,  ministrit të Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, dhe ministrit shqiptar në Romë, Zef Seregji. Nga këta, kryeministri ishte një njeri apatik, ministri shqiptar në Romë ishte shitur tek italianët dhe ministri i Punëve të Jashtme do të ishte ndër zyrtarët e lartë që nuk u larguan me Zogun pas invadimit italian, por që qëndruan në Shqipëri dhe morën poste të larta. Ekrem Libohova do të bëhej dy herë kryeministër gjatë kohës së pushtimit italian. Italianët ishin të vetëdijshëm se Zogu nuk do të bënte kurrfarë këshillimi, por ata menduan se Zogu kërkonte një alibi, ashtu që të shtirej se, duke i pranuar kërkesat italiane njohu vendimin e Këshillit të përzgjedhur prej tij. Për një moment në Romë u krijua përshtypja se Zogu u nënshtrua. Ciano shkruan në ditar në 5 prill, pas marrjes së njoftimit nga Jacomoni:
      Ora katër pasdite. Jacomoni dërgon një telegram. Duket se Mbreti nuk dëshiron që të marrë përsipër vetë përgjegjësinë për një kapitullim të plotë, dhe synon të mbledhë Këshillin e Ministrave, për të marrë vendimin përfundimtar nëse do të bëjnë qëndresë apo do të dorëzohen. Me të drejtë, Jacomoni vëren se në këtë mënyrë Mbreti e kapërcen afatin e ultimatumit, por ai pranon që ta dërgojë informacionin, gjithsesi.[xiii]
      Natyrisht, për shkak të natyrës së regjimit të Zogut, italianët nuk besonin se vendimi që do të merrte Zogu, do të ishte rezultat i konsultimit me ministrat e tij, e aq më pak me deputetët, kur deri më atëherë, siç po e pohonte vetë, as që e kishte vënë në dijeni ata mbi krizën shumë serioze italo-shqiptare, që vazhdonte prej dhjetë ditësh, dhe që ishte kulmuar me ultimatumin. Por italianët besuan se Zogu donte që të bënte një apologji, ashtu që ai i ishte nënshtruar vullnetit të Mussolinit, pas këshillës së ministrave dhe deputetëve. Me këtë rast, Zogu kërkoi një shtyrje të afatit të ultimatumit. Por tashmë Zogu e kishte marrë vendimin për të bërë qëndresë të armatosur, deri në njëfarë pike. Muti, i cili për nga natyra ishte një njeri më afër Zogut, e kuptoi këtë kur shkoi në Tiranë ato ditë. Ciano shkruan në ditar, të mërkurën, në 5 prill:
      Unë u takova me Duçen disa herë. Ai është i qetë, tmerrësisht i qetë dhe më tepër se çdo herë i bindur se kurrkush nuk do të kërkojë që të ndërhyjë në bëmën tonë me Shqipërinë. Ndërkaq, ai ka vendosur që të marshojë dhe do të marshojë edhe nëse krejt bota do të vihet kundër tij. Ai ia përsëriti këtë me të madhe Mutit, i cili ka shkuar me ngut në Tiranë dhe konfirmon se Zogu do të bëjë qëndresë me forcat e vogla që disponon.[xiv]
      Zogu e shikonte qëndresën e armatosur ndaj invazionit më tepër si me vlerë diplomatike se ushtarake. Ai mendonte se vendosmëria e tij për të bërë qëndresë, do të bënte që italianët të zbarkonin me forca të mëdha, çka do të alarmonte Britaninë e Madhe, Francën, si dhe vendet fqinje Italinë dhe Jugosllavinë, të cilat, të gjendura para perspektivës immediate të shndërrimit tëe Shqipërisë në një place d’ arme italian në Ballkan, do të ndërhynin bashkërisht tek Italia, duke e detyruar që të tërhiqte trupat nga bregdeti shqiptar. Nëse kjo nuk do të ndodhte, dhe invazioni do të vazhdonte, me ç’ rast Zogu do të detyrohej që të largohej nga Shqipëria, ai mendonte se qëndresa e armatosur do të ishte një kredit i mirë për të, që të trajtohej si aleat nga Britania