Boshti i politikës së presidencës “Klinton”

 “Zaman”

 

Disa ditë më parë, ish-Presidenti amerikan Bill Klinton mbajti në kampusin universitar ‘Istanbul Bilgi” të Stambollit referatin me temë: “Rreziqet dhe sfidat që e presin botën e shekullit XXI”. Mes shumë të pranishmëve, në këtë konferencë merrnin pjesë edhe politikanë, akademikë, gazetarë e studentë.
Përballë pjesëmarrësve të shumtë qëndronte një figurë e mençur politike si Bill Klinton, që mban mbi shpatulla një karrierë të spikatur politike. Gjatë dhe pas lënies së detyrës prej tij në Shtëpinë e Bardhë, bota u shndërrua në një vend më të qetë dhe më pak të rrezikshëm se ç’ishte më parë. Klintoni theksoi qëndrimin e tij për anëtarësim të plotë të Turqisë në Evropë, mendim të cilit i kishte qëndruar dhe i qëndronte i palëkundur edhe ditëve të sotme. Duke e shtjelluar më tej idenë e tij, veçanërisht tek paniku që i ka kapluar evropianët nëse Turqia anëtarësohet në Evropë do të ketë dyndje emigrantësh, ish-presidenti amerikan u shpreh: “Nëse zhvillimi ekonomik i Turqisë ecën me këto ritme, ka shumë mundësi që evropianët të kthehen në emigrantë të Turqisë; nëse i hedhim një sy moshës mesatare të popullsisë evropiane, dikush mund të mendojë që vështirë se do të mbetet njeri i aftë për të emigruar”. Duke vënë theksin te rëndësia që ka Turqia në botë, Klinton u shpreh se ai e kishte dëshmuar rolin e Turqisë qysh një vitin 1993. Më pas ai dha detaje edhe të takimeve e bisedave me këshilltarët e tij ekonomikë dhe të sigurisë, në lidhje me politikën e jashtme amerikane të vitit 1993,ku, ata e rendisnin Turqinë në një prej 10 vendeve më të rëndësishme në botë, që modelojnë të ardhmen e botës.
Turqia e ditëve të sotme shpërfaqet me fuqinë e duhur, burimet njerëzore dhe shpirtin e sipërmarrjes së lirë- cilësi këto që së fundmi po dalin edhe më tepër në pah - për të qenë një vend me ndikim në rrafshin global. Madje pak më herët se ç’pritej. Turqisë nuk i mungojnë elementët përbërës, ndonëse ishim thuajse duke e humbur nga drejtimi një figurë që di mësëmiri si t’i kapitalizojë këto aftësi kombëtare. Kryeministri turk Recep Tayyip Erdoğan ka treguar aftësitë e duhura për të luajtur denjësisht në arenën botërore. Hovi turk ka vënë në siklet disa popuj në botë. Turqia ia doli mbanë të kthehej nga një vend që përgjithësisht i thoshte “lepe-peqe” shumë qendrave vendimmarrëse në botë, në një vend që ka nisur të ndjekë një linjë të pavarur. Nuk ishin të pakta mediat në botë që u përpoqën ta shquanin këtë mësymje turke si një orvatje për të ndërruar “kahun e qarkullimit”. Turqia hamendësohej se do të braktiste aleancën me Perëndimin dhe do të kthente sytë përfundimisht nga Lindja.
