Përderisa, kur u invadua Shqipëria në 7 prill 1939, nuk nisi lufta botërore- kjo luftë do të niste vetëm pesë muaj më vonë, kur të invadohej Polonia- pushtimi i Shqipërisë shihet si një ngjarje anësore në historiografinë ndërkombëtare të Luftës së Dytë Botërore. Derisa invadimi gjerman i Polonisë në shtator 1939 është një ngjarje e studiuar thellësisht nga historiografia botërore, invadimi i Shqipërisë në të njëjtin vit, disa muaj më parë, përmendet vetëm kalimthi. Për Shqipërinë, Lufta e Dytë Botërore nisi në 7 prill 1939, por krismat e 7-8 prillit në Shqipëri, nga pikëpamja strikte e historiografisë ndërkombëtare nuk hyjnë në Luftën e Dytë Botërore. Unë në këtë libër do të provoj se invadimi i Shqipërisë në 7 prill 1939 pati një rëndësi aq të madhe për mënyrën se si u zhvillua Lufta e Dytë Botërore, aq shumë forca globale u angazhuan që invadimi i Shqipërisë të ndodhte, ashtu që të influenconin zhvillimet e ardhshme të luftës globale, saqë praktikisht mund të thuhet se Lufta e Dytë Botërore filloi praktikisht në 7 prill 1939, jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt vendet që u përzien në të.
Prej kohësh kam dashur që të provoj të shkruaj një libër, ku të pres, të veçoj, një segment shumë të shkurtër kohe, një nga ato periudha të historisë së Shqipërisë, kur ngjarjet dendësohen shumë, dhe kur shfaqen më qartë forcat globale duke formësuar fatin e Shqipërisë, në suazën e formësimit të zhvillimeve ndërkombëtare. Përparësia që ke kur veçon një periudhë shumë të shkurtër kohe, siç bën Emil Ludvig në librin e tij “Korrik 1914”, ku përshkruan dhe shqyrton ditët e mbushura me ngjarjet vendimtare që çuan në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, është se mund të kqyrësh më thellësisht, gjerësisht dhe imtësisht ngjarjet e dendësuara historike, si dhe mund të bësh parabola në ngjarje para dhe pas kësaj periudhe, të cilat të ndriçojnë atë që ka ndodhur. Sipas modelit të librit të përmendur të Ludvig janë shkruar shumë libra, për periudha të ngjashme historike, për zhvillimet globale dhe për vende të veçanta. Këta lloj librash i hyjnë sfidës që të ndriçojnë atë që mund të quhet si periudhë dinamike e historisë. Koha e mbushur me ngjarje historike, është e veçantë, e dendur, në periudhat e shkurtra në prag të përfshirjes së një vendi në ngjarje të mëdha botërore, siç janë luftërat e mëdha. Fjalën e kam për atë periudhën e shkurtër, ditët në prag të luftës, kur ngjarjet dendësohen, ngjeshen, shkreptijnë si vetëtima, dhe ndriçojnë ato forca historibërëse, të cilat në një kohë tjetër nuk do të mund t’ i shohim dot aq qartë.
Në këtë libër, unë shqyrtoj periudhën nga 15 marsi në 13 prill 1939, në të cilën u vendos dhe u krye pushtimi i Shqipërisë nga Italia, çka u bë shkak që Shqipëria të përfshihet në Luftën e Dytë Botërore. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, rëndom lidhet me datën e 7 prillit, por 7 prilli është vetëm dita e invazionit të Shqipërisë, e mësymjes dhe e përparimit të trupave invaduese në territorin shqiptar. Pushtimi, u krye në ditët në vazhdim, kur u zunë ato pika të territorit të vendit, që ishte planizuar se duhej që të kapeshin, ashtu që të quhej i kryer pushtimi. Dhe pushtimi u quajt i kryer në 12 prill 1939, kur përfundoi zyrtarisht Operacioni “Oltre Mare Tirana”(Tirana përtej detit), siç e quajti Shtatmadhoria italiane operacionin për pushtimin e Shqipërisë. Këtu nuk duhet të ngatërrohet kryerja, arritja e pushtimit, me kohëzgjatjen e pushtimit. Kur bëhet fjalë për pushtimin e Shqipërisë nga Italia, me këtë quhet periudha nga 7 prill 1939, dita e invazionit, deri në 8 shtator 1943, dita e kapitullimit të Italisë. Por, kryerja e pushtimit është një gjë, dhe kohëzgjatja një gjë tjetër. Shqipëria u invadua[i]nga Italia në 7 prill 1939, u pushtua në 12 prill 1939, dhe pushtimi zgjati deri në 8 shtator 1943.
