Gjatë natës së 21-22 qershorit 1941, pak orë para se të fillonte sulmi gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, Hitleri u tha oficerëve të shtabit të tij:
Unë ndjehem sikur jam duke hapur derën e një dhome të errët, të cilën kurrkush nuk e ka parë, pa e ditur se çfarë ka pas kësaj dere.[i]
Në subkonshin e Hitlerit, qartësisht ishte ngulitur thellë ndonjë eksperiencë e tmerrshme fëminore, për dhomën e errët të shtëpisë, me të cilën e trembnin për të qëndruar urtë, e cila dhomë tash ishte projektuar tek Rusia. Njëjtë edhe Mussolini, kur do të pushtonte Shqipërinë, pati përshtypjen se po hapte derën e dhomës së errët ballkanase, ku nuk e dinte se çka e priste. Mussolini ende trembej se, me t’ u nisur ekspedita ushtarake italiane për të invaduar Shqipërinë, Jugosllavia dhe Greqia, do të invadonin Shqipërinë nga veriu dhe jugu, për të pushtuar, për kompensim një pjesë të territorit shqiptar, të cilin ato e kishin rivendikuar prej kohësh. Prandaj, Mussolini marshoi me shumë kujdes në Shqipëri, si ai fëmija që i hedh hapat ngadalë dhe lehtë në dhomën e errët, derën e së cilës posa e ka shtyrë. Mussolini, ndonëse përqëndroi rreth 100 000 ushtarë në portet e Italisë juglindore, me rastin e fushatës në Shqipëri, tregoi që kujdes që invadimin të mos e bënte me një numër të madh trupash, pas të gjitha gjasave për të mos shqetësuar tepër vendet fqinje të Shqipërisë. Ekspedita ushtarake italiane që invadoi Shqipërinë në në 7-8 prill 1939, ishte e ndarë në tre grupe dhe përbëhej nga jo më shumë se 22 000 ushtarë, dhe kishte 860 automjete, 64 topa, 131 tanke, si dhe 1200 kuaj dhe mushka.[ii]
Por, nga gjashtëmbëdhjetë batalionet e këmbësorisë që zbarkuan në Shqipëri, në 7 prill, tetë qenë çiklistë, pra lëviznin me biçikleta. Kjo nuk ishte një ushtri e motorizuar. Në 7 prill, në Shqipëri zbarkoi vetëm grupi i parë, i përbërë nga katër kolona, të cilat gjithsej kishin jo më tepër se 9000 ushtarë. Por këto qenë krejt trupa të zgjedhura, praktikisht njësitë elitë të ushtrisë italiane, me fuqi zjarri të madhe. Për të krijuar katër kolonat e grupit të parë të ekspeditës u morën batalione nga dymbëdhjetë regjimente të ndryshme. Katër kolonat do të zbarkonin në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë.
Nga të katër kolonat më e rëndësishmja ishte kolona e dytë, që do të zbarkonte në Durrës dhe që kishte si objektiv pushtimin e Tiranës. Kolona e dytë, e quajtur Kolona “Messe”, sipas emrit të komandantit të saj, ishte e vetmja kolonë që komandohej nga një gjeneral. Gjenerali Messe kishte luftuar në Shqipëri në 1920, si oficer i arditëve, trupave të zgjedhura të sulmit. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Messe do të komandonte trupat italiane në frontin sovjetik dhe në vitin 1943, si komandant i trupave italiane në Afrikën Veriore, tashmë me gradën e Marshallit, do t’ u dorëzohej britaniko-amerikanëve, së bashku me ushtrinë e tij. Nga Kolona “Messe”, në Durrës zbarkuan gjashtë batalione, që përbënin një miksturë regjimentesh: batalion i dytë dhe ai i shtatëmbëdhjetë i regjimentit të dytë të këmbësorisë, batalioni i dhjetë i regjimentit të shtatë të këmbësorisë, batalioni i katërmbëdhjetë i regjimentit të pestë të këmbësorisë, batalioni i parë i regjimentit të dyzeteshtatë të këmbësorisë, batalioni i njëzeteshtatë i regjimentit të njëmbëdhjetë të bersaglieri (shenjatarëve-ushtarë të zgjedhur të këmbësorisë). Gjithashtu, si pjesë e kësaj kolone zbarkuan edhe batalioni i tetë dhe ai i dhjetë i tankeve të lehta (tankette), me 71 tanke të tilla. Batalioni i parë dhe ai i dytë i granatierëve, të cilët ishin gjithashtu pjesë e kësaj kolone shkuan në Tiranë në rrugë ajrore, pas pushtimit të aeroportit të qytetit në paraditen e 8 prillit. Kjo kolonë mbështetej nga një bateri me topa të kalibrit 65 mm, një bateri kundërajrore 20 mm. Veç tyre kishte, si në çdonjërën nga kolonat, njësi mbështetëse të transportit, ndërlidhjes, xhenios.[iii]
