Historia kundërfaktuale është ajo degë e historiografisë, e cila e rishkruan historinë, ashtu siç do të kishte qenë kursi i saj, sikur një ngjarje vendimtare në të shkuarën të kishte ndodhur ndryshe. Një nga sprovat më interesante të historisë kundërfaktuale të Shqipërisë do të ishte ajo se si do të kishte shkuar kursi i historisë, nëse nuk do të kishte ndodhur pushtimi i Shqipërisë nga Italia në prill 1939. Se kishte një probalitet të lartë që pushtimi i Shqipërisë të mos ndodhte, nëse Ciano nuk do ta kishte nxitur pareshtur Mussolinin ngurues që të pushtonte Shqipërinë. Nëse do të kishte munguar faktori vendimtar “Ciano”, atëherë Mussolini me siguri që nuk do ta kishte pushtuar Shqipërinë, për të cilën thoshte se nuk ia vlente që të rrezikoje, përderisa Italia e kontrollonte gjithsesi.
Enigma e vërtetë polake e Luftës së Dytë Botërore nuk ishte aq makina kodthyese “Enigma”, e cila u çua nga Polonia në Britaninë e Madhe pas disfatës polake në shtator 1939 dhe u përdor me sukses për interceptimin dhe zbërthimin e komunikimeve gjermane, por është vendimi polak për t’ i bërë qëndresë Gjermanisë. Pyetja së cilës historianët nuk i kanë dhënë një përgjigje të kënaqshme ende sot pas më tepër se shtatë dekadash është se përse shtetarët polakë në gusht 1939, midis alternativës së pranimit të kërkesës gjermane për dorëzimin e qytetit Danzig dhe rrethinave të tij me popullsi gjermane (plus ndërtimi i një autostrade në korridorin polak për të lidhur me territorin e Reich-ut Prusinë Lindore, të ndarë tashmë nga trungu gjerman, për shkak të korridorit polak), nga njëra anë, dhe luftës me Gjermaninë, në anën tjetër, zgjodhën luftën. Shpjegimi se polakët u mashtruan nga premtimet e aleatëve të tyre Francës dhe Britanisë së Madhe, se këto dy fuqi të mëdha do të hynin saora në luftë kundër Gjermanisë dhe do të ndërmerrnin veprime konsistente ushtarake, nuk duket asfare i besueshëm.
Polakët nuk ishin naivë. Ata e dinin mirë se Franca dhe Britania e Madhe nuk kishin vullnetin për të paguar koston e lartë në jetë njerëzore për një luftë mësymëse kundër Gjermanisë. Vërtet se Gjermania kishte dislokuar pak trupa në kufijtë perëndimorë, por kufiri gjermano-francez ishte i mbrojtur mirë me vijën e fortifikuar “Sigfried”. Vija e fortifikuar “Sigfried”, e cila fillonte nga pika më veriore e kufirit gjermano-holandez, vazhdonte përgjatë kufirit gjermano-belg, atij gjermano-francez dhe përfundonte aty ku fillonte kufiri gjermano-zviceran. Kjo vijë 500 km e gjatë kishte një thellësi prej 35-75 km, me fusha të minuara, kanale dhe pengesa kundërtanke, fortifikata për artilerinë dhe mitralozat etj. Vija qe vecanërisht e thellë dhe fortifikimet të dendura, përgjatë kufirit gjermano-francez që shihej si sektori më i rrezikshëm. Gjermania, e cila hodhi në luftë kundër Polonisë 1.5 milion ushtarë, duke pasur një sistem të përkryer mobilizimi, ishte në gjendje që brenda pak ditësh të mobilizonte edhe aq të tjerë për t’ i çuar në frontin perëndimor, nëse do të ishte e nevojshme. Planizuesit ushtarakë francezë kishin nxjerrë mësimet e tyre nga Lufta e Parë Botërore, kur erdhi një moment, në vitin e tretë të luftës, në 1917, që pati një rebelim masiv në ushtrinë franceze, kur ushtarët francezë refuzuan që të hidheshin në sulme kundër vijave të mbrojtjes kundërshtare, se e quanin këtë një gjakderdhje të kotë.[i] Ushtarët britanikë gjithashtu qenë kundërshtues ndaj luftës mësymëse për pushtimin e pozicioneve të fortifikuara. Luftimet në frontin perëndimor u kishin kushtuar shumë gjak ushtrive franceze dhe britanike, kështu që nuk kishte vullnet që të përsëriste një aventurë të tillë përballë fuqisë moderne të zjarrit, shumë më shkatërrimtare se ajo e para dy dekadave.
