26. Epilog malapartian: Shkrimtari rus Juri Korolkov, në Shqipëri, në 1960, në kërkim të ditarit sekret të Cianos




      Në verën e vitit 1960, në kohën kur nuk qenë prishur ende marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, në Shqipëri erdhi shkrimtari rus Juri Korolkov (1906-1981), autor i librave për Luftën e Dytë Botërore dhe posaçërisht për spiunazhin, një njeri shumë mirë i lidhur me KGB. Kur Kremlini vendosi që ta pranojë zyrtarisht se Richard Zorge kishte qenë një agjent sovjetik, në 1964, njëzet vjet pasiqë ky i fundit ishte pushkatuar në Japoni, u ngarkua pikërisht Juri Korolkov që të shkruante librin e parë për Zorge, sipas të dhënave që iu ofruan nga KGB[i]. Kur Korolkov erdhi në Shqipëri, ai tashmë ishte duke përfunduar librin e tij voluminoz për Luftën e Dytë Botërore, me titull “Kështu ndodhi”, i cili u botua në Bashkimin Sovjetik në vitin 1961. Ky libër, me titull “Kështu ka ndodhur” është botuar edhe në gjuhën shqipe, në dy vëllime, në 1974. Ky libër është një roman historik, personazhet e të cilit janë persona realë, ndër njerëzit më të rëndësishëm të vendeve ndërluftuese. Për Luftën e Dytë Botërore, në Bashkimin Sovjetik janë botuar shumë libra në dy-tre dekadat e para pas kësaj lufte, por libri i Korolkov bën dallim se pjesa më e madhe e ngjarjeve dhe personazheve të librit u përkasin sferave më të larta të vendeve ndërluftuese perëndimore, të Britanisë së Madhe, SHBA-ve, Gjermanisë, Italisë, Francës. Personazhe të librit janë Presidenti amerikan Roosevelt, kryeministri britanik Churchill, Hitler, Mussolini, Konti Ciano, Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Cordell Hull, ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, Anthony Eden, Gjenerali De Gaulle, Allen W. Dulles, Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë amerikane në Europë, Gjenerali Eisenhower, shefi i Zbulimit amerikan në Afrikën e Veriut, Robert Murfi etj.
      Në Bashkimin Sovjetik, një shkrimtari, nuk i lindte ideja për ta shkruar një libër të tillë, ai thjesht ngarkohej me këtë detyrë, dhe i ofroheshin të dhënat e nevojshme. Kështu kishte ndodhur pas të gjitha gjasave edhe me Juri Korolkov. Një ndër personazhet e librit të Korolkov është edhe Konti Ciano. Në librin e vëllimshëm[ii] të Korolkov, ka shumë faqe për Cianon, dhe posaçërisht për historinë e kërkimit të ditarëve të tij. Në librin e Korolkov gjërat çuditërisht paraqiten sikur Ciano u pushkatua në 23 dhjetor 1943, në burgun e Veronës, nga gjermanët[iii]. Kur në fakt, në kohën që shkruante Korolkov, tashmë dihej se Ciano ishte pushkatuar, më vonë, në 11 janar 1944, në poligonin e qitjes së Veronës, nga trupat fashiste të Republikës Sociale të krijuar nga Mussolini, pasiqë gjykata e posaçme e dënoi Cianon me vdekje, për tradhti të lartë.
      Arsyeja për të cilën Korolkov shkruan kështu është se ai, dhe Kremlini me anë të tij, kërkonin që të thoshin se Ciano u adresohej vetëm gjermanëve, kur thoshte në një fjali të fragmentit të ditarit të tij, të shkruar para vdekjes, të cilën Korolkov e komenton në librin e tij, kur shkruan për Cianon:
      Ai u bënte shantazh kundërshtarëve të tij, ashtu siç e bënte këtë gjë gjithmonë. “Ngjarjet janë fotografuar këtu pa retush,- shkruante ai në ditarin e tij,- Ato demaskojnë njerëzit që do të donin t’ i ruanin këto ngjarje në fshehtësi”.
      Galeaco Cianon nuk e ndihmoi as kjo gjë.[iv]
      Por, fakti se Korolkov, në librin e shkruar me porosi të KGB jep një datë të rreme për vdekjen e Cianos, për të krijuar një mit historik, tregon se gjermanët nuk ishin të vetmit që kishin arsye për t’ u trembur nga ditari i Cianos. Pas të gjitha gjasave, nga ditari i Cianos, së pari kishte arsye për t’ u trembur Partia Tranatlantike e Luftës, e plotfuqishme në SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, në kohën që ditari i Cianos ra në dorën e njerëzve të Zbulimit amerikan. Por nga ditari i Cianos duket se trembeshin shumë edhe në Kremlin, për shkak të bisedimeve, që rusët mund të kishin bërë me italianët, në 1940 dhe në 1941, kur bënin gjithçka për të shmangur sulmin gjerman, si dhe fill pas sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, kur bënë gjithçka për të kërkuar një armëpushim të llojit të “Brest Litovsk”.