Ndonëse nuk është shkruar një libër i veçantë për pushtimin e Shqipërisë në 1939, kjo ngjarje ka qenë temë e shumë librave, të cilët megjithatë nuk e kanë kqyrur këtë episod thellësisht, por më tepër në një lloj inercie metodologjike, duke bërë kronologjinë e ngjarjeve, se ky episod ka qenë pjesë e një konteksti më të gjerë të librave në fjalë, tema e të cilave ka qenë ose Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë pushtimit italian, ose biografia e Mbretit Zog. Synimi im në këtë libër është që duke u fokusuar në një periudhë shumë të shkurtër kohe, të gjej enigmat, anët e errta të ngjarjeve dhe fakteve në periudhën vendimtare të zhvillimeve që çuan në pushtimin e Shqipërisë. Unë kam synuar që t’ i shikoj zhvillimet në këtë periudhë në një kontekst sa më të gjerë global, dhe të zbuloj lidhjen mes ngjarjeve në rang global dhe pushtimit të Shqipërisë. Një pjesë të mirë të ngjarjeve, fakteve dhe personave që përmenden në këtë libër si të lidhur me pushtimin e Shqipërisë në 1939, dhe mënyra e shpjegimit të kësaj lidhjeje, pra teza ime, ndoshta do t’ i habisin një pjesë të lexuesve dhe do t’ i lenë skeptikë. Unë në librin tim, duke e hapur rrezen e pikëpamjes sime në një rreth sa më të madh ngjarjesh e faktesh në rang global, me këtë shtroj shumë pyetje, gjej shumë enigma, të cilave bëj përpjekje t’ u jap përgjigje. Pastaj unë në librin tim, gradualisht, duke zbuluar këto ngjarje, fakte, veprime të personave, ndërtoj një tezën time që shpjegon lidhjen e fakteve dhe ngjarjeve, veprimeve të personave, të cilët në pamje të parë duket se nuk kanë asnjë lidhje me pushtimin e Shqipërisë, pikërisht me këtë ngjarje.
Ky libër nuk fokusohet veç tek një periudhë e shkurtër kohe, por fokusohet edhe tek një njeri, Galeazzo Ciano, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë në kohën e pushtimit, dhëndërr i Mussolinit, njeriu i cili ka përgjegjësinë më të madhe për pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939. Libri është, në pjesën më të madhe, një studim i shkaqeve të atij që mund të quhet si obsesioni i Cianos për Shqipërinë, motiveve të tij, i forcave ndërkombëtare të cilat u implikuan në këtë çështje, si dhe i rrjedhës së ngjarjeve nga një pikëpamje e tillë. Konti Ciano do të fitonte famën e “Brutus”-it të Mussolinit- Caesar, me votimin kundër Duçes në mbledhjen e Këshillit të Lartë Fashist, në korrik 1943, që solli rrëzimin e Mussolinit nga pushteti. Por, për Shqipërinë, Ciano do të ishte Cato i Vjetri, i cili e kishte ide fikse shkatërrimin e Kartagjenës. Duke imituar këtë të fundit, Ciano do të përshtaste, për Shqipërinë, thënien “Fiqtë e Kartagjenës”. Në mëngjesin e 7 prillit 1939 Ciano ngjan me Kontin Isvolski, ambasadorin rus në Francë, në 1914, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, të cilin Emil Ludvig e përshkruan kështu, në momentin që asistonte në parlamentin francez, kur bëhej me dije se Franca ishte në gjendje lufte me Gjermaninë:
Vetëm njëri në sallën e madhe është i mallëngjyer me tepër nga gjithë të tjerët mbasi mallëngjimi i tij është shumë i thellë. Është një rus me kokë pashai. Është njeriu që këto ditë ka thënë “Kjo është lufta ime”. Është Isvolski, ambasadori rus në Paris. Ai thirri “dita më e madhe e jetës së tij” dhe i tha ambasadorit të Spanjës. Më mjaftuan katër vjet në këtë vend ku unë tashmë rri, që t’ ia arrij qëllimit tim.[ii]
Gjithsesi, një libër për prillin e 1939, është shumë më tepër një libër për Cianon, se ç’ mund të ishte një libër për korrikun e 1914, libër për Isvolskin. Ky libër në njëfarë mënyre është kushtëzuar nga stili i diplomacisë së Cianos, që përziente zyrën me sallonin aristokrat, Klubin e Golfit Acquasanto në Romë me kafeterinë luksoze “Excelsior”. Duke shkruar këtë libër, vura re se një nga handicapet më të mëdha të historiografisë sonë, është shpërfillja e influencës së salloneve të shoqërisë së lartë perëndimore, në ngjarjet që kanë përcaktuar fatin e Shqipërisë. Kjo shpërfillje është e kuptueshme. Duke mos pasur Shqipëria sallone të tilla, historianët thjesht nuk kanë menduar që të merren me to. Historiani dhe biografi britanik, Paul Johnson, në librin e vet, “Heroes: from Alexander The Great and Julius Caesar to Churchill and De Gaulle”, u ka rezervuar një kapitull pikërisht hostess, zonjave të salloneve të kryeqyteteve europiane, të cilat jepnin pritje ku bëheshin biseda intelektuale, thurreshin intrigat e politikës së lartë vendase dhe ndërkombëtare, duke i quajtur këto zonja heroina të vërteta, stratege të fushëbetejave intelektuale, politike, krijuese të mjedisit ku promovoheshin dhe dhe nxiteshin njerëzit e mëdhenj të politikës, artit, mendimit në përgjithësi. Paul Johnson shkruan:
Femrat kanë pasur pak mundësi për të luajtur role heroike, në vazhdimësi, siç kanë pasur luftëtarët dhe liderët. Disa skuta të posaçme në shoqëri të cilat ato i kanë bërë tendat e tyre për t’ u kqyrur si teatër të heroizmit. E tillë është dhënia e pritjeve (party giving). Unë shoh qerpikët e syve të përplasen: çfarë ka heroike tek dhënia e pritjeve? Unë citoj përgjigjen e dhënë nga njëra prej tyre: provojeni dhe do të shikoni.[iii]
Një sallon i tillë ndërkombëtar në Romë, i një zonje aristokrate me famë, ka pasur një ndikim vendimtar në pushtimin e Shqipërisë në 1939. Romani historik i famshëm i Lev Tolstoit, për të cilin është thënë se rivalizon me shumë libra historie për periudhën e luftrave napoleonike, fillon pikërisht në një sallon të tillë. Unë nuk do ta filloj librin tim kështu, por do të hyj natyrshëm në këtë sallon, së bashku me lexuesin, i shtyrë nga rryma e ngjarjeve diplomatike, politike, ushtarake, të spiunazhit, i tërhequr nga rrjeta e intrigës së lartë gjeopolitike ndërkombëtare. Gjithsesi, ky sallon nuk ze një vend qendror në librin tim. Ai është thjesht një kënd i mjedisit ndërkombëtar që sjell libri, por një kënd me rëndësi, ku lidhen shumë fije të domosdoshme që ngjarjet të marrin një kahje të caktuar. Në këtë libër, janë kombinuar metodologjia historiografike me mënyra të tjera, që nga jetëshkrimi i njerëzve pjesëmarrës në ngjarjet, deri tek përsiatjet në filozofinë e historisë.
Libri im fillon në Idet e Marsit 1939, do të thotë në 15 mars, por ky nuk është ndonjë trill imi, as një zgjedhje e imja, por një gjë e imponuar nga metodologjia që kam zgjedhur unë në këtë libër dhe që e kam përmendur më lart. Pikërisht në 15 mars 1939, që koincidon me Idet e Marsit, ditën që në Romën e vjetër i ishte kushtuar zotit të luftës, Mars (një ditë çdo muaj), ngjarjet fillojnë e dendësohen në atë mënyrë që përbëjnë pikënisjen e detyrueshme të librit tim. Libri im përfundon në 13 prill 1939, në ditën e Ideve të Prillit (në prill idet bien në datën 13), jo se unë kam pasur ndërmend që të shkruaj një libër për periudhën nga Idet e Marsit në Idet e Prillit. Në fakt, sipas temës së librit, ishte dashur që ai të përfundonte në 12 prill, kur u quajt zyrtarisht i përfunduar operacioni ushtarak italian në Shqipëri. Por, pikërisht të nesërmen, në 13 prill, në parlamentin britanik (Britania e Madhe duhet pasur parasysh, se si imperia që zotëronte një të katërtën e botës, ishte superfuqia e kohës), do të mbahej një seancë ku do të diskutohej gjerësisht për pushtimin e Shqipërisë dhe për ngjarjet që çuan në të. 13 prilli 1939 shënoi dhe përfundimin e një krize shumë serioze britaniko-italiane, e cila nisi pikërisht për shkak të invadimit italian të Shqipërisë. Kështu që libri përfundon natyrshëm në Idet e Prillit.
