NJË ZË NDRYSHE NË LETËRSINË SHQIPE (Mbi krijimtarinë letrare të poetit Lulëzim Haziri)

NJË ZË NDRYSHE NË LETËRSINË SHQIPE (Mbi krijimtarinë letrare të poetit Lulëzim Haziri):
Salajdin SALIHU NJË ZË NDRYSHE NË LETËRSINË SHQIPE (Mbi krijimtarinë letrare të poetit Lulëzim Haziri)


Lulëzim Haziri është sivëllai im. Pa këtë miqësi jeta ime do të ishte më e varfër. Në këtë miqësi ndërmjetësoi letërsia, libri, poezia. Më 1989, në edicionin e “Rilindjes”, u botua libri me titullin “Kënga lind në vetmi”, që shënoi kthesë në poezinë shqipe. Autori nga Gostivari, student makinerie në Universitetin e Prishtinës, shkruante ndryshe nga shumë krijues të afirmuar. Ai nuk kishte studiuar për letërsi, por zgjoi interesimin e studiuesve të letërsisë. Nuk kishte studiuar për gjuhësi, por gjuha e tij artistike reflekton magji. Në kohë moralizimesh të lodhshme, diskursesh të konsumuara poetike, ai joshej nga krijues që shkruanin pa konsiderata morale dhe krijonte poezi të kësaj natyre. Në poezinë e tij, ndryshe nga çfarë ndodh në filma moralizues, nuk ndërrohet kuadri kur duhet të ndodh puthja dhe prekja. Në poezinë e tij nuk ka simbole apo figura stilistike të eksploatuara. Madje, ai përjashtoi edhe hënën nga poezia e tij, si simbolikë e një dashurie platonike. Autori ka qenë me fat: ka lexuar libra që e kanë joshur, që vetë i ka zgjedhur dhe jo libra që lexohen me detyrim dhe harrohen shpejt, veçanërisht në kohëra kur letërsia shihet si mundësi për arritje qëllimesh përtej letrare. Për krijuesit, në përgjithësi, katedra shndërrohet në njëfarë burgu torturues, nga i cili shpesh nuk mëson shumë. Janë të tjerë hyjni e demonë që e trazojnë poetin, të tjerë emra që e sundojnë kokën e tij. Poetët mësojnë nga “universitas vitae”, siç thoshte Cvajgu. Haziri i ka shpëtuar kësaj ngarkese, por gjithsesi është poeti që e njeh artin e leximit. Pavarësisht prapësinave që mund t’i bëjë një krijues i madh, sërishmi nuk mund të jetë i tillë pa kulturë të gjerë. Nëse poezisë së Lulëzim Haziri i bëjmë lexim intertekstual dhe jo tekstual apo kontekstual, do të dëgjojmë “zërat e teksteve të tjerë”, siç thonë studiuesit e shkollës intertekstuale. Me fjalë të tjera: arti i Lulëzim Hazirit është produkt i dhuntisë krijuese personale dhe asimilimit të dhuntisë krijuese të maestrove të letërsisë. Në kohën kur u botua “Kënga lind në vetmi” krijoja pa“mallin e shtampës”. Përjetoja më shumë kënaqësinë e leximit se sa kënaqësinë e krijimit. “Kënga lind në vetmi” ishte njëri nga librat që më krijonte kënaqësinë e (ri)leximit. Një libër i shkruar për vete, në vetmi, që duhet t’i bësh vend në këndin e librave që rilexohen, bashkë me librat e tjerë të tij, sikurse: “Kur dyer hapen me zile”, “Dalje nga safari” (përzgjedhje) etj. Pra, poezia e Lulëzim Hazirit lexohet që të përjetohet dhe jo me synimin që të komentohet. Kritika letrare e ka komentuar, por kritiku nuk është veçse një lexues, përfshirë dhe autorin e këtij teksti. Sipas Rolan Bartit shkenca e letërsisë nuk na mëson kuptimin përfundimtar të veprës, sepse libri është një botë. “Të lexosh do të thotë ta dëshirosh veprën, do të thotë të duash të jesh vepra, do të thotë ta refuzosh ta dyfishosh veprën jashtë çdo të folurit tjetër pos të folurit të vetë veprës (...) Të kalosh nga leximi në kritikë do të thotë ta ndryshosh dëshirën, do të thotë ta dëshirosh jo më veprën, por ligjërimin e vet (...) Sa shkrimtarë kanë shkruar vetëm se kanë lexuar. Sa kritikë kanë lexuar vetëm për të shkruar”. Mund të shërbehemi edhe me konstatimin e Jurij Llotmanit. “Duke rrëfyer poezinë me gjuhë të rëndomtë ne e shkatërrojmë strukturën dhe, për këtë shkak, nuk arrijmë që t’ia kumtojmë pranuesit fluksin e informacioneve që përmban ajo”. Ky informacion, gjithsesi, është i një shkalle më të lartë. Edhe para se të lexoja Bartin, Lotmanin e shumë të tjerë, që ndihmojnë për të bërë studime mbi letërsinë, por nuk ndihmojnë për të bërë letërsi, në asnjë rast s’e kam lexuar poezinë e Lulzim Hazirit me idenë se duhet që ta komentoj. Kam shkruar nga dashamirësia ndaj lexuesve të poezisë, duke i informuar për diçka që i vjen rrallë botës së poezisë. Gjithmonë më ka pëlqyer dhe më pëlqen magjia e tij gjuhësore që, nëse i referohemi Josif Brodskit, i hap “portat e mendimit”. Poezia mundëson më shumë se sa hapja e këtyre portave: është më shumë se sa mendim - është emocion, figuracion, botëshikimin mbi botën, është pluralitet, është njohje e jetës, është përpjekje njerëzore për të shkuar përtej të thënës dhe të dukshmes. “Për klasicizmin, poezia ishte gjuhë hyjnish, për romantizmin ishte gjuhë zemre, për modernizmin ishte gjuhë jete”. Bile, më shumë se kaq. Është “klithje në humnerë”, siç thuhet. Është asgjëja për të cilën kemi nevojë. Poezia e Lulëzim Hazirit nuk të ofron diçka utilitare, por kemi nevojë për të sepse na krijon kënaqësinë estetike. Është ajo që e duam pa interes, siç thoshte Kanti për artin. Të shkruash për poezinë e Hazirit nuk të mjafton diskursi i kritikut letrar dhe as mund të pretendosh se ke thënë shumëçka. Kur shkruan për poezinë e tij ndodh të krijosh palimpseste. Vepra letrare që e lind dëshirën e krijimit të palimpsestit, zbulon diçka të re pas çdo leximi. Asnjëherë në të njëjtën mënyrë nuk lexohet poezia e Hazirit. Ajo lexohet gjithmonë ndryshe nga leximi paraprak. Është poezi që na reflekton imazhe si në kaleidoskop. Është poezi e cila lindi nga tundimi për të thënë diçka që ishte heshtur për shkak të konteksteve, rregullave, kufizimeve, të jashtme e të brendshme. Kënga e Hazirit lindi në vetmi, lindi për t’u ndjerë dhe për t’u kënduar së brendshmi. Pavarësisht kësaj, poeti i solli letërsisë shqipe poezinë e veçantë të ndjeshmërisë urbane. Trajtoi motive që hasen në vepra të letërsisë botërore, por nuk kanë qenë aq të pranishme në letërsinë shqipe. Nëse kryefjala e krijimtarisë poetike të Lasgush Poradecit është vargu: “Këngë e vjetër pleqërishte më pëlqeu fare pak”, te Lulëzim Haziri është vargu: “Deri kur rrugëve të letërsisë shqiptare do të enden makina të vjetra”. Ai krijoi kështu “letërsinë shqipe me autostrada”. Një poezi e re mund të lind jo nëpërmjet pohimit e glorifikimit, por nëpërmjet kontestimit dhe rivlerësimit intuitiv të një pjese të krijimtarisë së shkruar paraprakisht - ashtu sikurse ndodh edhe me zhanre të tjera, veçanërisht me romanin, i pasuruar nëpërmjet vetëmohimit të zhanrit dhe asimilimit të zhanreve të tjera në konstitucionin e tij. Ndryshe nga shumë krijues të tjerë paraprak, Lulëzim Haziri nuk e trajtoi poezinë si pamflet refrenesh të zakonshme dhe figurash që shprehin patos e trivialitet. Nuk e konsideroi poezinë si gërshetim “mendimesh e ndjenjash të gatshme” (Flober), që duhet t’i pëlqejë shumicës pa vetëdije të formësuar estetike për perceptim të gjuhës simbolike. Ndjeshmëria dhe formimi i tij si njeri e krijues s’e duron trivialitetin, s’e duron mungesën e kreativitetit, s’e duron gjuhën e eksploatuar figurative, s’e duron normën e ngurtë, se duron dogmën kufizuese. Bota që e rrethon është e ngushtë për shpirtin e tij, prandaj shkon përtej saj, kërkon më shumë nga ajo, e bën më të bukur nëpërmjet gjuhës së tij poetike. E pasuron po atë botë kufizimesh të skajshme morale, fisnore, provinciale, kulturore, me një qiell të ri spektrash shumëngjyrësh. E pasuron me një dritare të re, nëpërmjet së cilës shihet një botë e humbur nga shikimi i njerëzve. *** Haziri frymëzohet nga kategoria estetike e së bukurës, por edhe kategoria estetike e së shëmtuarës, e cila, gjithsesi, zakonisht, ndikon më shumë në lindjen e një letërsie të mirëfilltë. Krijon lulet e së keqes, krijon të bukurën e së shëmtuarës. Në të gjithë rastet ai shkruan me një delikatesë të veçantë. Poezia e Hazirit shpesh ngjan si prozë që thotë shumë, siç thotë Ferlingeti. Gjërat e rëndomta gjallërohen dhe lind një komunikim i çuditshëm ndërmjet subjektit me objektet. Objektet nuk janë thjeshtë objekte. Krevati nuk është thjesht krevat. Gazetat e shpërndara nëpër dhomë nuk janë thjesht gazeta. Dhoma nuk është një dhomë e zakonshme, por një simbol universal. Aty ose ka ndodhur diç ose vazhdon që të ndodh. Asgjë nuk është statike. Gjithçka është në lëvizje edhe kur duket se ai pikturon një natyrë të vdekur gjësendesh. Diçka aty ngjall një kujtim, një mall, një dhembje. Me materialin bruto të përditshmërisë së lodhur nga e rëndomta, e zakonshmja, krijon diçka që është universale, e përtejbotshme. Kjo përditshmëri plot preokupime, dilema, shqetësime urbane, vetmi në turmë, heshtje në zhurmë, e ngulfat njeriun brenda një hapësire aspak dashamirëse për subjektin lirik, që kërkon të përmbys kaosin e paketuar si harmoni. Preokupimet që ndërlidhen me aktualen, njëkohësisht janë preokupime universale. Krijimtaria e Lulëzim Hazirit korrespondon me qasjen e estetit Jurij Borev, sipas të cilit çdo vepër letrare është shumështresore: e ka shtresën aktuale dhe atë universale. “Shtresa aktuale e veprës letrare është e orientuar drejt shoqërisë së caktuar, kurse shtresat e thella janë të orientuara drejt të gjithë njerëzimit dhe veprës i garanton jetëgjatësi (...) Në vepër jetojnë edhe e tanishmja, edhe kujtesa historike e njerëzimit, edhe parashikimi i së ardhmes”. Prandaj krijimtaria e Lulëzim Hazirit është lexuar nga lexuesi i kohës dhe vazhdon të jetë me horizont të hapur pritjeje. Ajo, jam skajshmërisht i bindur, do të receptohet në kontekste të ndryshme kohore dhe kulturore. Këtë e ka dëshmuar edhe interesimi i lexuesit përtej sistemit tonë kulturor, i cili i ka shijuar poezitë e tij nëpërmjet përkthimit. *** Haziri shkroi ndryshe mbi vetminë, dashurinë, përplasjen etër e bijë, prostitucionin, hipokrizinë, trivialitetin ngulfatës. Shkroi me diskurs poetik urban. Shkroi poezitë më të bukura që mund të shkruhen për Prishtinën, qytetin para të cilit çohet “në këmbë si para flamurit”. Ashtu