Sa më tepër që bëhej e qartë se Italia nuk do të nënshkruante me Shqipërinë një traktat që e bënte këtë vend protektorat, duke vendosur atje një numër të kufizuar trupash, por do ta pushtonte Shqipërinë, duke dislokuar atje sa trupa të donte, aq më shumë rritej shqetësimi në vendet fqinje të Shqipërisë, në Athinë dhe në Beograd. Athina ishte duke përjetuar një realitet gjeostrategjik të ankthshëm tashmë që përparimi i Gjermanisë në kufijtë e Ballkanit kishte inkurajuar vendin fqinj armik, Bullgarinë, çka bënte që Greqia t’ i ekspozohej një rreziku mbytës në trajtë morse, njëra anë e së cilës ishte Italia në jug, e cila zotëronte Dymbëdhjetë Ishujt në Egje, me qendër Rhodos-in, dhe ana tjetër ishte Bullgaria në veri. Me pushtimin italian të Shqipërisë, Greqia rrezikohej edhe nga veriperëndimi, si dhe i ekspozohej rrezikut nga prapatoka edhe bregdeti i saj jonian dhe Korfuzi. Por Athina druhej që të reagonte fort ndaj pushtimit të Shqipërisë, se trembej se kjo do të shkaktonte një sulm italo-bullgar ndaj Greqisë. Jugosllavia përjetonte një situatë të ngjashme me Greqinë, madje edhe më të keqe, se ajo ndante një kufi të drejtpërdrejtë tokësor me Italinë dhe Gjermaninë në veri, si dhe kufizohej me Bullgarinë, me të cilën kishte të njëjtat probleme si Greqia, por edhe me Hungarinë, që ishte edhe më tepër armiqësore. Pushtimi i pritshëm i Shqipërisë nga Italia kishte krijuar për Beogradin dhe Athinën një “nyje gordiane” gjeostrategjike, e cila ishte duke ngushtuar lakun në fytin e tyre. Derisa Greqia zgjodhi që të ishte gjakftohtë me nyjen që po i shtrëngonte fytin, Beogradi në mbrëmjen e vonë të 6 prillit, bëri një orvatje diplomatike në Romë, për ta prerë “nyjen gordiane”. Ciano shkruan se në mbrëmjen e 6 prillit, ministri jugosllav në Romë, Bozko Krstiç, i kërkoi një takim të dytë brenda ditës:
Christic kërkon një takim tjetër. Duket se ai kërkon që të më kumtojë diçka të ngutshme dhe serioze. Unë kam frikë se është fjala për një ndryshim në politikën e Jugosllavisë.[i]
Ciano këtu kishte frikë se mos Jugosllavia do t’ i bëjë me dije mbi atë çka i trembej Roma më së shumti në kohën e invadimit, pra se, me rastin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Jugosllavia, në pajtim me principin ndërkombëtar të kompensimit, që vepronte në raste të tilla në gjeopolitikë, do të pushtonte një pjesë të Shqipërisë së Veriut, ashtu siç ishin marrë vesh në janar Ciano dhe Stojadinovic. Ky pritej të ishte takimi më i vështirë i një dite të ngarkuar diplomatike, një takim që vinte pikërisht në kohën kur Ciano ishte nisur që të shkonte të çlodhej pak, se të nesërmen do të çohej herët për të marrë pjesë në fushatën ushtarake, të cilën e kërkonte që prej dy vjetësh:
Unë jam i lodhur dhe nuk ndjehem mirë. Mua do të më pëlqente që të pushoja veçanërisht se nesër do të kryej një fluturim për të vëzhguar zbarkimin e trupave tona. Por s’ kam ç’ bëj.[ii]
Shefi i kabinetit të Cianos, dhe miku i tij, Filipo Anfuso (Anfuzo), mbajti shënime gjatë bisedës Ciano-Krstic:
Në orën 23ºº, ministri jugosllav kërkoi të takojë Shkëlqesinë e Tij, Kontin Ciano, të cilit ai i bëri një komunikim urgjent mbi çështjen e konfliktit italo-shqiptar, të cilin Shkëlqesia e Tij, Konti Ciano, e përmblodhi në katër pikat e mëposhtme:
1. Z. Christic e pyeti Shkëlqesinë e Tij, Kontin Ciano, se cili ishte qëllimi i pushtimit të Shqipërisë dhe qëllimi i qeverisë italiane.
