Sulmuesi i dikurshëm i Juventusit, Gianluca Vialli, mendon se Zonja e Vjetër i ka kualitetet e nevojshme për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Bardhezinjtë e kanë filluar fushatën evropiane me një barazim prej 2-2 ndaj kampionit në fuqi, Chelsea, ndërsa Vialli, i cili e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve me Juven në vitin 1996, është impresionuar me performancën e Bianconerëve në Stamford Bridge.
“Juventusi është në rrugë të duhur për ta fituar përsëri Ligën e Kampionëve. Stili i tyre i lojës i është përshtatur mirë Ligës së Kampionëve”.
“Ata luajnë futboll, agresiv, intensiv dhe modern. Besoj se së shpejti do të jenë përsëri në mes të protagonistëve në Evropë”.
“Juventusi nuk është nga favoritët për titullin evropian, por ndaj Chelseat ata dhanë një sinjal të qartë se janë një forcë që duhet të merret në konsideratë”, ka theksuar Vialli për Gazzetta dello Sport.





