Gjatë bisedës së përmendur më lart, Ciano dhe Malaparte patën këtë fjalëkëmbim:
-Ti kujton se populli italian nuk e di se kush është përgjegjës për gjithçka, kush është i vetmi përgjegjës? Se nuk di të dallojë midis meje dhe Mussolinit? Se nuk di që unë e kundërshtova luftën, që bëra çmos...
-Populli italian, -thashë,- nuk di asgjë, s’ do të dijë asgjë, dhe s’ beson më në asgjë. Ti dhe të tjerët duhet të kishit bërë diçka më 1940 për të ndaluar luftën. Të bënit diçka, të rrezikonit diçka, atëherë ishte koha për ta shitur shtrenjtë lëkurën tuaj. Tani lëkura juaj nuk vlen më asgjë. Po juve ju pëlqen tepër të jeni i pushtetshëm, kjo është e vërteta. Dhe këtë e dinë italianët.
-Ti beson se, po të ikja tani...
-Tani është shumë vonë. Do të fundoseni të gjithë bashkë me të.
-Atëherë ç’ duhet të bëj?- tha Galeaco me një zë të ashpër e me padurim.- Ç’ kërkojnë prej meje? Që të lë të më flakin me neveri, si një ndërresë të ndotur, kur t’ u vijë për mbarë? Të pranoj të fundosem me të? S’ dua të vdes![i]
Nga biseda në tërësi të krijohet përshtypja se të dy bashkëbiseduesit kishin në mendje një argument të cilin nuk e thoshin, por që e konsideronin në mënyra të ndryshme. Ky argument ishte roli që kishte pasur Ciano në pushtimin e Shqipërisë. Malaparte, i cili ishte një njohës i mirë i sekreteve që qarkullonin në rrethin shoqëror të Cianos, në Sallonin e Princeshës Colonna, Klubin e Golfit Acquasanto, Barin “Excelsior” etj., kur flet për besimin e Princeshës Colonna se Ciano ishte njeriu i parapëlqyer i anglosaksonëve, në Itali, nuk thotë se ku e mbështeste ajo këtë bindje. Derisa Princesha Colonna nuk e kishte kuptuar në 1939, arsyen e vërtetë se përse miqtë e saj të Partisë Atlantike të Luftës i kishin kërkuar që të influenconte Cianon, që Italia të pushtonte Shqipërinë, tashmë, në nëntor 1942, nën dritën e ngjarjeve që ishin zhvilluar, ajo nuk mund të mos e kishte kuptuar. Edhe nëse ajo nuk e kishte kuptuar, Ciano ishte aty për t’ ia thënë. Se, Ciano padyshim që tashmë e kishte kuptuar. Derisa gjermanët ankoheshin me të madhe se hyrja e tyre në luftë në Ballkan në 1941, e vonoi fushatën kundër Bashkimit Sovjetik, me gjashtë javë fatale, që i bënë që t’ i zero stina e borës në portat e Moskës, dhe të ngrijë uji i liqeneve në veri të Leningradit që mundësoi furnizimin e qytetit të rrethuar me konvoje kamionësh që kalonin mbi akull, Ciano e kuptonte se në origjinë të këtij problemi, nuk ishte vendimi i Mussolinit për të sulmuar Greqinë, por shtytja që ai Ciano i bëri Mussolinit për të pushtuar Shqipërinë, në 1939. Kështu që në Pallatin Colonna nuk mund të mos aludonin se ai Ciano u kishte bërë një shërbim të madh anglosaksonëve, ashtu që kishte influencuar që Hitleri dhe Stalini të hynin në konflikt për Ballkanin, si dhe kishte bërë që të prishej plani gjerman në fushatën kundër Rusisë.
Malaparte, i cili na bën me dije se dinte shumë nga sekretet që qarkullonin në rrethin e Cianos, nuk mund të mos e dinte këtë. Kur edhe bashkëkohësja e tij, Elisabeta Cerruti, gruaja e një diplomati italian, e cila na ka lënë kujtimet e saj në një libër tërheqës, që në shqip është botuar nën titullin “Nga një kryeqytet në tjetrin: kujtimet e gruas së një ambasadori”, shkruan për Cianon se:
e konsideronte Italinë si një pronë të vetën, ndërsa Italinë fushën e tij të gjuetisë.[ii]
Përderisa Zonja Cerruti e kishte kuptuar atë, nuk mund të mos e kishte kuptuar Malaparte. Madje, krejt biseda e mësipërme e Malapartes me Cianon zhvillohet nën peshën e këtij argumenti të pashprehur, rolit të Cianos në pushtimin e Shqipërisë, të cilin Ciano duket se e kqyrte si kartën e tij kryesore në lojën politike për Italinë e pasluftës. Përndryshe, Malaparte mendonte se kjo kartë mund t’ i vlente Cianos për personin e tij, por popullit italian i interesonte se çka bërë Ciano për të ndaluar që Mussolini ta fuste Italinë në luftën botërore, në 1940. Të dy bashkëbiseduesit tregohen të pandershëm në mënyrën e tyre. Ciano kur mendon thjesht për personin e vet, dhe jo për Italinë. Malaparte, kur mendon për Italinë, por asfare për atë që i ndodhi Shqipërisë. Malaparte në librin e vet nuk thotë asnjë fjalë për atë që i ndodhi Shqipërisë në 1939, se si ajo u bë flijua nga Partia Atlantike e Luftës, ashtu që Gjermania të tërhiqej në rrugët me borë të Rusisë. Policia rrugore makabër, që Malaparte pa kur ishte korrespondent në frontin gjerman pranë Leningradit, në 1941, ku kufomat e ushtarëve robër rusë të ngulur në borë, me dorën e shtrirë, ishin vënë nga gjermanët si policë rrugorë, që t’ u tregonin atyre rrugën, ishte në një sens të sigurt, policia rrugore e Partisë Atlantike të Luftës.[iii]
Malaparte nuk e përmbushi detyrimin intelektual për të lënë dëshminë e tij me shkrim për atë që mësoi për përdorimin e Cianos nga Partia Atlantike e Luftës, në rastin e Shqipërisë, për tragjedinë e Shqipërisë në 1939, shtetin e vogël- viktimë, që ia flijuan përbindëshit Kaput, në mënyrë të bëhej Rusia të hynte në luftë sa më parë, që të paguante tek Kaputi tributin e pamasë të gjakut që duhej për shkatërrimin e Gjermanisë. Malaparte pretendonte të ishte një intelektual me mendje të lirë. Ai e mbyll librin “Teknika e grushtit të shtetit”, me fjalët:
“Bolingbroku dukë i Herefordit, ai personazhi i Shakespeare-it që thoshte se “helmi nuk u pëlqen atyre që ia kanë nevojën”, ishte mbase njeri i lirë.[iv]
Malaparte e kishte të qartë Partisë Atlantike të Luftës, e cila ia pati nevojën Cianos për Shqipërinë, tashmë nuk i pëlqente që të dilte e vërteta e kësaj çështjeje. Kështu që ai heshti, se edhe ai ishte prekur nga ai që mund të quhet ekuivalenti i gripit spanjoll të periudhës së fundit të Luftës së Parë Botërore dhe të periudhës fill pas saj, ishte ajo që Curzio Malaparte në librin “Lëkura” e quan murtaja morale, epidemia e shkatërrimit moral, e sjellë nga fitimtarët, ushtritë britaniko-amerikane, që erdhën në Itali:
Murtaja ra në Napoli më 1 tetor të vitit 1943, po atë ditë kur ushtritë aleate hynë si çlirimtare në atë qytet gjëmëmadh. 1 tetori i vitit 1943 është një ditë që do të mbahet mend në historinë e Napolit, sepse shënon fillimin e çlirimt të Italisë dhe të Evropës nga ankthi, nga turpi, nga vuajtjet e shkaktuara nga skllavëria e nga lufta, por se edhe atë ditë ra murtaja e tmerrshme, e nga ky qytet i mjerë u përhap në tërë Italinë e në tërë Evropën. Dyshimi se mos sëmundjen e tmerrshme e kishin sjellë në Napoli vetë çlirimtarët, ishte me siguri i padrejtë; por u bë bindje në shpirtin e populloit, kur vuri re, me një habi të përzier me një lumturi bestyte, se ushtarët aleatë nuk i zinte, si për çudi, kjo sëmundje ngjitëse. Ata, me çehre të trëndafiltë, të qetë e buzagaz, sorollateshin në mes të turmës së prekur nga murtaja, pa e marrë sëmundjen e neveritshme, që kositte viktimat e saj vetëm në mes të popullsisë civile jo vetëm të qytetit, por edhe të fshatrave, duke u përhapur si një njollë vaji në territorin e çliruar, ndërsa ushtritë aleate shkonin duke i sprapsur me zor amerikanët drejt Veriut.
