3. Një “Çubrilloviç” italian për Shqipërinë




      Ajo që mund të quhet si Përpjekja e Galeazzo Cianos për Shqipërinë, është për nga angazhimi intelektual dhe fizik, ngulmimi, energjia, pasioni, një ngjarje unike në jetën dhe në karrierën e Kontit Ciano. Ciano e ka kërkuar këtë luftë prej shumë kohësh. Biografi amerikan i Mbretit Zog I, Bernd J. Fischer, shkruan:
      Ideja fikse e Cianos për Shqipërinë lindi menjëherë pas udhëtimit të tij të parë në Tiranë, në prill të viti 1937.[i]
      Por nuk ka asnjë të dhënë që ta vërtetojë këtë gjë, dhe vetë Fischer nuk e zhvillon tezën e tij. Përkundrazi, Fischer shkruan:
      Në vetvete, kjo vizitë nuk u shqua për ndonjë ngjarje të veçantë, me përjashtim të faktit se ajo vuri në dukje stilin dhe energjitë e pakufi të Kontit. Edhe një herë tjetër, në një përpjekje të pakufi për të imituar Mussolinin, Konti e drejtoi vetë aeroplanin e tij katërmotorësh gjatë udhëtimit për Tiranë, duke marrë me vete edhe një turmë të tërë nëpunësish të Ministrisë së Punëve të Jashtme.[ii]
      E veçanta e vizitës pra ishte se ajo u shndërrua në një spektakël të ekzibizionizmit dhe vanitetit të Cianos. Vizita e Cianos në Shqipëri, në 29 prill 1937, erdhi fill pas vizitës që Ciano kishte bërë në Beograd, pak javë më parë, në 25 mars, ku Ciano dhe Stojadinovic (kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë), kishin nënshkruar Traktatin e Miqësisë dhe Sigurisë, mes Italisë dhe Jugosllavisë. Traktati i duhej Mussolinit për të siguruar kufijtë e tij lindorë, në kohën e aventurës ushtarake italiane në Afrikë, e cila e kishte futur Italinë në një konflikt serioz me Britaninë e Madhe, aq sa Home Fleet, flota ushtarake detare britanike e cila siguronte ishujt britanikë, erdhi në Mesdhe. Në anën tjetër, Traktati i duhej Jugosllavisë, për shkak të rrezikut në rritje që vinte nga Gjermania. Jugosllavia i trembej një bashkëveprimi gjermano-italian kundër saj, aq më tepër kur e dinte se me të do të bashkoheshin edhe vendet e tjera fqinje që kishin llogari të hapura me Jugosllavinë, Hungaria dhe Bullgaria.
      Gjatë bisedimeve të Beogradit, Stojadinovic i tha Cianos se në kohën që diplomacia europiane i mbante të armiqësuara dhe të ndara Jugosllavinë dhe Italinë, Shqipëria ishte si një armë e drejtuar në brinjë të Jugosllavisë. Stojadinovic, qartësisht, këtu aludonte për pozitën e posaçme që kishte Italia ndaj Shqipërisë, me të cilën kishte një traktat aleance njëzetvjeçare, të nënshkruar në 1927. Stojadinovic, megjithatë shprehu besimin se me marrëveshjen e tashme italo-jugosllave dhe me frymën e re, që ishte krijuar mes dy vendeve, problemi shqiptar do të reduktohej në përmasat e tij reale, si një problem me rëndësi thjesht lokale. Ciano u shpreh se pajtohej me Stojadinovic. Gjatë bisedimeve, të dy palët i dhanë garanci njëra-tjetrës garanci me shkrim, sa i përkiste Shqipërisë, të cilat nuk u bënë publike. Jugosllavia dha sigurime se nuk do të ndërhynte në Shqipëri. Italia nga ana e saj dha sigurime për paprekshmërinë e kufirit jugosllav me Shqipërinë. Gjithashtu, Ciano i bëri me dije Stojadinovic për vizitën që do të kryente pas pak javësh në Shqipëri.[iii]  
      Vizita e Cianos në Shqipëri, qartësisht ishte e llogaritur për të bërë me dije se marrëdhëniet e posaçme të Italisë me Shqipërinë, nuk kishin ndryshuar edhe pas paktit italo-jugosllav. Ciano e shfaq idenë e tij fikse për pushtimin e Shqipërisë, që në faqet e para të ditarit të tij, që fillon në gusht 1937, por nuk thotë, në asnjë lloj mënyre, qoftë edhe me aludime, se kjo ide i lindi pas vizitës së tij të parë në Shqipëri. Në 25 gusht 1937 ai shkruante në ditar:
      Nuk dihet se çka sjell ardhmëria. Ne duhet që të jemi gati për të shfrytëzuar rastet që do të na paraqiten. Ne nuk do të tërhiqemi si në 1920. Në Italinë e Jugut kemi thithur disa qindra mijëra shqiptarë. Pse të mos bëhet kështu edhe me bregun tjetër të Adriatikut?[iv]
      Këtu Ciano flet për aneksimin e pastër të Shqipërisë nga Italia, duke e shndërruar atë në një provincë italiane, njëjtë si Calabria. Ky nuk ishte asfare projekti i Mussolinit, siç do të tregoj më tutje. Arsyetimi që bën Ciano, se Italia duhej që ta pushtonte Shqipërinë, për të parandaluar që atë ta pushtonin fuqi të tjera, nuk duket bindës. Nëse e ardhmja nuk sillte shkatërrimin e Italisë fashiste, atëherë nuk kishte asnjë gjasë që ndonjë fuqi e huaj të ndërmerrte pushtimin e Shqipërisë. Vendet fqinje të Shqipërisë, Jugosllavia dhe Greqia, natyrisht se aspironin prej kohësh që ta ndanin Shqipërinë mes tyre, por ato nuk do të guxonin që të orvateshin që ta bënin këtë gjë, para se të gjendeshin në luftë me Italinë, do të thotë para se të mësyheshin nga Italia. Fakti është se Jugosllavia dhe Greqia nuk e pushtuan Shqipërinë as kur u duk qartë se Italia do ta pushtonte atë, ndonëse Beogradi dhe Athina e kishin të qartë se Shqipëria do të shndërrohej eventualisht në një kryeurë për sulm ndaj tyre nga ana e Italisë, eventualisht Boshtit.
      Kur Ciano vizitoi Shqipërinë me rastin e dasmës së Zogut, në prill 1938, ku do të ishte dëshmitar i dhëndrrit, ai tashmë kishte përparuar, nga ideja e pushtimit dhe aneksimit të Shqipërisë, tek ideja e spastrimit etnik të Shqipërisë dhe sjelljes atje të popullsisë italiane. Në prill 1938, kur Ciano vizitoi Shqipërinë me rastin e martesës së Mbretit Zog, ku ishte dëshmitar i Zogut, ai bëri një gjest kuptimplotë duke zgjedhur të udhëtojë me kryqëzorin “Giovani de le Bande Nere”. (Giovani i Bandave të Zeza) Ky kryqëzor qi mbante emrin e një prijësi ushtarak mesjetar italian ishte lëshuar në ujë pikërisht në 27 prill, ditën e martesës së mbretit Zog, por tetë vite më parë, në 1930, në vitin kur ishte martuar vetë Ciano. Aluzioni ishte se dhurata italiane për martesën e Zogut ishin luftanijet e zbarkimit të ardhshëm. Në 28 prill, Ciano shkruante në ditar:
      Unë largohem nga Shqipëria, më i bindur se kurrherë për nevojën e një zgjidhjeje radikale.[v]
      Ciano shkruan në ditar për takimin me Mussolinin, në 30 prill, pas kthimit të tij nga Shqipëria:
      Unë i fola Duçes mbi vizitën time në Shqipëri. Unë do t’ i përmbledh përshtypjet e mia në një memorandum. Gjithsesi, ai u pajtua saora me nevojën e një zgjidhjeje radikale në dhe tha se, ai është gati që të bëjë luftë për të pasur Shqipërinë.[vi]
      Kjo është hera e parë që Ciano i bën me dije Duçes idenë e tij për pushtimin e Shqipërisë. Mussolini reagoi sipas natyrës së tij. Derisa dhëndrri i tij hedonic dhe politikisht apatik po i propozonte pushtimin e një vendi, Duçe nuk mund të refuzonte, se kështu prekej reputacioni i tij prej prijësi luftaraj. Por ky pajtim retorik nuk ishte asfare angazhues për Mussolinin, dhe kur të vinte koha për të vepruar në Shqipëri, Duçe do të shfaqte shumë ngurime dhe dilema. Në këtë bisedë të parë, të qartë për Shqipërinë, Ciano, madje arriti deri atje sa ta krahasonte Shqipërinë me Kartagjenën. Ciano rrëfen në ditar në 30 prill 1938, sesi në takimin me Mussolinin, pas kthimit të Cianos nga Shqipëria, ai i inskenoi Duçes atë që mund ta quajmë një parodi të skenës së famshme në Senatin e Romës, ku Cato paraqiti fiqtë e famshëm të Kartagjenës. Ciano, në version Cato, na e rrëfen kështu këtë skenë, simptomatike ndër të tjera edhe për erudicionin e Cianos:
      Unë i dorëzova një mostër madhështore minerali bakri nga minierat e Lezhës (Mirditës-K.M.) me fjalët: “Ja fiqtë e Kartagjenës”.[vii]
      Sipas këtyre që thotë Ciano, del se Cato i Vjetri, i cili i solli fiqtë e Kartagjenës në Senatin e Romës, e bëri këtë që t’ i joshte romanët për ta pushtuar Kartagjenën që të të mund të vilnin fiqtë e Kartagjenës. Në fakt, Cato i Vjetri kërkonte që t’ u thoshte romanëve, duke u treguar fiqtë ende të freskët që kishin ardhur nga Kartagjena, se sa shpejt mund të vihej nga vendi armik në Romë, do të thotë se sa imediat ishte rreziku për Romën. Ciano assesi nuk e shikonte Shqipërinë si rrezik për Italinë, në sensin Kato i Vjetri shikonte Kartagjenën. Ajo çka Ciano e quante “zgjidhje radikale” për Shqipërinë, ishte në fakt një zgjidhje e pastër kartagjenase. Këtë e tregonte përmbajtja e memorandumit për Shqipërinë që Ciano i dorëzoi Mussolinit në 2 maj 1938, pak ditë pas kthimit nga Shqipëria. Në këtë dokument të gjatë, Ciano thotë se nëse do të zhvillohen burimet dhe pasuritë që kishte Shqipëria, atëherë ky vend mund të mbante jo një milion banorë, sa ç’ kishte sot, por tre milion. Ciano propozonte që të bëhej largimi me dhunë i popullsisë shqiptare nga zonat më pjellore të Shqipërisë dhe ato të populloheshin nga italianë, të cilët do ta shndërronin vendin.[viii]
      Sipas planit të Cianos duhej që të bëhej dëbimi me dhunë i popullsisë shqiptare nga ultësira bregdetare e vendit, nga zona fushore e Vlorës, Myzeqeja, zona përreth Durrësit, rrafshina e Tiranës, rrafshina e Elbasanit, rrafshinat e Beratit, Korçës, Shkodrës, Lezhës. Kjo do të thoshte që të dëbohej gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Ku do të shkonte kjo popullsi? A mos ndoshta Ciano kishte në plan që t’ i dërgonte shqiptarët në koloninë italiane të Etiopisë? Vetëm një vit pasiqë Vasa Çubrilloviç, do të paraqiste në Beograd elaboratin e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, një plan të ngjashëm paraqiste Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë! Shqiptarët kanë detyrimin që t’ I jenë mirënjohës Mussolinit që ai nuk u influencua deri në fund nga planet e Cianos për Shqipërinë. Siç shihet, Ciano kishte në mendje gjëra shumë më të tmerrshme se pushtimi dhe bashkimi personal i kurorave, çka tekefundit ishte e shumta që bëri Mussolini. Ciano në raportin e tij nuk thoshte kurrgjë se cila ishte përshtypja që do të bënte tek vendet fqinje të Shqipërisë, Jugosllavia dhe Greqia, një Shqipëri e shpopulluar nga shqiptarët dhe e populluar me dy milion italianë. Ky për këto vende do të ishte skenari i rastit më të keq të rrezikut italian që do t’ u vinte nëpërmjet Shqipërisë. Një Shqipëri e italianizuar në këtë masë, do të ishte e papranueshme për Francën, e cila kishte një aleancë ushtarake me Jugosllavinë, por edhe për Britaninë e Madhe, e cila kishte interesa strategjike në Greqi. Ndaj Shqipërisë së italianizuar në këtë masë, vendet fqinje, duke pasur mbështetjen edhe të këtyre fuqive të mëdha, nuk mund të reagonin përveçse me një luftë parandaluese, duke e pushtuar Shqipërinë për ta ndarë mes tyre. Ciano, ose ata që e kishin hartuar raportin për të, e kuptonin këtë pikë të dobët, reagimin e fqinjëve të Shqipërisë. Prandaj, në raport thuhej se për të qetësuar Jugosllavinë dhe Greqinë, duhej që atyre t’ u bëheshin disa cedime të vogla territoriale përgjatë kufijve të tyre me Shqipërinë. Por, Ciano e përjashtonte që Shqipëria të ndahej mes Italisë dhe Jugosllavisë dhe thoshte se opsioni më i pëlqyeshëm do të ishte aneksimi i pastër i Shqipërisë nga ana e Italisë.[ix]