      Pas botimit në dy pjesë të ditarit të Cianos, në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, pati shumë spekulime mbi atë se nuk ishte botuar krejt përmbajtja e ditarit. Madje u fol edhe për një ditar sekret të Cianos, i cili ende nuk ishte zbuluar, dhe ku Ciano kishte mbajtur shënim veprimet e tij sekrete. Për këtë ditar të dytë, nuk kishte dijeni kurrkush, madje as vetë Mussolini. Mbajtja e ditarit sekret ishte në logjikën e qëllimit për të cilin Ciano e mbante ditarin, pra për të bërë alibi dhe për shantazh, nëse do të ishte e nevojshme. Nga kjo pikëpamje kishte gjëra të cilat Ciano nuk mund t’ i shkruante në ditarin për të cilin kishin dijeni edhe të tjerë njerëz, dhe më së pari Mussolini. Ciano nuk mund të mos mendonte se një ditë, Mussolini mund të kërkonte befasisht që ta shikonte ditarin dhe Ciano ishte i detyruar që t’ ia jepte. E nëse Mussolini lexonte atje se Ciano kishte bërë, pas shpinës së tij, veprime të cilat do t’ i shërbenin atij për të qenë lideri i Italisë pasmussoliniane, ose së paku për të mbetur ende një njeri i pushtetshëm, natyrisht se Mussolini do ta quante këtë tradhti të lartë dhe do ta ndëshkonte Cianon, ashtu siç bëri kur ky e mori pjesë në konspiracionin për rrëzimin e Duçes nga pushteti.
      Pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse pa bujë, shërbimet inteligjente të fuqive të mëdha bënë kërkime për të gjetur ditarin sekret të Cianos. Këtu përsëri pati pjesën e vet dhe Shqipëria, ku Ciano bëri një ndërtesë që më tepër se qëllimit për të cilin e ngriti ai, i shërbeu përjetësimit të mitit të enigmës së tij. Fill pas pushtimit të Shqipërisë, Ciano urdhëroi që të ndërtohet me shpejtësi në Lezhë, një resort luksoz gjuetie, e cila do të njihej si Shtëpia e Gjuetisë në Lezhë. Pikërisht Shtëpia e Gjuetisë në Lezhë ishte një nga vendet ku dyshohej se Ciano kishte fshehur ditarin e tij sekret. Vendi ku ishte ndërtuar Shtëpia e Gjuetisë, i quajtur Kune, ishte shumë i përshtatshëm për të fshehur gjëra. Kune përshkruhet kështu në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar:
      Ishull ranor i ulët në bregdetin e Lezhës, në të djathtë të deltës së Drinit të Lezhës, 1.5 km larg bregut. Shtrihet në drejtim Lindje-Perëndim dhe ka sipërfaqe 125 ha. Është krijuar nga prurjet e ngurta të Drinit dhe kjo bën që forma dhe madhësia e tij të ndryshojnë vazhdimisht, ndonëse dhjetëvjeçarët e fundit ka qëndrueshmëri. Në një rrip të ngushtë ranor në anën lindore, kalon rruga që lidh Ishullin e Kunes me Lezhën. Në anën jugore e lindore laget nga Laguna e Merxhanit, e cila në dy vende lidhet me detin. Më shumë se gjysma e ishullit zihet nga një kënetë e cekët, pak e njelmët, e mbushur me kallama, zhukë e bimë të tjera ujëdashëse.[v]
      Kune, me ngrehinën e Cianos, ishte një vend jo më pak misterioz, dhe ndoshta më i përshtatshëm për të fshehur sende, se Liqeni i famshëm Toplic në Austri ku qenë fshehur sekretet e nazistëve. Ngrehinat e tilla, si shtëpia e gjuetisë, të ndërtuara nga njerëz si Konti Ciano, kishin gjithëherë një vend të fshehtë, brenda apo përreth tyre. Një vend të fshehtë ku ndryheshin sekrete. Të parët që bënë kërkime në Shtëpinë e Gjuetisë në Lezhë për dokumentet sekrete të Cianos, qenë jugosllavët, në vitet 1944-1948, kur ata qenë zotër të Shqipërisë. Në atë kohë jugosllavët ishin në konflikt me britanikët dhe amerikanët për çështjen e Triestes dhe Venezia- Giulia-s, tokave italiane të cilat donte që t’ i aneksonte Jugosllavia, kështu që Tito kishte shumë interes që të gjente dokumente me të cilat të shantazhonte Partinë Atlantike të Luftës, e cila ishte ende në fuqi në London dhe Washington. Pas jugosllavëve, në vitet pesëdhjetë bënë kërkime sovjetikët. Por kurrkush prej tyre nuk gjeti gjë. Për herë të fundit sovjetikët bënë kërkime në 1960, para se ta braktisnin Shqipërinë. Rusët e braktisën Shqipërinë për shkak të marrëveshjes që patën bërë me amerikanët, ashtu që këta të fundit do të pranonin ndërtimin e Murit të Berlinit, në këmbim të tërheqjes së rusëve nga Shqipëria me dalje në Mesdhe, ku prania e rusëve përbënte një dhunim të Marrëveshjes së Yalta, fryma e së cilës ishte se Stalini do të rrinte larg Mesdheut. Pasiqë e patën pasur të tyren Shqipërinë për 12 vite, për sovjetikët nuk kishte mbetur më asnjë enigmë e rëndësishme në vendin e vogël ballkanas, përveç enigmës së resortit të Cianos. Prandaj, KGB vendosi që të bëjë edhe një përpjekje të fundit.
      Në Shqipëri erdhi një grup kërkuesish të KGB, të cilët zyrtarisht do të kamufloheshin si një ekip studiuesish të bregdetit mesdhetar, si masë sigurie ndaj zbulimeve të huaja. Duke qenë se dihej që bregdeti adriatikas shqiptar dihej se ishte unik në Mesdhe, me lumenjtë e rrëmbyeshëm që zbresin nga malet në ultësirën bregdetare, misioni i tyre ishte i justifikuar. Ata kërkuan që të vendosen në Shtëpinë e Gjuetisë në Lezhë. Meqënëse me grupin sovjetik kishte ardhur edhe një shkrimtar, Juri Korolkov, kinse i pasionuar pas bregdetit mesdhetar, për ta shoqëruar atë u caktua një shkrimtar i ri shqiptar, Ismail Kadare, i porsaardhur nga studimet në Moskë, zotërues i mirë i rusishtes dhe njohës i jetës së Moskës.
