Del Bosque: E merituam fitoren ndaj Lituanisë

Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, mendon se ekipi i tij meritoi të shënoj fitoren e 16-të radhazi kualifikuese, pasi mbrëmë mposhti Lituaninë me rezultat 3-1.
Golat e pjesës së dytë, dy të shënuara nga Fernando Llorente, dhe një tjetër nga David Silva, ishin të mjaftueshme të mposhtin Lituaninë.
“Këto janë tre pikë shumë të rëndësishme për ne. Ne kemi kombinuar topin shumë mirë, por na mungoi efikasiteti në pjesën e parë. Por ne e merituam fitoren. ishte ajo çfarë dëshironim, gjashtë pikë nga dy ndeshje”, ka thënë Del Bosque.
Spanja të martën udhëton në Skoci, ku do të synojnë të ruajnë rekordin e fitoreve të njëpasnjëshme në fazën kualifikuese. Që nga barazimi 1-1 ndaj Islandës në shtator të vitit 2007, Spanja ka fituar çdo ndeshje kualifikuese që ka zhvilluar, dhe për më tepër ata janë të pamposhtur në ndeshjet kualifikuese që nga humbja ndaj Suedisë në tetor të vitit 2006.