e Madhe dhe Franca e të kthehej në Shqipëri pas përfundimit të luftës botërore që pritej të fillonte. Pra, Zogu mendonte se një qëndresë e armatosur simbolike do të bënte që ai të fitonte në mërgim statusin që i kishte njohur Antanta Esat Toptanit, gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili u njoh kryetar i qeverisë së një fuqie të asociuar me Antantën. Kërkesa e Zogut për shtyrjen e afatit të ultimatumit, ka shkaktuar jo pak konfuzion tek historianët dhe biografët e tij. Ciano shkruan në ditar, në 5 prill:
      Meqënëse Mbreti ka kërkuar 24 orë kohë që ta mendojë çështjen, Duçe, me anë të një telegrami personal e fikson kohën e përfundimit të afatit të ultimatumit në orën 12 të së enjtes, 6 prill.[xv]
      Nga fjalët e mësipërme të Cianos, kuptohet se Mussolini nuk e ka shtyrë afatin e ultimatumit, por e ka konfirmuar atë, ashtu që ta bënte Zogun të kuptonte se ultimatumi ishte shumë serioz dhe nuk mund të shtyhej. Telegrami i Mussolinit e shndërronte ultimatumin në ultimatum personal të Duçes ndaj Zogut. Tashmë Mussolini e ka ndarë mendjen që të marshojë në Tiranë me vullnetin e Zogut, apo kundër vullnetit të Zogut. Ciano tashmë është i qetë se vendimi për invadimin e Shqipërisë, nuk ka gjasa që të kthehet pas. Si për ta dramatizuar situatën në kulm, në mes të afatit të ultimatumit, gruaja e Zogut lindi fëmijën e saj, njëe djalë, trashëgimtari i fronit, i cili ironikisht lindi kur froni zogist po binte. Ciano shkruan në ditar, në 5 prill:
      Në mëngjes lindi djali i Zogut. Sa gjatë do të jetë ai trashëgimtari i fronit shqiptar?[xvi]
      Ndonëse ultimatumi italian përjashtonte negociatat për kërkesat italiane, të cilat duhet të pranoheshin ose refuzoheshin ashtu siç ishin, Zogu u përpoq përsëri që të negocionte në natën e 5-6 prillit. Jacomoni shkruan:
      Ndonëse kërkesa për një përgjigje pozitive apo negative duket se përjashtonte çdo bisedë të mëtejshme, në orën katër të mëngjesit të datës gjashtë, u nis për në Romë ky telegram: Prita në vizitë gjatë natës, Abdurrahman Matin dhe Musa Jukën, të cilët u ofruan të merrnin përsipër pranimin integral të marrëveshjes, me përjashtim të disa sqarimeve të artikullit 4, për qëndrimin ose jo të forcave tona këtu, si dhe të disa ujdisjeve të artikullit 8.[xvii]
      Në komedinë që ishte duke shfaqur Zogu, supozohej që Lalë Krosi, Musa Juka, Koço Kota dhe Ekrem Libohova, të ishin ata që kundërshtonin projekt-traktatin e paraqitur me ultimatum nga italianët, dhe që e detyruan Mbretin që të ndryshonte termat e tij. Natyrisht se këtë gjë nuk e besonte kurrkush. Vizita e Lalë Krosit tek Jacomoni i parapriu asaj të kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme, të cilët pak minuta më pas sollën në trajtë formale, ato që tha Lalë Krosi, së bashku me shoqëruesin e tij, ministrin e Punëve të Brendshme, Juka. Për versionin e projekt-traktatit që paraqiti Zogu me anë të emisarëve të tij, në natën e 5-6 prillit, Jacomoni shkruan:
      Pastaj erdhën tek unë kryeministri dhe ministri i jashtëm, të cilët më dorëzuan zyrtarisht tekstin e kundërpropozimeve shqiptare: Artikulli 1 i pandryshuar. Në artikullin 2 të hiqen fjalët “sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë”, që do të zëvendësoheshin nga shprehja, “siç është parashikuar në traktatin aleancës, në marrëveshje me qeverinë shqiptare”.
