Ndryshe nga ç’ priste Ciano, invadimi i Shqipërisë nga Italia, shkaktoi një shqetësim të madh në London, se kështu u krijua situata që Britania e Madhe kishte dashur që ta shmangte, pra që Italia të krijonte një kryeurë në Ballkan, ku të mund të dislokonte një numër të pakufizuar trupash, të cilat mund t’ i përdorte për aksione të tjera ushtarake atje. Derisa Ciano bënte heroin fiktiv në qiejt e Shqipërisë, në mëngjesin e 7 prillit, ambasadori britanik në Romë, Lordi Perth priste që ai të përmbushte detyrimet e tij diplomatike. Lordi Perth ishte ndër të parët që kishte kërkuar takim me Cianon atë ditë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në takimin me Cianon, i bëri me dije këtij të fundit kërkesën e qeverisë britanike që të mos ndërmerrej asnjë aksion i dhunshëm në Shqipëri, i cili mund të pakësonte sovranitetin e vendit. Londoni, qartësisht dëshironte që ta bënte Romën të kuptonte se Shqipërinë mund ta përfitonte vetëm si një koncesion britanik, por me kufizimin që të mund ta shndërronte dot në një kryeurë për mësymje të reja në Ballkan. Ciano, i cili posa kishte zhveshur rrobat ushtarake dhe kishte veshur ato të diplomatit, iu përgjigj se:
Qeveria Italiane ka qëllim të plotë që të respektojë pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë, dhe që trupat italiane janë dërguar që të rikthejnë paqen, rendin dhe drejtësinë në vend”.[i]
Në ndërkohë, ministri britanik në Shqipëri, Sir Andreë Ryan, i cili me sjelljen e tij të bën të dyshosh se ishte njeriu i Partisë Atlantike të Luftës, në 7 prill dërgoi në London një telegram ku thoshte se:
ngjarjet e fundit ishin krejt inkonsistente me çdo shqetësim për pavarësinë e Shqipërisë.[ii]
A thua nuk e kuptonte diplomati me përvojë Ryan, se Britanisë së Madhe, ruajtja e formës së gjërave, nuk i interesonte për për skrupuj diplomatikë, por për një arsye shumë praktike, se kështu Italia do të pengohej që ta shndërronte Shqipërinë në bazë ushtarake për invazione të reja në Ballkan. Reagimi britanik, të cilit Duçe i druhej më së shumti, pavarësisht se çka thoshte, pasiqë tekefundit edhe reagimi jugosllav dhe grek do të ishin variabël të tij, nuk ishte i madh publikisht, por nuk ishte dhe aq i pakët sa ç’ e bënte Ciano, i cili shkruante në ditar, në 7 prill:
Unë i raportova Duçes, i cili ishte krejt i kënaqur, veçanërisht se reagimi ndërkombëtar ishte pothuajse joekzistent. Memorandumi të cilin Lord Perthi ma dha mua gjatë një vizite të përzemërt, mund të kishte qenë hartuar në zyrat tona.[iii]
Pikërisht në 7 prill, Oliver Harvey, sekretari privat i ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Lordit Halifax, shkruan në në ditarin e vet diplomatik:
Zëra dhe raporte mbi zbarkimin italian në Shqipëri. Crolla, i ngarkuari me punë i Italisë në Londër, u takua me Halifax-in në orën 12.00 dhe i dorëzoi një mesazh personal të Mussolinit, i cili thoshte se kishte lexuar me interes të madh deklaratën e kryeministrit në parlament, dhe i dha sigurimet e tij formale që ai do të bënte gjithçka që kishte në dorë, për të siguruar që zgjidhja e çështjes italo-shqiptare, do të formësohet në mënyrë të tillë që të mos provokojë një krizë në marrëdhëniet britaniko-italiane, ose në situatën ndërkombëtare në përgjithësi. Në atë moment ne mësuam se luftanijet italiane ishin duke bombarduar brigjet shqiptare dhe se trupat ishin duke zbarkuar! Një tjetër telegram u dërgua në Romë, për të shprehur shqetësimin tonë të madh: ne e kishim të vështirë që të besonim se nuk kishte qenë e mundur që problemet të zgjidheshin me negociata: nëse raportet mbi zbarkimin qenë të vërteta, dilte se pavarësia dhe kufijtë e Shqipërisë qenë kërcënuar, pavarësisht marrëveshjes së re britaniko-italiane. Prandaj ne kërkuam shpjegime të mëtejshme.[iv]
