Bayerni fiton, Shaqiri asiston

Bayerni i Munichut nuk po tregon mëshirë fare për kundërshtarët në Bundesliga, pasi viktima e radhës në fitoren prej 3-0 në Allianz Arena ishte Wolfsburgu.

Bayerni e filloi sfidën me një mesfushë të frikshme, e cila sipas nesh është më e forta në Evropë, ndoshta më e forta në dhjetë vitet e fundit në futbollin europian, pasi ajo përbëhet nga Schweinsteiger, Martinez, Ribery, Robben dhe Shaqiri, të gjithë këta lojtarë të top klasit botëror.
Ishte Schweini ai që hapi serinë e golave në minutën e 24-të, për një përfundim të suksesshëm të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Mandzukic u shfaq në skenë duke shënuar dy gola të tjerë. Së pari me ndihmën e Shaqirit (57’) dhe më pas një gol me kokë për 3-0 në minutën e 65-të, që ishte dhe rezultati përfundimtar i kësaj sfide.
Bayerni është lideri i pa kontestueshëm i Bundesligas me pesë fitore nga pesë ndeshjet e zhvilluara dhe 15 pikë në vendin e parë.