      Artikujt 3 dhe 4 të shkrihen në një artikull të vetëm me këtë tekst: “Qeveria shqiptare, duke njohur nevojën që t’ i japë qeverisë italiane të gjitha lehtësitë e nevojshme në përmbushjen e lehtësive të ndërsjellta, sipas marrëveshjes së parashikuar, do t’ i lejojë qeverisë italiane përdorimin e porteve dhe të rrugëve të komunikimit”. Artikulli 5 nuk ndryshohet. Artikulli 6 do të redaktohej kështu: “Italia me anë të teknikëve dhe të specialistëve, do të japë ndihmën e saj teknike e financiare për funksionimin e shtetit shqiptar. Artikulli 7 mbetet i pandryshuar. Në artikullin 8 të hiqet fjala ‘politike’ dhe në vend të saj të shtohet ‘në pajtim me dispozitat statutore”.[xviii]
Nga termat e projektit që ofroi Zogu kuptohet se ajo çka kërkonte që të arrinte ai ishte që, duke i njohur Italisë të drejtën për dërgimin e trupave të saj në Shqipëri, të shmangte ardhjen imediate të trupave italiane në Shqipëri. Gjithashtu, Zogu nuk pranonte që qytetarët italianë me banim në Shqipëri të kishin të drejta politike. Jacomoni e komenton kështu projekt-traktatin e modifikuar nga Zogu:      
Lënia qeverisë italiane e përdorimit të porteve dhe të rrugëve të komunikimit, duhej t’ i nënshtrohej marrëveshjeve preventive ndërmjet dy qeverive. Përsa i përket ndihmës ekonomike dhe financiare që Italia do t’ u jepte organizatave dhe funksionimit të shtetit shqiptar, ishte hequr çdo ndërlidhje për gjendjen që do të kishin teknikët tanë dhe mënyra me anë të së cilës do të sigurohej përdorimi i tyre. Artikulli 8 praktikisht ishte zhbërë. Ishte hequr ndërsjellësia e të drejtave politike, një heqje kjo e kuptueshme, për shkaqet që thamë; për të drejtat civile duhej thënë se ato do të rregulloheshin me anë të dispozitave që kishin të bënin me statutet. Këto të fundit në Shqipëri ishin mjaft të rrepta për të huajt dhe do ta kishin bërë mjaft të vështirë për të huajt- në mos të pamundur- bashkëpunimin e kapitalit privat italian për zhvillimin e Shqipërisë.[xix]
      Shkurt, Zogu nuk pranonte që Shqipëria të shndërrohej në protektorat italian. Duke u sjellë kështu, Zogu nuk nisej thjesht nga ndjenja e atdhetarisë, por edhe nga interesi i tij jetik. Në historinë e çdo vendi ka momente kur interesi nacional dhe interesi i sundimtarit njësohen dhe kjo kishte ndodhur edhe me Zogun në ato ditë. Zogu e kuptonte se pranimi i kërkesave italiane, ashtu siç ishin paraqitur do të ishte vdekjeprurës edhe për të vetë, kështu që ai reagoi sipas stereotipit të tij, të kundërshtimit të shkallëzuar, të cilin e përshkruan aq mirë Quaroni. Zogu llogariste se, nëse italianët do të pranonin ndryshimet që ai i kishte bërë projekt-traktatit, atëherë ai siguronte ekspedientë të tjerë juridikë për të penguar ardhjen e trupave italiane në Shqipëri, me shpresën se do të ndërhynin fuqitë e tjera të mëdha, për ta ndaluar Italinë që të invadonte Shqipërinë. Derisa vepronte kështu, Zogu, për ta bindur Mussolinin për përkushtimin e tij ndaj Italisë, kërkonte që të fuste edhe lidhje personale në negociatat. Jacomoni shkruan:
      Kryeministri shtonte me gojë, për llogari të mbretit, dëshirën për të përcaktuar pjesën ushtarake të marrëveshjes me gjeneralin Pariani, tek i cili mbreti kishte një besim të veçantë. Ai nuk e dinte se në bisedën që kisha pasur me nënsekretarin për Luftën, më 31 mars, në Pallatin Kixhi, bashkë me ministrin Ciano dhe me gjeneralin Guxoni, Pariani ishte shprehur për një qëndrim të prerë në lidhje me tratativat me mbretin Zog.[xx]
