7. Ditët e panikut europian në Pallatin Mbretëror në Tiranë



      Ditët fill pas 15 marsit, në Europë qenë ditët e panikut. Edhe Mbreti Zog u rrëmbye nga paniku se mos Mussolini ndiqte shembullin e Hitlerit dhe bënte një pushtim blitz të Shqipërisë, pas një ultimatumi afatshkurtër. Mënyra se si Britania e Madhe e trajtoi krizën rumune, ato ditë, e rriti në maksimum panikun e Zogut. Në 17 mars, Britania e Madhe, pas njoftimeve nga Rumanianjë ditë më parë se ky vend rrezikohej nga një agresion gjerman, ndërmori një aksion diplomatik në stil të gjerë, që ngjante si pikënisja e ndërtimit të një aleance kundër Boshtit. Në 17 mars, qeveria britanike u dërgoi një notë dy fuqive të mëdha Francës, Bashkimit Sovjetik, si dhe katër vendeve të Europës Qendrore dhe Ballkanit, Polonisë, Jugosllavisë, Greqisë, Turqisë, duke i pyetur se cili do të ishte qëndrimi i tyre në rast agresioni ndaj Rumanisë, duke u nënkuptuar agresioni gjerman.
      Nga vendet e Ballkanit ishin lënë jashtë dy, Bullgaria dhe Shqipëria. Nga këto dy vende, vetëm Shqipëria rrezikohej nga një agresion i Boshtit, do të thotë i Italisë. Bullgaria nuk rrezikohej nga një agresion i Boshtit, se shihej si aleat potencial i tij, dhe në fillim të vitit 1941, Sofja u bë edhe formalisht anëtare e Boshtit. Oferta britanike për garanci ushtarake, për vendet nga Balltiku në Mesdhe, linte jashtë vetëm dy vende të kësaj zone, cilët rrezikoheshin drejtpërdrejt nga agresioni i Boshtit, Lithuaniadhe Shqipëria. Në 19 mars, dy ditë pasiqë Britania e Madhe dërgoi notën e saj të diskutuar më lart, Gjermania i dërgoi një kërkesë formale Lithuanisë, ku i kërkonte që të dorëzonte portin e Memelit, të cilin Lithuania e kishte marrë nga Gjermania me traktatet që iu imponuan kësaj të fundit pas Luftës së Parë Botërore. Reagimi i Gjermanisë ndaj përjashtimit të Lithuanisë nga rrethi i vendeve që iu adresohej nota britanike, ishte kërkesa që Lithuania t’ i cedonte pjesë të territorit të saj Gjermanisë. Reagimi i Italisë ndaj përjashtimit të Shqipërisë nga rrethi i vendeve të cilave iu adresua nota britanike e 17 marsit, ishte ndryshimi i mendimit të Mussolinit sa i përkiste aksionit ushtarak në Shqipëri. Mund të thuhet se Britania e Madhe nuk e shiti Shqipërinë në 6 prill kur Chamberlain bëri deklaratën famëkeqe në parlamentin britanik se Britania e Madhe nuk kishte interesa të posaçme në Shqipëri, çka gjithsesi ishte e vërtetë. Britania e Madhe e shiti Shqipërinë kur e përjashtoi nga rrethi i vendeve të cilave iu dërgua nota e 17 marsit.
