21. Kolona e pestë ndër katër kolonat e invazionit




      Përveç katër kolonave ushtarake italiane, të cilat zbarkuan në Shqipëri, kishte dhe një kolonë të pestë, latente, e cila praktikisht kërkoi që ta sabotonte invadimin, ta vononte atë, me shpresën se Britania e Madhe dhe Franca, do të ushtronin presion tek Mussolini në momentet e fundit, para pushtimit të Tiranës, ashtu që ai të tërhiqej nga Shqipëria. Për këtë gjë ka shumë prova. Shumë gjëra të çuditshme ndodhën në ushtrinë italiane gjatë invazionit të Shqipërisë në 7 prill, gjëra të cilat shkojnë deri tek sabotimi i vetëdijshëm. Ciano dhe Mussolini akuzuan me emër oficerë të lartë italianë. Ciano akuzoi atasheun ushtarak në Shqipëri, Kolonelin Gabrielli. Mussolini shkoi më tej, duke akuzuar drejtpërdrejt me emër komandantin e ekspeditës, Gjeneralin Guzzoni. Ciano shkruante në ditar, në 7 prill:
      Atasheu ushtarak, Gabrielli, i cili në ditët e fundit ishte sjellë në mënyrë shumë të çuditshme, telegrafoi se Zogu kishte 45 000 njerëz të armatosur në dispozicion. Unë kisha përshtypjen se ky ishte një ekzagjerim.[i]
      Koloneli Gabrielli qartësisht ekzagjeronte me synimin që ta bënte Mussolinin që të hiqte dorë nga sulmi ndaj Shqipërisë. Koloneli Gabrielli nuk vepronte i veçuar, ai ishte pjesë e atij grupi të cilin unë këtu e quaj kolona e pestë e ekspeditës. Krerët e lartë të ushtrisë italiane nuk e pëlqyen aksionin ushtarak në Shqipëri, se, duke i njohur mirë kapacitetet e ushtrisë italiane, u trembeshin aventurave ushtarake në Ballkan, nëpërmjet Shqipërisë. Vetë Mbreti i Italisë, Vittorio Emanuele III ishte kundër pushtimit të Shqipërisë dhe mëse një herë ia shprehu Mussolinit këtë mendim. Vittorio Emanuele III gjatë dy dekadave të regjimit fashist ishte një mbret pasiv. Është një rast i rrallë në marrëdhëniet e Mussolinit me Vittorio Emanuele III, që ky i fundit ta ketë kundërshtuar së paku dy herë Mussolinin për një çështje, siç ndodhi me pushtimin e Shqipërisë. Vittorio Emanuele III u vu në dijeni për planin për pushtimin e Shqipërisë vetëm në 27 mars 1939. Ciano shkruante në ditar, në 27 mars 1939:
      Duçe ishte shumë i zemëruar me Mbretin (Vittorio Emanuele III- K.M.) këtë mëngjes, për shkak se Mbreti i tha atij që nuk pajtohej me politikën ndaj Shqipërisë, përderisa ai nuk shikonte arsyen përse duhej rrezikuar në një ndërmarrje të tillë, për të rrëmbyer “katër shkëmbinj”.[ii]
      Mbreti plak 70 vjeçar, i cili e kishte futur Italinë në Luftën e Parë Botërore, nga ku ajo doli me shumë humbje dhe pak përfitime, ishte bërë shumë i kujdeshëm, dhe nuk i miratonte aventurat ushtarake të Duçes, ndonëse rezervohej që të shprehej. Vittorio Emanuele III druhej se pushtimi i Shqipërisë do t’ i sillte Italisë probleme të mëdha por mbi të gjitha, me sa duket parashikonte se pushtimi i Shqipërisë do të ishte pikënisja e aventurave të tjera ushtarake në Ballkan, për të cilat ai dyshonte shumë se Italia ishte në gjendje që t’ i përballonte. Sjellja e Mbretit në rastin e pushtimit të Shqipërisë, e bën edhe më të dyshimtë dhe intriguese sjelljen e Cianos. Ciano ishte një njeriu më afër familjes Savoja ndër hierarkët e lartë fashistë, duke qenë mik me Princin trashëgimtar, Umberto, djalin e mbretit. Për këtë arsye Ciano shihej si një lloj moderatori në marrëdhëniet mes Mussolinit dhe familjes Savoja. Por, këtë herë Ciano nuk e konsideron fare mendimin e Mbretit. Në 6 prill 1939 Ciano shkruante në ditar:
      Mbreti (Vittorio Emanuele III- K.M.) i ka dërguar një letër Duçes, në të cilën konfirmon se është njoftuar mbi komunikimin që i ka bërë Duçe për dje për aksionin në Shqipëri, por shprehet skeptik, duke konsideruar eksperiencën historike të venecianëve dhe aragonezëve, sa i përket mundësisë së vendosjes solide në Shqipëri. Por duket se harron që romanët qëndruan shumë mirë.[iii]
      Kundërshtimi i Mbretit italian do të inkurajonte ushtarakët e lartë italianë që të mbanin një qëndrim kundërshtues ndaj pushtimit të Shqipërisë. Pavarësisht se Mussolini u bë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura italiane, duke ia marrë këtë post Mbretit Vittorio Emanuele III, pjesa më e madhe e korpusit të  oficerëve dhe gjeneralët, shikonin Mbretin si komandantin e tyre të vërtetë. Mussolini e kuptonte këtë dhe nuk mungoi që t’ ia shprehte Cianos. Ky i fundit shkruan në ditar, në 4prill 1939:
      Duçe nuk është i kënaqur as me ushtrinë të cilën e quan të vjetëruar dhe domen të monarkisë. Në Bologna një batalion gjuajtësish, i cili ishte mobilizuar për të shkuar në Shqipëri, marshonte duke kënduar “Ne duam paqe dhe jo luftë”. Oficerët të cilët qenë të pranishëm nuk reaguan, gjë që e bëri Mussolinin që të tërbohet.[iv]
      Mospëlqimi i Mbretit Vittorio Emanuele III, si dhe i ushtarakëve të lartë për fushatën në Shqipëri, përhapej deri në rangjet e ulta të oficerëve të ushtrisë italiane dhe perceptohej edhe nga ushtarët, të cilët inkurajoheshin që të shprehnin hapur kundërshtimin e tyre ndaj luftës. Krerët ushtarakë italianë qenë kundër fushatës në Shqipëri. Shefi i Shtatmadhorisë së Përgjithshme (shtabeve të bashkuara), Marshalli Badoglio u përjashtua nga përpilimi i planit të operacionit dhe kundërshtimet e tij të mëpasme thjesht u injoruan. Ciano shkruan mbi këtë në ditar, në 6 prill:
      Badoglio i ka shkruar një letër Duçes ku kritikon planin e operacionit. Duçe nuk tregon vëmendje ndaj saj.[v]
      Ushtrisë nuk i pëlqeu aventura në Ballkan, se parandjente fushata të tjera atje. Komandanti i ekspeditës italiane, Gjenerali Guzzoni, i cili në fund të marsit ishte shprehur shumë entuziast për aksionin ushtarak në Shqipëri, ditën e invazionit nuk dukej më kaq entuziast, kjo pas të gjitha gjasave se kishte ndjerë frymën që sundonte në  rrethet e larta ushtarake. Në paraditen e 7 prillit, Gjenerali Guzzoni bëri një veprim që nuk mund të shpjegohej ndryshe veçse me dëshirën e tij për të sabotuar aksionin ushtarak. Ciano shkruante në ditar, në 7 prill:
      Gjatë pasdites gjithçka ndryshoi. Guzzoni priti negociatorët e Zogut, dhe në vend që të përparonte me trupat, siç e kishte urdhëruar Duçe, pezulloi gjithçka për gjashtë orë. Duçe ishte i tërbuar se kjo vonesë mund të ketë pasoja serioze. Është e nevojshme për ne që të arrijmë në kryeqytet, për të kryer manovrën politike. Nëpërmjet Valle-s (Shefi i Shtabit të Forcave Ajrore) Duçe urdhëroi që marshimi të rifillojë, por në ndërkohë ishte humbur një ditë, çka do t’ i lejojë shtypit të rëndomtë përbaltësues francez që të thotë se italianët u mundën nga shqiptarët.[vi]
