Pas përfundimit të afatit të ultimatumit, Zogu, duke e kuptuar se invadimi ishte i pashmangshëm, bëri në pasditen e 6 prillit një përpjekje tjetër diplomatike që të minimizonte pasojat, duke pranuar ardhjen dhe dislokimin e ushtrisë italiane në Shqipëri, në këmbim të ruajtjes sa të ishte e mundur më tepër të aspektit formal të sovranitetit dhe pavarësisë së vendit. Mbi këtë përpjekje të Zogut, Jacomoni shkruan:
Atë pasdite erdhën tek unë ministri i Jashtëm, Libohova dhe Mehdi bej Frashëri: ky i fundit kishte pasë qenë në të kaluarën kryeministër dhe gëzonte një autoritet të madh në vend. Më dhanë këtë deklaratë për t’ ia komunikuar Romës:
Qeveria shqiptare i përmbahet kundërpropozimeve që u dërguan dje, në mbrëmje, nga ne, por pranon përfundimin e një konvente të natyrës ushtarake në të cilën të përcaktohen kushtet që do të pranonte qeveria për zbarkimin e trupave italiane. Do të ishte dëshira e qeverisë shqiptare që të procedohet me përfundimin e kësaj marrëveshjeje, mundësisht me gjeneralin Pariani. Pa këtë, një zbarkim i trupave do të quhej nga Shqipëria një akt i armatosur armiqësor.[i]
Zogu u bëri me dije kështu italianëve se Shqipëria do ta konsideronte veten si në gjendje lufte me Italinë, në rast se trupat italiane do të zbarkonin në bregdetin shqiptar. Në gjuhën diplomatike, kur një vend paralajmëron një vend tjetër, se ardhja e trupave të vendit tjetër, në territorin e vendit të parë, do të konsiderohet akt i armatosur armiqësor, kjo do të thotë se bëhet paralajmërimi që, nga momenti i zbarkimit të trupave, të dy vendet do të jenë në gjendje lufte. Deklarata e qeverisë shqiptare, është e ngjashme me atë me të cilën Britania e Madhe hyri në luftë me Gjermaninë, pak muaj më pas, në shtator 1939. Në 3 shtator 1939, Britania e Madhe nuk i shpalli luftë Gjermanisë, por thjesht konfirmoi se midis dy vendeve tashmë ekzistonte gjendja e luftës, pasiqë Gjermania kishte mësyrë Poloninë, së cilës Britania e Madhe i kishte dhënë një garanci ushtarake para disa muajsh. Në 1 shtator, ambasadori britanik në Berlin i kërkoi qeverisë gjermane që të ndërpriste sulmin ndaj Polonisë. Në 3 shtator 1939, në orën 12. 06 të mesditës, kryeministri britanik Chamberlain, deklaroi në parlamentin britanik:
Ne kemi qenë në këshillim të vazhdueshëm gjatë krejt ditës së djeshme me qeverinë franceze dhe ne e ndjemë se intensifikimi i veprimeve që gjermanët ishin duke ndërmarrë kundër Polonisë, nuk lejonte vonesa të mëtejshme në qartësimin e qëndrimit tonë. Në pajtim me këtë ne vendosëm që t’ i dërgojmë ambasadorit tonë në Berlin udhëzime mbi një deklaratë që ai duhet ta dorëzonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin, në orën 9ºº të kësaj dite, dhe që kishte këtë përmbajtje: “Zotëri, në komunikimin që unë pata nderin të bëj me ju në 1 shtator, unë iu bëra me dije ju, sipas udhëzimit të Sekretarit të Punëve të Jashtme të Madhërisë së Tij, se, nëse qeveria gjermane nuk ishte e përgatitur që t’ i jepte qeverisë së Madhërisë së Tij në Britaninë e Madhe, sigurime të kënaqshme se qeveria gjermane ka pezulluar të gjithë veprimet agresive kundër Polonisë, dhe nëse nuk ishte e përgatitur që të tërhiqte saora forcat e saj nga territori polak, Qeveria e Madhërisë së Tij në Britaninë e Madhe do të përmbushte, pa ngurim, detyrimet e saj ndaj Polonisë.
