Hienat që ushqehen me politikë

Nga Besnik Gjongecaj

Po të depërtosh në qendër të politikës shqiptare vëren lehtësisht se aty mungon përmbajtja, që politikën e bën të tillë në një vend demokratik: vendimet nuk merren në interes të vendit dhe politikanët nuk janë shërbyes të qytetarëve (public servants). Vendimet në procese politike merren në interes të individit dhe aq e vërtetë është kjo, sa që pothuajse askush nuk do të lëvizte madje edhe gishtin, për të hyrë në politikën shqiptare, nëse nuk do të kishte mundësinë gati absolute të përfitonte padrejtësisht prej saj. Po kaq i vërtetë do të ishte edhe konstatimi që si guaska pas heqjes së kafshës së vogël që lëviz brenda saj, politika shqiptare ka mbetur e zbrazët, pa shpirt. Shpirti i politikës është morali dhe ka me mijëra shembuj që vërtetojnë se është e vështirë që në fytyrë të dheut, të gjesh një politikë më imorale se ajo që ekziston në Shqipëri. Pa përmbajtje dhe imorale, si asnjëherë dhe si asnjë tjetër, trupi i politikës shqiptare dergjet brenda kufijve të këtij shteti duke u bërë shkak permanent i kërcënimit të këtij të fundit nga kriza të vazhdueshme: kriza e pronës që akoma nuk del në treg, pasiguria e parave, mjekimi i dyshimtë, arsimimi i gënjeshtërt, drejtësia e inkriminuar, vota që vidhet prej vitesh, ndarja e pushtetit si në kohën e “pashallarëve të kuq” dhe moskontrolli i përdorimit të tij. Pa përmbajtje dhe pa moral, politika e sotme shqiptare i ngjan një kufome që dergjet nën një diell përvëlues, duke u bërë pre e hienave. Ose më mirë, pre e kodoshëve, që shfaqen e rishfaqen pa mbarim mbi trupin e saj, e kafshojnë dhe largohen për t’u rikthyer njëherë tjetër, me një emër të ri, por hienë gjithsesi, gjithsesi kodosh. 
*** 
Pak kohë më parë, por brenda një dite të vetme, agjencitë e informacionit dhanë dy lajme njëri pas tjetrit, pa asnjë koment, si në të vërtetë i ka hije medias në dhënien e një lajmi. Lajmet ishin për një ministër të LSI-së, që në emër të ndarjes së pushtetit me PD-në, është pasuruar në mënyrë impresionuese brenda një kohe të shkurtër dhe për t’u pasur zili nga çdo biznesmen i këtij vendi, si dhe për një grua të re që vret veten në një fshat të Korçës, për shkak të pamundësisë për t’i dhënë fëmijëve të saj thjesht një copë bukë. Nuk e mbaj mend se cili ishte lajmi i parë, ai i ministrit që ishte pasuruar në mënyrë impresionues, apo ai i gruas së vetëflijuar, por ajo që mbaj mend ishte se secili lajm ishte tronditës në vetvete, dhe të marrë së bashku, apo në kontekst të njëri-tjetrit, këto dy lajme fitonin një fuqi vullkanike, të mjaftueshme për të shkulur me rrënjë krejt qenien, duke vënë në dyshim të thellë ekzistencën e secilit prej nesh në fytyrë të këtij shteti. Gjithsesi, asgjë nuk përfundon këtu për sa i përket asaj dite, përkundrazi, ajo ditë pati një lajm mbi lajmet, një kryelajm, të paktën për mua. Në oborrin e pallatit ku jetoj, po atë ditë, u shfaq një grua me një status të dyfishtë: edhe e çmendur, edhe kurvë. Ajo gërvishti qiellin me një zë të ngjirur, duke pyetur një shofer taksie që lexonte një gazetë, nëse ka ndonjë politikan të arrestuar sot dhe, pasi nuk mori asnjë përgjigje nga shoferi i turpëruar, kjo grua iu përgjigj vetë pyetjes që bëri duke thënë se nëse nuk ka një politikan të tillë, pra një politikan të arrestuar për shkak të korrupsionit, atëherë është e kotë që ai të lexonte atë gazetë, çfarëdo gazete, dhe do të ishte shumë më mirë për të, pra për shoferin, që në vend ta lexonte gazetën, ta përdorte atë për ndonjë qëllim tjetër. Të dy lajmet që iu drejtoheshin shqiptarëve dhe ngjarja-lajm vetëm për banorët e pallatit tim, në saj të një prej atyre kombinimeve të rralla, sa fatale aq edhe fatlume, të cilat të marrin “për dore” e të çojnë drejt thelbit, drejt të vërtetës, formuan befasisht atë ditë “të tërën”, pikturën më komplekse të realitetit shqiptar që kisha mundur të perceptoja ndonjëherë. Një kombinim lajmesh dhe ngjarjesh që më qartësisht se kurrë, të bëjnë të njohësh atë çfarë në fakt po ndodh në këtë vend dhe që fshihet me kujdes nga institucionet apo autoritetet që ekzistojnë si të tillë, vetëm për ta paralajmëruar atë. Një numër pyetjesh që mund të mos mbarojnë kurrë: A do të ishte e varfër kjo grua, nëse ministri nuk do të pasurohej për shkak të postit? A do të vetëflijohej kjo grua e re, nëse nuk do të ishte e varfër? Dhe pastaj te ajo që thotë gruaja e lagjes me status të dyfishtë: a do të dënohet ky politikan, pra në thelb, a do të funksionojë sistemi i drejtësisë? Akoma më tej: a do të jetë në gjendje pushteti i medias të ndikojë në opinionin publik dhe nëpërmjet tij te sistemi i drejtësisë? Apo, a është aq i korruptuar sistemi i drejtësisë, saqë, pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, të japë drejtësi përsëri? Akoma më shumë: a do të arrijë të kuptojë sistemi i arsimit të lartë se çfarë juristësh po nxjerr dhe çfarë pedagogësh duhet të ketë për t’i përgatitur ata si qytetarë para se të bëhen profesionistë? Akoma më tej: a do të arrijë qeveria të kuptojë dramën e madhe të korrupsionit, pra atë që korrupsioni nuk është thjesht vjedhje parash publike, por edhe vrasje njerëzish të pafajshëm? Qartësisht, në hapësirën e vijëzuar nga të tri lajmet e asaj dite, përfshihej e gjithë Shqipëria dhe pothuajse asgjë nuk mbetej jashtë. Sot, në Shqipëri, nuk mund të kundërshtohet fakti që midis varfërisë dhe pasurisë ka një simbiozë negative, në të gjitha kuptimet, madje edhe në atë matematikor. Askush nuk mund të thotë sot që është rritja ekonomike, ajo që pasuron njerëzit apo që përmirëson jetën e tyre. Përkundrazi, veçanërisht pasurimi i politikanëve, vjen për shkak të vjedhjes së saj. Askush nuk mund të çuditet pse, me gjithë rritjen ekonomike, thellohet dhe përhapet varfëria, e cila bëhet shkak për akumulimin e pasurisë diku tjetër. Hapësira ekonomike e vendit është ndarë në mënyrë të tillë që pasuria të grumbullohet gjithmonë e në më pak duar, ashtu sikundër varfëria të përfshijë gjithmonë e më shumë njerëz. Po kështu është ndarë edhe hapësira demokratike. Kjo e fundit nuk është homogjene, përkundrazi, ajo është ndarë brutalisht në dy pjesë, bazuar në mënyrën se si trajtohen njerëzit përballë ligjit: në njërën anë të saj, njerëzit janë mbi ligjin, madje e formulojnë atë në mënyrë që të jetë në shërbim të tyre, siç është rasti i një ministri që vjedh pa u ndëshkuar dhe jo vetëm, dhe në tjetrën, nën peshën e një rrjeti gati mafioz ligjesh, aktesh nënligjore, rregullash, që krijohen për të kapur në grackë qytetarin, kundërshtarët, ndodhen fatet e njerëzve të thjeshtë, të pambrojtur, të dënuar për t’i respektuar ato, edhe kur janë në kundërshtim me interesat e tyre. 
*** 
Edhe nën kafshimet e hienave, politika shqiptare po përjeton zhvillime megjithatë, të cilat, si në çdo gjë të vdekur, nuk janë reale por simbolike, gati gati si lëvizje hijesh, fantazmash. Sot, pas 20 vitesh, partitë shqiptare po rigrinden se kush është më komunist se tjetri, kush ka thirrur më shumë se tjetri të shkuarën komuniste në shërbim të së sotmes, vetvetes. Ekzaktësisht, ashtu si do të duhej të ishte për një politikë pa jetë: një luftë fantazmash të së shkuarës. PD, në këtë rast pa LSI-në sigurisht, akuzon PS-në se ka thirrur në skenën politike ish-pinjollët e “bllokut”, të cilët, ashtu si baballarët, e urrejnë demokracinë dhe votën e lirë. Akuza ka pjesë të vërteta, por nuk është koherente. Vetë PD-ja ka në gjirin e saj pinjollë të bllokut gjithashtu, ish-komunistë, apo ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit dhe aq më shumë, unë nuk njoh forcë politike në Shqipëri më pranë ish-komunistëve shqiptarë, në të gjitha kuptimet, se LSI-ja, me të cilën PD-ja ka bërë një aleancë nga më të gjërat në politikën shqiptare. Madje, në këtë aleancë, PD-ja i ka shitur të dyja: edhe shpirtin, edhe trupin. Por vetëm kaq është shumë pak. Fatkeqësisht, PD-ja ka kontribuar më shumë se PS-ja në mbajtjen gjallë të komunizmit në Shqipëri, jo vetëm se po i ngjan gjithmonë e më shumë ish-PPSH-së nga pikëpamja e aplikimit të standardeve të demokracisë brenda vetes, jo vetëm pse ringjalli disa nga pinjollët e ish-familjeve të “bllokut”, por, gjë që është edhe më rrënqethëse, sepse ringjalli nëpërmjet qeverisjes së saj, ekzaktësisht ato marrëdhënie përmes të cilave shteti totalitar i