E ardhmja e së shkuarës staliniste në Ukrainë

Nga Youri Androukhovytch (Frankfurter Allgemeine Zeitung)

Erdhi çasti që u ndërgjegjësova për çka po ndodh rreth e qark meje. Ëndrrat nuk më pëlqejnë më. Po më vënë në siklet qysh prej disa muajsh. Pak a shumë që kur realiteti në Ukrainë i përngjan ëndrrave. Na duhet edhe një dhjetëvjeçar tjetër, shprehen optimistët. Me fjalë të tjera, së paku edhe dy mandate zyrtare për presidentin në detyrë. Ëndrrat e mia kanë një synim vrastar. Unë jam hallka e fundit e zinxhirit të konspiratorëve. Mbi supe mbaj një mjet vrastar dhe më një qëllim të përcaktuar. Misioni im është të mbroj vendin, duke shënjestruar politikanët e niveleve të larta, pasi këta janë objektiva të fortdëshiruar, ashtu të bëshëm e të ngjallur siç janë. Por ja që nuk ma bën zemra të tërheq këmbëzën. Është kobndjellëse të shohësh ëndrra të tilla. Më vjen turp nga vetja.
Secili prej jush mund të shfrytëzojë Ukrainë e ditëve të sotme si diçka të skicuar për të kuptuar në vazhdë “Brishtësinë e demokracisë apo se si ne po bëjmë prapaktheu në diktaturë”. Njeriu që u brejt nga “fyerjet e 2004-ës”(kur u mposht nga Viktor Yushchenko në zgjedhjet presidenciale) po shijon frytet e hakmarrjes vetaike. Viktor Yanukovych-i është i pari “president i pakicës” në historinë tonë; në raundin e dytë të zgjedhjeve(në shkurt 2010) ai mori më pak se 49% të votave. Kjo të plazmosh idenë se do të jetë më pak i dobishëm se paraardhësi i tij. Por, ajo që të bën që të plasësh nga marazi është ideja se mund të jesh aq mendjeleshko sa të besosh se kushtetuta e vendit është e padhunueshme, e pacenueshme.
Që nga mesi i muajit mars, presidenti në detyrë po e shfrytëzon pushtetin e tij me një shkathtësie zhdërvjelltësi të paparë. Ka nën hyqëm një shumicë parlamentare që nuk bën veç temena pa hesap urdhrave të tij, duke shpërfillur krejtësisht opozitën. Rasti i fundit ishte ai i votimit, si në filmat me spiunazh, në lidhje me ligjin për parimet e politikës së jashtme. 420 amendamentet e propozuara nga opozita u hodhën të gjitha në kosh, ashtu tak-fak. Kabineti kryeministror drejtohet nga Mykola Azarov, një armik i shpallur i biznesit të vogël e të mesëm- njëherazi mik i ngushtë i presidentit. Hobi i tij është nënshtrimi i kundërshtarit. Ligji i taksave, për shembull, i propozuar prej tij, u mundëson inspektorëve të taksave  të hyjnë në shtëpitë e tregtarëve për të bërë “inspektime”. Synimi është i qartë: Të vërë nën zgjedhë shtresën e mesme të popullsisë, t’ia kyçë gojën opozitës përmes masave administrative, vetëm e vetëm që njeriu që e ka në loçkë të zemrës të pasurohet pafundësisht. Nuk më vjen ndërmend ndonjë herë kur Gjykata ukrainase të kapet fytazi me opozitën, pasi nuk mendoj se opozita gabon në çdo hap që hedh. Pak kohë më parë, parlamenti kaloi një ligj ky gjykatësit duhet të ndjenin si detyrë mbi detyrat të jepnin detaje mbi veprimtarët dhe protestat kundërqeveritare. Ndërkohë, që policia është treguar në lartësinë e detyrës për t’i shtypur forcërisht protestat edhe pa pasur në dorë një vendim gjykate. Njëherë e një kohë jetonim në një vend që nuk shkonte kaq keq, në një vend ku gjallonte shpresa se një ditë do të trokisnim në dyert e Evropës. Ky shkoi vallë kjo ëndërr? Na zënë veshët gjithnjë e më shumë “intervista paraprake” me gazetarë e përfaqësues të rrafshit publik, me përpjekjet e pashtershme për të rekrutuar emra të rinj, të hartimit të listave “të njerëzve të besuar” si dhe dosje ta hapura me emrat e politikanëve të opozitës. Vendi po zbrapset në një regjim policor. “Pasrendja” është fjala më me vend në vend: ne po kthehemi pas. Ndoshta në vitin 1970? Partia e Yanukovychit (Party of Regions) ka shpallur publikisht synimin e saj se do të fitojë bujshëm (synimi është 70%) në zgjedhjet vendore të vjeshtës. Synimi i reformave qeveritare është krijimi i një lloj “Rusie 2” - ndonëse më të brishtë e më të prapambetur. Rendi social në këtë rast është një degëzim i neo-stalinizmit dhe kastës feudale oligarkike. 
Vetëm diçka më mbetet ende enigmë. Përse vallë regjimi i Janukoviçit ndjen nevojën e Evropës? Ku synojnë vallë me këtë lojë të gjoja integrimit dhe pallavrave pro-evropiane? A mos vallë kanë vetëm synime që gjithçka të shkojë fjollë me bankat e fondet evropiane? Apo, që të mundësojnë pushimet e fundjavës në brigjet e Sardenjës? Si kurrë ndonjë herë më parë ne nuk kemi pasur në krye një pushtet që është zhvendosur kryekëput nga vlerat evropiane. Ndonjëherë nuk na bën derman as edhe të ëndërrojmë rikthimin e Kuçmas (Leonid Kuchma, presidenti ukrainas i detyruar me forcë  të jepte dorëheqjen në vitin 2005). Thirrja ime drejtuar Komunitetit Evropian është: “Vëzhgojeni nga afër - më shumë se kurrë - qeverinë aktuale ukrainase dhe veprimet e saja. Zoti e di përse, por kjo qeveri ua vë ende veshin fjalëve tuaja. Mos e lini veten t’ju mashtrojnë me broçkulla të tilla se po vendosin “rend”!
Tani për tani, unë dua vetëm që ëndrrës sime t’i vijë fundi. Pesë vite të shkuara, as që më shkonte ndërmend se ëndrra ukrainase do të merrte një goditje kaq rëndë në vitin 2010. Nuk ka betejë në vazhdë, lufta është thuajse e humbur. Përfundimisht jemi të pushtuar. Ne në Ukrainë kemi një shprehje enkas për këtë gjendje ku ndodhemi: “pushtim i brendshëm”- sidomos kur bie fjala për zgjedhjet presidenciale dhe dredhitë në zgjedhjet parlamentare. Sistemi në të cilin jetojmë nuk mund të damkoset vetëm si anakronik, por edhe si një sistem që po ringjall trashëgiminë staliniste, sistem i cili mund të dalë fitimtar në rendin e zhvillimeve të pritshme historike. Kjo bindje që deri dje më lundronte në ujrat e pasigurisë është vetë ajo që sëmbon fort  shpresat e mia për të ardhmen. Ose më mirë të them, të atyre shpresave e ëndrrave që kanë mbetur ende gjallë.

Autori është shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes ukrainas

Posted via email from Shkupi Press extra