Ndonëse ky komunikim është bërë mëse 24 orë më parë, nuk kemi marrë asnjë përgjigje, dhe sulmet gjermane ndaj Polonisë kanë vazhduar, madje janë intensifikuar. Prandaj, unë kam nderin që t’ u informoj juve se në rast se jo më vonë se ora 11ºº e ditës së sotme, sipas orës britanike të stinës së verës, të ditës së sotme, 3 shtator, nuk janë dhënë sigurime të kënaqshme nga ana e qeverisë gjermane, dhe të kenë arritur qeverinë e Madhërisë së Tij, një gjendje lufte do të ekzistojë mes dy vendeve që nga kjo orë”.
Kjo ishte nota përfundimtare. Asnjë veprim nuk është bërë nga pala gjermane në kohën e përcaktuar, kështu që ky vend është në gjendje lufte me Gjermaninë.[ii]
Deklarata shqiptare është shumë më e prerë se deklarata britanike. Derisa deklarata britanike kërkonte ndërprerjen e sulmit gjerman ndaj Polonisë, dhe tërheqjen e trupave gjermane nga territoret polake, që kishin zënë deri në ato momente, dhe jepte një afat për këtë, deklarata shqiptare përcaktonte se midis dy vendeve do të fillonte gjendja e luftës që në momentin që trupat italiane hynin në territorin shqiptar. Deklarata që ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Libohova, i bëri zyrtarisht ministrit italian në Tiranë, në emër të Mbretit, është e një rëndësie madhore historike, se tregon që Shqipëria i ka shpallur luftë Italisë në prill 1939. Këtu nuk ka rëndësi fakti se ministri shqiptar në Romë, i cili tashmë kishte dhënë dorëheqjen, nuk u udhëzua nga qeveria shqiptare që të paraqitej në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe të deklaronte se midis dy vendeve tashmë ekzistonte gjendja e luftës. As ambasadori britanik në Berlin nuk e bëri një gjë të tillë pas deklaratës së Chamberlain në parlamentin britanik në 3 shtator. Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë shqiptare, të përmendur më lart, kur trupat italiane zbarkuan në territorin shqiptar në mëngjesin e 7 prillit, mes dy vendeve filloi gjendja e luftës.
Fakti që Shqipëria i ka shpallur luftë Italisë në prill 1939, e bën të pavlefshme deklaratën e luftës që qeveria dhe parlamenti shqiptar i kohës së pushtimit bënë ndaj Greqisë në vitin 1940. Derisa midis Shqipërisë dhe Italisë ekzistonte gjendja e luftës e shpallur nga qeveria e legjitime shqiptare, e njohur ndërkombëtarisht, dhe që drejtonte vendin që ishte anëtar i Lidhjes së Kombeve, atëherë, çdo vendim i qeverisë dhe parlamentit që tashmë e kishin nxjerrë vendin nga Lidhja e Kombeve, nuk kishte vlerë më tepër se aktet e qeverisë që krijuan gjermanët në Athinë, pas pushtimit të Greqisë. Enver Hoxha nuk deshi që ta njihte faktin se Shqipëria i pati shpallur luftë Italisë në 1939, se nuk donte që t’ i jepte kredit historik Zogut. Mussolini, e perceptoi saktë rëndësinë e deklaratës shqiptare, se ai iu përgjegj asaj me një veprim luftarak. Ciano shkruan në ditar, në 6 prill:
Duçe, me anë të një telegrami, urdhëron që trupat të hipin në anije, duke rezervuar të drejtën që të japë në mbrëmje urdhërin e nisjes.[iii]
Kur do të fillonte aksioni ushtarak, Ciano u bë shumë luftarak, duke kapërcyer madje edhe Mussolinin, i cili në këto raste gjithëherë kërkonte që të krijonte përshtypjen se po sillej si një pasardhës i prijësve ushtarakë të Romës së Vjetër. Mbi këtë është domethënës një episod që Ciano e sjell në ditarin e vet, në 6 prill:
Duçe urdhëroi që të fillojë ekspedita, duke rezervuar të drejtën për të bërë publike lajmet mbi përparimin e saj. Sipas sugjerimit tim, ai vendosi që këtë pasdite të kryejmë një demonstrim ajror me 100 aeroplanë mbi Durrës, Tiranë dhe Vlorë.[iv]