      A kishte arsye përse Shqipëria të përjashtohej nga rrethi i vendeve të cilave iu dërgua nota britanike e 17 marsit? Vërtet që Shqipëria nuk ndante një kufi me Rumaninë, por kufi të përbashkët me Rumaninë nuk kishte as Turqia. Bullgaria, e cila ndante një kufi të gjatë me Rumaninë, ishte përjashtuar me sa duket se shihej si një vend afër Boshtit, çka ishte e vërtetë. Por Shqipëria nuk mund të konsiderohej një shtet afër Boshtit, përveç ndoshta për faktin se me vendimin e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, të 9 nëntorit 1921, Italisë i njihej praktikisht e drejta e mandatit mbi Shqipërinë. Por ky vendim duhet të ishte bërë automatikisht nul tashmë kur Italia kishte dalë nga Lidhja e Kombeve që prej dhjetorit 1937. Gjasat janë se Shqipëria u la jashtë nga rrethi i vendeve të cilave iu dërgua nota britanike e 17 marsit, për arsye se u la jashtë Italia. Për një paradoks ironik, vendi më i vogël i Ballkanit, përjashtohej nga një demarsh i fuqive të mëdha që kërkonin të frenonin agresionin në Ballkan! Përjashtimi i Italisë nga rrethi i shteteve të cilave iu ishte adresuar nota ishte me sa duket një paralajmërim ndaj saj që të mos e zhvillonte lidhjen me Gjermaninë, që mbetej ende në trajtën e një figure retorike (“Boshti”), në një aleancë definitive. Por, përjashtimi i Shqipërisë nga rrethi i vendeve të cilave iu adresohej nota, nuk mund të mos shihej edhe si një pohim se Britania e Madhe nuk ishte e interesuar për sigurinë e Shqipërisë nga një agresion i mundshëm. Se kuptohej qartë që nota ishte një ofertë për garanci ndaj agresionit, varësisht qëndrimit të vendeve të cilave u adresohej. Henry Kissinger, në librin “Diplomacy”, e komenton kështu notën britanike të 17 marsit:
      Britania e Madhe, befasisht dukej se ishte duke ofruar atë çka e kishte refuzuar që nga viti 1918, një garanci për krejt Europën Lindore.[i]
      Një garanci që përjashtonte Shqipërinë, megjithatë! Mungesa e Shqipërisë në skemën diplomatike britanike, më tepër se mangësinë morale të kësaj orvatjeje diplomatike, zbulonte një nga pikat e dobëta të saj. Nëse Italia ishte përjashtuar nga ky demarsh diplomatik britanik, se shihej si aleate e Gjermanisë, ndonëse Britania e Madhe kishte me Italinë një marrëveshje ushtarako-detare për ruajtjen e paqes në Mesdhe, dhe Britania e Madhe kërkonte që të ndalonte afrimin e mëtutjeshëm të Italisë me Gjermaninë, atëherë  në rast të një agresioni të Boshtit në Ballkan, për Britaninë e Madhe kishte një rëndësi të madhe qëndrimi i Shqipërisë. Nëse Gjermania mësynte Rumaninë, sipas të gjitha konsideratave strategjike, sulmi gjerman nuk mund të ndalej këtu. Nëse materializohej fronti antigjerman që synonte demarshi diplomatik britanik, atëherë Jugosllavia do të bëhej një bazë e rëndësishme e goditjes së Gjermanisë nga jugu, me të cilën tashmë kishte një kufi të përbashkët. Fushat naftëmbajtëse rumune, të cilat shiheshin si shkaku kryesor i agresionit të pritshëm gjerman ndaj Rumanisë, qenë në një afërsi të rrezikshme me kufirin me Jugosllavinë. Prandaj, një Gjermani që mësynte Rumaninë, do të mësynte edhe Jugosllavinë, për çka Gjermania kishte mbështetjen e Hungarisë dhe Bullgarisë, të cilat nuk do ta humbnin një rast të tillë, për të mbyllur llogaritë e tyre me mbretërinë-konglomerat etnik, e cila kishte uzurpuar territore që i rivendikonin këto dy vende. Koha tregoi se, Gjermania, pasiqë bëri marrëveshje me Bashkimin Sovjetik dhe mundi Francën, si dhe i dha një garanci ushtarake Rumanisë, pasiqë kjo e fundit iu nënshtrua një ultimatumi nga ana e Moskës për dorëzim territoresh, nuk mund të toleronte veçse ekzistencën e një Jugosllavie aleate, e cila i bashkohej formalisht Boshtit. Refuzimi i Jugosllavisë për ta përmbushur këtë dëshirë gjermane, bëri që Jugosllavia të ballafaqohet me agresionin gjerman. Në rast të një agresioni gjerman në Ballkan, në pranverën e vitit 1939, Italia nuk do të rrinte e të shikonte se si i ikte për duarsh zona e saj e lakmuar e influencës në Adriatikun lindor. Italia do t’ i bashkohej sulmit gjerman kundër Jugosllavisë. Në këtë rast, me siguri që Italia do të pushtonte Shqipërinë, ashtu që të mësynte Jugosllavinë edhe nëpërmjet territorit shqiptar, për të marrë nën kontroll trojet shqiptare në Jugosllavinë jugperëndimore, para se ato t’ i shtinte në dorë Bullgaria.