      Ciano nuk e shpjegonte se përse priste që Jugosllavia dhe Greqia të pajtoheshin me ofertën për kompensimin simbolik me anë të përfitimeve të vogla territoriale, përgjatë kufirit me Shqipërinë, kur Italia pritej që të arrinte me aneksimin e pjesës më të madhe të Shqipërisë, një përfitim strategjik të pamasë. Ciano, në vend që të shikonte rrezikun që vinte nga plani i tij kartagjenas, i tërhiqte vëmendjen Mussolinit për rrezikun që u vinte interesave italiane në Shqipëri nga Gjermania, nëpërmjet… Hungarisë. Pasiqë Ciano sillte në raport përshtypjet e tij se Mbreti Zog kishte parapëlqim për doket dhe modën e Vienës, si dhe që Mbretëresha Geraldinë ishte e ndikuar nga të afërmit e saj hungarezë, dhe nuk ishte miqësore ndaj Italisë, Ciano paralajmëronte Mussolinin që të mos harronte se hungarezët shpesh patën qenë pararoja e Gjermanizmit. Ciano kërkonte që të ngjallte dyshimin e Mussolinit ndaj Hitlerit për shkak të dhuratës së shtrenjtë që Fuhrer-i i kishte dërguar Zogut për dasmë. Ciano shfaqte frikën e tij se Gjermania kërkonte që të depërtonte në Adriatik, prandaj e ftonte Mussolinin që të ndërmerrte një aksion vendimtar në regjion, për të kundërpeshuar rritjen e prestigjit të Gjermanisë, që erdhi si pasojë e aneksimit të Austrisë. Për këtë arsye, Ciano kërkonte që Italia të aneksonte Shqipërinë, çka do ta kthente Adriatikun pothuajse në një det të brendshëm italian, në një liqen kontinental.[x]
      Ajo çka lexohet mes rreshtave të raportit të Cianos është se Mussolini ishte shumë ngurues sa i përkiste pushtimit të Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja që Ciano mobilizonte një numër të madh argumentesh, për ta bindur atë, disa nga të cilët qenë krejt fantastikë, si ai se martesa hungareze e Mbretit Zog, do të bënte që ai Shqipëria të binte nën influencën e Hungarisë, e cila vepronte për llogari të Gjermanisë! Ciano natyrisht se as që e besonte këtë. Cila ishte arsyeja pra, që Ciano e bënte këtë gjë? Duket se Ciano kishte një motiv të cilin nuk ia bënte me dije Mussolinit. Ciano, në raportin e tij, shkoi deri atje sa ta këshillonte Mussolinin edhe për një plan të detajuar subversiv që duhet të zbatohej në Shqipëri, për të lehtësuar dhe legjimuar invazionin italian. Ciano i sugjeroi Mussolinit që të korruptoheshin fiset malësore, që kishin qenë kundër Zogut, ashtu që ato të zbrisnin në qytete dhe të shkaktonin një rebelim kundër Zogut. Pasiqë të ishte nxitur ky rebelim, duhej që të shkatërrohej aftësia e ushtrisë shqiptare për të bërë qëndresë, çka do të bëhej me anë të instruktorëve ushtarakë italianë, numri i të cilëve duhet të rritej që të punonin për krijimin e celulave pro aneksimit brenda ushtrisë shqiptare. Ciano mendonte se paaftësia e ushtrisë shqiptare për të shtypur rebelimin, do të krijonte frikën e kaosit në vend, çka do të bënte që të kërkohej ndërhyrja ushtarake italiane, me ç’ rast kurora e Shqipërisë do t’ i ofrohej Vittorio Emanuele III, Mbreti të Italisë.[xi]
      Tetë ditë më pas, në 10 maj, Ciano do të shkruante në ditar, për bisedën e tij me Mussolinin mbi memorandumin:
      Në tren Duçe diskutoi me mua mbi memorandumin tim me Shqipërinë. Ai u pajtua me mendimet e mia dhe beson se maji i vitit të ardhshëm është muaji më i përshtatshëm për të vepruar. Kjo do të thotë se ne kemi një vit kohë për përgatitjet në Shqipëri dhe në sferën ndërkombëtare. Përderisa do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca e Britania e Madhe do të jenë me siguri kundër nesh, është mirë që të fuqizohet marrëveshja me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’ i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavisë së veçuar nga miqësitë e saj perëndimore dhe lindore, e shtrënguar mes Italisë dhe Gjermanisë, do t’ i duhet që të durojë e të bëjë të vetin qëndrimin që kemi pasur ne ndaj aneksimit të Austrisë nga Gjermania.[xii]
      Ngurimi i thellë i Mussolinit kuptohet nga fakti se ai e kapërceu këtë çështje duke pranuar idenë e Cianos, por duke e shtyrë për një vit aksionin ushtarak për pushtimin e Shqipërisë. Kështu Duçe ruajti të paprekur reputacionin e tij luftarak. Nga kjo bisedë zbulohet se ngase vinte ngurimi i Mussolinit. Ai trembej se Franca dhe Britania e Madhe do të mbështesnin Jugosllavinë dhe eventualisht Greqinë, që të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri në kohën e invazionit italian, duke zënë territore shumë më të gjera se ç’ parashikonte plani i Cianos që Italia t’ u cedonte atyre si kompensim. Fakti se Mussolini shikonte si parakusht për kryerjen e aksionit ushtarak në Shqipëri, arritjen e aleancës me Gjermaninë, rrëfente për përmasat e ndërlikimeve që Mussolini parashikonte se do të sillte invazioni italian i Shqipërisë. Këtu të bën përshtypje fakti se Ciano, nuk bën asnjë vërejtje për atë që plani italian për pushtimin e Shqipërisë do ta çonte Italinë kah aleanca me Gjermaninë, për të cilën Ciano thotë me të madhe, gjithandej ditarit të vet, se nuk e ka dashur. Ajo çka të bën përshtypje kur lexon ditarin e Cianos është se, gjatë periudhës në vijim, deri në pushtimin e Shqipërisë, asnjëherë të vetme nuk ka ndodhur që të ketë qenë Mussolini ai që ka folur i pari për pushtimin e Shqipërisë. Gjithëherë këtë e ka bërë Ciano. Ndoshta, që nga koha kur Cato i Vjetri, e përfundonte çdo fjalim në Senat duke folur për nevojën e shkatërrimit të Kartagjenës, nuk kishte ndodhur në Romë që një shtetar të fliste me kaq ngulm për një fushatë ushtarake, siç bënte Ciano, i cili në këtë periudhë i fliste shpesh Mussolinit për pushtimin e Shqipërisë. Në 13 tetor 1938 Ciano shkruan në ditar:
      Ne duhet të shpejtojmë me Shqipërinë.[xiii]
      Zelli i Cianos për çështjen shqiptare shkoi deri atje sa të merrte përsipër personalisht hartimin e planit subversiv që normalisht duhej të bëhej nga zyrat e posaçme të shërbimeve inteligjente. Madje Ciano nuk mungon të përshkruajë në ditar përzierjen e tij në këtë histori, kur shtetarët në çdo lloj sistemi politik, parapëlqejnë të mos lenë gjurmë të përzierjeve të tilla. Ndryshe nga të gjithë homologët e vet, Ciano shkruan në ditar, në 5 dhjetor 1938, me një krenari kureshtjendjellëse:
      Me Jacomoni-n dhe Giro përcaktojmë disa pika të rëndësishme të operacionit në Shqipëri. Puna e organizatës është duke ecur mirë dhe unë mendoj se gjithçka duhet që të zhvillohet sipas planit. Vrasja e Mbretit do të shërbejë që të marrë fund ndonjë qendër rezistence dhe lëvizja do ta ketë krejt vendin në flakë, në pak orë. Derisa makineria është gati që të funksionojë, unë pyes veten nëse ne duhet që të afrojmë afatin e kryerjes së operacionit, se vonesa mund të sjellë që diçka e paparashikuar të pengojë funksionimin e saj.[xiv]
