5. Loja e pasqyrave: agjentja influencuese influencon agjentin agjenti influencues, i cili nuk e di se është i tillë



     
      Ditari i Kontit Ciano është pranuar gjerësisht si një nga dokumentet më të rëndësishëm të diplomacisë së të gjitha kohërave dhe posaçërisht të periudhës në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëherësh ky libër është dhe një nga dokumentet më të rëndësishme për historiografinë e kësaj periudhe. Ditari i Kontit Ciano është një libër paradoksesh, ku paradoksi më i madh ka të bëjë me Shqipërinë. Konti Ciano, në ditarin e tij kërkon të bindë lexuesit se ai bëri gjithçka mundi për të mos lejuar që Italia të hynte në luftë, në anën e Gjermanisë, në çdo rast kur Italia hyri në luftë, kjo ndodhi falë idesë dhe vullnetit të vjehërrit të tij, Mussolinit. Kjo ide për Cianon, ka zënë vend edhe në historiografinë e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore, duke u ndarë vlerësuesit e tij vetëm sa u përket motiveve të Cianos. Nëse Ciano nuk kishte motive parimore, së paku sillej kështu nga frika se lufta do të shkatërronte krejt statusin që kishte arritur ai falë martesës me vajzën e Mussolinit.
      Miti i mësipërm i Kontit Ciano u kultivua në Perëndim, fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me rastin e botimit të Ditarit të tij. Në origjinë të krijimit të këtij miti ishte një njeri shumë i rëndësishëm nga kampi i fituesve të Luftës së Dytë Botërore, Sumner Welles, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit F. D. Roosevelt, njeriu i besuar i këtij të fundit për misione speciale[i]. Welles, asistent i Sekretarit të  Departamentit të Shtetit për Çështje të Jashtme, në vitet 1933-1937, dhe nënsekretar në vitet 1937-1943, ishte njeriu i cili bëri më së shumti për krijimin e këtij miti të Cianos. Welles ishte amerikani i parë që e pa ditarin e Ciano kur u takua me të në 25 shkurt 1940, gjatë vizitës në Europë, si i dërguar personal i Presidentit Roosevelt. Welles do të shkruante në 1946, në parathënien e botimit të parë në anglisht të Ditarit të Cianos, mbi takimin e tyre në Romë, në 1940:
      Nga të gjithë njerëzit në nivelet e larta të pushtetit në qeveritë e Boshtit, ai ishte i vetmi që ma bëri mua të qartë pa dredha dhe pa hezitim se ai e kishte kundërshtuar luftën dhe se vazhdonte ta kundërshtonte luftën, se ai nga zgjerimi i luftës ai parashikonte asgjë më tepër se shkatërrim për Europën dhe se çdo përpjekje që ai do të ndërmerrte do të kishte si qëllim që të parandalonte hyrjen e Italisë në luftë. Përpjekjet e tij qenë të kota si përpjekjet e gjithë italianëve të tjerë. Një njeri dhe vetëm një njeri, diktatori Benito Mussolini, mori vendimin që e zhyti Italinë në luftë dhe solli tragjedinë nga e cila populli italian vuajti kaq kobshëm, dhe nga e cila ata do të vazhdojnë që të vuajnë edhe në vitet që do të vijnë.[ii]
      Kështu lindi miti i Cianos, i fuqizuar edhe nga votimi i tij kundër Mussolinit në mbledhjen e famshme të Këshillit të Madh Fashist në korrik 1943. Autoriteti i Welles ishte shumë i madh. Welles ishte mbi të gjitha një anëtar i rëndësishëm i Council on Foreign Relations (CFR), një organizatë me rëndësi të madhe në politikëbërjen shtetërore amerikane në të gjithë sektorët e saj. Kur në 1939 u krijua në Washington nga Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet e Jashtme, Cordell Hull The Committee on Peace e Reconstruction, i cili më pas u quajt The Advisory Committee on Problems of Foreign Relations, si një forum këshillimor i qeverisë amerikane për zgjidhjen e problemeve të pasluftës në botë, sipas interesave amerikane, kryetar i komitetit prej 15 vetësh u emërua pikërisht Sumner Welles. Në 1941, kur me urdhër të Presidentit Roosevelt u krijua The Advisory Committee on Postwar Foreign Policy, që më pas u quajt Informal Agenda Group, Sumner Welles u emërua kryetar i këtij forumi të përbërë nga 14 anëtarë, të cilët Presidenti Roosevelt i quante këshilltarët e mi të pasluftës. Me anë të Welles, CFR e shpalli Cianon pak a shumë si njeriun e tij.