      Kërkuesit e KGB u endën në dhomat e kthinat e Shtëpisë së Gjuetisë në Lezhë, në oborrin dhe në zonën përreth saj, në verën dhe në vjeshtën e vitit 1960. Por ata nuk nuk gjetën gjë as këtë herë. Vitin tjetër, në kohën e largimit të tyre, KGB la një kumt për homologët e saj shqiptarë, të Sigurimit të Shtetit, që ishte kumt i Kremlinit për Enver Hoxhën. Kumti ishte se resorti i Cianos në Kune, kishte shumë gjasa që të ishte vendi ku ishin fshehur dokumentet e tij sekrete, të cilat i interesonin shumë Moskës. Prandaj, pas largimit të sovjetikëve, kurrkush tjetër nuk duhej lejuar që të bënte kërkime në Kune, pas largimit të sovjetikëve nga Shqipëria. As kinezët, të cilët do të zëvendësonin sovjetikët në vend, dhe aq më pak perëndimorët. Pas kësaj, Enver Hoxha, me anë të sekretarit të tij personal, e pyeti Kadarenë nëse Korolkov i kishte kumtuar atij dicka të vecantë për Shtëpinë e Gjuetisë në Lezhë, apo Hotelin e Gjuetisë, sic quhej në atë kohë. Kadare u përgjegj se rusi i kishte folur diçka të mjegullt për një vend ku mund të ishin fshehur dokumente sekrete të Cianos, të cilin ai shpresonte që ta përshkruante në romanin e tij të ardhshëm historik. Kadare e kishte quajtur fantazi shkrimtarësh. Në fakt edhe Kadare kështu e pati kuptuar fillimisht atë që i tha rusi.
      Por ato çka i pati thënë Korolkov Kadaresë nuk ishin fantazi shkrimtarësh. Ndonëse rusi fliste sikur po zhvillonte një subjekt letrar, megjithatë fjalët e tij kishin brenda të vërtetën e ekspeditës. Korolkov i tha Kadaresë se rreziku më i madh në ekspedita të tilla ishte që të ndeshnin në “mina” të vendosura nga të tjerët para tyre, do të thotë në dokumente të rreme, të cilat ishin vendosur nga të tjerë, ashtu që të gjendeshin nga kërkuesit që do të vinin pas tyre, me shpresën se këta do t’ i publikonin si autentike. Korolkov i tha se “minat” mund t’ i kishin vendosur gjermanët, para se të largoheshin nga Shqipëria, ose edhe jugosllavët. Por edhe ne vendosim “minat” tona, vazhdoi Korolkov, dhe nuk do të donim që të dëgjojmë se një ditë ato u zbuluan nga shqiptarët. Nëse i zbulojnë kinezët, ose të tjerë, mirë, se kështu është e besueshme, kishte thënë rusi. Dhe në fund Korolkov kishte shtuar duke qeshur se në këtë Shtëpi Gjuetie kjo bënte sens, si një kurth gjuetie, pra se ai që vinte për të gjuajtur, ishte njëherësh edhe gjahu.
      Kadare natyrisht se i dëgjonte për herë të parë gjëra të tilla. Qëllimi i Korolkov kur ia tregoi këtë histori Kadaresë, duhet të ketë qenë që ta bënte kolegun e ri shqiptar që të shkruante një libër për këtë histori. Ky libër u duhej sovjetikëve si kyci më i mirë i sekreteve të mundshme të resortit të Cianos në Lezhë. Pas botimit të këtij libri, Kremlini do t’ i thoshte Enver Hoxhës dhe të tjerëve që do të vinin pas tij në regjimin komunist shqiptar, se tashmë ata ishin të vetëdijshëm për sekretet e Kunes dhe duhet që t’ i mbronin ato. Korolkov, i cili me sa duket priste që të gjente dokumente që do ta bënin bestseller botëror librin e tij, u largua i zhgënjyer nga Shqipëria. Ai kishte qenë me siguri një nga prodhuesit e “minave”.[vi] Kadare me siguri që e ka lexuar në rusisht librin e Korolkov, i cili doli më pas në 1961, se librat sovjetikë që vinin ende në Shqipëri në 1961, dhe për një njeri si Kadare, librat sovjetikë që vinin në Shqipëri edhe pas vitit 1961, qenë të arritshëm. Kur Kadare ka lexuar në librin e vëllimshëm të Korolkov faqet e shumta për Cianon dhe për kërkimin e ditarit të tij, e kuptuar se rusi nuk i kishte thënë rrena. Atëherë Kadarenë duhet që ta ketë mbërthyer një ankth i madh se e kuptoi se sa e rrezikshme ishte ajo që i kishte thënë Korolkov. Atje bëhej fjalë për një sekret të tmerrshëm shtetëror. Kadare tashmë kishte dijeni, pak a shumë, për një pakt sekret mes Enver Hoxhës dhe Kremlinit mbi sekretet e Cianos, pushtuesit të Shqipërisë. Kjo prekte reputacionin e udhëheqësit të madh, i cili bënte luftë të pakompromis kundër revizisionistëve socialimperialistë sovjetikë. Kadare e dinte se Enver Hoxhës nuk i pëlqente që të kishte dëshmitarë të punëve të tij të errëta.
