23. Kur “Caesar”-i kërkon që të ndëshkojë “Brutus”-in: oferta shqiptare e Mussolinit për Cianon




Mussolini, më vonë e kuptoi se Ciano, duke e nxitur për pushtimin e Shqipërisë, u bë shkak për aventurën e pafat në Greqi. Mussolini, kur e largoi Cianon nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme, deshi ta bënte që të hante “supën” shqiptare që kishte gatuar ai, dhe që tashmë ishte bërë shumë e nxehtë. Ciano shkruan në ditar, në 5 shkurt 1943:
      Në orën 4. 30 pasdite, më thirri Duçe. Në momentin që hyra në zyrën e tij unë e kuptova se ai ishte shumë i trazuar. Unë e rroka atë çka donte që të më thoshte mua. Ai më pyeti mua se çka doja që të bëja tash që nuk jam më Ministër i Jashtëm dhe shtoi me zë të ulët se ai ishte duke e ndryshuar krejt qeverinë. Unë i kuptoj arsyet e tij, pajtohem me to, dhe nuk kam ndërmend që të ngre as kundërshtimin më të vogël. Midis posteve që ai më ofroi mua, unë kundërshtova vendosmërisht atë të Mëkëmbësit në Shqipëri, ku unë tashmë do të shkoja për të vrarë dhe varur në litar njerëzit të cilëve unë u pata premtuar vëllazëri dhe barazi.[i]
      Oferta që Mussolini i bëri Cianos për të shkuar Mëkëmbës në Shqipëri, në vend të Jacomonit, kishte një dashakeqësi të qartë, duke konsideruar gjendjen në Shqipëri, dhe ato që i kishte thënë Ciano Mussolinit vetëm dy ditë më parë. Ciano shkruante në ditar, në 3 shkurt 1943:
      Unë fola me Mussolinin për problemin e Shqipërisë. Situata është e tillë që më bën të mendoj se është e nevojshme të zëvendësohet Jacomoni. Për një periudhë kohe ai punoi mirë, por tash politika e tij duhet që të kapërcehet. Ne kemi nevojë për një njeri i cili të flasë me gjuhën e forcës, dhe që mund ta përmbushë atë. Unë propozoj Guzzoni-n ose Pariani-n, dy gjeneralët të cilët e njohin vendin dhe për të cilët ka mendim të mirë atje. Mussolini më tha se ai do të mendohej dhe do të vendoste.[ii]  
      Mussolini, pra u mendua dy ditë dhe ia propozoi Cianos detyrën në Shqipëri, për të cilën ky kishte propozuar njërin nga dy gjeneralët. Kështu, Mussolini i propozoi Cianos që të bëhej ai guvernatori ushtarak i Shqipërisë. Kjo ishte mënyra e Mussolinit për t’ i thënë Cianos “Edhe ti, Brutus?”, një qortim dhe ndëshkim së bashku, në mënyrë të  tërthortë, për atë që Ciano e kishte nxitur vazhdimisht Mussolinin për pushtimin e Shqipërisë, duke ngacmuar sedrën e tij luftarake. Më qartë se kaq Mussolini nuk mund t’ ia thoshte Cianos atë mendim që ishte diku mes vetëdijes dhe nënvetëdijes së Duçes, se pushtimi i Shqipërisë ishte në origjinë të zinxhirit të ngjarjeve fatale që po e çonin Boshtin kah disfata finale, për të cilën ai ai tashmë e kishte kuptuar se ishte e pashmangshme. Mussolini me këtë po ia bënte Cianon fli Prill-Kaputit. Nuk është e rastit që këto dy biseda të Mussolinit dhe Cianos për Shqipërinë u bënë vetëm pak ditë pas disfatës në Stalingrad, me të cilën u bë e qartë se Boshti e kishte humbur luftën. Mussolini- “Caesar” tashmë e ndjente se Ciano- “Brutus” e kishte vrarë atë në mënyrën e tij, në 7 prill 1939, kur e kishte futur në kursin e ngjarjeve që çuan tek disfata. Mussolini, që tashmë e ndjente se kishte hyrë në zonën e hijes së vdekjes, donte që të tërhiqte pas dhe të ndëshkonte edhe “Brutus”-in e vet, duke e dërguar guvernator ushtarak të Shqipërisë, nga ku kishte shumë gjasa që të mos kthehej gjallë, se Mussolini do të kujdesej që të ndodhte kështu. Ciano e kuptonte mirë këtë. Në fakt oferta shqiptare që Mussolini i bëri Cianos synonte që të arrinte që qëllim të Mussolinit, për të cilin Ciano i kishte folur Malapartes, tre muaj më parë, në nëntor 1942, në Romë. Malaparte e rrëfen kështu këtë bisedë që u bë në tempullin hedonik të Cianos, në Klubin e Golfit Acquasanto:
      Dolëm në kopsht. Zumë të shëtitnim poshtë e lart, të heshtur, po papritur Galeacoja më tha sikur vazhdonte të shfaqte me zë të lartë një mendim të papëlqyer.