      A nuk është e pamundur që Welles, si lexues i vëmendshëm dhe inteligjent që ishte, përveçse si kërkues i palodhur intelektual paradoksesh që nxisin mendimin, të mos e ketë rrokur kundërshtinë më enigmatike të ditarit të Cianos, atë se ajo që thotë vetë Welles sa i përket vendim-marrjes së Mussolinit, ka një përjashtim? Se ka një rast kur Ciano merr përsipër përgjegjësinë e plotë për një luftë të Italisë, madje shtjellon gjerësisht dhe me entusiazëm në ditarin e tij, se ishte ai protagonisti i kësaj lufte, duke treguar madje edhe se si bëri përpjekje për ta bindur Mussolinin, i cili nguronte që ta përziente Italinë në këtë aventurë. Fjalën e kam për pushtimin e Shqipërisë nga Italia në prill 1939. Votimi i Cianos kundër Mussolinit në korrik 1943, është krejt në natyrën e Cianos, i cili i rrëmbyer prej panikut nga zbarkimi i aleatëve në Siçili dhe bombardimi i rëndë i Romës që kishte ndodhur disa ditë më parë, po e braktiste vjehrrin atëherë kur dukej se jo vetëm që nuk mund të përfitonte më gjatë prej tij, por do të binte në hon bashkë me të. Ky episod përshtatet mirë me reagimin e një natyre hedonike dhe personaliteti politikisht apatik si ai i Cianos, nga i cili nuk mund të pritej tjetër veçse që të sillej si minjtë që braktisin anijen që po mbytet. Fakti se Ciano veproi kundër Mussolinit, kur Italia ishte në prag të kapitullimit, në kohën që trupat britaniko-amerikane kishin invaduar Italinë dhe qytetet italiane po bombardoheshin, nuk i jep atij më tepër kredit se Himmlerit dhe Goring-ut, të cilët, në prag të kapitullimit të Gjermanisë, orvateshin që të negocionin me britaniko-amerikanët, për të shpëtuar veten, në dëm të Hitlerit. Përndryshe, është sjellja e Cianos ndaj Shqipërisë ajo që është krejt kundër natyrës së tij prej dembeli hedonik, i cili mendon se me disa gjeste teatrale boshe, do të bëhet i famshëm në skenën e politikës ndërkombëtare. E megjithatë Welles nuk foli për këtë kundërshti në parathënien e tij të gjatë të botimit të parë të ditarit të Cianos në 1946, çka do ta kishte bërë më interesante dhe intriguese parathënien e tij.
      Kur shikon se si eci fati i ditarit të Cianos, të bën përshtypje fakti se në shpëtimin, publikimin dhe legjitimimin e ditarit patën një rol vendimtar dy amerikanë të pushtetshëm, të cilët kishin një gjëra të tjera të përbashkëta veç kësaj. Këta ishin Sumner Welles dhe Allen W. Dulles. Derisa Sumner Welles ishte amerikani i parë i cili e pa ditarin e Cianos dhe njeriu i cili bëri avokatin e Cianos dhe e kreditoi librin në Perëndim pas luftës, Allen Dulles ishte njeriu që në cilësinë e shefit të OSS (Zbulimi Amerikan) në Europë bëri të mundur që ditari të shpëtohej. Është interesante se nga të gjithë ditarët e krerëve të Boshtit, për të cilët dihej se ekzistonin, nga amerikanët dhe britanikët u bënë përpjekje të ngutshme për të gjetur një ditar, atë të Cianos. Të dy këta njerëz, Welles dhe Dulles kishin një gjë të përbashkët, ata qenë anëtarë të rëndësishëm të Council on Foreign Relations (CFR). Në vitet para Luftës së Dytë Botërore CFR ishte për një politikë intervencioniste, pra të angazhimit të SHBA-ve në luftën që pritej të fillonte, dhe kundërshtonte  izolacionizmin mbizotërues në shoqërinë amerikane.Të dy, si Sumner Welles dhe Allen Dulles ishin anëtarë të shquar të Partisë Atlantike të Luftës. Të dy ata kryen një operacion për llogari të saj.
      Partia Atlantike e Luftës e përdori Cianon për ta dërguar luftën e Boshtit në Ballkan. Natyrisht se Partia Atlantike e Luftës nuk e kishte të nevojshme që t’ i bënte me dije Cianos synimet e saj, kur i kërkonte që të propozonte pushtimin e Shqipërisë dhe të ngulmonte për këtë gjë pranë Mussolinit. Madje Ciano as që ishte në dijeni se po bëhej ekspedient i Partisë Atlantike të Luftës, për ekzistencën e së cilës ai natyrisht kishte një lloj ideje, në postin e lartë që mbante. Këtu, për zbulimin e së vërtetës na vjen në ndihmë miku i Cianos, Curzio Malaparte. Për fat të mirë, pranë Kontit Ciano ishte një prej vëzhguesve më të aftë që mund të ishte pranë ndonjë shtetari në historinë e njerëzimit, Curzio Malaparte, i cili na ka lënë edhe dëshminë e tij me shkrim. Malaparte, jo vetëm që ishte miku i Cianos, por edhe frekuentonte rrethin e tij dhe e njihte mirë atë. Në librin “Kaput”, Malaparte flet gjerësisht për Cianon. Malaparte, ndonëse shkruan kur Ciano kishte rënë nga fuqia, nuk tregohet dashakeq dhe hipokrit, por shkruan me një ndershmëri intelektuale shembullore:
      E njihja Galeacon që kur ishim të rinj, dhe ai më kishte mbrojtur gjithnjë, kundër të gjithëve, pa ia kërkuar vetë. Më kishte mbrojtur më 1933, kur më kishin dënuar me pesë vjet burg, më kishte mbrojtur kur më kishin arrestuar më 1938, më 1939, më 1941, më kishte mbrojtur kundër Musolinit, kundër Staraçes, kundër Mutit, kundër Bokinit, kundër Senizes, kundër Farinaçit, dhe kisha për të një mirënjohje të thellë e të përzemërt, jashtë e më lart çdo pikëpamjeje politike.[iii]
      Por Ciano ishte tepër vanitoz për të patur miq. Autorit të librit “Teknika e grushtit të shtetit”, i cili kishte reputacionin e Machiavelli modern, i ishte caktuar në mendjen e Cianos një rol në skenën e oborrit të këtij të fundit. Malaparte ishte “Machiavelli” pranë Princit. Malaparte nuk e çon mendimin e tij në konseguecë kur përshkruan oborrin e Princit-Galeazzo dhe bën sikur nuk e shikon se cila ishte figura e “Machiavelli”-t atje:      
      Rrethi rinor i Galeaco Çianos ishte i këndshëm e bujar. Ky ishte rrethi i një princi sqimatar dhe tekanjoz. Në atë rreth mund të hyje nga hatri i grave e të dilje papritur e papandehur kur të merrte me sy të keq princi. Dhe aty bëhej një këmbim buzëqeshjesh, nderesh, nëpunësish, të ardhurash.[iv]
      Nëse autorin e librit “Teknika e grushtit të shtetit” nuk do ta frenonte ndjenja e miqësisë dhe mirënjohjes për Cianon dhe për matronën që sundonte në rrethin e këtij të fundit, me sallonin më të famshëm të Romës, që ishte në pallatin e saj, me siguri që Malaparte do të na kishte dhënë një tjetër libër po aq të mrekullueshëm sa i pari, por ndoshta me titull “Teknika e agjenturës influencuese në politikën ndërkombëtare”, ku agjenti influencues do të ishte Ciano, drejtuesja e tij Princesha Colonna dhe ata që e përdornin atë, njerëzit e asaj që mund ta quajmë Partia Atlantike e Luftës. Historia ishte bërë si me porosi për penën e Malapartes, i cili në librin e vet “Kaput”, na e zbulon pjesërisht enigmën në qendër të së cilës ishte një grua:
      Mbretëresha e këtij rrethi ishte një grua, siç qe e drejtë, por jo ndonjë favorite e Galeacos, e re dhe e bukur. Kjo ishte një grua që e kishte Galeacon favorit, kanakar e që shoqëria romane e kishte pranuar prej kohësh, ndonëse me kundërshtim të fortë në fillim sovranitetin e lashtë që rridhte nga emri i saj, nga rangu, nga pasuritë e nga prirja e saj për intrigë. Veç këtyre, ajo kishte si dhunti prej natyre pa të keq një psikozë shqetësimi të trashëguar dhe një ndërgjegje sociale klasore që mbyste në shpirtin e saj ndjenjën politike të dobët e të pasigurt.[v]
      Gruaja në fjalë ishte Princesha Isabella Colonna, një aventuriere par excellance. Ajo kishte lindur Isabelle Helene Sursock, në Liban, në familjen e famshme të bankierëve  Sursock. Për origjinën e kësaj familjeje kishte një mit të vërtetë, ashtu që mbahej si greke e ritit ortodoks, si hebreje e kthyer në fenë e krishterë ortodokse etj. Zërat për origjinën hebreje të familjes u shpeshtuan veçanërisht pasiqë familja, në vitin 1906 ia shiti Jeëish National Fund tokat e saj në Palestinën otomane, që arrinin deri në 240 km². Çmimi i shitjes u konsiderua si i ulët për vlerën gjeopolitike që kishte fituar toka në Palestinë, rreth 750 000 paund. Këto toka u përdorën si një bazë e rëndësishme për zgjerimin e kolonive hebreje atje. Isabella dhe motra e saj u martuan në Romë me dy aristokratë, familjet e të cilëve kishin emër të madh, por pasuria e të cilëve kishte ardhur duke rënë. Isabelle (Isabella në italisht), u martua në familjen Colonna, familja më fisnike e Romës, e cila përgjatë shumë shekujve kishte qenë një nga dy familjet romane që përcaktonin zgjedhjen e Papës dhe të shumë kardinalëve. Isabella fitoi nga martesa një emër të madh aristokratik dhe i solli burrit të saj paratë e shumta. Princesha e re Colonna kishte ambicjen që ta bënte shtëpinë e saj polin manjetik të shoqërisë së lartë të Romës dhe njerëzve të shquar të botës që vizitonin Italinë. Kështu që ajo zgjodhi pallatin në Sheshin Santi Apostoli, që kishte qenë rezidenca pontifikale e Papës Martini V dhe i shpenzoi pa kursim paratë, duke punësuar arkitektët dhe restauruesit më të mirë të botës, për ta bërë atë rifitonte shkëlqimin e dikurshëm. E kthyer në fenë katolike me martesën e saj, ajo u bë një katolike shumë e devotshme, dhe fitoi saora mbështetjen e Vatikanit, që duket se e shikonte atë si një simbol të triumfit të Kishës Katolike ndaj asaj lindore shizmatike. Isabella duket se nuk u mërzit shumë që fitoi me këtë urrejtjen e krejt botës së krishterë ortodokse, ku thuhej se Kisha Ortodokse nuk humbi veçse një hebreje dhe Papa fitoi një të tillë. Biografët e Cianos nuk janë thelluar shumë në marrëdhëniet e Cianos me Princeshën Colonna. Ray Mosseley shkruan kalimthi në librin e vet “Mussolini Shadoë’ s: The double life of Count Ciano”:
      Qendra e jetës sociale të Cianos ishte Pallati Colonna, ku princesha Isabelle Colona kryesonte një prej salloneve më të rëndësishme.[vi]
      Kur Ciano hyri në shoqërinë e lartë të Romës, në moshën 27 vjeç, pas martesës  me vajzën e Mussolinit në 1930, Princesha Colonna ishte 42 vjeç. Kur Ciano u bë ministër i Punëve të Jashtme në 1936, në moshën 33 vjeç, Isabella ishte 48 vjeç. Isabella nuk ishte as e bukur, kështu që përjashtohet që mes tyre të ketë pasur ndonjë romancë. Më afër enigmës pa shkuar Malaparte, por edhe ai ka parapëlqyer të mos ecë shumë në këtë territor me plot mistere e të papritura, duke u mjaftuar që të japë vetëm disa vlerësime të pathelluara. Princesha Colonna e mbante sallonin e saj si qendrën e influencës anglo-saksone në Romë, një mit ky që u duk se u vërtetua pas luftës, kur Mbretëresha britanike Elizabeth II vizitoi sallonin e Isabellës, ndonëse ky i fundit kishte qenë shumë i frekuentuar nga hierarkët e lartë fashistë në kohën e regjimit mussolinian. Si një qendër të spiunazhit armik në Romën e konsideronte sallonin e Isabellës edhe Zbulimi gjerman. Malaparte shkruan:
      Në fillim të vitit 1941, kur Hitleri i kishte dorëzuar Musolinit gjatë takimit të tyre në Brener, raportin e Himlerit kundër Galeacos, lajmi kishte ngjallur në botën romane në fillim habi, pastaj frikë, pastaj një kënaqësi dashakeqe të dukshme. Po rreth tryezës së Izabelës qeshnin me atë raport, si me një shaka të keqe shërbëtorësh të pabesë e gojëshpuar. Ç’ është e vërteta në atë raport nuk ishte fjala aq për kontin Çiano, sa për princeshën Izabela Kolona, që Himleri e thërriste: Kolona e Pestë.[vii]
      Për Zbulimin gjerman, Isabella Colonna ishte një agjente e spiunazhit britanik dhe amerikan, me drejtim kryesor të punës së saj, pikërisht Cianon. Por, pas të gjitha gjasave, gjërat qenë shumë më të ndërlikuara. Thënia e Winston Churchill për Rusinë si “a riddle wrapped in a mistery, inside a enigma”, i shkon shumë rolit të Cianos dhe entourage të tij në pushtimin e Shqipërisë, aq më tepër kur, siç do të tregoj më tutje, përpjekja e Cianos për pushtimin e Shqipërisë, pajtohej në mënyrë të përkryer me atë të Churchill për tërheqjen e Bashkimit Sovjetik në luftë, çka ishte arsyeja e reflektimit të tij mbi sjelljen e Rusisë, që e bëri të thotë fjalët e famshme.
      Princesha Colonna e shihte Cianon si beniaminin politik të Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve në Itali dhe veten si kujdestare të tij. Malaparte shkruan se bëhej fjalë vetëm për një iluzion të Isabellës:
      E kemi të qartë se, midis Princit të Piemontit dhe kontit Galeaco Ciano, Izabela do të zgjidhte këtë të fundit. Por midis shkaqeve të shumta që e shtynin Izabelën të donte më tepër kontin se Ciano se princin Umberto, ishte një shkak thellësisht i gabuar. Që Cianoja ishte politikisht dhe historikisht përfaqësuesi më i çiltër i parimeve të paligjshmërisë, domethënë i asaj që klasat konservatore e quanin si një “revolucion të zbutur”, sipas shprehjes së tyre, kjo ishte një gjë fare e sigurt. Për konservatorizmin shoqëror, një revolucion i zbutur është gjithnjë më i dobishëm se një reaksion i egër ose i topitur e i plogët. Po Izabela e bëri gabimin duke zgjedhur Cianon, e bindur, si shumë të tjerë, se Cianoja ishte kundër Musolinit e se mishëronte jo vetëm në realitet, por edhe në ndërgjegjen e popullit italian, të vetmen politikë të aftë për të “shpëtuar ç’ mund të shpëtohej”, domethënë një politikë miqësie me Anglinë dhe Amerikën… Pamë më vonë se sa i rëndë e plot pasoja ishte ky gabim. Ndonjë ditë do të shihet se Izabela nuk ishte veçse vegla e Providencës (e po asaj Providencepërmes së cilës ajo mbante lidhje me Vatikanin) për të shpejtuar agoninë e një shoqërie që e ka të thënë të vdesë e për t’ i dhënë fizionominë në stilin e saj.[viii]
