Nga Shpëtim Çuçka*
Dhe kur të kridhem në gjirin e tokës nënë i mbështjellë me pelerinën e përjetshme të heshtjes, do doja që për mua bashkatdhetarët të thonë: - Ai na deshi me gjithë fuqinë e zemrës! Ndoc Gjetja

Kur vdes poeti, zemra ta do të dëgjosh vetëm heshtje, të dëgjosh vetëm fëshfërimën e gjetheve, vetëm shushurimën e një përroi, vetëm cicërimën e një zogu. Kur vdes poeti, do të doje të heshtnin fanfarat e sukseseve përgjithësisht të gënjeshtërta, të mekeshin fjalët boshe të lëvdatave, të platitej zhurmëria e kotësisë. Kur vdes poeti, do të doje të mos kishte, së paku për një çast, marramenth makinash e manekinësh, pamje klithëse reklamash të zhveshura nga çdo gjë njerëzore, zukama kafenesh mes vdekjes së punës; të mos shihje mjedise të papastra, dorën e lypjes nëpër trotuare, dijen e librave lëshuar për shitje drejt e përdhe. Kur vdes poeti, do të doje të shihje lule e bar, drurë e hije, natyrë dhe prehje. Dhe do të doje që shpirti të zhytej në mendime për kuptimin e jetës, për vlerën e duarve të punës, për dritën e mendjes, për regëtimën e zemrës. Do të doje të bisedoje me shpirtin e poetit përmes gurgullimës së vargjeve dhe fëshfërimës së urtë të të thënave e të pathënave të tij. Dhe të ringrije në mendje atë botë ndjenjash e përjetimesh gjithfarësh të krijuar prej tij, ku ndihet fryma e bekuar e thjeshtësisë, kthjelltësisë, urtësisë. Kur vdes një poet, domethënë një njeri që na jep mesazhe njerëzore përmes poezisë, ajo që të lëndon më shumë është zhurmëria e pashije dhe në thelb blasfemuese që shoqëron krijuesin në shtegtimin e tij drejt strehës së fundit. Befas për atë, që ikën heshturazi e në vetmi, fillojnë e kujtohen plot bujë të gjitha kategoritë e parisë-elitë të vendit: zyrtarë të lartë të shtetit e artistë-politikanë, miq të mëdhenj të të ndjerit, kryeredaktorë gazetash. Rendin kush e kush më parë ta thonë fjalën e tyre me peshë, elitare, ta thonë botërisht, pavarësisht se në ato fjalë gjithçka mund të gjesh veç figurës së poetit jo. Të hidhëron kjo zhurmë në një kohë që vdekja kërkon heshtje nderuese. Të lëndon kjo prirje dyfytyrëshe për vetëdukje, ndërkohë që humbja e një shpirti mendimtar do të duhej të shoqërohej me mendime të thella, me një brengosje të brendshme dhe vlerësim realist, në daç edhe filozofik, por kurrsesi jo propagandistik, vlerësim që të përfshijë dhe paraqesë para lexuesve të çoroditur nga shtypi tregtar atë që kishte më të spikatur kjo dritë e mendimit dhe flakë e ndjenjës së zhveshur nga çdo interes vetjak. Të nervozon belulizmi i shpëlarë, bajat, mjeran, ky egoizëm i pakufi, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe që ia than çdo gjethe të gjelbër e çdo gonxhe. Ndërkohë veshi dëgjon e syri lexon vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Nuk ka mënyrë më të shëmtuar për të vrarë kujtesën mbi poetin. Të gjendet këtu njëri ndër ato shumë shkaqe, për të cilat poeti u mbyll në veten e vet? Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë, Që shtireshin ëngjëj të dashur. (Dritëro Agolli)
