Siri, dezerton kryeministri, strehohet në Jordani:
Gazeta Shqip
Kryeministri sirian Riad Hixhabi ka dezertuar dhe është strehuar në Jordani. I emëruar vetëm dy muaj më parë ai shihej si një ndër besnikët më të flaktë të Assad, por sipas tij ai ka qenë i detyruar të pranonte një detyrë të tillë. “Nuk kisha zgjidhje tjetër, ose të pranoja, ose të vritesha”, ka justifikuar Hixhabi veprimin e tij. Më tej ai ka deklaruar se :”Jap dorëheqjen nga një regjim terrorist dhe vrasës dhe deklaroi se jam bashkuar me degët e revolucionit dhe dinjitetit”. Ndërkohë presidenti Bashar al-Assad ka vendosur që Omar Ghalawanji, do të drejtojë qeverinë e përkohshme. Sakaq vijojnë luftimet e përgjakshme në terren. Një bombë ka shpërthyer në katin e tretë të televizionit shtetëror sirian dhe në ndërtesën e radios në kryeqytet, Damask. Tre persona janë raportuar të plagosur dhe shpërthimi ka shkaktuar dëme substanciale, por televizioni shtetëror vazhdon transmetimet.
Tashmë pika kyçe e luftës është Aleppo, ku ushtria e pushtetit po përpiqet të rivendosë kontrollin. Qyteti është totalisht i rrethuar nga forcat e armatosura, ndërsa artileria e rëndë marshon më në thellësi të qytetit e ndihmuar nga avionë luftarakë që bombardojnë pa reshtur zona të ndryshme. Organizatat vëzhguese për të drejtat e njeriut thanë se gjatë së dielës janë vrarë 131 njerëz në të gjithë vendin, 79 prej të cilëve konsiderohet të kenë qenë civilë.
6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Siri, dezerton kryeministri, strehohet në Jordani burimi: Gazeta S H Q I P
Gazeta Shqip