EL: Interi barazon në fund

Interi nuk po arrin të këndellet në ndeshjet si vendas, pasi ka barazuar me rezultat 2-2 me skuadrën ruse Rubin Kazan në kuadër të sfidës së parë të fazës grupore të Europa League.

Interi e filloi takimin më mirë edhe pse me formacion të dytë. Coutinho dhe Livaja u shfaqën të rrezikshëm në fillim, por epërsia u takoi rusëve.
Aleksandr Ryazantsev realizoi nga pika e bardhë (17’) për 1-0, pas një penaltie plotësisht të panevojshme të shkaktuar nga Jonathan.
Në vazhdim të pjesës së parë Interi aplikoi presion të jashtëzakonshëm mbi kundërshtarin, që herë pas here u tregua i rrezikshëm në kundërsulme.
Marco Livaja me kokë shënoi për 1-1, pas një aksioni bukur të organizuar nga Cassano dhe Cambiasso.
Në pjesën e dytë Stramaccioni bëri disa ndryshime, duke sjellur në lojë Pereian, Militon dhe Guarinin.
Interi u bë më sulmues, teksa trajneri i Rubinit vendosi të mbrohej duke pritur një kundërsulm.
Dhe pikërisht pas një kundërsulmi, Rondon arriti që mjeshtrisht t’ia bëjë bajat Andrea Ranocchias duke shënuar në portën e Handanovic (84’) për 2-1. Moratti dukej i shokuar në tribuna.
Në fund Interi vuri gjithçka përpara duke kërkuar golin e barazimit dhe këtë arriti pas një goli fantastik të realizuar nga Yuto Nagatomo, i cili shfrytëzoi një harkim të bukur të Diego Militos për të shënuar me volej për 2-2 dhe barazimin shumë të merituar.
Kështu në grupin e Interit nuk ka lider ende, pasi edhe Partizani barazoi pa gola në shtëpi me Neftchi Bakun.