      Pra, konspiracion për subversion me atentat ndaj jetës së Mbretit dhe trazira të dhunshme, në një vend, për të cilin Italia kishte, veç të tjerash, edhe një mandat nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve, për t’ u kujdesur që të mos kishte trazira. Në 7 shkurt 1939 Ciano shkruan në ditar:
      Gjatë mbrëmjes unë takova Duçen, me ç’ rast ne folëm gjatë mbi situatën. Unë i përsërita pikëpamjen time se duhet vepruar më shpejt në Shqipëri.[xv]
      Musolini është qartësisht hezitues për pushtimin e Shqipërisë, kështu që Ciano ngulmon që ta bindë. Deri më sot, asnjë historian nuk është marrë me çështjen tejet interesante se për ç’ arsye Ciano e kishte këtë obsesion për pushtimin e Shqipërisë, dhe përse kishte kaq kënaqësi për të rrëfyer se ka pasur një rol prej gangsteri në këtë histori. Përse Ciano la një dokument me një përshkrim të detajuar të kësaj bëme të tij, ku përfshiheshin edhe detaj që nuk gjenden as në arkivat zyrtare të shtetit italian të kohës? Kujt dëshironte që t’ i mburrej Ciano, i cili me kujtimet e tij synonte që të krijonte një imazh të pastër të vetëvetes, për periudhën pas Mussolinit? Gjëja e fundit që do të dëshironte Ciano për veten ishte ai vetë të ishte përgjegjës për një luftë të Italisë fashiste më tepër se vetë Mussolini. Ai nuk do ta bënte këtë gjë, jo thjesht për shkak të kujdesit të tij, por edhe se natyra e tij hedonike dhe ekcentrike ishte krejt e paaftë për të bërë një plan të tillë dhe për ta ndjekur atë me ngulmin e duhur.
      Ajo cka e bën edhe më të dyshimtë dhe intrigues angazhimin e Cianos në Shqipëri ishte se Ciano ishte një njeri hedonik, ekcentrik, i paaftë që të përqëndrohej thellësisht dhe gjatë në një projekt, çka e tregon jeta e tij. I ati u zhgënjye që Galeazzo nuk ndoqi atë që tashmë ishte traditë e familjes, sipas së cilës ishte dashur që të hynte në kolegjin ushtarak detar, që të bëhej oficer marine si ai vetë e vëllezërit e tij, dy axhët e Galeazzo-s. Babai i Galeazzo nuk ishte menduar shumë për profesionin që do të zgjidhte, ai ishte bërë oficer i flotës detare, si i ati. Megjithatë, në adoleshencë i ati e detyroi Galeazzo-n që të vishte një uniformë prej kadeti të shkollës ushtarake detare, ndonëse ai ishte nxënës në një shkollë të mesme civile.
      Ndonëse i ati i tij ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm të lëvizjes fashiste, Galeazzo nuk ndoqi shembullin e shumë kolegëve të tij studentë, të cilët u bashkuan me entusiazëm me fashistët e Mussolinit. Ciano nuk kishte pasione politike, as fashiste, as të ndonjë lloji tjetër. Kur Galeazzo, pasiqë u bë dhëndrri i Mussolinit, u emërua edhe  anëtar i Këshillit të Madh Fashist, hagiografët e regjimit fantazuan një të kaluar fashiste për të,  që para Marshimit mbi Romë, por kjo shkaktonte nënqeshje edhe mes vetë fashistëve. Derisa Galeazzo nuk ishte fashist, ai përfitoi shumë nga ardhja në pushtet e fashistëve, qëkurse ai ishte 19 vjeç, nëpërmjet të atit. Me ardhjen e fashistëve në pushtet, i ati i Galeazzo-s u bë ministër dhe vuri një pasuri të madhe, çka i mundësoi Galeazzo-s që të bënte jetën e aristokratit të pasur. Galeazzo nuk ishte një njeri i lindur me lugë argjendi në gojë, por atij ia vunë lugën e artë në gojë që në rininë e hershme. I ati, në fillim i kishte sjellë titullin e fisnikërisë, atë të kontit, të cilin ia dha mbreti për bëmat e tij në Luftën e Parë Botërore, pastaj edhe pasurinë që kërkonte rangu aristokratik. Galeazzo diplomoi për ligje në 1925, madje me një tezë diplome për filozofinë e ligjeve, por nuk e ushtroi për asnjë moment profesionin e juristit.
      Duket se ka qenë shtysa e të atit ajo që e bëri Galeazzo-n po atë vit, në 1925, që të merrte pjesë në në konkursin për diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku fitoi, duket jo krejt me meritë. Kjo kuptohet dhe nga fakti se nuk parapëlqeu që t’ i hynte karrierës diplomatike, ashtu siç bëri miku i tij Filippo Anfuso, i cili mori pjesë dhe fitoi gjithashtu. Anfuso më pas do të bëhej shefi i kabinetit të Cianos, në kohën që ky do të ishte ministër i Punëve të Jashtme. Ciano do të hynte në diplomaci vetëm pesë vite më vonë, në 1930, kur u martua me vajzën e Mussolinit.
      Ciano, duke përfituar nga pushteti i të atit mundi që të përmbushte vanitetet e tij intelektuale në fusha ku nuk kishte talent, si kritika e artit. Gjatë kohës që ishte student ai punoi si gazetar, duke provuar të bëjë kritikun e artit për dramat që viheshin në skenë në teatër, por në fakt ajo çka e shtynte të merrej me këtë punë ishte se kështu kishte influencë në rrethet e aktorëve të teatrit ku e tërhiqnin femrat e bukura. Martesa e tij me vajzën e Mussolinit, ishte për të një lloj zhvillimi i natyrshëm i atij që tashmë mund të quhej si procesi ku fati e kishte kanalizuar jetën e tij, duke i bërë dhurata të njëpasnjëshme, pikërisht në kohën kur ai ishte në gjendje që t’ i shfrytëzonte më së miri. Nuk mund të kuptohet Ciano pa e parë nga pikëpamja e pasionit të tij për teatrin, ku e quante veten ekspert, çka për të ishte mënyra për të mbushur vakuumin intelektual që përbënte mangësinë e personalitetit të tij, përveçse për të kënaqur shijet e tij hedonike. Ciano thellë-thellë në vetvete e shikonte fatin si një regjisor i cili i bënte të papritura të këndshme duke i ofruar që të bënte role teatrore në jetë. Në fillim rolin e aristokratit, pastaj një rol të shpeshtë në teatrin italian, atë të aristokratit të ri i cili fiton favoret e Princit sundues të një shteti, duke u martuar me vajzën e tij, çka i hapte dhëndrrit të Princit perspektivën për role të reja, ku fitonte pasuri dhe pushtet.
      Pavarësisht se Mussolini e shpërbleu Cianon me postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, ai nuk e merrte seriozisht mendimet e dhëndrrit në politikën e jashtme dhe Ciano ishte më tepër auditori i privilegjuar i Mussolinit, se bashkëpunëtor i tij në politikën e jashtme. Ekziston vetëm një çështje ku Ciano është konsistent dhe koherent në shprehjen e pikëpamjes së tij, dhe ku arriti që praktikisht t’ ia imponojë Mussolinit atë, dhe kjo është çështja e pushtimit të Shqipërisë. Mund të thuhet se Shqipëria ishte feudi që Mussolini i dha dhëndrrit si pajë, sipas traditës së princëve mesjetarë, dhe që, siç kishte ndodhur jo rrallë në raste të tilla, i solli fatkeqësi madhore Mussolinit. Karriera e Cianos është tregues simptomatik i degradimit të Mussolinit në ato tradita të këqija italiane të cilat ai i kishte përçmuar dhe kishte premtuar që t’ u jepte fund kur të vinte në pushtet. Një nga këto tradita ishte ajo e princit që qeveris me anë të njerëzve të familjes së tij, e cila ishte projektuar në hierarkinë e shtetit italian. Në fillim Mussolini i mbajti Cianon dhe Edda-n larg Italisë duke e dërguar dhëndërrin për pesë vite në poste diplomatike në Brazil dhe në Kinë. Në vitin 1932, ai u bë ministër në Kinë, në moshën 29 vjeç, duke u bërë diplomati më i ri në një rang të tillë të lartë, në historinë e shtetit italian. Fakti që Kina në atë kohë ishte qendra e konfliktit më të madh ndërkombëtar, pasiqë Japonia kishte pushtuar Mançurinë një vit më parë, bënte që emërimi i këtij njeriu pa përvojë në diplomaci, të shihej gjerësisht në kancelaritë e botës, si shenjë e joseriozitetit të politikës së jashtme të Mussolinit. Një vit më pas, Mussolini e riktheu në Romë, duke e bërë shef të Zyrës së Shtypit pranë Qeverisë, çka në regjimin totalitar mussolinian do të thoshte praktikisht posti i shefit të propagandës së regjimit. Në 1935 Ciano u bë Ministër i Kulturës Popullore dhe anëtar i Këshillit të Madh Fashist- ky post i fundit e çonte drejt e në elitën më të ngushtë të regjimit. Një vit më pas Ciano u bë Ministër i Punëve të Jashtme, në moshën 33 vjeç.