Ciano kështu mburret se ai bëri që agresioni ndaj Shqipërisë të nisë një ditë para, me këtë demonstrim të aviacionit ushtarak italian. Kujt kërkon që t’ i mburret Ciano? Mussolinit? Natyrisht se jo. Ciano kërkon që t’ u mburret miqve të vet të Partisë Atlantike të Luftës! Ciano ato ditë ishte më tepër një gjeneral se një diplomat. Si diplomat, Ciano bëri gjithçka që të bindte Mussolinin se reagimi ndërkombëtar ndaj aksionit të pritshëm ushtarak italian në Shqipëri, ishte më i butë, se sa ishte në të vërtetë. Në 6 prill Ciano shkruan në ditar për reagimin e Jugosllavisë:
Reagimi në kryeqytetet e ndryshme, duke përfshirë edhe Beogradin, është i butë. Christic, në anën tjetër, është më i alarmuar, por duke iu përgjigjur një pyetjeje që i bëra unë, deklaroi se është i bindur që çështja shqiptare nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet që lumturisht ekzistojnë midis Romës dhe Beogradit. Ai rekomandoi se asnjë aksion nuk duhet ndërmarrë pa njoftuar më parë Beogradin, dhe se ekzistenca e shtetit shqiptar duhet ruajtur në një farë mënyre, formalisht. Unë e vura në dijeni mbi manovrat që përpiqej të bënte Zogu për të krijuar një krizë midis nesh dhe Beogradit. Gjithashtu i jap sigurimet më të gjera për rrezen e shtrirjes së operacionit tonë dhe për qëllimet tona. Unë pata përshtypjen se e priti gjithçka me një ndjenjë të theksuar nënshtrimi. Duke dalë tha: “Kështu pra, edhe Zogu do të përfundojë si Benes-i”.[v]
Siç shihet, reagimi i Jugosllavisë, e cila e parandjente se pushtimi i Shqipërisë do të krijonte një kryeurë për aksione të reja ushtarake të Boshtit në Ballkan, nuk ishte asfare aq i butë sa ç’ thotë Ciano. Fjalët e fundit të ministrit jugosllav në Romë, në bisedën me Cianon, se edhe Zogu ishte duke përfunduar si Benes, janë shumë domethënëse. Në gjuhë diplomatike, Jugosllavia po i thoshte Italisë, se ajo ishte duke bërë në Shqipëri, atë çka Gjermania kishte bërë ndaj Çekosllovakisë. Nëse Shqipëria do të bëhej “Çekosllovakia” e Ballkanit, atëherë fqinjët e saj, Jugosllavia dhe Greqia, qenë të predestinuara të bëheshin “Polonia” e Ballkanit, kur Polonia tashmë dukej se do të ishte preja e radhës e Hitlerit. Jugosllavia kishte arsye që të shqetësohej nga aksioni ushtarak italian në Shqipëri, se me këtë rast ndodhi edhe një bashkëveprim ushtarak italo-hungarez. Ciano shkruante mbi këtë në ditar, në 5 prill:
Edhe Budapesti reagoi mirë: Villani njoftoi se gjashtë divizione hungareze që tashmë janë mobilizuar, janë të gatshme të shkojnë në kufirin jugosllav, nëse do të jetë e nevojshme që të ushtrohet trysni ndaj serbëve. Hungarezët kërkojnë vetëm që t’ i njoftojmë 48 orë më parë.[vi]
Sigurisht që një lëvizje e tillë trupash në përmasa të mëdha, nuk mund të mos binte në sy të jugosllavëve, aq më tepër kur qëllimi i hungarezëve ishte pikërisht një demonstrim force ushtarake. Hungarezët ishin shumë të dëshiruar për të ndërmarrë veprime kundër Jugosllavisë, ndaj së cilës kishin rivendikime të mëdha tokësore, për trevat me popullsi të madhe hungareze që iu bashkuan shtetit të ri të sllavëve të jugut pas Luftës së Parë Botërore. Çfarëdo sigurimesh që t’ i jepte Ciano ministrit jugosllav në Romë, Jugosllavia nuk mund të besonte se aksioni ushtarak në Shqipëri nuk do të paraprinte agresionin kundër saj. Ciano, duke iu trembur ndonjë tërheqjeje të Mussolinit në momentet e fundit, bën gjithçka për ta qetësuar atë mbi pasojat ndërkombëtare të pushtimit të Shqipërisë. Shënimi i mëposhtëm i Cianos në ditar, në 5 prill, reflekton pikërisht këtë kujdes të tij:
Deri më tash opinioni publik ndërkombëtar është i qetë, aq i qetë saqë unë dyshoj se nuk e kanë konsideruar përplasjen midis nesh dhe Zogut.[vii]
Por gjërat nuk ishin asfare kështu siç thoshte Ciano. Vetë Ciano, në 6 prill do të shkruante në ditar:
Nga zyra telegrafike ne mësojmë se mesazhe të gjata, të koduara janë duke u transmetuar nga Tirana për në Foreign Office britanik. Ne nuk mund t’ i ndalojmë ata. Ndërkaq unë jap urdhëra që ata të vonohen dhe që shumë gabime në grupet e kodeve të përsëriten. Ia vlen që të fitojmë kohë, ndonëse Chamberlain dha në Dhomën e Komuneve një raport të tillë mbi atë çka po ndodh, që është shumë i përshtatshëm për ne, dhe ka deklaruar gjithashtu se Britania e Madhe nuk ka interesa të veçanta në Shqipëri.[viii]
Deklarata e Chamberlain, e shkëputur nga konteksti, keqkuptohej dhe ky me sa duket ishte synimi i Cianos. Chamberlain, i tha këto fjalë të shumëpërmendura më vonë, në vazhdim të interpelancës së tij në parlament, në 6 prill. Chamberlain u pyet nga anëtari i parlamentit, Bellenger. Ky i fundit e pyeti kryeministrin britanik:
Në lidhje me deklaratat se qeveria britanike është duke ndjekur nga afër ngjarjet, a mund të pyes nëse qeveria britanike ka ndonjë interes në Shqipëri?
Kryeministri britanik u përgjigj:
Jo interes direkt, por një interes të përgjithshëm për ruajtjen e paqes në botë.[ix]
Natyrisht se kryeministri britanik nuk mund të thoshte se Britania e Madhe kishte interesa të posaçme në Shqipëri. Nëse Chamberlain do të kishte thënë kështu, atëherë po që deklarata do të kishte qenë një gabim i rëndë diplomatik dhe do të ishte përdorur nga Mussolini si alibi për agresionin ndaj Shqipërisë, dhe si provë që Italia ta akuzonte Britaninë e Madhe se kishte vepruar në keqbesim, kur kishte vënë klauzolën e aneksit të dytë të Akordit Italo-Britanik të vitit 1938, për këshillimet mes dy vendeve mbi lëvizjet ushtarake në lindje të meridianit 19º. Chamberlain ishte i detyruar që të tregohej i kujdesshëm me Italinë në interpelancën e 6 prillit, se pikërisht atë ditë, në London u arrit marrëveshja mes Britanisë së Madhe dhe Polonisë për traktatin e aleancës mes dy vendeve. Derisa kjo marrëveshje paralajmëronte armiqësimin e Britanisë së Madhe me Gjermaninë, Chamberlain nuk mund t’ i lejonte vetes që të armiqësohej edhe me Italinë. Por sjellja diskrete e Chamberlain ndaj Mussolinit u eksploitua nga Partia Atlantike e Luftës për të zbatuar agjendën e saj të zgjerimit të luftës në Ballkan. Pikërisht në 6 prill, Sir Orme Sargent, asistent nënsekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme britanike, dhe një nga njerëzit më me influencë për politikën britanike në Mesdhe, sugjeronte që në lidhje me krizën italo-shqiptare, të kihej kujdes që:
Nëse është e mundur ne nuk duhet të lejojmë që kjo çështje krahasimisht të një rëndësie të vogël, të dëmtojë perspektivën e shkëputjes së Italisë nga Boshti, të krijimit të një detante franko-italiane, si dhe të tërheqjes të trupave italiane nga Spanja- të gjitha çështje të një rëndësie më të madhe se ajo shqiptare, sado për të ardhur keq dhe shqetësuese që ajo mund të jetë. Me një fjalë ne nuk mund të mbahemi në frontin shqiptar.[x]