Nga vetë natyra e këtij libri, argumenti qendror nuk është çështja e pushtimit të Shqipërisë, por ndikimi i kësaj ngjarjeje mbi formësimin e kursit që morën ngjarjet e mëdha ndërkombëtare në luftën botërore që filloi pak muaj më vonë. Çështja qendrore e librit tim është se sa ishte pushtimi i Shqipërisë një zhvillim i llogaritur për të kanalizuar kursin e ngjarjeve ndërkombëtare, duke e bërë që të merrte një kahje të caktuar. Ky nuk është aq një libër për pushtimin e Shqipërisë, sesa një libër për ndikimin që pati pushtimi i Shqipërisë mbi Luftën e Dytë Botërore, në tërësi. Prandaj, në këtë libër, edhe ngjarjet shqiptare para dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë, që i përkasin periudhës së veçuar në këtë libër, dhe të cilat në përgjithësi janë të njohura, kqyren nga kjo pikëpamje. Nga kjo pikëpamje, të këqinjtë dhe të mirët në pikëpamjen që zhvilloj unë në këtë libër, shpesh nuk janë ata që thotë rëndom historia e shkruar deri më tash, në të gjitha rrymat e saj. Të këqinjtë dhe të mirët në këtë histori nuk ndahen përkitaz me ndarjen globale të kampeve të Luftës së Dytë Botërore. Mussolini është definitivisht i keqi, se ai mori vendimin përfundimtar për pushtimin e Shqipërisë, por në shumë momente ai është në anën e të mirëve, se e kundërshtoi pushtimin. Në këtë libër do të shikoni se si në pushtimin e Shqipërisë kanë bashkëpunuar shumë njerëz nga kampet rivale në luftën botërore që pritej të fillonte, njerëz në Romë, London[iv], Washington, New York, pjesa më e madhe e të cilëve nuk qenë të vetëdijshëm se cila ishte tabloja e përgjithshme e lojës. Të gjithë kanë qenë njerëz të fuqishëm, të pushtetshëm në atë kohë, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe që në pamje të parë duket se nuk kanë pasur kurrfarë lidhjeje mes tyre: Mussolini, Konti Ciano, Winston Churchill, Sumner Welles, Allen Dulles, Sir Orme Sargent, Andrew Ryan, Princesha Colonna, Rrok Gera, Sami Koka etj.
Në anën e të mirëve, të atyre që u munduan të ndalojnë invadimin e Shqipërisë, janë, së bashku me Chamberlain dhe Halifax, edhe Mbreti i Italisë, Vittorio Emanuele III, Marshalli Badoglio, shefi i Shtatmadhorisë së Përgjithshme (shtabeve të bashkuara të forcave të armatosura italiane), komandanti i ekspeditës së invazionit, Gjenerali Guzzoni, atasheu ushtarak italian në Tiranë, Koloneli Gabrieli. Kryeministrin Chamberlain dhe ministrin britanik i Punëve të Jashtme, Lordi Halifax, historia në këtë çështje i ka vënë në anën e të këqinjve, por këtu ata nuk janë me të këqinjtë, janë thjesht të mashtruarit, dhe të tradhtuarit. Dhe mashtrimi dhe tradhtia më e madhe atyre nuk u erdhi nga Mussolini, me të cilin kishin marrëveshje, por nga njerëz të cilët qenë në anën e tyre, dhe nga të cilët as që e prisnin se mund të vepronin kundër paqes. Në këtë histori, Chamberlain dhe Halifax janë së bashku, bie fjala me kapiten Mul Deli Bajraktarin, nga dera e bajraktarit të Hotit, komandant i mbrojtjes në zonën e urës së Erzenit, në Shijak, në 7 prill 1939, i cili u mashtrua nga ata që i mendonte si të vetët, nga negociatorët zyrtarë shqiptarë, ministri Rrok Gera dhe eprori i tij ushtarak, nënkolonel Sami Koka.
