22. Të bashkuar ndër këmbët e Prill-Kaputit




      Në 5 prill 1939, ministri i Shqipërisë në Berlin, Rauf Fico, i cili kishte kërkuar takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për krizën italo-shqiptare, u prit vetëm nga Drejtori i Seksionit të Punëve të Jashtme, Verman. Zyrtari gjerman, pasiqë dëgjoi nga ministri shqiptar për ultimatumin që Italia i kishte dërguar Shqipërisë, me ç’ rast iu kërkua të bëhej i njohur  qëndrimi i Gjermanisë, dhe nëse ajo mund të ndërhynte në Romë, për të ndaluar invadimin, u përgjigj:
      Gjermania nuk kishte kurrfarë interesi në Adriatik dhe as që e diskutonte një ndërhyrje në kundërshtim me dëshirat e Italisë.[i]
      Deklarata e mësipërme e zyrtarit gjerman, në emër të qeverisë gjermane, do të thotë të Hitlerit dhe Ribbentropit, përbën një nga ironitë më të mëdha diplomatike të historisë, jo vetëm asaj të Luftës së Dytë Botërore. Saktësisht dy vjet pas kësaj deklarate, në 5 prill 1941, trupat gjermane gjendeshin në kufijtë e Jugosllavisë dhe Greqisë, gati për të filluar të nesërmen luftën kundër këtyre dy vendeve, që Hitleri nuk e kishte dashur, por që kishte qenë i detyruar që ta ndërmerrte për shkak të dështimit të Italisë në sulmin e saj ndaj Greqisë, që e kishte origjinën tek pushtimi i Shqipërisë, në prill 1939. Hitleri do të shkruante në testamentin e tij politik, në 1945, gjithë mllef:
      Edhe pse u treguan të paaftë që të mbanin pozicionet e tyre në Abisini dhe Kirenaika (Libi- K.M.), italianët patën guximin që të hidheshin kuturu në një fushatë pa kuptim në Greqi, pa kërkuar aspak këshillën tonë e bile pa na dhënë as një njoftim për qëllimet e tyre. Humbjet e turpshme që ata pësuan bënë që disa nga vendet e Ballkanit të na vështronin me përbuzje dhe neveri. Këtu dhe kërkund tjetër duhen gjetur shkaqet e qëndrimit të ftohtë të Jugosllavisë dhe të kalimit të saj në anën e kundërt në 1941. Kjo na detyroi ne, në kundërshtim me të gjitha planet tona, që të ndërhynim në Ballkan, e kjo na çoi në vonesën katastrofave për fillimin e mësymjes në Rusi. Ne na u desh të angazhonim disa nga divizionet tona më të mira atje. E si rezultat i fundit, ne u shtrënguam të pushtonim territore të gjera në të cilat, përveçse për të vënë në skenë këtë estradë, prania e trupave tona atje do të kishte qenë krejt e panevojshme.[ii]
      Hitleri, duke reflektuar në fund të jetës së tij, e konsideronte kështu prillin e vitit 1941, kur Gjermania hyri në luftë kundër Jugosllavisë dhe Greqisë, si muajin fatal të Luftës së Dytë Botërore për Gjermaninë dhe Boshtin. Ndonëse për gjermaninë, fushatat e prillit 1941 qenë një sukses i shkëlqyer ushtarak, ku triumfoi blitzkrieg i dyfishtë, megjithatë ato nga pikëpamja metastrategjike qenë humbje të rënda. Por prilli 1941, ishte rezultat i prillit 1939, kur Italia pushtoi Shqipërinë. Por, Hitleri nuk arriti që ta kuptonte, ose mbase nuk e la krenaria intelektuale që ta pranonte, se ishte Partia Atlantike e Luftës, ajo që e tërhoqi atë mjeshtërisht në Ballkan, në një luftë të dyfishtë, mes prillit 1939 dhe prillit 1941. Është për t’ u habitur që Mussolini, i cili ishte një studiues i pasionuar dhe i thelluar i Romës së Vjetër, nuk e kuptoi supersticionin e romanëve të vjetër për luftrat në muajin prill. Ideali i Mussolinit ishte që të ringjallte në Italinë fashiste shpirtin e Romës së Vjetër. Peter Godman, në librin e vet “Hitler and the Vatican: inside the secret arcives that reveal the neë story of the Nazis and the Church” rrëfen për simbolikën e Sheshit Imperori Augustus që ndërtoi Mussolini në Romë:
      Në qendër të Romës qëndron një kompleks i projektuar dhe ndërtuar në vitet tridhjetë, nga arkitekti Vittorio Morpurgo, i cili donte që të celebronte lidhjen midis Mussolinit dhe modelit të tij imperial. Kthimi i Imperorit Augustus në qytet ishte përkujtuar nga Senati roman me të famshmin Ara Pacis (Altari i Paqes i ndërtuar në vitet 13-9 para e.s. dhe i rindërtuar nga fashistët). Në pjesën veriore të Piazza Augusto Imperatore mbi të cilin ka mozaikë që paraqesin të shkuarën romane dhe virtytet romane. Poshtë ballkonit një mbishkrim thekson lidhjen mes Mussolinit, Duçes, dhe Imperorit Augustus. Këtu, kulti i dy Romave të Fashizmit, të vjetrës dhe modernes, me asgjë mes tyre, është domethënës. Këtu njeriu përfytyron sunduesin e imperisë së ringjallur, i cili synon që t’ u adresohet nga foltorja turmave përshëndetëse.[iii]
      Derisa Mussolini pretendonte se me Italinë fashiste kishte ringjallur Romën e Vjetër, të bëhet të besosh se ai mori nga Roma e Vjetër mallkimin e keqshkuarjes së luftrave në prill. Ndonëse në dymbëdhjetë shekujt e ekzistencës së Romës, si gjatë republikës, ashtu dhe imperisë, në prill janë bërë shumë luftra, nuk ka asnjë fitore të madhe të Romës në këtë muaj. Madje ka disfata të mëdha, si ajo me Hanibalin në Liqenet Trasimena, e cila sipas kalendarit julian bie në prill. Në prill 215 para e.s. në Romë u hap një tempull kushtuar hyjneshës Venus Erycina, për të përkujtuar pikërisht Betejën e Liqenit Trasimene, ku romanët kishin pësuar një humbje të rëndë nga kartagjenasit e Hanibalit, dy vite më parë. Në prill janë bërë kryesisht beteja të luftës civile midis vetë romanëve, të cilat shiheshin si fatkeqësi për Romën, dhe ku një roman do të fitonte gjithsesi. Në këto beteja, jo rrallë fati i keq i ka ndjekur edhe fitimarët. Julius Caesari, ndonëse fitoi betejën e fundit të luftës civile së kohës së tij, me republikanët, në Kartagjenë të Afrikës, në 6 prill 46 para e.s., pësoi një krizë epilepsie në përfundim të betejës. Në vitin 43 para e.s. Aulus Hirtius, konsulli roman i cili u bind nga Cicero që të dilte si kampion i kauzës së Senatit në luftën civile romane, mundi Mark Antoni-n në Betejën e Mutina, por fitimtari u vra. Në vitin 69 të e.s. imperori roman Otho, u mund ta nga komandanti i rebeluar i ushtrisë së Rinit dhe humbi fronin. Në prill të vitit 238 të e.s., imperori roman Gordian II humbi betejën kundër numidianëve, në Afrikë ku edhe u vra, me ç’ rast filloi një periudhë e keqe që njihet si Viti i Gjashtë Imperorëve, për shkak se atë vit ranë njëri pas tjetrit pesë imperorë. Nga të gjitha luftrat që nisi Mussolini në Europë dhe Afrikë, vetëm njëra filloi në prill, ajo