      Dyzet vjet më pas, në 2001, Kadare do të botonte një roman, “Kalorësi me skifter”, ku ngjarjet zhvilloheshin në Shtëpinë e Gjuetisë në Lezhë dhe ku personazhi kryesor ishte Konti Ciano. Pas të gjitha gjasave, Kadare rrëfen në këtë libër eksperiencën e tij me ekspeditën e kërkuesve sovjetikë në Lezhë, në 1960, por duke i projektuar ngjarjet në dy periudha, fillimisht në kohën e Luftës së Dytë Botërore, dhe pastaj në vitin 1999. Në roman, arkitekti që ndërtoi resortin e gjuetisë në Lezhë i sugjeron Cianos një tablo për në sallën e ngrënies së shtëpisë së gjuetisë në Kune të Lezhës:
      -Këtu duhet një tablo,- tha duke qëndruar me duar të kryeqëzuara te muri përballë vatrës.- E vetmja pikturë në këtë sallë.
      Të tjerët e vështruan me ca sy që dukej sikur thoshin: të shohim tani se ç’ perlë a ç’ prapësi do të na nxjerrë.
      Ndërsa prisnin që ai të shqiptonte emrin e tablosë a të piktorit, arkitekti, për habinë e tyre, u duk se për herë të parë e humbi sigurinë. Shkakun e kapën shumë shpejt. Emrin e piktorit të tablosë, të tablosë së vetme që mund të vendosej në atë mur, ai nuk e mbante mend mirë. Kishte mundësi që të ishte e Rembrandit ose e Rubensit, ose e ndonjë bashkëkohësi të tyre. Kishte gjasë që të quhej “Kalorësi me skifter”, por as për këtë nuk ishte i sigurt. E kishte parë vite më parë, në rininë e tij, në muzeun e një qyteti skandinav, emrin e të cilit gjithashtu nuk e kujtonte dot. E vetmja gjë sigurt ishte se ishte qytet e jo kryeqytet. Sa për tablonë… në të ishte pikturuar një kalorës që mbante në dorë një skifter gjahu… Kalorësi është ftuar në një gjah… Fytyra e tij ka një shprehje misterioze, që mund të shkoqitet në gjithfarë mënyrash… Pra, me sa më kujtohet, ai… do të shkojë në atë gjah… megjithatë fytyra e tij është plot enigmë.
      -Në këtë mur unë s’ mund të përfytyroj asnjë tablo tjetër,- vazhdoi arkitekti.- Është piktura e të ftuarit në gjah, më kuptoni zoti kont? Është thelbi i gjithçkaje. Dhe dyshimi dhe misteri në fytyrën e tij, është misteri i gjithkujt që vjen nga larg, që bujt, qoftë njeri apo hije… Në fund të fundit, ne nuk mund ta dimë kurrë se çka në kokë ai që vjen nga larg.
      Ç’ mrekulli, tha me vete konti.[vii]
      Duket se tabloja me kumtin enigmatik këtu është vetëm një metaforë e Kadaresë për të shenjuar vendin e fshehtë ku ndryheshin dokumentet sekrete, në ndërtesë, ose ndoshta edhe përreth saj, në kënetë. Kadare, këtu projekton tek një pikturë inekzistuese sendet e vërteta që kërkoheshin, dokumentet sekrete. Në romanin e Kadaresë, arkitekti italian që projektoi ndërtesën, i bëri një rrëfim të birit, para se të vdiste:
       Kam projektuar shumë ngrehina por ajo është e vetmja, me të cilën qenia ime pati një përkitje misterioze, i kishte thënë i ati pak ditë para vdekjes. Rrallherë kjo u ndodhte arkitektëve.
      Ai i kishte folur gjatë, për rravgimin e tij tek bënte projektin. Në orët e lodhjes, zëra të largët i dukej se i pëshpërisnin: ç’ po bën, ti po sheston një gjuetinë apo një kurth?[viii]
      Duket se këtu Kadare ka projektuar tek arkitekti Korolkovin, i cili, mes shumë aludimesh, i ka bërë një rrëfim Kadaresë, duke shpresuar se ai do ta kapte thelbin e kumtit të tij të mjegullt. Tabloja me kalorësin misterioz është një metaforë për enigmën e dyfishtë të ekspeditës  sovjetike në resortin e Cianos në Lezhë, enigmën që po kërkonte dhe atë që po krijonte. Në roman, arkitekti i kërkon të birit që të shkojë në Shqipëri, në shtëpinë e gjuetisë, në Lezhë dhe të zbulojë enigmën:
      Ti do të vesh në gjuetinën e Lezhës në Shqipëri dhe do të marrësh vesh ç’ ka ndodhur, i kishte thënë i ati… Unë paralajmërimin e kam bërë, e kam shpëtuar shpirtin tim… Në çastet kur dhimbjet i lehtësoheshin, ai e pyeste të atin se ç’ ishte ai paralajmërim dhe kujt i drejtohej. Arkitekti mëdyshej. I thoshte se s’ donte ta rëndonte kujtesën e tij të njomë me gjëra të rënda. Veç kësaj, kjo ishte e rrezikshme. Mosdija nganjëherë ishte mbrojtja më e mirë. E megjithatë, çdo herë që hapej ajo bisedë, diçka i thoshte. Flitej se projektuesit e piramidave egjiptiane skajonin, diku në qendër të tyre, në një skutë që s’ e dinte askush, një kumt të fshehtë. Gjer më sot askush nuk e ka gjetur një kumt të tillë dhe as dihet në ç’ trajtë ai është lënë… Gjuetina e Lezhës qysh në fillim ma shtiu në krye një tundim të tillë. Atë e kërkonte, shpirti im gjithashtu. Ishte një thirrje që gjer në fund, madje edhe tani që po të flas, mbeti e turbullt. E megjithatë, midis turbullirës, diçka kam kapur. Në një pikturë të ardhur nga Veriu… atje është kumti im. Një pëlhurë që paraqet një kalorës të ftuar në gjueti… Një kalorës me një skifter në sup… Që parandjen ndoshta ftesën e pabesë… E megjithatë shkon drejt fatit të tij. Dhe tani mos më pyet më tepër.[ix]
      Duket se këtu Kadare na rrëfen se si Korolkov, i cili atëherë ishte 54 vjeç, i aludoi  24 vjeçarit Kadare, i cili do të jetonte shumë më gjatë tek ai, ndoshta do të jetonte në një kohë kur mund të shkruhej për këtë ngjarje në të cilën ata kishin qenë pjesëmarrës. Kjo është mënyra e Kadaresë për të rrëfyer se Korolkov i pati thënë atij, se ai kishte detyrimin që më vonë, ndoshta dekada më vonë, të rikthehej në këtë vend të mistereve si shkrimtar, duke shkruar një libër? Kur Kadare shkruan për djalin e arkitektit këtu, ndoshta e ka fjalën përsëri për vetveten, në periudhën 1960-1990:
      U duk se u qetësua pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Të gjitha urat me të kaluarën ishin prerë, e bashkë me to edhe rrjedha e fshehtë e mallkimeve dhe e parandjenjave. Dhe era që i shtynte. Veç kësaj, edhe po të donte të shkonte në Shqipëri, tani ishte e pamundur.[x]
      Kur Shqipëria u lidh me Kinën në 1961, dhe filloi një fazë e re e diktaturës hermetike, Kadare nuk mund të shpresonte që të shkruante një libër për atë që kishte ndodhur. Madje, ai kishte frikë nga enigma që dinte. Duke rrëfyer për këtë periudhë, Kadare, në roman, e projekton vetveten, tek Ciano, i cili përpëlitet në shtrat, në Shtëpinë e Gjuetisë në Lezhë dhe mallkon arkitektin-Korolkov:
      Shtrig.
      Dëshira për të klithur i erdhi kaq e fortë, saqë e rrasi fytyrën në nënkresë. Shtrig, iu drejtua përsëri arkitektit. Ç’ djall të shtyu të ma bësh këtë? Nga të erdhi guximi?
      Gjithë ajo mjegull në shpjegime, s’ më kujtohet emri i piktorit, as i muzeut, madje as i vendit ku e kam parë. Nga i kishte ardhur guximi për ta mashtruar? E sidomos ai guximi tjetër, ai i madhi, për t’ i dhënë kumtin ogurzi… atë shpallje të krimit… Nga shpretka e sëmurë, natyrisht. Një guxim të tillë mund ta jepte veç afrimi i vdekjes. Dhe përfytyrimin e krejt mbretërisë, si një hapësirë të mbushur me ftesa të pabesa, që dërgoheshin ose vinin nga të gjitha drejtimet, veç ajo mund ta jepte… Ngutu, dërgoje i pari ftesën, sa pa ta çuar tjetri… Gjithë puna ishte kush do të tregohej më i shpejtë, ftuesi apo i ftuari, për t’ ia ngrënë kokën njëri-tjetrit.
      Oh, shtrigu i shtrigut, rënkoi konti. Kishte kohë që donte të brofte nga shtrati, ta shkulte atë pikturë nga muri, ta flakte në kënetë. Por gjymtyrët s’ i bindeshin më. Ishin hedhur ndërkaq në anën tjetër, në atë të gjumit, duke e lënë vetëm. Nënë atë zbrazëti trishtuese kishte veç ujëra të turbullta, të askurrkundta dhe shpretka e sëmurë e arkitektit që endej mbi to.[xi]
      Kjo duket se është mënyra e Kadaresë për të thënë se rrëfimi i Korolkovit, sa i mjegullt aq edhe i qartë, rëndonte në mendjen e Kadare në netët pa gjumë të shumë viteve. Ai i kishte ngarkuar një peshë të madhe me rrëfimin e tij, një peshë të dyfishtë. Derisa si njeri e kishte ngarkuar me peshën e frikës, si shkrimtar e kishte ngarkuar me peshën e joshjes. Si njeri, Kadare mendonte me ankth se mos ndoshta ai Korolkovi do të shkruante një libër për këtë histori, ku do të përmendte edhe atë, shkrimtarin e ri shqiptar, çka do të ishte fundi i Kadaresë. Enver Hoxha do ta thërriste dhe do ta pyeste se përse nuk i kishte treguar. Posikur atje, në ditarin sekret të përmendej edhe emri i atij… Enver Hoxhës, u bubu, tmerr e shkuar tmerrit! Si shkrimtar ai kishte joshjen që të shkruante librin për të cilin i kishte folur Korolkov.
