Ajo që mund të quhet si Partia Atlantike e Luftës, ishte një elitë anglosaksone, e cila vepronte në boshtin London-Washington dhe që në London kishte si përfaqësuesin e saj më të shquar, Winston Churchill. Këta ishin një grup njerëzish të fuqishëm, të cilët kërkonin që Britania e Madhe dhe SHBA-të, në aleancë me Bashkimin Sovjetik të shkatërronin fuqinë e Gjermanisë, duke e tërhequr atë në një luftë në dy fronte. Partia Atlantike e Luftës kishte si manifestin e saj Memorandumin “Crowe” (“Memorandum on the present state of British relations with France and Germany”) i paraqitur në 1 janar 1907 nga Sir Eyre Crowe, një zyrtar në Foreign Office, në London, ku thuhej se Gjermania duhej shkatërruar, pavarësisht qëllimeve paqësore ose jo të elitës drejtuese të saj, se paraqiste rrezik me dinamikën e rritjes së fuqisë së saj, që nuk mund të mos çonte në ambicje për sundimin e botës. Partia Atlantike e Luftës kërkonte që të tërhiqte Bashkimin Sovjetik në luftë. Si Britania e Madhe, ashtu edhe SHBA-të e dinin se nuk kishte shpresë që të mundej Gjermania në luftë, nëse në anën e tyre nuk ishte Bashkimi Sovjetik, i cili kishte potencialet njerëzore dhe regjimin e përshtatshëm diktatorial për të mobilizuar dhjetëra milionë njerëz dhe për t’ i hedhur si mish për top. Bashkimi Sovjetik ishte ai që mbajti peshën kryesore në luftën ndaj Gjermanisë dhe që pagoi çmimin më të madh në jetë njerëzore. Natyrisht se Bashkimi Sovjetik nuk kishte dëshirë që ta bënte këtë gjë. Ajo që donte Stalini ishte që fuqitë e mëdha kapitaliste të ndesheshin mes tyre deri në rraskapitje dhe pastaj Bashkimi Sovjetik, i cili do të kishte qëndruar mënjanë, t’ u impononte vullnetin e tij.
Stalini ishte i vetëdijshëm për ekzistencën e Partisë Atlantike të Luftës, e cila kërkonte që ta tërhiqte Rusinë në luftë. Winston Churchill e kishte bërë uverturën e parë ndaj Rusisë që në shtator 1936, në një fjalim të mbajtur në Paris :
Dikush më pyeti mua: “Nëse Gjermania dhe Rusia do të hynë në luftë, do të jeni ju në favor të Gjermanisë, apo të Rusisë?” Kjo është një pyetje shumë e lehtë për t’ iu përgjigjur: Ndjenjat dhe veprimet tona do të formësohen nga Marrëveshja e Lidhjes së Kombeve, do të thotë ne do të jemi kundër agresorit të paprovokuar. Nuk do të jetë cështje e Gjermanisë ose e Rusisë. Nuk do të jetë cështje e së Majtës ose së Djathtës. Do të jetë një cështje e së drejtës dhe e së gabuarës.[i]
Partia Atlantike e Luftës po i kumtonte kështu Stalinit, me gojën e liderit të saj historik, se në rast se Gjermania mësynte Bashkimin Sovjetik, atëherë Britania e Madhe dhe Franca do të ishin në krah të shtetit komunist, pavarësisht ndarjeve ideologjike. Pas të gjitha gjasave, Partia Atlantike e Luftës trembej se mos Stalini, i shkurajuar nga fakti se ndryshe nga Lufta e Parë Botërore, Rusia nuk kishte alternativën e aleancës me fuqitë perëndimore përballë rrezikut gjerman, do të bënte një marrëveshje me Gjermaninë. A thua e kishte harruar Churchill postulatin gjeostrategjik britanik të balancës së fuqisë, të cilin e kishte artikuluar edhe një herë gjerësisht pak muaj më parë, në në mars 1936, kur ai, në fjalimin e mbajtur në mbledhjen e anëtarëve nga Partia Koservatore të Komitetit të Punëve të Jashtme të parlamentit britanik, tha:
Për katërqind vjet politika e jashtme e Anglisë ka qenë të kundërshtojë Fuqinë më të madhe, më agresive dhe më dominuese në kontinent, dhe vecanërisht të parandalojë rënien e Vendeve të Ulta në duart e një fuqie të tillë. Parë nën dritën e historisë, këta katër shekuj të këtij qëllimi konsistent, mes kaq ndryshimesh të fjalëve dhe fakteve, të rrethanave dhe kushteve, duhet të radhiten si një nga episodet më të shquara që na tregojnë analet e ndonjë race, nacioni, shteti… Vini re se politika e Anglisë është se nuk ka rëndësi se cili është shteti i cili kërkon që të dominojë Europën. Cështja nuk është nëse ky vend është Spanja, Franca monarkiste ose Imperia Franceze, Imperia Gjermane ose regjimi i Hitlerit, Cështja nuk ka të bëjë me sundimtarët ose shtetet, por vetëm me atë se cili është tirani më i fuqishëm dhe potencialisht dominues. Prandaj ne nuk duhet të kemi frikë se akuzohemi që jemi profrancezë ose antigjermanë. Nëse rrethanat do të përmbyseshin ne do të ishim njëjtë progjermanë e antifrancezë.[ii]
Kjo pikëpamje amorale e analizës së forcës, binte krejt në kundërshtim me atë morale të shprehur më lart nga Churchill. Në fakt, kjo pikëpamja e dytë ishte pikëpamja tradicionale britanike. Machiavellizmi i politikës së forcës nuk e përjashtonte që të dy pikëpamjet të pajtoheshin, ashtu që pikëpamja morale të përthyhej ashtu sic shfaqej nën prizmin e pikëpamjes amorale të politikës së forcës. Kështu, Bashkimi Sovjetik, ftohej që të ndërmerrte një luftë parandaluese kundër Gjermanisë, ende sa pa u përgatitur mirë ushtarakisht kjo e fundit, dhe në këtë rast Partia Atlantike e Luftës do të influenconte në London, Paris dhe Washington që të prevalonte versioni rus mbi atë se cili kishte qenë agresori, që e kishte provokuar luftën. Stalini iu përgjigj uverturave të Partisë Atlantike të Luftës, në të njëjtin vit që ndodhi pushtimi i Shqipërisë, në 1939, disa javë para se trupat italiane të zbarkonin në Shqipëri, Në raportin e mbajtur në Kongresin XVIII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Stalini u shpreh:
Detyrat e partisë në lëmin e politikës së jashtme janë… Të tregojë urti dhe të mos i lejojë provokatorët e luftës, të mësuar t’ i nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve, që ta tërheqin në konflikte vendin tonë.[iii]
Me këtë Stalini i çonte një kumt Hitlerit se ai nuk do të joshej nga kënga e sirenës të e Partisë Atlantike të Luftës, e cila kërkonte që ta tërhiqnin Bashkimin Sovjetik në luftë kundër Gjermanisë, duke e bërë të mbante çmimin më të madh në jetë njerëzore. Me fjalët e mësipërme, Stalini po i ofronte Hitlerit një garanci, në gjuhën e vet, se Bashkimi Sovjetik nuk do të bashkohej me fuqitë perëndimore, nëse do të kishte një luftë mes Gjermanisë nga njëra anë dhe Francës dhe Britanisë së Madhe, në anën tjetër. Fjalët e Stalinit tregojnë se përpjekjet e fuqive përëndimore për ta tërhequr Bashkimin Sovjetik në luftë kundër Gjermanisë kishin filluar shumë më herët se fjalimi i Churchill, i tetorit 1939.
Hitleri nuk kishte nevojë që të nxitej për të hyrë në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, se kjo ishte gjëja që dëshironte më së shumti. Por Hitleri nuk donte që të marshonte në Lindje para se të kishte bërë dicka që të neutralizonte rrezikun që paraqiste Polonia në prapavijën gjermane. Hitleri donte që ta bënte Poloninë të kuptonte se aleanca e saj me Francën dhe eventualisht me Britaninë e Madhe nuk vlente më tepër se c’ i vlejti Cekosllovakisë, kështu që Polonia, duhej që të shkonte pas Gjermanisë në marshimin kundër Rusisë, që do t’ i siguronte përfitime të mëdha. Për këtë arsye, Hitleri i paraqiti kërkesa territoriale shumë të moderuara Polonisë, në mars 1939, ashtu që ato të mos ishin të papranueshme. Me kërkesat ndaj Polonisë Hitleri synonte që t’ u tregonte gjermanëve se ai po ndreqte deri në një farë mase edhe grabitjet që i kishte bërë Traktati i Versaille Gjermanisë, në dobi të Polonisë, si dhe të thyente lidhjen e Polonisë me fuqitë perëndimore. Partia Atlantike e Luftës do të kishte dashur që të mos i jepej garancia ushtarake Polonisë nga ana e Francës dhe Britanisë së Madhe, ashtu që të shmangej afrimi gjermano-rus, cka ndodhi pak muaj më vonë me Paktin Molotov-Ribbentrop. Nëse Polonia do të kishte pranuar kërkesat e Hitlerit që në mars ose në prill 1939, vitin tjetër, Gjermania do të mësynte me siguri Bashkimin Sovjetik. Kjo krijonte perspektivën e rrezikshme që Bashkimi Sovjetik të shkatërrohej para se të fillonte lufta mes Gjermanisë dhe fuqive perëndimore. Në këtë rast, Partia Atlantike e Luftës donte që të ruante një Poloni, të lidhur me fuqitë perëndimore, që do të ishte një kundërpeshë ndaj Gjermanisë.
Prandaj, Partia Atlantike e Luftës kërkonte që ta tërhiqte Boshtin në luftë në Ballkan, me shpresën se atje Gjermania do të tërhiqej në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, pavarësisht nga kombinimet që do të krijoheshin për shkak të konfliktit për Poloninë. Pra, pavarësisht nëse Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik mund të pajtoheshin për ndarjen e Polonisë, sic kishte ndodhur në të shkuarën mes Prusisë dhe Rusisë, Ballkani, i quajtur historikisht “fucia e barutit” e Europës, mund të rezultonte i tillë dhe për Gjermaninë e Bashkimin Sovjetik, duke i penguar që të hynin në një aleancë kundër fuqive perëndimore. Partia Atlantike e Luftës i zbuloi planet e saj kur në 1 tetor 1939, pasiqë Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik u shfaqën praktikisht si aleatë duke mësyrë dhe ndarë Poloninë, Churchill mbajti fjalimin e vet të famshëm në radio, ku e quajti Rusinë “a riddle ërapped in a mistery, inside a enigma” dhe llogariti gjasat që Bashkimi Sovjetik të hynte në luftën botërore që tashmë kishte filluar, në anën e Britanisë së Madhe, kundër Gjermanisë:
Unë nuk mund të parashikoj për ju veprimet e Rusisë. Ajo është një gjëagjëze e mbështjellë në një mister, brenda një enigme; por ndoshta ky është çelësi. Çelësi është interesi nacional rus. Nuk mund të jetë në pajtim me interesin ose sigurinë e Rusisë që Gjermania të vendohet në brigjet e Detit të Zi, ose që të shkatërrojë shtetet ballkanase dhe të nënshtrojë popujt sllavë të Europës Juglindore. Kjo do të ishte në kundërshtim me interesin jetik historik të Rusisë. Por në këtë lagje të botës- Europën Juglindore- këto interesa të Rusisë bashkohen me ato të Britanisë së Madhe dhe Francës. Asnjë nga këto tre Fuqi nuk mund të lejojë që të shohë Rumaninë, Jugosllavinë, Bullgarinë e mbi të gjitha Turqinë, të vëna nën thundrën gjermane. Përmes mjegullës së konfuzionit dhe pasigurive, ne mund të shquajmë krejt qartë bashkësinë e interesave, të cilat ekzistojnë mes Anglisë, Francës dhe Rusisë- një bashkësi e interesave për të parandaluar që Nazistët të dërgojnë flakët e luftës në Ballkan dhe në Turqi. Prandaj, miqtë e mi, duke marrë parasysh riskun që ngjarjet të provojnë se e kam gabim, unë do të shpall sonte bindjen time, që fakti i dytë i madh i muajit të parë të luftës është se Hitleri, e gjithçka që Hitleri përfaqëson, ka qenë dhe është paralajmëruar në lindje dhe juglindje të Europës.[iv]
Ky fjalim duhej kuptuar se ishte në interesin e Britanisë së Madhe që Gjermania të tërhiqej në luftë në Ballkan, dhe me Turqinë, ashtu që të prisheshin marrëdhëniet e mira gjermano-sovjetike, të krijuara pas nënshkrimit të paktit të gushtit të atij viti mes tyre, dhe Rusia të hynte në luftë me Gjermaninë. Gjermania nuk dëshironte që të hynte në luftë në Ballkan, kështu që duhej tërhequr në luftë atje, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe mënyra më e thjeshtë ishte me anë të Italisë, çka edhe ndodhi. Partia Atlantike e Luftës bëri gjithçka për ta bërë Gjermaninë që ta çonte luftën në Ballkan dhe më tutje në ngushtinat turke, me shpresë së kështu do të tërhiqej Rusia në luftë kundër Gjermanisë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia krijoi kryeurën që Boshti të hynte në luftë në Ballkan. Edhe kur Gjermania hyri në luftë në Ballkan, e bëri këtë e detyruar nga Italia, e cila kishte dështuar në fushatën e Greqisë. Dështimi i Boshtit në Greqi inkurajoi Jugosllavinë që të prishte marrëdhëniet me Boshtin. Me trupat britanike që ishin në Greqi, rrezikohej që italianët të dëboheshin krejt nga Shqipëria dhe britanikët të godisnin nëpërmjet Jugosllavisë fushat naftëmbajtëse të Rumanisë, të cilat qenë jetike për ekonominë gjermane të luftës. Ashtu siç parashikonte Churchill, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, pas nënshkrimit të paktit mes tyre, në gusht 1939, patën kontradikta për Ballkanin dhe Turqinë. Moska i kërkoi Berlinit baza në Bullgari, Turqinë veriperëndimore (ngushtinat e Detit Marmara), si dhe bëri një pakt me Jugosllavinë që shkaktoi paraprakisht tensione në marrëdhëniet sovjeto-gjermane.
Prandaj, Partia Atlantike e Luftës bëri gjithcka që Italia, partnerja e Gjermanisë tek Boshti, ta zgjeronte luftën në Ballkan. Kjo nuk ishte e thjeshtë, se politika zyrtare e qeverive britanike dhe franceze të kohës, në këtë rast nuk pajtohej me atë të Partisë Atlantike të Luftës. Qeveritë britanike dhe franceze të kohës nuk pajtoheshin me ekspansionin e Italisë në Ballkan, se mendonin që zgjerimi i luftës në Ballkan, përbënte kërcënim për interesat britanike dhe franceze në Mesdheun Lindor. Njeriu i parë në Romë që u vinte në mendje njerëzve të Partisë Atlantike të Luftës, kur ishte fjala për të ndërmarrë një veprim të tillë ishte natyrisht Ciano.