      Megjithatë, mospërfshirja e Shqipërisë në rrethin e vendeve që u ishte ofruar garancia britanike, nuk do të thoshte se Britania e Madhe pajtohej me pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Britania e Madhe thjesht i jepte një sinjal Italisë se ajo do të pajtohej që në situatën e re ndërkombëtare Italia të rriste kontrollin e saj mbi Shqipërinë, po assesi që ta pushtonte atë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia do të ishte një zhvillim që kërcënonte seriozisht strategjinë që po përpiqej të ndërtonte Londoni nga Balltiku në Mesdhe. Pushtimi i Shqipërisë do të thoshte që ajo të shndërrohej në një kryeurë strategjike e militarizuar, e Italisë, eventualisht e Boshtit, në Ballkan, nga ku kërcënoheshin drejtpërdrejt dy nga vendet të cilave u ishte ofruar garancia britanike, Jugosllavia dhe Greqia. Madje, Jugosllavia, praktikisht vihej në rrethim. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që Mussolini vazhdonte të nguronte për pushtimin e Shqipërisë dhe nuk e mori vendimin për pushtimin e Shqipërisë, jo më në 17 mars, as të nesërmen e të pasnesërmen, por vetëm gjashtë ditë më pas në 23 mars. Pse? Pas të gjitha gjasave Mussolini, me të drejtë, nuk besonte se Gjermania do të mësynte në Ballkan, ndaj Rumanisë, çka do të bënte që Italia të mos i trembej reagimit jugosllav, grek, britanik dhe francez ndaj pushtimit të Shqipërisë. Kështu që Mussolini u trembej ndërlikimeve që do të vinin nga pushtimi i Shqipërisë. Duhej të ndodhte dhe diçka tjetër që t’ i jepte fund ngurimit të Mussolinit për të pushtuar Shqipërinë. 
      Kur Mbreti Zog pa se Shqipëria u përjashtua nga rrethi i vendeve të cilëve iu adresua nota britanike, ai, i mbetur vetëm, hyri me fantazinë e vet në një linjë të ngatërruar spekulimi mbi atë se çka ishin planet e Mussolinit dhe Hitlerit në Ballkan, dhe se çfarë roli i ishte rezervuar Shqipërisë në to. Në këtë kontekst, Zogu u përpoq që të merrte me mend paraprakisht se çfarë kërkonte të arrinte Mussolini në Shqipëri, dhe se deri në ç’ pikë ai mendonte se Zogu nuk do t’ i bënte koncesione, prandaj ia vlente më mirë që ta invadonte Shqipërinë, duke e rrëzuar Zogun nga pushteti. Pesë ditë pas pushtimit të Bohemisë dhe Moravisë, Zogun pati një takim me Jacomonin, për të cilin ky i fundit shkruan:
      Më 20 mars pata me mbretin takimin që prisja, takim i cili zgjati më shumë se dy orë. Të nesërmen i telegrafova Romës: “Mbreti m’ u duk veçanërisht mbështetës për atë që kishte bërë Gjermania dhe ishte i dhënë pas idesë se po afrohej për atë çasti për të realizuar ëndrrën e tij të okupimit të Kosovës në Jugosllavi. Më tha që, nëse Roma do të vendoste për një aksion kundër Jugosllavisë, ai do të mundte,në çastin kur divizionet tona do të ishin gati për të zbarkuar në Shqipëri, të niste menjëherë një aksion kryengritjesh, të cilat, sipas mendimit të tij, do të çonin brenda dy ditësh në Nish.
      Gjithmonë duke u treguar i interesuar për çka thoshte mbreti për planin e tij, unë i kërkova që t’ i mbante, së paku përkohësisht, të pandryshuara marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe të mbante gjallë karakterin shqiptar të popullsisë së Kosovës.
  Ai më siguroi se ky do të ishte qëndrimi i tij. Duke më lutur që t’ ia përçoja këtë siguri Shkëlqesisë së Tij (Mussolinit- K.M.) ai përsëriti fjalinë shpresëdhënëse që Italia të ndiqte sa më shpejt Gjermaninë në aksionin e saj në Europën lindore: i gjithë konfiguracioni politik i tanishëm në Ballkan duhej që të ndryshonte që të kishte vend një federatë shtetesh nën udhëheqjen e Italisë”.[ii]
      Zogu, qartësisht, kishte arritur në përfundimin se Hitleri dhe Mussolini kishin koordinuar strategjinë e tyre në kuadrin e Boshtit dhe do të ndërmerrnin një mësymje në Ballkan, kundër Rumanisë dhe Jugosllavisë. Me këtë rast, mendonte Zogu, Italia do të pushtonte Shqipërinë, për t’ u vendosur përfundimisht atje dhe për të mësyrë Jugosllavinë edhe nga jugu. Prandaj Zogu iu ofrua Italisë si njeri që është i vlefshëm edhe në këtë skenar të rrjedhës së ngjarjeve. Zogu i bën me dije ministrit italian, e nëpërmjet tij sigurisht edhe Mussolinit, se ai e mirëpriste ardhjen e trupave italiane në Shqipëri, për një mësymje kundër Jugosllavisë. Natyrisht se Zogu ishte i vetëdijshëm që pas këtij aksioni trupat italiane do të mbeteshin në Shqipëri, në masën që Mussolini do ta quante të nevojshme për ta kontrolluar Italia përfundimisht Shqipërinë. Orvatja e Zogut ishte patetike dhe më tepër ishte simptomë e panikut të tij, se sa një lëvizje racionale në rrethanat në të cilat gjendej ai. Zogu duhet që ta kishte kuptuar se, nëse Mussolini do të mësynte Jugosllavinë, në bashkëveprim me Hitlerin, atëherë ai nuk do të kishte as interes, as skrupuj për të ruajtur Zogun si partner në Shqipëri. Zogu, i mbetur për herë të parë në karrierën e vet prej shtetari, pa këshilltarët e tij britanikë, kundrejt italianëve, po zbulonte natyrën dhe karakterin e tij të vërtetë, të formësuar në botën politike otomane. Zogu po sillej sipas stereotipit të vasalit oriental, i cili ia ofronte veten si fli sundimtarit, si shprehja sublime e luajalitetit, me shpresën se kështu ai do ta kursente.