Shkëlqesia e tij, Konti Ciano, u përgjegj se ishte që të pushtonim saora katër portet shqiptare dhe nga kjo bazë të fillonim një operacion të shkallëzuar spastrimi, i cili do të kushtëzohej nga konsiderata të natyrës së përgjithshme, që do t’ i paraqiteshin Komandës ushtarake italiane nga qëndrimi i qeverisë shqiptare, dhe mbi të gjitha nga nevoja për të ruajtur jetën dhe interesat e italianëve në Shqipëri. Konti Ciano shtoi se në shpalljen e cila iu ishte shpërndarë shqiptarëve ishte theksuar veçanërisht që pushtimi nga trupat tonë ishte i përkohshëm dhe se kishte si qëllim parësor rivendosjen e paqes dhe rendit në Shqipëri.[iii]
Pyetjet e Krstiç reflektonin debatin e madh që po zhvillohej në Beograd , në qendrat e vendim-marrjes, me rastin e invadimit të pritshëm të Shqipërisë nga Italia, si dhe qortimet që i bëheshin qeverisë jugosllave, posaçërisht nga ushtarakët, për qëndrimin pasiv ndaj pushtimit të Shqipërisë. Ndonëse në Beograd, tashmë që Gjermania u bë fqinjë e Jugosllavisë me aneksimin e Austrisë, ndiqnin një politikë paqësimi ndaj Gjermanisë dhe partneres së saj të Boshtit, për të shmangur një agresion të Boshtit ndaj Jugosllavisë, përsëri pushtimi i Shqipërisë përbënte një zhvillim shumë të rrezikshëm për Beogradin, që e përkeqësonte shumë pozitën gjeostrategjike të Jugosllavisë, saqë për të nuk mund të mos reagohej. Ciano, në përgjigjen e tij për Krstiç i paraqiti gjërat sikur Italia me aksionin e saj ushtarak në Shqipëri, do të qëndronte brenda limiteve të vendimit të Këshillit të Lidhjes së Kombeve të vitit 1921. Derisa Ciano ishte në gjendje që t’ i përgjigjej gjerësisht pyetjes së parë, duke mos thënë kurrgjë, pyetja e dytë e Krstiç ishte e tillë që Ciano thjesht nuk mund t’ i përgjigjej as në stilin demagogjik të përgjigjes së tij të parë:
Në përgjigje të pyetjes së Christic se cilët do të ishin kufijtë e Shqipërisë, dhe për limitet e shtrirjes së kahjeve të pushtimit, Konti Ciano tha se ai nuk mund të jepte përgjigje.[iv]
Pyetja e Krstiç për kufijtë tregonte se në Beograd dyshonin që Italia synonte të aneksonte një pjesë të territorit të Shqipërisë, ashtu siç kishte bërë në përfundim të Luftës së Parë Botërore, sipas së drejtës që i kishte dhënë Traktati i Londonit, i vitit 1915, që të aneksonte një pjesë të bregdetit shqiptar dhe të mbante si protektorat shtetin shqiptar të mbetur. Nëse përgjigjia e Cianos do të ishte se Italia do të aneksonte një pjesë të territorit të Shqipërisë, atëherë me siguri që Krstiç kishte udhëzim t’ i thoshte se në këtë rast Jugosllavia kërkonte kompensim, ashtu siç i kishte dhënë Traktati i Londonit Serbisë. Pyetja e tretë e Krstiç tregonte se në Beograd qenë shumë të pakënaqur që Italia, duke përfituar nga situata ndërkombëtare, kërkonte që ta shpërfillte Jugosllavinë kur ishte fjala për ndërhyrjen në Shqipëri:
Z. Christic pastaj pyeti se mbi ç’ bazë qeveria italiane ishte e përgatitur që të arrinte një marrëveshje me Jugosllavinë mbi pushtimin.