      Të gjitha këto poste të larta shtetërore të arritura në moshë shumë të re, Ciano nuk i shikonte si një rast për të treguar aftësitë e tij, por si një shans për të kënaqur shijet e tij hedonike për jetën, në shkallën më të lartë të mundshme dhe në një skenë të madhe. Ai krijoi oborrin e vet, si një princ i Rilindjes, dhe atje shpërndante favoret në rrethin e miqve të tij, për të kënaqur vanitetin e vet. Si një njeri vanitoz, me një pasion për teatrin, dhe që kishte lexuar shumë pak histori dhe politikologji, ai mendonte se arritja e suksesit dhe përmbushja e detyrave të tij, në postet e larta që mori, qëndronte në performancën teatrale, e cila për të zëvendësonte realitetin. Ciano e shikonte veten në postin e ministrit të Punëve të Jashtme si në një rol teatror. Joseph Kennedy, babai i Presidentit të ardhshëm John Kennedy, i cili e njohu kur ishte diplomat, e kuptoi mirë thelbin e natyrës së Cianos, kur e përcaktoi si një: “pompous ass”.[xvi]
       Në këtë post Ciano, për shkak të natyrës së tij vanitoze, kishte ambicje të mëdha, donte që të bënte bujë në skenën ndërkombëtare, por këtë satisfaksion e priste në trajtën e dhuratave nga fati, siç i kishte ndodhur deri më atëherë. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ai nuk kishte asnjë bindje, asnjë ide, përveç asaj që Italia duhej të ruhej nga rreziqet e tepruara, të cilat mund të sillnin rënien e regjimit fashist, e me këtë edhe të yllit të fatit të Cianos. Epigramin e tij e bën saktë biografi i tij, Ray Mossely, i cili shkruan:
      Në thelb ai ishte apolitik dhe karrierist, një njeri pa bindje të përcaktuara ose një busull morale, i bindur vetëm në fatin e vet dhe që më në fund u shkatërrua nga kjo bindje.[xvii]
      Por karriera marramendëse bëri që t’ i krijohen iluzione për madhështinë e vet intelektuale, të cilat i shfrytëzuan njerëzit që e përdorën në dobi të agjendave ndërkombëtare për të cilat Cianos as që ia merrte mendja se ekzistonin.


[i] Bernd J. Fischer, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabiliteti në Shqipëri”, Botimet “Cabej MCM”, Tiranë 1996, f. 279
[ii]po aty: f. 279
[iii]Count Galeazzo Ciano, “Diplomatic Papers”, London 1948, Odhams press, p. 103
[iv] Galeazzo Ciano: “Diary: 1937-1943”, “Enigma books”, Neë York 2002, p. 2
[v]Count Galeaazo Ciano “Diary: 1937-1938”, London1952, Methuen, p. 107
[vi]po aty: p. 107
[vii] po aty: p. 107
[viii]Count Galeazzo Ciano, “Diplomatic Papers”, London 1948, Odhams press, p. 203
[ix]po aty: p. 204
[x]po aty: p. 203
[xi]Po aty: p. 203-204
[xii]Count Galeazo Ciano “Diary: 1937-1938”, London1952, Methuen, p. 114
[xiii] po aty: p. 177
[xiv] po aty: f. 203
[xv] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 24
[xvi] Ray Mosseley, “Mussolini Shadow’ s: The double life of Count Ciano”, Yale University Press, 2000, p. 4
[xvii]po aty: p. 4