      Është domethënëse se Zogu në mars 1939, nuk u foli italianëve në termat në të cilat u shpreh në tetor 1938, kur me rastin e Marrëveshjes së Munich-ut ishin përhapur zëra për pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Në 13 tetor 1938 Ciano shkruante në ditar për një kumt që i erdhi Mussolinit nga ana e Zogut, me anë të kryeadjutantit të këtij të fundit, Gjeneral Seregji:
      Seregji më solli mua një mesazh personal nga Mbreti Zog dhe gjithashtu më la një notë mbi qartësimin që ai pati urdhëruar të bëhet. Ato rrihnin këtu: Shqipëria tashmë është në duart e Italisë, se Italia kontrollon çdo sektor të vendit. Mbreti është i përkushtuar. Njerëzit janë mirënjohës. Pse kërkoni më tepër? Kjo pyetje nuk bëhej por ishte arsyeja kryesore e bisedës. Unë u solla miqësisht çka e inkurajoi atë. Ai e priti veçanërisht mirë kur unë i thashë, duke theksuar çdo fjalë, se unë kam një simpati të madhe për të, dhe se në çdo rast e shikoja si njeriun tonë.[iii]
      Ky arsyetim i Zogut vlente edhe tash pas pesë muajsh, megjithatë atij as që i shkoi ndërmend që të fliste në këto terma. Zogu tashmë kishte krijuar bindjen se, pas pushtimit gjerman të Bohemisë, çdo përpjekje për të arsyetuar me Mussolinin do të bënte efektin e kundërt, duke e nxitur këtë të fundit që t’ i jepte fund mbretërimit të Zogut në Shqipëri. Zogu mendonte se kishte ikur koha kur ai mund t’ i lejonte vetes luksin e negociatave dhe të qëndresës. Paniku i Zogut sa vinte rritej dhe një tjetër simptomë e panikut të Zogut ishte se ai bëri një orvatje të ngjashme atë ditë edhe me anë të kryedjutantit të tij katolik, Gjeneral Seregjit, tek atasheu ushtarak italian në Tiranë:
Po atë ditë gjeneral Seregji kishte folur me kolonel Gabrielin, të ngarkuarin tonë ushtarak dhe më 21 mars i telegrafova Romës: Gjeneral Seregji i ka thënë të ngarkuarit tonë ushtarak që, për shkak të ngjarjeve të fundit ndërkombëtare, mbreti do të mund të shtyhej të kërkonte praninë e trupave italiane në Shqipëri.[iv]
      Pasiqë Zogu nuk mori përgjigje për tre ditë nga Mussolini, ai u alarmua shumë, duke menduar se italianët kishin ndërmend që ta mësynin Shqipërinë, duke e vënë në dijeni atë, në formë ultimatumi, në ditën që do të ndërmerrnin sulmin, vetëm disa orë më parë, se ora X e sulmit, siç bënë gjermanët me Presidentin çekosllavak Hacha. Në 23 mars, Zogu bëri një orvatje të re patetike tek Italia, për çka Jacomoni shkruan:
      Më 23 mars mars i komunikova Ministrisë së Jashtme: Mbreti Zog dërgoi në mbrëmje në Legatë kryeministrin, ministrin e Jashtëm dhe kryeadjutantin e tij, për të më vënë në dijeni se, sipas lajmeve nga Bukureshti, Beogradi dhe nga Shkupi, Rumania dhe Jugosllavia po merrnin masat për t’ i bërë ballë një aksioni ushtarak të Boshtit Romë-Berlin. Ishin marrë masa të rëndësishme nga ana e Jugosllavisë, ndër kufijtë e Shqipërisë.