në Shqipëri. Dhe pikërisht ajo u bë origjina e fatkeqësive të Boshtit. Reich-u i Dytë gjerman e pësoi mallkimin e prillit nga aleanca me Italinë, se gjermanët nuk kishin historikisht diçka të tillë. Hitleri nisi dy luftra, në të njëjtën ditë, në muajin prill, sulmin e njëkohshëm kundër Danimarkës dhe Norvegjisë në 8 prill 1940, dhe të dyja përfunduan me një sukses të shpejtë. Është interesante se Mussolini, i cili i kushtonte një rëndësi shumë të madhe ringjalljes së kultit të Romës së Vjetër, që për të duhej që të prevalonte mbi Krishterimin, shpërfilli një bestytni të qartë të romanëve të vjetër, atë të luftërave në prill. Në 7 prill 1943, në përvjetorin e katërt të pushtimit të Shqipërisë, Mussolini do të takohej me Hitlerin në Klessheim, në rrethinat e Salsburg, dhe do t’ i kërkonte që të bënte armëpushim me Bashkimin Sovjetik, ashtu që të liroheshin trupat për të luftuar kundër fuqive anglosaksone. Data e takimit kishte një simbolikë fatale. Në këtë ditë Mussolini e çoi luftën në Ballkan, duke bërë që Gjermania të humbte kohën e nevojshme për ta zhvilluar fushatën kundër Rusisë sipas planit. Hitleri dhe Mussolini, të dy do të vdisnin në muajin prill, gjashtë vite pas prillit fatal të vitit 1939.     
      Zinxhirin e ngjarjeve të prillit të mallkuar, që filloi në 1930, në dasmën e Edda-s dhe Galeazzo-s do ta mbyllte njeriu që u bë shkak që Mussolini t’ i jepte pushtet Cianos, vajza e Duçes, Edda, e cila vdiq në prillin e largët 1995, në datën 9 të këtij muaji, çka në mënyrë kureshtare ishte data në të cilën kishte rënë dita e fundit e Javës së Shenjtë, në prill 1939, të cilën Mussolini e dhunoi me agresionin ndaj Shqipërisë. Marshalli Badoglio, fitimtari i Etiopisë (Abisinia), Shefi i Shtatmadhorisë së Përgjithshme Italiane, dhe i vetmi ushtarak nga mendimi i të cilit Mussolini influencohej deri në njëfarë mase, nuk insistoi në kundërshtimin e tij për pushtimin e Shqipërisë dhe pësoi gjithashtu mallkimin e prillit. Djali i tij, Paolo, i cili ishte pilot i një aeroplani luftarak në ushtrinë italiane që luftonte kundër britaniko-amerikanëve në Afrikën veriore, u vra pasiqë aeroplani i tij rrëzua nga forcat britaniko-amerikane, në 30 prill 1943, katërmbëdhjetë ditë para se Marshalli Messe, i cili kishte qenë komandant i ekspeditës italiane që pushtoi Shqipërinë në 1939, të nënshkruante kapitullimin e ushtrisë së tij dhe dorëzimin tek britaniko-amerikanët, në 13 maj 1943. Edhe kryqëzorin “Giovani de le Bande Nere”. (Giovani i Bandave të Zeza), të cilin Ciano e zgjodhi për udhëtimin shqiptar në prill 1938, se ishte lëshuar në ujë pikërisht në 27 prill, ditën e martesës së mbretit Zog, do ta ndiqte Prill-Kaputi. Kryqëzori u mbyt në 1 prill 1942, nga dy torpeda të lëshuara nga nëndetësja britanike “HMS Urge”, me ç’ rast luftanija italiane u nda në dysh dhe u fundos. Edhe për Mbretin Zog mund të thuhet se e përndoqi Prill-Kaputi, për shkak se në dasmën e tij, që u bë gjithashtu në muajin prill, në 27 prill 1938, ai kishte si dëshmitar pikërisht Ciano-n. Mbreti Zog do të vdiste në 9 prill 1961, 22 vite pas prillit në të cilin ra nga froni.