Është e qartë se në London kishin pritur që italianët të arrinin që ta merrnin nën kontroll Shqipërinë në mënyrë paqësore, pa pasur nevojë për një aksion ushtarak, duke u kënaqur me dislokimin në Shqipëri, me marrëveshje, të një numri të vogël trupash italiane. Një aksion ushtarak italian në Shqipëri, do të ishte pikësëpari, për publikun e gjerë, një goditje e rëndë në reputacionin e qeverisë konservatore britanike dhe të kryeministrit Chamberlain, që posa kishin përjetuar dështimin e marrëveshjes për “Paqen në kohën tonë”, të Munich, dhe që tash ballafaqoheshin me një dhunim të Akordin Britaniko-Italian në Mesdhe, të cilin Chamberlan dhe Halifax e kishin proklamuar aq shumë, gjatë vizitës së tyre në Romë, në janar, më pak se tre muaj para invazionit italian të Shqipërisë. Për ata që kuptonin nga realitetet gjeostrategjike, pushtimi i Shqipërisë do të prekte rëndë realitetin gjeostrategjik që po përpiqej të ndërtonte Chamberlain nga Balltiku në Mesdhe, me aleancat ushtarake me Poloninë dhe Turqinë, si dhe me garancitë ushtarake për Rumaninë dhe Greqinë. Përqëndrimi i pakufizuar i trupave italiane në bregun tjetër të Adriatikut, krijonte një premisë të rrezikshme për përmbysjen në çdo moment të këtij realiteti gjeostrategjik në ndërtim e sipër, që përbënte bazën mbi të cilën Britania e Madhe po shkonte kah lufta me Gjermaninë. Kjo ishte arsyeja që kryeministri britanik Chamberlain, u detyrua që t’ i ndërpriste pushimet e tij në Skoci për shkak të agresionit italian ndaj Shqipërisë. Ai deklaroi në parlament, në 13 prill:
Unë sinqerisht pohoj zhgënjimin tim të thellë për këtë aksion të qeverisë italiane që ka hedhur një hije mbi sinqeritetin e tyre në mbajtjen e premtimeve. Padyshim, disa njerëz do të kërkojnë që me këtë rast marrëveshja britaniko-italiane të konsiderohet e marrë fund. Unë nuk kam këtë pikëpamje. Kurrkush me një sens përgjegjësie nuk do të bënte kaq lehtë këto ditë ndonjë veprim që do të çonte në rritjen e tensionit ndërkombëtar.[v]
Patrick J. Buchanan, shkruan në librin e vet “Churchill, Hitler And The Unecessary War: Hoë Britain Lost Its Empire And The West Lost The World”:
Chamberlain e përjetoi pushtimin e Shqipërisë si një fyerje që i bëhej atij personalisht. Ai i shkruajti motrës së vet, Hilda që Mussolini u pat sjellë në këtë rast “si një gjarpër dhe një horr. Ai nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të ruajtur ndjenjat e mia miqësore”.[vi]
Pavarësisht se Chamberlain kishte deklaruar se Britania e Madhe nuk kishte interesa të veçanta në Shqipëri, për të ishte një goditje e rëndë që vetëm tre javë pasiqë Hitleri kishte dhunuar Traktatin e Munich-ut, Mussolini kishte dhunuar Akordin Britaniko-Italian, në të famshmen “vijën e kuqe” në meridianin 19º. Poshtërimi prej Mussolinit ishte për sedrën britanike të Chamberlain edhe më i dhimbshëm se ai prej Hitlerit. Aq më tepër kur invadimi i Shqipërisë erdhi një ditë pas 6 prillit, kur Britania e Madhe dhe Polonia kishin arritur në London marrëveshjen për aleancën ushtarake që do të konkretizonte garancinë ushtarake britanike ndaj Polonisë. Por, mosveprimi i Britanisë së Madhe për të bërë të respektohej një marrëveshje ushtarake, të cilin ajo e kishte konsideruar jetike për ekuilibrin e forcës në Mesdhe, ishte një sinjal sado i vagullt që paralajmëronte se Britania e Madhe do të nguronte që të përmbushte edhe detyrimet që po merrte përsipër ndaj Polonisë.