 Duke paraqitur këtë gjendje, personalitetet që përmendëm kanë deklaruar, në emër të mbretit të Shqipërisë se, në respekt të aleancës, ai vihej në dispozicion të Italisë për çdo ngjarje. Në rastin që do të merreshin masa ushtarake nga ana shqiptare, duhej pasur parasysh se ato nuk do të ishin të një rëndësie të madhe, pa mbështetjen tonë me forcat ushtarake. Kërkesat e mundshme për ndërhyrjen e trupave italiane do të shoqëroheshin, nga ana e Qeverisë Shqiptare, me kërkesa materialesh të nevojshme për ushtrinë shqiptare.[v]
      Këtu qartësisht, Zogu reflekton edhe lajmet që kishte përhapur diplomacia rumune për një mësymje gjermane në Ballkan, që do të përfshinte edhe Rumaninë. Orvatja e mësipërme e Zogut, me anë të qeveritarëve më të rëndësishëm shqiptarë, tregonte se Zogut sa vinte dhe i rritej bindja se do të kishte një mësymje të koordinuar gjermano-italiane në Ballkan, me ç’ rast Italia do të pushtonte Shqipërinë. Zogu po përsëriste kështu edhe një herë ofertën që i kishte bërë me gojën e tij ministrit italian në Tiranë. Ato ditë Zogu ishte veçanërisht i kujdesshëm që të mos ndodhte asgjë që do t’ i prekte italianët. Zoi Xoxa, deputet dhe kryeredaktor i së përditshmes “Drita” shkruan në kujtimet e veta:
      Ndërkaq unë isha edhe sekretar i përgjithshëm i Gruas Shqiptare. Ishte vendosur që për çdo vit, 25 marsi të festohej si Dita e Gruas. Fillova nga përgatitjet. Mblodha Këshillin e Gruas dhe caktova një program. Inaugurimi do të bëhej nga Mbretëresha Geraldinë, si patrone e lartë e Gruas Shqiptare. Do të kishim edhe një shfaqje artistike me një program të pasur që do të jepej në Kino-teatrin e Rrugës së Kavajës. Mbaj mend se, midis të tjerave do të dramatizonim edhe vjershën e bukur patriotike të Vinçenc Prenushit “Ka ra rrezja ndër bajama”. Për këtë dhe për shumë pjesë të tjera mobilizuam vajzat e Institutit Femëror “Nana Mbretneshë”. Po afrohej 25 marsi. Çdo gjë ishte gati. Unë kisha shpërndarë edhe ftesat për pjesëmarrjen në atë festë. Por dy ditë përpara, tek isha në shtëpi duke rënë- mund të ishte ora 11 e natës- më merr Sotir Martini (ministri i Oborrit Mbretëror- K.M.)në telefon dhe më thotë se fliste nga Pallati Mbretëror. Më lutej që ta anulojmë kremtimin e 25 marsit!
      U habita dhe iu përgjigja se s’ kishte mundësi. Atë kremtim unë e kisha trumbetuar në gazetë, kisha shpërndarë edhe ftesat përkatëse dhe anulimi do të binte në sy dhe do të jepte shkak për thashetheme të ndryshme.
      -Kur është kështu vazhdoni, - m’ u përgjigj Sotir Martini, -por ju këshilloj në mënyrë sa më të thjeshtë dhe sa më modeste.[vi]
      Ky episod mund të shpjegohet vetëm me premtimin që Zogu i dha Jacomonit tre ditë më parë se në Shqipëri nuk do të ndodhte kurrgjë që t’ i shqetësonte italianët, sa i përket politikës së re antijugosllave që ishte gati të ndiqte Zogu. Njerëzit e mbretit Zog, për të shkurajuar ndonjë trazirë të mundshme në Shqipëri, në situatën e re ndërkombëtare, sigurisht që kishin përhapur fjalë se edhe në këtë situatë ndërkombëtare të krijuar pas pushtimit të Bohemisë Shqipëria dhe froni i saj nuk rrezikoheshin pasiqë lufta do të drejtohej kundër Jugosllavisë, edhe me pjesëmarrjen e Shqipërisë. Tashmë Zogu, qartësisht trembej se mos njerëzit, duke përfituar nga tubimet në festën e 25 marsit do të shprehnin entuziazmin për këtë zhvillim të ri, çka nga italianët do të interpretohej sikur ishte bërë me nxitjen e Zogut. Italianët, gjithsesi e perceptuan saktë se çfarë synonte që të arrinte Zogu me deklarimet e 20 marsit dhe të 23 marsit. Jacomoni në raportin për Romën, i shprehte Mussolinit opinionin e tij për arsyet e sjelljes së Zogut:     