      -A të kujtohet ç’ më ke thënë një ditë për Edën? U zemërova me ty e s’ të lashë të vazhdoje. Po ti kishe të drejtë. Armiku im i vërtetë është Eda. Ajo nuk e kupton, s’ është faji i saj, nuk e besoj, as që dua t’ a di, por e ndiej se për mua Eda është një rrezik dhe duhet të ruhem vazhdimisht prej saj si nga një armik. Po qe se ndonjë ditë Eda largohet prej meje, po pati diçka në jetën e saj, diçka serioze, më merr lumi. Ti e di që i ati e adhuron atë, e s’ do të më bënte kurrë ndonjë të keqe, po qe se kjo do të hidhëronte të bijën, por ai nuk pret veçse çastin e volitshëm. Çdo gjë varet nga Eda. U përpoqa shumë herë t’ i jepja të kuptonte se sa të rrezikshme ishin për mua disa qëndrime të saj. Ndoshta s’ ka asgjë të keqe në ato që bën, nuk e di, as që dua ta di. Po me Edën është e pamundur të flasësh. Është një grua e ashpër dhe e çuditshme. S’ mund ta dish kurrë se ç’ mund të ngjasë me të. Nganjëherë ajo më shtie frikë... Nuk e di se kush i ka hapur ato fjalët prej budallai rreth Edës, rreth qëllimit të saj për ndarje e për t’ u martuar kushedi me kë... Këto nuk janë veçse thashetheme. Eda s’ do ta bëjë kurrë një gjë të tillë. Por, ndërkaq, i ati rri veshngrehur. Ke për të parë se s’ do të qëndroj edhe shumë kohë në ministri.[iii]
      Këtu, përsëri është “Princi” i cili kërkon të lerë dëshminë e tij te “Machiavelli”. Kur Mussolini i bëri ofertën për të shkuar në Shqipëri, Ciano e kuptoi se Duçe  synonte veç të tjerash që ta ndante vajzën e tij Edda, nga Ciano. Mussolini e dinte se  Edda nuk do të shkonte pas burrit të saj në Shqipëri, aq më tepër në këtë situatë. Në rast se ata të dy do të ndaheshin për një kohë të gjatë, kjo martesë e trazuar do të merrte fund, Edda me siguri që do të divorcohej nga Galeazzo. Atëherë Mussolini mund ta ndëshkonte lirisht Cianon, gjë që mund ta bënte lehtësisht me anë të OVRA-s në Shqipëri. Ndoshta do të thuhej se Mëkëmbësi Ciano u vra nga një bombardim i aviacionit britaniko-amerikan ndaj Tiranës, një mënyrë kjo për të implikuar në vdekjen e tij Partinë Atlantike të Luftës, së cilës i kishte shërbyer Ciano, me apo pa vetëdije, pak rëndësi kishte për Mussolinin.
      Në situatën në të cilën gjendej Mussolini në shkurt 1943, ai kërkonte një fajtor për atë që gjërat po shkonin keq, dhe ai e kuptonte, siç e kishte thënë Anfuso tre muaj më parë, se Ciano ishte njeriu më i përshtatshëm për caper expiatorius. Ciano i vetmi njeri për të cilin, së paku një pjesë e italianëve mund të besonin se kishte më tepër faj se Mussolini për atë që po ndodhte, se mendonin që kishte influencuar vendim-marrjen e Mussolinit duke përfituar nga dobësia e këtij për vajzën, Edda, gruan e Cianos. Mussolini, edhe ditën e vdekjes së Cianos, kur ky u pushkatua, e përzgjodhi me një simbolikë domethënëse. 11 janari 1944, dita kur Ciano u vu para skuadrës së pushkatimit, ishte dita kur e famshmja Ballo Excelsior, ishte vënë për herë të parë në skenën e Teatrit La Scala të Milanos, në 1881. Shfaqja ishte një balet ku tregohej lufta e Dritës me Gjeniun e Errësirës. Excelsior ishte emri i kafeterisë së parapëlqyer të Cianos, në Romë, ku ai kalonte shumë kohë edhe kur ishte Ministër i Punëve të Jashtme. Duke e pushkatuar dhëndrrin e tij në këtë ditë, Mussolini, aq sa donte që t’ ia bënte më të dhimbshme vdekjen atij, aq donte edhe që t’ u çonte një kumt hakmarrjeje të dëshpëruar forcave okulte që qëndronin pas Cianos, Partisë Atlantike të Luftës.
