6. Nata pa gjumë e Mussolinit për Shqipërinë



     
Mussolini e kaloi pa gjumë natën e 15 marsit, duke menduar për ato që i tha Ciano mbi Shqipërinë, çka ia pohoi këtij të fundit të nesërmen. Kjo me siguri është e vetmja natë pa gjumë që Ciano i ka shkaktuar Duçes, përveç asaj në korrik 1943, kur Ciano votoi kundër tij, në mbledhjen e Këshillit të Lartë Fashist, që çoi në rënien e Mussolinit nga pushteti. Mussolini duket se fillon të dyshojë tek sjellja e panatyrshme e dhëndrrit të tij, i cili ngulmon për për pushtimin e Shqipërisë. Mussolini nis e shikon këtu një intrigë të sofistikuar të rrethit të Cianos, të atyre që e quanin veten neo-guelfë dhe të cilët e quanin me përçmim Mussolinin si neoghibelline. Në Italinë mesjetare, guelfe quheshin ata të cilët mbështesnin Papatin kundër imperorëve gjermanë, të cilët kërkonin të nënshtronin Italinë. Ghibelline quheshin ata italianë, të cilët mbështesnin imperorët gjermanë, të cilët me ushtrinë e tyre marshonin periodikisht nga Veriu, për të marrë nën kontroll Italinë. Mussolini e dinte se dhëndrri i tij i përkiste atij rrethi të shoqërisë së lartë të Romës, të cilët mund të quheshin neo-guelfe, dhe që e kishin qendrën kryesisht në Pallatin Colonna. Ky grup ishte kundër aleancës me Gjermaninë, afër Vatikanit dhe për të ruajtur marrëdhënie të mira me Britaninë e Madhe dhe SHBA-të. Mussolini e dinte se qëkurse ai ndryshoi qëndrim sa i përket Austrisë, duke u pajtuar që Hitleri ta aneksonte atë, në Itali kishin filluar që ta shikonin si një neo-ghibelline, pra si një vasal italian të imperorit të ri gjerman, Hitlerit.
      Mussolini, i cili kishte një shije për lojërat e sofistikuara intelektuale, kërkoi që ta bëjë dhëndrrin që të heqë dorë nga ideja e tij për pushtimin e Shqipërisë, duke i paraqitur gjërat sikur mbështetja e pushtimit të Shqipërisë do të thoshte që të merrje pozitën e neo-ghibelline. Mussolinit nuk i pëlqente që për herë të parë dikush në rrethin e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, aq më tepër dhëndrri i tij, ishte në një pozitë më të përparuar se ai, sa i përkiste një aksioni ushtarak dhe praktikisht po insistonte që ai të imitonte Hitlerin, duke dhënë një goditje blitz. Çka do të thoshte Hitleri sikur ta mësonte këtë gjë? Me siguri që do të nënqeshte me ironi. Mussolinit nuk i pëlqente fare aksioni në Shqipëri, prandaj kërkoi ta bënte dhëndrrin që të bindej vetë për këtë, duke luajtur me ndjenjat antigjermane të Cianos, të cilat Mussolini i njeh mirë, ashtu siç i njihnin edhe Hitleri dhe rrethi i tij, të cilët e përçmonin dhe e urrenin Cianon. Kështu që të nesërmen që në mëngjes, Mussolini i ngriti Cianos një kurth intelektual. Ciano shkruan në ditar, në 16 mars 1939:
      Mussolini më thirri në Vilën Torlonia në orën 9 të mëngjesit. Ai dukej i lodhur. Ai më tha se është menduar shumë gjatë natës dhe ka arritur në përfundimin se operacioni në Shqipëri duhet shtyrë, për shkak se ai trembet se tronditja e unitetit të Jugosllavisë, do të shkojë në favor të krijimit të një Kroacie të pavarur nën sundimin gjerman, çka do të thoshte që prusianët të vijnë në Susak.Nuk ia vlen që të merrej parasysh një rrezik i tillë, për të marrë Shqipërinë, se ne mund ta kemi atë pothuajse në çdo kohë. Unë e shoh se Mussolinit i është mbushur mendja për këtë, prandaj nuk ia vlen që të ngulmoj. Unë urdhëroj Jacomonin që të ndërpresë çdo gjë.[i]
      Vila Torlonia ishte banesa e Mussolinit në Romë. Ndonëse 16 marsi ishte ditë e enjte, pra nuk ishte ditë pushimi, Mussolini nuk kishte dalë megjithatë në zyrë, në Pallatin Venezzia. Me siguri për shkak të natës së trazuar që e kishte bërë të kalonte dhëndrri i tij. Mussolinit i dukej si një ndërmarrje e tepërt pushtimi i Shqipërisë dhe nuk arrinte që ta kuptonte se përse Ciano insistonte për këtë gjë. Mussolini kishte të drejtë të shqetësohej për çështjen kroate. Pas pushtimit të Bohemisë u përhapën zëra se skenari sllovak do të përsëritej nga kroatët, të cilët do të shpallnin pavarësinë nga Jugosllavia, me mbështetjen e Gjermanisë, dhe do të kërkonin që të bëheshin protektorat i kësaj të fundit. Mussolini gjykonte në mënyrë korrekte kur thoshte se rrethimi i Jugosllavisë nga Boshti, çka do të ndodhte me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, do të galvanizonte irredentizmin kroat në radhë të parë dhe të nacioneve dhe të bashkësive nacionale të tjera që e përbënin këtë shtet konglomerat. Kjo gjë ndodhi në muajt në vazhdim të vitit 1939, kur Regjenti Pavle në Beograd u detyrua që t’ u bënte lëshime të mëdha kroatëve, me ç’ rast u krijua një Kroaci autonome brenda Jugosllavisë.
      Por Mussolini nuk ishte i sinqertë kur nxirrte si shkak, për refuzimin e pushtimit të Shqipërisë, frikën e një Kroacie nën influencën gjermane. Kroatët nuk kishin nevojë për pushtimin e Shqipërisë nga Italia, si një nxitje shtesë për të lëvizur në situatën e favorshme ndërkombëtare. Mussolini e kuptonte se Jugosllavia dhe Greqia, si dhe Britania e Madhe dhe Franca që qëndronin pas tyre, do ta perceptonin pushtimin italian të Shqipërisë, si krijimin e një kryeure për aksione të reja të Boshtit në Ballkan. Mussolini, qartësisht mendonte se Shqipëria e pushtuar nga trupat italiane do të përbënte “Thembrën e Akilit” strategjike e Italisë. Mussolini i trembej veçanërisht reagimit të Jugosllavisë, e cila kishte një ushtri të fuqishme. Në rast të një aksioni ushtarak italian në Shqipëri, Jugosllavia, në bashkëveprim edhe me Greqinë, mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, për të pushtuar territore në veri dhe në jug të Shqipërisë. Çka do të bënte Italia e vënë para faktit të kryer në këtë rast? Për këto arsye, Mussolini e kishte parë pushtimin e Shqipërisë si një aksion që do të bëhej në bashkëpunim me Jugosllavinë, e cila do të kompensohej me territore shqiptare për këtë. Nuk është rastësi që Mussolini, deri në momentin që Jugosllavia ndryshoi qëndrim dhe u bë shumë e tërhequr, kjo falë sukseseve të Gjermanisë në Europën Qendrore, të cilat katalizuan konfliktet e brendshme etnike në Jugosllavi, e shikonte aksionin ushtarak italian në Shqipëri si një zhvillim në pajtim me Jugosllavinë, e cila do të merrte kompensimin e saj, deri edhe me ndarjen e Shqipërisë, mes Italisë dhe Jugosllavisë. Ciano, në 19 janar 1939, shkruan në ditarin e vet për vizitën në Jugosllavi:
      Arritja në Belje. Stojadinoviçi dhe unë patëm një bisedë. Unë iu ngjita çështjes shqiptare. Në fillim Stojadinoviçi dukej i trazuar. Pastaj ai e theu akullin dhe foli për ndarjen e Shqipërisë si rrugëdalja më e mirë.[ii]
      Ciano e pranoi propozimin e Stojadinoviç për ndarjen e Shqipërisë dhe e bindi edhe Mussolinin për këtë, siç del nga shënimet e mëtutjeshme në ditar të Cianos. Rënia e Stojadinoviç nga pushteti në fillim të shkurtit 1939 e vuri në dyshim të madh bashkëpunimin italo-jugosllav për ndarjen e Shqipërisë. Ciano shkruan në ditar, në 5 shkurt 1939:
      Kriza jugosllave, më tepër se për marrëdhëniet me Beogradin, të cilat nuk do të ndryshojnë shumë në ardhmërinë e afërt, më intereson mua në lidhje me Shqipërinë, për të cilën ne kishim arritur një marrëveshje. Gjithsesi, me Duçen u pajtuam për formulën e mëposhtme: Nëse politika e Stojadinoviçit do të mbetet në fuqi, të shkojmë para me ndarjen e Shqipërisë midis neve dhe Jugosllavisë; nëse jo, atëherë pushtimi i Shqipërisë nga ne, pa Jugosllavinë, e nëse është e nevojshme, kundër Jugosllavisë.[iii]
      Ciano nuk e shpjegon se përse ai donte që Italia të humbte kontrollin mbi krejt territorin e Shqipërisë, të cilin tashmë e kishte, për të pushtuar vetëm një pjesë të Shqipërisë! Nuk kishte asnjë të dhënë se Jugosllavia dhe Greqia do të bashkëpunonin për të pushtuar Shqipërinë në atë kohë. Të dy këto vende qenë shumë të kujdesshme që të mos i jepnin shkas Italisë dhe në përgjithësi Boshtit, që të ndërhynte në Ballkan. I vetmi shpjegim është se Ciano nxitej vazhdimisht për pushtimin e Shqipërisë, nga ana e Partisë Atlantike të Luftës, nëpërmjet Princeshës Colonna. Ciano ekzagjeron kur thotë se Mussolini u pajtua që aksioni për pushtimin e Shqipërisë të kryhej edhe duke marrë parasysh një konflikt me Jugosllavinë. Mussolini mendonte se aksionin ushtarak në Shqipëri, mund ta ndërmerrte pa pajtimin e Jugosllavisë, vetëm në rast se në ndërkohë do të kishte bërë aleancën me Gjermaninë, e cila u nënshkrua në maj 1939, me Paktin e Çeliktë. Në 3 mars 1939, Ciano shkruante në ditar:
      Sa i përket Shqipërisë, Duçe vendosi që të lihet mënjanë, por ai e ka ndarë mendjen që të veprojë posaqë të zgjidhet çështja spanjolle dhe të përfundohet aleanca.[iv]
      Mussolini mendonte se aleanca e Italisë me Gjermaninë do t’ i frenonte Jugosllavinë, Greqinë, si dhe fuqitë që i mbështesnin ato, Francën dhe Britaninë e Madhe, për të reaguar ndaj pushtimit të Shqipërisë. Mussolinit thjesht nuk i pëlqente që të luftonte në Europë, pa pasur mbështetjen e Gjermanisë. Ai e kishte parë se sa ishin shqetësuar Parisi dhe Londoni nga prania masive e trupave italiane në Spanjë dhe kishte nxjerrë një mësim nga kjo. Luftrat në Europë kërkonin një çmim shumë të madh, dhe ai ishte i vetëdijshëm se Italia nuk ishte ende e përgatitur për të përballuar luftra të tilla. Sa kohë që Boshti nuk kishte epërsi në Europë, epërsi që do të vinte falë goditjeve blitz të Gjermanisë, Mussolini dëshironte që të bënte vetëm luftëra koloniale, luftëra kryesisht në Afrikë, për të marrë kontrollin e territoreve të cilat do t’ ia lëshonin Britania e Madhe dhe Franca, si shpërblim për neutralitetin e tij në Europë, të shitur shtrenjtë.
      Musolini ishte qartësisht shumë ngurues për pushtimin e Shqipërisë, kështu që Ciano ngulmoi që ta bindte, por pa sukses. Madje Ciano ngjalli dyshime tek Mussolini me ngulmimin e tij për pushtimin e Shqipërisë. Mussolini pyeste veten se përse Ciano, i cili ishte kundër aleancës me Gjermaninë, kërkonte që Italia të kryente një veprim që do të katalizonte rritjen e influencës gjermane në Ballkan, në kufijtë lindorë të Italisë. Se nuk donte shumë mend për të parashikuar që pushtimi i Shqipërisë nga Italia, çka do të sillte si pasojë rrethimin e Jugosllavisë, do të nxiste nacionalizmat centripete në këtë vend, e në radhë të parë atë kroat, që, për shkak të traditës austro-hungareze, natyrshëm shikonte nga Gjermania, e cila pas aneksimit të Austrisë ishte bërë vend kufitar me Jugosllavinë. Ciano e kuptoi kurthin ku kërkonte që ta tërhiqte vjehrri. Nëse Ciano do të vazhdonte që të ngulmonte për pushtimin e Shqipërisë, edhe me riskun e rritjes së dominimit gjerman përreth kufijve të Italisë, atëhëherë Ciano nuk do të kishte më të drejtë që të kundërshtonte aleancën me Gjermaninë, e cila ishte duke u diskutuar dhe që do të nëshkruhej dy muaj më pas, në trajtën e Paktit të Çeliktë. Nëse megjithatë Ciano do të vazhdonte që të shprehej kundër aleancës me Gjermaninë, atëherë i detyrohej për një shpjegim vjehrrit të vet të zgjuar. Prandaj Ciano u tërhoq, përkohësisht. Gjithsesi, mbeti pa përgjigje nga ana e Cianos pyetja thelbësore të cilën e bëri Mussolini se përse duhej që Italia të paguante një çmim në pozitën e saj gjeopolitike europiane, për pushtimin e Shqipërisë, të cilën gjithsesi e kishte në dorë. Paaftësia e Cianos për t’ iu përgjigjur kësaj pyetjeje, tregonte se ideja për pushtimin e Shqipërisë ishte futur nga të tjerët në kokën e tij.