Kolona e parë, e quajtur edhe Kolona “Scattini”, sipas emrit të komandantit të saj, Kolonelit Scattini, do të zbarkonte në Shëngjin, dhe kishte detyrë të hynte në Shkodër. Meqënëse kjo kolonë do të lëvizte pranë kufirit jugosllav, për të mos e rritur shqetësimin e Beogradit me një përqëndrim të madh trupash pranë kufijve jugosllavë, kjo kolonë përbëhej nga më pak trupa se ajo e Messe-s: vetëm tre batalione dhe dy kompani (një gjysmë batalioni). Kjo kolonë përbëhej nga batalioni i tretë dhe ai i pestë i regjimentit të tetë të këmbësorisë, batalioni i njëzetetetë i regjimentit të nëntë të bersaglieri, si dhe dy kompani të batalionit “San Marco”, të këmbësorisë së marinës.[iv] Komandanti i kolonës së parë, Koloneli Arturo Scattini (1890-1970), më pas gjeneral, në atë kohë komandant i regjimentit të nëntë të bersaglieri, pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhej President nderi i Shoqatës së Bersaglieri të Italisë, deri sa vdiq. Në trupën e bersaglieri sot ekziston Fanfara e bersaglieri “Arturo Scattini”.
Kolona e katërt, që do të zbarkonte në Sarandë dhe që kishte detyrë të merrte Gjirokastrën, gjithashtu përbëhej nga pak forca, për shkak se do të lëvizte në afërsi të kufirit grek. Kjo kolonë, e quajtur Kolona “Carassi”, sipas emrit të komandantit të saj, Kolonelit Carassi, përbëhej nga batalioni i njëzetë i regjimentit të tretë të këmbësorisë, batalioni i tridhjetëetretë i regjimentit të njëmbëdhjetë të bersaglieri dhe dy kompanitë e mbetura të batalionit “San Marco”. Pjesë e kësaj kolone ishte dhe grupi (dy batalione) i tretë i tankeve të shpejta “San Giorgio”, i përbërë nga 63 tanke.[v]Kolona e tretë, e quajtur Kolona “Bernardi”, e cila do të zbarkonte në Vlorë dhe kishte si objektiv Fierin përbëhej nga batalioni i parë i regjimentit të parë të këmbësorisë, batalioni i gjashtëmbëdhjetë i regjimentit të dhjetë të bersaglieri, batalioni i dyzetë dhe ai i shtatëdhjetëegjashtë të këmëshëzinjve.[vi]
Gjithsej, në mëngjesin e 7 prillit 1939, në bregdetin shqiptar zbarkuan gjashtëmbëdhjetë batalione këmbësorie, nga të cilët katër batalione të bersaglieri. Veç tyre zbarkuan dhe katër batalione tankesh. Por, të gjashtëmbëdhjetë batalionet e këmbësorisë nuk kishin më tepër se 8000 ushtarë. Gjithsesi, fuqia e zjarrit ishte edhe më e madhe, për faktin se kolonat mbështeteshin edhe nga artileria e luftanijeve, rrezja e së cilës shtrihej në një thellësi të konsiderueshme të bregdetit shqiptar. Përveç kësaj kolonat mbështeteshin edhe nga 400 aeroplanë luftarakë, të cilët ishin ata që i shkulën mbrojtësit nga pozicionet e tyre në Durrës dhe në fushëbetejat e tjera. Përballë ekspeditës italiane gjendeshin forcat shqiptare të armatosura keq të ushtrisë së vogël shqiptare, xhandarmërisë dhe vullnetarët. Diktatori komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, në fjalimin që mbajti në Konferencën e Paqes në 21 gusht 1946, tha për rezistencën shqiptare ndaj invazionit italian, në 7-8 prill 1939:
Pesëmbëdhjetë mijë vullnetarë shqiptarë luftuan si heronj në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, si dhe në thellësi të vendit kundër zaptuesit të urryer.[vii]
Enver Hoxha këtu e ka rritur pesë-gjashtë herë numrin e atyre që i bënë qëndresë invazionit italian në prill 1939, pa i shkuar ndërmend që mund të bëhej pyetja se, nëse kishte pasur pesëmbëdhjetë mijë shqiptarë që vullnetarisht luftuan kundër invazionit italian, në prill 1939, si ndodhi që Enver Hoxha nuk ishte njëri ndër ta? Natyrisht se pjesa më e madhe e atyre që luftuan në 7-8 prill nuk qenë vullnetarë, por ushtarë të ushtrisë shqiptare dhe forca të xhandarmërisë. Në Shqipëri, që prej vitit 1920 ishin bërë shumë fushata çarmatimi të popullsisë dhe në prill 1939, nuk mund të kishte pesëmbëdhjetë mijë njerëz të cilët kishin fshehur armë në shtëpitë e tyre dhe dolën atë ditë që të luftojnë, siç kërkonte që t’ i paraqiste gjërat Enver Hoxha. Sipas planit të Zogut duhej të bëhej një qëndresë simbolike, që aksioni ushtarak italian të dukej si agresion dhe Shqipëria të kishte të drejtë të thoshte se e kundërshtoi me armë pushtimin. Zogu nuk donte që qëndresa të arrinte deri në atë pikë sa Mussolini të ndërmerrte një aksion ndëshkimor me krejt fuqinë e frikshme të zjarrit që zotëronte, me flotën detare, aviacionin ushtarak dhe fuqitë tokësore.
