Mussolini e mori vendimin për pushtimin e Shqipërisë në 23 mars, që ishte jubilee për regjimin fashist. 23 marsi 1939 ishte përvjetori i njëzetë i themelimit të Fashizmit. Si datë e themelimit të fashizmit mbahej 23 marsi i vitit 1919 kur Mussolini mbajti një tubim me mbështetësit e tij në Sheshin San Sepolcro në Milano. Por vendimi i Mussolinit nuk ishte pasojë e entusiazmit të jubileut fashist, ndonëse kjo mund të shihej si celebrimi më i mirë i ditës së themelimit të Fashizmit. Ajo çka e ndryshoi mendimin e Mussolinit sa i përkiste pushtimit të Shqipërisë ishte një ofertë e befasishme nga ana e Irredentës kroate, për Romën, ofertë që konsistonte në një plan të detajuar. Kroatët, nuk kishin humbur kohë për të lëvizur, pas pushtimit gjerman të Bohemisë, duke menduar se tashmë Jugosllavia ishte në pozitë më të brishtë se kurrherë gjatë ekzistencës së saj, ashtu që Franca, tutorja e saj, apo edhe Britania e Madhe, nuk mund t’ i vinin në ndihmë asaj. Gjithashtu, kroatët mendonin se serbët këtë herë nuk do të rezistonin shumë ndaj tyre, për arsye se Hungaria dhe Bullgaria, të cilat kishin llogari të hapura territoriale me Jugosllavinë, qenë atje gati për të përfituar nga një konflikt i brendshëm jugosllav. Pikërisht në 20 mars, në ditën që Zogu bisedonte me Jacomonin në Tiranë dhe i bënte atij ofertën e llogaritur për të shpëtuar fronin e tij, në rastin e një mësymjeje gjermano-italiane në Ballkan, Ciano pati në Romë një takim që solli kthesën 180 gradë të Mussolinit në çështjen e Shqipërisë. Ciano shkruan në ditarin e vet, për takimin me të dërguarin e liderit kryesor kroat, Macek:
Unë prita inxhinierin Carnelutti, të dërguarin e Macekut. Unë bëra një përmbledhje me shkrim të thënieve të tij. Shkurt: Kroatët janë antigjermanë, por për të shpëtuar nga tirania serbe janë gati të bien në krahët e Berlinit, të shtyrë edhe nga Italia, nëse ajo nuk i ndihmon. I dërguari kroat paraqiti një program sipas të cilit do të bëheshin negociata me Beogradin për të arritur koncesione sa i përket autonomisë kroate. E nëse negociatat nuk do të kishin sukses, atëherë duhet të shkohej deri në kryengritje, me ç’ rast do t’ i kërkohej ndihmë ushtarake Italisë. Si rezultat do të krijohej një republikë kroate e lidhur me Italinë, me anë të një pakti aleance të ngjashëm me atë që ekzistonte mes Italisë dhe Shqipërisë. Më tej do të shkohej deri tek bashkimi doganor dhe monetar. Faza e dytë, bashkimi personal me Italinë. Duçja më urdhëroi që të pranoj programin kroat. Nesër do të njoftoj Carneluttin.[i]
Kroatët ishin të zhgënjyer nga mosdashja e Gjermanisë për të vepruar në Ballkan, por nuk ishin antigjermanë. Tashmë që Gjermania kishte aneksuar Austrinë, dhe kufiri jugosllavo-austriak në Kroaci ishte bërë kufiri mes Reich të Tretë dhe Jugosllavisë, do të thotë Kroacisë, ishin rigjallëruar dhe fuqizuar lidhjet e hershme të kohës habsburgase dhe shpresat që ngjallnin ato. Gjermania, ndonëse e simpatizonte kauzën kroate, nuk ishte duke i pritur kroatët me krahë hapur për t’ i ndihmuar kundër serbëve, se nuk donte që të hapte një front lufte në Ballkan. Mosdashja e Gjermanisë për të vepruar në Ballkan bënte që kroatët të mos kishin alternativë veç Italisë, kur ishte fjala për mbështetje përballë serbëve. Prandaj, kërcënimi i kroatëve se do të hidheshin në krahët e Gjermanisë, në rast se Italia ua refuzonte ndihmën, ishte një rrenë krejt naive. Të detyruar nga tërheqja e Gjermanisë, kroatët u kthyen nga Roma, dhe deshën t’ ia shesin asaj këtë sjellje të detyruar të tyre, si një zgjedhje të vullnetshme të ardhur nga parapëlqimi.