Por ishte rreptësisht e ndaluar, me kërcënimin e dënimeve më të rënda, t’ ia hidhje fjalën me marifet publikut se murtajën e kishin sjellë në Itali çlirimtarët. Ishte gjithashtu e rrezikshme ta përsëritje këtë në rreth të ngushtë, qoftë edhe me zë të ulët, sepse për pasojat e shumta të neveritshme të asja murtaje, më e pështira ishte furia e tërbuar, kënaqësia e pangopur e spiunimit. Sapo prekej nga murtaja, secili bëhej spiun i të atit dhe i s’ ëmës, i vëllezërve, i bijve, i bashkëshortit, i dashnorit, i të afërmve dhe i miqve më të dashur; por kurrën e kurrës i vetvetes. Një nga karakteristikat më të çuditshme e më të neveritshme të asaj murtaje të jashtëzakonshme ishte në të vërtetë, se ajo e shndërronte ndërgjegjen e njeriut në një lungë të llahtarshme e të ndyrë... Ajo ishte një murtajë shumë, shumë e ndryshme por jo më pak e tmerrshme që herë pa here, në mesjetë, e shkretonin Evropën. Karakteristika e jashtëzakonshme e kësaj sëmundjeje të paparë ishte se ajo nuk prishte trupin, por çorodiste shpirtin. Gjymtyrët, në dukje, mbeteshin të pacënuar, por brenda për brenda mbështjellës së mishit të pamolepsur, shpirti prishej, zhbëhej. Ishte njëfarë murtaje shpirtërore, së cilës me sa dukej s’ i shpëtoje dot. Të parat që u molepsën qenë gratë, të cilat te çdo komb s’ kanë fuqi të mbrohen kundër vesit, se i gjen kollaj çdo e keqe. Dhe kjo u duk një gjë e habitshme dhe e dhembshme, mbasi gjatë viteve të skllavërisë dhe të luftës, deri në ditën e çlirimit të premtuar, e të shumëpritur, gratë, jo vetëm në Napoli, por në tërë Italinë, në tërë Evropën, kishin dhënë, mes skamjes dhe gjëmës së përgjithshme, prova dinjiteti më të madh dhe force shpirtërore më të madhe se të burrave. Në Napoli, e në çdo vend tjetër të Evropës, gratë nuk u ishin dorëzuar gjermanëve. Vetëm prostitutat kishin patur marrëdhënie me armiqtë, por ama jo sheshit, vetëm fshehurazi, qoftë për të mos ngrënë të sharat e rënda të popullit të prekura në sedrën e tij, qoftë se të tilla marrëdhënie të poshtra, u dukeshin edhe atyre vetë, si faji më i turpshëm që një grua mund të bënte.
Por ja që si pasojë e kësaj murtaje të ndyrë, që para së gjithash prishte ndjenjën e nderit dhe të dinjitetit të gruas, prostitucioni më i neveritshëm, që të kallte krupën kishte shpënë turpin në çdo kolibe e në çdo pallat. Po pse të themi “turpin”? Ishte aq e keqe, aq e padrejtë fuqia e molepsjes, saqë të shisje trupin ishte bërë një punë për t’ u lavdëruar, një provë atdhedashurie dhe të gjithë, burra e gra, në vend që të skuqeshin, dukej që mburreshin për poshtërimin e vet dhe për atë të përgjithshëm... Nëse i tillë është fati i grave, nuk është më pak i mjerueshëm e i tmerrshëm fati i burrave. Me t’ u molepsur, humbisnin çdo ndjenjë respekti për vetveten: bënin gjërat më të ulëta, poshtërsitë më të ndyra, hiqeshin zvarrë këmbadoras në baltë duke puthur këpucët e “çlirimtarëve” të tyre (të neveritur nga një poshtërim i tillë moral i pakërkuar), jo vetëm që t’ u faleshin vuajtjet dhe poshtërimet që kishin hequr gjatë viteve të skllavërisë dhe të luftës, por për të pasur nderin të viheshin nën thembrën e sundimtarëve të rinj; i pështynin flamurët e atdheut të tyre, shisnin sheshit gruan e tyre, vajzat e tyre, nënën e tyre. Të gjitha këto i bënin thoshin, për të shpëtuar atdheun.[v]
Në kohën e regjimit fashist Malaparte bëri burg dhe vuajti nga censura për shkak se i shprehu mendimet e tij lirisht. Me ardhjen e “çlirimtarëve”, Malaparte u vetëndëshkua me autocensurë, dhe heshti për një çështje, për të cilën nëse do të kishte shkruar një libër, ai do të ishte bërë jo më pak i famshëm se “Teknika e grushtit të shtetit”.
[i]Curzio Malaparte, “Kaput”, Shtëpia botuese “Omsca”, Tiranë 1998, f. 465-466
[ii]“Nga një kryeqytet në tjetrin: kujtimet e gruas së një ambasadori”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1992, f. 151
[iii]po aty: f. 21
[iv]Curzio Malaparte, “Teknika e grushtit të shtetit”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2006, f. 218
[v]Curzio Malaparte, “Lëkura”, Botimet “Omsca-1”, Tiranë 2002, f. 31, 32, 33, 34