Nuk duket koincidencë fakti që si luftanija komanduese e ekspeditës u përzgjodh kryqëzori “Fiume ”, i cili ishte lëshuar në ujë në 27 prill 1930. 27 prilli ishte dita në të cilën ishte bërë martesa e Mbretit Zog. Në zgjedhjen e luftanijes komanduese dukej dora e Cianos i cili kishte qenë i dërguari zyrtar i Italisë në dasmën e Zogut. Kryqëzori “Fiume ” do të ishte ai topat e të cilit do të gjuanin predhat e para mbi vijat e mbrojtjes në bregdetin shqiptar të Durrësit, në mëngjesin e 7 prillit. Kryqëzorin e rëndë “Fiume ” do ta përndiqte Prill- Kaputi, përbindëshi-faktotum i Mallkimit të Prillit, dhe që shfaqet gjithandej në këtë histori. Kryqëzori “Fiume ” do të ishte luftanije italiane që pësoi fatin më të keq në Luftën e Dytë Botërore. Më pak se dy vite më pas, në mars 1941, ai u godit nga luftanijet britanike dhe u mbyt në mënyrë të tmerrshme, duke u përmbysur dhe marrë me vete 813 njerëz, nga ekuipazhi prej 1104 vetësh. Komandanti i ekspeditës italiane, Gjenerali Alfredo Guzzoni, e kishte datëlindjen pesë ditë pas ditës ditës së zbarkimit në 12 prill, kur mbushte 62 vjeç. Ai e festoi datëlindjen si fitimtar në Tiranë, por kjo nuk i solli fat të mirë. Më pas atij iu dha komanda e Armatës VI, e cila kishte detyrë që të mbronte Siçilinë nga një zbarkim i mundshëm i britaniko-amerikanëve. Dhe, katër vite e katër muaj më pas se zbarkimi në Shqipëri, ai ishte në rolin e mbrojtësit të bregdetit përballë një force zbarkuese shumë superiore, asaj britaniko-amerikane, kështu që ai e humbi Siçilinë, armatën dhe u shkarkua nga detyra.
Në 8 prill, Mussolini u inkurajua që të hedhë më tepër hapa në “dhomën e errët”. Në këtë ditë, në Shqipëri zbarkuan Grupi i Dytë i Ekspeditës, me nëntë batalione dhe Grupi i Tretë me shtatëmbëdhjetë batalione. Me Grupin e Tretë zbarkoi krejt divizioni “Murge”, gjithsesi dukshëm i pakompletuar, i cili nuk kishte më tepër se 5 500 ushtarë. Vetëm pas zbarkimit të këtyre forcave, Kolona e Katërt hyri në Gjirokastër, në 9 prill, Kolona e Dytë hyri në Korçë, në 9 prill, Kolona e Parë hyri në Kukës, në 9 prill, Kolona e Tretë hyri në Berat në 9 prill. Operacioni i pushtimit të Shqipërisë u quajt i përfunduar zyrtarisht në 12 prill, pas pesë ditësh. Italianët, ndonëse ndeshën vetëm qëndresë simbolike, dështuan që të marrin nën kontroll që ditën e parë qytetet pranë rrugëve nacionale, relativisht të mira, ndonëse të gjitha qytetet kryesore të vendit nuk qenë larg pikave të zbarkimit. Invazioni italian i Shqipërisë nuk ishte aksioni ushtarak blitz që Mussolini do të kishte dashur që të ishte, nuk ishte një fushatë e ngjashme me ato të ushtrisë gjermane.
