Curiosity mbërrin në Mars (video)

Misioni do të zgjasë rreth 2 vjet dhe ka për qëllim zbulimin e formave të mundshme të jetës

Sonda Curiosity ka arritur në planetin Mars, ashtu siç ishte parashikuar, në orën 7.31 të ditës së sotme. Konfirmimi ka ardhur nga të dhënat e nisura nga sonda Mars Odyssey, që ka ndjekur të gjithë fazën e zbarkimit të Curiosity, sondës së Nasas, e projektuar për të eksploruar gjurmët e formave të jetës në Mars.
Mbërritja e Curiosity në planetin e kuq është ndjekur me ankth jo vetëm nga teknikët e Nasas, por edhe nga miliona njerëz që kanë mundur të ndjekin direkt nëpërmjet internetit, rrjeteve sociale dhe një ekrani gjigandë të vendosur në Times Sqare, në qendër të New York. Pak minuta pas mbërritjes në Mars, Curiosity i ka dërguar Tokës imazhet e para: një foto ku duket qartë një rrotë e roverit d mbështetur në sipërfaqen e kuqe të kraterit të Gales. Curiosity është roboti-laboratorik më “inteligjent” i krijuar deri më tani dhe ka për qëllim zbulimin e gjurmëve të mundshme të formave të jetës. I madh sa një automobil, me një peshë 1 tonëshe, Curiosity ka mundur të vendoset pa kurrë farë problemi në Mars. Misioni, i realizuar në kuadër të Mars Science Laboratory (Msl), do të zgjasë rreth 2 vjet. Ndërkohë presidenti amerikan Barack Obama e ka përkufizuar mbërritjen e sondës Curiosity në  Mars si “një arritje teknologjike e paprecedentë” dhe se “SHBA-të kanë bërë historinë”.
Videoja e plotë që nga nisja e Curiosity deri tek imazhet e para nga Marsi: