Historitë e harruara të një vere të nxehtë

Nga Moisés Naim (Foreign Policy)

 

Janë pak të rejat e ndodhura këtë verë. Është e lehtë të kesh përshtypjen se e gjithë bota ndalon, vetëm për shkak se një pjesë e madhe e shoqërisë perëndimore ndalet duke pushuar për disa javë në mes korrikut dhe gushtit. Por kjo ndjenjë nuk i korrespondon realitetit. Në fakt, gjatë një vere që për disa mund të ketë qenë e qetë dhe e përgjumur, për shumë të tjerë kanë ndodhur gjëra të paparashikueshme. 
Së pari: Vera që kaloi ishte vera më e nxehtë e ndjerë ndonjëherë. Në gusht, NOAA (National oceanic and atmospheric administration), agjencia federale e SHBA-ve që merret me mbledhjen dhe analizën e të dhënave mjedisore, ka komunikuar se nga janari deri në korrik temperatura mesatare e planetit është rritur me 1,22 gradë Fahrenheit në krahasim me vlerën mesatare totale të shekullit të XX-të. Kjo është temperatura më e lartë e regjistruar në botë që nga viti 1880, kur ka filluar mbledhja e statistikave të besueshme. Moti i nxehtë ka qenë një shenjë dalluese e kësaj vere, dhe në shumë qytete termometrit ka arritur nivele rekord. Për më tepër, vala e të nxehtit që goditi disa vende, përkoi me shirat e rënda që ndodhin në vende të tjera. Kështu, ndërsa Rusia digjej, Pakistani u përmbyt nga shirat. Tragjedia klimatike në Pakistan ka arritur të paimagjinueshmen, duke dëmtuar një numër njerëzish shumë më tepër se ato që u gjendën në efektin shkatërrues të Uraganit Katrina, dhe tërmetit në Haiti, si dhe cunamit të Azisë të vitit 2004 duke i marrë së bashku. Statistikat tregojnë se këto episode të shiut ekstrem, të të ftohtit apo të të nxehtit janë shumë më të shpeshta seç ishin më parë. 
Së dyti: Kinezët nuk shkojnë me pushime. Në mes të gushtit, Kina njoftoi se prodhimi i saj i brendshëm bruto kishte tejkaluar atë të Japonisë, duke u bërë kështu ekonomia e dytë më e madhe në botë pas Amerikës. Shumë ekspertë besojnë se Kina është e destinuar të bëhet fuqia e parë ekonomike në botë. Nuk është çudi që ekonomia e Kinës është më e madhe se ajo e Japonisë: kjo është një situatë normale për dy mijë vjetët e fundit. Superioriteti ekonomik i Japonisë ishte një fenomen i përkohshëm.
Së treti: Lindi një linjë ajrore e re. Në gusht u njoftua bashkimi i linjës ajrore braziliane TAM dhe asaj kiliane LAN. Ky informacion nuk do të ngarkohej me interes në qoftë se madhësia e kompanisë së re do të tejkalonte të gjitha kompanitë e tjera të Amerikës Jugore, dhe për kuptimin që merr rritja e paparë e klasës së mesme latino-amerikane. Në kushtet e fitimeve, kompania e re do të jetë e treta në botë dhe për nga kapaciteti do të jetë në klasifikimin e dhjetëshes së parë për nga numri i udhëtarëve. Madhësia e tregut në botë për transportin ajror të pasagjerëve varet përgjithësisht nga klasa e mesme për shkak se të pasurit janë pak dhe të varfrit nuk udhëtojnë. 
Shfaqja e këtij gjiganti të aviacionit komercial ka qenë e mundur në sajë të zhvillimit të një klase të mesme të fortë në Amerikën Latine. Në këtë kuptim, rasti i Brazilit është veçanërisht simbolik. Sipas editorialistit Miriam Leitao, tregu brazilian i transportit ajror është rritur me më shumë se 56% midis 2003 dhe 2008-s. Edhe vitin e kaluar, ndërsa tregu pësonte një reduktim në të gjithë botën me 2,6%, në Brazil rritej me 13%. Dhe ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm me Brazilin. Të gjitha linjat ajrore në Amerikën Latine këtë vit kanë shënuar një rritje prej 24%, çka është më e larta në të gjithë botën. Fakti që shtresa e mesme latino-amerikane po udhëton kaq shumë në një kohë krize të thellë ekonomike, është një ndryshim i rëndësishëm për rajonin. 

Posted via email from Shkupi Press extra