Kundër cilëve këmbëngul të fitojë Beogradi?

 Nga Qemal Sakajeva

 

As nuk duhet dyshuar që, qysh prej dy vjetësh, Serbia praktikon një revansh kundër Perëndimit. Sa më shpesh, sa më fort, sa më në mënyrë absolute, që shprehet kundër Kosovës, aq më kthjelltë shihet se, saç Beogradi hapur nuk e llogarit  pavarësinë, aq etshëm e ethshëm mëton sfidimin e perëndimit euro-atlantik. Kjo nuk është pikëpamje e sforcuar kundërserbe, por taktikat e Serbisë ndërtojnë manovra gjithëfarëshe kundër Kosovës për fitore domethënëse ndaj Perëndimit. Ngjashëm që, ashtu siç Aleanca e Atlantikut të Veriut mundi Serbinë me luftë dhe më pas bën përpjekje të durueshme për ta mbajtur Serbinë afër vetes, poashtu Beogradi këmbëngul të mund Perëndimin me paqë, duke i mbetur pranë Brukselit dhe Uashingtonit. Lufta e një fuqie të madhe ushtarake - NATO-s, ndaj një vendi të vogël - Serbisë, zgjati 78 ditë vetëm për të mbetur si e tillë e deri në fund edhe humane. Edhe pas saj, Serbia trajtohet poashtu që, fuqitë e kohës - SHBA dhe BE, të mos vihen në rrafshin e përballjes me një shtet të vogël. Dikur Serbia do të bëhet  pjesë e Bashkimit Europian dhe anëtar i NATO-s, por gjatë këtyre shumë e shumë viteve, nuk ka vend tjetër në Europë që të jetë më kundërshtar e mallkues i Perëndimit se sa Serbia. Përveç që, ende nuk i ka dorëzuar të gjithë kriminelët në Hagë,  ka ndërmarrë fushatë politike skualifikuese ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për pavarësinë e Kosovës. Kritikën e intelektualëve serbë se, “Serbia e humbet në paqë atë që e fiton në luftë”, Beogradit po rreket ta përmbushë, me qëllim që “Serbia të fitojë në paqë atë që e humbi në luftë”.
Këtë e vërtetojnë dy veprime kryeneçe të Beogradit. I pari ishte paraqitja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, të kërkesës për të gjykuar pavarësinë e Kosovës, në Gjykatën e Hagës, si shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Kjo ndërmarrje diplomatike e ligjore serbe, që cilësuar si ofensivë e pazakontë e një shteti të vogël dhe zgjuarsi e dallueshme e politikës së Beogradit. Siç, tanimë, dihet, Asmableja e Përgjithshme e OKB e pati miratuar dërgimin e kërkesës serbe në Hagë dhe, pas një procesi njëvjeçar të shqyrtimit të saj, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rrëzoi Serbinë: Kosova, duke shpallur pavarësinë, nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare; pavarësia nuk binte ndesh me Rezolutën 1244; ajo nuk vihej në kundërshtim me kornizën kushtetuese të hartuar nga OKB. E gjithë kjo solli zhvillime edhe më të përshpejtuara, por nga mendja nuk të hiqet kurrësesi që, Perëndimi nuk e pati kundërshtuar asfare,  e as penguar hiç, kërkesën serbe, në të drejtën që, akti i shpalljes së pavarësisë të shqyrtohej nga Gjykata e Hagës. Beogradi, që e gjithçka nisi e priti për tjetër opinion, edhe pse e dinte që çdo lloj vendimi nuk e zhbënte dot shtetin e Kosovës, rrinte gati të rrokte qiellin e shtatë, për mundjen e Perëndimit - një fitore elitare, jo me forcën e NATO-s  por me drejtësinë, kundër gjithë atyre që e sulmuan ushtarakisht dhe të tjerëve që e mbështetën luftën pa marrë pjesë në betejë.
Kjo nuk ndodhi dhe, kokat e paqeta serbe, nuk  pritën për të arsyetuar me mençuri, por në këmbë e në dorë, miratuan e  dërguan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, projekt-rezolutën kundër Kosovës, për ta kthyer perëndimin euro-atlantik aq pas, deri një ditë pas luftës. Në Beograd asgjës nuk ka ndryshuar, por as në Perëndim nuk ka ndryshuar asgjë. SHBA dhe BE, vende si Anglia, Gjermania e  të tjera, po i flasin Beogradit qëruar: Tërhiqe projekt-rezolutën dhe u bëjnë thirrje shteteve të botës të votojnë kundër saj, nëse nuk merret mbrapsht. Formula që po i shërbehet, është e thjeshtë: Të fillojnë bisedimet Beograd - Prishtinë si dy shtete fqinj, me statuse te përfunduara e kufij të përcaktuar. Por Beogradi ende i mshon serbizmit, se Kosova është territor i patjetërsueshëm i Serbisë, dhe nuk heq dorë nga marria për mundjen në Pallatin e Qelqtë, pa thyer asnjë  xham, të vendeve të shumta njohëse të Kosovës. Ky revansh i pakrye, ka për strategjinë shtetet më të mëdha e më demokratike të botës, për t’u barazuar me to, në fitore dhe humbje, për të mbetur miq me ta e armike me Kosovën. Nëse projekt-rezoluta nuk tërhiqet, Beogradi do të bëhet humbësi i madh i trefishtë: më 10 qershor 1999 u mund me luftë, më 22 korrik 2010 humbi me drejtësi, më 9 shtator 2010 do të dështojë me votë. Më pas pritet që të hedh në tavolinë e politikës tezën se mund të njohin Kosovën e federalizuar, ose e zhvoshkur nga mbështjelljet e fjalëve, do të kërkojnë ndarjen e saj. Perëndimi, që ka deklaruar mjaft, duhet të veprojë efektivish: Beogradit të çmëndur gjatë luftës, që sillet tejet i lodhshme e megalloman në paqe, t’i vihen barrierat - s’ka BE për një vend që sulmon, me të gjitha mënyrat e pada, sa shtetin e Kosovës, aq e më fort, edhe shtetet e politikën euroatlantike.

Posted via email from Shkupi Press extra