As që bëhej fjalë që ushtritë franceze dhe britanike ta mësynin Vijën “Sigfried” në sektorin e kufirit franko-gjerman. E vetmja mënyrë ishte që kjo të bëhej nëpërmjet Belgjikës dhe Holandës. Por të dy këto vende qenë neutrale dhe nuk kishte gjasa që të lejonin kalimin e trupave franceze dhe britanike në territorin e tyre, se e dinin që kështu do t’ u nënshtroheshin bombardimeve ajrore ndëshkuese gjermane. Vetëm gjysma e aviacionit ushtarak gjerman mori pjesë në fushatën polake dhe për pjesën tjetër, zonat e dendura urbane dhe industriale, si dhe digat e shumta të Belgjikës dhe Holandës do të qenë një shënjestër e lehtë. Nëse ushtritë franceze dhe britanike do të sulmonin Belgjikën dhe Holandën për të siguruar rrugëkalimin për në kufirin gjerman, atëherë kjo do t’ i vinte këto dy vende në pozitën e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, pra si vende agresore, dhe Presidenti Roosevelt nuk do të arrinte kurrherë që të siguronte ndihmën amerikane për to. Gjithsesi, nuk kishte asnjë gjasë që ushtritë franceze dhe britanike të ndërmerrnin mësymje serioze kundër vijave të fortifikuara të mbrojtjes gjermane, ashtu që Hitleri të detyrohej që të tërhiqte me shpejtësi një pjesë të madhe të trupave të tij nga fronti polak, për t’ i angazhuar në mbrojtje të kufirit perëndimor të Gjermanisë. E vetmja ndihmë e vlefshme për Poloninë nga ana e Francës dhe Britanisë së Madhe ishte që divizionet franceze dhe britanike të dërgoheshin në Poloni, për të marrë pjesë, së bashku me ushtrinë polake, në qëndresën ndaj mësymjes gjermane. Kështu, ushtria polake do të lehtësohej nga barra e luftës, dhe do të mund të përmbushte planin e komandës së lartë polake për kundërmësymje. Në fakt kjo ishte dhe ndihma që priste Polonia nga aleatët perëndimorë.
Por trupat britanike dhe franceze natyrisht se nuk mund të dërgoheshin në Poloni nëpërmjet Balltikut, se Gjermania me siguri që do të pushtonte rrufeshëm Danimarkën e vogël dhe të pambrojtur, me të vënë re shenjat e para të nisjes së konvojeve ushtarake nga Franca dhe Britania e Madhe, për në Poloni. Në 1940, Gjermania e pushtoi vendin kufitar neutral brenda një dite, në 9 prill, dhe qeveria daneze kapitulloi vetëm dy orë pas fillimit të sulmit gjerman. Kështu gjermanët do të kontrollonin rrugkalimet e ngushta detare ndërmjet ishujve danezë si dhe ndërmjet Danimarkës dhe Suedisë, nga ku ishin në gjendje që të ndërprisnin vijat e komunikimit mes Britanisë së Madhe dhe Francës, me Poloninë. Pas paktit gjermano-sovjetik të gushtit 1939, e vetmja mënyrë që divizionet franceze dhe britanike të shkonin në Poloni ishte duke kaluar nëpër Mesdhe, duke përfituar nga neutraliteti i Italisë, për të shkuar pastaj në portet rumune të Detit të Zi, nëpërmjet ngushtinave turke, duke përfituar nga fakti se Turqia kishte nënshkruar një pakt me Britaninë e Madhe që në maj. Nga portet e Rumanisë, së cilës Britania e Madhe i kishte dhënë një garanci ushtarake, trupat aleate do të shkonin në Poloni, e cila atëherë kishte kufij të përbashkët me Rumaninë.
Pra, e vetmja mënyrë e efektshme për ta ndihmuar Poloninë ishte ajo që Britania d Madhe dhe Franca kishin dashur të bënin për të ndihmuar Rusinë, në Luftën e Parë Botërore, me ekspeditën e Galipolit, e cila synonte pushtimin e ngushtinave otomane të Detit Marmara, për të siguruar rrugëkalimin detar për furnizimin e Rusisë. Derisa në Në Luftën e Parë Botërore gjërat u ndërlikuan shumë për Antantën se Imperia Otomane hyri në luftë në anën e Fuqive Qendrore, tashmë, në 1939, kur Turqia ishte në anën e aleatëve perëndimorë, zbatimi i këtij plani dukej si një gjë e thjeshtë. Pas të gjitha gjasave shpresa tek ndihma nga jugu i inkurajoi shumë polakët që të kundërshtonin utimatumin gjerman. Nëse polakët nuk do të kishin shpresën e ndihmës nga jugu, ata me siguri që do t’ i ishin nënshtruar vullnetit të Hitlerit, aq më tepër që kërkesat që ai i bëri Polonisë nuk qenë të rënda. Hitleri i kërkoi Polonisë vetëm një pjesë të vogël të territoreve gjermane që ajo i kishte marrë me Traktatin e Versaille, 20 vite më parë. Nëse shtetarët polakë nuk do të qenë të sigurt se do të merrnin ndihmë konsistente nga aleatët perëndimorë, do të thotë ndihmë nga jugu, ata nuk do të rrezikonin që të hynin në një luftë shkatërrimtare me Gjermaninë, fuqinë e së cilës e njihnin mirë.
Iluzioni i polakëve erdhi nga fakti që Turqia nënshkroi një pakt me Britaninë e Madhe në maj, çka do të thoshte se rruga e ndihmës nga jugu ishte e hapur. Turqia e nënshkroi paktin me Britaninë e Madhe si reagim ndaj pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Turqit e dinin mirë, nga kujtesa e tyre historike, se nga bregdeti adriatikas i Shqipërisë deri në brigjet e Detit Marmara, kalonte një korridor strategjik, i cili përshkohej shpejt dhe lehtë nga një forcë e madhe ushtarake. Turqia e shikonte Italinë si një kërcënim, për shkak se Italia, e cila zotëronte Dymbëdhjetë Ishujt pranë bregdeti turk të Anadollit perëndimor, kërkonte të zgjerohej në Anadoll. Fakti që Italia ishte afruar tashmë me Gjermaninë, bëri që Turqia të refuzonte uverturat e ish-aleates së saj të Luftës së Parë Botërore, Gjermanisë dhe të afrohej me Britaninë e Madhe, me të cilën kishte qenë në armiqësi për tre dekada. Kështu që mund të thuhet se pushtimi i Shqipërisë nga Italia ishte në origjinë të zinxhirit të ngjarjeve që krijuan tek polakët iluzionin se ata do të kishin një ndihmë efektive nga ana e aleatëve perëndimorë.
Nëse nuk do të kishte qenë pakti britaniko-turk i majit 1939, polakët nuk do të kishin kurrfarë shprese se vija jugore e komunikimit do të ishte e hapur, madje Turqia kishte gjasa që të bashkohej me Gjermaninë, për shkak të konfliktit serioz që kishte pasur me Britaninë e Madhe për Mosulin e pasur me naftë, për humbjen e të cilit turqit fajësonin britanikët. Nga pikëpamja e një analize gjeopolitike, kishte shumë më tepër gjasa që Gjermania të arrinte pajtimin turko-italian, se që Turqia të pajtohej me Britaninë e Madhe, e cila nuk donte assesi që ta lëshonte Mosulin. Nëse nuk do të kishte ndodhur pushtimi italian i Shqipërisë, nuk do të kishte ndodhur as pakti britaniko-turk, dhe Polonia do të ndjehej e rrethuar përballë Gjermanisë. Kështu që Polonia do të kishte pranuar kërkesat gjermane, lufta gjermano-polake nuk do të kishte filluar dhe Britania e Madhe e Franca nuk do të kishin hyrë në luftë kundër Gjermanisë. Nuk do të kishte ndodhur pakti gjermano-sovjetik, me protokollet e tij sekrete për aneksimin e territoreve, ashtu që tre shtetet e vogla balltike nuk do të ishin aneksuar nga Bashkimi Sovjetik, nuk do të kishte ndodhur Lufta Sovjeto-Finlandeze, nuk do të kishte pasur ultimatum sovjetik për Rumaninë me kërkesën që kjo t’ i lëshonte territore të gjera.
Gjermania do ta kishte mësyrë Bashkimin Sovjetik në pranverën e viti 1940, në aleancë edhe me Poloninë, e cila ashtu siç ndodhi gjatë krizës çekosllovake, nuk do t’ i rezistonte dot joshjes për të rrëmbyer territoret sovjetike të cilat kishte kërkuar që t’ i merrte në 1920. Gjermania me siguri që do të kishte pushtuar tre shtetet e vogla balltike në vjeshtën e vitit 1939, si për të parandaluar pushtimin e tyre nga rusët, të cilët do të kërkonin që t’ i pushtonin për të siguruar një zonë-tampon përreth Leningradit, para sulmit të pritshëm gjerman, ashtu edhe për t’ i përdorur si bazë sulmi kundër Bashkimit Sovjetik. Gjermania do t’ i kishte kërkuar Rumanisë rrugëkalim për në kufirin sovjetik, nëpërmjet Sllovakisë e Hungarisë dhe Rumania , me siguri që do ta gjente më të arsyeshme që të lejonte kalimin e ushtrisë gjermane në territorin e saj, se të kërkonte që të aktivizonte garancinë britanike, e cila në rrethanat e krijuara nuk do të kishte vlerë. Nëse Gjermania e sulmonte Bashkimin Sovjetik në 1940, kishte shumë gjasa që të hynte në luftë edhe Japonia, e cila nuk e kishte nënshkruar ende paktin e jo-agresionit me Rusinë. Qeveria britanike, e mbetur pa kauzën fisnike të Polonisë-viktimë, nuk do të mund t’ i shpallte dot luftë Gjermanisë. Në rast se Britania e Madhe dhe Franca do t’ i shpallnin luftë Gjermanisë, kur kjo të hynte në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, kjo do të shkaktonte tensione të mëdha në këto vende, dhe në SHBA-të, e do ta bënte luftën shumë jopopullore. Meqënëse 1940 ishte viti i zgjedhjeve presidenciale në SHBA-të, Presidenti Roosevelt nuk do të guxonte që të bënte çfarëdo veprimi që do të krijonte përshtypjen se Amerika po shkonte drejt luftës dhe mbi të gjitha nuk do të guxonte që të furnizonte Bashkimin Sovjetik me armë dhe materiale të tjera në muajt vendimtarë të luftës, jo më drejtpërdrejt, por as nëpërmjet Britanisë së Madhe, për të cilën nuk mund të gjendej asnjë justifikim që të ndihmohej, pasiqë nuk kishte hyrë në luftë me Gjermaninë. Nëse në Europë do të kishte filluar lufta gjermano-ruse në 1940, e gjithë retorika e Presidentit Roosevelt për nevojën që Amerika të angazhohej për të ndaluar rreziqet e reja për botën, e mbushur me aludime kundër Gjermanisë, do t’ i kthehej si boomerang dhe ai me siguri që do t’ i kishte humbur zgjedhjet presidenciale të vjeshtës së atij viti. Duke qenë se Gjermania nuk do t’ i kishte shpërndarë forcat e saj ushtarake në një luftë në dy fronte, dhe nuk do të kishte territore të gjera europiane, të cilat duhet t’ i mbante me garrisone, ushtria gjermane brenda vjeshtës së vitit 1940, do të kishte pushtuar Leningradin, rrethuar Moskën, pushtuar Stalingradin, dhe do të kishte hyrë në Kaukaz.
Bashkimi Sovjetik do të qe shembur në mësymjen e pranverës së vitit 1941. Gjermania do të ishte fitimtare, por do të kishte pësuar aq humbje, saqë nuk do të ishte në gjendje që të nënshtronte Poloninë dhe vendet e tjera të Europës Qendrore, dhe as të ndërmerrte një mësymje në Perëndim. Ushtria amerikane nuk do të kishte ardhur përsëri në Europë. Imperia Britanike nuk do të ishte shembur si kështjellë prej letre. Japonia nuk do të kishte guxuar që të kolonite britanike dhe franceze në Azi, nëse këto dy fuqi të mëdha nuk do të kishin hyrë në luftë me Gjermaninë. Natyrisht se Japonia nuk do të kishte sulmuar as Pearl Harbor-in dhe Filipinet, pra nuk do të kishte hyrë në luftë me SHBA-të. Nuk do të kishte pasur bomba atomike të shpërthyera në Hiroshime dhe Nagasaki . Bashkimi Sovjetik nuk do të kishte shpërthyer në Azinë Lindore, ushtria sovjetike nuk do të kishte hyrë në Kinë dhe Kore. Kina nuk do të ishte bërë komuniste, nuk do të kishte pasur luftë të Koresë dhe të Vietnamit. Franca nuk do të kishte përjetuar në luftërat koloniale në Indokinë dhe në Afrikën Veriore. Ushtria sovjetike nuk do të kishte ardhur në Europën Qendrore dhe Ballkan, nuk do të kishte pasur “Perde të Hekurt”. Nuk do të kishte krim të organizuar ndërkombëtar, nuk do të kishte mafie, se shteti fashist dhe ai nazist e luftuan atë me metoda drakoniane shfarosëse. Nuk do të ekzistonte problemi i drogës. Nuk do të ekzistonte as masoneria e lirë, kjo aristokraci okulte moderne. Nuk do të kishte ekzistuar emigracioni i madh nga bota islamike në vendet e Europës Perëndimore, i cili ka krijuar një problem shumë serioz të gjithanshëm në këto shoqëri. Por nuk do të ishte krijuar shteti i Israelit.
Gjermania do të ishte bërë superfuqi botërore në vitet pesëdhjetë, por prosperimi i madh ekonomik, i krijuar nga zënia e territoreve të gjera dhe të pasura në lindje, do të sillte një evoulim të shoqërisë së saj, kah krijimi i një shtresë të madhe të mesme, e cila nuk e donte luftën. Kjo do të nxiste dhe evoulimin politik pas vdekjes së Hitlerit. Një Gjermani e begatë nuk do të kishte vullnet për të hyrë në luftë për sundimin e botës kundër Britanisë së Madhe, Francës dhe SHBA-ve, të cilat kishin qenë të paprekura nga lufta. Ndryshimi në balancën globale të forcave do të kishte qenë i anasjellti i atij të kohës së Luftës së Ftohtë. Derisa që prej vitit 1945 e deri në 1989, ishte Bashkimi Sovjetik ai që absorboi Europën Qendrore, deri në Elbë, në zemër të Gjermanisë, në këtë rast do të kishte qenë Gjermania e cila do të kishte absorbuar Rusinë. Gjermania dhe Japonia ndoshta do të kishin hyrë në një luftë të gjatë, në Siberi, andej kah vitet pesëdhjetë. Ndoshta do të kishte ekzistuar përsëri Lufta e Ftohtë mes SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës në njërën anë, dhe Gjermanisë dhe Japonisë në anën tjetër. A do kishte qenë më keq për botën?