Konti Ciano u përgjegj se ai do të ishte shumë i kënaqur që të takohej me Cincar- Markoviç (Ministrin jugosllav të Punëve të Jashtme) për të diskutuar këtë çështje dhe premtoi që ta trajtonte këtë problem me të.[v]
Pyetja e diplomatit jugosllav tregonte se Jugosllavia priste që Italia t’ i jepte kompensim asaj për aksionin ushtarak që po ndërmerrte në Shqipëri. Ciano iu shmang përgjigjes, kinse duke bërë një koncesion, se këtë çështje do ta diskutonte me homologun e tij jugosllav. Por, kur të ndodhte ky takim, dhe ai nuk mund të ndodhte para se të përfundonte pushtimi i Shqipërisë, Jugosllavia do të ishte vënë tashmë para faktit të kryer, se Italia do ta kishte pushtuar krejt Shqipërinë. Ciano, duke e ndjerë se ministri jugosllav do të dilte nga zyra e tij me më tepër dyshime se sa kur hyri, u mundua që ta siguronte se në Shqipëri nuk do të kishte ndryshime thelbësore:
Konti Ciano ishte në ankth që ta siguronte ministrin, z. Christic se formula e adoptuar nga Italia për aksionin e saj të tashëm në Shqipëri ishte e frymëzuar nga respekti për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë, ndërsa forma e qeverisjes që do të kishte Shqipëria, do të ishte një shprehje e vullnetit të popullit.[vi]
Por ajo çka duket se nuk e kuptonte Ciano, ose bënte sikur nuk e kuptonte, ishte se Beogradit nuk i interesonte forma e ndryshimeve, por thelbi i tyre. Beogradi parashikonte se thelbi i ndryshimeve do të ishte se Shqipëria praktikisht do të aneksohej nga Italia, e cila do të ishte në gjendje që të dislokonte në Shqipëri një numër të pakufizuar trupash. Jugosllavia, e gjendur e rrethuar, vërtet druhej që të ndërmerrte një aksion ushtarak në Shqipëri, por nuk mund të kënaqej thjesht duke dëgjuar se përmbyllja e rrethimit të saj, me pushtimin e Shqipërisë nuk kishte si qëllim që ta mbyste atë. Prandaj, Beogradi e kishte ngarkuar ministrin e vet në Romë që të bënte një orvatje për t’ u marrë vesh për një kompensim të Jugosllavisë në Shqipëri, me rastin e pushtimit:
Z. Christic bëri një pyetje tjetër, këtë herë personale, duke dashur që të dijë se cili do të ishte qëndrimi i Italisë në rast të pushtimit të disa pikave të kufirit, nga ana e Jugosllavisë.
Konti Ciano deklaroi se ai nuk mund t’ i përgjigjej kësaj pyetjeje, e cila prekte krejt problemin e pushtimit ushtarak, që ishte rreptësisht i formësuar nga zhvillimi i ngjarjeve.[vii]
Mënyra e druajtur se si po bëhej orvatja jugosllave, duke u shtirur Krstiç sikur kjo ishte ideja e tij, tregonte për frikën e madhe që kishin në Beograd se mos një konflikt me Italinë për Shqipërinë, shkaktonte një agresion të Boshtit kundër Jugosllavisë. Regjenti Pavël (ai sundonte Jugosllavinë në emër të nipit të tij, mbretit të mitur), në bisedën me Cianon, në Beograd, në janar 1939, e kishte pëlqyer idenë e ndarjes së Shqipërisë mes Italisë dhe Jugosllavisë, për të cilën qenë marrë vesh në përgjithësi, Ciano dhe kryeministri jugosllav, Stojadinovic, por kishte shprehur dyshime, të cilat pavarësisht nga mënyra se si u shprehën, duket se kishin të bënin me shqetësimin e tij se kështu Jugosllavia do të shkonte më afër Boshtit. Regjenti Pavel do ta pranonte afrimin me Boshtin vetëm pas rënies së Francës, për çka u rrëzua edhe ai vetë me një grusht