Libri që kam përzgjedhur është ai kritikut dhe redaktorit të njohur italian, Severino Cesari, “Giulio Einaudi, biseda” (Colloquio con Giulio Einaudi, Botimi i parë Theoria 1991). Fjala është për një dialog mes Cesari-t dhe Einaudi-t, që ka për objekt jo thjesht historinë e një shtëpie të madhe botuese italiane si Einaudi, por, dhe mbi të gjitha, mbarë një stinë të lulëzimit kulturor në Italinë e shekullit të kaluar.
E themeluar në nëntor të vitit 1933, kur djaloshi Einaudi ishte vetëm 21 vjeç dhe i ati ende jo President i Republikës Italiane, Shtëpia Einaudi afroi në redaksinë e vet emra të rinj (e më pas shumë të njohur), si Leone Ginzburg, Cesare Pavese, Massimo Mila, Norberto Bobbio, Franco Venturi, Elio Vittorini, Paolo Boringhieri e Luciano Foa', e më pas Italo Calvino, Natalia Ginzburg, Carlo Ginzburg, Fruttero e Lucentini, etj. Lufta e dytë botërore dhe periudha fashiste do ta shenjonte sipërmarrjen, përveçse me burgime dhe persekutime për botime të jashtëligjshme autorësh që kishin hyrë në listën e zezë të censurës, edhe me një vdekje tragjike nën torturat naziste, atë të 25-vjeçarit Leone Ginzburg, historian e filolog.
Pas Luftës, nën logon e “strucit” vizatuar posaçërisht nga Picasso, panë dritën e botimit mijëra tituj, origjinalë e të përkthyer. “Ai i Einaudit është struc që kurrë s’e fshehu kokën nën rërë”, do të thoshte historiani Norberto Bobbio duke iu referuar ndikimit që veprimtaria e Einaudi-t pati në kulturën dhe jetën e angazhuar italiane për disa dhjetëvjeçarë.
Për ironi të fatit, pas një historie suksesesh e falimentimesh ekonomike që kulmoi në vitet tetëdhjetë, Shtëpia Botuese Einaudi bëhet pjesë e grupit Mondadori (pronë e familjes Berlusconi). Një fotografi do ta përjetësonte Einaudi-n teksa, duke buzëqeshur pas aktit zyrtar të shitblerjes, i shtrëngon dorën Cavalier Berlusconi-t. Sipas disave, mbahej ende me iluzionin se do të mundte, në një mënyrë a në një tjetër, të lëvizte që mbrapa skenës edhe marionetat e politikës së re.
“Princi”, siç e kishin mbiquajtur për shkak të manierave prej aristokrati, pamjes së ftohtë e të paafrueshme, vdes në prill të 1999 nga një infarkt, në moshën 87-vjeçare. Jo keq, po të llogaritim se një tjetër pinjoll i pasur, Giangiacomo Feltrinelli, themelues në vitin 1954 i Shtëpisë Botuese me të njëjtin emër dhe më pas veprimtar i një grupi të Brigatave të Kuqe, do të humbte jetën në rrethana të errëta gjatë një aksioni sabotimi (mars 1972, Segrate, Milano) rrëzë një shtylle të tensionit të lartë, me trupin copash nga shpërthimi i një bombe. Thua për të na treguar se cili është fati i kulturës.





