Shpesh ndodh që jeta e aktorëve të jetë e ngjashme me ato të personazheve të tyre. Ky është rasti i Eva Longorias: diellore, ironike, e vëmendshme, me martesa të dështuara, pasionin për meshkujt më të vegjël në moshë… Eva Longoria ka lindur në Corpus Christi (Teksas) më 15 mars 1975. Për 8 vjet ishte Gabrielle Solis në serinë televizive “Desperate Housewives”, ndërkohë që është imazhi i L’Oréal Paris. Sapo i ka dhënë fund jetës si Gabi, ndërsa pak kohë më parë ajo u përfshi në komitetin për rizgjedhjen e Barack Obamës si President i SHBA-së. Ajo është ndër të paktat aktore latine të suksesshme në Hollywood. Ndër të tjera po bën edhe një master në Mexican American Studies në Universitetin e Kalifornisë. Aktorja flet për revistën italiane “Amica” për jetën e saj pas “Shtëpiakeve të dëshpëruara”.
Një imazh i bukur është më efikas?
Nuk e di, nuk më duket vetja tërheqëse e gjithsesi nuk mendoj se bukuria është një avantazh i veçantë. E di mirë diferencën mes të qenët një mjellmë dhe një rosak i shëmtuar. Jam e fundit mes 4 motrash, e vetmja që kam trashëguar ngjyrën e errët latine dhe nuk arrita kurrë 1 metër e 60. Përpara se të shkoja në kolegj e kuptova se nuk isha e shëmtuar, por shumë e shëmtuar, madje dhe më keq se kaq. Kështu m’u desh që të zhvilloja një karakter të fortë, duke mësuar së pari të mos i jepja shumë rëndësi pamjes së jashtme.
Gjatësia ka qenë ndonjëherë ndonjë problem?
Jo, sidomos kur kuptova se ishte më mirë ta merrja me të qeshur.
Qeshni shumë në jetën tuaj private?
Sigurisht, kur ndihem mirë, por edhe kur jam në siklet. Qesh kur nuk dua të flas për diçka. Është një mekanizëm mbrojtjeje dhe një mënyrë për ta marrë jetën më lehtë.
“Shtëpiaket e dëshpëruara” ju dhanë famë në të gjithë botën, si ishte t’i jepje fund këtij seriali?
Çaku i fundit ishte shumë emocionues. Në fund të ditës askush nuk donte të linte sheshxhirimin dhe vazhduam duke pirë e duke folur me njëri-tjetrin për orë të tëra, duke kujtuar momentet më domethënëse të 8 viteve që kaluam së bashku.
Do t’ju mungojë Gabrielle Solis?
Shumë. Gabi është një grua inteligjente dhe e guximshme, gjithnjë e gatshme për të bërë dhe thënë gjëra dhe të gjithë do të duhej ta imitonim në jetën reale.
Ju deri diku i ngjani. Ashtu si Gabi tërhiqeni prej meshkujve më të rinj në moshë. Ish-bashkëshorti juaj Tony Parker, dhe historia juaj e fundit, Eduardo Cruz, vëllai i vogël i Penelope, janë respektivisht 7 dhe 10 vjet më të rinj se ju. Ç’ju tërheq?
Asgjë e veçantë. I kam takuar Tony-n dhe Eduardon dhe jam dashuruar me ta dhe në të dyja rastet mosha e tyre nuk ka ndonjë lidhje.
Zac Efron është shprehur së fundmi se do të donte të dilte me ju. Si do t’i përgjigjeshit?
Jam e ngazëllyer, edhe pse nuk e di sa vjeç është (24) dhe kam frikë se do të më fusnin në burg po të pranoja propozimin e tij.
Çfarë ju bën të ndiheni shumë teksane?
Kam mësuar të shtie që në moshën 7-vjeçare dhe di të përdor armët. Të qëllosh mbi kanoçe apo shënjestra është një kalim kohe shumë i përhapur nga këto anë. E vogël shkoja edhe për gjueti, por tani jo më. Tashmë jam pro një kontrolli më të rreptë mbi shitjen e armëve.
Si lindi ideja për t’ju bashkuar fushatës për rizgjedhjen e Obamës?
Politika më ka pëlqyer gjithmonë. Kam filluar duke bërë vullnetaren për Bill Clinton në 1992-shin, kur ende nuk kisha moshën për të votuar. Kësaj here më propozuan një detyrë formale në komitet dhe u ndjeva e vlerësuar.
Si ndodhi, ju ra telefoni dhe ishte Barack Obama, duke ju thënë “Kam nevojë për ty”?
Jo tamam. Ishte Jim Messina, shefi i fushatës, që më kontaktoi. Më pas kam takuar shumë funksionarë që më shpjeguan në detaje mesazhin e Presidentit për komunitetin latin. Dhe kur së fundi takova Obamën. Më falënderoi në një mënyrë shumë të thjeshtë e miqësore.
Ideja për t’iu kthyer studimeve ju lindi pasi morët detyrën në fushatën elektorale?
Jo, frekuentoj masterin në studime meksikano-amerikane prej dy vjetësh dhe e përfundoj pas disa muajsh. Gjithnjë kam pasur kuriozitet të dija më shumë mbi rrënjët e komunitetit tim. Gjatë xhirimeve të “Shtëpiakeve të dëshpëruara” pata kohë ta bëja.
Si reaguan shokët tuaj të klasës?
Në fillim u çuditën të gjithë, nuk reshtnin së më vështruari. Më pas u mësuan.
Komuniteti latin në SHBA nuk ka shumë modele pozitive, doni të bëheni një Michelle Chicana?
Po, do të më pëlqente. Jam gati të jap shembullin e mirë dhe të marr përgjegjësinë që kërkon ky rol. Në kinematografi, për shembull, zëre se nuk ekzistojmë. Ndërkohë që përbëjmë 16% të popullsisë amerikane. Ka mundësi përmirësimi dhe këtë duhet ta bëjmë ne, sepse po pritëm Hollywood-in, do të duhet shumë kohë.
(Marrë nga revista “Amica”)





