Nga Me Giulio Einaudi
Një dialog mes Severino Cesari-t dhe Giulio Einaudi-t, që ka për objekt jo thjesht historinë e një shtëpie të madhe botuese italiane si Einaudi, por, dhe mbi të gjitha, mbarë një stinë të lulëzimit kulturor në Italinë e shekullit të kaluar...
[...] Nëse s’bëhet fjalë për një projekt të sistemuar, a ekziston së paku një kriter i përgjithshëm, që përfshin apo që ka udhëhequr përvojën tënde si botues?
- E kam quajtur “botime dhe jobotime” këtë kriter, dhe me këtë natyrisht s’dua të them se ne të Einaudi-t jemi botimet dhe të tjerët jo. “Botime dhe jobotime”, jo sepse Shtëpia Botuese Einaudi është më e mira, por për të nënvizuar një angazhim qytetar, që një pjesë e botuesve ka marrë përsipër lidhur me shoqërinë. “Botime” janë ato që, në vend që “t’u përshtaten shijeve të publikut”, - shije që shpesh pretendohet se njihet, por që në më të shumtën e rasteve ngatërrohet me atë personalen - , përudhin në kulturë prirjet e reja të kërkimit në çdo fushë: letrare, artistike, shkencore, historike, shoqërore, dhe punojnë për të nxjerrë në sipërfaqe interesa të thella, edhe pse këto shkojnë kundër rrymës. Publikime që, në vend të nxitin interesin epidermik e të ndjekin fenomenet që pluskojnë mbi syprinën e rrëshkitshme të shijes, të nxitin formimin e qëndrueshëm. Të shijes, por edhe të publikut, e kësisoj të tregut.
Ajo “jo”-ja e “jobotimeve” karakterizon botuesit që nuk e vendosin veten në këtë fushëpamje, por që përpiqen të kënaqin dëshirat më banale të publikut dhe që mbi këto themelojnë sipërmarrjen e tyre... Mbështetur në asgjë, në zbrazëti. Pa lënë gjurmë pas vetes. Vërtet, nuk dua të shpall se ne jemi më të mirët, që si ne s’ka: si ne, të tjerë kanë kaluar, shumë kanë dalë, kanë shkëlqyer, janë rrëzuar. Me dhjetra e dhjetra botues, sidomos të vegjël, se këta është vështirë t’i mbash nën hyqëm.
Ku konsiston puna e një botuesi? Ç’është “puna me botimin”?
- E them shpesh që botimet janë “njohuri mbi njeriun”. Bukuria, çelësi i kësaj pune është se shpërblehet inteligjenca, që nga ana e vet, ushqehet pikërisht prej marrëdhënies me njerëzit. Inteligjenca s’duhet të synojë thjesht veten, s’duhet të jetë e pabukë, e plogësht, s’duhet mbytur a shuar në monotoninë e rutinës së tepruar. Punën e rutinës duhet ta bësh, Cesare Pavese e bënte dhe gjer edhe krenohej me të. Ndonjëherë dukej sikur, po vetëm “sikur” ama, ishte pikërisht ajo krenaria e tij. Veçse ishte ai që komandonte veten, nuk ishte i komanduar.
Vetëkomandohej thua, po ti i vure pranë një tjetër editor të madh e shkrimtar, Elio Vittorini-n. Kështu ke bërë shpesh: vendosje krah një editori të madh, një antagonist, në mënyrë që të lindte një konflikt.
- Po, e ndihmoja Pavese-n të kishte bashkëbisedues, kundërshtarë idealë. Natyrisht, ai vetëqeverisej në punën e vet, shkruante librat e veta, përgatiste librat për Shtëpinë Botuese, propozonte. Por historia e Einaudi-t është historia e një grupimi, e një kolektivi të formuar në kohë të ndryshme prej shumë inteligjencave “konfliktuale”: kjo do të thotë se mbanim një lidhje të thellë, mes nesh dhe me realitetin, siç është e natyrshme të ndodhë në një shtëpi botuese të kulturës kur kjo është me të vërtetë e këtillë dhe jo një makinë që ndjek një ideal të vetin abstrakt. Merret vesh që përpiqesha t’i qeverisja këto konflikte. E pranoj me zë të lartë, po kjo s’do të thotë se ia kam dalë mbanë gjithnjë.
Si do ta përkufizoje sot shndërrimin që po ndodh në botimet, edhe në ato të kulturës?
- Nuk kam dyshim për faktin që jetojmë këto vite një çast që ndan epoka: nga njëra anë botimet e Tetëqindës – nga Gutenberg-u e më pas -, ku figura dominuese ishte ajo e botuesit që shtypte dhe bënte gjithçka vetë, e që më pas evoluoi në figurën e botuesit të shoqëruar prej një editori kryesor. Dhe nga ana tjetë: risia e korporatave. Korporata është shoqëri anonime dhe aty anonimë janë edhe personeli që drejton sipërmarrjen, edhe menaxherët që vijnë nga profesione nga më të ndryshmet.
Në korporata figura e mëparshme e botuesit me editorin e vet kryesor ngjajnë si Don Kishoti dhe Sançoja. Ndokush mund të pyesë se mos ndoshta ky shndërrim nuk do t’i ndryshonte faqen tërësisht jo aq “profesionit” sa cilësisë së produktit.
- Ndoshta ke të drejtë. Kij parasysh që menaxherët e mëdhenj kanë prirjen të rendin pas best seller-it, që është mirazhi i madh në shkretëtirën e “jobotimeve”, dhe e lënë mënjanë ose e pranojnë librin e kulturës së mirëfilltë brenda kapriçove të bilancit dhe sponsorëve. Por shpesh bilancin e ka kositur honi financiar i krijuar prej atyre që do t’i quaja “best seller të rremë”, ose më mirë libra pa asnjë cilësi që do të donin të ishin best seller, por që, në realitet, në shumicën e rasteve shesin vetëm një pjesë të tirazhit të panumërt. Për një best seller “të vërtetë”, sa të tjerë “të rremë” ekzistojnë që kanë përfunduar në plehra, së bashku me ato fushatat e tyre të shtrenjta publicitare? Natyrisht një rezultat best seller-i i rremë e ka arritur: ka përzënë nga banakët e librarive botimet e vërteta, siç bën monedha e keqe me të mirën.
E megjithatë, kush na garanton që, kjo guerrilje e zakonshme, e përditshme, që zhvillohet nëpër librari dhe që duket pakogjë krahasuar me ngjarjet dramatike nga të cilat e filluam bisedën, nuk është, në mënyrën e saj, një përpjekje e trurit dhe e mendimit për të ndërruar formë e për të mbijetuar në kohë të reja. Kjo po që ka lidhje vërtet me jetën.
Fole për “projekt”. Të kujtohet ajo pjesa te Qytetet e padukshme të Italo Calvino-s, kur dikush mbërrin në qytetin e Teklas dhe “pak sheh prej qytetit qëpas rrethojave të punës, strehëve bërë prej thasëve të pëlhurtë, skelave, armaturave të metalta” dhe pyet: pse ndërtimi i Teklas po zgjat kaq shumë? Ç’kuptim ka ky ndërtim? Cili është qëllimi i një qyteti në ndërtim e sipër, në mos po vetë qyteti? Ku është plani që ndiqni, projekti?
- Më kujtohet mirë. Nëse s’gaboj, banorët e Teklas i përgjigjen intervistuesit: do të ta rrëfejmë sapo të mbarojë dita; tani s’mund ta ndërpresim punën. Calvino është një shok rruge që do të na udhëheqë shpesh në këtë libër: le ta lëmë atë të flasë. “Puna pushon në të mugëllyer. Nata zbret mbi kantier. Është një natë përplot yje. – Ja, projekti! – thonë”.
* Titulli është i Peshkut. Marrë nga "Colloquio con Giulio Einaudi, Botimi i parë, Theoria 1991"





