GIDEON RACHMAN
“The Economist”
Kur vjen puna për të shkruar përrallën e krizës së eurozonës, fajtorët, nëse liderët e Europës do të kishin diçka për të thënë, nuk janë grekët e pavërtetë apo gjermanët hezitues, por tregjet financiare. “Tregtarët e përshkruajnë Greqinë si një ‘terror psikologjik’”, deklaron kryeministri Jorgos Papandreu. “Ata po bënin para në kurriz të të tjerëve”, ankohet Michel Barnier, Komisioneri i BE-së për tregun e përbashkët. Për krizën, faji iu është vënë tregjeve, fondeve cinike, kapitalizmit neokonservator, shtypit anglo-sakson dhe forcave të tjera të errëta. Por jo të gjithë europianët e demonizojnë tregun. Europa ish-komuniste, është më pak armiqësorë. Megjithatë, rreth 29 për qind e spanjollëve dhe italianëve dhe rreth 42 për qind e francezëve u shprehën se kapitalizmi i tregut të lirë ishte plot probleme. Vetëm 13 për qind e amerikanëve e ndajnë këtë pikëpamje.
Nicolas Sarkozi e ka deklaruar kapitalizmin e tipit “laissez-faire” të përfunduar tashmë. Thuajse e vetme në Europë, Franca ka vendosur një taksë vjetore pasurie për asetet më të mëdha.
Në letërsi dhe filozofi, nga Molieri dhe Balzaku deri te Sartri, francezët e kanë denoncuar pushtetin e korruptuar të parasë dhe janë tallur me të pasuruarit rishtazi. Komunistët, trockistët dhe anëtarët e partisë së re antikapitaliste trajtohen jo si kuriozitete, por si të ftuar nderi. Pse është Franca kaq e veçuar? Mund të jetë faji katolik apo marksizmi? Mund të jetë romanca e zgjatur e rebelimit revolucionar, apo të paktën miti i barazisë?
Cilado të jetë arsyeja, dyshimi për pasurinë për një shkak që Sarkozi është në telashe sot për lidhjet e tij me gruan më të pasur të botës, Liliane Bettencourt, pronaren e “L’Oréal”.
i njëjti refleks mund të pengojë Dominique Strauss-Kahn, bosin e FMN-së dhe liderin më kompetent socialist, të garojë për presidencën në vitin 2012: ai është dëmtuar nga lidhja mes pagës së tij dhe parave të Uashingtonit. “Kudo tjetër, suksesi material është i admirueshëm…miliarderët duartrokiten, bosët përgëzohen”, shkruan Alain Duhamel, një komentator politik francez. “Në Francë, jo. Pasuria nxit mëkat, paraja është djall”. Ndoshta është koha që Franca të mësojë sekretet e errëta të Europës. E vërteta është se shoqëria e tyre është kapitaliste. Gjithçka bazohet mbi të ardhura dhe fitime. Dhe tregje të përbashkëta.
Franca po e furnizon me ide të reja Bashkimin Europian. Nëse këto përfshijnë edhe një qeveri ekonomike për eurozonën, harmonizimin e taksave, tarifat mjedisore në kufi apo atë që Barnier e konsideron “një Europë më humane dhe sociale”, këto tentojnë ta zvarrisin projektin europian në mënyrë joproporcionale drejt së majtës. Shqetësimi në Bruksel është se liderët francezë që u japin zë frikërave franceze për konkurrencë të padrejtë, po e cenojnë parimin e tregut të përbashkët. Ose kur ata flasin për qeveri ekonomike, nënkuptojnë vendosjen e rregullave sociale për të gjithë. Gjithkush e di se Sarkozi bën më shumë zhurmë sesa shkakton shqetësim. Por, me Europën që po vuan nga papunësia e lartë, rritja në nivel të ulët dhe masat shtrënguese, rreziku është që këto bisedime të rrëshqasin në rregullore të ashpra nëse jo direkt në proteksionizëm. Në rastin më të mirë, përzierja në tregjet financiare do ta dënonte Europën me një rënie të lehtë.
Në rastin më të keq, kjo do të cenojë sipërmarrjet kapitaliste nga të cilat varen modeli social dhe prosperiteti i tij. Pak vite më parë, një politikan ambicioz i qendrës së djathtë dukej se ishte dakord. “Për 25 vjet, Franca nuk ka ndaluar kurrë së dekurajuari nismat dhe dënuar suksesin”, tha ai. “Parandalimi i dinamikës së pasurimit na ka varfëruar të gjithëve për pasojë”. Emri i tij?





