UJË SEKSUAL

UJË SEKSUAL:
Pablo Neruda


Duke rrjedhur me pika të mëdha të vetmuara
me pika si dhëmbë
me pika të trasha marmalate dhe gjaku
duke rrjedhur me pika të trasha
uji bie
si një shpatë pikash
si një lumë qelqi gërryes
bie duke brejtur
duke goditur boshtin e simetrisë, duke ngritur prerjet e
shpirtit
duke thyer gjërat e braktisura, duke çarë errësirën
Është vetëm një fllad, më i lagësht se lotët
një lëng, një djersë, një vaj pa emër
një lëvizje e gjallë
bëhet, zgjerohet
me pika të mëdha, të ngadalta
uji bie
drejt detit, drejt oqeanit të tharë
drejt dallgëve pa ujë

Shoh verën e pafund dhe një grahmë që del nga shpella,
të korrurat, gjinkallat
shtëpi, vajza që flenë
me dorën tek zemra
që ëndërrojnë banditët, zjarret

Shoh anijet
shoh pemët e palcës
të ngritura si maçokë të tërbuar
shoh gjak, kama dhe çorape grash
flokë burrash
shoh shtratin, shoh korridorin ku klith një virgjëreshë
shoh çarçafë, organe dhe hotele

Shoh ëndrrat e fshehta
pranoj ditët që vinë
origjinën, kujtimet gjithashtu
Si një qepallë egërsirash e shqyer
shikoj

Dhe befas vjen ky tingull
një zhurmë e kuqe kockash
një çiftëzim mishi
dhe këmbë të verdha që bashkohen si kallëza

Dëgjoj midis shpërthimit të puthjeve
Nga frymëmarrjet dhe gulçet tronditur dëgjoj

Jam duke parë, duke dëgjuar
me gjysmën e shpirtit mbi det, me gjysmën e shpirtit
mbi tokë
dhe me dy gjysmat e shpirtit botën shikoj
Dhe ndonëse mbyll sytë, zemrën plotësisht e mbuloj
shikoj ujin e shurdhët tek bie
me pika të mëdha të mëdha të shurdhëta

Është si uragan xhelatine
si një ujëvarë sperme dhe meduzash
Shikoj një ylber të turbullt që vrapon
Shikoj ujërat e tij tek kalojnë përmes kockash

Shqipëroi nga frëngjishtja: Ilir Babaramo
Marrë nga revista “Mechr Licht!” nr 6

Related Posts: