Në Idus Martiae (Idet e Marsit[i]) të vitit 1939, pra në 15 mars, në Romë u përsërit një version i ngjarjes së Idus Martiae të vitit 44 para Kr., kur Julius Caesari u vra nga Brutusi dhe konspiratorët e tjerë. Në Idet e Marsit 1939, në Romë kishte përsëri një konspiracion ndaj “Caesarit”-Mussolin, ku rolin kryesor e kishte “Brutusi”- Ciano, dhëndrri i tij. Këtë herë nuk ishte fjala për ta vrarë “Caesar”-in por për ta bërë që të ndërmerrte një luftë, të cilën ai nuk e dëshironte, dhe që më pas do të dilte të ishte origjina e zinxhirit të ngjarjeve të këqija që sollën katastrofën e Mussolinit. Galeazzo Ciano shkruan në ditarin e vet, në 15 mars 1939:
Ngjarjet janë precipituar gjatë natës. Pas një takimi Hitler-Hacha-Chvalkovsky[ii] trupat gjermane filluan pushtimin e Bohemisë. Kjo është një gjë serioze. Është e kotë që të mohohet se e gjithë kjo që po ndodh shqetëson dhe poshtëron popullin italian. Është e nevojshme që t’ i japim atij një satisfaksion dhe një kompensim: Shqipërinë.[iii]
Ciano nuk e shpjegon se si kishte arritur në përfundimin se populli italian kishte një reagim të tillë ndaj invazionit gjerman të Bohemisë dhe Moravisë (pjesa çeke e Çekosllovakisë). Është e vërtetë se Italia, si fuqia e madhe nismëtare e Konferencës së Munich-ut, dhe praktikisht ndërmjetëse në konfliktin mes Gjermanisë nga njëra anë, dhe Britanisë së Madhe e Francës në anën tjetër, kishte të drejtë që të ndjehej e poshtëruar. Gjermania, me të cilën Italia kishte edhe një marrëveshje, që zyrtarisht quhej “protokoll”, por që Mussolini e kishte emërtuar me një fjalë pompoze “Boshti Romë-Berlin”, fjalë e cila do të bëhej fatale, e kishte pushtuar Boheminë pa e vënë fare në dijeni partnerin e “Boshtit”. Është e vërtetë se, sipas traditës gjeopolitike, një fuqi e madhe në këto raste kërkon kompensim. Por nuk kishte asnjë tregues se italianët kërkonin Shqipërinë si kompensim, dhe italiani i parë që nuk mendonte kështu ishte vetë Mussolini, i cili, siç do ta tregoj më tutje, madje pohonte se italianët qenë kundër pushtimit të Shqipërisë. Pikërisht një ditë më parë, në 14 mars, ministri italian në Tiranë, Francesco Jacomoni, bashkëpunëtori më i afërt i Cianos në planet italiane ndaj Shqipërisë, e kishte takuar këtë të fundit në Romë, takim për të cilin shkruan:
E gjeta Cianon me fjalë paksa më të mira kundrejt Zogut. Siç e kishte parashikuar De Pepo para një viti, lajmet e marrëveshjeve, të përfunduara për çështjet ekonomike, e kishin zbutur shpirtin e Cianos që dukej i gatshëm për të rregulluar edhe problemin politik, përmes marrëveshjesh.[iv]
Ciano, Brutusi i Mussolinit, prej dy vitesh kërkonte me të madhe pushtimin e Shqipërisë. Arsyeja për të cilën ai duket se ka ndryshuar paksa mendim në takimin me Jacomonin, në 14 mars, është frenimi që i kishte bërë Mussolini pak kohë më parë për çështjen shqiptare. Ciano shkruan në ditarin e vet në 3 mars:
Sa i përket Shqipërisë, Duçe miraton që të lihet mënjanë, por ai e ka ndarë mendjen që të veprojë posaqë të zgjidhet çështja spanjolle dhe të përfundohet aleanca.[v]
Invazioni i Bohemisë nga ana e Gjermanisë, bëri që Ciano t’ i rikthehej idesë së tij fikse për pushtimin e Shqipërisë. Pikërisht në 15 mars 1939, Ciano shkruan në ditar se fill pasiqë mësoi për pushtimin e Bohemisë, përfitoi nga rasti për t’ i folur për temën e tij të parapëlqyer gjatë dy viteve të fundit:
Unë fola për këtë me Duçen, të cilit i shpreha bindjen time se në këtë kohë ne nuk do të ndeshim as në pengesa lokale, as në ndërlikime serioze ndërkombëtare, në marshimin tonë në Shqipëri.[vi]
Ajo çka kishte ndërmend Ciano, siç do ta citoj më tutje, ishte një aksion në stilin blitz të Hitlerit, i cili kishte përfunduar punë brenda 24 orësh me Bohemi-Moravinë, që prej ultimatumit ndaj Presidentit Hacha në 14 mars, dhe deri në hyrjen e trupave gjermane në Pragë të nesërmen. Këtu filloi një seri keqkuptimesh mes Cianos dhe Mussolinit, ashtu që Ciano mendoi se Mussolini kishte pranuar idenë e tij për një aksion blitz të llojit hitlerian ndaj Shqipërisë. Ciano shkruan në ditar, po në 15 mars, për vazhdimin e bisedës me Mussolinin:
Ai më autorizoi mua që t’ i telefonoj Jacomon-it, dhe t’ i kërkoj që të përgatisë revoltat lokale. Përveç kësaj, Duçe personalisht urdhëroi flotën detare që të mbajë një skuadër të dytë gati në Taranto .[vii]
Kur Mussolini e autorizoi Cianon që të bisedojë me ministrin italian në Tiranë, Francesco Jacomoni, për fillimin e aksionit në Shqipëri, duket se Mussolini kishte parasysh planin e hartuar tetorin e kaluar prej Cianos dhe Jacomonit dhe të miratuar nga Mussolini, për të cilin Ciano shkruante në ditarin e tij në 27 tetor 1938:
Bisedë me Jacomonin. Përgatitjet tona në Shqipëri janë duke ecur shpejt përpara, aq shpejt sa ne duhet që të afrojmë afatet e agjendës sonë, për shkak se alarmi mund të ketë arritur në rrethet e Mbretit. Operacioni është duke u formësuar qartë: Vrasja e Mbretit (duket se Koçi do ta marrë përsipër këtë për një shpërblim prej dhjetë milion lirash), trazira në rrugë, zbritje nga malet e bandave të cilave ne iu besojmë (praktikisht krejt shefat përveç atij të fisit të Kmia-s), thirrje Italisë për të ndërhyrë politikisht dhe nëse është e nevojshme edhe ushtarakisht, ofrimi i fronit për Mbretin Imperor (Vittorio Emanuele III- K.M.), e pak më vonë aneksimi. Jacomoni garanton se e gjithë kjo mund të ndodhë pa shqetësim, nëse njoftohet para një muaji.[viii]
I vetmi ndryshim në këtë plan është se në shkurt, Mbreti Zog kishte arritur që të mësonte se Jak Koçi, një prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt dhe të vjetër, po përgatiste një atentat ndaj tij, për llogari të Italisë, dhe e kishte urdhëruar që të largohej nga Shqipëria brenda 24 orësh. Por, në tërësi, plani mbetej në fuqi. Është sa habitëse aq edhe intriguese, që Ciano, i lejon vetes-i vetmi rast në ditarin e tij-luksin e dyshimtë intelektual dhe politik që të pohojë se ai kishte qenë ideatori dhe ndër zbatuesit kryesorë, jo thjesht të pushtimit të Shqipërisë, por edhe të një plani në stilin më të keq gangsterial, për të legjitimuar dhe lehtësuar pushtimin. Plani i 27 tetorit 1938 parashikonte se Jacomoni do të njoftohej një muaj para fillimit të zbatimit të tij, çka do të thoshte se plani