      Kadare, në fragmentin e mësipërm thotë se në thelb të enigmës ishte idea e vrasjes, plani i vrasjes së njëri-tjetrit, që ishte në mendjen e ftuesit dhe të ftuarit. Në fakt, Kadare kështu kërkon që ta kamuflojë enigmën e Kunes, duke e paraqitur sipas stereotipit të librave policorë, thjesht si një enigmë krimi. Njerëzit e ekspeditës sovjetike, të cilët endeshin në kënetën përreth Kunes, të veshur me pelerine të zeza me kapucon që u mbulonte kokën, do të shfaqeshin në 1976 tek novela e Kadaresë “Emblema e dikurshme”, si kërkues sekretesh të vjetra, dhe autorë të një krimi enigmatik[xii]. E tek kjo novelë Kadare duket se e ka projektuar veten edhe tek personazhi me emrin Stefan Haurja, njeriu që bashkëpunoi me Kapuconët e Zinj, ndërsa Korolkovin tek Lolo Shtëmbari, miku i Stefan Haures, duke projektuar kështu tek dy fshatarët që e gjetën veten të përzier në ekspeditën enigmatike, dy shkrimtarët. Kadare shkruan:
      Tridhjetë e ca vjet Stefan Haurja e mbajti të fshehtën të kycur në zemër. Lolo Shtëmbëri vdiq më 1971, dhe Stefan Haurjes iu duk se pas vdekjes së tij e fshehta iu rëndua edhe më shumë në gjoks.[xiii]
      Vdekja e Juri Korolkov në 1981, nuk e lehtësoi ankthin e Kadaresë, madje me kalimin e viteve, deri në 1990, ankthi i tij duhet të ketë ardhur duke u shtuar. Fantazia prej shkrimtari e Kadaresë nuk mund të mos mendonte shumë situata rreziku edhe pas vdekjes së Korolkov. Ai mund ta kishte shkruar librin dhe ta kishte lënë në dorëshkrim, sic ndodh shpesh me shkrimtarët. Libri mund të botohej pas vdekjes. Kjo frikë e Kadaresë duhet të jetë rritur kur me ardhjen e Gorbachev (Gorbacov) në pushtet, në 1985, në Bashkimin Sovjetik filloi Gllasnosti (Hapja), periudha kur kishte shumë më tepër liri shprehjeje se më parë. Frika nga ndëshkimi i regjimit komunist shqiptar duhet që t’ i ketë ikur Kadaresë pas vitit 1990. Tashmë joshja e tij si shkrimtar u bë më e fortë. Më tutje, në roman, Kadare e projekton përsëri veten tek djali i arkitektit:
      Kur diktatura shqiptare ra, i ati i tij kishte gati pesëdhjetë vjet që degjej nën dhe. Rruga për Shqipëri ishte hapur dhe, përherë e më tepër, ai nisi të ndiente prapë shtysën për të shkuar atje. Ti nuk e ke parë ende gjuetinën e Lezhës.[xiv]
      A nuk është këtu Kadare, i cili ishte i joshur nga enigma si shkrimtar, kërkon që të rikthehet në vendin e misterit, si shkrimtar, duke shkruar një libër për të? Në roman, djali i arkitektit vjen në Shqipëri pas më shumë se gjysmë shekulli që të zbulojë enigmën:
      Më shumë se gjysmë shekulli më pas, në dhjetor të vitit 1999, Bruno Mohr, arkitekt si i ati, me një sëmundje të ngjashme në shpretkë, zbriti në aeroportin e Tiranës me një avion të Al-Italia-s. Me t’ u vendosur në hotel, kërkoi të dhëna për mënyrën e udhëtimit gjer në gjuetinën e Lezhës dhe të zënies së një dhome në të.[xv]
      Këtu është vetë Kadare, i projektuar tek personazhi i djalit të arkitektit, i cili në vitin 2001 u rikthye në Kune, si shkrimtar, duke shkruar romanin “Kalorësi me skifter”. Por kishte dhe një arsye tjetër përveç joshjes së parezistueshme si shkrimtar, që e bënte Kadarenë të shkruante këtë libër. Ai donte që në mënyrën e tij t’ u jepte një dëshmi atyre që interesoheshin për enigmën, dhe që kërkonin çdo fill që mund t’ i çonte tek ajo. Një gjysmë duzine shërbimesh inteligjente perëndimore bënë kërkime në Kune: CIA, FBI, MI 6, SISDE, SISMI, deri edhe Mossadi. Nuk ka asnjë të dhënë nëse ndokush prej tyre gjeti diçka. Në roman, gjëja e parë që mëson djali i arkitektit është se tabloja ishte zhdukur me kohë, madje edhe kopjet e saj:
      E kishin kërkuar aq shumë atë pëlhurë. Në fillim gjermanët, pastaj komunistët. Por ajo s’ kishte si të gjendej. Qysh gjatë hetimit të madh do ta kishin dërguar në Romë, për t’ u hetuar centimetër pas centimetri. Madje edhe piktura tjetër, ajo e rremja ishte zhdukur.
      Ç’ ishte kjo pikturë tjetër? Përse e rreme?
      Ishte një kopje e bërë shpejt e shpejt, me kujtesë, për arsye hetimi. E vinin dhe e hiqnin në mur, sa herë që hetuesit rindërtonin ngjarjet. Së paku kështu flitej. Unë për vete nuk i kam parë, as njërën, as tjetrën.
      E përse gjithë ky interesim për një pikturë?
