PROF. DR. ADRIATIK KALLULLI
Duke studiuar poezinë e përzgjedhur të Vladimir Torovecit
Duhet të matesh fort nëse dëshiron të japësh një gjykim të qëndrueshëm për krijimtarinë poetike të Vladimir Torovecit. S’të mjafton kurrsesi një lexim, sado i vëmendshëm dhe i përqendruar qoftë ai. Të duhen dy a më shumë dhe mundësisht në distancë kohe. Përse? Se poezia e tij e përzgjedhur dhe e përfshirë në vëllimin “Kohë Parvenysh” (2009) nuk ka as edhe një poezi rutinë, asnjë vargëzim të rëndomtë, asnjë kontekst poetik pa nerv, pa mendim të thellë dhe ndjesi të thellë. Duke qenë e tillë nuk përtypet vetëm me një të lexuar. Është një poezi fort e ngjeshur, me të vërteta jete dhe realitetesh, me refleksione të forta shpirtërore, me mendime që marrin trajtë proverbe e sentence, një poezi që s’të lë kurrë indiferent, që ta prish qetësinë, por edhe e tillë që sikur ta lyp mendimin, reagimin, prononcimin. Është e tillë në shumicën e vet, ngaqë vetëdija për krijimin është shumë e lartë. Në qoftë se Persi Bishi Shelli pat shkruar dikur se: “Poetët janë ligjvënësit e panjohur ligjërisht të botës” dhe Borges: “Poeti nuk mund t’i kthejë shpinën epokës së tij”, Toroveci ka aforizmën poetike: “Poetët çirakë të zotit janë”. Kjo vetëdije sublime e bën atë të jetë tepër selektiv dhe t’i drejtohet kryesisht një lexuesi dhe qytetari elitar, të tillë që edhe pse është i rrethuar shpesh nga baltëra, lluca, gropa dhe shembje e përmbytje gjithfarësh, qëndron i dëlirtë, qëndron i fortë dhe i zgjidh mbarësisht shumë dilema që i vërtit jeta përditë. Sidomos ky tip lexuesi që realisht është i paktë, që lumturisht nuk është zhdukur, e ndjen, e kupton, e shijon si monolog të tij poezinë e V. Torovecit. Përse? Përgjigjen e shpreh fort mirë poeti-koleg, Bardhyl Londo kur jep sintezën: “Poezia e Torovecit vjen si një klithmë fisnike, ekzistenciale e një shpirti, të cilit i është mohuar plotësisht e kaluara...” (“Tema”, 11 mars, 2001) “Jam zog krahëthyer”. Kaq mjafton për ta përvijuar pohimin. Asnjë kohë e ardhme, sado e lumnueme qoftë, s’mund të t’i ngjitë krahët për fluturime të tjera. Poeti është përjetësuesi. Jo vetëm i përjetimeve të veta, por edhe i shumë të tjerëve. Është përherë një alter-ego, që edhe pse trimërisht, qëndron “mbi shkëmbin e fatit të vet”, i hedh sytë te të tjerët. S’ke të drejtë ta quash veten poet kur i shmangesh peshës së rëndë të Sizifit. “Qetësia e vërtetë është shqetësimi”, pat thënë J. Green, prandaj le të na dhëmbin hallet, dertet dhe plagët e të tjerëve. Ndryshe, as provë qytetarie, as akt poetik s’kemi dëshmuar.
Por poezia nuk është vetëm akt humanizmi dhe moraliteti. Është më së pari art i mirëfilltë, art që depërton brenda shpirtit tonë me kodet e veta të veçanta. Po s’qenë këto kode gjithandej materies poetike nuk e kemi ende poetin. Toroveci e ka këtë kod dhe e mishëron në shumicën e krijimeve. Gjetje befasuese brenda situatash dhe momentesh jetësore që i kalojmë përditë, peizazhe natyrore dhe sidomos shpirtërore, të ngarkuara me lloj-lloj imazhesh dhe ngjyrash, spektaklet e pranverës dhe ngricat dimërore ku dhe gjaku mërdhet, shumë çaste të helmëta që e bëjnë poetin të dergjet e të kridhet në moçale dëshpërimi: “Kisha frikë nga nata/ Por jo nga vdekja”... “U shtriva të vdes i vetmuar”... “Jam i drobitur,”... “I lodhur tmerrësisht,”... “Më pushëron lëkura/ Prej punës së rëndë” dhe të tjera e të tjera, refleksione që do t’i përkapim më tutje, sepse poezia e tij është një sizmograf i pasur i të gjitha baticave, zbaticave, lëkundjeve, hepimeve, rrëzimeve, thyerjeve, dëshpërimeve që kalon robi i gjallë. Poet thellësisht refleksiv me rrëfime të çiltra, shpesh të ashpra dhe rrëqethëse, të bën për vete aq fort sa merr pjesë edhe ti, si lexues, në ahet e ohet e shpirtit që vuan. Lexojeni dhe rilexojeni, duke u ndalur në çdo varg poezinë e shkëlqyer antologjike “Diçka për vete...”. Do të bindeni se nuk është vetëm biografia e një fillikati. Shumëkush ka në të fragmente të biografisë së tij dhe do të bjerë në mendime duke pëshpëritur e folur me vete: Sa të pakta dhe të shkurtra janë çastet e qeta për njeriun! Sa të shumta shtigjet e errëta ku na vërvit absurdi. Poeti asnjëherë nuk flet në përgjithësi. Zbulimi i gjendjeve shpirtërore të heroit të tij poetik bëhen në trajta konkrete, sidomos me kundërshtitë e shpeshta të realitetit tonë. Nëpër vargje e kontekste poetike mbresëlënës nisin të të shfaqen imazhet e keqdashësve meskinë që i kemi nëpër pallatet, rrugët, zyrat dhe institucionet tona. Me “poza fitimtarësh” sepse dinë të tjetërsohen kur duhet, paçka se “nuk kanë bërë asgjë në luftë”. Pseudoluftëtarët marrin postet, ofiqet, pasuritë, nderimet, luftëtarët, plagët, mohimet, shmangiet. I tillë është fati i fitimtarit në shekujt e rëndë të historisë. Edhe “Gladiatori” të tillë fat pati: “Dinjiteti paguhet/ Vetëm me plagë,/ Dhe jetë gladiatori”. Në ndërluftimet e kohërave gjendet përherë një shtresë indiferentësh, pseudoneutralësh, të mashtruarish deri në verbëri të vetëpranueshme. Të tillët, filozofon poetikisht autori, përbëjnë komunitete regresi dhe bastardimi. Kësisoj turma, grigja njerëzore, vret e linçon edhe ata që duan t’i hapin sytë: “Po shpirtrat e plebenjve/ Të pandjeshëm mbetën”. E intensifikon këtë mendim: “Ishin njerëzit, jo zotat/ Që më çanë kraharorë”, psherëtin tërë dhimbje shpirti, Prometeu, duke na kujtuar atë pohimin e famshëm të Mefistofelit te “Fausti”: “I vogli zot i botës, ka mbet po ai qyqar”.
Poeti vuan kur njeriu kthehet në gjallesë e pilivesë, kur e fiziologjizon tërë jetën dhe mundin e tij duke u zhbërë e tjetërsuar. Ky njeri i zhbërë dhe i tjetërsuar është një dhimbje e një plagë e majisur për heroin poetik. Do të hasim kështu në vëllim dhjetëra poezi dhe pasazhe të ashpra poetike për tjetërsimet dhe metamorfozat njerëzore. Dhe poeti vuan për këtë bastardim sepse njeriu, njerëzimi është sublim dhe në fund të fundit gjeni i tij që lypset të jetë madhor e sublim. “Më vjen të vjell përmbi ju,/ Avokatët e djallit”, këlthet në një varg, duke na sjellë ndërmend porosinë e hershme të Ernest Heminguejit: “Larg nga avokatët! “Por akuza e padija shfren gjithandej ku njeriu e ka braktisur njeriun: “Më vjen për të vjellë,”... “Lëtyra”, “Përbindësha të vegjël”, “Kimera me dhëmbë prej stralli”, “Me gjuhë nepërkash” dhe të tjera përbuzje të merituara, të pohuara me dhimbje. Përse njeriu të shkasë në të tilla moçale vesesh?! Në poezinë-akuzë “Përzierje” intensifikimi