Nuk përjashtohet që mbreti, duke qenë në dijeni nga lajmet e jashtëzakonshme të përçuara nga përfaqësitë e tij të jashtme, për shkak edhe të gjendjes të krijuar këtu, të bënte një gjest mirëkuptimi ndaj Shkëlqesisë së Tij (Mussolinit- K.M.) për rritjen e besimit ndaj jush.[vii]
      Jacomoni kishte të drejtë kur mendonte se Zogu përpiqej që të rriste besimin e Mussolinit tek ai. Zogu ishte i vetëdijshëm se Mussolini nuk kishte fare besim se ai,  në një situatë të turbullt ndërkombëtare do të sillej siç e kërkonin interesat italiane. Por, nga ato që thotë më tutje Jacomoni, kuptohet se sa pak e kishte njohur Zogun, përderisa  i sugjeronte Mussolinit që:     
Sidoqoftë, për të shmangur që mbreti Zog, i shqetësuar me të vërtetë për gjendjen e jashtme, do të merrte ndonjë masë që do të binte ndesh me mendimet e Shkëlqesisë së Tij, ju lutem të më vini në kushtet që t’ i jap ndonjë garanci.[viii]
      Çfarë kishte në mendje Jacomoni kur shprehej kështu? A kishte arritur Jacomoni në përfundimin se Zogu, duke iu trembur një sulmi të beftë të Jugosllavisë, për ta pushtuar Shqipërinë, ashtu që të pengohej që vendi të shndërrohej në kryeurë nga jugu për sulmin italian ndaj Jugosllavisë, mund të bënte veprime të papritura, si mobilizim të përgjithshëm dhe përqëndrim trupash në kufirin me Jugosllavinë?  Jacomoni ishte i shqetësuar se kjo gjë do të sillte ndërlikime midis Italisë dhe Jugosllavisë. Jacomoni mendonte se mënyra më e mirë për t’ i shmangur këto situata të papëlqyeshme do të ishte që Mussolini t’ i jepte një garanci Zogut se në rast sulmi jugosllav Italia do të reagonte me shpejtësi. Por duket se Jacomoni trembej edhe se Zogu, nga zelli i tepërt për t’ u treguar i dobishëm për Mussolinin, mund të ndërmerrte ndonjë aksion subversiv në trojet shqiptare në Jugosllavi, duke i paraprirë sulmit gjermano-italian ndaj vendit fqinj, të cilin sulm ai e mendonte si shumë të afërt. Apo Jacomoni mendonte se Zogu i trembej në të vërtetë sulmit italian dhe i gjendur në rrezik, do të hynte në marrëveshje me vendet fqinje ballkanase, që rrezikoheshin nga sulmi i Boshtit, për ta përballuar bashkërisht këtë, edhe me ndihmën e fuqive të mëdha që i mbështesnin ato, Britanisë së Madhe dhe Francës? Në cilindo rast, për mendimin e Jacomonit, do të ishte në interes të Italisë që t’ i jepte një garanci Zogut, në frymën e traktatit të aleancës mes dy vendeve. Jacomoni na sjell edhe reagimin e Cianos ndaj qëndrimit të ri të Zogut:
Ciano i dha kuptimin kësaj pune, të përligjies brenda vendit, si dhe jashtë, të një zbarkimi të menjëhershëm, gjë e cila mbase nuk ishte në mendimin e mbretit.[ix]
      Ciano, i cili gjithëherë ishte më përpara Mussolinit sa i përket çështjes së pushtimit të Shqipërisë, e pa qëndrimin e ri të Zogut si një rrethanë që favorizonte agjendën e tij personale të pushtimit të Shqipërisë nga Italia.


[i] Henry Kissinger, “Diplomacy”, Simon & Schuster, New York1994, p. 340
[ii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 88-89
[iii]Count Galeaazo Ciano “Diary: 1937-1938”, London 1952, Methuen, p. 176-177
[iv] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 89-90
[v]po atje: f. 90
[vi] Zoi Xoxa, “Kujtimet e një gazetari”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2007, f. 279
[vii] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 90
[viii] po atje: f. 90
[ix] po atje: f. 90