Në retrospektivë mund të thuhet se për shkak të Danzig-ut, nëse parafrazoj frazën e famshme të Marcel Deat “Mourir pour Danzig ?”, vdiqën shumë më tepër njerëz se ata që u vranë në Luftën e Dytë Botërore. Është padyshim një nga ironitë më të mëdha të historisë që polakët e bënë betejën për Danzig-un, se për shkak të një iluzioni që iu krijua atyre nga një zhvillim ndërkombëtar që nga ana e tij pati si shkak pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Polakët përjetuan një mirazh gjeostrategjik për të cilin realiteti i bëri që të paguajnë një tribute apokaliptik. Ndonëse vija jugore e komunikimit mbeti e hapur, ndihma britaniko-franceze nuk erdhi për Poloninë. Përse Britania e Madhe dhe Franca nuk bënë përpjekje për ta ndihmuar Poloninë nga rruga e jugut, prej nga ku polakët prisnin të vetmen ndihmë të efektshme? Arsyeja kryesore duket se është thyerja shumë e shpejtë e Polonisë. Në 12 shtator, vetëm 12 ditë pas fillimit të luftës, komandanti i përgjithshëm polak, marshalli Edward Rid-Smygli urdhëroi tërheqjen e ushtrisë polake nga vijat e frontit fillestar, përballë mësymjes gjermane. Polakët nuk është se kishin pritur që ndihma nga aleatët e tyre në rrugën jugore t’ u vinte brenda dymbëdhjetë ditëve, por kishin menduar se ajo do t’ u vinte e shumta, brenda dymbëdhjetë javëve, kohë gjatë së cilës ata mendonin se mund t’ i rezistonin Gjermanisë.
Polakët, të cilët besonin tek mrekullitë, e panë paktin britaniko-turk si një shenjë të Zotit, që vinte në kohën e duhur, për t’ i siguruar Polonisë rrugën e ndihmës. Ata natyrisht që nuk kishin si ta dinin se ky pakt kishte ardhur si pasojë e një manovre të Partisë Atlantike të Luftës, që ishte pushtimi i Shqipërisë nga Italia. Tekefundit, edhe polakët bënë pa vetëdije lojën e Partisë Atlantike të Luftës, e cila, duke e njohur natyrën e tyre, kishte besim se ata do të bënin marrëzirat e nevojshme, nisur nga vetëbesimi i tyre, që në origjinë kishte bindjen se Zoti ishte tekefundit polak. Nëse polakët do ta dinin se çka i priste, dhe do t’ i njihnin aftësitë negociuese që kishte treguar Zogu me italianët, atëherë ata, kur Zogu kaloi nëpër Poloni, gjatë udhëtimit të tij për në Francë (Zogu kaloi nga Turqia, nëpër Rumani dhe Poloni se donte që të shmangte kalimin nëpër Detin Mesdhe, ku trembej se mos e rrëmbenin italianët gjatë kalimit afër brigjeve të tyre), atëherë me siguri që do ta kishin ndalur Zogun dhe do ta kishin bërë mbret, që të shpëtonte Poloninë. Polakët shpesh thoshin se gjërat shkuan keq për Poloninë, qëkurse ajo nuk nxirrte më mbretër të aftë.