Teksa shkruaja këtë libër, duke kqyrur më thellë background të personave dhe të ngjarjeve, m’ u krijua pak nga pak përshtypja se gjërat kanë shkuar si në një tragjedi antike ku ata që veprojnë i ndjek një mallkim i vjetër. Nuk është miti i vendit të mallkuar që janë munduar të krijojnë për Shqipërinë. Nuk është Shqipëria ajo që e pësoi nga ky mallkim, por ata që patën një rol të rëndësishëm në pushtimin e Shqipërisë në 1939, të cilët të gjithë pësuan fatkeqësi në muajin prill të viteve të ardhshme. Prandaj, unë këtu e quaj “Mallkimi i Prillit”. Në fillim m’ u duk e pavend që të shkruaja për këtë gjë në një libër të tillë, por pastaj faktet që e provonin këtë u bënë aq shumë, saqë unë nuk mund të mos i përmendja. Ky Mallkim i Prillit u bë, dashur pa dashur, një lloj personazhi i librit, i ngjashëm me “Kaput”-in e Curzio Malaparte, i cili meqë ra fjala, është një burim me rëndësi kur është fjala për të zbuluar të vërtetën e pushtimit të Shqipërisë në 1939. Malaparte shkruan:
Heroi kryesor është Kaputi, përbindëshi i gëzuar dhe mizor.[v]
“Kaputi” për Malaparte është përmbushësi i një ndëshkimi, personifikim figurativ i një mallkimi, i cili i përndjek të gjithë ata që janë përgjegjës për të këqijat e luftës:
Kjo shprehje misterioze gjermane, “Kaputt”, që do të thotë, tekstualisht, i thyer, i mbaruar, i dërmuar i humbur.[vi]
Malaparte ishte një nga njerëzit e rrethit të miqve të afërt të Cianos, dhe pikërisht në librin “Kaput” analizon thellësisht Cianon, rrethin e miqve të tij që funksiononte si një rrjet për intrigat sekrete ndërkombëtare të Cianos. Në librin “Kaput” nuk thuhet asnjë fjalë për Shqipërinë, por ato që thuhen atje për Cianon dhe intrigat e tij ndërkombëtare, janë shumë të rëndësishme për të ndriçuar kontekstin ngjarjeve, brenda të cilit ndodhi pushtimi i Shqipërisë në 1939. Në librin tim, Malaparte nuk është në anën e atyre që e pësuan nga Përbindëshi Kaput, por është në anën e Kaputit. Malaparte e dinte mirë se cili e solli përbindëshin Kaput në Shqipëri, në prill 1939, cilët qenë në anën e tij dhe cilët qenë kundër tij. Derisa libri “Kaput” i Malaparte, ku kombinohen kujtimet me letërsinë, është kaq i vlefshëm për të kuptuar veprimet e Ciano ndaj Shqipërisë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për libra të shkruar nga autorë të huaj, të cilët kanë fituar reputacionin ndërkombëtar të ekspertëve për historinë e Shqipërisë. Kështu në librin e James Pettifer “Shqipëria dhe Kosova: blue guide”, thuhet kështu për Cianon dhe për lidhjet e tij me Shqipërinë:
Konti Galeazzo Ciano ka qenë një nga figurat kryesore të regjimit fashist italian të Benito Musolinit. Lindi në Livorno më 18 mars 1903. I ati ishte oficer i flotës ushtarake. U lidh me lëvizjen fashiste që në fillim dhe u martua me të bijën e Musolinit Edën (1910-1995). Më 1934 u bë ministër i punëve të jashtme dhe luajti rol qendror për aneksimin dhe pastaj pushtimin e Shqipërisë. Kaloi disa kohë në Shqipëri pas pushtimit italian më 1939. Nuk e miratoi bazën e aleancës së së Boshtit me Gjermaninë, ecuria e luftës e shqetësonte dhe u largua nga ministria e jashtme më 1943. E ekzekutoi Gestapoja në Veronë më 11 janar 1944. Kujtimet e tij, që janë botuar në anglisht me titullin “Ciano’ s Diary: 1939-1943” janë një burim i paçmueshëm informacioni për synimet e Italisë kundrejt Shqipërisë para dhe pas pushtimit, për regjimin e Mbretit Zog dhe se si e shihnin Shqipërinë një pikënisje për pushtimin fashist të Greqisë.[vii]