Çështja kroate kishte shkaktuar një krizë të vërtetë në marrëdhëniet mes Romës dhe Berlinit, mes 17 dhe 20 marsit. Kriza qe zgjidhur pikërisht në ditën që Ciano takoi të dërguarin kroat. Zërat se kroatët do të vepronin sipas shembullit sllovak, duke shpallur pavarësinë nga Jugosllavia dhe duke i kërkuar Gjermanisë që të bëheshin protektorat i saj, e alarmuan shumë Mussolini-n. i cili e gjente si të papranueshme për sigurinë e Italisë që, pasi kishte toleruar aneksimin e Austrisë nga Gjermania, çka e bëri Italinë vend kufitar me Gjermaninë, kjo e fundit të zgjerohej edhe në kufirin lindor të Italisë, e të dilte në Adriatik. Prandaj, në 17 mars Ciano me porosi të Mussolinit iu drejtua ambasadorit gjerman në Romë, von Mackensen, duke i kërkuar shpjegime. Ambasadorit gjerman iu kërkua që t’ i bënte të ditur Berlinit se Italia e shikonte Kroacinë si pjesë të zonës së saj të influencës në Mesdhe. Berlini u përgjigj në 20 mars, me anë të homologut të Cianos, Ribbentrop-it. Gjermania e njihte Kroacinë si pjesë të zonës së influencës të Italisë në Mesdhe.[ii]
Gjithsesi, të gjitha gjasat ishin se një Kroaci e pavarur do të prirej kah Gjermania, për të kundërbalancuar presionin italian, kështu që Roma kishte shumë të ngjarë të dilte me humbje në investimin e saj kroat. Ajo çka ndodhi në fakt ishte se kroatët e përdorën angazhimin e Italisë në mbështetje të tyre, ashtu si dhe frikën e serbëve nga ekspansioni gjerman, si një ekspedient për të ushtruar presion ndaj serbëve, duke arritur që të siguronin pas pak muajsh koncensione të mëdha nga Beogradi, që prej përcaktimit të kufijve të një entiteti shtetëror autonom kroat, me ç’ rast praktikisht kënaqeshin në maksimum kërkesat kroate territoriale, deri tek kompetencat e gjëra në qeverisje.
Është interesante se Mussolini, i cili nguronte që të ndërmerrte pushtimin e Shqipërisë së vogël, e cila nuk kishte aleancë me ndonjë fuqi të madhe, megjithatë pranoi pa ngurim që të mbështeste një rebelim irredentist në një vend të madh fqinj si Jugosllavia, i cili kishte një aleancë me një fuqi të madhe si Franca . Duket se, megjithë situatën e favorshme që ishte krijuar në Europë pas pushtimit të Bohemisë, subversioni irredentist ishte lloji i luftës të cilën Mussolini mund t’ ia lejonte vetes që ta zhvillonte në kontinent. Gjithsesi, afera kroate duket se ishte ngjarja që e bëri Mussolinin të ndryshonte mendje sa i përkiste pushtimit të Shqipërisë. Midis 15 marsit, kur ndodhi pushtimi i Bohemisë, që u bë shkak që në Romë të diskutohej seriozisht pushtimi imediat i Shqipërisë, dhe 23 marsit kur Mussolini mori vendimin përfundimtar për pushtimin e Shqipërisë, nuk ka ndodhur asnjë ngjarje tjetër, për të cilën mund të thuhet se e ka shtyrë Duçen për të marrë këtë vendim, përveç takimit të Cianos me të dërguarin e irredentës kroate, tre ditë para se Mussolini të merrte vendimin përfundimtar për pushtimin e Shqipërisë.