* * * Një poet, siç ishte Ndoc Gjetja, kanë të drejtë ta kujtojnë tre shtresime njerëzish: të afërmit, aq sa kanë mbetur; shokët e miqtë, nëse kish; lexuesit, aq sa janë. Por të parët zakonisht ndër ne nuk shprehen, nuk shkruajnë. Ndoshta ngaqë nuk arrijnë ta dallojnë të veçantën, të madhen, kur e kanë shumë pranë, kur e kanë të tyren? Thoshte pothuaj 2000 vjet më parë historiani romak Taciti: “Nderimin e rrit largësia”. Të dytët tek ne janë aq të rrallë, kur janë të vërtetë, dhe janë aq të rëndomtë, kur janë të shtirur. Të rrallët nuk njihen. Shtinjakëve u mungon aftësia për të vështruar lart e për t’iu gëzuar qiellit mbi krye. Lexuesi më i hollë do të ishte kritiku. Por a ka mbetur ndër ne kritikë, kritikë si njerëz dhe kritikë si hulumtim shkencor? Lexuesi tjetër, lexuesi i gjerë, qytetari, është njeri pa tribunë e pa mikrofon, është njeri, të cilin e kanë mënjanuar nga gjithçka (qëkurse e kanë mënjanuar nga puna dhe dija), njëlloj siç kanë mënjanuar edhe poetin, poetikën, krijimtarinë në tërësi. Në të kështuquajturën, mendermethënën, ekonomi të tregut bindesh përditë që ekzistojnë vetëm mallrat dhe padronët e tyre. Dhe për mallrat e padronët e tyre, sikurse vërente Ndoc Gjetja, nuk është i nevojshëm libri, poezia, arti i vërtetë, janë të tepërt ata që merren seriozisht, jo spekulativisht, jo si tregtarë, me krijimtari artistike. Por, tek e fundit, Ndoc Gjetja si njeri ishte për njerëzit dhe si poet ishte për lexuesit. Ai nuk qe kurrë për mallrat e ca më pak për padronët e mallrave. Ai ndoshta mund të jetë mërzitur e të ketë shkëmbyer fjalë me njerëz që ka njohur a me të cilët ka mbajtur lidhje, por me lexuesit nuk u hidhërua kurrë, atyre nuk u mbajti kurrë mëri. Lidhja me ta, një lidhje e pakohë dhe jashtërrethanore, lidhje krejt e heshtur, krejt e palëndët, – nëse do t’i quajmë të heshtura dhe të palëndëta fjalët e poezisë dhe fletët e librave – mbeti për të e vetmja lidhje e vërtetë me jetën e vërtetë, me jetën e kuptimtë njerëzore, jetën e vënë në shërbim të shoqërisë, jetën e mendimeve dhe porosive, atë jetë që nuk vdes, as atëherë kur vdes trupi. Ndaj vetëm atyre, vetëm lexuesve, do të vijojë t’u përkasë Ndoc Gjetja, njeriu poet, edhe në të ardhmen, për aq kohë sa kjo Shqipëria jonë – “e handakosur dhe e palumur me okë”, siç shkruan diku Gorki për popullin rus – do të ketë nevojë më shumë për lëndë e më pak ose aspak për shpirt. * * * Ndoc Gjetjen – poetin, domethënë, edhe njeriun – gjithkush që do të marrë e ta lexojë, mund ta shikojë sipas shijes: së mbari a së prapthi. Për shembull, nisur nga këndvështrimi i moralit të sotëm të pamoralshëm, mund t’i gjykojë krijesat e tij poetike si të vjetruara, të dobëta; ose, nisur nga ngushtica e dhomës së shpirtit të vet (dhomë që mund të jetë edhe thjesht një birucë), mund t’i shohë ato si grimca e jo si gurë poetikë; nisur nga filozofia metafizike mund t’i vlerësojë si shfaqje të interesit për vetjaken apo për të përgjithshmen; nisur nga psikoanalitika, mund të gjejë shumë foshnjëri dhe pak ose aspak burrëri, shumë brenga-depresion dhe fare pak