      Në orën 11ºº, kur trupat italiane kishin arritur tashmë tek Ura e Shijakut, Zogu dërgoi dy negociatorë, ministrin e Ekonomisë Kombëtare dhe zëvendësshefin e Shtatmadhorisë, nënkolonel Sami Koka, tek komandanti i ekspeditës, Gjenerali Guzzoni, sipas asaj që i kishte kumtuar Jacomoni, se që prej përfundimit të afatit të ultimatumit autoritetet shqiptare mund të komunikonin vetëm me komandantin e ekspeditës italiane. Por Guzzoni, i cili ishte duke përmbushur aksionin ushtarak të paralajmëruar nga një ultimatum, nuk kishte udhëzime për të negociuar mbi kushtet, por vetëm për të dëgjuar nga negociatorët, nëse ishin pranuar kushtet e paraqitura me anë të ultimatumit. Nëse jo, ai duhej që të vazhdonte marshimin në Tiranë. Guzzoni, megjithëse trupat e tij tashmë kishin përparuar thellë në tokën shqiptare, vazhdonte që ta mbante shtabin e ekspeditës në kryqëzorin “Fiume” ku gjendej dhe vetë, një gjest simbolik ky me të cilin tregonte mospëlqimin e tij për invazionin. Pikërisht në kryqëzorin “Fiume” u çuan edhe dy negociatorët shqiptarë. Që prej kësaj dite, Ciano do ta urrente Guzzoni-n dhe nuk do të mungonte që ta shprehte këtë edhe në ditarine e tij, ku në 17 janar 1941 do të shkruante:
      Cavallero nuk vjen në Gjermani se është duke u kryer një mësymje nga grekët. Atë e zëvendëson Guzzoni. Kjo gjë nuk më pëlqen, se nuk e dua këtë njeri; i turbullt dhe i pabesë. Veç kësaj është poshtëruese që të paraqitemi tek gjermanët me një gjeneral kaq të shkurtër, me bark kaq të madh dhe me flokët e lyer me bojë.[vii]
      Atasheu ushtarak italian në Shqipëri, Koloneli Gabrieli, pati një rol shumë aktiv në ndërprerjen e marshimit të trupave italiane. Ai shoqëroi dy negociatorët e Zogut për tek Gjeneral Guzzoni. Jacomoni shkruan mbi rolin e Kolonelit Gabrielli në këtë histori:
Pak më vonë se mesdita hyri në Legatë kolonel Gabrieli, që më vuri në dijeni për bisedat që u zhvilluan me Gjeneral Guzzonin, i cili sapo kishte zbarkuar në Durrës. Ishte marrë vesh për një skemë të konventës ushtarake, që parashikonte vendosjen e një divizioni tonë në Shqipëri. Mbreti Zog do të duhej të bënte një letër, për të kërkuar në Tiranë këtë bashkim të madh. Kolonel Gabrieli më tha se i plotfuqishmi shqiptar kishte pranuar përfundimin e marrëveshjes ushtarake me pranimin e kundërpropozimeve të njohura shqiptare për traktatin e një aleance më të ngushtë. Si gjeneral Guzzoni, ashtu edhe të plotfuqishmit shqiptarë, u rezervuan që t’ ia drejtonin skemën e marrëveshjes ushtarake përkatësisht Musolinit dhe Zogut për vendimet që ata do të merrnin. Një takim i ri do të bëhej pasdite, në orën gjashtëmbëdhjetë. Kolonel Sami Koka do të takohej më parë në Legatë me titullarin ushtarak, për të shkuar së bashku për në Durrës.[viii]