Mussolini, qartësisht mendonte se hyrja në veprim e kroatëve, do ta minimizonte faktorin jugosllav, sa i përkiste reagimit ndërkombëtar ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Kjo llogari ishte e saktë. Beogradi e kuptonte se, në rrethanat e reja të krijuara në Europën Qendrore, pas pushtimit gjerman të Bohemisë, Jugosllavia rrezikohej që të shpërbëhej nga veprimi i kombinuar i forcave të brendshme, dhe ndërhyrja e huaj. Ndonëse Beogradi e kuptonte se Gjermania nuk dëshironte që të ndërmerrte një aksion ushtarak në Ballkan, megjithatë ishte e qartë se Gjermania e mirëpriste shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe do të inkurajonte dhe mbështeste forcat e brendshme që do të vepronin në këtë kahje, si dhe vendet fqinje me Jugosllavinë që do të ndërhynin me këtë rast. Prandaj, dy ditë pas pushtimit gjerman të Bohemisë, ministri jugosllav në Romë kërkoi takim me Cianon, me ç’ rast ky i fundit shkruan në ditar, në 17 mars:
Christic[iii] kërkoi takim me mua. Ai përgënjeshtroi fjalët për lëvizje të ushtrisë jugosllave në kufirin me Hungarinë. Nga ana ime, zërat për një ekspeditë ushtarake italiane në Shqipëri dhe e sigurova atë se kurrgjë nuk do të bëhet nga Italia për të dobësuar unitetin territorial të Jugosllavisë.[iv]
Tensioni mes Jugosllavisë dhe Hungarisë ishte i mirëpritur për Romën, e cila kështu inkurajohej në aventurën e saj kroate. Zërat për përqëndrim të ushtrisë jugosllave në kufirin me Hungarinë qenë përhapur nga vetë kjo e fundit, e cila në fakt donte që të gjente rastin më të parë për të ndërhyrë ndaj Jugosllavisë, e cila në Versaille kishte marrë territore të gjera hungareze. Jugosllavia, siç del nga biseda Ciano-Krstiç, i trembej edhe sponsorimit nga ana e Italisë të irredentizmave brenda mbretërisë shumënacionale. Një Jugosllavi që gjendej nën presion të madh të brendshëm, nuk kishte për të reaguar fort ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Mosreagimi jugosllav do të bënte që të minimizohej edhe reagimi i Greqisë. Për rrjedhim edhe reagimi i aleatëve të tyre, Francës dhe Britanisë së Madhe, do të ishte minimal. Në 14 shkurt 1939, Mussolini i kishte bërë me dije Cianos mendimin e tij mbi dy ngjarjet e ardhshme që kushtëzonin aksionin ushtarak të Italisë në Shqipëri. Ciano shkruante në ditar në 14 shkurt:
Duçe tha se sa i përket Shqipërisë ne duhet që të presim dy ngjarje: zgjidhjen e çështjes spanjolle dhe aleancën me Gjermaninë. Në ndërkohë ne duhet që të përhapim fjalë nga më të ndryshmet. Ne duhet që të errësojmë ujërat, ashtu si oktapodi.[v]
Deri më 23 mars 1939, ku Mussolini mori vendimin për pushtimin e Shqipërisë, nuk ishte përmbushur asnjë nga të dy këto kushte. Lufta Civile në Spanjë nuk kishte përfunduar ende, ndonëse tashmë lufta në Spanjë ishte pranë përfundimit, Madridi do të binte pesë ditë më pas, në 28 mars. Gjithsesi, Lufta Civile në Spanjë kishte qenë pranë përfundimit edhe në shkurt, kur Mussolini e vuri përfundimin e saj si kusht për aksionin ushtarak në Shqipëri. As aleanca gjermano-italiane nuk ishte nënshkruar- kjo do të ndodhte në maj. Gjithsesi aleanca me Gjermaninë nuk ishte më një kusht i domosdoshëm pasiqë Jugosllavia konsiderohej disi e neutralizuar, pas marrëveshjes së Romës me Irredentën kroate, si dhe me rritjen e tensionit mes Jugosllavisë dhe Hungarisë. Prandaj në 23 mars, Mussolini mori vendimin për pushtimin e Shqipërisë. Ciano shkruan në ditar, në 23 mars 1939:
Duçe ka vendosur që të lëvizë më shpejt sa i përket çështjes shqiptare, dhe ai vetë ka skicuar një marrëveshje, e cila është shumë e shkurtër, duke konsistuar në tre klauzola të thata, çka i jep më tepër pamjen e një dekreti se të një pakti ndërkombëtar. Unë gjithashtu jam duke përgatitur një version me Vitetti-n. Është një akord i cili, ndonëse i shprehur në terma të sjellshme, do të na lejojë ne që të efektojmë aneksimin e Shqipërisë. Duçe e aprovoi atë. Ose Zogu pranon kushtet të cilat ne ia paraqesim atij, ose ne do të ndërmarrim pushtimin ushtarak të vendit.[vi]
Por, nga këto që thotë Ciano kuptohet se projekti i Mussolinit nuk përmbante një ultimatum me një afat të përcaktuar që kërcënonte me një ndërhyrje ushtarake, në rast mospranimi të kërkesave. Mussolini përsëri ishte tërhequr, i ngërthyer në dilemat e veta të cilat tashmë i kishte shprehur. Ciano, qartësisht nuk e pëlqeu versionin e Mussolinit, se ai e bënte të largët perspektivën e aksionit ushtarak. Projekti i Mussolinit, pas të gjitha gjasave do të hapte perspektivën e negociatave të zgjatura, një fushë kjo ku Zogu kishte fituar një eksperiencë të madhe me italianët, gjatë kohës që kishte qenë në pushtet. Prandaj, Ciano, në bashkëpunim me drejtorin e Drejtorisë së Çështjeve të Përgjithshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, përgatiti një version tjetër, që përmbante një ultimatum me kërcënimin për ndërhyrjen ushtarake. Plani Ciano-Vitetti ishte në frymën e precedentit gjerman të pushtimit të Bohemisë. Kështu, sipas këtij plani, pushtimi i Shqipërisë do të ndodhte shumë shpejt, në ditët e fundit të marsit. Madje, duket më e besueshme që Ciano dhe Vitetti ta kenë përgatitur planin paraprakisht, se Ciano ia paraqiti atë Duçes pikërisht në ditën e 23 marsit, kur Mussolini i tregoi Cianos skicën e planit të tij për Shqipërinë. Siç do ta tregoj më tutje, plani i Cianos nuk ishte nga ata që përgatiten aty për aty. Ciano përsëri kërkonte me ngulm një aksion të shpejtë ushtarak në Shqipëri. Në 23 mars ai shkruan në ditar:
Ose Zogu pranon kushtet të cilat ne ia paraqesim atij, ose ne do të ndërmarrim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim ne tashmë kemi mobilizuar dhe përqëndruar në Puglia katër regjimente të bersaglierëve, një divizion të këmbësorisë, detashmete të forcës ajrore dhe krejt skuadrën e parë detare.[vii]
Ciano qartësisht ekzagjeron kur flet për përqëndrim të madh forcash me rastin e aksionit të pritshëm në Shqipëri. Sipas të dhënave që jep ai më lart, në Puglia , përballë Shqipërisë qenë mobilizuar jo më tepër se shtatë regjimente, pasiqë një divizion italian në atë kohë kishte tre regjimente. Ky numër trupash nuk ishte larg forcave që qëndronin rëndom në bregun italian në një zonë me rëndësi të madhe strategjike, çka ishte Kanali i Otrantos, duke konsideruar se çdo regjiment nuk kishte më tepër se tre batalione. Madje, siç do ta citoj më tutje, në këtë kohë krerët e ushtrisë as që ishin vënë në dijeni për aksionin ushtarak në Shqipëri dhe as që kishin përgatitur planin e operacionit.