Nëse nuk do të kishte ndodhur pushtimi i Shqipërisë në 1939, Shqipëria do të kishte mbetur jashtë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk do të ishte bërë fushëbetejë e kësaj lufte. Në vend nuk do të kishte ndodhur revolucioni komunist, i cili u kamuflua si lëvizje antifashiste. Shqipëria nuk do të kishte përjetuar luftën e përgjakshme civile, të cilën e nisën komunistët në 1941, në fillim brenda radhëve të tyre, ku stalinistët filluan spastrimin e jostalinistëve, e më pas e zgjeruan kundër të gjithë atyre që i shikonin si kundërshtarë politikë dhe pengesë për ardhjen e tyre në pushtet pas largimit të italianëve dhe gjermanëve. Shqipëria nuk do të kishte pësuar dëmtimet e mëdha nga bombardimet e aviacionit britaniko-amerikan. Vendi nuk do të kishte përjetuar as “Luftën e Tretë Botërore” çka ishte utopia shkatërrimtare komuniste në vitet 1945-1990, pasojat afatgjata të së cilës vendi vazhdon që t’ i vuajë ende në periudhën e quajtur Tranzicion.
A do të kishte qenë më mirë për shqiptarët e Jugosllavisë sikur të mos kishte ndodhur pushtimi italian i Shqipërisë dhe zgjerimi i luftës së Boshtit në Ballkan? Është e vërtetë se shkatërrimi i Jugosllavisë monarkiste, si rezultat i sulmit gjerman, iu dha mundësi që të marrin frymë shqiptarëve të cilët banonin në trojet e tyre në Jugosllavi. Ata tashmë patën mundësi të kenë administratë në gjuhën shqipe dhe me zyrtarë shqiptarë, të drejtën e flamurit shqiptar, shkolla shqipe, policinë shqiptare, magjistratët (gjykatës dhe prokurorë) shqiptarë etj. Por kjo gjë vazhdoi jo më shumë se tre vite dhe u pasua nga një periudhë dhune të tmerrshme e ushtruar nga forcat partizane sllave, në dimrin 1944-45 dhe në pranverën e vitit 1945, kur u vranë me të gjitha mënyrat rreth 50 000 shqiptarë. Por, mund të thonë se nëse nuk do të kishte qenë sulmi gjerman kundër Jugosllavisë në 1941, atëherë do të ishte kryer deportimi i shqiptarëve në Turqi, sipas konventës jugosllavo-turke. Por as kjo nuk do të ndodhte, se kur Jugosllavia dhe Turqia panë se Boshti ishte në ekspansion të plotë dhe pozita e tij strategjike u përmirësua shumë në Europën Qendrore, ato nuk kishin vullnetin për të bërë veprime që do t’ i jepnin shkas Italisë të vepronte kundër tyre, në aleancë me Gjermaninë. Fakti është se konventa jugosllavo-turke nuk filloi që të zbatohet për shkak se Jugosllavia e gjeti me vend që të tregohet e kujdesshme ndaj Boshtit, për shkak se pak muaj pas arritjes së marrëveshjes jugosllavo-turke për deportimet, Jugosllavia befasisht pati si vend kufitar Gjermaninë pasiqë kjo aneksoi Austrinë. Shqipëria, vendi më i interesuar për të kundërshtuar deportimin, kishte një traktat evaziv miqësie dhe ndihme reciproke me Italinë, e cila nga ana e saj ishte duke u lidhur gjithëherë e më fort me Gjermaninë. Sado evaziv që të ishte traktati italo-shqiptar, ai mund të ishte një arsye e mjaftueshme që Italia të hynte në luftë kundër Jugosllavisë, duke përdorur si shkak fillimin e një lufte mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në të cilën luftë Italia do të tërhiqte dhe Gjermaninë. Këtu ishte arsyeja që konventa për deportimet nuk u zbatua në periudhën prej mbi tre vite e gjysëm që prej nënshkrimit të saj dhe deri në sulmin gjerman ndaj Jugosllavisë.