Kjo ishte qartësisht logjika e Partisë Atlantike të Luftës, e cila donte që Italia të invadonte Shqipërinë dhe ta shndërronte atë në një bazë për agresione të reja në Ballkan, duke u flijuar kështu Shqipëria në altarin e balancës së fuqisë. Për Partinë Atlantike të Luftës, angazhimi britanik në krizën italo-shqiptare duhet të ekzistonte vetëm sa i përkiste interesit të Londonit që Roma të bindej se marrja e Shqipërisë kishte qenë tekefundit një koncesion britanik. Por, derisa marrja nën kontroll e Shqipërisë nga ana e Italisë, me një numër të pakufizuar trupash, pajtohej për mrekulli me agjendën e Partisë Atlantike të Luftës, Chamberlain e ndjente se një zhvillim i tillë do të minonte krejt strategjinë britanike të krijimit të frontit nga Balltiku në Mesdhe. Chamberlain donte që t’ i jepte të kuptonte Mussolinit se invazioni i pakufizuar i Shqipërisë ishte i papranueshëm për Britaninë e Madhe. Këtë nënkuptim kishin fjalët e Chamberlain, i cili tha në 6 prill:
Unë pikërisht tash mësova se një kryqëzor italian dhe dy anije të vogla arritën në Durrës, sot në mëngjes herët. Unë nuk kam marrë ende një raport të detajuar të pikëpamjes së qeverisë shqiptare për këtë çështje, por mua tashmë më është bërë me dije nga qeveria shqiptare se ajo mohon çdo të dhënë se Shqipëria ka pranuar kushte të papajtueshme me sovranitetin dhe integritetin nacional. Ministri britanik në Shqipëri ka raportuar se gjithçka është e qetë, deri në orën 8. 25 të mëngjesit të sotëm. Qeveria britanike sigurisht që është duke i ndjekur nga afër zhvillimet.[xi]
Por Chamberlain, pasi tha këto fjalë, ndonëse kishte një krizë në meridianin 19º, të shenjuar nga Britania e Madhe si një vijë e kuqe gjeostrategjike, u nis megjithatë për një pushim dhjetëditor në Skoci, pikërisht në pasditen e 6 prillit. Derisa në London, qeveria britanike qartësisht nuk shikonte situatë krize akute ndërkombëtare, në Tiranë, pak milje në lindje të meridianit 19º, Legata italiane po zbatonte manualin e pragfillimit të luftës. Ciano shkruan në ditar, në 6 prill:
Ora 19.
Jacomoni më telegrafoi për të më thënë se ai është duke djegur kodin sekret, se ai u ka thënë oficerëve të misionit ushtarak detar që të largohen, dhe se krejt personeli i Legatës do të shkojë në një nëndetëse që është në Durrës.[xii]
Djegia e kodeve sekrete të komunikimit, ishte veprimi rutinë që bënte përfaqësia diplomatike e një vendi, kur dy vendet ishin duke shkuar drejt gjendjes së luftës. Kështu, nuk kishte rrezik që kodet sekrete të komunikimit të binin në duart e armikut. Në mbrëmjen e 6 prillit, Mussolini dha urdhrin e fillimit të veprimeve luftarake. Ciano shkruan në ditar, në 6 prill:
Duçe përsëriti urdhërin për sulm, duke saktësuar që forcat detare duhet që të kursejnë qytetet dhe popullsinë civile.[xiii]
Mussolini e kishte fjalën që artileria e kalibrit të madh të luftanijeve italiane nuk duhet që të bombardonte qytetet dhe fshatrat bregdetare shqiptare, kur të fillonin luftimet. Por kuptohet se kjo do të ndodhte në rastin kur qëndresa shqiptare do të thyhej shpejt. Në rastin kur qëndresa do të ishte shumë e fuqishme dhe zbarkimi do të dështonte, Mussolini nuk do të tërhiqej para bombardimit të qyteteve bregdetare shqiptare dhe qyteteve në thellësi të prapatokës, jo vetëm nga artileria e anijeve, por edhe nga aviacioni ushtarak. Mussolini kishte qenë një kritik i rreptë i mënyrës sesi qeveria dhe autoritetet ushtarake, në 1920, kishin reaguar ndaj kryengritjes shqiptare kundër italianëve në Vlorë dhe në territorin përreth saj. Atëherë, Italia nuk mori masa ndëshkimore të ashpra, nuk përdori taktikën e tokës së djegur, duke lejuar kështu që kryengritja të zgjerohej dhe të triumfonte. Mussolini, i cili atëherë e kishte quajtur humbjen në Vlorë më të hidhur se disfatën e Caporetto-s (humbjen më të madhe ushtarake italiane