supozohej që të fillonte të zbatohej në 15 prill 1939. Duke llogaritur edhe kohën që duhej për zbatimin e planit, Mussolini kishte të drejtë që të mendonte se vendimin përfundimtar për pushtimin e Shqipërisë nuk do t’ i duhej që ta merrte para majit, pikërisht koha që ai kishte përcaktuar vitin e kaluar për aksionin në Shqipëri, pas insistimit të pareshtur të dhëndrrit të tij mbi këtë temë. Por tashmë ka ndryshuar diçka thelbësore në në planin për Shqipërinë të dyshes Ciano-Jacomoni. Ciano ngutet aq shumë saqë provon të flasë me Jacomonin gjatë kohës që ai është duke udhëtuar për në Shqipëri, pikërisht në 15 mars:
Unë munda që të flas në telefon me Jacomon-in, i cili ishte rrugës për në selinë tonë diplomatike atje. Ai më tha se nesër do të na telegrafojë ne mbi atë se çka mendon që të bëhet. Ai parashikon dorëzimin e një ultimatumi për Mbretin, i cili do të gjendet në rrethanën kur ai, ose do të pranojë ardhjen e trupave italiane në vend, dhe do të bëjë kërkesë për protektorat, ose trupat do të arrijnë gjithsesi.[ix]
Këtu është për t’ u habitur se nga i erdhi Jacomonit ideja se duhej paraqitur një ultimatum dhe se nëse refuzohej ai nga Mbreti Zog, atëherë duhej vënë në lëvizje ushtria për të kryer pushtimin. Jacomoni ishte në dijeni për planin e tetorit i cili ishte ende në fuqi. Tash Jacomoni, befasisht po paraqiste një plan krejt të ri shumë më të përparuar dhe të thjeshtuar! Nga ato që thotë Ciano dihet se Mussolini nuk kishte thënë kurrgjë për një plan të tillë. Dhe Ciano çuditërisht nuk habitet nga kjo gjë! Në një shtet diktatorial, një ambasador si Jacomoni, nuk mund t’ i lejonte vetes një liri të tillë, në rast se nuk kishte mbështetjen dhe inkurajimin e një njeriu pranë diktatorit, dhe ky njeri ishte Ciano. Jacomoni, i cili në atë kohë ishte duke udhëtuar me tren, për në Bari , ku do të merrte anijen për në Durrës, shkruan:
Gjatë udhës së kthimit, pikërisht në stacionin e Foxhias, mora, më 15 mars, një komunikim telefonik nga Ciano. Më tha se në fushën ndërkombëtare kishte ndodhur diçka që nuk mund të ma thoshte në telefon, por që- për këtë shkak- duheshin përshpejtuar hapat për me përcaktue marrëdhëniet tona me Shqipërinë. Iu përgjigja se do t’ i telefonoja menjëherë, pasi të takohesha me mbretin. Këtu u vura në dijeni të lajmeve se trupat gjermane kishin filluar, gjatë natës, pushtimin e Bohemisë dhe e kuptova menjëherë atë shkakun e telefonatës. Tani u paraqit një shtysë e re për veprimin me forcë ndaj Shqipërisë.[x]
Në episodin e mësipërm që rrëfen Jacomoni, shfaqet ai aspekt i personalitetit të Cianos, për të cilin ishte bërë anekdotik në diplomacinë ndërkombëtare. Ciano këtu sillet sipas stilit të Pulcinelës në ruajtjen e sekreteve, ashtu që, duke dyshuar se telefonata mund të përgjohet nga zbulimet e huaja, britanikët dhe francezët para së gjithash, ruan “sekretin e Pulcinelës” të pushtimit të Bohemisë, të cilin në atë moment e dinin të gjithë ata të cilët ishin në gjendje të interceptonin këtë telefonatë, dhe praktikisht zbulon atë çka ishte vërtet sekret, pra që me këtë rast Italia kishte vendosur që të pushtonte Shqipërinë!
Jacomoni, i cili thotë se ende nuk ka mësuar për aksionin gjerman në Bohemi, megjithatë i propozon shefit të vet befasisht, pikërisht një aksion në stilin blitz të atij të Hitlerit në Bohemi?! Jacomoni, i cili në librin e tij për Shqipërinë polemizon me Ditarin e Cianos në disa raste[xi], hesht megjithatë kur Ciano e krediton me nderin e dyshimtë se ishte personi i cili propozoi që çështja shqiptare të zgjidhej me një aksion të stilit blitz hitlerian, si ai në Bohemi. Të krijohet përshtypja se Jacomoni, ndonëse tregohet shumë i kujdesshëm dhe e shfajëson veten për shumë çështje të tjera para dhe pas pushtimit të Shqipërisë, kur ai praktikisht ishte guvernatori italian i Shqipërisë, në rastin e idesë fillestare për invadimin e pranon atë që i atribuohet atij, a thua se kërkon që të mburret para ndokujt, edhe në vitin 1965, kur ai botoi librin. Me sa duket, Jacomoni, duke reflektuar me kalimin e viteve mbi atë që kishte ndodhur në 1939, kishte arritur që të perceptonte në retrospektivë forcat ndërkombëtare të cilat qëndronin pas invazionit të Shqipërisë, dhe që e kishin përdorur edhe atë vetë, pa e kuptuar, në kohën që ai përpiqej të thoshte gjërat që e dinte se i pëlqenin Cianos. Ajo çka donte Ciano ishte që t’ ia paraqiste Mussolinit idenë e një aksioni në Shqipëri, në stilin blitz të aksionit gjerman në Bohemi, si një propozim të dikujt tjetër që e njihte mirë Shqipërinë, dhe njeriu më i përshtatshëm për këtë gjë ishte Jacomoni. Këtu përjashtohet që Ciano dhe Jacomoni të kenë pasur një takim mes tyre, para nisjes së Jacomonit nga Roma, pasiqë ishte mësuar për aksionin gjerman në Bohemi. Derisa Jacomoni, i cili udhëtonte me tren, kishte arritur në mesditë në Foggia, në Italinë jugore, kjo do të thotë se ai ishte nisur që në mëngjes nga Roma. Rruga hekurudhore nga Roma në Foggia përshkonte një trajektore të gjatë, në një kënd thuajse të drejtë, nëpër territorin e thyer të Italisë qendrore dhe jugore, duke kaluar nga Roma, në Pescara, në lindje, në bregdetin adriatikas, dhe vazhdonte përgjatë këtij, deri në Foggia, në jug. Gjithashtu përjashtohet që Ciano dhe Jacomoni të kenë biseduar më hollësisht në telefon për këtë çështje, kur Jacomoni ndaloi në Foggia, se të dy e dinin që telefonatat përgjoheshin nga OVRA, policia sekrete personale e Mussolinit, e cila do ta vinte në dijeni atë për bisedën. Nëse mes Cianos dhe Jacomonit nuk ka pasur një marrëdhënie telepatike, atëherë ka qenë një i tretë, një qendër misterioze, e cila ka bërë kordinatorin mes tyre.
Ciano dhe Jacomoni praktikisht ishin pajtuar që të kryenin punë me Shqipërinë brenda 24 orësh, sipas shembullit të Hitlerit me Boheminë, ku Presidentit Hacha iu paraqit një ultimatum në 14 mars, ku i kërkohej që të pranonte pushtimin gjerman, i cili u krye të nesërmen. Pikërisht kjo ishte ajo çka kërkonte Ciano i cili është shumë aktiv në ditën e 15 marsit që duket se nuk do të mbarojë kurrë. Tashmë Ciano mund t’ ia paraqiste Mussolinit, si një sugjerim të Jacomonit, idenë e ultimatumit, të cilën Ciano në fakt e kishte në mendje prej kohësh, çka kuptohet nga vetë dëshmia e tij në ditar, në muajt e kaluar. Ciano shkruan në ditar se në të njëjtën ditë të 15 marsit, kur pas bisedës me Jacomonin, pati përsëri një takim me Mussolinin për çështjen shqiptare:
Unë fola përsëri me Duçen, i cili m’ u duk më pak i qetë sa i përket operacionit.[xii]
Mussolini tashmë është njohur nga Ciano me “propozimin” e Jacomonit që ndaj Mbretit Zog të veprohet ashtu siç veproi Hitleri në 14-15 mars ndaj Presidentit të Çekosllovakisë, Hacha. Kjo nuk ishte ajo çka kishte në mendje Mussolini. Një zë i brendshëm duket se i thoshte Mussolinit që të ruhej nga vendimet e nxituara në Idet e Marsit. Përndryshe, ai që do të bëhej “Brutusi” i tij, Konti Ciano e nxiste që të rrezikonte. Mussolini, katër vjet më pas, kur e shkarkoi Cianon nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme, do të kërkonte që ta ndëshkonte në mënyrën e tij, siç do të të rrëfej më tutje, për atë që e kishte nxitur që të pushtonte Shqipërinë, një ngjarje kjo, tek e cila tashmë Mussolini dukej se shikonte në retrospektivë pikënisjen e një zinxhiri ngjarjesh të cilat bënë që Lufta e Dytë Botërore të shkonte keq për Italinë.
Mussolini do të mendohej shumë në atë ditë dhe natë të gjatë të 15 marsit, mbi kërkesën e dhëndrrit të vet për pushtimin e Shqipërisë. Mussolini e kuptonte se nëse bëhej fjalë për një pushtim italian të Shqipërisë, ishte pikërisht koha, tash që Hitleri kishte pushtuar Boheminë. Mussolini ishte i vetëdijshëm pushtimi i Shqipërisë nga Italia, do të shqetësonte shumë fqinjët e Italisë, Jugosllavinë dhe Greqinë, si dhe dhe Britaninë e Madhe dhe Francën, të cilat ishin të lidhura në mënyrë formale dhe joformale me këto vende. Kjo për faktin se pushtimi i Shqipërisë do të thoshtë që ajo të shndërrohej në një bazë për invazione të reja në Ballkan. Për më tepër një pushtim blitz i Shqipërisë, në stilin e Hitlerit në Bohemi, do të ishte shumëfish më mbresëlënës dhe më shqetësues se një pushtim i butë, i zgjatur në kohë. Derisa Mussolini e admironte Hitlerin për aksionet e tij blitz, nuk guxonte që ta imitonte. Mussolini duket se u druhej ndërlikimeve që mund të sillte një aksion blitz italian, në Shqipëri, në stilin gjerman në Bohemi, fill pasiqë Hitleri kishte shkelur vendimet e Konferencës së Munihut, duke pushtuar Boheminë. Mussolini, sa u befasua, aq edhe e ndjeu rrezikun kah i cili ishte duke rrëshqitur, kur në 15 mars 1939 mësoi se Gjermania kishte pushtuar Boheminë dhe Moravinë, territorin, për të cilin katër fuqitë e mëdha pjesëmarrëse në Konferencën e Munihut, ndër të cilat edhe Italia, kishin dhënë garanci siguruese, më pak se gjashtë muaj më parë. Mussolini e dinte se preokupimi kryesor i Britanisë së Madhe dhe Francës ishte shmangia e luftës në Europë. Nëse demokracitë ia kishin toleruar tekefundit Mussolinit një luftë në Afrikë, ai druhej se ato do të kishin një tjetër qëndrim ndaj një lufte në Europë. Mussolini e kuptonte se pushtimi italian i Shqipërisë do të perceptohej edhe si një agresion i tërthortë ndaj fqinjëve të Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, çka tekefundit do të thoshte një agresion i tërthortë ndaj Francës, e cila ishte aleate e Jugosllavisë, si dhe ndaj Britanisë së Madhe, e cila kishte lidhje të ngushta me Greqinë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia do të përceptohej nga të dy vendet fqinje, Jugosllavia dhe Greqia, si përmbushje e rrethimit të tyre nga Boshti dhe vendet e afërta me të.
Jugosllavia, e cila kishte një kufi tokësor të trazuar me Italinë, ndjehej tashmë gjysmë e rrethuar nga dalja befasisht, si fqinj i saj, i Reich të Tretë, me aneksimin e Austrisë nga Gjermania, e cila iu bashkohej kështu fqinjëve armiqësorë, Hungarisë në veri, Bullgarisë në juglindje, dhe Italisë në veriperëndim e përgjatë Adriatikut. Dalja si vend fqinj e Italisë edhe në jug përgjatë kufirit jugosllav me Shqipërinë, si dhe kontrolli prej Italisë i Otrantos, të vetmit rrugëkalim detar të drejtpërdrejtë të Jugosllavisë, e bënte të plotë ndjenjën e rrethimit, për Jugosllavinë. Aq më tepër që edhe rrugëkalimi të mbetur detar i Jugosllavisë, atij të tërthortë, në Egje, nëpërmjet Selanikut, kontrollohej nga Italia, e cila zotëronte Dymbëdhjetë Ishujt (Dodekanezi). Njëjtë, edhe Greqia, do të ndjehej e rrethuar nga një Itali të cilën e kishte fqinje në Shqipëri dhe në Egje, si dhe nga Bullgaria, e cila nuk e fshihte simpatinë për Boshtin, për shkak të rivendikimeve territoriale që kishte ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë. Pavarësisht se cili do të ishte reagimi i atypëratyshëm i vendeve ballkanase, fqinje të Shqipërisë, si dhe i Parisit dhe Londonit, në Ballkan do të binte hija e luftës, një lufte për të cilën Italia nuk dukej që të ishte e përgatitur. Siç do të tregoj më tutje, Mussolini i trembej veçanërisht reagimit të Jugosllavisë. Gjithashtu, Mussolini e ndjente se pushtimi i Shqipërisë do të kishte koston e humbjes prej tij të pozitës së arbitrit të Europës, të ndërmjetësit mes demokracive dhe Hitlerit. Demokracitë mund të vazhdonin ta joshnin Mussolinin edhe pas pushtimit të Shqipërisë, por ai nuk do të ishte më arbitri i Europës, siç kishte qenë në Munih pak muaj më pare, dhe siç pretendonte që të ishte ende. Prandaj Mussolini donte që të arrinte një pushtim të butë. Derisa Mussolini qartësisht nguron se bluan në mendje të gjitha këto mendime, Ciano ka vetëm një frikë, se mos Mussolini mund të ndryshojë mendje, ashtu siç ka bërë disa herë gjatë dy viteve të fundit, qëkurse Ciano i ka propozuar pushtimin e Shqipërisë. Në të njëjtën ditë të 15 marsit, Ciano shkruan në ditar:
Duçe vazhdon që të flasë për Shqipërinë, por ai ende nuk ka arritur në një vendim. Do dyshime të cilat ai ende nuk m’ i ka zbuluar mua, trazojnë mendjen e tij. Ai ishte i qetë, si gjithëherë kur situata është e rëndë, por ai ende nuk ka reaguar në mënyrën në të cilën unë pres që të reagojë. Ai më kërkoi që të kthehem përsëri për ta takuar gjatë mbrëmjes.[xiii]
Kjo ditë e 15 marsit 1939 është dita më enigmatike në marrëdhëniet Ciano-Mussolini. Në këtë ditë Ciano e vrojton vjehrrin-diktator si një psikoanalist që vrojton sjelljen e klientit të vet. Nuk mund të mos të të krijohet përshtypja se Ciano ka dhënë diku një premtim se do të influencojë që Italia të pushtojë Shqipërinë sa më shpejt që të jetë e mundur. Natyrisht që Ciano këtë premtim nuk e ka dhënë në Berlin , se ai është kundër aleancës me Gjermaninë. Në Berlin të gjithë e urrejnë Cianon. Hitleri e quan “ai farë djali i neveritshëm”[xiv]. 15 marsi 1939 është me siguri e para ditë në të cilën Mussolini ndjehet ngushtë përballë dhëndrrit të vet. Mussolini pretendonte se ishte duke ringjallur Imperinë Romane dhe se shpirti i Romës së Vjetër ishte ringjallur me Fashizmin. Për Mussolinin, periudha mes Romës së Octavian Augustus dhe ditës së ardhjes së Fashizmit në pushtet, nuk ishte gjë tjetër veçse periudha e dekadencës për Italinë. Por në këtë ditë të 15 marsit, ditën e Ideve të Marsit, festës belike romane, shpirti luftarak i romanit të vjetër, paradoksisht dukej sikur gjendej tek Ciano jo tek Mussolini, çka ishte krejt e panatyrshme. Mussolinin kjo gjë e bënte nervoz. Atë ditë të 15 marsit, Ciano do ta përndiqte Mussolinin si një roman i vjetër që përndjek italianin e zvetënuar. Në të njëjtën ditë të 15 marsit, Ciano shkruan në ditar:
Unë e pashë përsëri Duçen në pasditen e vonë, Ai llogarit reagimin kundërshtues të popullit italian, por pohon se ia vlen që t’ i jepet përgjigjia e duhur lojës gjermane e të shmanget që të bëhemi “A Dio spiacenti ed ai nemici sui”. Ai përmend përsëri mundësinë e goditjes në Shqipëri, por është ende dyshues. Sipas mendimit të tij, pushtimi i Shqipërisë, nuk mund të kundërbalancojë në sytë e opinionit publik botëror, përfshirjen në Reich të një prej territoreve më të pasur të botës, çka është Bohemia . Për më tepër, Duçe, në takimin me Admiral Cavagnari-n, të cilin e priti para meje, bëri vetëm pyetje të përgjithshme mbi mundësinë e zbarkimit, por nuk dha kurrfarë udhëzimesh konkrete. Shumë keq! Unë jam i bindur se vajtja jonë në Shqipëri do të kishte ngritur moralin e vendit (Italisë- K.M.) dhe do të kishte qenë një përfundim efektiv i politikës së Boshtit, pas së cilës ai do të mund të kishte rishqyrtuar politikën tonë ndaj Gjermanisë, hegjemonia e së cilës fillon të jetë shqetësuese.[xv]
Ciano është shumë i zhgënjyer dhe nuk e fsheh zhgënjimin. Qartësisht ai ka pritur që Mussolini, në pasditen e 15 marsit, të urdhëronte flotën ushtarake detare që të ishte gati për një zbarkim në Shqipëri, brenda 48 orësh, nëse Mbreti Zog do të refuzonte ultimatumin me afat njëzetekatër orësh, për të cilin Ciano llogariste se do t’ i paraqitej Tiranës nga ana e Romës, të nesërmen. Pra, Ciano, në pasditen e 15 marsit 1939 priste që Italia ta pushtonte Shqipërinë në 17 mars! Me sa duket, Ciano e donte pushtimin e Shqipërisë si dhuratë për ditëlindjen e tij, të cilën e kishte në 18 mars!