Kryetari i opozitës, Clement Attlee, tha në parlamentin britanik, në 13 prill:
Nga pikëpamja ime dhunimi i Shqipërisë është për Marrëveshjen Anglo-Italiane ajo çka shkatërrimi i Çekosllovakisë ishte për Marrëveshjen e Munich-ut. Efekti i përgjithshëm është se nuk mund t’ i besohet fjalës së sunduesit të Gjermanisë ose sunduesit të Italisë.[vii]
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia nuk i përgënjeshtroi shpresat e Partisë Atlantike të Luftës, duke qenë se shkaktoi saora një krizë shumë serioze britaniko-italiane, për të cilën kryeministri britanik, Chamberlain, në 13 prill 1939 deklaroi në parlamentin britanik:
Kur Sekretari i Shtetit për Çështje të Jashtme (Ministri i Punëve të Jashtme, Lordi Halifax- K.M.) u takua me Të Ngarkuarin me Punë të Italisë, z. Crolla, në mbrëmje vonë, në vigjilje të Pashkëve (mbrëmja e 8 prillit- K.M.), z. Crolla komunikoi një mesazh nga z. Mussolini i cili deklaronte, ndërmjet gjërave të tjera, se vendet fqinje, Jugosllavia dhe Greqia, qenë krejt të qeta dhe se ishte shumë e qartë se Italia nuk ishte duke iu shkaktuar shqetësime vendeve fqinje. Më tutje, gjatë bisedës, z. Crolla tërhoqi vëmendjen se gazeta britanike “Sunday Press” bënte sugjerime të ndryshme për kursin që duhej të ndiqte politika e jashtme britanike, duke përfshirë, ndër të tjera, atë se Britania e Madhe duhet të pushtonte Korfuzin. Në këtë pikë, ai e siguroi Lordin Halifax se Italia sigurisht nuk ishte duke kërcënuar pavarësinë e Greqisë, por se ndonjë pushtim britanik i Korfuzit do të shkaktonte reagime shumë të rrezikshme. Sekretari i Jashtëm, saora i tha z. Crolla se ai duhet që ta largonte nga mendja idenë se qeveria britanike kishte ndonjë qëllim për të pushtuar Korfuzin, por qeveria britanike do të mbante një qëndrim shumë të ashpër nëse ndokush tjetër e pushtonte Korfuzin.[viii]
Mussolini e ka perceptuar saktë se Britania e Madhe dhe vendet fqinje me Shqipërinë qenë shumë të shqetësuara nga përqëndrimi në rritje i trupave italiane në Shqipëri. Mussolini trembet se mos Britania e Madhe pushtonte Korfuzin, ishullin me rëndësi të madhe strategjike dhe e bënte atë një bazë të fuqishme ushtarake në hyrje të Adriatikut. Kjo do të inkurajonte Greqinë dhe Jugosllavinë që të sponsoronin një guerilje në Shqipëri, për ta nxjerrë jashtë Italinë që andej, si në 1920. Chamberlain tha në 13 prill në parlament mbi fillimin e krizës për Korfuzin:
Unë i bëra me dije kështu parlamentit detaje mbi historinë që mund të quhet Zërat për Korfuzin. Se si dolën ato unë nuk pretendoj që ta di, por përderisa ata qenë të vazhdueshme dhe u besuan gjerësisht, këto zëra ilustrojnë shqetësimin e përgjithshëm të krijuar nga ngjarjet e fundit.[ix]
Në origjinë të krizës për Korfuzin ishte Partia Atlantike e Luftës dhe personalisht Winston Churchill. Harold Macmillan, i cili një vit më pas do të ishte Ministër i Furnizimeve në qeverinë e kryesuar nga Winston Churchill, e më tutje edhe ministër-rezident i ngarkuar me ndjekjen e luftës në Mesdhe, dhe që pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhej kryeministër i Britanisë së Madhe, na sjell në kujtimet e veta, reagimin e Churchill ndaj pushtimit të Shqipërisë në 7 prill:
Hartat u hapën, sekretaret morën urdhra, telefonat nisën të bien. Unë gjithmonë do të ruaj në kujtesë pamjet e asaj dite pranvere, sensin e pushtetit, energjisë, rrymën e madhe të veprimit. Ai i vetëm dukej në komandë kur gjithkush tjetër ngjante i përhumbur dhe ngurues.[x]
Winston Churchill ishte i pari që të shtunën në mëngjes, në 8 prill i kërkoi kryeministrit Chamberlain që të reagonte ushtarakisht ndaj aksionit të Mussolinit në Shqipëri:
Të shtunën në mëngjes, Churchill i telefonoi Chamberlaine duke e nxitur që të mblidhte një sesion të jashtëzakonshëm të parlamentit në të dielën e Pashkëve dhe të pushtonte ishullin grek të Korfuzit. “Orët tash kanë rëndësi për të rifituar nismën në diplomaci”, tha Churchill. Ai e njihte historinë. Kur një delegat italian i dërguar për të shqyrtuar një konflikt kufitar shqiptaro-grek, u vra në tokën greke në 27 gusht 1923, Mussolini bombardoi Korfuzin dhe zbarkoi trupat në ishull deri kur mori dëmshpërblim. Churchill ishte duke lëvizjet tjetër të Mussolinit dhe ftonte për veprime paraprake.[xi]
Por Churchill, i cili ishte një nga krerët e Partisë Atlantike të Luftës, në fakt po kërkonte që të përshpejtonte agresionin e Italisë ndaj Greqisë. Nëse Britania e Madhe do të pushtonte Korfuzin, në prill 1939, atëherë Italia do të kërkonte që për kompensim të pushtonte bregdetin jonian grek, përballë Korfuzit dhe më tutje në jug, gjë të cilën mund të përpiqej ta bënte duke u nisur nga Shqipëria e Jugut. I Ngarkuari me Punë i Italisë në London , Crolla, ia bëri të qartë këtë Lordit Halifax, siç do ta citoj më tutje. Pikërisht këtë donte Partia Atlantike e Luftës. Kështu që Chamberlain e dinte mirë se si dolën zërat për pushtimin e Korfuzit. Nëse Churchill, kur mbajti fjalimin e vet të famshëm për Rusinë si një “riddle wrapped with mistery inside an enigma”, do të kishte qenë në dijeni për atë çka i tha Stalini Ribbentropit në bisedën që ata patën në Moskë, në natën e 23-24 gushtit, me siguri që do të ishte krenar për çelësin që kishte ofruar për të kuptuar sjelljen e ardhshme të Bashkimit Sovjetik. Në bisedën mes Stalinit dhe Molotovit nga njëra anë dhe Ribbentrop-it, në Moskë, në natën e 23-24 gushtit, sipas procesverbalit gjerman, kemi këtë fjalëkëmbim:
Zoti Stalin e pyeti Ministrin e Punëve të Jashtme të Reich-ut, mbi qëllimet e Italisë. A nuk kishte Italia aspirata të tjera përtej aneksimit të Shqipërisë, ndoshta për territoret greke? Shqipëria, e cila ishte e vogël, malore dhe pak e populluar, ishte në vlerësimin e tij, me pak rëndësi për Italinë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Reich-ut, u përgjegj se Shqipëria ishte e rëndësishme për Italinë, për arsye strategjike. Për më tepër Mussolini ishte një njeri i fortë, i cili nuk mund të frikësohej.[xii]
Stalini, qartësisht dyshonte se Italia, në bashkëveprim me Bullgarinë, do të sulmonte Greqinë, me ç’ rast si Greqia, ashtu edhe Bullgaria do të hynin në sferën e Boshtit. Bashkëveprimi italo-bullgar kundër Greqisë do të bënte që të hapej një korridor nga Adriatiku për në ngushtinat turke të Detit Marmara, që mund të bëheshin objektivi i radhës i një mësymjeje italo-bullgare, ose edhe i Gjermanisë, ushtria e së cilës, nëpërmjet porteve italiane të Adriatikut dhe Shqipërisë mund të dilte drejt e në ngushtinat turke, në Dardanele dhe Bosfor. Ngushtinat turke kishin një rëndësi të magje strategjike për Bashkimin Sovjetik, ashtu si edhe Bullgaria. Në bisedimet që Molotovi do të zhvillonte me Hitlerin dhe Ribbentropin në Berlin, në vjeshtën e vitit 1940, ai do të kërkonte në emër të Stalinit, kontrollin e ngushtinave turke dhe Bullgarisë, nga ana e Bashkimit Sovjetik, nëpërmjet bazave ushtarake.