      Martesa e vajzës së Mussolinit, Edda, me Cianon, çka ishte në origjinë të influencës që Ciano arriti mbi Mussolinin, për të bërë të mundur pushtimin e Shqipërisë, kishte ndodhur në prill. Galeazzo Ciano dhe Edda Mussolini u martuan në 24 prill 1930. Vetë rrethanat e martesës, duket se ushqejnë bindjen se ngjarjet po shkonin kah një kurs fatal, si në një tragjedi antike. Nuk është ekzagjerim që të thuhet se pushtimi i Shqipërisë dhe zhvillimet e tjera ndërkombëtare që e kanë origjinën tek kjo ngjarje, do të ishin shmangur nëse vajza kapriçioze e Mussolinit nuk do të kishte prishur një kombinim për martesë që ishte bërë për të, para se t’ i ofronin, praktikisht në mënyrë ultimative, Cianon. Galeazzo Ciano u takua me vajzën e Mussolinit dhjetë ditë pasiqë u prish një kombinim martese që ishte bërë nga Mussolini dhe gruaja e tij për martesën e vajzës, me Pier Francesco Orsi Manganelli, një i ri aristokrat: Ray Mosseley shkruan në librin e vet “Mussolini Shadoë’ s: The double life of Count Ciano”:
       Ajo pa dëshirë hoqi dorë dhe pranoi që të shkonte në një udhëtim në Spanjë me Manganelli-n dhe prindërit e tij që shërbenin në këtë rast si chaperone (mbikqyrës). Udhëtimi kishte si qëllim që t’ i bënte të rinjtë të njiheshin dhe të afroheshin, por Edda bëri gjithçka që mundi, për t’ u bërë e papëlqyeshme për djaloshin dhe për prindërit e tij. Ajo pinte alkool, cigare, shprehej në gjuhë vulgare dhe pohonte se nuk do të lindte kurrë fëmijë, pasiqë donte që të ruante linjën e trupit. Kurrgjë prej këtyre nuk e bëri Manganelli-n që të ngurojë dhe më në fund, Edda, nën presionin e familjes së saj, pranoi propozimin e tij për martesë. Por Manganelli bëri gabimin që ta pyeste Mussolini-n se çfarë paje do t’ i sillte Edda me martesën e tyre. Mussolini i zemëruar urdhëroi Edda-n që ta tërhiqte mbrapsht fjalën, çka e argëtoi shumë këtë të fundit, ndonëse ajo e shfajësoi Manganelli-in: “Kjo krijesë e shkretë nuk ka faj, është i ati ai që e ka detyruar të bëjë këtë gabim”.
