Messi i lënduar nga akuzat se nuk angazhohet për Argjentinën

Tri herë futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, ka pranuar se është lënduar nga akuzat se ai nuk përkushtohet te përfaqësuesja e Argjentinës, aq sa angazhohet me Barcelonën.
24-vjeçari ka bërë namin me Blaugranët, mirëpo ai nuk ka arritur të jetë i suksesshëm edhe me kombëtaren e tij, ndërsa jo rrallëherë është bërë shënjestër e kritikave se nuk angazhohet sa duhet me fanellën e Argjentinës.

“Po, po, dhemb, më ka penguar. Sepse ata thoshin gjëra që nuk ishin të vërteta- se mua nuk më interesonte shumë për fanellën (e Argjentinës)”.

“Unë nuk ndjehesha ashtu, unë nuk mendoja ashtu. Dhe tash, mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë se kjo është një lojë ekipore, dhe unë mundohem të luaj njësoj edhe atje sikurse bëj te Barcelona, dhe gjithmonë jap maksimumin”.

“Barcelona është shtëpia ime, sepse edhe klubi edhe njerëzit këtu më kanë dhënë gjithçka, mirëpo unë asnjëherë nuk do të ndaloj së qeni argjentinas”, është shprehur Messi për Time Magazine.