Për Mussolinin, fushata ushtarake italiane në Shqipëri, duhet të ishte mbi të gjitha një demonstrim, një performancë ushtarake e përkryer, ku bota të shikonte se si kryhej një zbarkim i një force të konsiderueshme ushtarake, të zgjedhur, me anë të detit, dhe se si ajo përparonte në thellësi të prapatokës, duke pushtuar kryeqytetin dhe vendin, në një operacion blitz. Pushtimi i Tiranës ishte planizuar që të bëhej që në ditën e parë të operacionit. Tirana ishte objektivi parësor, prej këtej edhe emri i operacionit: “Oltre Mare Tirana”(Tirana përtej detit). Fushata në Shqipëri ishte llogaritur edhe për t’ u demonstruar fuqinë ushtarake italiane vendeve fqinje me Shqipërinë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Fushata ishte e llogaritur edhe për të zhdukur shijen e keqe që kishte lënë performanca ushtarake italiane në Spanjë. Aksioni ushtarak në Shqipëri nuk arriti asnjë nga këto qëllime në realitet, e shumta i arriti në retorikën e komentatorit ushtarak italian, Kolonelit Emilio Canevari, i cili ndërtoi një mit të propagandës militariste fashiste mbi aksionin ushtarak në Shqipëri.
Në mëngjesin e 7 prillit, njeriu më i lumtur në Itali me atë që po ndodhte, ishte natyrisht Ciano. Ai bëri sakrificën e fundit në atë që dukej se do të ishte një ditë lufte, u çuat shumë herët nga shtrati, një gjë shumë e rrallë për një njeri hedonik si ai. Ai shkruante në ditar, në 7 prill:
Unë u ngrita nga shtrati në orën 4 të mëngjesit. Staraçe (Sekretari i përgjithshëm i Partisë Fashiste- K.M.) ishte duke më pritur në sallon, me shumë komunikata, ndër të cilat një telegram i Mbretit Zog për Duçen. Ai konfirmonte vendimin e tij për të arritur në një marrëveshje ushtarake dhe kërkonte negociata. Ne iu përgjigjëm se ai duhej që t’ i dërgonte negociatorët e vet te Guzzoni.[viii]
Pra, telegrami i Zogut për Mussolinin, për të cilin kam folur më lart, as që ra fare në dorën e këtij të fundit, atij iu përgjigj Ciano, i cili e udhëzoi Jacomonin t’ i përgjigjet Zogut, për çka Jacomoni shkruan:
Në orët e para të mëngjesit të 7 prillit, mora udhëzimin që t’ i çoja Naltmadhnisë së tij këtë telegram të Musolinit: “Në shpirtin e miqësisë italo-shqiptare që ju e përmendni dhe së cilës dëshiroj t’ i qëndroj besnik, i komunikoj Naltmadhnisë Suaj, se mund të dërgoni në Durrës të plotfuqishmin tuaj për të biseduar për marrëveshjen ushtarake me gjeneral Guzzonin, komandant i trupave italiane, i autorizuar nga unë për t’ u marrë me këtë punë, me përfaqësuesin tuaj, përfundimet e së cilës të m’ i njoftojë”.[ix]
Në fakt, ky ishte telegrami i Cianos, i cili në momentet vendimtare të aksionit të shumëpritur prej tij, donte që ta izolonte Mussolinin nga çdo ndikim i padëshiruar, që mund të sillte ndërprerjen e aksionit ushtarak. Pasiqë mori këto masa Ciano shkoi tek Mussolini:
Duçe, i cili ishte ngritur nga shtrati më herët gjatë natës, çka ishte një gjë krejt e pazakonshme për të, do të donte që të kishte lajme dhe shpjegime, të cilat unë nuk isha në gjendje që t’ ia jepja, se nuk kisha asnjë të tillë.[x]
