Si s’po mundin disa analistë të shohin fenomenin e Shqipërisë që po ndryshon?

 Nga Bardh Frangu

 

Një njeriu, i cili pati fatin të jetë bartës i proceseve të inkuadrimit në NATO dhe i hapjes së rrugës për inkuadrim në BE, siç është kryeministri Berisha, i lejohet të ndjehet paksa i ekzaltuar. Sigurisht që ai mund të kritikohet, por jo për gjërat të cilat kanë rezultuar të suksesshme për vendin dhe qytetarët e saj

Sigurisht që Lubonja si publicist është njëri nga zërat më të kultivuar të oponencës jo vetëm politike, por edhe kombëtare. Në këtë kuptim është pasuri e madhe e ndërtimit të mendimit kulturor dhe politik ndër ne. Megjithatë, përpjekja e tij që brenda konstelacionit të forcave politike të duket sa më i balancuar, e ka dërguar në gjykime të paqëndrueshme, madje me refleksione edhe të dëmshme për momentin politik nëpër të cilin po kalon Shqipëria. Në këtë rast po veçoj dy shkrime të tij, të cilat kanë të bëjnë me dy ngjarje të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Kohë më parë Lubonja shkroi për Rrugën e Kombit si një vepër që tmerrësisht ka degraduar ambientin dhe si e tillë del të jetë e dëmshme për vendin. Kjo nuk është e vërtetë. Të gjithë ata që shohin pa dioptri politike, vlerësojnë se kjo rrugë e shpëtimit të shqiptarëve jo vetëm që nuk ka degraduar ambientin me kodra të zhveshura, por nëpër to është shtrirë si një vepër skulpturale e jashtëzakonshme, e cila i ka shtuar bukurinë dhe krenarinë kësaj cope të pashkelur të Shqipërisë.
Në rastin e dytë Lubonja kritikon ashpër kryeministrin Berisha pse ka zgjedhur Krujën që të shkojë dhe të prononcohet duke thënë se akti i heqjes së vizave është fitorja më e madhe e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut. Ku tjetër më mirë dhe më bindshëm se në Krujë mund të komunikohet një lajm i tillë!? Sigurisht që duke qenë se Skënderbeu është cilësuar si atlet i krishterimit, ndërsa Evropa është ndërtuar mbi këtë bazë, ka qenë fare logjike që të zgjidhet ky vend dhe vetëm ky vend. Edhe presidenti i ndjerë i Kosovës, dr.Rugova, e kishte zgjedhur këtë vend për të bërë një betim të llojit të vet. Madje thuhet se në librin e përshtypjeve të muzeut të Krujës, ai ka lënë të shkruar një porosi, duke vlerësuar se vetëm aty (në Krujë) duhet të betohet çdo gjeneral dhe çdo kryetar i shqiptarëve. Lubonja nuk mund të thotë që Rugova nuk ka pasur të kultivuar një ndjenjë qytetarie, përkundër që edhe kjo gjë Lubonjës mund t’i duket si shumë folklorike dhe madje me premisa nacional-komuniste, siç ka dëshirë të thotë ai, por as vetë jeta nuk është më shumë se një shenjë simboli. Kjo nuk ngjet vetëm me shqiptarët, përkundër që duhet pranuar faktin se ne jemi më shumë të shtrënguar nga historia dhe mitet.
Sigurisht që liberalizimi i vizave nuk do ta ndërrojë kualitetin e jetës së shqiptarëve, por ama ka kuptim të rëndësishëm psikologjik, sepse përfundimisht i largon shqiptarët nga logjika e bunkerit, e cila i ka mbajtur të mbyllur me dekada. Liberalizimi i vizave i liron shqiptarët edhe nga ankthi i kutisë së Ramës, e cila vazhdon të funksionojë si një bunker prej letre. Një njeri i cili pati fatin të jetë bartës i proceseve të inkuadrimit në NATO dhe i hapjes së rrugës për inkuadrim në BE, siç është në këtë rast kryeministri Berisha, i lejohet të ndjehet paksa i ekzaltuar. Sigurisht që Berisha mund të kritikohet për shumëçka dhe duhet të kritikohet, por jo për gjërat të cilat kanë rezultuar të suksesshme për vendin dhe qytetarët e saj. Kritikat në këtë bazë nuk mund të mos jenë sall një bumerang për ata që i prodhojnë, siç është Lubonja në këtë rast. Duket ashiqare se ballancimi me çdo kusht të shpie edhe në degradim të ambientit, por edhe në degradim të frymës politike, e cila është shumë e brishtë në Shqipëri, madje përgjithësisht në hapësirat shqiptare.
Nëse pranojmë faktin se jeta funksionon në bazë të shenjave, përkatësisht simboleve, nuk duhet harruar se shqiptarët ishin komuniteti i vetëm në Evropë që kishte protestuar në mbrojtje të Murit të Berlinit. Protestuan shqiptarët edhe kundër inkuadrimit në NATO. Shqiptarët provuan të bllokojnë liberalizimin e vizave nëpërmjet ndërtimit të një ngërçi politik. Këto janë shenja ogurzeza për ne, por jo ekzaltimi i Berishës, i cili në fund të fundit, është rritur dhe kultivuar në një kohë të propagandës ekstreme, e cila nuk ka mundur e të mos lë shenja dalluese në të. Tjetër gjë është që dikush yjet nuk i sheh si trupa të zjarrtë, por i sheh si bajga, sikundër që dikush bajgat mund t’i shohë si yje. Mirë është që trupat dhe fenomenet të shihen ashtu siç janë. E shihet se Shqipëria po ndryshon për të mirë.    

Posted via email from Shkupi Press extra