Violinistja Ina Kosturi: Ju tregoj femrat e penguara në tri sisteme

Violinistja Ina Kosturi: Ju tregoj femrat e penguara në tri sisteme:
Pedagogia e Arteve, violinistja Ina Kosturi, ka një tjetër dashuri me të cilën e ndien veten të mbushur kur nuk është në kohë koncertesh, të shkruarin. Prej pak kohësh ka nxjerrë librin e saj të fundit “Rrëfim në tri kohë”, ku na njeh me historinë e tre brezave që hasin pengesat e kohës. E meqë kohët, që prej diktaturës nuk kanë ndryshuar aq, historia mbetet po ajo.
Ende edhe sot, qëllon të kujtohemi për emra të skenës që nuk i shohim më. Kanë qenë pjesë e filmave a e muzikës, por kanë zgjedhur të largohen. Nëse do të ishin të mbushur, me siguri do të kishin qëndruar. Do ishin edhe ata pjesë e daljeve, premierave e titujve të rinj të ekraneve të kinemasë a koncerteve. Së fundmi, shumëkush është rikthyer, në përpjekje për të gjetur sërish terren, por koha e qëndrimit aq ka zgjatur, sa tentativat e atëhershme për të fituar një rol. Ky nuk është skenar i 22 viteve të fundit. Ka ekzistuar gjithmonë. Edhe pse nuk ishte e lehtë që të merrje valixhen e të largoheshe përgjithmonë pa e kthyer kokën, kishte mënyra të tjera. Diktatura të mbyllte gojën, askush nuk mundej që prej revoltës të komentonte në rreth miqsh apo të shkonte edhe më larg, artikuj në gazeta, një libër. Violinistja Ina Kosturi, pedagogia e Akademisë së Arteve, ka bërë pikërisht këtë në librin e saj më të ri, “Rrëfim në tri kohë”. Ka rrëfyer historinë e gjyshes, ish-nxënësen e institutit “Kirjazi”, historinë e një aktoreje dhe, në fund, historinë e saj. Rrëfime të tre brezave që bashkohen nga një pikë: pengesa.
Më konkretisht, çfarë keni dashur të shprehni përmes këtyre rrëfimeve? Përse u nxitët ta shkruani?

Është një formë proteste që unë shfaq, duke shkruar ndaj padrejtësive dhe nuk po e bëj këtë gjë vetëm në këtë libër. Sa herë kam mundur e nuk kam qenë e përfshirë me aktivitetet muzikore, ulem e shkruaj. E kam bërë këtë gjë edhe me artikuj nëpër gazeta. Në një farë mënyre kompenson edhe muzikën. Ndoshta për të dhënë dhe mesazhin se instrumentistët e muzikantët në botë dhe këtu janë njerëz të qytetëruar e të kulturuar. Në libër kam dashur të përcjell historinë e tri personazheve, në tri kohë, Kirjazët që natyrisht luftojnë për gjëra madhore, sovranitet, gjuhë, alfabet, ndërsa dy të tjerat për role e tinguj skene. Në Shqipëri ka qenë gjithnjë e vështirë për të bërë përpara. Edhe pse diktatura ka kohë që duket se është larguar, vazhdon të jetë e pranishme.

Megjithatë një spunto, një ngacmim konkret keni pasur… Cili ishte?

I pari ka qenë ditari i sime gjysheje, Adelina Nosit, i cili më ra në dorë shumë vonë, në vitin 2008, kur ajo u largua nga jeta. Ky bllok u përket shkrimeve të vashave të institutit “Kirjaz” në vitin 1932-1933, vit i mbylljes së kësaj shkolle. Në fund të studimeve, ato i dedikojnë vargje e poezi njëra-tjetrës dhe kjo ngelet për ne një dëshmi e kulturës, qytetarisë dhe dijeve që mëkoi kjo shkollë, në kohën e një Shqipërie të prapambetur. Vetë ditari dëshmon me tri gjuhët e tij, anglishten, frëngjishten dhe italishten, për kulturën dhe atë çudi të një emancipimi që kontrastonte me fytyrat e mbuluara të femrës në Tiranën kryeqytet. Të gjitha letrat janë të shkruara në frëngjisht.  Instituti “Kirjaz” u hap në sajë të përpjekjeve të motrave Kirjazi, të njohura si Parashqevi Kirjazi (Qirjazi), Sevasti dhe bashkëshorti i saj, Kristo Dako, të tre të përkushtuar në çështjen shqiptare dhe arsimin në veçanti.

Pas ditarit, bashkëngjitët historitë e..?

E dyta është historia e një aktoreje shqiptare që përsëri gjendej pranë rrethit të të njohurve të mi. Është fjala për Filika Dimo Ujkajn, edhe pse në libër nuk është përmendur emri i saj. Nuk doja të ndalesha vetëm te shkolla që ta ktheja librin në një tregim historik, prandaj edhe e ndërthura me dy historitë e tjera. Personazhi i tretë më përfaqëson në një mënyrë apo tjetër, duke shprehur luftën e vazhdueshme me pengesat, padrejtësitë.

Meqenëse gjyshja ishte nisma e këtij libri, a kishte ajo ndonjë lidhje me Qirjazët?

Adelina është mbesa e Lef Nosit, martuar te Kosturët, me nipin e Jovan Kosturit. Përveç kontaktit me Parashqevinë si mësuese, dihen njohjet e zonjushës Kirjaz me Korçën, në hapjen e shkollës së parë, ku Jovan Kosturi ishte kryetar i Komitetit të Fshehtë.

I quajtur nga Mihal Grameno si “bredh i gjelbër”, shtëpia e plakut të madh u vizitua nga Fan Noli, ndërsa gazetat e kohës përtej Shqipërisë do shkruanin për vrasjen e djalit dhe nipit të tij, Spiro e Kostaq Kosturi. Adelina Nosi Kosturi, mbesë e Lef Nosit, është gjithashtu dhe mbesa e gruas së Mihal Gramenos.

Ç’nevojë ka një violiniste për të shkruar, pasi ky nuk është libri juaj i parë…?

Jo, është libri i katërt. Në fakt nuk është ky prioriteti im, më pëlqen më shumë kur bëj koncerte, pasi përgjigjen e merr menjëherë, duartrokitjet të vijnë aty për aty. Ndërsa për librin duhet të presësh, përshtypjet e njerëzve të vijnë ngadalë, edhe për kohën që kërkon vetë leximi. Megjithatë është edhe e vërtetë  pjesa tjetër që kënaqësia e librit zgjat më shumë. Atëherë kur nuk e mendon, fare papritur, të vjen. Letërsia ka nisur tek unë në kohë padrejtësish, e besoj që do të vazhdojë për sa kohë që padrejtësi vazhdon të ketë. Përmes historisë sime e të dy brezave të mëparshëm, pikërisht këtë kam dashur të tregoj, që vështirësia është po ajo, si në diktaturë si tani.
ANI JAUPAJ