Këtu mund të thuhet se asnjëherë përkthimi mjeshtëror i Xhevat Lloshit nuk ka shkuar më tepër se kaq dëm, për një tekst origjinal me plot gabime. Asnjëherë për Cianon nuk janë shkruar kaq pasaktësi në kaq pak rreshta, sa ç’ ka arritur që të bëjë profesor Pettifer. Ciano nuk u lidh me lëvizjen fashiste që në fillim, atij iu shpik një e shkuar fashiste, që prej fillimit, kur u martua me vajzën e Mussolinit. Ciano nuk u bë Ministër i Punëve të Jashtme në 1934, por në 1936. Një tjetër marrëzi e çuditshme e Pettifer është kur thotë se Ciano luajti rol në aneksimin dhe pastaj pushtimin e Shqipërisë! Si mund të vinte aneksimi para pushtimit?! Ciano nuk u largua nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme, por u shkarkua nga Mussolini dhe këtë e pohon në Ciano në ditarin e tij, të cilin Pettifer e përmend, por që qartësisht nuk e paska lexuar. Libri me kujtimet e Cianos që përmend Pettifer, “Ciano’ s Diary: 1939-1943” është vetëm vëllimi i dytë i ditarëve të Cianos. Kjo pjesë e ditarëve u gjet më së pari dhe u zbulua në 1946.Pak vite më pas, u zbulua dhe u botua edhe pjesa e dytë, ajo që përfshinte periudhën 1937-1938. Që atëherë ditarët e Cianos botohen në një libër të vetëm, ndonëse shumë studiues parapëlqejnë që të citojnë botimin në anglisht në dy vëllime, për arsye përkthimi. Cianon nuk e ekzekutoi Gestapo, siç thotë Pettifer, ky është versioni i autorëve sovjetikë, siç do të citoj gjatë librit, dhe ky version me sa duket ka mbetur në subkonshin e Pettifer që nga koha kur ishte një aktivist radikal majtist. Ciano u pushkatua nga trupat fashiste të Republikës Sociale të Mussolinit, pas vendimit të gjykatës së posaçme fashiste, që e dënoi me vdekje për tradhti të lartë. E pra, imagjinoni se sa pasaktësi merr nga libri i Pettifer një vizitor i huaj që vjen në Shqipëri me librin e tij.
Kujtimet e Cianos janë i vetmi libër që flet gjerësisht për Shqipërinë dhe që lexohet shumë në botë. Cdo njeri serioz në fushën e studimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë, historiografisë, cdo shtetar që lexon histori dhe memorialistikë, e lexon domosdoshmërisht këtë libër. Kjo është një nga arsyet për të cilat unë e gjeta të nevojshme që të shkruaj një libër të vecantë për rolin e Cianos në pushtimin e Shqipërisë.
Kastriot Myftaraj
Tiranë, 2011
[i] Në botimet shqip të librave të përkthyer nga gjuhët perëndimore, përgjithësisht fjala “invasion” përkthehet gabimisht si “pushtim”, me ç’ rast gjejmë fraza të pasakta e të çuditshme, si “Gjermania pushtoi Bashkimin Sovjetik”. Invazioni është depërtimi, në një masë të caktuar, në territorin e një vendi pas agresionit, por nuk është baras me pushtimin. Invazioni bëhet pushtim kur fuqia sulmuese merr nën kontroll krejt vendin, ose pjesën më të madhe të tij.
[ii]Emil Ludvig, “Korrik 1914: ngjarjet dramatike në oborret e Evropës, nga atentati i Sarajevës deri në shpalljen e Luftës së Parë Botërore”, Shtëpia botuese “Globus-R”, Tiranë 2001, f. 125
[iii] Paul Johnson: “Heroes: from Alexander The Great and Julius Caesar to Churchill and De Gaulle”, New York , Harper Perennial, p. 199
[iv] Unë, emrin e kryeqytetit të Britanisë së Madhe, parapëlqej që ta shkruaj “London”, në vend të “Londër”, që ka hyrë në shqip nga italishtja dhe frëngjishtja. “London ” thuhet në anglisht, në gjuhën e vendit të cilit i përket qyteti. Natyrisht se në citimet nga libra të tjerë në shqip kam ruajtur versionin “Londër”, që është në to.
[v] Curzio Malaparte, “Kaput”, Shtëpia botuese “Omsca”, Tiranë 1998, f. 6
[vi] po aty: f. 6
[vii] James Pettifer, “Shqipëria dhe Kosova: blue guide”, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2003, f. 249