Gjithsesi, fakti është se përsëri e përsëri, Ciano është më i avancuar se Mussolini, sa i përket çështjes së pushtimit të Shqipërisë. Tabloja bëhet gjithëherë e më paradoksalisht komike. Derisa Mussolini-“Caesar” rri në breg të “Rubiconit”-Otranto dhe mendohet nëse duhet ta kapërcejë ose jo atë me ushtrinë e tij, Ciano-“Brutus” e nxit atë që të marshojë. Personaliteti vanitoz i Mussolinit nuk mund ta durojë gjatë këtë anomali kështu që ai pranoi versionin e Cianos, ose më saktë bëri sikur e pranoi, duke kërkuar një rast për të ndryshuar mendje. Dhe pikërisht në 23 mars ndodhi diçka që e bëri Mussolinin të hiqte dorë përsëri nga ideja e imitimit të skenarit gjerman të Bohemisë. Pikërisht atë ditë Mussolini mori një letër nga kryeministri britanik Chamberlain, për të cilën Ciano shkruan në ditar, në 23 mars:
Chamberlain i ka dërguar një letër Duçes. Ai shpreh shqetësimin e tij mbi situatën ndërkombëtare dhe i kërkon Duçes ndihmë për rindërtimin e besimit të përbashkët dhe sigurinë e vazhdimësisë së paqes. Mussolini do t’ i përgjigjet pas goditjes në Shqipëri. Kjo letër fuqizon vendosmërinë e tij për të vepruar se ai gjen në të një tjetër provë të inercisë së demokracive.[viii]
Chamberlain, duke dërguar këtë letër, me sa duket donte që të kompensonte në njëfarë mënyrë përjashtimin e Italisë nga rrethi i vendeve të cilave Londoni iu dërgoi notën e 17 marsit. Ndonëse Chamberlain nuk e përmend Shqipërinë në letër, megjithatë Shqipëria përfshihej tërthorazi në letër ku përmendej respektimi i Akordit Britaniko-Italian të vitit 1938, sipas aneksit të dytë të të cilit, të dy vendet merrnin përsipër që të njoftonin njëri-tjetrin mbi çdo vendim për të dislokuar fuqi ushtarake detare në lindje të gjatësisë gjeografike 19º, e cila kalonte përgjatë detit Adriatik, pranë bregut lindor të tij.[ix]Kjo do të thoshte se Italia kishte detyrimin që të njoftonte paraprakisht Britaninë e Madhe për një aksion ushtarak në Shqipëri. Marrëveshja britaniko-italiane ishte depozituar në Lidhjen e Kombeve pikërisht në 15 mars 1939, ditën që Ciano i kërkoi me të madhe Mussolinit pushtimin e Shqipërisë. Letra e Chamberlain, ndryshe nga ç’ thotë Ciano, nuk e rriti vendosmërinë e Mussolinit për të vepruar në Shqipëri, dhe provë për këtë është fakti se Mussolini hoqi dorë nga ideja e ultimatumit, pikërisht të nesërmen e ditës që mori letrën nga Londoni. Të nesërmen, në 24 mars, Ciano shkruan në ditar:
Diskutuam me Duçen dhe Parianin planin tonë të aksionit në Shqipëri. Ne u pajtuam se nuk është e këshillueshme që të dërgohet saora një ultimatum, por të fillojnë negociatat tona me Mbretin Zog. Nëse ai provon që të bëjë qëndresë, ose të na mashtrojë ne, atëherë ne do të përdorim forcën. Duçe ishte i shqetësuar për reagimin nga Beogradi, që për shumë arsye duhet të minimizohet.[x]
Çfarë kishte ndryshuar midis 23 dhe 24 marsit, që ata hoqën dorë nga ideja e ultimatumit? Shqetësimi i Mussolinit për reagimin e Jugosllavisë, të cilin ai e shpreh përsëri këtu, kishte qenë konstant dhe nuk ishte një gjë e re. Kështu që preokupimi i tashëm i Mussolinit për reagimin e Jugosllavisë mund të shpjegohej vetëm në kontekstin e letrës së Chamberlain. Mussolini trembej se mos Jugosllavia inkurajohej nga Britania e Madhe që të reagonte ndaj invadimit italian të Shqipërisë. Prandaj Mussolini kërkonte që t’ i jepte sa më pak shkas Jugosllavisë për të reaguar, dhe Britanisë së Madhe për ta inkurajuar Jugosllavinë që të reagonte ndaj aksionit ushtarak italian. Por unë kam përshtypjen se Mussolini e kishte ndarë mendjen që të bënte sikur e pranonte planin e Cianos, ashtu që të ruante autoritetin në sytë e dhëndrrit dhe, në rastin më të pare, të gjente shkak për të ndryshuar qëndrim.