siç Bodleri njeh shpirtin dhe frymëmarrjen e Parisit, apo Xhojsi të Dublinit, po ashtu edhe Haziri njeh shpirtin dhe frymëmarrjen e Prishtinës. Një lidhje fatale edhe kur poeti nisi një jetë të re në vendlindjen tjetër të tij, në Gostivar. Duke shfletuar përmbledhjet e tij (“Kënga lind në vetmi”, “Kur dyert hapen me zile” ose përzgjedhjen “Dalje nga safari”) të fanitet Prishtina e largët, që mund ta dashurosh si grua e cila të shkakton “një mal dhembje që nuk kalbet si ftua në dollapin e harresës”... Dhe vargje të këtilla, që fiksohen menjëherë në kujtesë, janë të shumtë, sikurse edhe: “Vërtet një shikim është dashuri, por dashuria nuk është një shikim”... *** Poezia e Lulëzim Hazirit është përkthyer në disa gjuhë, është përfshirë në shumë panorama dhe antologji kombëtare e të huaja. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar kritikë shqiptarë dhe të huaj. Është vlerësuar me çmime letrare. Haziri është quajtur: “poeti i pjekur me rokënrol, që qëndron përtej normave” (M. Limani); poet që krijon nëpërmjet një hipersenzibiliteti; që gjakon mëvetësi tematike, mëvetësi shprehjeje dhe me këndvështrim autentik ndaj problemeve të jetës (Ramadan Musliu); poet që ka ndërtuar “një Utopi të re - Letërsinë shqipe me autostrada!” (Migjen Kelmendi); poet i cili krijon figurshmëri nëpërmjet të cilës fokuson situatë, ambient, kurse nëpërmjet imazhit global e komunikon botën e vet të shqetësuar (Ali Aliu); poet që vjershëron me ngulm “për njërën nga kryetemat e poezisë bashkëkohore – Vetminë”; dhe është “përfaqësues i një brezi dëshpërimesh e zhgënjimesh të thella me vlerat morale, profesionale, politike e atdhetare të brezit më të vjetër” (Abdullah Konushevci) etj.

*** Ashtu sikurse ndodh me librat e veçantë letrar edhe librat me poezi të Lulëzim Hazirit, siç thotë Milan Kundera, janë më inteligjentë se autori, që do të komunikojnë me lexues kohësh të ndryshme. Janë libra ndryshe në kohë refrenesh të bezdisshme për të shituarin nga magjia e gjuhës; janë libra ndryshe në kohë klounësh poetikë që “çdo ideal e bëjnë të rëndomtë gati qesharak”... Autori i tyre është “diku përtej”: jashtë turmës e inaugurimeve patetike. Ai “ç’rëndomëson sendet, fjalët, metaforat”. Hedh pështymë në vokabularin rustikal; nuk joshet nga celofanë idealesh të rrejshme apo nga retorika e shpërdorimit. Ai është poeti ters, është mendjetjetërsi që nuk bën “sikur” dhe shkruan atëherë kur duhet të thotë diçka ndryshe nga çfarë është thënë... *** Lulzim Haziri është shquar edhe për shkrimet e tij eseistike e publicistike. Ai është kritiku i parë i rokut shqiptar. Në shkrimet e këtilla herë është analitik, herë ironik, herë cinik, por gjithmonë e karakterizon humanizmi i thellë. Bota, sipas këndvështrimit të tij, mbetet hapësirë komunikimi ndërmjet kulturave, të cilat, në bashkëveprim, pasurohen në vijimësi. Ai nuk bën kompromise për hir të ndjeshmërive kolektive, të përkohshme, kalimtare. Lulëzim Haziri, si poet e eseist, e ka pasuruar sistemin tonë artistik e kulturor me krijimet e tij, me idetë e tij, me botëshikimin e tij, por edhe me informacionin që sjell, si produkt i kulturës së tij të gjerë. Duhet të jemi të lumtur që e kemi.

Tetovë, 10.5.2012


http://fryma.posterous.com/#!/nje-liber-me-poezi-nga-lulzim-haziri