gëzim-shijim të jetës. Nuk po ndalemi këtu fare tek ajo pjesë njerëzish që nuk lexon asgjë dhe për rritjen e ndjeshme të numrit të të cilëve në kohën e sotme nuk e kanë aspak përgjegjësinë njerëz si Ndoc Gjetja. Megjithatë realisht veprimtaria poetike e Ndoc Gjetjes është e ndarë në dy pjesë të mëdha, ashtu siç u nda – ose u thye – koha e jetës së tij shoqërore si pasojë e ndryshimeve të thella të vetë jetës së vendit. Pjesa e parë shtrihet në periudhën 1971-1990, pjesa e dytë rrok vitet 1991-2010. Ndokush, me dashamirësi për poetin, mund ta quajë si ëndërr gjithçka të shkruar prej tij në periudhën e parë dhe si zhgjëndërr, domethënë edhe zhgënjim, gjithçka të shkruar në periudhën e dytë. Vetë Ndoc Gjetja në ndonjë rast do të përdorte karakterizimin “profka ideale” për gjithçka që e tërhoqi në rini dhe në burrërinë e parë (ta quajmë kështu). Por është më mirë të shohim konkretisht se ç’shkruante ai dikur, në kapërcyellin nga rinia në burrëri. Në luftë apo në punë, mes njerëzve të qeshur, do ta mbyll një ditë kapitullin e jetës sime, në buzë do të lë ndonjë frazë të pashprehur dhe në kokë ndonjë motiv të bukur poezie.
Dhe kur të kridhem në gjirin e tokës nënë i mbështjellë me pelerinën e përjetshme të heshtjes, do doja që për mua bashkatdhetarët të thonë: - Ai na deshi me gjithë fuqinë e zemrës! (“Bashkatdhetarëve”, “Rrezatim”, 1971)
Pikërisht me këtë poezi hapet vëllimi “Rrezatim”, i pari dhe, pse jo, më i freskëti i të gjitha vëllimeve të poetit. Vërtet nuk dihet se e sata për nga koha e thurjes radhitet ndër krijimet e tij kjo poezi, por një gjë është e qartë si drita: këto dy strofa jo vetëm tingëllojnë mirëfilli të sinqerta, sa më s’ka e deri në fund të sinqerta, dhe jo vetëm befasojnë me këtë lidhje, që një poet i ri i bën gjithë jetës së vet, deri në çastin e vdekjes, me misionin e dashurisë së përkushtuar ndaj njerëzve, por na tronditin – nëse jemi njerëz! – me forcën e pohimit më të bukur që mund të bëjë jo vetëm një poet, por edhe çdo njeri, në jetën e tij: të dojë njerëzit me gjithë fuqinë e zemrës. Ndoc Gjetja paraqitet, kështu – që në hapin e tij të parë në rrugën e gjatë, të lodhshme e plot pluhur të poezisë – si besnik i palëkundur i njerëzve. Ç’mund të duan, vallë, më shumë nga një poet lexuesit? Ç’mund të dojë më shumë brezi i ri se frymëzimin për një jetë të ndershme, domethënë pa përllogaritje dhe përfitime të vockla vetjake? Ku mund t’i gjejmë sot ne të tilla frymëzime, në ç’libër të kohës, tonin a të huaj, në ç’film, në ç’dramë, në ç’vepër arti, në ç’fjalim politik, në ç’traktat filozofik? Ndoshta unë e njoh pak, shumë pak, letërsinë e sotme në përgjithësi, poezinë në veçanti. Megjithatë jam i bindur që një pohim të tillë, të shprehur me kaq ashk e çiltërsi, me kaq forcë rrëmbenjëse, një të tillë kredo-premtim koha e sotme nuk është në gjendje jo më ta ripohojë, por as ta çojë nëpër mend. Kudo na jepen njerëz të degraduar, moralisht të kalbur a psikikisht të shkatërruar, vjedhës, grabitës, vrasës, shkurt, njerëz që e urrejnë njeriun në tërësi. Nuk ka një krijesë arti që të krenohet se i do me gjithë fuqinë e zemrës njerëzit. Një dashuri e tillë do të ishte tmerrësisht jashtë mode, tërësisht kundër modës. Si mund të përparojë atëherë me të tillë letërsi shoqëria? (Këtu do t’i ftoja lexuesit të dëgjonin nga fillimi deri në fund – gjithsej 16 minuta – kohën e tretë “adagio molto e cantabile” të simfonisë së nëntë të L.V.Bethovenit. Mesazhi i mësipërm i N.Gjetjes ka lidhje të qenësishme me këtë muzikë. Dhe jam i sigurt që do të bindeshin për fuqinë e amshuar të së mirës, sidomos në mjedisin e sotëm egoist, mjeran deri në pakufi.) Ndoshta unë i njoh pak, shumë pak, bashkatdhetarët e mi të sotëm në përgjithësi, të rinjtë në veçanti. Por kumtet që vijnë nga mjedisi, real dhe mediatik, sidomos ato kumte që i përkasin brezit të ri, nuk ndryshojnë shumë nga tablotë letrare. Çdo vlerë – duke nisur nga arsimi dhe edukimi e deri te puna e krijimi, ndjenjat e arti – shihet si një hiç, kur nuk sjell para. Duket sikur kjo është një çështje e ekonomisë së tregut. Në të vërtetë është çështje praktike, e jetës së përditshme. Si mund të begatojë kësisoj realisht, në trup e sidomos në shpirt, Shqipëria? Plot shembuj përreth dëshmojnë se rruga drejt ferrit, domethënë drejt falimentimit, është shtruar me ëndrra të bukura materiale. Le ta dëgjojmë përsëri N. Gjetjen se si e sheh veten në jetë: Dhe unë do të desha të jem një llambë e tillë përjetësisht i kërrusur mbi trotuar, që t’i ndriçoj këta njerëz të mirë me dritën e mendimit tim të bardhë. (“Meditime në vjeshtë”, “Rrezatim”, 1971).
Të tillë e shihte dyzet vjet më parë misionin e jetës një poet i ri shqiptar: të hidhte dritën e mendimit të tij të bardhë në rrugëtimin e njerëzve të mirë. Ajo që gjen këtu edhe sot një lexues me shikim të qartë është drita e dijes së bardhë, domethënë të moralshme, domethënë njerëzore, për njerëzit. Lexuesi gjen këtu edhe mirësinë e njerëzve, një virtyt kaq të moralshëm, kaq të nevojshëm, të domosdoshëm, për ecjen përpara të shoqërisë. Dhe nuk gjen gjurmë egocentrizmi dhe egoizmi, aq të përhapur sot. Përsëri mesazhe jashtë modës së sotme? Sigurisht. Si mund të ishte ndryshe? Jashtë mode janë sot fryma njerëzore, çiltërsia, ndershmëria, besimi te puna krijuese. Mos vallë kjo përbën një të metë të njeriut dhe poetit Ndoc Gjetja? Njerëzit e sotëm mund t’i përgjigjen me pohim kësaj pyetjeje. Njerëzit e sotëm mund edhe të tundin kokën e të thonë me vete se njerëzorja në të gjitha shfaqjet e saj, si ato të përmendura më lart, është një përrallë për syleshët. Unë megjithatë jam i bindur se një shoqëri, ku poezia nuk ka dritë, ndodhet në tunel dhe se një shoqëri pa mirësi, domethënë pa qytetarë të mirë, pa njerëzit e punës, pa nderimin dhe lartësimin e tyre, është e pashpresë. Sa për modën, mesazhet e saj (siç ka treguar historia) janë tërësisht kalimtare, pra, diçka që nuk përputhet me prirjen e vërtetë të njerëzimit. Mendoj se ia vlen të rendit edhe disa mesazhe poetike të Ndoc Gjetjes, thjesht t’i rendit me shpresën se lexuesit të sotëm nuk do t’i duken si gjuhë e pakuptueshme.