      Edhe Partia Atlantike e Luftës, pati pjesën e saj të mallkimit të prillit, për shkak të bashkëpunimit me një rrymë romane. Presidenti amerikan Roosevelt, njeriu i cili e bëri aq të pushtetshëm mikun e vet Sumner Welles, që pati rol vendimtar në influencimin e Cianos, vdiq në 13 prill 1945. Allen Ë. Dulles, do të përjetonte goditjen e Prill-Kaputit, së pari në vitin 1945, kur ai, në cilësinë e shefit të OSS në Europë drejtonte negociatat me komandantët e trupave gjermane në Itali, të cilët pranonin që të kapitullonin, por kishin disa kërkesa. Në 9 prill, Allen Dulles u takua me komandantin e përgjithshëm të trupave gjermane në Itali, Gjeneralin Vitinhof, i cili i bëri me dije se:
      Ai ishte gati të nënshkruante kapitullimin pa kushte, nëse aleatët pranonin diçka të vogël; ruajtjen e nderit ushtarak. Ja cilat ishin këto kushte të vogla: gjermanët të qëndronin gatitu kur të vinin aleatët të merrnin kapitullimin; gjermanët nuk do të internoheshin në Amerikë apo Angli, por do të mbaheshin përkohësisht në Itali, ku do t’ i lejonin të bënin ndonjë punë të dobishme për rindërtimin e rrugëve dhe hekurudhave dhe nuk do të mbaheshin pas telave me gjemba. Pasi të stabilizohet gjendja, gjermanët do të kthehen në Gjermani me rripat dhe bajonetat e tyre, çka do të ishte dëshmi e kapitullimit të tyre të organizuar... Nëse ne do të mund t’ i kënaqnim kërkesat e tij, qoftë edhe pjesërisht, ai na premtonte, që Italia e Veriut do të na servirej në tabaka me kordele të kaltër anash, brenda javës.[iv]
      Kapitullimi i Italisë kishte një rëndësi shumë të madhe për aleatët britaniko-amerikanë, të cilët kishin hapur me bujë të ashtuquajturin Front të Tretë në Itali, dhe tash, rreth dy vjet më pas, nuk po arrinin ende që t’ i dëbonin gjermanët nga Italia e Veriut, ku këta ende mbaheshin në një vijë që fillonte në jug të qytetit Bologna, duke zotëruar kështu krejt zonat më të rëndësishme industriale dhe bujqësore të Italisë. Marrja nën kontroll e Italisë nga aleatët kishte një rëndësi aq të madhe, si për atë kohë, ashtu edhe për periudhën e pasluftës, saqë kërkesat e gjermanëve mund të pranoheshin, së paku pjesërisht. Sa për rëndësinë për periudhën e pasluftës, të marrjes nën kontroll të Italisë nga aleatët perëndimorë, Dulles e tregon saktë këtë kur flet për interesin plot alarm që shfaqën sovjetikët për negociatat e aleatëve perëndimorë me gjermanët në Itali:
      Tek mendoja për pozicionin e sovjetikëve, nisa ta kuptoja se çfarë duhej t’ i  shqetësonte udhëheqësit sovjetikë. Nëse ne do të arrinim të nënshkruanim kapitullimin e shpejtë me gjermanët, trupat e aleatëve mund të pushtonin të parët Triesten, çelësin e Adriatikut. Nëse plani ynë do të dështonte, dhe gjermanët, duke vazhduar të luftonin do të vazhdonin të tërhiqeshin në pozicione të volitshme mbrojtëse, në perëndim të Venecias, nën hijen e Alpeve, forcat e komunistëve (ose trupat sovjetike që do të kalonin nëpër Hungari, ose pasuesit e Titos në jugosllavi, të mbështetur nga partizanët prokomunistë), do të arrinin në Trieste, ndoshta edhe më në perëndim, para nesh. Për rrjedhim ne kishim një arsye të fortë për të arritur kapitullimin, Në këtë drejtim është me dobi të kujtojmë që, nëse zonat e pushtimit të Gjermanisë, përfshi edhe Berlinin, dhe të Austrisë, do të ndaheshin midis aleatëve dhe sovjetikëve nëpërmjet marrëveshjeve të mëparshme ndërqeveritare, ndaj Italisë së Veriut kjo nuk u bë, sepse Italia shihej si aleat. Kësisoj, pushtimi paraprak i këtij rajoni nga forcat prokomuniste, mund të përcaktonte plotësisht zonat e influencës të pasluftës, ose të pushtimit.[v]  
      Por Dulles e dinte mirë, ndonëse nuk e thotë, se ishte Partia Atlantike e Luftës ajo që nuk e donte kapitullimin e shpejtë të gjermanëve në Itali dhe marrjen e shpejtë nën kontroll të krejt Italisë, nga ana e aleatëve perëndimorë. Partia Atlantike e Luftës tashmë kishte filluar të mendonte vijën e konfliktit në botën e bipolarizuar të pasluftës, e cila do të kalonte edhe nëpër Italinë verilindore, ku Trieste do të përbënte një pikë të nxehtë konflikti. Nëse ushtria britaniko-amerikane do të merrte nën kontroll Italinë verilindore para se këtë gjë ta bënin partizanët jugosllavë të Titos, me ndihmën e partizanvë komunistë italianë, atëherë do të mungonin disa qendra serioze krize të Luftës së Ftohtë, midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist, atje, si ajo për Triesten, rrethinat e saj, për Istria-n, Venezia-Giulia-n, të cilat patën impakt të madh në afirmimin e bipolaritetit të botës së pasluftës. Prandaj, në negociatat përfundimtare që filluan në Zvicër në 23 prill 1945, mes të dërguarve të ushtrisë gjermane, dhe amerikanëve, pati një bllokim, të cilin Dulles e përshkruan kështu:
      Kaluan edhe dy ditë dhe nga Uashingtoni apo Kazerta (qytet në Italinë Jugore ku ishte komanda e trupave britaniko-amerikane të Italisë- K.M.) nuk po vinte ndonjë fjalë. Koha kalonte. Çdo dy-tre orë, të dërguarit e padurueshëm gjermanë pyesnin në kishte ndonjë të re. Ndoshta ishte hera e parë në histori që parlamentarët, të cilët donin të dorëzonin një ushtri të madhe, t’ i pritnin në mënyrë kaq të çuditshme.[vi]       
      Gjërat arritën deri atje sa të dërguarit gjermanë e kuptuan se patën gabuar, kur patën menduar se britaniko-amerikanët donin që t’ i jepnin fund luftës në Itali sa më shpejt që të ishte e mundur, ashtu që të merrnin nën kontroll Italinë. Dulles shkruan për të dërguarit gjermanë në Zvicër, nga ushtria e Italisë:
      Ata vendosën të qëndronin edhe pak, por Shvajnici nisi të thotë, se do t’ ia tregonte autorizimin e vet përfaqësuesve të shtypit nëse, në afatin më të shkurtër, nuk do të ketë të reja. Bota do e shohë, u shpreh ai, se si e shtruan ata rrugën drejt kapitullimit dhe kush është përgjegjës tani për vazhdimin e kasaphanës së kotë në Itali.[vii]
      Kjo do të thoshte se, nëse gjermanët qenë në prag të kapitullimit ushtarak, amerikanët dhe britanikët, qartësisht kishin kapitulluar moralisht. Refuzimi i kapitullimit ushtarak ishte një kapitullim moral para Partisë Atlantike të Luftës. Aleatët perëndimorë e vuajtën mallkimin e prillit duke pësuar një katastrofë morale, dhe Dulles pati një rol të palakmueshëm në këtë histori. Gjithsesi, situata ishte bërë shumë komprometuese për Partinë Atlantike të Luftës. Prandaj, më në fund kapitullimi u nënshkrua në 29 prill dhe sipas aktit do të hynte në fuqi në 2 maj. Partia Atlantike e Luftës, e arriti qëllimin e saj, se partizanët komunistë jugosllavë mundën të hynë para aleatëve perëndimorë, në pjesën më të madhe të territoreve që rivendikonin në Italinë Verilindore. Dulles shkruajti një libër më vetë për kapitullin e turpshëm të kapitullimit të trupave gjermane të Italisë. Faktet qenë aq të qarta dhe të rënda saqë ai nuk mund t’ i mohonte. E vetmja gjë që mund të bënte ishte që të krijonte pak mjegull, duke e shfajësuar qeverinë e tij, kinse ajo ishte nën presionin e rusëve. Prill-Kaputi e përndoqi Dulles-in në prillin e largët 1961. Karriera e Allen Dulles si drejtor i CIA-s, do të merrte fund kur në prillin e vitit 1961 dështoi një aksion subversiv, i organizuar nga CIA për përmbysjen e regjimit të Fidel Castro në Kubë. Disfata i kushtoi Dulles-it postin e drejtorit të CIA-s. Një tjetër viktimë e mallkimit të prillit.
      Edhe Winston Churchill-in, njeriun e Partisë Atlantike të Luftës, e përndoqi Prill-Kaputi. Në vitin 1951, ndonëse në gjendje të keqe shëndetësore, dhe në moshë shumë të madhe, 77 vjeç, ai u bë kryeministër, kur partia e tij u rikthye në pushtet, pas fitores në zgjedhjet e parakohshme. Prill-Kaputi e ndëshkoi Churchill-in në vitin 1955, kur ai, në 5 prill të atij viti, u ndëshkua moralish për lakminë e tij për pushtet të paprecedent në një vend demokratik, që e bëri të luante një parodi të qëndresës së tij të kohës së luftës, të artikuluar në fjalimin e famshëm “Never Give Up”. Pasiqë, praktikisht nuk ishte më në gjendje për të ushtruar detyrën, që prej qershorit 1953, Churchill u largua përfundimisht nga pushteti, në muajin prill 1955, kur dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqjen në 5 prill 1955. Kështu, pjesa më e madhe e atyre të cilët kishin qenë kundërshtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që patën të përbashkët se kishin të bënin, në një mënyrë apo në një tjetër, me pushtimin e Shqipërisë në prill 1939, nga Mussolini tek Churchill, nga Hitleri tek Roosevelt, nga Ciano tek Allen Dulles, u bashkuan ndër këmbët e Prill-Kaputit, si viktima të tij, në një masë apo në një tjetër.
      Njeriu i cili do të përfitonte më së shumti, personalisht, nga pushtimi italian i Shqipërisë, në prill 1939, do të ishte Enver Hoxha, i cili erdhi në pushtet,  pasiqë komunistët ndërmorën një guerrilje, me alibinë e pushtimit italian të Shqipërisë, dhe do ta mbante pushtetin për 41 vjet. Enver Hoxha u bë një nga njerëzit e fundit të cilët i paguan tributin Prill-Kaputit. Ai vdiq në muajin prill 1985. Zyrtarisht u tha se ai vdiq në 11 prill, por në fakt kishte vdekur në datën 9, në të njëjtën ditë kur kishte vdekur ish-Mbreti Zog, 24 vite më parë.


[i] Politisches Archiv des Auswartigen, Amtes, Burp des Staatssekretar. Albanien, Db- 1. Memorandum i Verman për bisedën e tij me Ministrin e Shqipërisë, 5 prill 1939.
[ii] Adolf Hitler, “Testamenti politik”, Shtëpia botuese “Helga’ s secrets”, Tiranë 2009, f. 65-66
Testamenti politik i Hitlerit tashmë pranohet gjerësisht se është autentik. Në fakt atje nuk ka kurrgjë që të mos jetë kompatibël  me mendimet e tij, tashmë të njohura.
[iii] Peter Godman, “Hitler and the Vatican: inside the secret arcives that reveal the new story of the Nazis and the Church”, London-New York 2004, Free Press, p. 12-13
[iv]Allen Dulles, “Kapitullimi i fshehtë”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 140-141
[v]po aty: f. 148
[vi]po aty: f. 180
[vii]po aty: f. 184