Stalini e kuptonte se pushtimi i Greqisë nga Boshti, do të bënte që Rumania dhe Jugosllavia të binin si frutat e pjekur nga dega e pemës, në gojën e Hitlerit dhe Mussolinit. Nëse Boshti kontrollonte ngushtinat turke, atëherë Rumania humbte çdo shpresë për të marrë ndihmë nga Britania e Madhe dhe Franca , dhe nuk kishte çka të bënte veçse t’ i nënshtrohej Gjermanisë. Jugosllavia në këtë rast do të gjendej e rrethuar nga të katër anët dhe do të kishte të njëjtin fat. Edhe Polonisë do t’ i mbyllej e vetmja rrugë për të marrë ndihmën britanike dhe franceze, që ishte ajo nëpërmjet ngushtinave turke dhe Rumanisë, e cila në atë kohë kishte kufi të përbashkët me Rumaninë. Në London, Paris dhe Varshavë e kishin të qartë se në rast se fillonte lufta gjermano-polake, atëherë ushtria gjermane më së pari do të pushtonte Danzigun dhe pjesën veriore të korridorit të tij, ashtu që të ndalonte çdo mundësi që Polonia të merrte ndihmë nga aleatët e saj nëpërmjet detit. Nga fjalët që tha Stalini për pushtimin e Shqipërisë, kuptohej se ai e kishte të qartë rëndësinë madhore gjeostrategjike të aksionit ushtarak italian. Ajo çka donte të dinte Stalini ishte nëse Mussolini ishte nxitur nga Hitleri që ta pushtonte Shqipërinë, për të përfituar Boshti përparësitë strategjike që përmenda më lart. Stalinit nuk i shkonte në mendje se Mussolini ishte nxitur tërthorazi nga Churchill dhe Partia Atlantike e Luftës, me anë të të Cianos. Pushtimi Italian i Shqipërisë përftoi saora situata të tilla që paralajmëronin se lufta në Ballkan ishte e afërt. Në vazhdim të fjalës së tij në parlament, në 13 prill, kryeministri Chamberlain rrëfeu kështu për historinë e krizës për Korfuzin:
Herët në mëngjesin e ditës së Pashkëve ne mësuam nga ministri ynë në Athinë se qeveria greke kishte të dhëna se Italia kishte qëllim të pushtonte Korfuzin në të ardhmen e afërt. Ky informacion u konfirmua nga ministri grek në London kur ai foli me Sekretarin e Jashtëm, në orën 11. 15 të mëngjesit, në Ditën e Pashkëve. Miku im fisnik (Lordi Halifax- K.M.) i bëri me dije z. Simopoulos (ministri grek- K.M.) siguritë e dhëna natën e kaluar nga I Ngarkuari me punë i Italisë, si dhe i përsëriti ministrit grek, fjalët e përgjigjes që ai vetë i tha z. Crolla. Vizitori tjetër i Sekretarit të Jashtëm në mëngjesin e së dielës ishte I Ngarkuari me Punë i Italisë dhe miku im fisnik iu kthye deklaratës që iu bë atij mbrëmjen e kaluar në mbi qetësinë që ekzistonte në vendet fqinje dhe i tha atij se qeveria greke ishte shumë në ankth dhe e shqetësuar për zërat në qarkullim se Italia kishte qëllim të pushtonte Korfuzin. Z. Crolla tha se kjo ishte hera e parë që ai dëgjonte një gjë të tillë, dhe se nuk nguronte që të thoshte që në pikëpamjen e tij ishte krejt e pamundur që këto të dhëna të ishin korrekte, përderisa kjo do të ishte në kundërshtim flagrant me çka ai i kishte kumtuar Sekretarit të Jashtëm natën e kaluar, në emër të Duçes. Prandaj, nën përgjegjësinë e tij, z. Crolla i dha mikut tim fisnik një sigurim se nuk kishte synime të tilla italiane. Miku im fisnik i tha Të Ngarkuarit me Punë të Italisë se ai natyrisht që i mirëpriste sigurimet e tij personale, por se ai e quante me vend që ta paralajmëronte se çdo aksion italian i këtij lloji, qoftë edhe në fazën e meditimit, do të përbënte shqetësimin shumë të madh për qeverinë britanike. Ai shtoi se ishte jetike që të mos kishte keqkuptime midis qeverive britanike dhe italiane në këtë pikë, si dhe i tha Z. Crolla se ai do të ishte i kënaqur të mësonte se qeveria italiane kishte dhënë sigurimet, të cilat ai (Crolla- K.M.) i kishte dhënë nën përgjegjësinë e tij personale. Miku im fisnik shtoi se do të ishte me më tepër vlerë që qeveria italiane t’ ia përsëriste të njëjtat sigurime qeverisë greke. Herët, në të njëjtën pasdite, ministri grek u thirr në Foreign Office dhe u informua mbi bisedën e mësipërme. Në të njëjtën kohë, ministri britanik në Athinë u udhëzua që t’ ia komunikonte saora detajet e mësipërme qeverisë greke.[xiii]
Chamberlain dhe Halifax së paku ia arritën që ta përdornin pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe shqetësimet ai krijoi tek fqinjët e Shqipërisë, për ta vënë Italinë në pozitën e fajtorit në Ballkan, të agresorit potencial, me ç’ rast e detyruan që të jepte sigurime. Por Chamberlain dhe Halifax duket se nuk e kuptonin që pikërisht vënia e Mussolinit në këtë pozitë, e nxiste atë më tepër për të ndërmarrë agresione në Ballkan, në rastin më të përshtatshëm. Mirë se Mussolini i dha sigurime Londonit dhe Athinës se nuk kishte ndërmend që të mësynte Greqinë, po Mussolinit kush do t’ i jepte sigurime se në rastin më të përshtatshëm, Britania e Madhe nuk do të bashkëvepronte me Greqinë dhe Jugosllavinë, për ta dëbuar Italinë nga Shqipëria, madje edhe nga Dymbëdhjetë Ishujt në Egje? Kur Mussolini u detyrua që t’ i jepte satisfaksion Britanisë së Madhe, Chamberlain e rrëfeu këtë me një ndjenjë krenarie në parlamentin britanik, në 13 prill:
Gjatë së njëjtës mbrëmje, I Ngarkuari me Punë i Italisë, përsëri komunikoi me Sekretarin e Jashtëm për t’ i bërë me dije një mesazh tjetër nga Z. Mussolini, ku, ndër të tjera, ai bënte me dije se i kishte dhënë qeverisë greke sigurimet më të gjera, duke i konfirmuar se qeveria italiane synonte që t’ i ndërtonte marrëdhëniet me Greqinë mbi bazën e një miqësie solide dhe të përzemërt. Z. Mussolini i dërgoi udhëzime të reja Të Ngarkuarit me Punë të Italisë në Athinë që t’ i jepte sigurime qeverisë greke se gjithë zërat për qëllimet armiqësore të Italisë ndaj Greqisë qenë të rreme, përderisa Italia synonte që të respektonte në mënyrën më absolute integritetin territorial dhe ishullor të Greqisë. Ky informacion iu komunikua saora Athinës dhe ministri ynë atje u udhëzua që t’ ia përcillte pa vonesë qeverisë greke. Më tutje u mësua se I Ngarkuari me Punë i Italisë në Athinë i përcolli qeverisë greke të nesërmen, në 10 prill, sigurimet e premtuara nga z. Mussolini.[xiv]
Londoni dhe Athina morën satisfaksion, por Mussolini u ndje jo thjesht i rrezikuar, por edhe i poshtëruar, dhe është gjithëherë e rrezikshme kur poshtërohet një diktator vanitoz. Që në këto momente Mussolinit i lindi ideja për pushtimin e Greqisë, të cilën ia shprehur Cianos pak javë më vonë. Chamberlain e përdori krizën e Korfuzit, e cila e kishte origjinën tek pushtimi i Shqipërisë nga Italia, për të shpallur garancitë ushtarake britanike për Greqinë, Rumaninë, dhe për të t’ i bërë një ofertë Turqisë për një aleancë ushtarake:
Ndonëse kjo ngjarje e veçantë tashmë është përgënjeshtruar, siç kam thënë në një rast të mëparshëm, përderisa mirëbesimi është tronditur fort, është e vështirë që të rindërtohet dhe qeveria britanike e ndjen se e ka detyrë që të veprojë në atë mënyrë që të mos lerë dyshime për qëndrimin e saj. Prandaj unë gjej rastin që të them se qeveria britanike i kushton rëndësi të madhe shmangies të trazimit me forcë dhe kërcënimit me forcë të status quo në Mesdhe dhe në Gadishullin Ballkanas. Rrjedhimisht ne kemi arritur në përfundimin se çdo aksion i ndërmarrë që do të kërcënonte pavarësinë e Greqisë dhe të Rumanisë, dhe ndaj të cilave qeveritë greke dhe rumune e konsiderojne jetike që të bëjnë qëndresë me forcat e tyre nacionale, qeveria britanike do të ndjehet e detyruar që t’ i mbështesë qeveritë greke dhe rumune me të gjitha fuqitë e saj. Ne jemi duke ia bërë me dije këtë vendim të qeverisë britanike të gjitha vendeve të interesuara e posaçërisht Turqisë, lidhjet e së cilës me Greqinë janë të njohura. Unë e di se qeveria franceze është duke bërë një deklaratë të ngjashme këtë pasdite.[xv]