      Natyrisht se Zogu nuk besonte se Pariani, i cili ishte shefi i Shtabit të Ushtrisë (forcave tokësore) italiane, do të ndryshonte diçka në dobi të Shqipërisë në negociatat ushtarake, por thjesht donte që të tregonte se ai nuk ishte antiitalian, por kishte disponim të mirë ndaj italianëve, kur ata silleshin miqësisht me të. Jacomoni përfitoi nga takimi me kryeministrin gjatë natës së 5-6 prillit, për t’ i kërkuar një takim urgjent Mbretit Zog. Kjo kërkesë padyshim që duhet t’ i ketë krijuar këtij të fundit iluzionin se Jacomoni ishte udhëzuar nga Roma që të kërkonte takim me Zogun para përfundimit të afatit të ultimatumit, ashtu që të diskutonte ofertën e pritshme shqiptare, nën presionin e përfundimit të kohës së fiksur në ultimatum. Zogu e fiksoi takimin në orën 10ºº të paradites, dy orë para përfundimit të ultimatumit, me shpresën se hapej një mundësi për negociata. Jacomoni shkruan mbi takimin me Zogun:
       Takimi me mbretin që kisha kërkuar gjatë natës me anë të kryeministrit ishte caktuar për në orën 10 të datës 6 prill. Meqë, gjer më atë çast, nuk kisha marrë asnjë përgjigje ndaj telegramit që përmbante kundërpropozimet shqiptare, i bëra të njohur mbretit komunikimin e shkruar të telegramit të Duçes. Ia komunikova mbretit telegramin e Duçes, duke ia bërë të qartë se pritej një përgjigje me po ose me jo.[xxi]
Ndryshe nga ç’ priste Zogu, Roma as që e kishte konsideruar ofertën shqiptare, se kjo binte ndesh me thelbin e  ultimatumit, që kërkonte pranimin ose refuzimin në tërësi të projekt-traktatit të paraqitur. Kështu që Jacomoni thjesht i konfirmoi Zogut afatin e ultimatumit. Ndonëse ishte e qartë se italianët nuk pranonin më negociata, Zogu, për inerci, vazhdonte të luante sipas stilit të vet. Jacomoni shkruan:
Mbreti Zog m’ u përgjigj se ai vetë nuk mund të merrte angazhime. Ai nuk ishte në gjendje që të përshtaste me nismën e tij kundërpropozimet që ishin dorëzuar dje, për të cilat kam vënë në dijeni Shkëlqesinë e Tij. Mbreti e quante të nevojshme që të dëgjonte, për përgjigjen që kërkohej në mënyrë të ngutshme, mendimin e Këshillit të Ministrave dhe të disa parlamentarëve.[xxii]
      Me të vërtetë mendonte Zogu se kishte ndonjë njeri në botë që mund të besonte se një mbret, që ka marrë një ultimatum që prej dy ditësh dhe i cili, edhe dy orë para përfundimit të afatit të ultimatumit, ende nuk ishte këshilluar për këtë me ministrat dhe parlamentin, do ta përdorte kohën që kërkonte për ta bërë këtë këshillim? Natyrisht se Mussolini dhe Ciano nuk qenë njerëzit të cilët mund ta besonin këtë gjë. Tashmë dukej e pabesueshme edhe që Zogu ta kërkonte këshillimin për të bërë apologjinë e nënshtrimit të tij. Jacomoni u mundua që t’ ia bënte të qartë Zogut se hapësira për lojë diplomatike nuk ekzistonte më. Jacomoni e përshkruan kështu vazhdimin e takimit:     
Ia thashë në sy rëndësinë e pasojave që do të rridhnin nga një vendim që pritej. Mbreti Zog i shqetësuar në mënyrë të dukshme, më tha se pranimi nga ana e tij, në mënyrë vetiake, i të gjitha propozimeve tona, do të ishte një cenim ndaj nderit të tij dhe nuk mundej tanimë veçse të dëgjonte vendimet e qeverisë së tij. Për të njohur këto të fundit, ai kërkoi kohë gjer në orën 18 të ditës së sotme. I premtova se do t’ ia përçoja Shkëlqesisë së Tij këtë lutje të tij, ndonëse i vura në dukje se Duçja e kishte përcaktuar kufirin e fundit të pritjes në orën 12 të paradites.[xxiii]