Gjithsesi, efekti i letrës nga Londoni ishte që Mussolini të tregohej i kujdesshëm sa i përkiste anës formale të veprimeve të veta. Shqipërisë nuk do t’ i adresohej një ultimatum, por ai që në fjalorin e diplomacisë ndërkombëtare njihet si somacion, domethënë një lloj kërkese ultimative por pa pasojat e një ultimatumi. Fakti që Ciano thotë se Mussolini mendonte që t’ i përgjigjej letrës së homologut britanik, vetëm pas pushtimit të Shqipërisë, tregon se Mussolini donte që ta ndërfuste pushtimin e Shqipërisë brenda kontekstit të vizionit të Chamberlain për marrëdhëniet britaniko-italiane, ashtu siç qenë paraqitur në letrën e britanikut, përveçse që ta vinte Chamberlain-in para faktit të kryer. Por do të ishte një shpërfillje e tepruar që Mussolini ta vononte shumë përgjigjen për kryeministrin britanik, aq më tepër në atë situatë ndërkombëtare precipituese, ku zhvillimet ishin duke u shkallëzuar kah lufta botërore. Përgjigjia për një letër të tillë nuk mund të vonohej më shumë se një muaj. Prandaj, të gjitha gjasat të çojnë tek përfundimi se Mussolini parashikonte që pushtimi i Shqipërisë do të kryhej jo më vonë se fundi i prillit. Por duke qenë se Mussolini ishte shumë merkurial për çështjen e pushtimit të Shqipërisë, duhet menduar se kjo gjë vlente vetëm nëse ai nuk do të ndryshonte mendje për pushtimin e Shqipërisë dhe Mussolini kohët e fundit për këtë çështje kishte ndryshuar vazhdimisht mendje, jo më me ditë, por me orë.
Natyrisht se, në këtë kohë Mussolini kishte bindjen se pushtimi ushtarak do të kryhej me miratimin e Zogut, çka do të thoshte se italianët nuk duhej që të preokupoheshin shumë për performancën ushtarake, dhe se nuk kishte nevojë për shumë kohë që të përgatitej aksioni ushtarak. Fjala do të ishte më tepër për një paradë trupash që do të zbarkonin në Shqipëri, në një gjest teatral ushtarak. Qëndrimi i fundit i Zogut, i cili kërkonte me ngulm ardhjen e trupave italiane në Shqipëri, për luftën ndaj Jugosllavisë, të cilën Zogu e supozonte të ishte shumë e afërt, e bënte Mussolinin që të besonte se Zogu do t’ i pranonte kërkesat e tij.
[i] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 50
[ii]Von Ribbentrop për Ciano, 20 mars 1939, Archivo Storico Ministero Affari Esteri, Romë, UC 85, UC 6
[iii]Bozko Krstiç, ministri (ambasadori) i Jugosllavisë në Itali. Në anglisht emri i tij bën “Christic”. Në këtë libër emri do të përdoret sipas rastit, kur citohet nga libra anglisht do të përdoret “Christic” dhe kur bëhet fjalë për të në tekstin tim, do të përdoret versioni në serbisht, “Krstiç”.
[iv]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 49
[v]po aty: p. 29
[vi] po aty: p. 54
[vii] po aty: p. 54
[viii]po aty: p. 54
[ix]Societes des Nations, Recueil des Traites, 1939, Nr. 4537, p. 80
[x]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 54