Ciano sjell në ditar një bisedë që ka pasur pak javë pas pushtimit të Shqipërisë, në 1 qershor, me ambasadorin e ri britanik në Romë, Sir Persy Loraine:
Ne bisedojmë përsëri mbi situatën dhe ai nuk ma fshehu se pakti anglo-turk është krijesë e pushtimit tonë të Shqipërisë. Pra, tashmë mund të thuhet se humbi besimi që ishte vetë baza e paktit tonë të 16 prillit. Pajtohemi se për momentin nuk ka gjë për të bërë.[xvi]
Ambasadori britanik këtu e kishte fjalën për paktin e aleancës mes Britanisë së Madhe dhe Turqisë, që u arrit në maj të atij viti dhe që në shtator do të shndërrohej në pakt trepalësh, britaniko-franko-turk. Britania e Madhe tashmë e shikonte Shqipërinë si një kryeurë për për agresione të tjera të Boshtit në Ballkan dhe më tutje në Lindje. Kryeura shqiptare u krijonte më tepër se një alternativë madhore strategjike italianëve dhe Boshtit në përgjithësi. Ata, në aleancë me Bullgarinë, e cila kishte rivendikime serioze tokësore ndaj Greqisë mund të mësynin këtë të fundit dhe të dilnin në Trakën perëndimore, në kufirin greko-turk, ku do të kërcënonin seriozisht ngushtinat turke të Detit Marmara. Ose Italia, në aleancë me Bullgarinë, mund të mësynte nëpër Maqedoninë jugosllave, të cilën gjithashtu e rivendikonte Bullgaria, dhe të dilte njëjtë në Trakë, në kufirin bullgaro-turk. Gjermania mund ta kalonte ushtrinë e saj nëpër territorin italian, ashtu siç do ta çonte dy vite më pas në Afrikë, prej andej në Shqipëri, ku do të gjendej në rrugën historike të invazionit të Lindjes nga Perëndimi. Derisa pakti britaniko-turk i majit 1939, krijonte realitetin gjeostrategjik të nevojshëm për përmbushjen e detyrimeve që u vinin Britanisë së Madhe dhe Francës nga garancia ushtarake që i dhanë Polonisë, se ngushtinat turke qenë e vetmja rrugë për furnizimin e Polonisë, nëpërmjet Rumanisë, e cila kishte marrë një garanci ushtarake britanike gjithashtu, si dhe kishte një kufi të përbashkët me Poloninë, pushtimi italian i Shqipërisë, e vinte seriozisht në dyshim këtë realitet gjeostrategjik të krijuar nga Britania e Madhe. Duke qenë se reagimi britanik ndaj pushtimit të Shqipërisë, nuk ishte aq i butë sa ç’ thoshte Ciano, Mussolini, pas pushtimit të Shqipërisë, u përpoq që nëpërmjet formësimit të statusit të Shqipërisë, të ndiqte një politikë të paqësimit të Britanisë së Madhe. Vetë Ciano shkruan për këtë në ditar, në 9 prill:
Sa i përket regjimit të ri shqiptar, Duçe ka përgatitur projektin e një regjence, i cili mua nuk më duket i mirë. Unë ia them atij këtë, dhe i shpjegoi planin tim si më tutje: të krijojmë një këshill qeveritar të përkohshëm, të njoftohet thirrja e një Asambleje Kushtetuese në 12 prill, që do të votojë një vendim me të cilin do të sanksionohet bashkimi i dy vendeve, duke i dorëzuar Mbretit Vittorio Emanuele III kurorën e Shqipërisë. Duçe e aprovon në parim. Gjatë pasdites unë skicoj dokumentin dhe e diskutoj atë me disa juristë dhe zyrtarë të tjerë të vegjël, të tillë si Buti, Vitetti e të tjerë. Të gjithë pajtohen se ndërsa një vendim i tillë do të na japë ne zotërimin e Shqipërisë, ai nuk do të duket si agresion.Kjo është e nevojshme më tepër për shkak se midis nesh dhe Britanisë së Madhe ka filluar që të ulet tensioni pas një takimi që pata në mëngjes me Lordin Perth.[xvii]