shteti. Derisa Regjenti Pavel kishte shprehur dyshimin për realizimin e kësaj ideje në janar, kur supozohej që ajo të bëhej në bashkëpunim me Italinë, ai nuk mund të mos e quante edhe më të rrezikshme që Jugosllavia të pushtonte territore të Shqipërisë, kundër dëshirës së Italisë, në prill, në këtë situatë ndërkombëtare. Prej këtej karakteri aq shumë diskret i orvatjes jugosllave në Romë, në mbrëmjen e 6 prillit. Për Regjentin Pavel më e mira do të ishte që Shqipëria të mbetej në gjendjen e tashme, deri kur do të krijohej një situatë e favorshme që Jugosllavia të përmbushte aspiratat e vjetra ndaj saj, për ta ndarë me Greqinë, jo me Italinë. Por ushtarakët në Beograd me sa duket bënin presion të madh që Jugosllavia të kërkonte që të kompensohej për pushtimin e Shqipërisë nga Italia, duke marrë territore në pjesën veriore të Shqipërisë. Gjithsesi, mënyra se si u bë pyetja, e inkurajoi Cianon që t’ i shmangej përgjigjes duke e shtyrë diskutimin e kësaj çështjeje për periudhën pas aksionit ushtarak. Por, Krstiç, gjithsesi kishte udhëzime të qarta që t’ i bënte me dije Cianos se Jugosllavia ishte shumë e interesuar për atë që po ndodhte me Shqipërinë dhe ndjehej tepër e prekur nga zhvillimet e reja atje. Sipas transkriptit të bisedës:
Konti Ciano tha se Christic, i cili derisa bënte këtë komunikim, shfaqej dukshëm i depresuar, u kujdes veçanërisht që t’ i bënte me dije atij se opinioni jugosllav ishte diçka i tensionuar nga zhvillimet, kursin e të cilave ai po e ndiqte gjallërisht, me kujdes.[viii]
Në ditar, Ciano i paraqet gjërat sikur ministri jugosllav u soll shumë më butë nga çka del prej transkriptit të bisedës, dhe këtë qartësisht e bën se kërkon që të mos e alarmojë Mussolinin. Ciano shkruan në ditar për takimin me ministrin jugosllav:
Në vend të kësaj ishte çështje kërkesash të reja për qartësim dhe për më shumë detaje rreth operacionit tonë dhe programit tonë të ardhshëm. Unë tunda degën e ullirit. Christic vetë, kur i telefonoi Beogradit, u tregua i kënaqur me ato që i pata thënë unë.[ix]
Gjërat nuk shkuan kështu megjithatë. Duket se Ciano në ditar ka shënuar versionin e bisedës që i bëri me dije Mussolinit dhe jo atë të vërtetë. Ciano po rrezikonte shumë. Në rast se Jugosllavia, ndoshta edhe në bashkëveprim me Greqinë, do të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, me rastin e invadimit italian, duke e vënë Italinë para faktit të kryer, zemërimi i Mussolinit do të binte mbi Cianon, si fajtor për situatën e ndërlikuar në të cilën do të gjendje Italia. Sipas një dëshmie që na sjell Curzio Malaparte, nga një bisedë në Romë, në nëntor 1942, në barin e Klubit të Golfit Acquasanto, Filipo Anfuso, njeriu që mbajti shënimet për bisedën e Cianos me ministrin jugosllav, do të thoshte më pas, se Mussolini e ruante Cianon pikërisht për ta bërë caper expiatorius:
-Dua të di,- tha Anfuzoja,- kujt do t’ ia hidhte fajin Musolini, po qe se lufta s’ do të shkonte mbarë.
-Popullit italian.
-Jo. Musolini nuk ua hedh fajin shumë kokëve. Atij i duhet një kokë e vetme. Një nga ato kokë që janë bërë me qëllim për këto gjëra. Do t’ ia hidhte fajin Galeacos. Përndryshe... përse do të shërbente Galeacoja? Musolini e ruan atë për këtë qëllim. Vështroni kokën e tij. A nuk është bërë nergut?
Të gjithë kthyen sytë nga konti Ciano. Ai e kishte me të vërtetë kokën të rrumbullakët, pak të fryrë e si shumë të madhe.
-Si shumë e madhe për moshën e tij,- tha Anfuzoja.
-Jeni i padurueshëm Filipo,- tha Ana-Maria.
-Kujtoja se ti ishte mik i Galeacos,- i thashë Anfuzos.
-Galeacoja s’ ka nevojë për miq, ai nuk do që të ketë miq. S’ do të dinte ç’ t’ i bënte. I përbuz, i trajton si shërbëtorë,- tha Filipoja. Dhe shtoi duke qeshur:- I mjafton miqësia me Musolinin.[x]
Ndonëse në mbrëmjen e 6 prillit 1939, Mussolini dukej më i sigurt tashmë që për pushtimin e Shqipërisë, dhe donte që ta merrte për vete lavdinë e kësaj fushate, në rast se gjërat do të shkonin keq, ai nuk do të mungonte që t’ i kujtonte pikë për pikë Cianos rolin e tij në këtë çështje. Pasiguria e Mussolinit deri në momentet e fundit kuptohej nga fakti se ai, ndonëse Hitleri nuk e vuri në dijeni për pushtimin e Bohemisë dhe Moravisë tre javë më parë, çka tregonte se Fuhreri ndjehej i fortë për të vepruar pa mbështetjen e Duçes, megjithatë ky i fundit i vuri në dijeni gjermanët, madje edhe hungarezët për pushtimin e Shqipërisë, dhe kërkoi mbështetjen e tyre. Vetë Ciano, me porosi të Mussolinit, kishte biseduar me ministrat e Gjermanisë dhe Hungarisë para bisedës me Krstiç. Ciano shkruan për këtë në ditar në 6 prill:
Ora 21: Unë u komunikova Villani-t dhe von Mackensen-in vendimin tonë për të kryer pushtimin ushtarak. Nga të dy mora sigurime për solidaritetin e tyre dhe mirëkuptimin e motiveve të cilat na bëjnë ne që të veprojmë.[xi]
Villani ishte ministri hungarez në Romë, von Mackensen ishte ministri gjerman në Romë. Nuk mund të ishte tjetër veçse simptomë e frikës së Duçes nga pasojat e paparashikuara të aksionit ushtarak italian në Shqipëri, fakti që Hitleri nuk mësoi nga gazetat për pushtimin e Tiranës nga italianët, siç ankohej Mussolini se e kishte bërë Hitleri që të mësonte pushtimin e Pragës. Në të vërtetë, derisa Hungaria ishte entuziaste për aksionin ushtarak italian në Shqipëri, Gjermania nuk e mirëpriste atë se nuk donte zgjerimin eventual të luftës në Ballkan nga ana e aleatit të tij të ardhshëm, çka pas nënshkrimit të pritshëm të aleancës do të thoshte se Boshti ishte në luftë, në Ballkan. Por Hitleri ishte i kujdesshëm që të mos e lëndonte sedrën e Mussolinit dhe gjithsesi, mendonte se një veprim i Mussolinit që dhunonte Akordin Italo-Britanik, shkonte në dobi të Gjermanisë, se e çonte Italinë më afër Gjermanisë dhe më larg Britanisë së Madhe. Ciano, i cili ishte kundër aleancës me Gjermaninë, nuk mund të mos e kuptonte këtë, e megjithatë ai e kërkoi me të madhe pushtimin e Shqipërisë. Kurrherë Ciano nuk e shpjegoi këtë kundërshti në sjelljen e tij.
[i] po aty: p. 65
[ii] po aty: p. 65
[iii] Count Galeazzo Ciano, “Diplomatic Papers”, London 1948, Odhams press, p. 280
[iv]po aty: p. 280
[v] po aty: p. 280
[vi] po aty: p. 281
[vii] po aty: p. 281
[viii] po aty: p. 281
[ix] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 65
[x] Curzio Malaparte, “Kaput”, Shtëpia botuese “Omsca”, Tiranë 1998, f. 442-443
[xi]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 64