Edhe pa sulmin gjerman, Jugosllavia monarkiste do të ishte shpërbërë njëjtë pas fitores së Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik, për shkak se forcat centripete nacionale brendsa saj ishin bërë shumë të forta, pikërisht për shkak të sukseseve të para të Gjermanisë. Bullgaria do të ushtronte presion në Maqedoni, Hungarian ë Vojvodinë , Rumania në Banat dhe Shqipëria, me mbështetjen e Italisë, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në të mbretërisë jugosllave. Veç tyre ishin edhe gjermanët e Jugosllavisë, që atëherë ishin gjysmë milioni, të përqëndruar kryesisht në Vojvodinë, të cilët nuk pëlqenin që të jetonin në shtetin e kontrolluar nga serbët. Bashkimi me Shqipërinë i trojeve shqiptare të Jugosllavisë, do të kishte ndodhur andej nga vitet 1943-44. Në Shqipëri me siguri që Zogu do të zëvendësohej me një regjencë, siç ishte projekti i parë i Mussolinit në prill 1939, dhe më pas me një princ italian si mbret. Kjo nuk ishte ndryshe nga ç’ kishte ndodhur me Bullgarinë, Greqinë, Rumaninë, të cilat kishin dinasti me origjinë gjermane. Italia do të evoluonte politikisht pas vdekjes së Mussolinit, afërsisht në të njëjtën kohë me Gjermaninë, se Mbreti, Kisha, ushtria, do të ushtronin trysni ndaj pasardhësve të tij. Si pasojë, Italia dhe Shqipëria do të kishin evoluar në shoqëri demokratike, andej nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, ose fillimi i viteve shtatëdhjetë. Veçse tranzicioni shqiptar do të kishte qenë si ai spanjoll, pra i një shoqërie me ekonomi të stabilizuar, ku nuk ekziston problemi i madh i ardhur nga shtetëzimi i pronës, nga krijimi i një ekonomie shtetërore totale dhe jofunksionuese. Pra, tranzicion vetëm politik dhe jo ekonomik. Historiani britanik Andreë Roberts shkruan kështu në parathënien e një libri-përmbledhje studimesh të historisë kundërfaktuale:
Sir Lewis Namier ishte ai që tha “Arritja më jetëgjatë e studimeve historike është një sens historik- një kuptim intuitiv- se si gjërat nuk ndodhin”. Historianët dhe biografët vazhdimisht e gjejnë si pjesën më të vështirë të punës së tyre që të provojnë të sjellin ndërmend, që subjektet (personazhet historike- K.M.) e tyre, me gjasë nuk kanë njohur se çka do të ndodhte në ardhmërinë e afërt, më tepër se ç’ mund të parashikoj unë me saktësi se çka do të ndodhë nesër në orën 3. 20 në Uttoxeter.[ii]
Kjo është e vërtetë por jo rrallë në histori ka ekzistuar dhe ai që njihet si engineering of events, domethënë përpjekjet për të vënë në lëvizje një zinxhir ngjarjesh, të cilat e kanë origjinën tek një ngjarje, ashtu si një ortek bore mund ta ketë origjinën tek një top bore i hedhur nga dora e një njeriu. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia në prill 1939, ishte padyshim një ngjarje e tillë.
[i] Në 1983, një historian zyrtar ushtarak francez, Guy Pedroncini, pasiqë studioi arkivat ushtarake franceze bëri me dije, në një libër me titull “Les mutineries de 1917” (Publications de la Sorbonne, Universitaires de France, Paris 1983) se 9 divizione franceze u rebeluan pothuajse tërësisht, në pesëmbëdhjetë divizione pati rebelime serioze, në 25 divizione të tjera pati raste të izoluara, por të shpeshta rebelimi. Por këto ishin të gjitha divizione të zgjedhura, të cilat kishin detyra luftarake sulmuese. Gjithsesi arkivat për këto ngjarje nuk janë hapur krejtësisht dhe shumë dokumente pritet të çklasifikohen pasiqë të kenë kaluar 100 vite, në 2017.
[ii] “What might have been: imaginary history from twelve leading historians”, London 2004, Weidenfeld and Nicolson, p. 5