në Luftën e Parë Botërore) nuk do të lejonte që të përsëritej historia. Nëse qëndresa shqiptare do të bëhej problematike për italianët, krejt bregdeti shqiptar, deri në Tiranë, do të bëhej tokë e djegur. Është domethënëse se edhe vetë Stalini, idhulli i komunistëve shqiptarë, të cilët më pas do ta qortonin me të madhe Zogun për largimin nga Shqipëria pas fillimit të agresionit fashist, në një mesazh që u dërgoi në 22 gusht Presidentit amerikan Roosevelt dhe kryeministrit britanik Churchill, do ta quante krim kryengritjen e Varshavës të korrikut 1944 kundër gjermanëve, dhe do të refuzonte si aventuroze kërkesat që i bënë dy aleatët e tij të mëdhenj për t’ i ndihmuar kryengritësit:
Besoj se, herët a vonë, e vërteta mbi një grusht kriminelësh që, për hir të marrjes së pushtetit guxuan të merrnin përsipër aventurën e Varshavës, do të bëhet e njohur botërisht. Këta njerëz, keqpërdorën besimin e popullit të Varshavës, duke hedhur në duart e gjermanëve, në mes të armëve, tankeve, dhe sulmeve të tyre ajrore, shumë njerëz gati-gati të paarmatosur. Rrethanat në fjalë krijuan një gjendje të përshtatshme që forcat hitleriane të ndërmerrnin një fushatë tërësore dhe të asgjësonin qytetin e Varshavës, ndërkohë që nevoja dhe gjendja nuk u krijua në favor të polakëve, që ata të përmbushnin detyrën e tyre të lartë, çlirimin e Varshavës.[xiv]
Unë mendoj se, pas të gjitha gjasave, me këtë gjuhë do të kishte folur Enver Hoxha më pas, nëse Zogu do të kishte bërë një qëndresë të fortë në prill 1939, duke rreshtuar përballë italianëve dhjetëra mijëra shqiptarë të mobilizuar. Në mbrëmjen e 6 prillit Mbreti Zog iu adresoi shqiptarëve një kumt me anë të Radio Tiranës, ku pohoi se vendi gjendej në prag të një agresioni italian dhe premtoi se do të bënte qëndresë. Po në mbrëmjen e 6 prillit, Zogu I dërgoi Mussolinit një telegram, në të cilin i thoshte:
Kam bindjen se parashtresa e qeverisë sonë është e frymëzuar nga dëshira më e sinqertë dhe më e ndershme për të mbërritur një një bashkëpunim të plotë. Kërkoj nga Shkëlqesia Juaj, që në emër të miqësisë që na bashkon prej trembëdhjetë vitesh, të mos e vini Shqipërinë para një shtrëngese kaq të rëndë, që zemra juaj bujare nuk do të donte t’ ia shkaktonte dhe prandaj ju propozoj që të urdhëronit shqyrtimin e një marrëveshjeje ushtarake, që do ta zgjidhte mosmarrëveshjen.[xv]
Zogu kërkonte përsëri që Mussolini të pranonte versionin shqiptar të projekt-marrëveshjes dhe të të rifillonin negociatat për një marrëveshje ushtarake. Të gjitha këto orvatje të përsëritura të Zogut tregojnë se ai ende kishte një farë shprese se Mussolini nuk ishte krejt i vendosur për ta pushtuar Shqipërinë dhe se po luante bluff-in për ta bërë atë, Zogun, që të nënshtrohej, dhe në momentet e fundit të pranonte projekt-marrëveshjen ashtu siç i ishte paraqitur në mënyrë ultimative. Por situata po shkallëzohej. Në mbrëmjen e 6 prillit, Legata italiane në Tiranë, mori urdhër që praktikisht të ndërpriste funksionimin e saj diplomatik. Jacomoni shkruan mbi këtë:
Në mbrëmjen e 6 prillit mbërriti nga Roma, në përgjigje të telegramit që bënte fjalë për bisedën time të fundit me mbretin, ky komunikim: Anijet për me ju marrë do të jenë në Durrës dhe në portet e tjera në orën 4: 30. Zbarkimi do të fillojë menjëherë. Nëse Zogu do të ndryshojë, ndërkaq, vendimet e tij, dhe do të pranojë kërkesat tona, do të bëjmë komunikimet e përshtatshme radiotelegrafike në Komandën e Trupit të Ekspeditës.[xvi]