Nga ana e tij, ish-presidenti amerikan Bill Klinton, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme ne politikat globale dhe i solli prosperitet vendit të tij, jo vetëm që i hodhi poshtë këto hamendësime, por vërtetoi mençurisht të kundërtën e tyre: “Turqia dhe Stambolli janë ‘metafora’ të asaj që bota dëshiron dhe mund të bëhet”. Klintoni nuk i la asnjë mundësi përligjjes së debatit “të ndërrimit të boshtit” prej politikës së jashtme turke. Ai theksoi se Turqia ka qenë kundërshtare e padrejtësive, duke sjellë në kujtesë shembullin e anijes në Gaza. Kjo është një përqasje që hedh dritë tek të gjitha atë që kur marrin një shenjë pozitive nga vendet perëndimore, vijojnë në ndjekje të asaj udhe sipas veçorive përkatëse dhe u ofrojnë mundësi “të tjerëve” t’i njohin më afër e më mirë se cilët janë me të vërtetë. Në fund të fundit, Turqia nuk është vetëm vendi që mbërritur në 7% e rritjes ekonomike, si dhe ka investuar mjaft vitet e fundit në sektorin arsimor, shëndetësor e transport, por është edhe një vend mysliman. Përsa i përket problematikave të kohës që shqetësojnë të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, Turqia vijon të ofrojë zgjidhjet e saj në zgjidhjen e konflikteve rajonale të trashëguara nga e shkuara.
Kur bëhet fjala për një vend sekularist si Bosnja, kundërshtitë nuk marrin edhe aq flatra, por nëse qoftë edhe për një çast zihet në gojë Gaza, njerëzit përgjithësisht shpalosin me patos pikëpamjet e këndvështrimet e tyre nga më të ndryshmet. Në rastin e Gazës, ka një arsye të dyfishtë: së pari, ngaqë nuk duan të bezdisin Izraelin; së dyti ngaqë popullata që duhet të mbrojnë ka një përkatësi myslimane. Duke shpjeguar rreziqet dhe sfidat e një botë të globalizuar, Bill Klintoni vuri theksin jo vetëm te zhvillimet që kanë ndodhur, por edhe ato që priten të ndodhin. Farkëtimi i një ‘aleance civilizimesh’ është i vështirë, por kur kjo arrihet, gjithkush në botë gëzon frytet e saj. Nuk është e lehtë t’ia dalësh mbanë kësaj sfide, aq më tepër kur ka një “bllok” qe i sheh myslimanët si kërcënim, nga ana tjetër e bën një sy qorr e një vesh shurdh kur myslimanëve u kryhen padrejtësi.
Madje, ky lloj qëndrimi i standardeve të dyfishta shpesh është i pranishëm edhe në mjedise politike e mediatike vendase. Oratorët dhe penat që kritikonin ashpër Ankaranë zyrtare se nuk u tregua e vendosur për të miratuar sanksionet e KS të OKB-së, nuk shfaqeshin po të tillë kur padrejtësitë e “të tjerëve” bëheshin sheshit. Bill Klintoni i kushtoi mjaft hapësirë shpjegimit të kuptimit të fjalës “tjetri”, si dhe qëmtoi rëndësinë e pranimit të “tjetrit” dhe të “të ndryshmit”. Ish-presidenti amerikan u shpreh se 98-99% e gjeneve njerëzore janë të njëjta, kurse ndryshimet rrahin aty te 1-1.5%-shi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndryshimet mes liberalëve e konservatorëve. Sigurisht, pyetja që ngrihet në këto raste është se si do ia dalim mbanë të vëmë në dukje të përbashkëtat tona, në një botë që priret t’i mëshojë më fort ndryshimeve dhe dallimeve. Megjithatë, ne jemi një vend që i ka aftësitë për të dalë me sukses në përballjen me këtë sfidë.
Rritja ekonomike dhe faktorët historikë luajnë së bashku një rol të rëndësishëm. Popullata e Anadollit, që ende nuk ia ka dalë mbanë por që gjithsesi po përpiqet t’u japë zgjidhje problemeve me afrikanët, besoj se do të shfaqet e aftë për të kuptuar e pranuar edhe ata që janë paksa të ndryshëm prej saj. E rëndësishme është që boshti ynë mbetet i qëndrueshëm – madje edhe vetë ish-presidenti amerikan Bill Klinton e dëshmoi bindshëm këtë fakt.

Posted via email from Shkupi Press extra