      Sipas propozimit të ri të palës shqiptare, në Shqipëri duhet të vendosej jo më shumë se një divizion italian, me autorizimin e Mbretit Zog. Kjo do të thoshte që Shqipëria të mos mund të përdorej si kryeurë për aksione ushtarake italiane në Ballkan, se me një divizion, italianët nuk mund të mbaheshin në Shqipëri në një situatë të trazuar, jo më të ndërmerrnin agresione ndaj fqinjëve të Shqipërisë. Por, ajo që mund të quhet si orvatja e fundit, dhe që praktikisht ishte një orvatje e përbashkët e Zogut dhe e Mbretit Vittorio Emanuele III, dështoi për shkak se ndërhyri krahu i Cianos dhe Partia Atlantike e Luftës, e cila padyshim që në ato ditë vepronte dhe në Tiranë, se kishte shumë interes për atë që po ndodhte në Shqipëri. Nën ndikimin e saj, dy negociatorët shqiptarë nuk u rikthyen më tek Guzzoni. Jacomoni shkruan për Sami Kokën i cili duhet të vinte në Legatën italiane në Tiranë, që së bashku me kolonelin Gabrielli të shkonin tek Guzzoni: 
E pritëm më kot. Na erdhi lajmi, nga ana tjetër, se pak më vonë se ora gjashtëmbëdhjetë ishte shkatërruar ura e Erzenit, në rrugën e Durrësit. Kështu që tani nuk ishte e mundur për të plotfuqishmit që të mbërrinin në Durrës.[ix]
      Jacomoni e ka fjalën për rrugën Tiranë-Durrës, kur flet për urën e Erzenit në rrugën e Durrësit. Në fakt, Koloneli Gabrieli, i cili dyshonte se Jacomoni do të pengonte negociatat, mori kontakt me dy negociatorët jashtë Legatës italiane dhe u nis me ta për tek Guzzoni, siç do të tregoj më poshtë. Hedhja në erë e urës së Erzenit në rrugën Durrës-Tiranë është episodi më i dyshimtë në ditën e invazionit. Jacomoni shkruan mbi këtë:
Ura e Erzenit, nga sa m’ u tha më vonë, ishte prishur nga kriminelë të cilët, deri pak ditë më parë në gjendje të arratisurish, kishin dëgjuar për një lirim të plotë të burgjeve të Durrësit. Ata vetë ishin liruar dhe ishin armatosur një natë më parë se të vinin anijet tona.[x]
      Por e vërteta e hedhjes së urës në erë nuk ishte kështu. Përse do të hidhnin urën në erë kriminelët ordinerë, të cilët në ato momente e kishin mendjen si e si të vidhnin sa më shumë, duke përfituar nga kaosi? Hedhja në erë e një ure të madhe, si ajo në rrugën nacionale Tiranë-Durrës ishte një ndërmarrje shumë e vështirë dhe e rrezikshme, për kriminelët ordinerë, dhe pa asnjë përfitim për ta. Në të vërtetë, historia e hedhjes në erë të urës, është krejt ndryshe, dhe për të kemi një dëshmi shumë të rëndësishme nga Mul Deli Bajraktari, i cili ishte nga dera e bajraktarit të Hotit, dhe që në prill 1939, ishte oficer i ushtrisë shqiptare me gradën kapiten i parë dhe komandonte pikërisht sektorin e vijës së dytë të mbrojtjes në Shijak. Ai  rrëfen për këtë episod në kujtimet që shkruajti kur ishte në emigracion:
      Qeveria shqiptare pat hy në marrëveshje me komandantin e trupave italiane, Gjeneral Armate Guzoni. Armëpushimi filloi në orën 10. 30 dhe do të vazhdonte deri në ora 4 mbasdreke. Delegacioni parlamentar, i cili duhet të mbërrinte para orës 16. 00, mbërrini në kodrat e Shijakut në orën 17. 30. I ndaluen rojet tona. Ai përbahej nga Ministri i Financave Rrok Gera, nënkolonel Sami Koka dhe koloneli italian Gabrieli, atasheu ushtarak në Tiranë.
      Kërkuen me u takue me mue. Në këtë kohë ndodhesha në kuotën 105. Mbërrina menjëherë. Kolonel Gabrieli më thotë: “Me na lejue me shkue, se duem të takojmë sa më shpejt komandantin e trupave në Durrës”.
      Nënkolonel Sami Koka e Rrok Gera më bajnë me shenj, me sy e me krye, që të mos i lamë me kalue, por me i kthye.
      “Si po e shihni edhe ju,- u them,-keni ardhë vonë, e Ura e Shijakut asht hedhë në erë. Trupat italiane kanë ardhë deri në breg të Erzenit. Nga çasti në çast pritet të fillojë lufta me pararojet tona”.
      Kolonel Gabrieli kërkoi me kambëngulje me shkue doemos, tue pasë një flamur të bardhë në dorë. Unë nuk i lejova, sepse në atë kohë kishte mbarue koha e marrëveshjes. Mbreti me Qeverinë kishin ikë e shkue në Korçë (me atë rast kaluen në Greqi). Grupi i parë me Gardën Mbretnore ishin nisë për në Qafë Kërrabë e Elbasan. Gabrieli natyrisht kishte interes me vue në dijeni komandën e vet italiane mbi situatën e vështirë e të vajtueshme të trupave shqiptare etj. U detyruan të kthehen në Tiranë. Nuk shkuen veç pak minuta e filloi zjarrmi mes pararojeve. Në kët kohë ura u hodh në erë prej xhenierëve tanë. Prej tymit të madh, asgja nuk shihej.[xi]
      Nga rrëfimi i Kapiten Mul Deli Bajraktarit del se Gjenerali Guzzoni nuk e kishte rifilluar marshimin as në oren 17. 30, edhe pse afati i armëpushimit, kishte përfunduar në orën 16. 00, dhe kishte përfunduar tashmë prej një ore e gjysëm. Nënkolonel Sami Koka dhe Rrok Gera e mashtruan komandantin shqiptar të zonës, kapiten Mul Deli Bajraktarin, duke e bërë të mendonte se ata kishin porosi nga Mbreti Zog që t’ i vononin bisedimet me Gjeneralin Guzzoni. Kapiten Mul Deli Bajraktari nuk e dinte, dhe nuk kishte si ta dinte se Rrok Gera dhe Sami Koka tashmë punonin për atë linjë italiane që donte pushtimin e Shqipërisë dhe se ishte Koloneli Gabrieli ai që po përpiqej që të shmangte pushtimin e Shqipërisë. Sjellja e Kolonelit Gabrieli, në episodin që rrëfen kapiten Mul Deli Bajraktari është ashtu siç e përshkruan Ciano në ditarin e tij. Koloneli Gabrieli në episodin që rrëfen Mul Deli Bajraktari bën gjithçka që të kryhet takimi i përcaktuar i negociatorëve shqiptarë me Gjeneralin Guzzoni. Mul Deli Bajraktari e gënjeu kolonelin italian, kur i tha se ura ishte hedhur në erë tashmë dhe qartësisht këtë e bëri se e shikonte atasheun ushtarak italian si një njeri që po përpiqej që të kryhej pushtimi i Shqipërisë. Në fakt, siç e thotë kapiten Bajraktari më tutje në rrëfimin e tij, ura nuk ishte hedhur në erë në atë kohë dhe u shkatërrua pak më vonë nga xhenierët e ushtrisë shqiptare. Natyrisht se,  përderisa nuk do të kishte më negociata dhe trupat italiane do të rifillonin që të përparonin, ishte gjëja më e logjikshme që komandanti i sektorit të mbrojtjes, të urdhëronte hedhjen e urës në erë. Jacomoni e shpërfill këtë episod të fundit të negociatave:
Nga ana tjetër, siç mora vesh më vonë, një tratativë e re do të ishte e padobishme dhe e pamundur, sepse Musolini i kishte gjetur të papranueshme propozimet e Zogut dhe e kishte urdhëruar Gjeneralin Guzzoni që të mos humbiste më tepër kohë dhe të vazhdonte drejt kryeqytetit.[xii]
      Këtu rrëfimi i Jacomonit bëhet çuditërisht shumë i mjegullt dhe enigmatik, aq më tepër kur ai shkruan shumë vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Jacomoni nuk parapëlqen që ta sqarojë këtë episod enigmatik të negociatave të fundit të ditës 7 prill. Ai nuk na thotë gjë se përse Gjenerali Guzzoni, i cili kishte urdhër të prerë që të bisedonte me të dërguarit e Zogut vetëm mbi pranimin ose jo të kërkesave të paraqitura me ultimatumin italian, megjithatë hyri në negociata. Natyrisht se Gjenerali Guzzoni nuk do të pranonte të hynte në negociata, në rast se ofertën e fundit të Zogut, të cilën e paraqitën dy të dërguarit e tij, nuk do ta mbështeste edhe atasheu ushtarak italian në Tiranë, Koloneli Gabrieli, i cili i shoqëroi dy negociatorët dhe bëri gjithçka që të arrihej marrëveshja. Edhe Kolonel Gabrieli e dinte shumë mirë se Roma kishte urdhëruar që, pas përfundimit të afatit të ultimatumit, me palën shqiptare të mos komunikohej më përveçse për pranimin e pakushtëzuar ose jo të kërkesave të paraqitura nga Italia për Mbretin Zog. E megjithatë Kolonel Gabrieli mori pjesë aktivisht në negociata. Kjo nuk ka shpjegim tjetër veç atij se Mbreti Vittorio Emanuele III ishte bërë aktiv në momentet e fundit me anë të besnikëve të tij dhe donte që ta vinte Mussolinin para faktit të kryer të arritjes së marrëveshjes me Zogun. Zogu pastaj do t’ ia bënte me dije marrëveshjen e arritur ministrit britanik në Shqipëri, me shpresën se Londoni do të ushtronte presion mbi Romën që ta pranonte marrëveshjen. Në fakt, marrëveshja e arritur në mesditën e 7 prillit ishte ajo çka Britania e Madhe ishte e përgatitur që t’ i bënte si koncesion Italisë në Shqipëri, pra që në Shqipëri të kishte një numër të kufizuar trupash italiane, çka do t’ ia pamundësonte Italisë që të ndërmerrte aksione ushtarake kundër vendeve fqinje me Shqipërinë.
      Jacomoni, qartësisht ka qëndruar i distancuar në këtë histori, duke e kuptuar se ajo mund të interpretohej deri edhe si tradhti e lartë. Prandaj ai nuk zgjerohet në përshkrimin e këtij episodi. Por, pas përfundimit të invadimit të Shqipërisë, edhe Mussolini parapëlqeu që të mos merrej me këtë histori, se e kuptonte që do të gjendej përballë dilemës së tij të përhershme nëse duhej që të ruante apo të eliminonte monarkinë. Vështirë që të besohej se Gjeneral Guzzoni dhe Kolonel Gabrieli kishin vepruar pa shtysa nga rrethi i Vittorio Emanuele III, në këtë histori. Ndonëse Jacomoni thotë se Mussolini, pasiqë mësoi se Guzzoni kishte hyrë në negociata e këshilloi këtë të fundit që të mos humbte kohë, por të marshonte përpara, siç e kam cituar më lart, Ciano na jep një tablo tjetër, kur shkruan në ditar, në mbrëmje vonë, në 7 prill:
      Lajmet rreth përparimit të kolonave mungojnë. I vetmi që telegrafon është Jacomoni, i cili është fshehur në Legatë. Informacionet që ai dërgon janë shqetësuese sa i përket fatit të tij: banditët janë duke grabitur Pallatin Mbretëror dhe kërcënojnë Legatën. Duçe, i cili është bërë shumë nervoz, telefonon vazhdimisht gjatë natës, duke kërkuar informacione të cilat unë nuk jam në gjendje që t’ ia jap. Vetëm në orët e para të mëngjesit Jacomoni njofton se qyteti është qetësuar, por ne nuk dimë kurrgjë rreth përparimit të Guzzoni-t.[xiii]
      Pra, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura italiane, Marshalli i Parë i Italisë, Mussolini, nuk ishte në gjendje që të komunikonte me ushtrinë e tij, e cila po kryente një operacion jo më larg se 80-150 km nga bazat e saj në brigjet italiane, dhe që kishte zbarkuar në një vend ku kundërshtari nuk zotëronte asnjë lloj teknike moderne për të ndërprerë komunikimet italiane! Sipas këtyre që thotë Ciano del se Mussolini as që kishte arritur që të komunikonte me Guzzonin, dhe nuk ishte në dijeni, nëse kolonat po marshonin. Jacomoni e zhvlerëson përpjekjen e Guzzonit dhe Gabrielit, sepse ai nuk u bashkua më ta. Mbreti Zog priste përgjigje nga negociatorët e dërguar prej tij, për të vendosur nëse do të rrinte në Shqipëri, apo nëse do të largohej. Negociatorët u vonuan deri në orën 17: 30, për të shkuar tek ura e Erzenit, dhe atëherë bënë gjithçka që të mos bëhej takimi i parashikuar me Gjeneral Guzzoni-n, ashtu që ta bënin Zogun që të largohej. Kur Zogu pa se arriti dhe kaloi ora 16.00, dhe nuk pati asnjë lajm, ai e kuptoi se e negociatorët e kishin tradhtuar dhe u nistë largohej nga Shqipëria. Jacomoni shkruan për këtë:
      Andej nga ora gjashtë e pasdites, doktor Mario Bianki që kishte mbetur me mua në Tiranë dhe që ishte në marrëdhënie miqësore me mjaft intelektualë shqiptarë, kishte marrë lajmin prej njërit prej tyre se mbreti e kishte lënë Tiranën, bashkë me disa anëtarë të qeverisë.[xiv]
      Por italianët nuk ishin të sigurt nëse Mbreti Zog ishte duke u larguar nga Shqipëria, apo ishte duke u tërhequr në male. Vetëm të nesërmen në 8 prill, Ciano do të shkruante në ditar:
      Me përhapjen e lajmit të ikjes së Zogut në Greqi u zhdukën krejt frikërat tona për qëndresë në male. Në fakt ushtarët tashmë janë kthyer në kazerma, pasiqë kanë depozituar armët në oborrin e Legatës.[xv]
      Para kësaj, në 8 prill, Ciano shkruante në ditar:
      Situata nuk është e shkëlqyer.[xvi]
      Megjithatë, në mëngjesin e 8 prillit, Ciano, i cili për më tepër kishte mësuar se Zogu ishte larguar nga Tirana, nuk mund t’ i rezistonte joshjes për të hyrë si hero në kryeqytetin shqiptar, tashmë që aksioni ushtarak në Shqipëri, të cilin ai e kishte dëshiruar aq shumë, ishte duke u kurorëzuar. Ciano u bë xheloz se markezi Blasko Lanza D’ Ajeta, njeriu që kishte lidhje familjare me Sumner Welles dhe me Partinë Atlantike të Luftës, ishte duke shkuar në Tiranë. Ciano shkruan në ditar, në 8 prill:
      D’ Aieta telefonoi në orën tetë të mëngjesit për të më thënë se Jacomoni më siguronte se aeroporti i Tiranës tashmë mund të përdorej nga ne. Unë vendosa që të nisem saora dhe informova Duçen, i cili e miratoi vendimin tim. Unë arrita në Tiranë në orën 10. 30 pasiqë fluturova mbi një kolonë automjetesh të blinduara, e cila gjendej në hyrje të qytetit. Unë gjeta në aeroport Valle-n, Guzzoni-n dhe Jacomoni-n së bashku me shumë njësi të granatierëve të forcave ajrore. Më duhet ta pohoj se një emocion i fortë më rrëmbeu mua dhe të tjerët.[xvii]
      Nëse Ciano do ta kishte ditur se sa e madhe në të vërtetë ishte bëma e tij, ai me siguri që do të ishte prekur dhe emocionuar shumë më tepër. Në ato momente ai ishte si një kalë në një betejë historike, i cili, në mënyrën e tij e kupton se po merr pjesë në një ngjarje të madhe, por që nuk është i aftë për të kuptuar se përse bëhet fjalë. A e kuptonte Ciano në ato momente se ushtria italiane kishte bërë një performancë të mjerueshme ushtarake në Shqipëri, dhe nëse do ta përdorte Shqipërinë si kryeurë për mësymje të tjera në Ballkan, rrezikonte që të pësonte katastrofa të vërteta? Një ekspeditë e krijuar nga bashkimi i forcave elitë të ushtrisë italiane, e mbështetur nga artileria e fuqishme e flotës detare, aviacioni, tanket, kishte zbarkuar në një vend të vogël, që nuk mund t’ i nxirrte përballë për qëndresë veçse forca të papërfillshme, krahasuar me ato mësymëse. E megjithatë kolonës kryesore mësymëse i ishin dashur 30 orë që nga momenti i zbarkimit për të hyrë në kryeqytet, i cili gjendej 40 km nga vendi i zbarkimit, në terren fushor, dhe me një rrugë të mirë që të çonte atje. Ciano shkruan në ditar, në 8 prill:
      Unë u takova me Guzzoni-n i cili më shpjegoi arsyet e vonesës: vështirësi në zbarkim, karburant i pavlefshëm, dhe në fund mungesë komunikimi, se radiooperatorët nuk janë të aftë.[xviii]
      Nëse kjo ishte performanca e njësive elitë të ushtrisë italiane, në një fushatë ku kundërshtari ishte i papërfillshëm, çka do të ishte performanca e ushtrisë italiane në një luftë serioze? Mussolini e dinte se aksioni ushtarak në Itali ishte vëzhguar nga afër prej specialistëve ushtarakë britanikëve, francezëve, gjermanëve, grekëve, jugosllavëve, hungarezëve, turqve dhe njerëzve të vendeve të tjera të interesuara, të cilët gjendeshin në përfaqësitë diplomatike të huaja në Shqipëri. Të gjithë këta nxorrën përfundimet e tyre, të cilat ua bënë me dije qeverive dhe shtatmadhorive të tyre. Performanca ushtarake e mjerueshme italiane në Shqipëri do ta inkurajonte diktatorin grek Metaxa, që ta refuzonte ultimatumin e Mussolinit, 18 muaj më pas, si dhe do t’ a inkurajonte Shtatmadhorinë jugosllave që, kur Jugosllavia u mësy nga Gjermania, në prill 1941, ushtria jugosllave të ndërmerrte një mësymje në krejt kufirin shqiptar. Ushtria jugosllave, ndonëse ishte inferiore në trupa dhe armatime në krahasim me ushtrinë italiane që gjendej në Shqipëri, e theu atë dhe përparoi shumë në territorin shqiptar, aq sa nëse ushtria gjermane nuk do ta thyente shpejt qëndresën jugosllave, trupat jugosllave do të kishin hyrë në Shkodër dhe do të kërcënonin Tiranën. Mussolini nuk mund të mos e kuptonte se operacioni ushtarak kishte qenë një “Guadalajarë” në llojin e vet, një tjetër “Caporetto” shqiptare, edhe më e hidhur se ajo e vitit 1920, siç e kishte quajtur dikur Mussolini humbjen ushtarake italiane të atëhershme në Shqipëri. “Caporetto” e vitit 1939 në Shqipëri ishte edhe më e hidhur se ajo vinte pasiqë Fashizmi kishte 17 vite në pushtet. Ajo çka kishte bërë Fashizmi ishte se kishte sjellë “Caporetto”-n në trajtë karikature. Mussolini nuk mund ta pranonte këtë gjë, se kështu i duhej që të pranonte dështimin e regjimit të tij. Prandaj Mussolini, në vend që të nxirrte mësime nga “Caporetto” shqiptare, e quajti atë një sukses të madh. Ciano shkruante në ditar në 9 prill:
      Unë kthehem në Romë dhe i bëj një raport Duçes… Duçe është i lumtur. Ai dëgjon me vëmendje raportin tim dhe vendos që t’ i dërgojë një telegram urimi Guzzoni-t. Ai me të vërtetë që e meriton atë.[xix]
      Natyrisht se Mussolini në 1939 kishte komoditetin se në Itali kurrkush nuk mund të shkruante në shtyp një artikull si ai që kishte bërë Mussolini në 1920 për “Caporetto” shqiptare të ushtrisë italiane në atë vit.


[i] po aty: p. 65
[ii] po aty: p. 56
[iii]po aty: p. 64
[iv] po aty: p. 61
[v] po aty: p. 64
[vi] po aty: p. 65
[vii] po aty: p. 330
[viii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 115-116
[ix] po aty: f. 116
[x]po aty: f. 116
[xi] Mul Deli Bajraktari, “Kujtime: besëlidhja e Malësisë së Madhe”, Botim i “Rozafa 1”, Shkodër 2004, f. 10-11
[xii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 116
[xiii]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London1947, Heinemann, p. 65
[xiv] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 116
[xv]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London1947, Heinemann, p. 67
[xvi] po aty: p. 66
[xvii] po aty: p. 66
[xviii]po aty: p. 66
[xix] po aty: p. 67