      Por parathënia e Sumner Welles, njeriut më të besuar të Presidentit Roosevelt në politikën e jashtme dhe vizita e Mbretëreshës Elisabet II në sallonin e Isabellës pas Luftës së Dytë Botërore, të shtyjnë që të besosh se nuk ishte fjala për një mirazh të Princeshës Colonna siç thotë Malaparte, i cili pas të gjitha gjasave di më shumë se sa thotë dhe nuk guxon që të thotë ato që di. Më afër së vërtetës është të thuhet se njerëz të pushtetshëm në London dhe Washington ia krijuan ose së paku ia ushqyen Cianos këtë iluzion dhe e përdorën Isabellën për këtë qëllim, si një lloj kujdestare intelektuale të tij, ashtu që Ciano dembel dhe hedonik të mos tërhiqej nga ky rol. Prandaj, nuk ishte për t’ u habitur që shumë njerëz në Itali besuan atë që britaniko-amerikanët donin që Ciano dhe italianët të besonin- siç shkruan Malaparte:
      Shumë njerëz gënjyen veten, ashtu si Izabela, se konti Galeaco Ciano ishte kundër   Musolinit, ishte njeriu tek i cili kishin besim Londra dhe Uashingtoni. Edhe vetë Galeacoja, me mendjemadhësinë dhe optimizmin e vet, ishte i bindur se gëzonte simpatinë e tërë opinionit publik anglo-amerikan, se ishte, sipas llogarive të Londrës dhe të Uashingtonit, i vetmi njeri në Itali, i zoti (pas mbarimit shkatërrimtar të luftës) të mblidhte trashëgiminë e ndërlikuar të Musolinit dhe të bënte, pa rrënime të pandreqshme, pa derdhje gjaku të kotë, kalimin nga rendi musolinian në një rend të ri, të frymëzuar nga liberalizmi anglo-sakson. Shkurt, ai ishte i vetmi njeri që u jepte garanci Londrës dhe Uashingtonit për një rend, sidomos për vazhdimin e nevojshëm të një organizimi shoqëror, që Musolini e kishte tronditur thellësisht e që lufta e kishte përmbysur nga vetë bazat e tij.[ix]
      Nuk mund të thuhet se Ciano ishte një opozitar ndaj Mussolinit, por është e sigurt se Ciano ishte gati që ta braktiste vjehërrin e tij në momentin që shikonte se ai ishte duke rrëshqitur në humnerë, siç edhe bëri. Vetë Malaparte pohon se kur gjermanët i dërguan Mussolinit raportin e famshëm që Kundërzbulimit i tyre kishte bërë për Cianon, ai (Malaparte) pati këtë komunikim me Cianon:
      Në mëngjes Galeacoja m’ u lut që të shkoja ta takoja në shtëpinë e tij. Qe një orë jo e zakonshme, rreth tetës. E gjeta në banjë. Doli nga vaska e banjës, e duke u fshirë më tha: “Fon Ribentropi më dha një grusht të rëndë. Ribentropi është prapa Himlerit. Siç duket, në atë raport ai kërkon kokën time. Në qoftë se Musolini ia jep kokën time Fon Ribentropit, do të tregojë se është ashtu siç e dimë të gjithë, i poshtër”.[x]
      Kjo skenë është krejt në stilin e Princit që bisedon me “Machiavelli”-n e tij. Ciano ishte duke lënë dëshminë e tij për historinë me anë të Malapartes. Dhe ky i fundit gjeti mënyrën që ta përcillte atë. Ajo çka i ikën vëzhgimit të mprehtë të Malapartes është se, edhe nëse Princesha Colonna e kishte vërtet për Cianon iluzionin e saj të përshkruar më sipër, dhe nuk vepronte kështu thjesht se e kishin ngarkuar me misionin që të vepronte kështu, ky vanitet i saj u përdor dhe u ushqye nga Partia Atlantike e Luftës që vepronte në boshtin London-Washington. Malaparte shkruan:
      Si qe e mundur që Izabela e mjerë të mos kridhej në këtë iluzion fisnik? Me origjinë nga viset e Lindjes, madje nga Egjipti, ajo e kishte prej natyre dashurinë për Anglinë, edukatën e saj, zakonet dhe interesat e saj morale dhe materiale; pra, ishte si e paracaktuar që të kërkonte ose të sajonte tek të tjerët atë që ajo e ndjente fort e thellësisht në veten e saj dhe e dëshironte tek të tjerët.[xi]
      Gjithsesi, rezultati për ata që e përdornin atë ishte i njëjtë, pavarësisht se Isabella besonte vërtet kështu, ose jo. Malaparte është mrekullisht i thellë kur analizon shkaqet në kufijtë e së vetëdijshmes dhe pavetëdijshmes, të puqjes së personalitetit të Isabellës dhe Galeazzos:
      Nga ana tjetër, ajo kishte zbuluar te Galeacoja në natyrën e tij, në karakterin, në sjelljet, në qendrimet e tij të jashtme, që mund të merreshin fare lehtë si qëndrime politike, elemente të shumta që i ngjallnin besim, shpresa të mëdha, të gjalla e që krijonin thuajse njëfarë afërsie ideale ndërmjet asaj dhe kontit Ciano, dhe këto ishin elementet më të këqija, elementet lindore, si të thuash, të karakterit italian, të cilat s’ kishin qenë kaq të dukshme, sa atëherë kur kriza, me shpërthimin e luftës, afronte në përfundimin e saj të kobshëm.
      Galeacoja i kishte këto elemente me shumicë e si të theksuara, të acaruara (e dinted he vetë, madje ndiente kënaqësi) qoftë nga origjina e familjes së tij jotoskane, por grekula (ishte nga Livorno, por njerëzit e tij ishin nga Formi, afër Gaetës: këta ishin peshkatarë të thjeshtë, pronarë të disa varkave të varfra; veç kësaj, midis të gjitha qyteteve italiane, Livornoja është vendi ku Lindja duket me ngjyrat më të gjalla, në mënyrë më reale e më të drejtpërdrejtë), qoftë nga edukata e keqe, që kishte qenë për të një fat i mrekullueshëm, edhe nga mënyra se si e kuptonte pasurinë, pushtetin, lavdinë, dashurinë, një mënyrë që ngjante me atë të pashallarëve. Jo më kot Izabela kishte ndierë instinktivisht në personin e Galeacos një tjetër Syrsok.[xii]
      Njëjtë mund të thuhej se Galeazzo kishte ndjerë në personin e Isabellës një tjetër “Ciano”. Të dy e ndjenin se gjendeshin në një botë për të cilën ishin në origjinë të huaj, siç ishte bota latino-italike, të dy ishin parvenu në aristokracinë e kësaj bote, të dy ishin vanitozë të skajshëm, të dy kishin iluzionin se gjestet teatrale kompensonin mungesën e substancës në sjelljen e tyre, në shoqëri dhe në karrierë, të dy kishin provuar shijen e pushtetit dhe u pëlqente të kishin mundësi që të ushtronin sa më tepër prej tij, të dy kishin natyrë aventurierësh dhe një pasion për intriga, të cilin patën mundësi që ta ushtronin në shoqërinë e lartë dhe në politikën ndërkombëtare. Të dy i tërhiqte spiunazhi i cili e kënaqte shijen e tyre për aventurë dhe iluzionin e rëndësisë së personit të tyre, por të dy paralizoheshin si lepuri para kobrës kur shfaqej rreziku në këtë fushë, siç ndodh me krejt njerëzit hedonikë. Për Cianon graekul (fjala “graekul” do të thotë pasardhësit e kolonëve grekë të Italisë), Italia nuk ishte tjetër veçse skena e teatrit ku ai duhet të luante role të cilat i jepnin kënaqësi. Fati i Italisë i interesonte për aq sa i intereson aktorit fati i skenës së teatrit ku ai luan. Natyrisht se aktorit nuk i pëlqen që të bjerë zjarr në teatër në kohën që ai po shijon rolin e tij në skenë.
      Ndoshta Galeazzo nuk kishte faj që e përdorte Italinë si skenë teatri. Italia e dëshironte teatralitetin kundrejt realitetit. I ati i Cianos, Constanzo u shpall hero lufte dhe mori titullin kont për një bëmë teatrale në Luftën e Parë Botërore. Constanzo Ciano, duke qenë në komandë të dy luftanijeve italiane, u përball me dy luftanije austro-hungareze, të cilat qenë afruar në bregdetin italian, mes Cortellazzo dhe Buccari, në Italinë e Veriut. Constanzo lëshoi dy silura, nga të cilat asnjëra nuk arriti që të godasi anijet armike. Gjithsesi, fakti që luftanijet austro-hungareze u tërhoqën, u quajt si një fitore e madhe (rëndom betejat e tilla përfundonin me anijet italiane që mbyteshin ose tërhiqeshin) dhe Constanzo Ciano për këtë mori nga Mbreti titullin e Kontit të Cortellazzo e di Buccari- nuk kuptohet se përse titulli iu dha me emrin e të dy toponimeve bregdetare, ndoshta se njëra silurë shkoi në Cortellazo e tjetra në Buccari. Titulli i kontit, i fituar në këtë mënyrë ishte ai çka meritonte Galeazzo me natyrën e tij teatrale. Gjithsesi, as i ati dhe as Galeazzo nuk e përdorën emrin formal të titullit të fisnikërisë, që ishte Kont i Cortellazzo e di Buccari, por parapëlqyen që t’ i shtonin fjalën “kont” mbiemrit të tyre të familjes, çka mund të interpretohej si ngurim prej parvënyje.