Kështu, atributet e ministrit italian në Tiranë, që prej këtij momenti i kalonin komandantit të forcave ushtarake të zbarkimit, Gjeneralit Guzzoni, ndërsa Legata italiane në Tiranë do të bënte thjesht zyrën telegrafike mes qeverisë shqiptare dhe shtabit të ekspeditës ushtarake, nëpërmjet Romës. Ky ishte një trill i Mussolinit, i denjë për antologjitë e kureshtive të diplomacisë ndërkombëtare dhe që duhet t’ i ketë shkaktuar një ndjenjë argëtimi të hidhur Jacomonit, këtij diplomati të dalë nga shkolla e vjetër parafashiste. Zogu, i cili nuk e dinte këtë gjë, bëri një tjetër përpjekje diplomatike pranë Jacomonit, në mesnatën e 6 prillit, mbi bazën e ofertës së tij të fundit, ashtu që të legalizohej pushtimi, në këmbim të pranimit të versionit shqiptar të projekt-traktatit, me terma të moderuara. Jacomoni shkruan mbi këtë:
Andej nga mesi i natës erdhi prapë tek unë ministri i Jashtëm, Libohova. I vënë në dijeni për zbarkimin e pritshëm e të shpejtë të forcave të armatosura italiane në Durrës, ai vinte nga ana e mbretit për të propozuar një marrëveshje ushtarake që do të jetë gati të nesërmen, për të përligjur praninë e forcave tona të armatosura në Shqipëri dhe për të shmangur një gjakderdhje të kotë. Pas kësaj marrëveshjeje, mund të zbarkojë kontigjenti i parë i trupave. Si paradhënie për marrëveshjen ushtarake, mbreti Zog kërkonte pranimin nga ana jonë të kundërpropozimeve shqiptare.[xvii]
Jacomoni, të cilit i qenë pezulluar atributet prej diplomati, thjesht ia komunikoi ofertën shqiptare Romës. Jacomoni na bën me dije përgjigjen e Romës:
Menjëherë erdhi përgjigjia e Ministrisë. Në atë thuhej: “Nëse qeveria shqiptare ka për të thënë diçka, le t’ ia përcjellë komandantit të trupave, para se të bëhet zbarkimi. Komandanti i trupave do t’ ia komunikojë Romës”.[xviii]
Kështu, orvatja diplomatike e Zogut shërbeu vetëm që ky i fundit të mësonte se tashmë interlokutori diplomatik i tij ishte komandanti i ekspeditës ushtarake italiane, Gjenerali Guzzoni dhe se detyra e Legatës italiane në Tiranë kufizohej vetëm në sigurimin e komunikimit mes qeverisë shqiptare dhe shtabit të Gjeneralit Guzzoni. Në rrethanat e reja, Zogu bëri një orvatje të re negociuese, e cila dukej se më tepër shprehte reagimin e tij për inerci ndaj rrethanave të krijuara. Ciano shkruan, duke folur për natën e 6-7 prillit:
Arriti një propozim i fundit shqiptar. Ata duan që të bisedojnë me Pariani-n. Kjo nuk është e mundur se për më tepër Pariani ndodhet në Gjermani. Unë u përgjigjem se në çdo rast le të dërgojnë një të plotfuqishëm tek Guzzoni.[xix]
Kërkimi si interlokutor i Parianit, nga ana e Zogut, ishte një lëvizje e dëshpëruar patetike. Pariani ishte ushtarak dhe ai ai nuk mund të devijonte nga vendim-marrja politike.
[i] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 109
[ii] House of Commons Debate, 3 September 1939, vol. 351, cc. 391-392
[iii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 64
[iv] po aty: p. 64
[v] po aty: p. 64
[vi] po aty: p. 63
[vii] po aty: p. 63
[viii] po aty: p. 64
[ix] House of Commons Debate, 6 April 1939, vol 345, c. 2995
[x] Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 438
[xi] po aty: p. 438
[xii]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 64
[xiii] po aty: p. 64
[xiv]“I dashur Stalin: letërkëmbimi i plotë i Franklin D. Ruzveltit dhe Josif V. Stalinit”, Shtëpia botuese “Max”, Tiranë 2006, f. 348-349
[xv]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 113
[xvi] po aty: f. 111
[xvii] po aty: f. 111
[xviii] po aty: f. 112
[xix]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 65