      Më në fund Mbreti Zog u bind përfundimisht se Mussolini këtë herë nuk po luante bluff-in. Në situata shumë të vështira, Zogu binte në melankoli të thellë dhe reagonte për inerci, duke e lënë veten që ta shtynte tutje rryma e ngjarjeve të formësuara nga forcat superiore kundërshtare. Për inerci dhe për të siguruar largimin e qetë nga Shqipëria të gruas dhe të foshnjës së posalindur, Zogu kërkoi që shtyrjen e ultimatumit edhe për gjashtë orë. Në atë që praktikisht do të ishte biseda e fundit Jacomonit me Mbretin Zog, ky i fundit fajësoi për atë që po ndodhte Cianon dhe jo Mussolinin. Jacomoni shkruan për momentet e ndarjes së tij me Zogun:
      M’ u lut që t’ i përçoja përshëndetjet e mia Mussolinit, duke shtuar edhe se nuk mund të më bënte të njëjtën kërkesë për kontin Ciano, të cilin e bënte fajtorin kryesor për çka po ndodhte ndaj tij.[xxiv]
      Zogu e kishte kuptuar saktë se në Romë, forca në dinamikë të ndryshimit të beftë të marrëdhënieve italo-shqiptare, ishte Ciano dhe jo Mussolini. Zogu manovroi me shkathtësi për të shmangur një takim tjetër në përfundim të afatit të ultimatumit, sipas ritualit diplomatik. Jacomoni shkruan për takimin e tij të fundit me Zogun:
      Biseda përfundoi në orën 11. 30. Më mbajti në paradhomën e tij gjer në përfundim të afatit të përgjigjes. Në orën 12.00 iu luta ministrit të Jashtëm që t’ i shkoja edhe një herë Mbretit Zog që t’ i kërkoja edhe një herë tjetër se mos e ndryshoja vendimin e tij, për t’ i dhënë Romës një përgjigje të favorshme. Mbreti Zog më falënderoi për interesimin tim vetiak por më pohoi, në minutat e pakta që mbetën midis nesh, se asgjë s’ mund të ndryshonte nga ç’ kishte thënë pak më parë.[xxv]
      Është krijuar një konfuzion mbi atë nëse Mussolini e shtyu ose jo afatin e ultimatumit, sipas kërkesës së Mbretit Zog. Studiuesi Ilir Ushtelenca, autori i librit “Diplomacia e Mbretit Zog I”, i cili është shkruar mbi bazën e thënieve dhe dokumentave të familjes së trashëgimtarit të Ahmet Zogut, shkruan për datën 5 prill:
      Po atë ditë Jakomoni njoftoi shtyrjen e afatit deri në 6 prill ora 24.00 dhe njoftoi Romën.[xxvi]
      Por, Jacomoni nuk e thotë këtë gjë në librin e tij, të shkruar mbi bazën e dokumenteve, dhe madje na jep të kuptojmë të kundërtën, se ultimatumi nuk u shty. Nëse ultimatumi do të ishte shtyrë sadopak, Jacomoni do të kishte qenë njeriu më i interesuar që ta shkruante këtë gjë, duke qenë se ai e kishte shkruar librin pas Luftës së Dytë Botërore, kur një gjë e tillë do ta bënte atë që të shfaqej në një dritë më të mirë. Nëse do të ishte shtyrë afati i ultimatumit, atëherë Jacomoni do të kishte qenë i detyruar të takonte Zogun në përfundim të afatit të ri, çka nuk ka ndodhur. Takimi i fundit i Jacomonit me Zogun është ajo të cilën e citova më lart, dhe që përfundoi pak minuta pas orës 12.00, kur përfundoi afati i ultimatumit. Jacomoni, duke rrëfyer për takimin e përshkruar më lart me Zogun, thotë se ky ishte takimi i tij i fundit me Mbretin Zog:
      Biseda ime e fundit me Zogun kishte arritur gjer në ngjyrime ngashëryese dhe përfundoi me pohimin e mbretit se ndjenjat e tij nuk ishin ndryshuar ndaj meje, sepse e kuptonte që, nëse gjendja nuk ishte ajo që unë i kisha thënë gjithmonë se do të dëshiroja, kjo nuk varej prej meje.[xxvii]      
      Edhe biografi i Zogut, Bernd Fischer, ka rënë në të njëjtin lapsus, si të tjerët, kur  thotë për datën 6 prill, duke iu referuar njoftimeve të ministrave amerikan dhe britanik në Tiranë, në 6 dhe 11 prill:
      Në mëngjesin e po asaj dite, Zogu kishte marrë një telegram personal prej Mussolinit, i cili theksonte se ultimatumi merret fund në mesditë. Mbreti refuzoi ta pranonte këtë telegram, por kësaj radhe vuri në dijeni edhe ministrat e tij, si dhe një komitet parlamentar. Italianët i dhanë edhe një afat prej gjashtë orësh të tjera.[xxviii]
     Por, nëse afati i ultimatumit do të ishte shtyrë vërtet, kjo do të kishte ndodhur vetëm para përfundimit të afatit të përcaktuar, se nuk kishte kuptim që pas përfundimit të afatit të jepej një afat i ri. Nëse afati do të ishte shtyrë edhe gjashtë orë të tjera, atëherë përse shkoi Jacomoni që të merrte përgjigje në përfundim të afatit të mëparshëm dhe e priti këtë përgjigje, në mjediset e Pallatit Mbretëror, me korrektësi strikte diplomatike, deri në përfundim të afatit? Në çdo rast, afati i ri do të ishte njoftuar zyrtarisht, se tashmë ultimatumi ishte paraqitur zyrtarisht, me firmën e Mussolinit, dhe po zyrtarisht do të ishte kërkuar dhe përgjigjia. Kurrgjë e tillë nuk ka ndodhur. As Fischer nuk na thotë kurrgjë se çka ndodhi në përfundim të afatit të ri të ultimatumit. Sipas procedurës diplomatike, ministri italian në Tiranë, Jacomoni, duhej të paraqitej në audiencë në Pallatin Mbretëror, në orën 18.00, për të marrë përgjigjen, ashtu siç kishte bërë në përfundim të afatit të ultimatumit, në mesditë. Por Jacomoni nuk e bëri këtë gjë. Kuptohet se afati i ultimatumit nuk është shtyrë. Akti i parë i dramës, e cila filloi në 26 mars, ai diplomatik, ishte mbyllur kështu në mesditën e 6 prillit. Tash kishte filluar intervali i kohës pas së cilës do të fillonte zbarkimi i trupave. Zogu, i mësuar siç ishte që të bënte me italianët negociata që zgjateshin shumë në kohë, nuk e besonte dot që gjithçka kishte marrë fund brenda njëmbëdhjetë ditësh. Zogu, për inerci, do të vazhdonte që të bënte orvatje diplomatike edhe pas përfundimit të afatit të ultimatumit, në intervalin para zbarkimit, madje edhe më tutje. 


[i] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 61
[ii] po aty: p. 62
[iii]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 104
[iv] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 62
[v]po aty: p. 62
[vi] po aty: p. 62
[vii] Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 435
[viii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 104
[ix] po aty: f. 104
[x] Pietro Kuaroni: “Valixhja diplomatike”, “Albinform”, Tiranë 1993, f. 117-118
[xi]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 104
[xii] po aty: f. 104
[xiii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 63
[xiv]po aty. p. 64
[xv]po aty: p. 64
[xvi] po aty: p. 64
[xvii]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 105
[xviii] po aty: f. 105-106
[xix] po aty: f. 106
[xx] po aty: f. 106
[xxi] po aty: f. 106
[xxii] po aty: f. 106-107
[xxiii] po aty: f. 107
[xxiv] po aty: f. 108
[xxv] po aty: f. 108
[xxvi] Ilir Ushtelenca, “Diplomacia e Mbretit Zogu I”, Tiranë 1996, f. 333
Në versionin e parë të botimit të këtij libri mungon shtëpia botuese. Unë kam parapëlqyer atë më tepër se botimet e mëpasme, për arsye se më pas pati një konflikt mes autorit dhe familjes Zogu, për vazhdimin e botimit të librit.
[xxvii]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 108
[xxviii]Bernd J. Fischer, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, Botimet “Cabej MCM”, Tiranë 1996, f. 292