      Partia Atlantike e Luftës, e përdori Isabellën si dhe njerëz të tjerë në stafin e Cianos për të induktuar mendimet e saj tek Ciano, ndër të cilët edhe atë për pushtimin e Shqipërisë, siç do të tregoj më tutje. Partia Atlantike e Luftës mund ta arrinte qëllimin e saj thjesht duke e influencuar Cianon me anë të Princeshës Colonna, e cila mjafton t’ i thoshte se pushtimi i Shqipërisë do të rriste profilin e Cianos si shtetar. Cianos i dukej pushtimi i Shqipërisë si një veprim i parrezikshëm dhe i lehtë, siç pohon vetë në kujtimet, dhe as që i shkonte ndërmend për implikimet gjeostrategjike që ai sillte për Boshtin. Ciano, nga ana e tij duhej që të influenconte Mussolinin që ky të merrte vendimin për pushtimin e Shqipërisë. Madje as Princesha Colonna nuk e kuptoi se ishte bërë lodër e Partisë Atlantike të Luftës. Edhe princeshës me siguri i thanë se pushtimi i Shqipërisë duhej që Ciano të rriste profilin e tij, ashtu që të bëhej lideri i Italisë pas rënies së Mussolinit. Në historitë e agjenturës influencuese, gjërat shkojnë si në një lojë pasqyrash, që ia reflektojnë një imazh njëra tjetrës.
      Në rrethin e miqve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Cianos, kishte të tjerë njerëz të Partisë Atlantike të Luftës. Ndër njerëzit më të afërt të Cianos ishte Markezi Blasco Lanza D’ Ajeta, sekretar privat i tij dhe më pas shef i kabinetit të Cianos. Markezi Lanza D’ Ajeta e kishte nënën amerikane dhe e fliste shumë mirë anglishten. Ai ishte edhe godson (fëmijë i pagëzuar) nga gruaja e Sumner Welles. Kur Ciano u largua nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme në shkurt 1943, dhe u emërua ambasador i Italisë pranë Selisë së Shenjtë, e mori me vete markezin Lanza D’ Ajeta, si këshilltar në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë. Kur Italia do të fillonte përpjekjet për të negociuar armëpushimin me aleatët perëndimorë, pas rrëzimit të Musolinit nga pushteti, do të ishte pikërisht Markezi Lanza D’ Ajeta ai që u caktua nga Mbreti dhe Marshalli Badoglio, si një nga dy të dërguarit që do të vendosnin lidhje me qeverinë britanike nëpërmjet ambasadës britanike në Portugali, që ishte vend asnjëanës. Markezi Lanza D’ Ajeta, në cilësinë e nr. 2 të ambasadës italiane në Vatikan, detyrë në të cilën e kishte emëruar Ciano  mori një letër rekomandimi nga ambasadori britanik pranë Selisë së Shenjtë në Romë, sir Francis D’ Arsy Osborne, për ambasadorin britanik në Lisbonë. Markezi Lanza D’ Ajeta nuk ishte njeriu i vetëm me lidhje të forta me establishmentin anglosakson, siç do të tregoj më tutje, në stafin e Cianos kishte dhe një tjetër njeri-kyç me lidhje të tilla, Konti Leonardo Vitetti.
      Miku i ngushtë i Cianos, Zenone Benini, të cilin ai, pas pushtimit të Shqipërisë në 1939, e emëroi nënsekretar për Shqipërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të inicionte në 1944 lidhjen mes gruas së Cianos, e cila zotëronte ditarët e burrit të saj, dhe shefit të OSS (spiunazhit amerikan) në Europë, Allen Dulles, i cili kërkonte që t’ i shtinte në dorë, në çdo mënyrë. Allen Dulles, njeriu i high affairs që në rini, i quajtur gentleman spy, i kërkonte me aq ngulm ditarët, jo për rëndësinë e tyre si literaturë diplomatike dhe historike, por se në CFR ishin bërë nervozë, se mos në ditarin e Cianos kishte gjurmë të rolit që ai kishte bërë, me apo pa vetëdije, si agjent influencues, në cështjen e pushtimit të Shqipërisë. Nëse Ciano nuk ishte aq i aftë që ta kuptonte që në fillim se si e kishin manipuluar, kishte gjasa që ai, më pas, nën dritën e ngjarjeve që pasuan pushtimin e Shqipërisë, të ishte vetëdijësuar për inxhinieringun e ngjarjeve.