      Në fakt, pushtimi i Shqipërisë vetëm se mund ta cenonte pozitën e privilegjuar që Italia kishte arritur fituar në Shqipëri, për shkak se prania e trupave italiane në Shqipëri do të krijonte një situatë të favorshme që vendet ballkanase, fqinje me Shqipërinë, si dhe fuqi të mëdha, të organizonin një lëvizje subversive antiitaliane në Shqipëri, duke e detyruar Italinë që të ballafaqohej dhunshëm me shqiptarët, çka Roma nuk e dëshironte assesi. Në vend se Ciano t’ i përgjigjej pyetjes së Mussolinit, ai vendosi që t’ ia shpërblente Duçes me të njëjtën monedhë kurthin intelektual, ashtu që gjatë së njëjtës ditë, Ciano, duke e çuar në koseguencë mendimin që i kishte shprehur Mussolini në bisedën e mëparshme të asaj dite, e vuri në diskutim vlerën e aleancës me Gjermaninë. Ciano shkruan në ditarin e vet, në 16 mars:       
      Përsëri takim me Duçen. Ai ka arritur në përfundimin se hegjemonia prusiane në Europë tashmë është instaluar. Ai mendon se edhe një koalicion i të gjitha fuqive të tjera europiane, duke përfshirë edhe Italinë, vetëm sa mund ta frenojë zgjerimin e hegjemonisë gjermane, por jo ta eliminojë. Duçja nuk e llogarit si të vlefshme ndihmën që mund të japin fuqitë e vogla në këtë rast. Unë e pyes nëse në një situatë të tillë, për ne është më mirë që të bëjmë aleancë, apo të ruajmë lirinë e plotë, ashtu që në ardhmëri të veprojmë sipas interesave tona. Ai shprehet hapur për aleancën. Unë i bëra me dije rezervat e mia, se aleanca do të jetë shumë pak popullore në Itali, e pastaj, kam frikë se Gjermania do ta përdorë këtë aleancë që të përparojë më tutje ekspansioni i saj në Europën Qendrore.[v]
      Ky ishte debati klasik italian mes ghibellineve dhe guelfeve. Ciano kishte të drejtë kur vinte në dyshim vlerën e aleancës me Gjermaninë, e cila shikonte si fushë të veprimit të saj, Europën, ku Italia nuk kishte se çka të fitonte realisht. Por në këtë bisedë shfaqet qartë kontradikta mes qëndrimit të Cianos ndaj Gjermanisë, nga njëra anë, dhe obsesionit të tij për pushtimin e Shqipërisë, në anën tjetër. Nëse kishte ndonjë veprim në atë kohë që mund ta çonte Italinë në krahët e Gjermanisë, ky ishte pushtimi i Shqipërisë, çka do ta tregonte koha shumë shpejt. Si pasojë e pushtimit italian të Shqipërisë do të vinin garancitë britanike dhe franceze ndaj Greqisë, si dhe marrëveshjet ushtarake të Britanisë së Madhe dhe Francës me Turqinë. Vetë Ciano do të pohojë në ditarin e vet, në ditët pas pushtimit, se britanikët ia bënë të qartë se kjo ishte përgjigjia e tyre ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Nëse Ciano kërkonte që të shmangte nënshkrimin e aleancës italo-gjermane, pushtimi i Shqipërisë ishte një hap pikërisht në kahjen e kundërt. Çka e bënte Cianon që të shfaqej një herë si neo-guelf, një herë si neo-ghibelline brenda të njëjtit kontekst? Ciano bëhet edhe më enigmatik në atë ditë të gjatë të 16 marsit, kur bën një gjest të çuditshëm, për të cilin shkruan në ditar:
      Unë ruaj një notë të shkruar nga Duçe, në të cilën ai bën listën e arsyeve për shtyrjen e operacionit në Shqipëri.[vi]
      Për çka i duhej ky dokument Cianos, kur ai ishte duke biseduar me vetë diktatorin-vjehërr? Mussolini e dinte mirë se çka kishte thënë dhe nuk kishte gjasa që më vonë ta akuzonte Cianon se kishte qenë ai, i cili e kishte kundërshtuar pushtimin e Shqipërisë, të cilin e kishte dashur ai, Mussolini. Qartësisht, Ciano e donte këtë dokument për t’ ia paraqitur një personi tjetër, të cilit do t’ i raportonte. Pas të gjitha gjasave ky person ishte Princesha Colonna, e cila ia kishte mbushur mendjen se miqtë e tyre britaniko-amerikanë kërkonin që Ciano, me pushtimin e Shqipërisë, të bënte një gjest që do ta afirmonte atë si shtetar. Pra, Ciano, vepronte për llogari të një tjetër agjende, jashtëitaliane, sa i përket Shqipërisë. 


[i] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 46-47
[ii]po aty: p. 14
[iii] po aty: p. 23
[iv]po aty: p. 38-39
[v] po aty: p. 47
[vi]po aty: p. 47