      Ah, kjo është pyetja që e bënin shumë vetë. Ime shoqe, ndjesë pastë, për shembull. Përse? Ku ta dish? Thuhej se në të kishte një shenjë. Ishte kyçi i një të fshehte. Ndoshta ishin fantazira, por kështu flitej. Paralajmërohej një vrasje. Për një gjë që do të ndodhë se s’ bën, thuhet ka qenë e shkruar. Ishte pak a shumë e njëjta gjë, mjaftonte që në vend të fjalës “e shkruar” të vihej “e pikturuar”.[xvi]
      Ismail Kadare këtu u dërgon një kumt atyre që mund të lexonin midis rreshtave të romanit të tij. Se do të kishte shumë zyra të specializuara që do të kërkonin të lexonin midis rreshtave. Por në zyrat e specializuara do të intrigoheshin shumë. Çfarë? Ismail Kadare na paska shkruar një roman për misterin e shtëpisë së Cianos në Shqipëri. Për Misterin “Kune”? Ah, pa shiko, ja ku na doli pëllumbi, që na flet për enigmën e “Kalorësit me skifter”! Çka di pra ai për misterin? Si e mësoi? Ah, ai na thotë se enigma ishte një plan për vrasje, e mirë pra, gjë pa rëndësi, idea fikse e Kadaresë për romane policore që shfaqet gjithandej librave të tij. Nuk ia vlen që këtë libër ta fusim në Dosjen “Ciano”. Jo pak njerëz kërkuan sekretet e Cianos në Kune, në vitet nëntëdhjetë, kur Shqipëria u hap ndaj Perëndimit. Por a do të besonin zyrat e specializuara kaq lehtë? Prandaj në roman djali i arkitektit, në natën që kalon në shtëpinë e gjuetisë, tashmë të shndërruar në hotel, arrin në të njëjtin përfundim:
      Bruno Mohr e kuptoi më në fund se nuk do të flinte dot. U ngrit nga shtrati, ndezi abazhurin dhe pa orën. Ishte tre e mëngjesit, pikërisht koha kur gjysmë shekulli më parë tre të ardhurit nga kryeqyteti ishin nisur për në kënetë. Dritarja e dhomës së tij binte përballë territ të kënetës. Ia nguli sytë për një kohë të gjatë atij terri, me një shpresë të turbullt, me mallëngjim, si t’ i kërkonte ndihmë. Do ta besonte se po i thoshte: ti e ke njohur tim atë, ndoshta më mirë se unë. Keni marrë e keni dhënë me njëri-tjetrin kur keni qenë këtu. Ai vetë, biri i tij, kishte qenë tepër i ri në atë kohë, për të kapur ato që babai thoshte gjatë agonisë së tij. Ai terr, më i vjetër se bota, e dinte ndoshta më mirë atë që mendjet njerëzore nuk e rroknin dot. Kishte pasur ndoshta një çast përkitjeje midis tyre, një grimë kohe, kur shenja kishte kaluar prej një bote te tjetra. Dhe kështu shqetësimi i një vrasjeje që vërtitej në erë qysh nga mesjeta, kishte rënë rastësisht, si një gjallesë bredhëse, midis vizatimeve dhe shifrave të projektit të tij.
      Është e kotë, tha me vete. Ishte e kotë të shtyhej më tutje me pyetjet: si e kishte kapur ati i tij kumtin, e aq më pak kujt i drejtohej paralajmërimi. Mos e shty më tej, i tha trurit të tij. Më tutje niste tmerri i asaj që s’ duhej ditur. S’ thoshin më kot vendësit e këtushëm: thirri mendjes! Ose mblidhe mendjen! Njëlloj sikur donin të lidhnin një bishë.
      Duhej ta merrte më rrokshëm e më thjesht këtë punë. Ishte koha që e prodhonte gjithandej krimin. Dhe në se tharmi i krimit, si një fluturamë e shtyrë nga era lëvizte nga epoka në epokë, i pashkatërrueshëm nga asgjë, mospërfillës për rendet kombet, kjo tregonte se kohërat ngjanin.
      Vrasja i ishte vërtitur Mussolinit, vjehrrit të kontit fatzi, më pas nënmbretit Jakomon, e kështu me rradë, mbretit të rrëzuar të shqiptarëve, Zog (ftesa për një takim të fshehtë me të, pas rrëzimit, ndodhej ende në arkivat e Ministrisë së Jashtme Gjermane), diktatorit komunist jugosllav, Tito, së fundi diktatorit shqiptar, atij që dy herë rresht kishte dërguar në gjah sozinë e tij, i bindur se do ta vrisnin, madje sipas skenarit të përfytyruar nga ai vetë.
      Të gjitha këto iu dukën për një çast të thjeshta e të kapshme. Në fund të fundit, në çdo ftesë kishte pasur përherë pakëz mort.[xvii]
      Këtu Kadare dialogon me zyrat e specializuara ndërkombëtare, duke u thënë se krejt ajo çka dinte ai për enigmën ishte se bëhej fjalë për një skemë vrasjeje. A mos ndoshta ishte treguar më i zgjuar Malaparte që kishte heshtur për ato që dinte, për të fshehtat e mikut të tij Ciano, duke përfshirë edhe ato në Shqipëri? Malaparte shfaqet në romanin e Kadaresë, kur e bën Cianon, që të mendojë në darkën e promovimit të shtëpisë së gjuetisë:
      Ciano u përshëndet djathtas e majtas me ata që nuk i kishte takuar, dëgjoi kinse me vëmendje dy kumtime të thëna gati me pëshpërimë, për t’ i dhënë siç dukej rëndësi, për dy njerëz që nuk do të vinin, tha “sa keq më vjen” e në të vërtetë keqardhjen e ndjeu prapë për tjetërkënd, Kurzio Malaparten. Ndonëse ishte përpjekur, s’ kishte mundur të çante mespërmes Evropës, për të qenë atë natë aty.[xviii]
      Në kohën që flet Kadare, në dhjetor 1941, Malaparte gjendej skajin verior të Europës, në frontin finlandezo-sovjetik, si korrespondent ushtarak. Malaparti shkëlqen me mungesën e tij në “darkën e mistershme” shqiptare të Cianos. Kadare me librin e tij, më tepër kërkoi që të distancohet nga enigma shqiptare e Cianos, se t’ i qaset asaj. Shqiptari i fundit i cili e kishte njohur Cianon, ishte pikërisht përkthyesi dhe miku i Kadaresë, Jusuf Vrioni, i cili vdiq në vitin 2001, në moshën 85 vjeç. Vrioni e kishte njohur personalisht Cianon në shtëpinë e mikeshës së tij, Susanna (Suni) Agnelli (në vitet nëntëdhjetë ministresh e Punëve të Jashtme të Italisë), në Itali, dhe rrëfen për të në kujtimet e tij:
      Një ditë, kur ndodhesha në kat të dytë, dëgjova një zhurmë në katin e parë: Suni po priste një vizitor. Zbrita shkallët një e nga një dhe vura re siluetën e Kontit Ciano. Suni me të ishin bërë miq. Ai ushqente simpati për këtë vajzë të re, që s’ ishte ende as njëzet vjeç. E tërhiqnin siguria dhe personaliteti i saj, ndërsa Suni bisedonte, si me një njeri të barabartë me këtë personazh, i mësuar edhe ai vetë të fliste pothuajse në mënyrë të barabartë me Hitlerin apo me figura të tjera të frikshme të asaj kohe. Më habiste siguria në vetvete e Sunit. Më hipi një ndruajtje e tillë, saqë u largova. Ciano, pas kësaj, e pyeti Sunin lidhur me mua: “Si shpjegohet që sa herë vi unë, ky djalë ikën tinëz?” E vërteta është se unë i isha shmangur njëherë, disa kohë më parë, në plazhin e Kastelfusano, kur ai po bashkohej me grupin e tij të vogël nën çadër.[xix]          
      Në njëfarë mënyre kjo është si metaforë që shenjon saktë sjelljen e studiuesve shqiptarë, të cilët i janë shmangur Enigmës “Cianos”, rolit të dhëndrrit të Duçes në pushtimin e Shqipërisë, ose e kanë kapërcyer kalimthi atë. Ky libër imi pretendon që të jetë përballja me Enigmën “Ciano”, gjithsesi jo shteruese. Kjo orvatje e parë për të ndriçuar thellësitë e errta të enigmës, është një ftesë për të tjerët që t’ i hyjnë kësaj sfide. Shpesh kam përshtypjen se historia e Shqipërisë mund të shkruhet edhe duke bërë përpjekje për të zbërthyer një numër enigmash, të llojit të enigmës “Ciano”.


[i] Ky libër, i botuar në Bashkimin Sovjetik në vitin 1965, është botuar edhe në shqip, por nën një titull tjetër, të huazuar nga një film i njohur në Shqipëri, në kohën e komunizmit, “Cili jeni ju zoti Sorge?” (Shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë 2007)
[ii] Në botimin shqip të vitit 1974, kur u botua për herë të parë, libri kishte 800 faqe, në format të madh, në ato faqet standard me 43 rreshta dhe me gërma të vogla, të librave të asaj kohe.
[iii] Juri Korolkov, “Kështu ka ndodhur”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1974, Vol. I, f. 492-493
[iv]po aty: f. 493
[v]“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008, Vol. II, f. 1415
[vi] Një zyrtar i lartë i regjimit komunist më ka treguar në fund të viteve nëntëdhjetë se për ardhjen në Shqipëri të ekspeditës së kërkuesve sovjetikë dhe të Korolkov, ka pasur një dosje sekrete në arkivat e kohës, e cila tashmë nuk ekziston më. Kjo është verifikuar më vonë. Regjimi komunist, në ditët e veta të fundit, zhduku shumë dosje veçanërisht delikate. Përderisa këtë fragment të librit e kam ndërtuar pjesërisht mbi rrëfimin e lartpërmendur, për të cilin nuk mund t’ i sjell prova lexuesit, e kam quajtur një fragment malapartian, që në titull. Interesi për këtë histori m’ u ringjall, pasiqë lexova librin e Ismail Kadaresë “Kalorësi me skifter”. Tashmë ky libër i Kadaresë është e vetmja gjurmë që reflekton këtë dosje sekrete, si dëshmi e përthyer, ashtu siç shfaqet nën prizmin letrar. Në mënyrën e tij, si shkrimtar, edhe Kadare ka bërë rrëfimin e tij, gjithsesi të vlefshëm, ndonëse të pamjaftueshëm. Nuk dihet nëse Juri Korolkov ka lënë rrëfimin e tij për historinë e tij shqiptare, në ndonjë libër të mbetur në dorëshkrim, se ai vdiq para se të binte komunizmi në Bashkimin Sovjetik. Edhe nëse ka ndodhur kështu, ky libër me siguri që është i ndryrë në arkivat sekrete të shërbimeve sekrete ruse dhe vështirë se do të dalë në dritë në ardhmërinë e afërt.
[vii] Ismail Kadare, “Përballë pasqyrës së një gruaje: tre romane të shkurtër”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2001, f. 13-14
[viii]po aty: f. 44
[ix] po aty: f. 44-45
[x]po aty: f. 45-46
[xi]po aty: f. 29-30
[xii]Ismail Kadare shkruan tek “Emblema e dikurshme”:
Pikërisht në atë kohë të shkurtër qetësie u rishfaqën njerëzit me kapuçonë të zinj. Ata kishin qenë këtu para disa muajsh, ishin vërtitur fshat më fshat, kishin bërë ca kërkime të çuditshme mbi dhe e nën dhe, kurse mbeturinat e famullisë së moçme i kishin fotografuar për ditë me rradhë, me kujdesin më të madh. Pastaj, posa qe afruar furtuna e përleshjeve qenë zhdukur si hije. (Ismail Kadare: “Emblema e dikurshme”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1977, f. 179)
      Të gjithë kërkuesit e sekreteve, të cilët kishin qenë në Kune, gjermanët, jugosllavët, sovjetikët, duhet që të qenë veshur njëlloj, me pelerinë mushamaje dhe me kapuçë, për t’ u mbrojtur nga shiu, si dhe për të mbrojtur trupin e fytyrën gjatë endjeve në kënetë.
[xiii]po aty: f. 217
[xiv]Ismail Kadare, “Përballë pasqyrës së një gruaje: tre romane të shkurtër”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2001,  f. 45- 46
[xv] po aty: f. 43
[xvi] po aty: f. 47-48
[xvii]po aty: f. 50-51
[xviii]po aty: f. 21
[xix]Jusuf Vrioni, “Kujtimet e një europiani: pshertima fati”, Shtëpia botuese “Albimazh”, Tiranë 2008, f. 81-82