[i] Në kalendarin e Romës së Vjetër, Idet e Marsit qenë një ditë në çdo muaj, e cila i ishte kushtuar zotit të luftës, Mars. Në këtë ditë bëheshin celebrime për nder të këtij hyu, si parada ushtarake, lojëra ushtarake, etj. Në muajin mars, Idet e Marsit ishin në datën 15.
[ii] Emile Hacha ishte President i Çekosllovakisë pas dorëheqjes së Benes, në tetor 1938. Hacha u takua me Hitlerin në Berlin në 14 mars 1939, ku, pas ultimatumit gjerman, pranoi pushtimin e pjesës çeke të Çekosllovakisë, e cila në ndërkohë ishte shpërbërë pas shpalljes së pavarësisë nga Sllovakia disa ditë më parë.pas ultimatumit gjerman. Chvalkovsky ishte ministri i Punëve të Jashtme i Çekosllovakisë, në mars 1939.
[iii] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 44
Në këtë libër unë e citoj ditarin e Cianos nga botime të ndryshme në anglisht. Në çdo rast është shënuar me saktësi se nga cili botim janë bërë citimet.
[iv]Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 87
[v]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 38-39
[vi] po aty: p. 44
[vii]po aty: p. 44
[viii] Count Galeaazo Ciano “Diary: 1937-1938”, London 1952, Methuen , p. 184-185
[ix] Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 44-45
[x] Francesco Jacomoni, “Politika e Italisë në Shqipëri”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 87
[xi] Botimet e ditarit të Cianos, në të gjitha gjuhët, që prej vitit 1953, përmbajnë këtë sqarim të Jacomonit, që u vendos për herë të parë në edicionin “Capelli” të vitit 1953, ku ai përgënjeshtroi ato që thotë Ciano se kishte një plan për vrasjen e Zogut, për ta ideimin dhe zbatimin e të cilit bashkëpunoi edhe Jacomoni:
Sa i përket deklaratave që bëhen në këtë libër, në këtë faqe dhe në faqet e tjera, mbi idenë e vrasjes së Mbretit Zog, Ambasador Jacomoni i cili lexoi disa pjesë të Ditarit të botuara në gazeta, dërgoi një mesazh ku ai dëshiron që të vërejë:
“që prej gjyqit të mbajtur në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë mbi politikën e jashtme të regjimit, doli qartë se idea e eliminimit të dhunshëm të Mbretit Zog, e kundërshtuar nga vetë Jacomoni, u braktis saora, se jo vetëm që Ciano nuk e konsideroi më atë, por sa i përket Monarkut, politika ndaj tij ka qenë deri në fund që të kërkohej të arriheshin marrëveshje të reja e të përmirësuara, me respekt absolute ndaj personit të tij, i cili u mbrojt deri në momentin që kapërceu kufirin shqiptar.(Count Galeazzo Ciano, Diary 1937-1943, Phoenix Press, London 2002, p. 600)
Por, në ditarin e Cianos nuk del që Jacomoni ta ketë kundërshtuar idenë e vrasjes së Mbretit Zog. Ciano nuk kishte përse të mos e shënonte këtë gjë, nëse do të kishte ndodhur, se ai ishte shumë i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me Shqipërinë në atë periudhë, dhe, pas Mussolinit, Jacomoni ishte njeriu të cilit Ciano i kushtonte më shumë vëmendje, pasiqë Jacomoni ishte njeriu që do të zbatonte në Shqipëri planin italian të veprimit.
[xii]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 45
[xiii]po aty: f. 45
[xiv]Denis Mack Smith, “Mussolini’ s Roman Empire”, London and New York , 1975, Longman, p. 141
[xv]Count Galeazzo Ciano, “Diary: 1939-1943”, London 1947, Heinemann, p. 45





