Tevez rikthehet në stërvitje me Cityn

Carlos Tevez është rikthyer në kampin stërvitor të Manchester Cityt, por e ardhmja e argjentinasit mbetet ende e paqartë.

City më herët i dha pushim të zgjatur kapitenit pasi ai kishte qenë pjesë e Copa America me kombëtaren e Argjentinës.



Në mungesë të Tevez, City u mposht 3-2 nga rivalët e hidhur, Manchester United, në ndeshjen e Community Shield në Wembley gjatë të dielës, edhe pse qytetarët avancuan me rezultat 2-0 në pjesën e parë.



Ende është e paqartë nëse 27-vjeçari do të jetë në gjendje ose nëse do të ftohet të luajë për ndeshjen e parë të sezonit në Ligën Premier të cilën City e zhvillon si nikoqir i ekipit të porsa-promovuar në elitën e futbollit anglez, Swansea, që zhvillohet javën e ardhshme.



Tevez vazhdimisht e ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchesteri këtë verë, me qëllim që të jetë më afër familjes së tij në Argjentinë. Pas dështimit të transferimit të tij te ekipi brazilian Corinthians, ai së fundi është duke u lidhur me një transferim te Interi.