para viteve ‘90 rregullonte ekzistencën e tij si i tillë. Këto marrëdhënie, sado paradoksale të duket, rregullojnë edhe sot ndarjen e pushtetit dhe jetën financiare në vend, veçanërisht komunikimin ligjor të qeverisë me institucionet e arsimit të lartë, me institucionet shëndetsore, mënyrën e përdorimit të parasë dhe pushtetit brenda vetë këtyre institucioneve. Marrëdhëniet e tipit komunist rregullojnë mënyrën se si funksionon krejt administrata e shtetit shqiptar, se si qeveria rregullon realisht raportet me tri pushtetet e tjera. Forma ekzistuese e këtyre raporteve, vetëm në dukje mund të japë përshtypjen e lidhjeve funksionale në një sistem demokratik, por në thelbin e saj nuk është gjë tjetër vetëm një formë e sofistikuar komandimi e legjislativit, drejtësisë, dhe me plot gojën edhe e një pjese të madhe të medieve, nga qeveria, pra e një shtresëzimi hierarkik pushtetesh shumë më tepër se një ndarje e tyre. Ndërsa PS-ja mban gjallë gjakun e familjeve ish- komuniste në politikën e sotme, PD-ja kujdeset për shpirtin, frymën komuniste të qeverisjes. Këtë situatë nuk mund ta mbulojnë as termat që të huajt përdorin në nivelin makroskopik, dhe që shpesh iu shkojnë për shtat politikës dhe aq më shumë qeverisjes së sotme. Këtë situatë nuk mund ta fshehë, prandaj, termi “demokraci funksionale”, i cili përmban konceptin që demokracia nis aty ku funksionojnë të katër pushtetet, përfshi dhe median, dhe përfundon kur të paktën njëri prej tyre bllokohet. Sipas këtij koncepti, për sa kohë parlamenti është i mbledhur, për sa kohë qeveria ka më shumë se gjysmën e votave në parlament, për sa kohë ka gjykata dhe për sa kohë shtypen gazeta, në Shqipëri ka demokraci që funksionon?! Por, veçanërisht për Shqipërinë, termi “demokraci funksionale” i formuluar kështu, pra në nivelin makroskopik, pa konsideruar realitetin nën të, nuk do të thotë asgjë. E vërteta në një vend si Shqipëria mund të zbulohet vetëm kur demokracia ekzaminohet në nivelin “qelizor”, mikroskopik, vetëm kur e ke dhe nuk e ke humbur sensin e realitetit. Që një politikan të kuptojë se sa funksionale është demokracia në Shqipëri, aq më shumë një politikan shqiptar që drejton vendin ose e pretendon këtë, duhet të shkojë një ditë dhe të aplikojë për pasaportë; të bëhet një ditë kryetar i një komune dhe të shpërndajë asistencën; të jetë i papunë një ditë dhe të trokasë në zyrat e shtetit; të ekzaminojë studentët në një provim dhe të shohë se si blihen ato; të marrë pjesë njëherë, vetëm njëherë, në komisionin e Vlerësimit të Titujve, për të parë se si, dhe kush po bëhet sot “profesor” në Shqipëri; të jetë një orë dekan për të parë se si formohen komisionet e provimit; të organizojë njëherë fushatën për t’u zgjedhur rektor dhe për të dhënë një diplomë; të jetë një orë në sallë të leksionit, për të parë se si jepet ai; të jetë vetëm një orë në një sallë ku operohet një i afërm i tij në spitalin 2 të Tiranës dhe të mund të vendoset në raporte reale me doktorët dhe infermierët; të jetë vetëm një ditë porositës tenderësh ilaçesh; të jetë një orë nëpunës administrate, për të parë se si sillet shefi me të dhe ai me vartësit; të jetë një orë viktimë e Gërdecit për të parë si sillet gjykatësi dhe qeveria me të; të jetë një orë gazetar dhe të përjetojë marrëdhëniet me pronarin e gazetës; të jetë një ditë gazetar kundër qeverisë, biznesmen që nuk jep para për fushatë; të jetë një orë gjykatës dhe të mundohet të mos e pranojë “shukun” e parave nën dorë; të jetë një ditë një prind që nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët e vegjël; të jetë një ditë, vetëm një ditë, një njeri i ndershëm, për të parë se si të trajtojnë të pandershmit, i aftë për të parë se si të “kafshojnë” të paaftët, të jetë... Të mos jetë një ditë politikan, në fund të fundit, për të kuptuar realisht se ç’është politikani në Shqipëri, për të kuptuar se si politikanët e këtij vendi e rrënuan politikën ditë pas dite, deri në pikën kur ajo u zbraz, humbi përmbajtjen, moralin, misionin dhe u shndërrua në kufomë, në ushqim për hienat, për kodoshët, duke ndotur krejt vendin, njerëzit, kohën. 

Posted via email from Shkupi Press extra