Këtu Ciano pohon tërthorazi se ka pasur tension mes Londonit dhe Romës për shkak të pushtimit të Shqipërisë. Edhe në rastin e përcaktimit të statusit të Shqipërisë, Ciano është më ekstremist se Mussolini. Derisa Mussolini ishte për një regjencë, çka do të thoshte se Shqipëria mbetej një vend i pavarur, Ciano ishte për bashkimin e Shqipërisë me Italinë, me anë të bashkimit personal të kurorave, çka shkonte në limitet e aneksimit. Edhe këtu njeriu-kyç, i cili përgatit pjesën juridike, është Vitetti, njeriu misterioz me lidhje të fuqishme me Partinë Atlantike të Luftës. Është sa paradoksale aq edhe domethënëse që, derisa Jacomoni doli në gjyq pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak se kishte qenë Mëkëmbës mbretëror në Shqipëri, Vitetti, i cili ishte njeriu që kishte përgatitur projektin për bashkimin e Shqipërisë me Italinë, në sajë të të cilit Jacomoni u bë mëkëmbës, nuk pësoi asgjë. Jacomoni mori pafajësinë në gjykatën supreme, por nuk mundi të rikthehej më në karrierën diplomatike. Vitetti, i cili ishte vetëm dy vite më i ri se Jacomoni pati një karrierë të madhe diplomatike pas Luftës së Dytë Botërore. Ky paradoks shpjegohet vetëm me atë se Vitetti zbatonte urdhërat e Partisë Atlantike të Luftës. Italianët, për të ulur reagimin e padëshirueshëm të jashtëm dhe të brendshëm, të pushtimit të Shqipërisë, u përpoqën që t’ i jepnin aksionit të tyre në Shqipëri një lloj legjitimiteti, ashtu që ata kishin ardhur në Shqipëri të thirrur nga kundërshtarët e Zogut, të cilët kishin ikur nga Shqipëria në 1924. Ciano shkruante në ditar, në 3 prill:
Urdhëroj Giro-n që të tubojë në Bari të gjithë emigrantët politikë shqiptarë, në mënyrë që të kthehen në vendin e tyre njëkohësisht me trupat tona.[xviii]
Fakti është se pothuajse të gjithë ata që e u larguan nga Shqipëria si emigrantë politikë, kur Zogu u rikthye në fuqi në dhjetor 1924, u rikthyen me italianët në Shqipëri në 1939, dhe krijuan elitën shqiptare të kohës së pushtimit italian.
[i] Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 444
[ii] po aty: p. 444
[iii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 65
[iv] Owen Pearson, “Albania and King Zog: Indipendent Republic and Monarchy, 1908-1939”, The Center for Albanian Studies, I.B. Tauris Publishers, London 2004, Vol. I, p. 442
[v] po aty: p. 467
[vi] Patrick J. Buchanan, “Churchill, Hitler And The Unecessary War: How Britain Lost Its Empire And The West Lost The World”, New York 2008, Three Rivers Press, p. 277
[vii] House of Commons Debate, 13 April 1939, vol. 346, c. 16
[viii] House of Commons Debate, 13 April 1939, vol. 346, cc. 10-11
[ix] House of Commons Debate, 13 April 1939, vol. 346, c. 12
[x] Harold Macmillan, “Winds of Change, 1914-1939”, London 1966, Macmillan, p. 592
[xi] Patrick J. Buchanan, “Churchill, Hitler And The Unecessary War: How Britain Lost Its Empire And The West Lost The World”, New York 2008, Three Rivers Press, p. 277
[xii] “Memorandum of a Conversation held on the night of August 23d to 24th, Between the Reich Foreign Minister, one the one hand and Herr Stalin and the Chairman of the Council of People’s Commisars Molotov on the other hand”, “Nazi-soviet Relations, 1939-1941: Documents from the Archives of the German Foreign Office”, Department of State, Washington D.C. 1948, Frames 0019- 0030, serial F 11, p. 73
Është për t’ u habitur se sa pak është shqyrtuar nga historiografia shqiptare ky fjalëkëmbim i Stalinit me Ribbentrop-in për Shqipërinë.
[xiii] House of Commons Debate, 13 April 1939, vol. 346, cc. 11-12
[xiv] House of Commons Debate, 13 April 1939, vol. 346, c. 12
[xv] House of Commons Debate, 13 April 1939, vol. 346, cc. 12-13
[xvi]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 97
[xvii] po aty: p. 67
[xviii] po aty: p. 61