      Kështu, Partia Atlantike e Luftës influencoi vendim-marrjen e Mussolinit, nëpërmjet Cianos, dhe më tej atë të Hitlerit e të Stalinit, saktësisht ashtu siç e dëshironte Churchill. Fakti i pamohueshëm është se ishte Ciano ai që e bëri Boshtin që ta zgjerojë luftën në Ballkan, duke nisur me pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç dëshironte Churchill. Kështu, sado e tepruar që t’ i duket shumëkujt, pushtimi i Shqipërisë në prill 1939 është pjesë e “gjëagjëzës të mbështjellë me mister, brenda enigmës”, për të cilën flet Churchill. Biografi i Allen Dulles, James Srodes, shkruan në librin e vet “Allen Dulles: master of Spies”:           
      Misteri dhe kundërshtitë mbi jetën e Allen Dulles vazhdojnë ende edhe sot. Jeta e tij mbetet një nga temat e pakta që mund të çojnë në një debat të ndezur në një tryezë darke, në shumë kryeqytete të botës, duke përfshirë Washington DC.[xiii]
      Një temë e hapur për diskutim mbetet roli i Dulles, si një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Atlantike të Luftës, në pushtimin e Shqipërisë në 1939, nëpërmjet Cianos. Arsyeja për të cilën Ditari i Cianos ishte i vetmi ndër ditarët e shtetarëve të Boshtit, të cilin shërbimi inteligjent ushtarak amerikan, OSS, e kërkoi me ngulm, me anë të Allen Dulles, në kohën që po përfundonte Lufta e Dytë Botërore, ishte se Ciano kishte qenë njeriu-kyç në një operacion sekret të Partisë Atlantike të Luftës. Njerëzit e Partisë Atlantike të Luftës dyshonin se Ciano, nën dritën e ngjarjeve ndërkombëtare që ndodhën pas prillit 1939, e kishte kuptuar se si ishte përdorur, dhe për të siguruar jetën e tij, kishte përshkruar gjithçka në ditar, në retrospektivë. Prandaj, OSS kërkoi që të shtinte në dorë, në çdo mënyrë ditarin, dhe ia arriti që të shtinte në dorë së pari, para përfundimit të luftës, pikërisht pjesën që i interesonte, atë nga viti 1939 në 1943, ku mund të ishin refleksionet e Cianos në retrospektivë. Ne sot nuk e dimë nëse Ciano kishte bërë në ditar refleksione mbi Shqipërinë, të cilat më pas u zhdukën nga Partia Atlantike e Luftës. 
      Allen Dulles, i cili më pas do të bëhej drejtor i CIA, kërkonte që të krijonte përshtypjen e një intelektuali. Ai adhuronte Daniel Defoe, për të cilin do të shprehte habinë që nuk shkruajti kurrherë për punën e tij si një agjent sekret. Por, ndoshta edhe më keq është se nuk kemi dëshmi nga agjentët sekretë të llojit më interesant, ata që nuk e dinin fare se ishin agjentë sekretë të llojit më të sofistikuar, agjentë influencues të politikës së lartë. Këtij lloji i përkiste Ciano. Në rastin e pushtimit të Shqipërisë, Ciano u manipulua nga një agjente e shkathët influencuese, Princesha Colonna, dhe vetë ai veproi si një agjent influencues ndaj Mussolinit, i cili tekefundit mori vendimin për pushtimin e Shqipërisë, që ishte origjina e ndërlikimeve të mëdha për Boshtin.


[i] Henry Kissinger, në librin e vet “Diplomacy” tregon një episod, tepër domethënës për marrëdhënien e posaçme mes Roosevelt dhe Welles,  ku shkruan:
      Debati anglo-amerikan mbi kolonializmin nuk do të përfundonte. Në fjalimin e tij në Ditën e Përkujtimit në 1942, miku dhe i besuari i Rooseveltit, nënsekretari i Departamentit të Shtetit, Sumner Welles, ritheksoi kundërshtimin historik të Amerikës ndaj kolonializmit:
      “Nëse kjo luftë është një luftë për çlirimin e popujve, ajo duhet që të sigurojë barazinë sovrane të popujve gjithandej botës, si në dy kontinentet amerikane. Fitorja jonë duhet të sjellë në trenin e saj lirinë e gjithë popujve. Koha e imperializmit ka përfunduar”.
      Roosevelt, pastaj i dërgoi një notë Sekretarit të Shtetit, Hull, ku e informonte atë se deklarata e Welles ishte autoritative (e detyrueshme për t’ u konsideruar nga Departamenti i Shtetit- K.M.)- një lloj gjesti ky i cili nuk fuqizon lidhjet mes një Sekretari Shteti dhe zëvendësit të tij, se nënkupton që zëvendësi ka lidhje më të ngushtë me Presidentin. Hull përfundimisht pati sukses në shkarkimin e Welles. (Henry Kissinger, “Diplomacy”, “Simon & Schuster”, New York 1994, p. 402)
      Por, Welles u largua nga posti i tij vetëm një vit e gjysëm më pas, në tetor 1943 dhe pas u ngarkua nga Roosevelt me detyra shumë të rëndësishme, duke qenë njeriu kryesor i Administratës “Roosevelt”, i cili punoi për projektin e OKB.
[ii] Galeazzo Ciano, “Diary: 1937-1943”, Enigma books New York 2002 p. xvii
[iii] Curzio Malaparte, “Kaput”, Shtëpia botuese “Omsca”, Tiranë 1998, f. 456-457
[iv] po aty: f. 425
[v] po aty: f. 425-426
[vi] Ray Mosseley, “Mussolini Shadow’ s: The double life of Count Ciano”, Yale University Press, 2000, p. 57
[vii] Curzio Malaparte, “Kaput”, Shtëpia botuese “Omsca”, Tiranë 1998, f. 446
[viii] po aty: f. 431
[ix] po aty: f. 431-432
[x] po aty: f. 444
[xi] po aty: f. 432
[xii] po aty: f. 432-433
[xiii] James Srodes, “Allen Dulles: master of Spies”, Washington DC, 1999, Regnery Publishing, p. 4