      Dhjetë ditë më pas ajo takoi Galeazzo Ciano-n.[iv]
      Manganelli dhe familja e tij qenë aq tradicionalë saqë nuk qenë në gjendje që ta kuptonin se Edda do t’ u sillte në pajë poste të larta shtetërore, nga të cilat mund të nxirreshin përfitime të mëdha. Galeazzo nuk deshi që të dinte për pajën dhe as familja e tij nuk e nxiti që të bënte një pyetje të tillë. Duket se Galeazzo dhe i ati i tij tashmë ishin mësuar aq shumë me të mirat që vinin prej shpërdorimit të një posti të lartë shtetëror, sa ta quanin të tepërt të pyesnin se ç’ përfitime vinin nga një martesë e tillë. Nëse vajza e Mussolinit do të ishte martuar me Manganelli-n, ky nuk do të ishte bërë kurrherë Ministër i Punëve të Jashtme, atë e tërhiqte biznisi jo politika e jashtme, kështu që ai nuk do të kishte ndërhyrë kurrherë në politikën e jashtme italiane, si Ciano. Manganelli nuk ishte tipi i njeriut që do të mund të ngulmonte tek vjehrri-diktator për pushtimin e Shqipërisë. Martesa e Edda-s me Galeazzo-n ishte për nga rëndësia e pasojave gjeopolitike që solli, e krahasueshme me ndodhitë dinastike që bënë të ndryshohet kahja e luftërave të mëdha, siç ishte vdekja e Careshës Elizabeth të Rusisë, gjatë Luftës Shtatëvjeçare. Takimi i Edda-s me Galeazzo-n, që erdhi në rrethanat që e bënin Galeazzo-n të nevojshëm si “idiotin e dobishëm”, përbën pa dyshim një nga ironitë më të mëdha të historisë, nisur nga pasojat që pati në zhvillimet ndërkombëtare, me influencimin që Ciano i bëri Mussolinit për pushtimin e Shqipërisë, dhe zinxhirin e ngjarjeve fatale për Boshtin që erdhën nga kjo. Rey Mosseley shkruan në librin e përmendur më lart:
      Romanca midis Galeazzos dhe Eddës, e cila lulëzoi në 1930, vështirë se i erdhi si një e papritur Mussolinit, në sensin që ai ishte matchmaker. Edda, e pavarur dhe kryeneçe, e njohur në familje si cavallina matta (pela e çmendur), kishte qenë një shqetësim për prindërit për një kohë. Ajo kishte prirje për të zënë dashnorë të llojit latin lover, të tipit gigolo dhe prindërit e saj nuk mund të ishin kurrherë të sigurt nëse ajo nuk do të bënte ndonjë martesë shkatërruese dhe madje edhe skandaloze. Policia, e cila vëzhgonte veprimtarinë e saj për llogari të Mussolinit, raportonte në 1929, se ajo kishte shkuar në Bologna për të takuar djalin e një industrialisti të pasur, i cili ishte një addict ndaj kokainës dhe i sëmurë nga sifilizi. Një tjetër i dashur për të cilin policia raportonte ishte një mashtrues femrash i papunë, i cili shpesh shtirej si kont ose markez dhe kishte shoqëri të keqe.[v]
      Vështirë se mund të gjendet në historinë botërore, një rast i ngjashëm kur nga një martesë kaq rastësore, ka ardhur një zinxhir ngjarjesh, me impakt kaq fatal në një luftë të madhe. Hitleri dhe Goebbelsi, gjatë qëndrimit të tyre në bunker, në përfundim të luftës, kur mësuan për vdekjen e Presidentit amerikan Roosevelt, e panë këtë si një ngjarje të ngjashme me vdekjen e Careshës Elizabeth të Rusisë, që solli kthesën në Luftën Shtatëvjeçare, në 1762, kur Prusia ndërpreu mësymjen shkatërruese kundër Prusisë. Por Hitleri dhe Goebbelsi nuk e kuptonin se ngjarja fatale dinastike për Boshtin kishte ndodhur kur Ciano u martua me vajzën e Mussolinit, çka i dha atij fuqinë për të influencuar në pushtimin e Shqipërisë dhe për të vënë në lëvizje zinxhirin e ngjarjeve fatale për Boshtin. Ajo që njihet në histori si Mrekullia e Shtëpisë së Brandeburgut, dhe që Hitleri priste që të përsëritej në 1945, erdhi se Frederick-u i Madh kishte arritur që të influenconte pasardhësin e Elizabeth-ës, Carin Pjotër III, i cili e ndërpreu luftën ndaj Prusisë. Hitleri nuk kishte qenë i vëmendshëm kur Partia Atlantike e Luftës arriti që të influenconte Cianon, ashtu që ky të influenconte Mussolinin, për ta futur Italinë në aventurën ushtarake në Ballkan, nga ku do të origjinonin krejt ndërlikimet e Gjermanisë në këtë regjion, për të cilat Hitleri do të ankohej deri ditën që vdiq.


[i] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 554
[ii] po aty: p. 553
[iii] Curzio Malaparte, “Kaput”, Shtëpia botuese “Omsca”, Tiranë 1998, f. 464-465
[iv] Ray Mosseley, “Mussolini Shadow’ s: The double life of Count Ciano”, Yale University Press, 2000, p. 6
[v] po aty: p. 5