Dhe do të lindim shumë fëmijë, që do të rrojnë gjithmonë të lirë, dhe në qoftë se s’bëhet ndonjëri gjeni, do bëhen patjetër njerëz të mirë. (“Në prag të dasmës”)
Kokën që ke vënë tani në gjoks të mamit, do ta vesh mbi shqetësimet e botës nesër, por atëherë s’do të qash kështu si sonte dhe do të flesh shumë pak, patjetër. (“Në vend të ninullës”)
Sa keq! Për ta asnjëherë s’i kemi shkruar dy vargje poezie.
Dhe asnjëherë s’i kemi thirrur të na vijnë me fshesa, të na pastrojnë vargje, strofa në poema e vjersha. (“Fshesarët”)
Dhe artin e kërrusjes nuk e mësova, në këtë fushë nuk kam talent… (“Një vajze”)
Nuk la romane, tituj, dekorata e poezi, la pesë fëmijë, la veten e tij në jetë shumëzuar me pesë. Jetoi e vdiq, thjeshtë. (“Nekrologji”)
Luani është i mbyllur në hekur. Kapitalisti është jashtë, mes njerëzve i lirë. Për mendimin tim dhe të popujve, kjo nuk është mirë. (“Ai afrohet…”)
Ndërkaq nuk më bën zemra ta shpie lexuesin në pjesën e dytë të veprimtarisë poetike të Ndoc Gjetjes. Atje ka aq hidhërim e mëri, ka aq rrënoja të zymta zhgënjimesh. Dëgjimi i “Rekuiemit” të jetës së poetit nuk mund të bëhet me ftesë. Për t’iu drejtuar një krijimi të tillë çdokush duhet ta marrë vendimin vetë. Dhe mundësisht të jetë vetëm.
* * *
Dy fjalë nuk mund të mos thuhen edhe për stilin poetik të Gjetjes, një stil pothuajse i palëmuar. (Shkarazi dhe enkas po pohoj këtu që një stil i palëmuar vargëzimi nuk përputhet me estetikën time për poezinë dhe kjo hollë-hollë vjen veç në të mirë të artit të Ndoc Gjetjes). Tek e fundit poezia e shekullit XX, të cilit i përket si formim e veprimtari Ndoc Gjetja, para së gjithash poezia e vendeve perëndimore, nuk e ka dashur kurrë lëmimin, kumbimin e rregullt të ritmeve e të rimave. Vargu i Ndoc Gjetjes, ashtu si shtegu i malit, vjen si i ashpër, i përthyer, vende-vende me thepa. Së këtejmi më vjen e natyrshme të përfytyroj që Ndoci nuk duhet të ketë qenë një njeri, të cilit i qeshte buza lehtë, ndonëse zemra do t’i jetë mbushur me një gëzim të thellë e pothuaj të shenjtë, sa herë që ka parë malet, pyjet, përrenjtë, zogjtë, e po ashtu fëmijët, të rinjtë, nënat punëtore e baballarët e menduar. Më duket aq e vetvetishme – në të vërtetë tërësisht e pranueshme për arsyen – ta përfytyroj Ndocin si njërin prej atyre shqiptarëve, të lindur nga toka a të buruar nga mali, në shpirtin e të cilëve gjen edhe mërinë pa mllef edhe qeshjen pa shfrim, gjen në një rrjedhje të shtruar por të pashteruar të gjitha ndjenjat më të mëdha. Ata që e kanë njohur nga afër mund të më ndreqin në këto përcaktime. Ndokush, duke më pandehur në gabim, mund madje të thotë se shqiptarë të tillë nuk ka dhe se unë thjesht fantazoj. Por ja që mua në këtë udhëtim-hulumtim brenda vargjeve të Gjetjes si përmes rreshtave të tabelës së Mendelejevit ai m’u zbulua ca e nga ca e më mbushi me përshtypjen e një shqiptari pikërisht të tillë: që dashuron thellë e me besa-besën. Sot është bërë e modës, më saktë është kthyer në detyrim, që kritika – për aq sa e për si është katandisur ajo – të merret me të gjitha vogëlimat e një vepre a veprimtarie, me grimca të qena e ca më fort të paqena, dhe me asgjë të qenësishme të saj. Rendin njerëzit pas këtyre vogëlimave njëlloj si thashethemexhinjtë pas llafeve, sepse edhe poezia dhe shkrimtaria e sotme me vlerëza të të tilla përmasave është mbushur. Syri të sheh vetëm drurë të rralluar – disa të shtrembër, disa të pashëndetshëm – në mes të një djerrine, por nuk të qëllon as të shquash pyll e as të dëgjosh një ushtimë a fëshfërimë të thellë, që do të mbulonte çdo gërvimë e çdo klithje vogëlane. Në poezinë e Ndoc Gjetjes ndihet frymëmarrja e thellë, përgjithësisht e shtruar e ndonjëherë e furishme, e një pylli të madh. Dhe, kur lexuesi hyn në të, diçka sikur e shtyn befas në mënyrë të papërballueshme të heshtë, të mbajë vesh, të kridhet në mendime, të ëndërrojë. Pylli është atje, pranë teje, rreth teje, brenda teje, si një mik i vjetër e fjalëpakë që të shoqëron, për ç’i thua, me një të tundur mendimthellë të kokës a një psherëtimë brengëmbushur që gufon nga thellësia e qenies. E bukura, në të vërtetë e hijshmja, e madhërishmja, e poezisë së Gjetjes është pikërisht te kjo thjeshtësi e palatuar, e ngjashme me thjeshtësinë e gurtë të epikës gojore të popullit, është tek ajo gurgullimë jo metronomike e vargut, që të kujton kuvendimin e pandërprerë të një përroi malor, është tek ajo mirësi e mendimeve që mund ta gjesh vetëm te njeriu i urtë i popullit. E megjithatë, edhe prapa kësaj thjeshtësie pa solemnitet ndihet – i fuqishëm si trungu i një druri shekullor në një shpat mali – solemniteti i pakrahasueshëm dhe i pangatërrueshëm i saj. Kjo, edhe vetëm kjo, mjafton që Ndoc Gjetja të hyjë ashtu heshtur e pa bujë në mjedisin e shenjtë të poetëve tanë më të mirë, pranë Naimit dhe Mjedës, Agollit dhe Migjenit. Mes këtyre etërve të shpirtit poetik të shqiptarit Ndoc Gjetja ka vendin e vet me atë heshtjen e tij prej urtari dhe vështrimin e ngultë prej profeti. Në këngën e madhe shumëzërëshe të poezisë shqipe vjen e ndërthuret – pa tërhequr vëmendjen, kaq i natyrshëm në vlerën e vet – edhe zëri i kursyer, gjithsesi i veçantë, i shqiptarit të mirë Ndoc Gjetja. * * * Dhe më vjen së brendshmi të shpresoj që populli nuk do ta harrojë për fare këtë zë, zërin e një biri të vet të denjë, por diçka do të dëshirojë herë pas here të dëgjojë nga këngët e tij aq shqiptare. Kjo do t’i bënte aq mirë çdo shqiptari të thjeshtë, kjo do t’i bënte aq mirë shëndetit tonë shpirtëror. Dhe më vjen mirë të shpresoj, në të vërtetë dëshiroj me gjithë shpirt të shpresoj (ndonëse ka aq shumë forca ndër ne e sidomos në botë kundër një të ardhmeje të tillë!), që do të vijë një kohë, kur ndër ne nevojat materiale do të shihen vetëm e thjesht si nevoja e jo si dëshira e kënaqësi, ndërsa në ballë të synimeve tona do të dalë – më në fund e përfundimisht – përsosja e jetës shpirtërore të të gjithë shoqërisë. Deri atëherë Ndoc Gjetja me kumtin më të mirë të poezive të tij do të mbetet, e nuk ka si të mos mbetet, një udhërrëfyes drejt një shoqërie të tillë. Dhe pikërisht atëherë, pikërisht në shoqërinë ku lënda do t’i shërbejë shpirtit, ai do të marrë vlerësimin e vërtetë jo vetëm të lexuesve por të të gjithë shqiptarëve.
*Përkthyes dhe studiues. Tiranë, verë 2010 - 13 qershor 2011