Mussolini, i cili ishte shumë i preokupuar jo vetëm për ecurinë e fushatës në Shqipëri, por edhe për reagimin e mundshëm ushtarak të Jugosllavisë dhe Greqisë, për të cilat trembej se mos ushtritë e tyre kapërcenin kufirin shqiptar dhe pushtonin një zonë përgjatë kufirit, si kompensim për pushtimin italian të Shqipërisë, kërkonte që të kishte në çdo moment lajme për zhvillimet në Shqipëri. E tashmë befasisht ai gjendet në situatën kur nuk mund të marrë lajme nga ushtria e tij në Shqipëri. Kështu fillon që herët në mëngjesin e 7 prillit ajo situatë kaotike, ku Mussolini, i cili i kishte marrë Mbretit Vittorio Emanuele III postin e komandantit të përgjithshëm, nuk kishte lajme për veprimet e ushtrisë së tij, të cilën e kishte nisur në një fushatë jo më shumë se 80-150 km larg brigjeve italiane. Ciano e kuptonte shqetësimin e Mussolinit dhe e ndante atë, por kurrgjë nuk mund t’ ia prishte Cianos festën. Ciano nuk mund të rrinte pa marrë pjesë në aksionin ushtarak të cilin aq shumë e kishte dëshiruar. Ai shkruan në ditar, në 7 prill:
Në orën 6 të mëngjesit unë u nisa me aeroplan. Moti është i qetë dhe i nxehtë. Buti, Vitetti dhe Pavolini erdhën me mua. Në orën 7. 45 ne ishim në Durrës. Ishte një spektakël i mrekullueshëm. Në gji, rrinin të palëvizura, solemnisht, anijet luftarake, ndërsa motobarkat dhe lundrat e tjera të vogla lëviznin në port duke transportuar forcat tokësore. Deti dukej si një pasqyrë. Mjedisi është i gjelbër dhe malet, të cilët janë të larta dhe masive, janë të kurorëzuar me borë. Ne pamë vetëm pak njerëz në Durrës. Por atje duhet që të ketë pasur pak qëndresë, se unë pashë detashmente të bersaglieri, të cilët ishin pozicionuar pas grumbujve të qymyrit, në mbrojtje të portit, si dhe pashë grupe të tjera, që i ngjiteshin kodrës në rresht indian, për të rrethuar qytetin. Nga disa dritare, herë pas here hapej zjarr. Rrugët qenë të shkreta dhe të pambrojtura.[xi]
Derisa bëhej fjalë për të shkuar në një vend që nuk kishte as aeroplanë luftarakë dhe as armë kundërajrore, ky ishte thjesht një gjest teatral i parrezikshëm. Por, për Cianon kjo ishte një aventurë luftarake, me të cilën do të bëhej heroi i shoqërisë femërore në Klubin e golfit Acquasanto dhe në Barin “Excelsior”. Duke e marrë seriozisht qënien e tij kolonel i forcave ajrore, një gradë kjo që Mussolini ia kishte dhënë për të kënaqur vanitetin e dhëndrrit, Ciano, kur fluturoi mbi Tiranë, ideoi edhe veprime luftarake. Ai shkruan mbi këtë gjë në ditar, në 7 prill:
Në kryeqytet, turma lëvizte nëpër rrugë krejt e qetë. Legata ishte barrikaduar. Në çati ishte një flamur i madh trengjyrësh italian dhe në oborr kishte shumë automjete. Unë isha i bindur se në rast rreziku do të ishte e lehtë që ajo të mbrohej nga ajri dhe dhashë urdhërat e duhura për këtë.[xii]
Kështu, Ciano na sjell edhe dëshminë finale se ai ishte shumë më ekstremist se Mussolini në çështjen e pushtimit të Shqipërisë. Ciano nuk i referoi komandantit të përgjithshëm, Mussolinit, mbi vëzhgimin e tij dhe idenë për mbrojtjen e selisë diplomatike italiane me anë të aviacionit luftarak, por i jep vetë urdhrat përkatës për këtë, ndonëse si Ministër i Punëve të Jashtme, nuk kishte të drejtë që ta bënte këtë gjë. Ciano, qartësisht, në këtë rast veproi me titullin e tij si dhëndërr i diktatorit.
[i] Anthony Read & David Fisher, “The Deadly Embrace: Hitler, Stalin and the Nazi-Soviet Pact 1939-1941”, New York , London : W. W. Norton, 1988, p. 629
[ii] “Le truppe italiane in Albania ”, (Anni 1914-20 e 1939), Stato Maggiore dell’ Esercito, Ufficio Storico, Roma, 1978, p. 255
[iii] po aty: p. 259
[iv]po aty: p. 259
[v] po aty: p. 256
[vi] po aty: p. 260
[vii] Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 423
[viii]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 65
[ix] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 112
[x]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 65
[xi]po aty: p. 65
[xii] po aty: p. 65