i paditë bëhet me tone të ashpra dhe fjalë që kanë ngarkesë pezhorative paraprake. Dhe paditë e poetëve shkulin në çast çdo imunitet. Janë padi engjëjsh që s’dinë ç’janë konjukturat, kompromiset meskine dhe falsitetet. Imazhet e së keqes marrin në poezinë e V. Torovecit ngjyrime dhe relieve impresioniste-ekspresioniste. I ndjen ai më së pari e më së ploti dhe mandej i intensifikon përmes ndjesive dhe emocioneve të veta, duke qenë një piktor-poet, duke dhënë realitete të vrazhda sociale që s’e lënë të qetë: “Ç’të bëj... ku të shkoj këtë mbrëmje/ mbi kodra shkreti rreth e qark/ Fantazma e pyllit të vrarë,/ Sërishmi më shfaqet nga larg. Peizazhi i zi, nëse mund të shprehemi kështu. Nonda Bulka dhe Kapa do ta përgëzonin për fuqinë realiste-impresioniste të pasqyrimit. S’ka asnjë teprim të heroit lirik. Plagët e shoqërisë e bëjnë fort të vuajë, por nuk e mposhtin. Njerëzit e kthyer në akrepa, centaura, gorilla, gjarpërinj e lugetër i ka njohur edhe prej historisë. Dija vjen nga përvoja dhe përjetimet: “Tani i mësova të gjitha/ Më duhet të vdes”. Por ka forcë ta shmangë vdekjen, të ndeshet me të, se zërat e jetës e thërresin gjithandej. I përjeton situatat si të gjithë njerëzit e ndjeshëm, por nuk qëndron te dëshpërimi dhe pasiviteti. Si piktorët impresionistë që e mbërthejnë në çast, çka iu lë vragë të thellë, përpiqet që këtë vragë ta hedhë në cohën e poezisë, ta bëjë të qëndrueshme por edhe të transmetueshme dhe të përkapshme emocionalisht edhe për të tjerët. S’jam vetëm unë, sikur thotë heroi lirik, që i thith të tilla pezme, helme dhe rrallë nektare dhe elizire. Kështu vetvetja shkon tek të tjerët, duke u përftuar prej tyre emocionalisht dhe estetikisht. Sikur e dëgjon Rilken që thoshte: “...poetët thërrasin për më shumë”. Kjo poezi thellësisht refleksive mbytet e tejmbytet shumë herë nga baticat e dëshpërimit, por nuk zhytet. Heroi lirik e vuan sëmbueshëm të keqen, por e kupton se në fund të fundit është jetëshkurtër. Në vetvete ky hero është i fortë, i qëndrueshëm, i paepur: “Kisha frikë nga nata/ Por jo nga vdekja”. Dhe ka të drejtë se sheh gjithandej njerëz e gjallesa me zgjyrë mëkatesh, pse gjendet shpesh “nën shi meteorësh”, pse jeton në një komunitet “ku koha është pa kohë”. Natyrisht që të gjitha këto përjetime absurdi, e trazojnë, e mundojnë, e hepojnë: “I lodhur tmerrësisht prej rravgimesh pa sens/ endemi të vetmuar/ Ferrit të jetës/ Mizorisht i vetmuar”, siç janë që të gjithë poetët dhe mendimtarët seriozë. Por realitetet sado të trishta qofshin të japin edhe balsamin. I përtërirë nga shpresat rifutet në jetë më i fuqishëm, më i etur për ndeshje: “Kush do ma shuaj zjarrin/ Jeta apo vdekja...?! Pas këngës së poetit vjen si iso logjika e filozofit. Prandaj sërish heroi lirik refleksiv, pohon: “Unë ngulmoj dashurinë...” Dhe jeta i përgjigjet me po atë alfabet. Ja, nëna përherë me “një lumë të kthjellët me dashuri”, më tej e më tutje, e dashura që edhe si imazh, i shton besimin, po edhe pranvera: “mizëri balerinash shndritëse” që na lëbyrin sytë, por e ëmbël është edhe ajo nostalgji mjaltërore për moshën e fëmijërisë kur gazmonim krejt pas pëllumbave e pilivesave. Por edhe lumturia e pritshme e bijës që pret me padurim njeriun e zemrës. Në të tilla zabele “përkundet prehja ime”. Dëshpërimi është i rëndë, i gjatë, sfilitës, por s’është krejt jeta. Prandaj heroi lirik është sërish në jetë, di ku t’i kërkojë burimet e optimizmit. “Freri, sado i bukur qoftë,/ E tremb mëzin e kaltër”, por s’ia ndal dot vrapin. Edhe poetët të tillë janë. Me “zëra rebelë” shfaqen në limontinë e ditëve të shuara për të zgjuar guxime, pasione, synime.
Në një ese të tij V. Toroveci shprehet: “Secili duhet ta zgjedhë vetë vendin se ku do të qëndrojë”. Vetë poeti e ka zgjedhur fort mirë vendin e vet. Nuk është e lehtë në kohën tonë ta gjesh vendin që të takon dhe ku të nderojnë të gjithë.